ANIJA E PADUKSHME

Lexoj në librin The Fatal Impact, The Invasion of the South Pacific 1767-1840, të gazetarit australian Alan Moorehead, se në prill të vitit 1770, kapiteni britanik James Cook, me anijen e vet Endeavour, morën kontaktin e parë me banorët vendës të Australisë së Jugut, në Botany Bay.

Kapiteni Cook dhe të vetët dilnin në këto brigje pasi kishin kaluar kohë në ishuj të tjerë të Paqësorit, veçanërisht në Tahiti, ku kishin ndeshur në kultura të ndryshme nga çfarë njihej deri atëherë në Europë; dhe të shënueshme për larminë, pasurinë dhe sharmin e tyre të pashoq.

Nga disa raporte të lundërtarëve të mëparshëm të atyre ujërave, veçanërisht të hollandezëve dhe të eksploratorit William Dampier, që kish zbarkuar në veri-perëndim të Australisë shumë vite më parë (në 1606), Cook-u priste që t’i dilnin përpara po ata melanezianë që kish ndeshur dhe përshkruar (pa kurrfarë simpatie) Dampier-i dikur.

Në fakt, vendësit që u dolën përpara tani britanikëve ishin të ndryshëm nga pamja: të hollë dhe të vegjël nga trupi, me flokë të drejtë, jo me rica si të zezakut, me lëkurë kafe, jo të zezë pisë; madje burrat mbanin mjekër, ndryshe nga banorët e ishujve të Paqësorit.

Këta vendës përdornin armë të ftohta (heshta dhe mburoja, shkopinj hedhës, bumerangë), lundronin me kanoe dhe jetonin në kasolle të thjeshta, të ndërtuara me degë pemësh.

Teksa i shihte këta njerëz nga ura e Endeavour-it, Cook-u po bindej tashmë se asnjë europian nuk kish parë e përshkruar ndonjëherë një popullsi të tillë.

Ndërkohë, Endeavour-i iu afrua bregut dhe lëshoi një barkë; teksa vendësit, të mbledhur në një vend të ngritur, ua bënë me shenjë marinarëve të zbarkonin – edhe pse pa treguar kurrfarë interesi ndaj anijes 368 tonëshe 32 metra të gjatë që u kish dalë para syve – pas gjase sendi më i madh jonatyror që ish shfaqur ndonjëherë në ato ujëra.

Alan Moorehead, duke cituar raportet e ekspeditës, vëren se edhe kur kjo anije, me velat e saj madhështore, kaloi gati 300 m afër katër kanoeve me peshkatarë vendës, këta as begenisën të ngrinin kokat, për ta parë.

Ndërkohë, teksa Endeavour-i u afrua dhe hodhi spirancën fare pranë bregut, u shfaq në plazh një grua e zhveshur lakuriqe, që po bartte dru, e shoqëruar nga tre fëmijë të vegjël. Natyralisti britanik Joseph Banks, që shoqëronte Cook-un në këtë udhëtim, shkruan me këtë rast [theksimi im, 2Xh]:

Ajo e pa anijen disa herë, por pa shprehur as habi, as shqetësim. Paskëtaj, e patrazuar, ajo ndezi një zjarr dhe katër kanoet u afruan, peshkatarët zbritën që andej, i ngritën barkat në stere dhe filluan të gatuajnë darkën, krejtësisht indiferentë ndaj nesh.

Përkundrazi, kur anglezët kujtuan se këta njerëz do t’i lejonin të zbarkonin në paqe, dolën të gabuar; meqë barkat e Endeavour-it u sulmuan sakaq, aq sa marinarëve iu desh të shtinin në ajër, për t’i trembur vendësit e armatosur dhe të vendosur të bënin rezistencë; më në fund, këta të fundit u larguan, Cook-u dhe Banks-i shkuan te kasollet, ku gjetën gjashtë fëmijë, të cilët sërish nuk treguan ndonjë interes për xhinglat që kishin sjellë anglezët me vete (rruaza dhe fjongo).

Antropologët janë përpjekur të shpjegojnë, me mënyra të ndryshme, pse australianëve vendës nuk u bëri fare përshtypje Endeavour-i. Disa mendojnë se për këtë kulturë teknologjikisht të pazhvilluar, një anije si kjo ishte tepër e përbindshme dhe e pakuptueshme, për t’u përfshirë në ndonjë model referencial; me fjalë të tjera, vendësit nuk reaguan ndaj anijes sepse nuk ishin objektivisht në gjendje ta shihnin si anije; në një kohë që barkat e anglezëve i njohën menjëherë, sepse i përqasën me kanoet e tyre. Të tjerë  autorë janë të mendimit se vendësit e konsideruan klasifikuan si diçka natyrore, si të ishte ishullth ose pemë pluskuese.

Kronika e këtij kontakti të parë është e paçmuar për nga vlera antropologjike, sepse përshkruan një ngjarje të rrallë, që nuk përsëritet dot më: kontaktin e parë të dy kulturave krejt të ndryshme mes tyre – madje njëra teknologjikisht shumë më e përparuar se tjetra. Në bazë të incidentit të rrëfyer më lart, mund të përfundohet se, në rrethana të tilla, secila kulturë sheh tek tjetra ato tipare të cilat mund t’i asimilojë më lehtë në vete: aborigjenët i shquan mirë barkat e anglezëve dhe reaguan ndaj tyre me agresivitet, ndërsa anijen përbri e shpërfillën krejt; europianët njohën mburojat dhe shtizat e vendësve, por nuk kuptuan asgjë nga sjelljet e tyre rituale.

Natyrisht, nuk ka pothuajse asgjë të përbashkët midis kontakteve të europianëve me banorët e Paqësorit, gjatë shekujve XVII-XVIII dhe kontaktit të shqiptarëve me Europën, pas vitit 1990; përveç vetë dinamikës së kontaktit, të cilin palët janë gjithnjë të interesuara ta rindërtojnë si një formë komunikimi; qoftë ky edhe komunikim thjesht për hir të modelimit mendor të Tjetrit.

Megjithatë, kur lexoj për shpërfilljen kaq të çuditshme që ia bënë aborigjenët australianë anijes Endeavour, një mrekulli teknologjike e paparë, të paktën nga pikëpamja e tyre, nuk mund të mos mendoj se ndoshta, gjatë kontaktit tonë me Perëndimin, nuk kemi qenë në gjendje të perceptojmë, në masën dhe plotësinë e vet, ato tipare që e bëjnë Perëndimin të suksesshëm dhe të lakmuar; në një kohë që tipare të tjera të këtij qytetërimi, më të afërta me kulturën tonë të gjymtuar nga izolimi, kemi qenë në gjendje t’i perceptojmë, madje t’i bëjmë tonat pa vonesë.

Çdo krahasim çalon; dhe ky imi çalon mbase edhe më shumë se ç’mund t’i lejohet një krahasimi – por sugjerimi mbetet, sikurse mbetet ftesa për t’ia bërë vetes pyetje të tilla si këto: Çfarë jemi duke ia shpërfillur sot Perëndimit, në orvatjet tona për ta imituar, shfrytëzuar, emuluar, kopjuar, kargo-kultuar, shantazhuar, mashtruar dhe rrjepur? Po sikur ajo që na ka shpëtuar, ajo që nuk e shohim dot sepse nuk e futim dot në kornizën tonë të referencës, të jetë pikërisht thelbi i kësaj kulture, së cilës përndryshe duam aq shumë t’i përkasim?

Nuk ka komente

  1. Xhaxha,

    Keto 20 vjet jemi mesuar te degjojme (mendojme) se shqiptaret nuk behen, jemi primitive, duam disa breza te arrijme atje ku synojme (e nderkohe bota do vazhdoje te eci) e ne prape do jemi qindra vjet mbrapa……etj, etj etj. Dhe na vjen keq, na dhemb ky realitet, por shpresa vdes e fundit….

    Pyetja qe ngre shkrimi yt eshte e hatashme, e llahtarshme…..mua po me dhemb tmerrsisht, ndjehem sikur sapo mora vesh lajmin sa ka vdekur dikush shume i afert. Me vrave shpresen.

    1. Dale, dale ti, nga maja e 50 kateshit, u llahtarise me kaq gje per fatet e atyre qe jetojne e do te jetojne ne Shqiperi.

      Xha xhai ka thene ate gje qe ua konteston atyre te para 1 shekulli, kur thoshin se shqiptaret nuk kane qene asnjehere thelbesisht, as te krishtere, as myslymane, as nenshtetas bizantine, as turq, e se u kalonin ngjarjet si uji ne kurrizin e roses.

      Ka popuj me doze te madhe idealizmi ne kulture, ka popuj me doze te madhe pragmatizmi ne kulture, shqiptaret kane qelluar nga keta te dytet.

      Perqafimi i thelbit te nje kulture apo qyteterimi tjeter, supozon nje doze te madhe idealizmi, qofte tek njeriu qofte tek populli.

      Nderkaq ke sa te duash emigrante sidomos nga fshatrat, qe mund te kene qendruar 10 vjet ne Perendim dhe as kane pesuar ndonje ndryshim. Ke islamiket ne perendim, qe kane nga 20 vjet, kane marre shtetesine dhe s’dine pothuaj asnje llaf te gjuhes se shtetit, ashtu sikunder ke ne Amerike plot hispanike, shtetas te SHBA-se qe s’dine anglisht.

      Ne fusim shume mire gjithçka te Perendimit ne kornizen tone te references, po jemi teper te vjeter per te ndryshuar thelbin.
      Mund te perpunosh shqiptarin si individ sipas perngjasimit tend, se individi eshte perhere i ri, por s’perpunon dot shqiptarin si popull, se eshte teper i vjeter per ndryshime radikale.

      Ti ke neper male veri e jug, fosile sociologjike ose dinozaure sociologjike, ne fshatra e qytete lagje te ndara sipas fiseve, ne Tirane lagje te ndara sipas krahinave shqiptare dhe pretendon te futesh thelbin e Perendimit ne Shqiperi ?

      Kap njehere stadin e shtet-kombit, se eshte ende shtet i konceptuar mesjetarisht, lyer me boje moderne, pastaj flasim per thelbe.

      Ne Perendim me Sali Berishen, qe merr per model historik bejleret dhe Zogun?! Si e tha ai, o tempora o mores!

  2. une nuk besoj se australianet shperfillen anijen angleze. ata me mire kane dashur te tregojne me indiferentizmin e tyre se nuk reagonin ose do te reagonin per mos iu lene shkak anglezve qe te sulmonin te paret,dhe ngaqe nuk kishin zhvillim te atille qe mud t”i perballonin dot zgjodhen variantin e sulmit te papritur.mund ta kishin pregatitur veten per nje reagim te atille qe te mos tregonin kuriozitet ose si munt te themi ndryshe nje lloj vetmbrojtje.

  3. “Natyrisht, nuk ka pothuajse asgjë të përbashkët midis kontakteve të europianëve me banorët e Paqësorit, gjatë shekujve XVII-XVIII dhe kontaktit të shqiptarëve me Europën, pas vitit 1990; përveç…” anijes (do shtoja), (nëse vijojmë të mbështetemi për lehtësi shqiptimi në ikona e nëse i besojmë tronditjes që shkakton edhe pas fiks 20 vjetësh posteri i Benetton-it me anijen e shqiptarëve, përmbytur nga mizëria, mizoria, mizerja).

    Edhe në këtë përplasjen kulturore (po themi) të viteve ’90, indigjenëve nuk u bën fare pershtypje si anije anija e stërmadhe nga bota tjetër (kjo për shumë arsye), po i pataks njeriu për njeriun që është ujk – tamam e njëjta që vuri në lëvizje edhe indigjenët australianë…

  4. Llahtarisem, Hyllin, sepse nuk ndaj me ty asnje lloj iluzioni per vlerat e shtetit, kombit, popullit “punetor, heroik e liridashes” shqiptar. Dhe sic tha ai burri me i mencur se ne, “e vetmja gje qe di me siguri eshte qe nuk di asgje.” Ne akoma nuk e dime mire se cfare jemi, cfare demesh kemi pesuar, cfare kemi humbur.

    Nuk eshte puna thjesht te integrohesh dhe te kopjosh e te besh tenden menyren e jeteses, apo qofte edhe te sjelljes formale e informale. Arrihen keto, kemi shembuj plot. Dhe patjeter qe “ata” te kultures tjeter gjithnje do na duken “ndryshe”. Nuk me shqeteson fare kjo, eshte normale.

    Ajo qe me shqeteson eshte konstatimi se ne, shqiptaret e sotem qe kemi jetuar ne dy etapa, nese nuk jemi thelbesisht te traumatizuar, jemi megjithate te manget. Jemi te manget sepse kemi diskordance midis “endrrave” qe kishim ne kohen kur behen “endrrat, planet, e ardhmja” ne rini pra, dhe realitetit qe jetojme. Ky realitet eshte patjeter shume here me i mire se endrra me e rrezikshme qe mund te benim ne ne rinine tone. E megjithate, me shume veshtiresi kenaqemi, me shume veshtiresi edhe qeshim, “lumturia” na duket krejt e paarritshme. Them se na vjen ngaqe jetojme nje jete qe nuk perputhet me aspiratat/endrrat qe kishim. Mesa duket nuk mjafton te kesh shume, duhet te kesh ate qe ke dashur te arrish. Njeriun me shume se sa rezultati ne vetvete, e kenaq dhe e ploteson shpirterisht arritja e rezultatit, ndjenja e suksesit, e arritjes se qellimit qe kishte. Dhe ne e humbem ate mundesi. Kapercyem papritmas ne nje gjendje tjeter qe s’ka asnje lidhje me ate qe “enderronim.”

    Ne kete kontekst, pyetja e Xhaxhait, se mos valle as nuk jemi ne gjendje ta kuptojme thelbin e asaj qe na mungon, ne nivel njerezor (pa rrahje gjoksi per pragmatizmin e popullit shqiptar, lashtesine, gjuhen, ziline qe na paska patur gjithe bota) eshte shume tronditese.

  5. Ti mund te mos jesh krenare, ai eshte problemi yt jo imi, aq me pak i shqiptareve ne pergjithesi.

    Moskuptimi i thelbit, nuk eshte fare ndonje tragjedi per te vene kujen, qofte pse thelbi ngelet perhere spekullativ, pra çeshtje besimi, qofte sepse me e rendesishme sesa kuptimi i thelbit eshte te tregosh vullnet konkret per ndryshim, gje qe shqiptaret se kane pasur asnjehere si shumice, perndryshe do ishin stabilizuar me kohe ne vathen e nje qyteterimi.

    22 vjet me pare u enderrua, siç enderrohet ne kohe revolucioni, dmth shihen endrra ne diell, prandaj revolucionet deshtojne rregullisht ne qellimet e tyre dhe vetem pjesa racionale perfiton njefare pershpejtimi evolutiv.

    Sigurisht qe 22 vjet me pare, askujt s’do ja kish marre mendja qe do vinte dita, qe si pyetje mature te ishte kjo e meposhtmja:

    – “Njerëz jam n’provim. M’ndihmon dot njeri me këtë pyetjen: renditni 3 arritjet e qeverisë shqiptare të cilat çuan në liberalizimin e vizave për Shqipërinë”

    Ajo per çfare mund te shkulen floket e te çirren faqet, mbase eshte fakti qe pjesa racionale nuk duket te kete perfituar ndonje pershpejtim evolutiv, po endrrat me t’u bere esencialisht italian, gjerman, francez, amerikan, keto jane per t’iu rrefyer ne pleqeri niperve e mbesave ne forme perrallash.

    Cilat quaj pjese racionale do pyesesh ti. Po ja 3 p-te e 3 d-te; pune,prona,pasurim, demokraci, drejtesi, dinjitet.

    Keto mund te pesonin nje pershpejtim evolutiv, si pasoje e revolucionit te 1990-1992.

    Mua, te denja per kuje me duket 3 p-te e 3 d-te, sepse pas 20 vjetesh nuk kemi arritur te permbushim, asnje nga kerkesat apo ‘endrrat’ racionale, rregullisht per disa apo edhe nje nga keto arsye shqiptaret kane emigruar masivisht dhe per fat te keq po emigrojne apo s’po kthehen edhe pse duan te kthehen.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin