GROPA GROPA

Shqiptarët nuk e konceptojnë dot rrugën pa gropa, në kuptimin që gropat janë aq të përhapura nëpër qytetet e fshatrat e Shqipërisë, saqë bëjnë pjesë në konceptin e rrugës vetë. Për dhjetëvjeçarë gropat kanë qenë pjesë e pandarë e rrugës, në realitet e përfytyrim, për të arritur në vitet nëntëdhjetë kulmin e shkëlqimit: nuk kishte rrugë pa gropa. Aktualisht situata rezulton në përmirësim, veçanërisht pas investimeve të mëdha për transportin rrugor, hapjen e rrugëve të reja dhe sistemimin e disa akseve të vjetra.

Shoferët e vjetër i urrenin rrugët e këqija kryesisht për t’u dalë në mbrojtje automjeteve. Gjatë viteve të socializmit, sidomos gjatë periudhës së ndërtimit me forcat e veta, pjesët e këmbimit për automjetet e ndryshme erdhën duke u rralluar e nuk gjendeshin më në asnjë magazinë. Gropat e shumta nëpër rrugë i dëmtonin ose i konsumonin rëndë makinat në qarkullim prandaj riparimet shtoheshin e remontet ishin gjithnjë e më kapitale. Natyrisht, askush nuk guxonte ta lidhte hapur dëmtimin e automjeteve me cilësinë e rrugëve, edhe pse ustallarët shqiptarë e dinin fare mirë. Madje nga nevoja i kishin mprehur shqisat në atë pikë saqë i dallonin gropat edhe me sy mbyllur. Shmangia e tyre në disa rrugë të vështira ishte art i vërtetë.

Pas rënies së socializmit dhe hapjes së tregut të lirë u shtuan si automjetet ashtu edhe shoferët. Natyrisht u rritën edhe gropat, në numër e në thellësi, por nuk dihet me ç’përpjestim. Së bashku me numrin e gropave u rrit paralelisht edhe paaftësia e drejtuesve, por mbi të gjitha e administratorëve publikë për t’i mirëmbajtur rrugët. Gropat shfaqën edhe një lloj aftësie tallëse, sepse porsa mbylleshin diku shfaqeshin diku tjetër; sapo mbusheshin me zhavorr e zift hapeshin të nesërmen si me magji. Rregullim pas rregullimi, arnë pas arne, rrugët shndërroheshin në harta memece, disi misterioze e të ankthshme. Fakti është që nuk donin të dilnin nga panorama e transportit rrugor shqiptar.

Që gropat nëpër rrugë e kishin një kosto ekonomike nuk kishte dyshim. Gjithsesi do të ishte krim sikur të harronim koston sociale, sepse për shkak të tyre kanë ndodhur shumë aksidente që kanë marrë jetë njerëzish. Por në Shqipëri kostoja ekonomike është lidhur gjithnjë me amortizimin  automjeteve. Shoferët që “rrifnin” një rrugë të caktuar kishin më shumë shpenzime se të tjerët që hanin rrugë më të mira. Nuk e di nëse ka pasur ndonjë përfitim nga mekanikët ose gomistët, por puna për ta nuk ka munguar asnjëherë në Shqipërinë me gropa. Nëpër rrugët shqiptare edhe sot dallohen automjete të lodhura, me amortizatorë të sfilitur, me goma të ngrëna, ndërsa sipër udhëtarët që i zë makina vazhdojnë t’i dallojnë gropat më mirë se të tjerët.

Si i bëhet që tani shkenca arriti t’ia përcaktojë me saktësi koston e rrugëve me gropa? Sipas studiuesve amerikanë të Massachusetts Institute of Technology (MIT), të cilët janë bazuar në modele matematike për të përllogaritur dëmet e gropave, në qoftë se rrugët janë të asfaltuara mirë automjetet harxhojnë 3% më pak; për SHBA-në do të thotë 273 milion fuçi nafte kursim, ose 12,4 miliardë euro, çka nënkupton festë edhe për mjedisin (46,5 milion ton CO2 më pak). Studimet vërtetojnë se lëvizjet vertikale të gomave e shpërndajnë energjinë që automjetit i duhet për të ecur përpara. Pak a shumë si njeriu që ecën në rërë: i duhet më shumë energji se sa në asfalt ose në shkëmb.

Konsumet e tepërta e të kota mund të ulen fare lehtë. Mjafton të përmirësohet asfalti dhe materialet me të cilat ndërtohen rrugët. Përfundimi i studimit amerikan është shumë interesant edhe nga pikëpamja ekonomike. Shpenzimet për shtrimin cilësor të rrugëve do të rifitoheshin në pak kohë jo vetëm nga ulja e konsumit por edhe nga ndotja më e vogël e mjedisit, e sidomos nga reduktimi i kostos së mirëmbajtjes së rrugëve.

Rrugët në Shqipëri kanë ende probleme edhe pse përmirësimi i rrjetit të përgjithshëm është i dukshëm. Mirëpo në rast se ndërtuesit e rrugëve, por mbi të gjitha porositësit, pra shteti dhe organet vendore, do t’i kishin parasysh studimet moderne për koston e rrugëve me gropa, atëherë bashkësia vetë do të dilte e fituar. Mirëpo është mirë që opinioni publik gjithashtu ta dijë se cilësia e dobët e rrugëve nuk ka vetëm kosto të drejtpërdrejta, për faktin se duhen ribërë. Rrugët e këqija shkaktojnë shpenzime të gjithanshme, e mbi të gjitha ulin cilësinë e jetës. Më mirë se kushdo këtë e di ai këmbësori që gjendet pranë gropës me ujë, ku papritmas kalon me shpejtësi djaloshi me patentë fringo të re: dushin e parë e bën në rrugë me ujë të ftohtë, të dytin në shtëpi me ujë të ngrohtë, ndërsa rrobalarësja rreket t’ia pastrojë teshat me baltë.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin