KUR TË EMANCIPON TJETRI (VIII)

Marrëdhëniet e Shqipërisë, që prej 1912-ës e këtej, me botën përreth mund të modelohen, madje duhet të modelohen, edhe si një seri përpjekjesh kryesisht njëkahëshe, ose të drejtuara nga jashtë brenda, për t’ia rivizatuar hartën Shqipërisë.

Çfarë është harta politike e një shteti, tek e fundit, në mos imazhi sakral i asaj membrane pothuajse qelizore, që e ndan rruzullin politik në një “brenda” dhe një “jashtë”, duke i dhënë pamje grafike ekzistencës së shtetit si entitet organik?

Zakonisht, kur flasim për rivizatime të hartës, kemi parasysh marrjen ose vjedhjen e territoreve: Kosova, Çamëria, Malësia. Çdo shtet që e respekton vetveten e ka një histori ose një vajtim në sfond, për territoret që i kanë mbetur jashtë, që ia kanë lënë jashtë; madje gjakimin e shenjtë për t’u bashkuar me këto territore mund edhe ta trupëzojë në misionin e vet e ta shndërrojë në formulën e vet alkimike.

Në rastin e Shqipërisë, kjo çështje territoresh shpesh përkthehet në formulimin se “shqiptarët janë i vetmi popull në Ballkan që kufizohen me të vetët” (formulim tashmë i vjetruar, që prej krijimit të shtetit të Kosovës); edhe pse vetë krijimi ose vizatimi i hartës së Shqipërisë, në kancelaritë ndërkombëtare, u krye fillimisht edhe sipas parimit të lënies jashtë: Greqia nuk duhet ta marrë Gjirokastrën, Mali i Zi nuk duhet ta marrë Shkodrën, e kështu me radhë.

Edhe pse sipërfaqja e globit tokësor nuk ndryshon, as kanë gjë në dorë fuqitë e mëdha për të shtuar sterenë në dëm të detit (me përjashtim të çfarë po bëjnë sot Emiratet), krijimi i një shteti, me hartën e vet politike, është gjithnjë një dialektikë bërrylash, brenda një hapësire që e realizon kalimin nga gjeometria në realitet duke shtyrë hapësirat fqinje.

Vetë sovraniteti shtetëror mund të përfytyrohet, paskëtaj, si një përpjekje titanike, e pushtetit qendror, për të shtrirë, mbi territorin shtetëror, një hartë që është identike me territorin, ose në përpjesëtimin 1:1; si ajo që përshkruan Borges-i.

Megjithatë, harta model i marrëdhënieve tona me botën përreth nuk kufizohet vetëm me ngjyrosjen e një hapësire të zbrazët, si në librat e fëmijëve; meqë, nga momenti kur ti ia hap një vend të qëndrueshëm shtetit tënd në hapësirën dypërmasore të botës, edhe bota kërkon me ngulm të përftojë ose të projektojë, një imazh ose model të hartës së vet, mbi hartën tënde.

Procesi, ose më mirë rezultati i këtij procesi, më kujton disa imazhe didaktike, ku një figurë njerëzore tepër të përçudnuar, i mbivendoset imazhit të trurin dhe pjesët e trupit: shqisat, duart, organet e brendshme, përkojnë me zona truri të caktuara.

Imazhe të tilla i gjen edhe në manualet e refleksologjisë, të iridologjisë dhe të degëve të tjera të një mjekësie pak a shumë magjike, e cila i falet një koncepti pothuajse holografik për trupin.

Shtetet përreth, ose të gjitha ato njësi gjeografike (gjeopolitike) që u prekën, shtynë dhe shtypën nga entiteti i ri shqiptar, reaguan edhe në mënyrë thjesht mekanike ose topologjike, ose duke prekur, shtyrë dhe shtypur edhe ato; edhe në mënyrë holografike, duke projektuar imazhet e veta brenda hapësirës së re.

Kështu, gjatë 10-15 vjetëve të para të ekzistencës së Shqipërisë së pavarur, Greqia e projektoi një imazh të vetin në Jug të vendit, Italia në Perëndim, Austro-Hungaria në Veri, Serbia sërish në veri; madje edhe Perandoria Osmane diku në Shqipërinë qendrore (me lëvizjen e Haxhi Qamilit).

Një kombinim unik interesash gjeopolitike dhe ndikimesh kulturore, bëri që në Gjirokastër të takoheshin sup më sup Turqia dhe Italia; në Korçë Franca, Bullgaria dhe Rumania; në Shkodër Mali i Zi dhe Austria.

Shqipëria u shndërrua sakaq në një monadë të Europës, brenda së cilës rimerreshin dhe ndërvepronin mes tyre interesat e fuqive fqinje.

Është veç e natyrshme që shtetet të kërkojnë të projektojnë imazhet, ose hartat e veta, mbi ekranet gjeopolitike të fqinjëve; sot e kësaj dite, megjithë dobësinë e Shqipërisë si shtet, imazhet e saj, herë fluide dhe herë transparente, i gjen në hartat e Serbisë, të Malit të Zi, të Greqisë, të Turqisë.

Një parim gjeopolitik, sado i ekzagjeruar, do të ishte se harta e çdo shteti sovran përmban, të rishkruar dhe të transformuar topologjikisht, hartën e botës mbarë. Kjo vjen e bëhet edhe më e vërtetë, në rrethanat e fshatit global.

Ushtrimi i sovranitetit, në këto rrethana, do të kuptohet edhe si një përpjekje sistematike, dhe jashtëzakonisht serioze, për t’i lyer me gëlqere gjurmët dhe shenjat e Tjetrit në hartën tënde – duke pasur parasysh se, për pushtetin sovran, harta përkon me territorin.

Përpjekjet e Tjetrit për t’u përfaqësuar, kartografikisht, në hapësirën tënde, përfshijnë influencën thjesht politike dhe kolonizimin e mendjeve dhe të tregut; duke u shprehur, në rastet më të skajshme, në lëvizjet separatiste, kur një pjesë e hartës, zakonisht në skajet, kërkon t’i shkëputë lidhjet me hartën “mëmë”, ose t’i bashkohet një ngjyre tjetër.

Por nuk janë këto raste të skajshme më intrigueset; meqë marrëdhëniet ndërkombëtare nuk mjaftohen vetëm me modelin e Flatland-it të Abbot-it; por lypin edhe një përmasë të tretë, e cila lejon të kapërcehen kufizimet topologjike të kontaktit fizik, ose hapësinor mes shteteve.

Kështu, Turqia e ruajti praninë ose projeksionin e vet në Shqipëri, megjithë shkëputjen traumatike të 1912-ës; sikurse e ruajti edhe Italia, pas zbythjes dhe dëbimit të 1920-ës. Pas Luftës I Botërore, u pa një hartë e Francës të përvijohej në zonën e Korçës dhe një hartë e Serbisë në zonën e Mirditës; në një kohë që Kongresi i Lushnjes ishte edhe një konvencion madhështor i bojaxhinjve legjitimë të një harte ende të re – si ajo e Shqipërisë – në nevojë të ngutshme për gëlqere.

Natyrisht, gëlqeren më të fortë Shqipërisë sovrane ia dha Enver Hoxha; pa çka se fqinjët tanë të përhershëm, ose fataliteti ynë topologjik – Italia, Greqia, Serbia – i mbajtën imazhet e tyre të zbehta, në kufi të fantazmës, brenda një territori shtetëror që, me përkufizim, do ta ruante, qoftë edhe në mënyrë infinitezimale, karakterin prej monade të Ballkanit, të Europës dhe të botës mbarë.

Në ato vite të gëlqeres së fortë, kush kërkonte shenja të hartës së botës në Shqipëri, do t’i gjente veçanërisht në Tiranë; dhe jo vetëm në mendjet, zemrat, zhargonet, bibliotekat dhe garderobat e të gjithë atyre që u faleshin, në heshtje, Perëndive kulturore të Përtejme; por edhe në praktikë, madje në vetë planimetrinë e qytetit; ose në trajtat e arkipelagut të ambasadave, legatave dhe rezidencave diplomatike, të spërkatur në qendër të kryeqytetit.

Te rruga “Skënderbej” kjo hartë e botës, në trajtë maketi, mund të prekej pothuajse me dorë; pa çka se raportet topologjike mes shteteve ishin aty arbitrare, dhe Gjermania mund të kufizohej me Egjiptin dhe Korenë, ndërsa Greqia me Hungarinë dhe Vietnamin.

Për shtetin totalitar, ambasadat e huaja, me gjithë ekstraterritorialitetin që sillnin me vete, ishin si njolla lagështire në suvanë e mirëmbajtur të sovranitetit; ose, edhe më keq, si zona të infektuara, të prekura nga myku ose nga parazitët, të degraduara, të karantinuara.

Intuita e liderëve totalitarë nuk ishte e pabazë (even paranoids have enemies); dhe historia e provoi se përmbysja e regjimit në Tiranë, në vitin 1990, e pati pikënisjen me ngjarjet e korrikut, të ashtuquajturën “krizë të ambasadave”, ose pushtimin paqësor, nga ana e turmave protestuese, jo të vendeve fqinje, as të vendeve mike, por të hartave të tyre në territorin e Tiranës.

Tingëllon ironike që një shtet totalitar si Shqipëria e atyre viteve, që e mbështeste dinjitetin e vet në ushtrimin fanatik të sovranitetit kartografik (duke i përndjekur dhe likuiduar pa mëshirë të gjithë ata që kërkonin të arratiseshin, ose të “ndërronin hartën”), do të lëkundej në mënyrë fatale nga një lëvizje e cila, në të vërtetë, cenoi sovranitetin jo të Shqipërisë, por të së Tjerëve.

Ironike, por jo e pashpjegueshme. Forca e shtetit, ose shëndeti i sovranitetit të tij, shprehej edhe në qëndrueshmërinë e monadës botërore në Tiranë, stabilitetin e hartës së botës brenda hartës së Shqipërisë. Njëlloj si truri i njeriut, në ato figurat didaktike, që organizohet sipas një imazhi të detajuar të trupit; njëlloj si shputa e këmbës, në diagramet refleksologjike, që rimerr e riprodhon skemën e organeve të brendshme; edhe Tirana që e përfaqësonte Shqipërinë përballë botës duhej ta përfshinte, brenda vetes, një imazh të kësaj bote, një hartë brenda hartës, një model të çka shtrihej Përtej.

E gjithë kjo pa përmendur pastaj edhe që Tirana vetë ishte artikuluar si hartë e Shqipërisë – jo aq mbi baza analogjike, sesa topologjike; me krahinat që jepnin e merrnin mes tyre në trajtat e projektuara.

Shndërrimet e viteve 1990, pra, ishin edhe përmbysje hartash; madje mund të shkojmë deri aty sa të themi që ishin para së gjithash përmbysje hartash. Ekstraterritorialiteti i ambasadave u shkel prej turmave, që u derdhën në oborret; por më pas ishin ambasadat vetë, si imazhe të influencës, që u derdhën në oborrin e gardhuar të Shqipërisë deri dje të mbyllur e të ruajtur me qen. Vetë harta e Shqipërisë në Tiranë u riformulua dhunshëm, në një kohë që shqiptarët kapërcyen detin dhe u vunë të rivizatojnë hartat e fqinjëve.

Ja teksti i Borges-it, përkthyer prej meje pa ndonjë pretendim letrar:

Rreth saktësisë në shkencë… Në atë perandori, arti i kartografisë arriti përsosmërinë, aq sa harta e një province të vetme zinte hapësirën e një qyteti të tërë, dhe harta e perandorisë hapësirën e një province të tërë. Me kohë, këto riprodhime jobesnike nuk kënaqnin më, dhe Esnafët e Kartografëve krijuan një hartë të perandorisë aq të madhe sa edhe perandoria vetë, dhe që përkonte me të pikë për pikë. Brezat e mëpasëm, që nuk ishin aq të përkushtuar ndaj studimit të kartografisë sa të parët e tyre, e panë kotësinë e kësaj harte kaq të zgjeruar dhe, pa kurrfarë dhembshurie, e lanë në mëshirë të elementeve. Në shkretëtirat e Perëndimit ende mund t’i gjesh rrënojat e shpërndara të hartës së dikurshme, ku tani gjejnë strehë shtazët dhe endacakët; përndryshe, asgjëkundi nuk u ka mbetur gjurmë tjetër disiplinave gjeografike.

[Del rigor en la ciencia… En aquel Imperio, el Arte de la Cartografía logró tal Perfección que el Mapa de una sola Provincia ocupaba toda una Ciudad, y el Mapa del Imperio, toda una Provincia. Con el tiempo, estos Mapas Desmesurados no satisficieron y los Colegios de Cartógrafos levantaron un Mapa del Imperio, que tenía el Tamaño del Imperio y coincidía puntualmente con él. Menos Adictas al Estudio de la Cartografía, las Generaciones Siguientes entendieron que ese dilatado Mapa era Inútil y no sin Impiedad lo entregaron a las Inclemencias del Sol y los Inviernos. En los Desiertos del Oeste perduran despedazadas Ruinas del Mapa, habitadas por Animales y por Mendigos; en todo el País no hay otra reliquia de las Disciplinas Geográficas.]

Suárez Miranda, Viajes de Varones Prudentes, Lib. IV, Cap. XLV, Lérida, 1658.

 

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin