STANI ME LEPUJ

Gjatë një shkëmbimi replikash në FB, për shkrimin tim të mëparshëm, një kolege më kërkoi të bëja diçka për t’i mobilizuar gjuhëtarët, në mbrojtje të shqipes publike.

Kam fatin të njoh shumë gjuhëtarë në Tiranë dhe gjetiu në Shqipëri dhe Kosovë; nuk vë dorën në zjarr për qëndrimet e tyre në lëmin e kulturës së gjuhës dhe të politikave gjuhësore, por për një gjë jam i sigurt: kompetencën e tyre profesionale.

Janë njerëz që i kuptojnë me lehtësi problemet që kam ngritur unë herë pas here; dhe nëse fjala e tyre nuk dëgjohet as shihet më masën e duhur, për këtë shkaqet duhen t’i kërkojmë së bashku.

Disa gjuhëtarë të brezit më të vjetër, që në mënyra të ndryshme u përfshinë në standardizimin e shqipes dhe Kongresin Drejtshkrimor të vitit 1972, doemos llahtarisen me çfarë po i bëhet shqipes në epokën e tastierës anglo-saksone, të SMS-ve, të Internetit dhe në përgjithësi të shkruesve free riders të sistemit ekzistues; por një pjesë e tyre janë lodhur, një pjesë tjetër merren me projekte të tyret, dhe një pjesë duan ta ngrenë zërin, por nuk gjejnë dot hapësirë – meqë gazetat, televizioni dhe mediat e tjera nuk ua hapin derën kollaj.

Ka gjuhëtarë që e shohin se çfarë po ndodh, por mendojnë se ndërhyrja publike e fortë, për të denoncuar përdhosjen e dinjitetit të shqipes, nuk është pikërisht rruga që duhet ndjekur; meqë këta janë mësuar që çështje të tilla t’i zgjidhin me dyer të mbyllura dhe tryeza të rrumbullakëta, larg syve dhe vëmendjes së publikut; ndërsa të tjerë e bashkëlidhin disiplinimin gjuhësor me metodat totalitare të shtrëngimit: “lërini njerëzit të shkruajnë siç duan,” duket sikur thonë këta, edhe pse liria e zgjedhjes së kodit në të vërtetë i kundërvihet lirisë së fjalës.

Ka gjuhëtarë që janë tepër sqimatarë për t’u marrë me politikën gjuhësore, ose me çështje të gjuhësisë së zbatuar në përgjithësi, të cilat i përkasin gjuhësisë preskriptiviste, e cila tashmë përçmohet si pedante dhe shkollareske në rrethet akademike të ndriçuara sidomos në Perëndim (ku, për koincidencë, problemi i standardit është zgjidhur prej kohësh); ata parapëlqejnë, përkundrazi, t’u kushtojnë kohë sfidave intelektuale më të holla, edhe pse larg interesit publik ose të huaja për të; kur nuk parapëlqejnë t’i hipin gomarit populist dhe të fillojnë me zbërthimin e rrënjëve shqiptare-pelazgjike te Homeri.

Të tjerë kolegë të mi ngurrojnë të zotohen publikisht me çështje si kjo e jona, pa pasur garancinë e ndonjë përfitimi çfarëdo. Këtij grupi i përkasin edhe të tjerë, jo doemos të mefshtë nga natyra dhe karakteri, por që e kanë humbur shpresën se mund të shpëtohet gjë, në kushtet kur Shqipërinë e ka marrë në dorë një klikë që e trajton sferën publike si hapësirë për zaptim dhe plaçkitje; dhe ku qytetarinë e kanë dëbuar tashmë nga politika.

Ndonjëri ka frikë se, duke u shqiptuar haptazi për çfarë mendon, do të damkoset sakaq si nostalgjik i stalinizmit gjuhësor të Kostallarit; duke pikasur, kushedi me sa të drejtë, te paria politike e sotme në Tiranë, burimin e fundmë të përçmimit ndaj standardit dhe problemeve të tij, përçmim i cili ka lidhje, në përgjithësi, me shkatërrimin që i është bërë gjithçkaje publike në Shqipërinë e pas 1990-ës.

Ka pastaj kolegë të mi të cilët, për arsye që nuk po i cek këtu, thjesht nuk e duan standardin; e shohin si gërdallë të mbijetuar nga një model kulturor totalitar, që nuk e meriton kujdesin e askujt; e shohin si diçka të huaj dhe të imponuar dhe në thelb kriminale, duke e shoqëruar, në mendjet e tyre, me mënyrën si u trajtua, prej shtetit totalitar dhe veglave të tij, trashëgimia letrare e gegërishtes; e shohin si abominacion. Ata jo vetëm që nuk lëvizin as gishtin e vogël në mbrojtje të shqipes publike, por edhe fërkojnë duart sa herë që ajo humbet truall, rrëshqet dhe bie, para sulmeve të xhahilëve gjithfarësh.

Të tillë kolegë zakonisht druhen t’i shprehin hapur mendimet e tyre, sepse e dinë që masa e njerëzve nuk e dëshiron shkatërrimin e standardit, as parapëlqen kaosin ndaj disiplinës; dhe kanë frikë sepse gjuhësia, në format e veta të popullarizuara dhe romantike, gjithnjë është parë si mbështetje teorike për ideologjitë kombëtariste – prandaj edhe nuk duan të shquhen si antikombëtarë.

Ka një grup tjetër kolegësh që mendojnë se drejtshkrimi i shqipes, kështu siç është sot, nuk i përgjigjet më shqipes bashkëkohore, ashtu siç përdoret ajo sot; prandaj edhe duan t’i përdorin dukuri si kjo e gjymtimit të alfabetit, por edhe vështirësi të tjera të shprehjes adekuate në shqipen letrare, si argumente për të çuar përpara tezat e tyre për reformë drejtshkrimore, të cilat mund të jenë të drejta ose konstruktive në vetvete, por nuk e përligjin megjithatë mospërfilljen ndaj rregullsive ekzistuese në lëmin e përdorimit publik të shqipes.

Disa kolegë, të moshave të reja, e kanë gjetur standardin të gatshëm, edhe pse të sëmurë dhe të leckosur dhe të nëpërkëmbur në çdo mjedis publik; dhe rregullat e drejtshkrimit këta i lidhin, në mendjen e tyre, me një vështrim shkollaresk, hierarkik, piramidal të kulturës; teksa vetë identifikohen me frymën tjetër, horizontale, rizomatike të kulturës së Facebook-ut dhe të rrjeteve të tjera sociale, ku shkrimi si medium nuk e ka atë soliditet të faqes së printuar. Ky është brezi që shkruan gjithnjë e më pak me stilolaps e gjithnjë e më shumë me tastierën e kompjuterit dhe të telefonit dhe që shkronjat ë dhe ç i sheh si pengesa që ua kufizon shpejtësinë e të shkruarit (dhe ndoshta të mendimit); dhe që ndoshta kujton se rregullat e shkrimit të shqipes së re do të përftohen nga poshtë, si dukuri emergjente; jo të imponohen nga sipër, sikurse u veprua dje.

Një brez i tillë gjuhëtarësh nuk e ka të lehtë ta kuptojë se alfabeti 36-shkronjësh i shqipes është ai që është për arsye thjesht funksionale, jo sentimentale; dhe fakti që shqipja e shkruar me SMS ende kuptohet nga marrësit nuk dëshmon gjë për vjetrimin (obsolescence) e alfabetit ekzistues, meqë funksionimi i kësaj shqipeje të gjymtuar mbështetet i tëri mbi premisën që përdoruesit e saj e kanë marrë tashmë një edukatë gjuhësore tradicionale, e cila i bën të shkruajnë eshte por të lexojnë është. E megjithatë, konfuzioni mes çifteve të tilla minimale si te dhe , se dhe , me dhe , ke dhe kë, ne dhe , që janë nga fjalët më të përdorura në shqipe, do të mjaftonte për ta kundërshtuar thjeshtimin e shkrimit shqip, për shkak të konfigurimit të tastierës anglosaksone.

Ja këta janë shqiptarët më të përgatitur, nga pikëpamja profesionale, për të penguar sot, me autoritetin dhe argumentet e tyre, shkatërrimin e pasurisë kombëtare të shqipes standarde; por, nisur edhe nga eksperienca ime sado e kufizuar me konferencën e fundit për problemet e drejtshkrimit, ata nuk janë më në gjendje t’i kundërvihen këtij shkatërrimi me një alternativë; sikurse nuk janë në gjendje të imponojnë autoritetin e tyre, për ta ndalur shkatërrimin.

Nga ana tjetër, çdo politikë gjuhësore kërkon bashkëpunimin dhe bashkërendimin e përpjekjeve të gjuhëtarëve dhe të politikanëve, me pjesëmarrjen edhe të palëve të treta, kryesisht arsimtarëve, shkrimtarëve, gazetarëve dhe intelektualëve publikë; dhe mungesa e një politike gjuhësore, sikurse mund të merret me mend, është edhe ajo një politikë e caktuar. Në fusha të tjera, shpërfillja e nevojës për ta mbrojtur dhe kultivuar sferën publike ka paralajmëruar copëtimin e saj, pronësimin, privatizimin, shfrytëzimin për interesa partikulare. Mirëpo gjuha e shkruar, madje edhe në formën e vet standarde, nuk privatizohet dot, prandaj çfarë mund të ndodhë, pas shthurrjes së sistemit të rregullave dhe në rrethanat konkrete të kapaciteteve politike dhe kulturore pothuajse zero për zëvendësim të standardit, lidhet drejtpërdrejt – sipas meje – me dëshira provincialësh të pashpresë, për ta shpërbërë njësinë kombëtare.

Nuk ka komente

  1. Paskeni gjithe keta kolege, te cilet qenkan te ndare ne shije dhe kategori sjelljesh ne raport me standardin e gjuhes shqipe. Gjuhetare qe kane frike se mos njollosen si nostalgjike, gjuhetare qe refuzojne te pranojne standardin nisur nga kritere thellesisht politike, gjuhetare qe kerkojne protagonizem me reforma drejtshkrimore. Une vete kam takuar edhe nje qe ka poste drejtuese ne fakultetin e Gjuhe-Letersise qe me thoshte se “keto jane debate kot. Shqipja per 100 vjet do zhduket”. Une them se keta nuk mund te quhen gjuhetare mirefilli; keta jane njerez me diplome ne gjuhesi dhe kaq.Te jesh profesionist ne fushen tende dhe te kesh frike se mos te njollosin si nostalgjik, llumi propagandistik i pseduo-patrioteve apo edhe pseudo-te djathteve, te jesh profesionist dhe te shohesh te fondi i gjuhes se normuar nje kod te tejkaluar pa ofruar dicka realisht te vertete dhe konkuruese, te jesh profesionit dhe me tej Intelektual dhe thjesht te rrish e ti thuash vetes “po rri ore c’te duhet se keta grerezat te hidhen ne fyt”; me fal zoteri, se ndoshta nuk kam te drejte, se blogu yt eshte, po kesaj i thone: te dhjefsha moj Shqiperi mu ne intelektuale. Kam pranuar perhere defektin qe shoqeron gazetarine shqiptare edhe ne ceshtje te respektimit te shqipes, te injorances flagrante ne njohjen e klisheve terminologjike dhe historike per mjaft ceshtje qe jane referim i domosdoshem por edhe nje menyre e kodifikuar te komunikuari. Por te pakten sistemi i komunikimit qe kemi na thote: behu vete ai qe do, mundesite i ke. Natyrisht rregullat duhet te jene te tilla qe te disiplinojne qarkullimin e vlerave te pranueshme dhe jo te lejojne te ngrihet siper gjithfare llurbe dhe parazitesh, sikurse edhe ndodh. Po a mundet valle qe nje “histori suksesi ne karriere” te vere ne medyshje dijen dhe bindjen e nje shkencetari? Padyshim qe po, jetojme ne Tirone.
    Kjo shthurje qe thoni ju se po i ndodh sistemit te rregullave eshte ne fakt per mendimin tim goditje ndaj te vetmit produkt te shendetshem te inxhinierimit social te komunizmit. Me pare sikurse edhe tani patem vetem levizje migratore sipas parashikimit meteorologjik.
    Standardi edhe ne tiranine e vet (a ka menyre tjeter per te unifikuar barinjte?) nese flasim keshtu, eshte mbikrahinor dhe mbareshqiptar. Dhe meqenese keta qe po kerkojne ta shperbejne jane provinciale te pashprese, une do sugjeroja qe ta lexonin standardin e shqipes me sy kritik se keshtu edhe do emancipoheshin nje cike. Te mos e presin emancipimin vetem nga Tjetri, por le te pranojne se, duan apo nuk duan ata, 50 vjet jane histori dhe kane produkt te prekshem. Te mos kene frike se tezat e tyre u rrine ngushte edhe virtyteve me katundareke, por te pranojne se ajo qe sot eshte demokraci eshte karikatura e Diktatures. Ndaj llapet cfaredo lloj gjeje dhe asgje nuk thuhet. Ne fund sikurse sugjeroni ju te pranojne me ë dhe ç, se Standardi eshte pasuri kombetare jo limfe e Shqipes Totalitare dhe ta flasin sa me bukur se u dikton artikulim tjeter nga dialekti perkates. Keshtu me shprese te Zotit ne krye te 50 viteve do fillojme te ngjajme me njeri-tjetrin edhe nga nofullimi dhe ai qe di dialektet do duket qerrata i madh.
    PS: Provinciale te pashprese mendoj se eshte nje term qe nuk qendron logjikisht. Ja une jam provincial, vij nga nje qytet i vogel por nuk jam ndjere asnjehere i pashprese. D.m.th edhe ata qe njoh nga rrethet- edhe Tirana rreth eshte- nuk jane te pashprese. Provinciali ka shpirt praktik, ambicie konkrete dhe pershtatet shpejt. Meditimi eshte gje e huaj per te. Ndjesite shpirterore, edhe kur i ka, i fsheh se mendon se ja marrin per dobesi. Ne qytetin ku jam une flasin greqisht. Jo se u pelqen, por per te nxehur turistet nga Tirana, apo edhe nga Kosova. Cfare provincializmi kam menduar sa here degjoj kete muhabet! Po nga te dy krahet ama.

    1. Intelektuali provincial: I tillë jo nga prejardhja, por nga mendësia, ai çaprashit vetëm për figurat, autorët, luftëtarët dhe dijetarët e krahinës së vet; vlerëson vetëm trashëgiminë kulturore të krahinës së vet; mendon se padrejtësia reale ose imagjinare që i është bërë kësaj trashëgimie në procesin e përftimit të kulturës kombëtare duhet të vihet patjetër në vend (or else…); (thotë se) lexon dhe mburr në mënyrë hiperglicemike vetëm poetë dhe mbledhës kamomili të krahinës së vet; organizon simpoziume dhe konferenca për figurat që ka nxjerrë krahina e vet; llomotit për eshtra dhe varre; kërkon shpagim abstrakt, sa herë që i jepet rasti, për martirët e krahinës së vet; e përfytyron Shqipërinë si një përngjitje të Krahinës së vet me trojet e antishqiptarëve, të shiturve, aziatikëve, serbofilëve, grekofilëve, komunistëve; e rishkruan me zell historinë kombëtare duke e ngulur krahinën e vet në kërthizë të punëve; i shtrembëron aktet e dhunshme të regjimit të djeshëm për t’i paraqitur sikur drejtoheshin vetëm kundër krahinës së vet; pikas me entuziazëm të vetët ngado që kthen sytë; Luftën na-çl vihet ta rianalizojë si luftë të komunistëve kundër krahinës së vet; me fjalë të tjera, prejardhjen e vet krahinore, variantin letrar krahinor që flet dhe ndonjëherë shkruan, fenë e të parëve që e ruan ose e ka rizbuluar, i ka shndërruar tashmë në profesion, duke e përjetuar identitetin e vet provincial si të ishte mision; dhe që, edhe pse nuk i përket ndonjë pakice, organizohet dhe vepron si pakicë, me të gjitha të mirat, përfitimet dhe të këqijat që sjell kjo, por veçanërisht duke kultivuar një paranojë që sa më shumë e largon prej Tjetrit, aq më fort edhe e afron me bashkëkrahinarët e vet. Këtë kisha parasysh me termin, Theollogos.

  2. Per mua dy jane arsyet e vetme pse ky shkrim qendron. Standardi ekzistues, dhe “ciftet minimale.” E megjithate, te dyja i gjej te diskutueshme.

    Standardi, praktikisht, nuk e ka me konsensusin. Nuk e ka me as teorikisht, por le te qendrojme te praktikaliteti, pasi gjuha eshte ne rradhe te pare ne funksion te praktikes. Cfaredo qofshin arsyet: provincializmi, krahinarizmi, kushtet materiale (tastierat anglosaksone) nje gje eshte e sigurt, konsensusi, ne praktike, nuk ekziston. Per mua kjo mjafton qe te kete nje rishikim urgjent.

    Nga ana tjeter, ekzistenca e cifteve minimale, legjitimon vetem nje prezence minimale te ë-se. Tek, apo te? Dy parafjale te rases emerore me te njejtin kuptim. Nje eleminim i “te” dhe cifti minimal “te dhe të” nuk eshte me problematik per sa i perket mosperdorimit te ë-se. Ku qendron funksionaliteti mes qe, dhe ishte, pervcese per te shprehur nje stilistike jo detyrimisht te nevojshme, apo funksionale mes koheve te foljes? Po mes së dhe të, pervecse per te shprehur te njejten stilistike mes gjinive te emrit apo nyjes – po e njejta tradite qe eshte e afte te lexoje është kur shkruhet eshte, ka aftesine edhe mos ngaterrohet mes “pajes se vajzes” apo “per hir te se vertetes” dhe lidhezes shkakore “se,” e cila per hir te se vertetes duhet thene se ka dhe formen “sepse.” Si thuhet, “duhet thene se” apo “duhet thene qe,” dhe a ka dallim kuptimor mes te dyjave? Po ashtu, pakkkush mund te nga terrohet nga keto nyje, parafjale, lidheza, etj kur ato ne fakt kane nje perdorim te rrepte gramatikor. E kush do e lexonte “me se e sakte” si “me së e saktë,” pervecse ndonje femije i pabindur i klases se trete fillore?

    Pyetjet me lart nuk jane retorike. Ajo qe dua te them eshte se homonimia qe mund te krijohet ne shkrim, por jo ne shqiptim, duke eleminuar ë-ne, mund te jete me pak konfuze apo komplekse se sa tendenca – ekstreme, kam frike ta quaj – per ta eleminuar krejtesisht kete homonimi. Shkurt, ekzistenca e ketyre cifteve minimale, nuk mjafton per te ruajtur ë-ne. Mund te jete e nevojshme, por jo e mjaftueshme. Fakti qe keto fjale te shqipes jane pjese e struktures gramatikore, dhe jo stilistikore, (ku me stil kam parasysh tendencen e standardit per te lexuar ashtu si shkruhet, gje qe shkakton edhe mungesen e konsensusit ne nje pjese te madhe te pretendimeve krahinore) ky fakt, pra, qe keto perbejne elemente te gramatikes, ben qe edhe perplasjet e mundshme, te mos krijojne konfuzionin e mjaftueshem per te ruajtur ë-ne.

    Nga ana tjeter, jam me se dakord qe shkaktari i kesaj gjurulldie, eshte pikerisht tastiera anglosaksone. Ceshtja duhet shtruar me force nga aspekti i kushteve materiale. Prodhimi ne seri i tastierave per konsum shqiptar besoj se duhet te jete nje nder politikat kulturore me te rendesishme te shtetit shqiptar, qe mund te zgjidhet qofte me ane te nje subvencionimi modest publik, qofte me ane te nje subvencionimi privat.

    Problemi me subvencionimin publik eshte se shteti shqiptar eshte i gatshem te coje pentium 9-en deri ne malet me te thella te Tropojes, por jo te coje dicka te sakte te pakten ne institucionet e medias se shkruar. Nga ana tjeter, problemi me subvencionimin privat te kultures, si dhe sugjeroje tek shkrimi paraardhes, Xhaxha, eshte se privati eshte krejt pa kulture. Privati shqiptar nuk e njeh konceptin e kapitalit kulturor, dhe investimin ne lemin e kultures e konsideron taksirat, harac, barre qe nuk ia ka per borxh askujt, e perbuz, duke qene gjithmone i paafte ta shohe si nder, te cilin do ia bente te gjitheve, por ne rradhe te pare vetes.

    Ne keto kushte te ekzistences vetem de jure te shtetit shqiptar, une them FUCK IT! Bujrum anarkia e te gjitha llojeve, perfshi edhe anarkine drejtshkrimore per te cilen po flasim.

    1. Lulian, do t’i kthehem kësaj teme sapo të kem pak më shumë kohë; por këtu po mjaftohem të vë në dukje (1) se ti nuk merr parasysh se të gjitha aftësitë e tua (dhe të miat) për t’u orientuar pa vështirësi në një shqipe me alfabet të thjeshtuar (të gjymtuar) varen nga fakti që ne e njohim tashmë shqipen me alfabet të plotë dhe e rindërtojmë në mendje edhe kur e shkruajmë në mënyrë stenografike; dhe sidomos (2) ti nuk merr parasysh fazën kritike të mësimit të shkrimit shqip nga fëmijët në shkollë, të cilët nuk mund të përzgjedhin automatikisht mes formave paralele (si do t’u themi atyre – që edhe ne edhe shkruhet ne? Po kur të na pyesin pse veprohet kështu, si do t’u themi?). Në fakt, sot shqipja shkruhet sipas një kriteri fonologjik; por shqipja me alfabet të thjeshtuar nuk ndjek asnjë kriter – është vetëm rrënojë e një sistemi të mëparshëm. Kjo nuk mund të ndodhë, do të ishte katastrofë.

  3. Xhaxha, ekspertiza ime e vetme ne gjuhesi eshte dembelizmi dhe sorrollatja, (s’besoj eshte e nevojshme te thuhet) keshtu qe ushtrimin me lart mos e quaj fare. Pasi edhe mrekulli te tilla te gjuhes do beheshin pastaj te palexueshme fare:

    “Asht koha e pleqnimit më vete.” Martin Camaj

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin