VETULLAT E SHQIPES SË SHKRUAR

A ka nevojë sot shqipja e njësuar për reformë drejtshkrimore?

Unë besoj se po – sikurse e kanë vënë në dukje kolegë të shumtë para meje, drejtshkrimi i shqipes, i sanksionuar në Kongresin Drejtshkrimor të vitit 1972, mund të thjeshtohet dhe të përmirësohet nga pikëpamja funksionale.

Natyrisht, këtu flasim vetëm për drejtshkrim, ose për atë sistem rregullash, pak a shumë arbitrare, që kodifikojnë marrëdhëniet midis formës së shkruar dhe formës së folur të gjuhës; dhe jo për normën gramatikore, e cila është diçka tjetër (p.sh. paskajorja etj.); as për bazën dialektore të shqipes standard.

Është thënë se drejtshkrimi i shqipes ndjek parimin fonologjik: fjalët shkruhen ashtu siç shqiptohen. I shprehur në këtë mënyrë, parimi lë shteg për interpretime të ndryshme – meqë parakupton një shqiptim të njësuar, ose normë drejtshqiptimore, e cila në fakt nuk ka ekzistuar ndonjëherë.

Për shumë prej nesh, parimi fonologjik vlen vetëm në trajtën e vet të përmbysur: shqipja do të shqiptohet ashtu siç shkruhet. Bash në këtë pikë, ndihet nevoja për një reformë të drejtshkrimit, meqë janë të shumta rastet kur fjalët nuk po shqiptohen më ashtu siç shkruhen.

Gjuhët që ndjekin parimin fonologjik, si shqipja, kanë të mirën e madhe që janë të lehta për t’u mësuar të shkruhen nga ata që i kanë amtare; por edhe të keqen e madhe, që drejtshkrimi i tyre gjithnjë rrezikohet nga evoluimi i natyrshëm i shqiptimit.

Në këtë mes, zgjidhja ideale do të ishte të gjendej një drejtpeshim midis shkrimit dhe shqiptimit, në mënyrë që edhe drejtshkrimi të kodifikohet i tillë që jo vetëm t’u përgjigjet prirjeve të tashme të evoluimit shqiptimor, por edhe t’u paraprijë atyre; në një kohë që drejtshqiptimi të mbështetet më shumë në trajtat e shkruara, duke iu larguar ndikimeve dhe tundimeve krahinore.

Nga kjo pikëpamje, vend për reformë drejtshkrimore ka; sikurse ka edhe gjuhëtarë profesionistë kompetentë, për të pikasur ato pika të dobëta në sistemin drejtshkrimor, ku mund të ndërhyhet (të tilla si ë-ja e patheksuar).

Po ku qëndron rreziku i kësaj reforme, atëherë?

Reforma sjell me vete, praktikisht, dy rreziqe.

Së pari, ajo krijon iluzionin se problemet që ka sot shqipja, shumë serioze në vetvete, mund të zgjidhen nëpërmjet një reforme drejtshkrimore; në një kohë që këto probleme lidhen, para së gjithash, me dobësinë e sistemit arsimor dhe të edukimit gjuhësor, si dhe me krizën e përgjithshme të autoritetit në një shoqëri të sunduar nga aritmetika dhe morali i tregut (përfshi këtu edhe përllogaritjet e ‘demokracisë gjuhësore’, ose të përpjesëtimeve demografike dhe krahinore). Ata që e shkruajnë sot shqipen keq, e bëjnë këtë jo ngaqë drejtshkrimi i shqipes ka të meta, por ngaqë ata vetë janë të mangët, në edukimin e tyre gjuhësor; si dhe ngaqë shumë prej nesh refuzojnë ta kuptojnë nevojën e standardit gjuhësor, si një nga themelet e shoqërisë moderne. Këta njerëz keq do ta shkruajnë shqipen edhe me drejtshkrimin e ri; për një pjesë prej tyre nuk ka shpëtim.

Rreziku i dytë ka të bëjë me autoritetin dhe mundësitë financiare dhe organizative të institucioneve që do ta kryejnë reformën drejtshkrimore. I njëjti faktor që ka çuar, mes të tjerësh faktorë, në krizën gjuhësore të tanishme (ku asnjë gazetë nuk arrin, në thelb, ta zbatojë normën gjuhësore në mënyrë korrekte), ose kriza e autoritetit mbarëkombëtar për arsye kryesisht politike (pamundësia jonë për ta adoptuar pluralizmin), do të ndikojë edhe në këtë drejtim. Ndërkohë, reforma në drejtshkrim kërkon mobilizim kapilar njerëzish dhe mjetesh, në qendër dhe në periferi; dhe sidomos një reformë themelore të shkollës, e cila duket utopike, në rastin më të mirë – mjaft të përfytyrosh rishkrimin e teksteve shkollore dhe ritrajnimin e mësuesve të gjuhës shqipe anembanë trevave shqipfolëse.

Prandaj, edhe nëse kryhet një reformë drejtshkrimore shkencërisht e mbështetur dhe kulturorisht e ndjeshme, ajo sot pas gjase nuk do të përkrahet veçse nga një pjesë e shqipshkruesve; në një kohë që pjesa tjetër nuk do ta pranojë dhe do të vazhdojë të ndjekë modelin e vjetër, edhe pas përfundimit të periudhës ndërkalimtare (grace period). Kësisoj, palët politike të kundërta do të pajisen edhe me variantet drejtshkrimore përkatëse; dhe shqipja do të shkruhet, në thelb, me dy forma të ndryshme pak a shumë të legjitimuara; çfarë ka ndodhur, tani vonë, me gjuhë shumë më solide se shqipja, të tilla si rumanishtja dhe holandishtja.

Kështu, në holandishte, reforma e vitit 1995 ka çuar në përdorimin e dy sistemeve të ndryshme të drejtshkrimit, njëri nga shkollat dhe institucionet, tjetri nga mediat. Në Rumani, drejtshkrimi i disa fjalëve me î, përkatësisht â, të cilat zanore sot shqiptohen njëlloj, por që shkruhen ndryshe për arsye historike (ose më mirë pseudo-historike), u thjeshtua në vitin 1993 – shkrimi me î i fjalëve të tilla si romîn (dhe jo român) konsiderohej gjerësisht si mbeturinë e një sistemi drejtshkrimor të imponuar nga regjimi komunist. Drejtshkrimi i ri, megjithatë, nuk është adoptuar nga të gjitha entet botuese, publike dhe private; disa revista, si  România literară, i lejojnë autorët të përdorin atë sistem drejtshkrimor që dëshirojnë.

Edhe në frëngjishte, një ndryshim në drejtshkrimin e rreth 2000 fjalëve i urdhëruar në fund të vitit 1990 nga qeveria franceze ende ka mbetur i pa-adoptuar në shkallë të gjerë; dhe nuk dihet se kur do të përfundojë periudha ndërkalimtare, kur të dy format drejtshkrimore lejohen të përdoren. Ndërkohë, siç dihet, reforma drejtshkrimore e gjermanishtes ndeshi në rezistencë të madhe nga shoqëria civile; dhe autoritetet nuk arritën të merren vesh për mënyrën si do të zbatohej reforma dhe si do të imponohej drejtshkrimi i ri. Për pasojë, i vetmi rezultat konkret i reformës së drejtshkrimit të gjermanishtes është pështjellimi në përdorimin publik të kësaj gjuhe, sa i përket drejtshkrimit të saj. Sipas disa anketave, gati 80% e gjermanofonëve midis moshave 30 dhe 40 vjeç refuzojnë të përdorin drejtshkrimin e ri.

Ndoshta ndonjë promovues entuziast i reformës drejtshkrimore të shqipes synon të arrijë pikërisht këtë rezultat: ose shkërmoqjen e njësisë gjuhësore të shqipes, në nivel institucional dhe zyrtar. Nuk dua të paragjykoj askënd, por është e nevojshme, në këto rrethana, që të luhet me karta të hapura; çka do të thotë se nismëtarët e reformës drejtshkrimore duhet t’u përgjigjen, publikisht, të paktën këtyre dy pyetjeve: (1) Çfarë përparësie ka reforma drejtshkrimore, në kontekstin e problemeve që përjeton sot shqipja e shkruar: dhe (2) A e kanë marrë parasysh, këta nismëtarë, mundësinë që reforma drejtshkrimore, e kryer sot, ta ndajë shqipen e njësuar më dysh, sikurse ka ndodhur, tani vonë, me gjuhë të tjera që kanë guxuar të eksperimentojnë me drejtshkrimin?

Nuk ka komente

  1. Nuk shoh asnje problem me shtrimin e nje standardi te njesuar stenografik, paralel me standardin e njesuar fonetik. (Nje mea culpa, ketu, persa i perket investimit personal ne lidhje me nje standard te tille).

    Nje argument i gjate arkeologjik – jashte teme – mund te shtrohet ketu ne lidhje me kalimin e gjuhes nga gjuha e folur ne gjuhen e shkruar. Besoj se jemi ne nje pike te historise njerezore, sidomos me shperndarjen masive te internetit dhe tastieres kompiuterike – kjo e fundit e dominuar nga QWERTY dhe jo nga ABC – ku me gjithe deshiren e mire per t’i ruajtur te njetrajtshme gjuhen e folur me ate te shkruar, secila prej tyre duket se po degezohet me vete.

    Mediat nga ana tjeter kane ligjesi me vete nga autoriteti shteteror, duke qene se kontributi i tyre ne gjuhen e shkruar vjen e i ngjason gjithnje e me shume komentit se sa raportit – dallim qe besoj ka te beje me kerkesen per aktualitet prej tyre, e rrjedhimisht per “shorthand.”

    Nuk dua te riperseris veten, por nje veprim i koncertuar mes shtetit ose publikes, dhe mediave ose privates, ne lidhje me mundesite reale te kushteve materiale, do i jepte zgjidhje kesaj kakofonie, qofte duke permiresuar kushtet materiale, qofte – ne pamundesi te ketij permiresimi – duke hartuar nje standard stenografik.

    Mbetem tek kjo pike, sepse besoj se dyndjet barbare ne gramatike, qe po shkojne deri ne ate pike sa nuk po marrim vesh c’gjini eshte “nans” e c’gjini “babs,” do perplasen me nje !no pasaran! te forte. Nderkohe qe disa principe stenografike ne perputhje me mjetet e shkrimit besoj se duhen trajtuar me urgjence.

    Natyrisht qe do kete perplasje. Por kam pershtypjen se perplasja vjen si pasoje e mungeses se organizimit te nje sistemi paralel, dhe jo si pasoje e organizimit. E-ja me vetulla duhet te gjeje gjithmone vend edhe ne nje sistem stenografik, sa do qe mund te jete vend i releguar ne kategori bukurshkrimi, dhe jo detyrimisht drejtshkrimi.

    Kjo nuk do te thote, pra, kurrsesi se nuk duhet luftuar per ruajtjen e sistemit fonetik, madje deri ne ate mase sa edhe “babs” e “nans” te konsiderohen si propozime te vlefshme stenografike. Por nga ana tjeter, duhet vleresuar fakti se gjuhet e shkruara po kalojne nje periudhe ndryshimesh. E ne periudha te tilla, eksperimentet besoj se duhet te jene te mirepritura.

  2. Mua s’me duket fare se ka ndodhur ndonje ndryshim i madh rreth ë-ve te patheksuara, sidomos ne fund te fjales, biles problemi i ketyre ë-ve, ka qene edhe para kongresit.

    Pak a shume dihet qe ë-ja, eshte kryesisht germe qe ka zevendesuar zanoret e patheksuara, si ne gegerisht ashtu edhe ne toskerisht. Megjithate, ne toskerisht duket se ka pasur njefare inflacioni, i cili eshte ‘luftuar’ me sukses ne 1972.
    Nese, flitet per ndryshime te jane ne funksion te luftes ndaj inflacionit, nuk jam kunder, ashtu sikunder standarti lufton edhe ekonomizimin e gegerishtes.

    Si inflacion per t’u luftuar do merrja fjalen ‘burre’. Kemi ‘fatin’ qe burre e bir te jene njesoj ne trakisht, ‘bur’ e ‘bir’, lakimi i ketyre emrave duhet te jete i njejte, nderkaq ‘burre’ si mashkullore nuk ka ç’e do ë-ne, do ndiqte fjalet derr e sherr. Forma burre edhe ne toskerisht i perket me shume ndonje te folure toske sesa te gjithave, per me teper qe lakimi burrin/burrit tashme e ka mposhtur kudo ate burren/burres.

    Nuk e di nese kjo ka ngekur fjale e vetme , po nese ka te kesaj kategorie, ë-ja per mua eshte per t’u hequr, le t’i ngelet vetem femerores per dallim logjik te gjinise ne te pashquar. ‘Babes’ si lakim nuk duhet te ekzistoje aq me pak babs.

    Ajo qe shoh si gjeja me e rendesishme eshte vendosja e parimit, mbi bazen e te cilit do te veprohet.

    Qe te merret si parim fakti qe eshte e patheksuar dhe e prirur per renie, por nderkaq nuk ka rene vete, por vetem si pasoje e ekonomizimit te gegerishtes, atehere do te thote qe te zbatohet parimi i ekonomizimit.

    Ketu ne fakt, une e shoh problemin e ketyre propozimeve, sepse per mua si inflacioni i ë-ve ashtu edhe ekonomizimi perbejne dy dukuri qe duhen luftuar si jo te shendetshme.

    Nuk eshte se çdo dukuri qe i ndodh gjuhes vetvetiu perben diçka pozitive, se gjuha shkon vetvetiu drejt shendetit e pasurise. Kjo ka nevoje per vertetim, qe behet shume i veshtire ne kushtet kur gjuha e shkruar, me perpjekjet per pandryshueshmeri (relative) tregon qe eshte shume e suksesshme ne shendetin e pasurine e gjuhes.

    Ne jemi te prirur te mendojme se gjithçka i ka ndodhur toskerishtes e gegerishtes ka qene pozitive per te dyja. Ne fakt, ato i jane larguar njera-tjetres me kalimin e kohes si pasoje e ketyre ndryshimeve. Ndoshta pas 1000 vjetesh mund edhe te beheshin gjuhe me vete, se keshtu krijohen familjet gjuhesore, dialektet e dikurshme si pasoje e ndryshimeve kthehen ne gjuhe te veçanta.

    Gjuhet shkojne drejt atomizimit, ekzistenca e gjuheve te medha u detyrohet shkaqeve politike jo vijueshmerise natyrore, e cila flet per atomizim.

    Ne baze te kesaj, nevoja madhore si ekzistenca ose mbijetesa, na shtyjne drejt nje ndalimi te vazhdueshem te atij motori i cili shtyn dialektet larg njeri-tjetrit dhe nxitja e nje proçesi te kundert, ku dialektet te afrohen vazhdimisht me njeri-tjetrin.

    Gjuha e shkruar duhet te jete arma me e forte ne kete proçes, ajo duhet te afroje dialektet duke ndaluar motoret e largimit.

    Ne kete kendveshtrim, inflacioni i ë-ve i toskerishtes dhe ekonomizimi i gegerishtes ( qe bie rendshem mbi ë-te), duhen luftuar nga gjuha e shkruar dhe jo nxitur.

    Prandaj jam absolutisht kunder heqjes se ë-se se patheksuar, perveç rasteve kur behet fjale per inflacion te saj.

    Natyrisht qe ne baze te ketij parimi jam edhe pro paskajores gege te pakten ne rastet e foljeve te vjetra, si them, flas, shtie, bie etj ( me thene, me fole, me shtene, me rene etj) sepse afrojne dialektet.

  3. Troç, e pa shumë nocione të korrektësisë politike, se s’kam kohë ta tjerr e çtjerr – qe nxjerrat e mejtimeve të mia: toskët janë ata që e kanë shpikur lojën dhe vazhdojnë t’i shpikin dhe ndërrojnë rregullat. Meqë gjuha e gjallë gjithmonë ndryshon, ndryshojnë përherë aspekte të caktuara të saj, fonetike, morfologjike, leksikore e kështu me radhë. Kur këto ndryshime ndodhin në toskërishten popullore, sa të përhapen mjaft në toskërishte, ato menjëherë pasqyrohen në «gjuhën letrare/standarde/të njësuar» (ose quaje qysh të duash vetë). Cili prej tyre brengoset pse thotë, bile-bile edhe shkruan: brënda, mëndja, vëndi, dhëmbja, kam patur, tek mua, tek ty, nga mua, nga ty, sesa ty, sesa mua, do të desha, do të qesh, qeraja, zgara, kruzma, oazi, pauz, madje edhe zhgaba? S’po e zgjash listën, as s’po futem këtu në analiza të strukturave e në shumë e shumëçka tjetër. Jam i sigurt se një lexues toskë madje, ndërsa po i lexon këta shembuj, po e kruan kryet dhe s’po e kupton dot se ç’të keqe kanë trajtat e paraqitura sipër. S’e dinë as gegët, faqja e zezë, sepse drejtshkrimi tashmë ka marrë kuptimin e imitimit të asaj që shkruajnë toskët. Por, prit, se gjuha e shkruar duhet t’i ndjekë zhvillimet e gjuhës së folur, ndryshe krijohet hendek i madh mes tyre, është përgjigjja përherë në maje të gjuhës ndaj vërejtjes që ti e bën.

    1. Shqipja e njësuar mbështetet në toskërishten, por nuk është toskërishte. Edhe toskërishtja është një emërtim abstrakt për disa forma gjuhësore – variantin letrar të toskërishtes (siç shprehet që nga Naimi, Çajupi, Lasgushi, Ali Asllani e deri te Sterjo Spase e Jakov Xoxa), nëndialektet e toskërishtes (toskërishtja e mirëfilltë, labërishtja, çamërishtja, arbërishtja). Është e vërtetë se zgjedhja e toskërishtes si bazë e standardit u ndikua nga fakti që Lufta Nacional-Çlirimtare kryesisht u zhvillua dhe u vendos në Jug të Shqipërisë; por nuk është e vërtetë, siç dëgjohet ndonjëherë, që shqipja e sotme standard është gjuha e “zonës së parë operative.” Në fakt, standardi i sotëm afrohet më shumë me toskërishten e mirëfilltë sesa me labërishten. Nga ana tjetër, kur flasim për të ardhmen e standardit, nuk duhet të mbetemi peng i trashëgimisë krahinore të shqipes; sepse as standardi, as shqiptaria në përgjithësi, nuk mund të përfytyrohen si një konferencë katundesh; janë diçka më tepër, që i kapërcen krahinat dhe themelohet mbi idenë dhe parimin e qytetarisë. Shqipja publike e shekullit XXI duhet t’u përgjigjet nevojave të shqiptarisë moderne, jo të kënaqë nostalgjitë provinciale të atyre që nuk arrijnë, ose nuk dëshirojnë të përshtaten me të renë.

      P.S. Gold Price, komenti yt i mëparshëm kish përfunduar në SPAM, për shkak të URL-së që ia kishe bashkëlidhur emrit. Të lutem mos përdor URL herën e ardhshme, sidomos kur nuk kanë lidhje me temën që debatojmë.

  4. [Më poshtë, për hir të plotësisë së argumentit, disa sqarime të Kolec Topallit, dhënë sot gazetës MAPO.]

    Akademik Kolec Topalli është anëtar i Kryesisë së Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe. Sipas tij, ky debat është nxitur nga disa njerëz që nuk kanë informacion rreth misionit që ka marrë Këshilli Ndërakademik për të gjetur zgjidhje që lehtësojnë zotërimin dhe përdorimin e drejtë të gjuhës shqipe.

    Zoti Topalli, një tjetër debat është hapur për standardin e gjuhës shqipe pas mbledhjes së Këshillit Ndërakademik pak ditë më parë. Çfarë keni vendosur në këtë mbledhje?

    Kjo ishte një mbledhje e radhës dhe që kishte si tematikë “Drejtshkrimi i zanores ‘ë’ të patheksuar në shqipen standarde”, ku studiuesit u përqendruan në disa raste konkrete të drejtshkrimit të kësaj zanoreje në pozicion paratheksor e pastheksor. U paraqitën disa raste me të cilat mendohet që të ndryshohet përdorimi i saj në disa drejtime; kur mund të shtohet, kur mund të hiqet dhe kur mund të ndryshojë pozicionin brenda fjalës. U bënë propozime për njësimin e rasteve të njëjta me zgjidhje të dyfishtë në drejtshkrimin e sotëm të kësaj zanoreje, si gjatë fleksionit, ashtu edhe gjatë formimit të fjalëve, për të mënjanuar kështu përjashtimet dhe për thjeshtimin e mëtejshëm të ndonjë rregulle të shkrimit të ë-së, në pajtim me gjendjen e sotme të shqipes standarde etj.

    Si p.sh.?

    Për shembull: lojtar edhe rojtar sipas rregullit drejtshkrimor shkruhet pa “ë”, edhe gojëtar duhet të shkruhet pa “ë”, sepse janë njësoj dhe nuk ka pse të ketë përjashtime. Sipas drejtshkrimit shkruhet hasm dhe ne propozojmë që të shkruhet hasëm, sepse kështu shqiptohet në gjuhën e folur. Anëtar shkruhet sipas drejtshkrimit të sotëm, por asnjë nuk e shqipton me ‘ë’ dhe, nëse shkruhet pa ‘ё’, ashtu siç shqiptohet nuk sjell asnjë ndryshim thelbësor e aq më shumë të shkatërrojë gjuhën shqipe. Heqja e ё-së në këtë rast nuk luan rol. Qëllimi ynë është që të shmangim disa përjashtime dhe të përmirësojmë çfarë është e mundur brenda sistemit. Qëllimi ynë është që të përmirësojmë standardin dhe jo ta shkatërrojmë atë. Këtu nuk diskutohet as të ndryshohet standardi dhe as të integrojmë gegërishten në standardin e gjuhës së sotme, por bëhet fjalë për disa rregullime të nevojshme.

    A ka kjo si qëllim shmangien e krijimit të dy gjuhëve, njëra e folur dhe tjera e shkruar, një rrezik që Eqerem Çabej e pat parashikuar që para 40 vjetëve?

    Kjo nuk ka mundësi që të realizohet, por në disa raste mund të shmanget.

    A e ka target-in Këshilli Ndërakademik që të marrë vendime për ndryshimin e standardit të gjuhës?

    Këshilli Ndërakademik nuk e ka target-in që të marrë vendime. Në këtë mbledhje, ashtu si dhe në mbledhjet e tjera, ky këshill ka bërë vetëm studime dhe ka dhënë disa sugjerime. Ky këshill është ngarkuar me detyrën që të studiojë gjuhën shqipe. Janë bërë disa sugjerime dhe vërejtje, që mendohen që mund të zbatohen brenda logjikës dhe arsyes. Më vonë këto vërejtje mund t’i paraqiten një forumi që ka të drejtën e marrjes së vendimeve.

    Cili është ky forum?

    Nuk është përcaktuar ende se cili është ky forum. Ne si këshill thjesht kemi përcaktuar se ku janë të nevojshme disa ndryshime që nuk luajnë rol në standardin e gjuhës shqipe. Këto vërejtje do të mblidhen të gjitha dhe mund t’i parashtrohen një organi tjetër me të drejtën që të marrë vendime për t’u zbatuar. Janë vërejtje të përgjithshme, por më vonë mund të lindë nevoja dhe për hartimin e një fjalori tjetër drejtshkrimor edhe të përcaktohen më qartë disa rregulla të drejtshkrimit.

    Jeni akuzuar se këto mbledhje janë bërë në ilegalitet?

    Kjo është absurde. Së pari, kjo është një mbledhje që është njoftuar që para tre muajve në mënyrë zyrtare. Së dyti, të gjithëve u është dhënë koha e mjaftueshme të përgatiten, të studiojnë materialet, me qëllim që të kenë mundësi të diskutojnë; dhe së treti, mbledhja, po e përsëris disa herë, është e radhës dhe ka pasur dhe mbledhje të tjera dhe për to nuk është thënë se janë zhvilluar në ilegalitet. Prandaj çuditem pse po bëhet gjithë kjo zhurmë për këtë.

    Po përse? A keni ju një përgjigje?

    Sepse kjo mbledhje preku një nga problemet themelore të gjuhës shqipe, që është përdorimi i zanores “ë”, për të cilën u bënë disa sugjerime se ku mund të shmanget përdorimi i saj, por e çuditshme është se ata që kundërshtojnë janë njerëz që flasin nga jashtë dhe nuk kanë informacion se çfarë realisht është diskutuar në Këshillin Ndërakademik. Ka keqinformime në këtë drejtim. Është thënë se kjo mbledhje ka vendosur që të mos shkruhet më babait por babs, apo të mos shkruhet më nënë por nan, gjë që nuk është aspak e vërtetë. Këto as nuk janë diskutuar dhe as ka ndërmend t’i shtrojë për diskutim asnjë prej anëtarëve të këtij këshilli. Këto janë shtrembërime dashakeqëse me qëllim që të keqinformohet publiku se vërtet po bëhet një ndryshim i madh i standardit të gjuhës shqipe e që tani do flasim me një standard tjetër. Dhe kjo nuk është e vërtetë. Qëllimi ynë është përmirësimi i standardit, shmangien e përjashtimeve të shumta për t’i bërë rregullat më të rregullta, në mënyrë që ato të mësohen dhe të aplikohen më lehtë. Janë po të njëjtat diskutime që janë bërë në Konferencën e zhvilluar para ndy viteve në Durrës, vetëm se tani këto diskutime bëhen në Këshillin Ndërakademik.

  5. Pashe ne interviste kete fraza :Reforma sjell me vete, praktikisht, dy rreziqe.
    Nuk di nese korrigjimi i disa cikerrimave ortografike mund te quhet reforme. Nuk di sa njerez do ta kene ditue se rojtar e lojtar u shkruakan ndryshe nga gojetar. Ky lloj korrigjimi periferik, qe autori njehere e quan “vetullat e shqipes se shkruar”, duke dhene pra idene se me pince po korrigjohen cikerrima, nuk di si mund te krahasohet me reformen qe na pret kur ne shqyrtim do te duhet ta marrim paskajoren, meqe ne nje sistem pluralist vlerash, nuk kemi se si ua mohojme atyre qe e perdorin. Kjo po, do te na coje ne nevojen e reformave te mirefillta gjuhesore e mendore njeheresh.

      1. Xhaxha, ndjese se ndoshta po nderhyj i paftuar ne repliken mes jush, megjithate ma vrau syrin pergjigja jote.

        Nuk arrij ta shoh se ku zonjusha/zonja e lidh paskajoren me drejtshkrimin. Pa dashur t’ja bej avokatin por, ashtu si e kuptoj une, Anita thjesht eshte perpjekur te shpjegoje se ndoshta gjithe kjo zhurme per disa korrigjime drejtshkrimore nuk eshte e justifikuar, dhe duke e vazhduar kete llogjike, parasheh nje zhurme ku e ku me te fuqishme sesa kaq nese do vije nje moment ku te shqyrtohet paskajorja.

        Gjithsesi e perpos kesaj, nderhyra edhe sepse ndaj pak a shume te njejtin shqetesim e habi me Aniten. Perse gjithe kjo zhurme per disa heqje/shtime/zhvendosje te ë-se.
        Ti xhaxha, qe kaq mire arrin ti kapesh ( dhe ti shprehesh ) keto paranojat e shoqerise sone, teprimet, kakofonite, ekzagjerimet, mbingarkesen dhe tejpolitizimin, keqperdorimin nga mediat dhe reagimet e shperpjesetuara te turmave perndryshe injorante ne te tilla ceshtje, kesaj rradhe perse nuk je po kaq i ftohte ?

        A sheh dicka qe une/ne nuk arrijme ta shohim, apo dallon qellime qe une/ne nuk mund ti kuptojme, apo si eshte puna ?

        Te pyes pa dashakeqesi, per kete me beso.

        1. Zhurma nuk bëhet aq për natyrën e ndryshimeve të propozuara, sesa për vetë idenë që në këtë moment do të ndryshohet drejtshkrimi.

          Gjithkush ka të drejtë të pyesë se pse pikërisht tani; dhe pse ky komision, që pothuaj nuk dihej se ekzistonte, vendosë të dalë me propozime të tilla.

          Në fakt, nëse një pjesë e shqipfolësve kujtojnë se shqipja standard diskriminon gegërishten, dhe ti si autoritet akademik nuk u përgjigjesh atyre drejtpërdrejt, por mendon të reformosh drejtshkrimin, atëherë këtu ka diçka që nuk shkon.

          Më thuaj se kush u shqetësua nga drejtshkrimi i tanishëm, aq sa ta kthejë këtë drejtshkrim “problematik” në kokëçarje madhore për Akademinë.

          Realiteti është se shqipja po shkruhet keq, po flitet keq dhe po nëpërkëmbet në të gjitha instancat – dhe për këtë doemos nuk e ka fajin drejtshkrimi ekzistues dhe as standardi që lidhet me këtë drejtshkrim.

          Nuk do të habitesha sikur dikush të dilte me hipotezën se reforma drejtshkrimore u duhet pikërisht atyre që duan ta ndërmarrin, për të siguruar statusin dhe autoritetin e tyre.

          Për këtë bëhet zhurma: për gatishmërinë dhe lehtësinë me të cilën kërkohen ndryshime në rregullat e drejtshkrimit, në një periudhë kaosi të përgjithshëm.

          Paskajorja nuk hyn këtu. Paskajorja është një formë gramatikore e gegërishtes; unë besoj se përdorimi i saj në standard duhet toleruar – por jo në atë masë sa të kërkojë rishikimin e normës ekzistuese.

          Dua të them: unë mund të flas e të shkruaj gjithë jetën, pa e përdorur asnjëherë paskajoren; ti që dëshiron ta përdorësh, bujrum. Kështu mund të shihet, në praktikë, nëse paskajorja gege do të ngjitë apo jo në sistemin ekzistues.

          Spanjishtja toleron për bukuri një sistem foljor ku ekzistojnë dy trajta paralele në krejt paradigmën e lidhores së pakryer: format e tipit cantase dhe format e tipit cantara.

          Megjithatë, edhe nëse lirohet norma gramatikore deri në atë masë sa të tolerohet paskajorja gege, kjo nuk ka të bëjë me drejtshkrimin; sepse edhe paskajorja gege do të drejtshkruhet sipas disa rregullave.

          Nga ana tjetër, forma me punue, gjithnjë hipotetikisht, do ta pasuronte sistemin gramatikor; ndërsa drejtshkrimi është parashkrues, jo pasurues: të thotë, këtë fjalë do ta shkruash kështu.

          Mirëpo Akademia e sotme, në atë formë që ka dhe me atë autoritet që i ka dhënë vetes, nuk është në gjendje ta analizojë në mënyrë të besueshme paskajoren; dhe Anita me të drejtë parasheh një reagim të fortë nga opinioni edhe në atë rast.

          Një reagim që, gjithnjë, do të lidhet me dyshimin e thellë të qytetarëve, sot, për reforma të tilla të frymëzuara nga lart.

          Akademia, nga ana e vet, nuk e cyt shumë punën e paskajores, sepse paskajorja gege, edhe sikur të tolerohet, nuk do të sjellë ndonjë rishkrim të rregullave gramatikore ekzistuese; në një kohë që prirja mbizotëruese, në Akademi, është të ndryshojë ose të reformojë ekzistuesen.

          Mirëpo, nëse standardi u rrëgjua në përdorim edhe ngaqë e humbi prestigjin, si “zhargon” i regjimit totalitar, edhe Akademia e sotme e ka humbur prestigjin dhe autoritetin shkencor; dhe e ka pothuajse të pamundur të ligjësojë në punë të normës, pa irrituar gjysmën e shqiptarëve.

          Ndërhyrjen e Anitës ndoshta e keqkuptova – por të paktën më dha mundësinë që t’i formuloj edhe një herë këto mendime. Shpresoj që kolegia mos të ma marrë për keq.

  6. Xha xha: lidhja e paskajores me ortografine eshte e pashmangshme. Drejtshkrimi, norma gramatikore, jane vec menyra te ndryshme per ta kundruar te njejtin objekt studimi: gjuhen.
    Paskajorja nuk ka se si te mos e ndikoje pjesoren, duke e shkurtu kuptohet. Dhe, kur pjesorja te shkurtohet, implikimet do shihen edhe ne drejtshkrim. Madje, per ta theshtu gjithe zhurmen rreth paskajores perpara nji auditori qe nuk do te kuptoje fare nga ngaterresa qe do shkaktohet, mjafton t’i thuhet, duke kercy tek kendveshtrimi i ceshtjes nga prizmi ortografik, se e gjtiha qe po ndryshon me reformen ‘paskajorja’ eshte se nuk do shkruhet me ‘shkuar/pritur/ndare”, por ‘shku/prite/nda’. Me pjesore te tille te shkurte, paskajorja futet vetiu, sepse nuk ka c’ta pengoje me frymu brenda nje norme te tille.

    1. Jo, nuk ka pse. Problemi është i normës gramatikore, jo i normës drejtshkrimore. Hipotetikisht, duhet të pranojmë dy forma të pjesores, një të shkurtër dhe një të gjatë (pritë dhe pritur, punue dhe punuar), së bashku me rregullat përkatëse të përdorimit. Por këto s’kanë të bëjnë me drejtshkrimin, sepse pjesorja e shkurtër pritë si shkruhet, ashtu edhe shqiptohet; në kuptimin që pritë nuk është ndonjë variant drejtshkrimor i pritur. Gegërishtja ka kohë që operon normalisht me dy pjesore – një të shkurtër (punue) dhe një të gjatë (punuem); prandaj unë nuk shoh ndonjë problem të madh aty. Përkundrazi, problem drejtshkrimor do të ishte nëse do të shkruanim punue apo punu, por kjo, në vetvete, nuk lidhet me paskajoren gege, ka të bëjë me raportet mes shkrimit dhe shqiptimit të një kategorie fjalësh që përmbajnë togun ue, së paku historikisht; dhe që i ka edhe standardi (i besueshëm apo i besushëm?). Megjithatë flasim kot; shoqëria shqiptare, sot, nuk ka as edhe më të voglën mundësi organizative që të realizojë reforma të tilla.

  7. Te falenderoj per pergjigjen, por ende nuk jam dhe aq i qarte ne kete pike.

    Thua :

    “Zhurma nuk bëhet aq për natyrën e ndryshimeve të propozuara, sesa për vetë idenë që në këtë moment do të ndryshohet drejtshkrimi.

    Gjithkush ka të drejtë të pyesë se pse pikërisht tani; dhe pse ky komision, që pothuaj nuk dihej se ekzistonte, vendosë të dalë me propozime të tilla.”

    Nuk me duket se keto propozime dalin nga hici, askujt nuk i ra molla ne koke. Psh une i kam pare te artikuluara prej vete zotit Topalli kohe me pare, ne Top Show, por videon nuk po e gjej dot online.

    Por gjej psh kete artikull, shkruar fill pas konferences shkencore ne 2010.

    http://shpirtiarbritrron.blogspot.com/2010/12/globalizimi-gjuha-shqipe-rrezikon-te.html

    ku pervecse eshte i qarte propozimi per nderhyrje ne drejtshkrim, citohet edhe qendrimi yt :

    “Në drejtshkrim jemi të gjithë dakord që të thjeshtohet, ndërsa në leksik mendojmë se thjeshtimi e varfërimi do të dëmtonin gjuhën, ndonëse dhe këtu ka vend për dallime.
    …..

    Ndërkohë që në terminologji, thjeshtimi nuk është diçka e keqe. Cila është zgjidhja për kapërcimin e tyre? Zgjidhja e parë është ajo e kriterit funksional. Pra, të zgjidhet ajo që e ndihmon gjuhën të sillet më mirë.”

    1. Dakord; por që prej vitit 2010 kanë kaluar dy vjet. Konferenca, e mbledhur me aq bujë, u pasua nga një heshtje varri. Tani u mblodh Këshilli Ndërakademik, i cili në Konferencë nuk përfaqësohej zyrtarisht, si institucion. Unë mbetem i mendimit që drejtshkrimi mund të thjeshtohet në disa pika, nëse më pyesin për këtë. Por, ndërkohë, shoh që të njëjtët akademikë, të cilët i kthehen, pas dy vjetësh, po atyre të shkretave ë të patheksuara, tregohen krejt indiferentë, kur është fjala për masakrën që po i bëhet shqipes publike përditë. Atëherë, në këto rrethana, të insistosh për reforma drejtshkrimore, është si t’i thuash një të sëmuri me infarkt akut të miokardit se duhet t’i operojë kallot. Dhe unë këtë nuk e kuptoj, edhe pse përpiqem. Aq më keq që e gjithë kjo ndodh në kontekstin e një shkatërrimi të përgjithshëm të pasurisë publike – që nga mjedisi e deri te ndërtesat publike në qytetet.

  8. Hipotetikisht, shqipja, duke qenë edhe e toskëve edhe e gegëve, do të duhet te pranojë dy trajta te pjesores, madje edhe duke leju ndërkëmbimin e tyre brenda të njëjtit tekst. E shkurta mbase do përhapet më lehtë me kohë për shkak se ekonomike, duke e zhvendosë të gjatën si dytësore, ose duke e nxjerrë dikur fare. Vetë pjesorja ‘pritë’ rrezik nuk do te shkruhet kështu fare në të ardhmen, pikërisht sepse nuk lexohet kështu. Shoh se përdoruesit e pjesoreve të shkurta, kur shkruajnë, japin “kam prit’, para se ‘kam pritë’.

    Njerëzit do fillojne t’i shohin ‘pritë’ dhe ‘pritur’ pikërisht si variante edhe drejtshkrimore të njëra-tjetrës, sic shohin fjala vjen, ndajfoljet ‘haptas’ dhe ‘haptazi’. Dhe meqë të dy trajtat do vazhdojnë një kohë të gjatë me u pa vetëm si normative, dijenia mbi prejardhjet e tyre respektive krahinore dikur do t’i kalojë vec nji grushti të informuarish për këto cështje.

    Dhe kuptohet se njerëzit do shkruajnë ‘punu’ para se ‘punue’ thjesht sepse gegërishten letrare nuk ua ka mësu kush, nuk njohin lidhjen me këtë traditë shkrimi të shqipes, jetojnë në kohën e komunikimit me sms e chat, ku njësi të panevojshme nuk hyjnë në lojë fare. Historikisht, shqipja ka njohë edhe pjesore te tipit ‘punuom’, por kjo histori nuk është se arrin t’i sigurojë kësaj trajte kandidaturë. Përdorimi këmbëngulës, ai po; ia siguron.

    Mbiemrat e tipit ‘i besueshëm’ vështirë se do vazhdojnë të shkruhen më kështu; më parë mund ta parashohim rënien e e-së edhe aty.

    Nuk po flasim kot. Kështu, nga bisedat e sotme krijohet toleranca që do t’i duhet nesër kësaj shoqërie, duke pa se kompromiset nuk qenkan aq të dhimbshme, e as te paarritshme. Bëj një të mirë e hidhe në lumë, thotë fjala popullore. (A ka të ardhme ë-ja në ‘lumë’ a thua?)

    Nuk besoj se, me paskajoren në normë, ti që thërret aq shumë per respektimin e normës, do të vendosësh të mos e përdorësh kurrë. Kuptohet se mosperdorimi i saj, tashmë si nji element normativ i gjuhës, do të ishte deklaratë edhe politike nga ana jote. Jo në kuptimin e përkatësisë në një parti, po në kuptimin e pozicionimin tënd kundrejt këtij elementi që normës do t’i hyjë nga shqipja e veriut. E, duke qenë një njësi aq e përhapur e shqipes së veriut, pozicionimi pro ose contra saj në thelb do ishte pozicionim edhe ndaj vetë shqiptarëve të veriut, sic edhe është. Shpresoj të jemi gjallë kur ky përafrim i mëtejmë i shqipes, pra i shqiptarëve, të jetë kthy në realitet.

    Vërej tek folësit e shqipes jugore, të prirur dashamirësisht ndaj meje, tendencën për ta shtënë paskajoren në punë. Madje, është ndër elementet e para që fusin në përdorim për të më percjellë mesazhe dashamirësie. Ndoshta për do kohë atyre aty do t’u mbetet, tek komunikimi i vetëdijshem me veriorët, me gojë e me shkrim. Po prej këtu rrugën do ta ketë të hapur drejt përhapjeve të mëtejme, mbase dikur edhe në ligjërimin e tyre brenda familjes.

    Nëse ndërndikimet gjuhësore janë realitet i pashmangshëm i gjuhëve, le të jenë edhe i dy varianteve të shqipes.

    1. Po i kthehem edhe një herë dallimit midis normës parashkruese dhe normës toleruese, sepse më duket se nuk u sqarova mirë.

      Thashë që paskajorja gege mund të tolerohet nga standardi; çka do të thotë që të përdoren, paralelisht, edhe paskajorja me punue, edhe format përkatëse të standardit (p.sh. lidhorja).

      Unë jam bartës i standardit; dhe si bartës i standardit, nuk e ndiej nevojën për këtë paskajore, pse arrij të shpreh gjithçka nëpërmjet lidhores, pjesores dhe mënyrave të tjera që ofron standardi.

      Standardin mua nuk ma kanë mësuar në shkollë mësues gjysmakë, të pamotivuar dhe përtacë; por standardi më ka mësuar mua.

      Megjithatë, e kuptoj se ka njerëz të cilët ndihen të privuar, po nuk përdorën paskajoren; dhe këta njerëz i japin problemit një përmasë edhe sociale, edhe politike.

      Atëherë do të thoja: le ta përdorin paskajoren, nëse dëshirojnë.

      Por ky përdorim i paskajores nuk është i njëjtë, bie fjala, me përdorimin e togut ue, në emra të tipit mësues, ose në mbiemra të tipit i besueshëm; sepse në këto raste të fundit përdorimi është parashkrues – jo fakultativ. Format mësonjës dhe i besuarshëm janë jostandarde.

      Përkundrazi, forma të tipit: u erdhi radha socialistëve me u kthye në pushtet, edhe sikur të tolerohen nesër (dhe unë them se nuk ka arsye pse të mos tolerohen) do të ekzistojnë paralelisht me format e tipit u erdhi radha socialistëve të kthehen në pushtet.

      Një shembull tjetër, veç atij të lidhores së pakryer të spanjishtes, që solla në komentin tjetër: format dysore të italishtes, si debbo dhe devo; ose giuoco dhe gioco. Një italian mund të marrë edhe Nobelin në letërsi, pa shkruar kurrë devo ose gioco; në të njëjtën mënyrë, kushdo mund të shkruajë mijëra faqe në shqip, pa e përdorur kurrë paskajoren; dhe jo sepse ka ndonjë mëri me të, por sepse nuk ia ndien nevojën. Ky arsyetim, që vlen për dysorët (ose format fakultative) nuk vlen për forma si ato të tipit mësues, që përmenda më lart.

      Duke e toleruar përdorimin e paskajores gege në standard, do të shohim edhe nëse kjo formë do të arrijë apo jo të integrohet në sistem. Shumë gjuhëtarë sot, të cilët janë më kompetentë se unë për të gjykuar sistemin gramatikor të shqipes (përfshi këtu Bahri Becin, Seit Mansakun, Met Çelikun dhe Gjovalin Shkurtajn, të cilët janë që të katërt gegë), mendojnë se paskajoren gege nuk e pranon sistemi i standardit. Nëse është kështu, atëherë sistemi do ta nxjerrë atë jashtë vetvetiu.

    2. “Vërej tek folësit e shqipes jugore, të prirur dashamirësisht ndaj meje, tendencën për ta shtënë paskajoren në punë. Madje, është ndër elementet e para që fusin në përdorim për të më percjellë mesazhe dashamirësie. Ndoshta për do kohë atyre aty do t’u mbetet, tek komunikimi i vetëdijshem me veriorët, me gojë e me shkrim. Po prej këtu rrugën do ta ketë të hapur drejt përhapjeve të mëtejme, mbase dikur edhe në ligjërimin e tyre brenda familjes”

      Nese eshte per ceshtje dashamiresie, atehere konsiderata shkon te personi juaj, por jo dhe aq te paskajorja e pafajshme. Ndaj kur Anita pas dashamiresise se miqve jugore ushqen nje shprese ne ekspansionin e pambukte te paskajores, tek ata dhe familjaret e tyre, atehere ketu duhet pare ne thellesi nje ndjenje perjetimi padrejtesie qe po kerkohet te vihet ne vend. Perndryshe une fare mire mund edhe te flas si kuksian, si tribut ndaj njohjeve te dikurshme ne fakultet e qe ata kuksiane qe njoh sa me degjojne qeshin me te madhe. Por kjo thjesht sa per te kriposur biseden e jo me shume se aq. E kunderta; kur une kthehm ne qytetin tim te lindjes dhe degjoj televizionet lokale, apo te njohur te ndryshem qe jetojne aty, sinqerisht me duket vetja si emigrant i perhershem ne hapesira gjuhesore te ndryshme. Te kuptohemi: une nuk kam asnje dilem ne zgjedhjen dhe ne ndjesine e perkatesise. Dua te shtoj nderkohe se per mua si jugor eshte shume me e dashur te degjoj kur flet Primo Shllakun ne gegnisht safi, sesa keto te folmet e distiluara ne shishkat e salloneve te “kultures” kryeqytetase. Me per te qeshur eshte pastaj trazimi dialektor qe bejne ca e ca nga Jugu. Kur them ekspansion i pambukte i paskajores e kam fjalen te kembengulja per ta normuar ate si te perbashket, pasi ajo te drejten e ekzistences natyrale e ka fituar dhe e ka te gegnishtja. Dhe shpresa per ndikimin qe mund te kem une si i influencuar nga gegnishtja te familjare te mite ne Jug eshte thjesht shprese e kote. Do te merrja ndonje perqeshje te hidhet dhe ndonje rromuz qe nuk do me zbutej as sikur te mbaja koken te zhytur brenda ne ndonje shalqi te lene ne uje burimi. Vellimi i pare i veprave te Aleksander Xhuvanit permebledh artikuj te hershem te tij per ceshtje te gjuhes. Flet aty edhe per asgjesimin e ë-se ne botimet e Shkodres. Flet edhe per idene e sintetizimit te dialekteve ne funksion te nje norme te perbashket. Te njejtat probleme, te njejtat mendesi qe ne 1900. Asgje nuk ka ndryshuar, asgje. Ndaj le te jete paskajorja kufiri, ashtu sic edhe ka qene. Kufiri i dy te ndryshmeve. Sa per ë-ne, toleranca ne kete rast besoj se eshte kaq e madhe sa e ben te panevojshem dashamiresine.

      1. Kjo histori më kujtoi një video që kam parë në TV, për një familje me një problem të madh: qeni dhe macja që kishin nuk shkonin me njëri-tjetrin.

        Familja, burrë e grua, si amerikanë të mirë që ishin, thirrën një ekspert të fushës (tani s’e mbaj mend si quhej: animal behaviorist, ose animal conflict resolver); dhe videoja tregonte, hap pas hapi, çfarë kish bërë ky për të zgjidhur konfliktin mes qenit dhe maces.

        E gjithë puna përqendrohej te qeni: bëj këtë, bëj atë; afrohu, largohu; merri erë maces, por mos e lëpi; mos leh se e tremb, etj. Macja, një gjë e vogël e zezë, me temperament mizerabël, vetëm rrinte aty dhe kërleshej, duke fryrë qimet; po përndryshe nuk merrte pjesë në proces.

        Më thotë motra (me të cilën po e shihnim këtë kryevepër): po mirë, xhanëm, këta vetëm qenit duan t’i mësojnë gjëra? Si nuk provuan t’i mësojnë edhe maces një gjë? Pse u dashka që vetëm qeni të përshtatet, ndërsa kjo tjetra të mos ndryshojë as edhe një presje, nga kushtetuta e vet?

        Mister. Kushedi maceve nuk mund t’u mësosh dot asgjë, sikurse do të ma konfirmojnë shumë prej nesh. Ndoshta qeni kish shprehur i pari gatishmërinë për t’i rithemeluar marrëdhëniet me partneren e vet. Ndoshta qeni kishte gabuar rëndë me ndonjë mace tjetër, në të kaluarën. Ndoshta macja ishte më e titulluar se qeni, për të pasur të drejta pronësie ndaj shtëpisë. Ndoshta…

        Hipoteza pa fund. Një gjë është e vërtetë: nga macja nuk erdhi asnjëherë asnjë shenjë mirëkuptimi ose dashamirësie, për përpjekjet e palodhura të qenit dhe të instruktorit. Koncesioni më i madh – dhe e theksoj, më i madhi – ishte indiferenca përbuzëse.

  9. “…paskajoren gege nuk e pranon sistemi i standardit. Nëse është kështu, atëherë sistemi do ta nxjerrë atë jashtë vetvetiu.”

    Kjo nuk është e vetmja alternativë, edhe pse kjo është në fakt pikërisht ajo që është duke ndodhur. Paskajorja është jashtë standardit, duke u perceptuar se standardi nuk është në gjendje ta përvetësojë.

    Nuk jam i njohur me punën e specialistëve që ke përmendur më lartë, por besoj se diçka tjetër që mund të ndodhë është ndryshimi i normës parashkruese si efekt i tolerimit në normën gramatikore.

    Analogjia nga mjekësia që është nisur më lartë, mund të vazhdojë edhe këtu. Nëse standardi merret si organizëm i gjallë, dhe paskajorja si trup i huaj në këtë organizëm, dakord që një prej efekteve mund të jetë që standardi ta nxjerrë jashtë këtë trup të huaj, por një tjetër efekt mund të jetë që organizmi të përshtatet me trupin e huaj duke u modifikuar në të atillë mënyrë që të jetojnë në simbiozë.

    Madje që analogjia të jetë vërtetë bindëse, atëherë paskajorja mund të konsiderohet edhe si antibiotik, që duke u injektuar artificialisht në standard, kryen edhe një funksion të dytë për mungesën e të cilit besoj se qahemi të gjithë. Ashtu si e rrisin imunitetin e trupit antibiotikët, këta trupa të huaj ndaj organizmit, po njësoj edhe paskajorja mund të shërbejë për të përforcuar autoritetin shkencor, duke qënë se kujdesi dhe kontrolli do ishte me i madh, si dhe më kryesorja, do të mund të shërbente për mobilizimin dhe riorganizimin e krejt superstrukturës gjuhësore.

    Natyrisht që kjo nuk funksionon në mënyrë magjike, duke u mjaftuar me injektimin e trupit të huaj në një organizëm të sëmurë. Por do të ishte pikërisht injektimi i një trupi të huaj si paskajorja ajo çka do të ngjallte kujdesin e shumë munguar, që do të shtonte vullnetin e autoritetit të fushës për të qënë më aktiv, e që përfundimisht do të shtrëgonte rradhët për një përdorim më të shëndetshëm e më të kujdesshëm të shqipes. Dhe kjo do të vinte qoftë në respekt të përjashtimit të këtij trupi të huaj, qoftë në respekt të mutacioneve në normën parashkruese si efekt i pranimit të këtij trupi të huaj.

  10. Nga vete fjala ‘tolerim’ arrij te kuptoj mjaft mire qendrimin tuaj. Une flas per integrim te paskajores, qe perfundimisht do te shkrinte dy variantet e shqipes ne nji te vetem. Kuptohet, nese qasja juaj ose e ndonji tjetri eshte njefare ‘tolerimi’ qe duhet me deshmu se sistemi nuk e honeps dot, atehere rezultati do te jete pikerisht ky. Nese synojme ta integrojme, atehere me ne fund do te nisin te shuhen edhe divergjencat, jo vec gjuhesore. Me integrimin e saj te plote, besoj se do te rreshtin edhe zerat qe therrasin per rehabilitimin e gegnishtes. Kjo sepse nuk do te kete, ne te ardhmen, foles te shqipes veriore qe te ndjehen aq te lene jashte normes standarde sa ka sot.

    Me e rendesishmja, nese standardin me kete trajte te sotme synojme ta ruajme patjeter, atehere i bie se synojme t’i ruajme patjeter edhe diferencimet sociale qe rrjedhin prej tij. Kuptohet qe integrimi i plote i paskajores do kerkoje edhe zgjerim te sistemit e ndryshime qe do te arrijne edhe tek rrafshi drejtshkrimor.
    Mbase ju keni te drejte: tolerimi edhe mund te jete hapi i pare. Mua, c’eshte e drejta, vete fjala me sugjeron njefare refuzimi te heshtur, por ne te njejten kohe, e kuptoj se, per te arrite deri tek integrimi, tolerimi eshte hapi i pare. Te tjeret duhet te pasojne, ne menyre qe te kemi nji sistem te ri, integrues te shqipes, me cka ndryshimet ne normen parashkruese thjesht do t’i ndiqnin ndryshimet e normes rezultuese ne perdorim. Gjithcka varet nga ideali, synimi qe veme pepara vetes. Nese ndjekim synimin per integrimin e metejme te shqiptareve, dhe nese standardin e kuptojme si mjet, e jo qellim, atehere do te kemi rezultate reale.

    Kuptohet, paskajorja mund te sherbeje mire per ta dhene cdo lloj argumenti pavetor, duke e shmange dykuptimsine qe mbart lidhorja dhe keshtu te parapelqehet ne standard per kete funksion.

    Gjeograifa e ‘bartesve’ te standardit mund te zgjerohet, kupohet nese kete epitet ia deshirojme edhe tjetrit. Kjo ‘bartes’ menjihere krijon diferencimin me tjetrin ‘jobartes’, te cilit standardin megjithate ia kerkojme ta mesoje e ta zbatoje. Mendoj se kjo e ve standardin ne nje raport te dhenie-marrjes se detyrueshme edhe me te.

    1. Anita, ti e shtron argumentin në mënyrë sentimentale.

      Kur flas për tolerim, nuk kam parasysh veten, as njeri tjetër, por sistemin.

      Shumë gramatikanë ekspertë në fushën e tyre – të përmenda katër prej tyre, të gjithë gegë safi – mendojnë se sistemi gramatikor i standardit nuk e pranon dot paskajoren e gegërishtes.

      Në rrethana të tilla, nuk mund të flitet më tepër sesa për tolerim.

      Gjithsesi, barra e provës se paskajorja gege mund të integrohet mirë në standard u bie përdoruesve të saj: përdoreni, në tekste që të fitojnë prestigj në sy të publikut – në vepra letrare dhe skenike të shkëlqyera, në përkthime të cilësisë së lartë, etj.; dhe kushedi do të bëhet mrekullia.

      Një gjë është e sigurt: që kjo mrekulli nuk bëhet pa zotimin tuaj total, me vepra jo me ankime dhe thirrje. Sa për mua, dhe të tjerë si unë, shqipja standard funksionon për bukuri pa paskajoren e gegërishtes.

  11. Xha Xhai,

    Edhe tolerimi edhe prestigji per te cilin flisni na nxjerrin ne nivele sociolinguistike, pra jashtegjuhesore, jashte vete sistemit. Nese paskajoren arrijme me e veshe me prestigj, atehere kjo dmth se njerezit do te fillojne me e perdore gjithnji e me dendur, dhe keshtu ajo nis e ridimensionon sistemin aktual. Sistemi nuk ekziston nga vetvetja e ne vetvete; ai eshte gjithnji pasqyre e elementeve qe ne, me nderveprimet tona, fusim ne te. Kuptohet, elementet qe pelqehen me shume, edhe perhapen me shume.

    Kur flasim per tolerim, edhe kjo eshte nje cilesi njerezore. Nuk mund t’ia ngarkojme nje cilesi te tille sistemit. Ju vete thoni: perdoreni me zotimin tuaj total. Por toleranca e te tjereve fatkeqesisht ende nuk ka ardhe ne nivelin e tuajes. Redaktoret gjuhesore te shtepive botuese, te gazetave, te portaleve te lajmeve etj. etj. te shumten e rasteve e zevendesojne paskajoren, me cka depertimi i saj veshtiresohet, duke mbete ne botime private te dashamiresve. Kjo mund te thoni vjen sepse nuk e duron sistemi, por me pare eshte nga fakti se nuk e durojne ata, e kjo bash per shkak te ketyre lloj bindjeve.

    Tani, meqe per ceshtjen e paskajores jane ravijezuar qarte dy taborre, kjo nderhyrje e redaktoreve nuk di sa mund te quhet e drejte; nese ndonji redaktor nga taborri tjeter ua shton paskajoren teksteve qe nuk e kane, duke e zevendesu lidhoren, sa e drejte do te ishte kjo? Mbetet pra te fuqizohet me tej krahu qe e kerkon ne standard.

    Besoj se e rendesishmja eshte me kuptu qe toleranca duhet te krijohet ndermjet njerezve, ne menyre qe ate tolerance ta pasqyroje edhe lenda gjuhesore.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin