SHKRONJAT E SHTETIT

Shoh herë pas here, të afishuar në sajte të ndryshme Interneti, logon e kremtimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë, e cila duhet të jetë zyrtarizuar tashmë, sa kohë që ndeshet, ndër të tjera, në faqen e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe të Këshillit të Ministrave.

Sikurse dihet dhe shquhet, kjo logo konsiston në dy koka shqiponje të stilizuara dhe në mbishkrimin “100 Vjet Pavarësi.”

Me ç’më duket mua, mbishkrimi përmban një gabim në përdorimin e shkronjës së madhe: nuk ka asnjë arsye që fjala vjet të shkruhet Vjet.

Drejtshkrimi i gjuhës shqipe i përcakton mirë rastet dhe rregullat e përdorimit të shkronjës së madhe; por fjala vjet, e përdorur si më sipër, nuk hyn në asnjë nga këto rregulla.

Konkretisht, rregullat që prekin njëfarësoj çështjen tonë, janë si më poshtë:

§79

Emërtimet e periudhave, të ngjarjeve, të akteve e të dokumenteve hirstorike me rëndësi kombëtare ose ndërkombëtare, të monumenteve historike e të rnonumenteve të kulturës shkruhen me shkronjë të madhe (me përjashtim të nyjave dhe të fjalëve shërbyese)

§82

Shkruhen me shkronjë të madhe pjesët përbërëse të emërtimeve të festave kombëtare e ndërkombëtare

§86

Mund të shkruhet me shkronjë të madhe një emër i përgjithshëm për qëllime të veçanta stilistike, për të theksuar me forcë a me ngjyrim të veçantë një nocion, një njeri a një ide të caktuar

Asnjë nga këto tri rregulla nuk e përligj të shkruarit e Vjet me shkronjë nistore të madhe. “100 Vjet Pavarësi” nuk është emërtim formal i ndonjë feste, por vetëm tekst shoqërues i një logoje; dhe fjalët në tekste të tilla nuk shkruhen me shkronja nistore të mëdha.

Të krahasohet kjo me logon e 150-vjetorit të Bashkimit të Italisë, ku fjala anniversario nuk shkruhet me shkronjë të madhe (italishtja dhe shqipja i kanë shumë të ngjashme rregullat në këtë pikë).

Ndryshe nga anglishtja, shqipja nuk e përdor dhe aq lirshëm shkronjën e madhe, sikurse edhe mund të konstatohet duke shfletuar Rregullat e përdorimit të kësaj shkronje, në manualin ekzistues të Drejtshkrimit. Në përgjithësi, me shkronjë të madhe shkruhen (1) emrat e përveçëm të të gjitha llojeve; (2) emrat e përgjithshëm që përdoren si emra të përveçëm dhe (3) Fjalët e para të një fjalie, të një replike, të një vargu në poezi, etj.

Sipas kësaj filozofie, që pak a shumë nuk lë vend për ekuivoke, togje të tilla si Festa e Pavarësisë, Monumenti i Pavarësisë, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë etj. do të shkruhen me shkronjë të madhe, sepse kanë referenca unike (të përveçme); çka edhe do ta përligjte fjalën Pavarësi të shkruar me shkronjë të madhe, në logon më sipër.

Përkundrazi, fjala Vjet nuk i referohet asgjëje të përveçme, por vetëm sa shënjon njësinë kohore që numërohet.

Nga ana tjetër, sikurse e thashë më lart, Pavarësi e përligj shkronjën e madhe, në qoftë se mendojmë se i referohet asaj çfarë u shpall në 28 nëntor 1912, dhe jo pavarësisë si koncept politik (ky interpretim do të ishte i tërhequr për flokësh, por edhe mund të bëhet; unë edhe fjalën pavarësi nuk do ta shkruaja me shkronjë të madhe, në këtë kontekst; por do të shkruaja Festa e Pavarësisë, ose Dita e Pavarësisë, me shkronjë të madhe, në përputhje me rregullat përkatëse).

Natyrisht, nga pikëpamja estetike, do të dukej keq, në mos shëmtuar, sikur vjet të shkruhej me të vogël dhe Pavarësi me të madhe.

Një zgjidhje praktike do të ishte që mbishkrimi të realizohej i tëri me shkronja të mëdha: 100 VJET PAVARËSI. Përdorimi i tekstit me shkronja të mëdha nuk disiplinohet aq rreptë sa edhe ai i fjalëve me shkronjë të madhe nistore.

Kushedi Komisioni Ndërakademik i Shqipes, i mbledhur tani së fundi për çështje të ë-së së patheksuar, e ka shqyrtuar edhe problemin drejtshkrimor të kësaj logoje; dhe ka marrë vendimin sekret përkatës: fjala vjet, në logon 100 Vjet Pavarësi, do të shkruhet me shkronjë nistore të madhe.

Se respekti i rregullave drejtshkrimore në dokumentet zyrtare të shtetit është një nga kushtet që na ka vënë Europa, apo jo?

Qofsha i gabuar për të gjitha.

Nuk ka komente

  1. Shikojeni pozitivisht kete rrenim ju lutem! Jetojme ne kohe me mundesi te medha. Ja, dikur te detyronte shteti te shkruaje gjuhen sakte dhe pa gabime. Tani kjo eshte luks. Me vone mundet edhe te behet akt patriotizmi. Mund te kete njerez qe do mburren: une isha nje nga ata. Dhe keshtu i zografiset emri ne histori. Meqe jemi ketu, ju si autor i njohur qe jeni (apo me njohje me gjuhetare) mund te sugjeroni qe krahas reformes zgjedhore, parlamentare dhe asaj te imuniteteve, ne emer te Integrimit, te behet edhe reforma gjuhesore. Me konsensus te plote nga te dyja palet. Keshtu sigurojme edhe transparencen qe i mungon Keshillit Nderzimor te Dialekteve (perputhet kuptimisht me organet qe merren me mbareshtim, pra edhe ate nderakademikun) dhe mbledhim mendjen. Une nuk merzitem me me asnje gabim ne drejtshkrim; fundja njerezit kane pune dhe nuk kane kohe per te gjitha. Po edhe ne nje fare menyre, liria e fjales kjo eshte; te flasesh si te te vije per mbare dhe ku te te doje qejfi.
    Mendoj se eshte mire qe keto verejtje kaq “te vockla” mbahen shenim sot. Neser me siguri do shkulim leshte e kokes, duke pare veten se cfare kohe bartem, por te pakten me mire keshtu; nuk do kemi goje ta mohojme. Do bejme sikur nuk kuptojme, se per ate jemi te talentuar, por ta mohojme nuk besoj.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin