MË THUAJ Ç’DIALEKT FLET…

Lexova sot, në La Repubblica, se gjykatësi i një procesi kundër ‘ndrina-s ligure, kish kërkuar të thirrej në sallë të gjyqit një ekspert i dialektit kalabrez, për të përkthyer fjalët e të pandehurve, të akuzuar për veprimtari mafioze.

Mundet që këta kalabrezë të mos jenë në gjendje të flasin italishten standard; mundet që të mos duan ta flasin – ligjërimi në sallën e gjyqit duhet vlerësuar edhe për pasojat e veta ligjore.

Megjithatë, imazhi i kalabrezit që përpiqet, por nuk arrin të flasë italishten e përbashkët, më sjell shumë imazhe të tjera në mendje.

Më kujton, para së gjithash, lloj-lloj zyrtarësh, burokratësh dhe aristokratësh, që kam takuar gjatë viteve që jetoja në Napoli; dhe që nuk arrinin dot ta ndërronin regjistrin e ligjërimit nga dialekti në italishten e njësuar, edhe kur dëshironin.

Mund ta refuzosh gjuhën e njësuar me vetëdije, ose për arsye parimore, politike ose kulturore; por mund edhe të mos jesh në gjendje ta flasësh, sepse nuk e ke mësuar mirë, sepse të mungon “veshi” për gjuhë, sepse e konsideron të folmen lokale si thelbësore për identitetin tënd, ose ngaqë nuk je mësuar të komunikosh me njerëz jashtë qerthullit të ngushtë të familjes, të lagjes dhe të qytezës.

Arsyet e kapsllëkut ligjërimor duan qëmtuar individualisht.

Zëvendëskuestorja e Napolit, në një takim me lektoratin e Institutit Oriental (ku gjendesha edhe unë), u mbulua në djersë, tek mundohej t’u fliste në italishte të rregullt lektorëve të Institutit, të cilët italishten nuk e kishin gjuhë amtare, por e flisnin ku e ku më mirë se ajo.

E kisha dëgjuar atë grua të fliste edhe në rrethana të tjera; dhe napolitanishtja e saj tingëllonte kaq melodioze, sa më vinte t’i propozoja të këndonim një këngë së bashku.

Në vija të trasha, unë njerëzit do t’i ndaja në dy grupe: njëra palë i përshtatet gjuhësisht kontekstit social, tjetra është refraktare.

Gjithnjë më ka bërë përshtypje nëna ime – mësuese letërsie, që fliste lirshëm shqipen e njësuar në shkollë, dialektin e qytetit të Gjirokastrës me të ëmën e vet dhe gjithfarë kushërirash, të folmen e kulluar tironçe me gratë e lagjes, një version të ndershëm të shkodranishtes me familjen qytetare shkodrane të burrit të motrës së vet, e kushedi se çfarë forme tjetër të shqipes.

Ndërkohë, më vjen në mend edhe një mësuese historie që kam pasur në gjimnaz, grua me kulturë dhe interesa intelektuale, që fliste me ne, nxënësit tiranas te “Sami Frashëri”, shkodranishten më të kulluar që mund të kem dëgjuar ndonjëherë, të paprekur nga shqipja standard.

Me një mësues që do të na fliste në dialektin e Matit apo të Progonatit, do të kishim qeshur, siç qeshnim me tironçen e Qazim Mulletit në teatër; por shkodranishten njëfarësoj e pranonim pa shumë komente.

Refuzimin për të bërë kompromis me standardin e shihnim si pjesë të eksepsionalizmit shkodran.

Nëse dialekti tironçe thjesht konotonte informalitet, familjaritet dhe përkatësi në grup, duke funksionuar kështu si dialekt social, shkodranishtja lajmëronte prejardhje gjeografike: unë jam shkodran.

Një nga arsyet e adoptimit të formave të ndryshme të ligjërimit, ose edhe e të mësuarit të gjuhëve të tjera, lidhet me prestigjin. Kështu, shumë të rinj tiranas mësuan italishten duke ndjekur televizionin italian, por nuk mësuan dot serbo-kroatishten, duke ndjekur televizionin jugosllav; meqë italishtja ishte gjuhë prestigji, ose portë drejt Perëndimit të ëndërruar.

Kjo ndoshta do të thotë se shkodranëve të asaj kohe u mjaftonte përkatësia lokale për t’u ndier qytetarë, pa ndonjë ndjenjë inferioriteti ndaj Tjetrit.

Megjithatë, e megjithë përjashtimin shkodran, paaftësia ose refuzimi për ta ndërruar regjistrin lokal në kontekste të përziera shihet, zakonisht, si shenjë e shkollimit të keq, ose e padijes.

Si rregull, versioni standard i një gjuhe u shërben njerëzve me prejardhje gjeografike të ndryshme për të komunikuar mes tyre pa problem; njëlloj siç shërben monedha si ndërmjetësuese universale e shkëmbimeve në treg.

Një njeri që këmbëngul në të folmen e krahinës së vet, përballë bashkëfolësve që nuk janë nga ajo krahinë, rrezikon të kumtojë ose padije (pagdhendje) ose arrogancë lokaliste.

Qytetari i një shoqërie gjuhësisht të zhvilluar duhet të jetë në gjendje të ndërrojë regjistër sipas rrethanave; por kjo arrihet vetëm me përkushtim, të qytetarit vetë dhe të institucioneve arsimore.

Një shembull të skajshëm, por anekdotik, e sjell shkrimtari Aziz Nesin, në një nga tregimet e tij për brezin e parë të emigracionit turk në Gjermani. Thotë Nesimi, për pleqtë turq që kalonin kohën në kafenetë e Stuttgart-it dhe të Düsseldorf-it, se këta nuk mësuan dot kurrë asnjë fjalë gjermanisht; edhe pse kishin kaq vjet që jetonin në Gjermani, sa po ua mësonin turqishten edhe kamerierëve gjermanë të lokaleve ku mërzenin.

Nuk ka komente

  1. Interesant, s’me kishte qelluar te lexoja me pare rreth kesaj teme dhe te pergezoj.
    Nuk jam i fushes, por tek paragrafi ku flet per mesimin e gjuheve te tjera ose adoptimin e formave te ndryshme, nje nga arsyet mund te jete vetret prestigji, por, mendoj se arsye kryesore eshte nevoja.
    Shume shkodrane apo korcare te ardhur ne Tirane, e kane ruajtur dialektin e tyre edhe per shkak se nuk kishin nevoje ta zevendesonin, pasi komunikonin mjaft lirshem me vendasit. E kunderta ndodhte me mirditoret, psh, gjuha e te cileve ishte me e pakuptueshme per tiranasit.
    persa i perket gjuheve te huaja, une vete arrita te mesoj italishten nga tv, per shkak se ishte tv me i frekuentuar dhe i pelqyer, por kur fillove te ndjek ndeshjet e basketbollit ne tv jugosllav, e me pas edhe filmat e huaj me titra perkthimi, arrita te mesoj po aq mire edhe serbokroatishten. Te dyja keto gjuhe i kisha mesuar me mire se rusishtja qe benim ne shkolle, te cilen e mesoja pa patur ndonje interes linguistik ose tjeter, pervec notes ne deftese.

  2. Ne origjine roli i gjuhes eshte pratik, pasi ajo lind si domosdoshmeri e komunikimit. Nje rol tjeter, ne disa raste paresor, nderlidhet me perkatesine. Ndodh qe dialektperdoruesi mund te kombinoje shume mire si aspektin fizik (komoditeti i komunikimit) ashtu edhe ate psikologjik (komoditeti i pranimit ne nje grup), çka nenkupton jo detyrimisht dikotomine «ose padije (pagdhendje) ose arrogancë lokaliste».

    Episodi me mesuesen nga Shkodra perforcon kerkimin e nje alernative te trete: ajo kuptohej nga ju si degjues dhe nuk e ndjente peshen e perjashtimit, madje, besoj, perceptonte edhe nje lloj konsensusi nga shfaqja publike e diversitetit te saj gjuhesor qe nuk rrezikonte te trasformohej ne diversitet negativ. Shtysa ime qe te perfeksionoj italishten lerare, duke nderhyre me kembengulje ne ato hapesira difektesh gati klasike te shqiptarit italishtfoles – germa ‘r’ dhe dyfishimi i bashketingelloreve –, ka qene sigurisht komunikimi, por akoma me teper trysnia e perjashtimit. Edhe duke çaluar me gjuhen e njesuar arrin te kuptohesh, ndersa perjashtohesh menjehere nga njesimi me ambientin shoqeror ku jeton, qe jo domosdoshmerisht mund te jete gjyqtar negativ. Nese ne nje territor te huaj mungesa e perputhjes se nenshtetesise (banalisht: pasaporta), kombesise dhe vendqendrimit eshte impuls i rendesishem ne sheshimin e diferencave, duke filluar kryeisht tek gjuha, ne te kundert, perputhja e tyre, siç eshte rasti i shqiptarit qe jeton ne Shqiperi, eliminion nje mundesi te mire nxitese drejt njesimit gjuhesor, pasi, fundja, me ose pa dashje je “i barabarte” me te tjeret.

    Keto shtysa do te reduktohen akoma me teper kur perdorimi i dialektit eshte i tille qe nuk pamundeson komunikimin dhe, mbi te tgjitha, kur individi nuk rrezikon ndonje konflikt emotiv, veçanerisht ne nivel pavetedije nga ku burojne patologjite. Dhe sikur kjo te mos mjaftonte, dialektperdoruesi ndjehet jo vetem i pranuar, por edhe i “vleresuar” gati i “adhuruar” ose te pakten perjeton nje lloj simpatie qe vjen nga ambienti shoqeror: rasti i mesueses. Siç thua vete, «refuzimin për të bërë kompromis me standardin e shihnim si pjesë të eksepsionalizmit shkodran». A eshte eksepsionalizmi refraktar? Po shenje e paditurise? Sigurisht qe po: dikush refuzon per padituri, dikush per mendjemadhesi – qe ndryshon nga krenaria –, e dikush edhe per opozite “te pakuptueshme”.

    Sidoqote, mendoj se keto shpjegime nuk mjaftojne, se jane klasike dhe thjeshtesuese. Vete pohimi qe «shkodranishtja lajmëronte prejardhje gjeografike: unë jam shkodran» i hap rrugen edhe nje varianti tjeter, atij te shfaqjes se identitetit lokalist ose, me profesionalisht, identitetit te rrenjesimit, qe lidhet me vendlindjen ne kuptimin e ngushte, nese duam, sipas shpjegimit te Ciceronit. Njeriu mund te jete i lidhur aq shume me kete territor sa te vlreresoje çdo element te cilin e konsideron tipik dhe diferencues. Fakti qe njeriu ka nevoje per kufinj, perfshi ato territorial, nuk mendoj se e ben mendjemadh, te ngurrte, arrogant dhe te paditur, perkundrazi kjo nevoje shfaq vullnetin e perkatesise i cili nuk duhet nenkuptuar si mosperkatesi e individit ne identifikime te tjera territoriale, si p.sh ai krahinor, kombetar, nderkombetar (ballkanik, evropian) dhe tokesor (njerezor).

    Ne konkluzion, pervec arrogances dhe paditurise, duke u shmangur nga personat specifik, si arsye e perdorimit te dialektit ne vend te gjuhes se njesuar mund te shtojme shpjegimin identitar, pra te shfaqjes se perkatesise publikisht nepermjet gjuhes – dhe shfajqa ka kuptim te tille vetem kur perballe ndodhet e ndryshmja –, dhe te indiferences. Kjo e fundit vjen si rezultat i perputhjes se tre elementeve: i jeteses ne nje vend ku te gjithe kane te drejta politike te barabarta, ku perdorimi i dialektit nuk pengon komunikimin dhe nuk krjon premisa perjashtimi, per te mos thene qe eshte edhe “trendy” – kur simbolizon nje zone te suksesshme, nje zone me te kaluar te lavdishme, eshte melodioz etj. Ne keto kushte individi nuk ndjen nevojen e njesimit gjuhesor: pak rendesi ka ne kete kendveshtrim nese kjo eshte e demshme per gjuhen, per unitetit ose per akujt e Antarktides. Ne momentin kur njeri prej ketyre tre elementeve mungon fillon lekundja e komoditetit te perdorimit te dialektit ne ambiente me gjuhe te njesuar dhe individi detyrimisht i nenshtrohet/pershtatet enes.

    Natyrisht, me duket sikur percaktimi «arrogancë lokaliste», tek ky shkrim, megjithese eshte abstrakt, i drejtohet disa ‘perfaqesuesve’ specifik te cilet po i le anonim.

  3. Mesuesen e historise shkodrane tek “Sami Frasheri”, vetem per koinçidence, e njoh…
    Fakti qe identiteti shkodran eshte i theksuar e i pranuar perkon vetem me historine e dialektit gege e perfshirjen e tij ne gjuhen shqipe.

    Pak histori : gjuha shqipe e unifikuar e ka zanafillen ne vitin 1974.

    Brezi i shkolluar deri ne ate kohe nuk ka mesuar gjuhen e njesuar dhe per pasoje, as per krenari, as per perkatesi gjeografike ose arrogance lokaliste por thjeshte per arsye praktike nuk i eshte perkushtuar mesimit te ghuhes shqipe te normalizuar, e ne nje pjese e madhe e njerzve nuk e ka pranuar sepse e imponuar.
    Bahkjetesa e dy dialekteve deri ne ate kohe nuk perbente asnje problem.
    Problemi qendron ne bagazhin kulturor e ne trasmetimin e tij.
    Ligjerimi eshte çeshtje kulture dhe jo gjuhe ose dialekti…

    1. Shkruan:

      Ligjerimi eshte çeshtje kulture dhe jo gjuhe ose dialekti…

      Jo, nuk mund të jetë kështu. Edhe gjuha e dialekti janë çështje kulture. Jo në vetvete, por në aftësinë e individit të kulturuar për të zgjedhur, midis varianteve të ndryshme që zotëron në kompetencën e vet, atë më të përshtatshmin për situatën dhe më të respektueshmin për tjetrin që ka përballë.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin