KUR TË EMANCIPON TJETRI (IV)

Kur dy kultura gjenden përballë njëra-tjetrës, në një hapësirë natyrshëm të strukturuar për komunikim; por mes tyre ka një mur, një barrierë ose një filtër që këtë komunikim e pengon, ose e përçudnon, ose ia redukton kompleksitetin deri në zhurmë, atëherë nuk mbetet veçse dëshira – lakuriqe.

Shqiptarët e dëshironin Perëndimin, siç dëshiron njeriu të ardhmen ose të mbetet gjallë; në kuptimin filozofik, bota përtej ‘murit’, e përftuar si alternativë e së përditshmes këndej, funksiononte edhe si vendi gjeometrik i sublimes, së mirës dhe hijeshisë estetike.

Por le t’i marrim gjërat me radhë. Dëshira është dukuri komplekse, për t’u kategorizuar në analiza me natyrë antropologjike; prandaj, pa u kuturisur shumë thellë në degëzimet psikanalitike, le të pranojmë, me Lacan-in, se dëshira e Tjetrit, artikulohet trefish, si dëshirë për Tjetrin, dëshirë për t’u dëshiruar nga Tjetri dhe dëshirë për çfarë dëshiron Tjetri; dhe të shohim si shembëllzohen këto tri aspekte të dëshirës në historinë e autarkisë shqiptare, gjatë periudhës së saj klasike (1960-1990) dhe në periudhën antiklimaktike pas 1990-ës.

1. Dëshira për Tjetrin

Në kushtet e autarkisë, kjo dëshirë i kishte rrënjët në imazhin dhe kontakti me objektin e dëshirës mishërohej si mungesë kontakti, sa kohë që imazhi nuk shërbente për ta introduktuar, por për ta zëvendësuar objektin. Perëndimit ia dëshironim heronjtë dhe heroinat: sportistët, këngëtarët, aktorët e filmave; sikurse ia dëshironim sendet e konsumit, me lakminë dëshpërimtare të fëmijës së varfër, që sodit vitrinën e një dyqani lojërash: veturat, televizorët, pishinat, barkat me vela, gjunjët e zbuluar të femrave absolute.

Të huajt shfaqeshin fare pak rrugëve të qytetit shqiptar: tek-tuk ndonjë turist, ose ndonjë autobus i përbindshëm me marksistë-leninistë; që kur dilnin pastaj të shëtisnin rrugëve linin mbrapa një tragë parfumi të lehtë dhe misteri, duke na ngjallur ne vendësve një ndjenjë ndoshta të krahasueshme me atë që provon macja e shtrirë barkas, në një lëndinë me trumcakë. Të huajve nuk duhej t’u flisje, prandaj ne dëshironim t’u flisnim; të huajve nuk duhej t’u bije në sy, prandaj ne i zgurdullonim sytë, si t’i kishim kamera. Edhe kontakti më i vogël, më i rastësishëm; edhe një pasthirrmë ose një ‘ah’ që fluturonte nga një skaj në tjetrin, merrte kuptim biblik.

Një ngjarje, ose më mirë incident, gjatë një ndeshjeje futbolli Shqipëri-Gjermani dikur në vitet 1980, e emblematizon më së miri dëshirën për Tjetrin: gjatë lojës, një tifoz yni arriti t’i kapërcejë kangjellat dhe të hyjë në fushë duke rendur, nëpërmjet një passage à l’acte të kulluar, për t’iu afruar futbollistit gjerman Karl Heinz Rummenige, të cilin pastaj e përqafoi dhe e puthi me afsh: e gjithë kjo brenda pak sekondash, më shpejt se ç’mund të rrokej nga vëmendja e publikut; të thuash se tifozi (anonim; shkodran, sipas disave) e dinte se po përfitonte nga një kohë e marrë borxh, duke shkelur në një hapësirë të ndaluar, njëlloj si të kish kapërcyer kufirin shtetëror. Rummenige reagoi i frikësuar, duke e shtyrë tjetrin tutje; meqë gjermanët luanin në fushë të huaj, ata prisnin prej tifozëve vendës armiqësi, jo dashuri; dhe mësymjen e tifozit tonë do ta ketë kujtuar për një çast si atentat, jo si përqafim.

Celebritetet janë celebritete – dhe një yll futbolli, si Rummenige, ndoshta edhe ishte mësuar me adhurimin e turmës, edhe pse jo të turmës në një planet të largët, si Shqipëria. Shqiptarët, nga ana e tyre, i adhuronin celebritetet e huaja në mënyrë totale, pikërisht sepse këto vinin nga përtej, nuk rrezikonin asgjë në ekuilibrat dhe statuset; më shumë se njerëz, madje më shumë edhe se heronj, ishin modele platonike heronjsh, të përsosura dhe të paarritshme.

2. Dëshira për t’u dëshiruar nga Tjetri

Kjo dëshirë gjithnjë prirej të artikulohej në mënyra më të sublimuara, më intelektuale. Enver Hoxha vetë, pasi ia vuri drynin Shqipërisë së vet, filloi të kultivojë në kopsht lakrat e revolucionit botëror, duke shkruar vepra të rënda si Imperializmi dhe revolucioni, të cilat duhej ta paraqitnin, në sytë e simpatizantëve të vet anembanë botës, si udhëheqës marksist-leninist të statujtë. Vetë Shqipëria komunikonte me Perëndimin me mënyrat dhe teknologjitë e veta – për shembull, duke transmetuar në botën mbarë, me valë të shkurtra, emisionet në gjuhë të huaj të Radio Tiranës: Zëri i Shqipërisë prezantohej si Zëri i së Vërtetës.

Emisionet ndiqeshin; edhe përtej barrierës kish individë dhe grupe sociale në kërkim të alternativës absolute, të cilën u qëllonte që ta gjenin te Shqipëria; e që u manifestohej në trajta mesazhesh zanore, si të ishte halucinacion auditiv i skizofrenit, ose fundja edhe hyjni homerike për mendjen bikamerale. Nëse Perëndimi komunikonte me Shqipërinë me anë të imazheve ose idolatrisë, Shqipëria i përgjigjej Perëndimit me Logos. Do të ketë pasur diçka liturgjike dhe turgjide, në ato emisione të atëhershmet; një ligjëratë shumëfish të huaj, jo për nga gramatika dhe leksiku, sesa për nga ajo që gjuhëtarët e quajnë formë e brendshme, ose ndërmjetësimi që ia bën ligjërata botës. Askush në Perëndim nuk fliste dot në atë mënyrë – monologu i Tiranës vinte vërtet nga një botë e Përtejme, madje jo vinte nga një botë e përtejme, por edhe synonte, në mënyrën e vet, ta përhapte këtë botë, duke u deshifruar.

Komunikimi i Shqipërisë me Perëndimin, pas vitit 1960, gjithnjë është bazuar në ekscepsionalizmin: më parë të Shqipërisë si vendi i vetëm socialist në Europë (dhe më tej në botë), dhe pastaj, krahas zgjimit të kombëtarizmit, të shqiptarëve si popull unik – unik në virtytet e tyre, unik në historinë e tyre, unik në gjuhën e tyre, unik në vuajtjet e tyre. Para se të përqafohej nga zëdhënësit zyrtarë dhe megafonat e super-egos kolektive të kombit, ky ekscepsionalizëm u shfaq në vepra të tilla si Gjenerali i ushtrisë së vdekur, i Kadaresë, në të cilin të huajt, që janë personazhe kryesore në roman, habiten me virtytin e rrallë të shqiptarit dhe e zbulojnë Shqipërinë me zell eksploratori romantik. Në romanet e Kadaresë – Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Kështjella, Dimri i madh, Pashallëqet e mëdha, Koncert në fund të dimrit, Pallati i ëndrrave, Viti i mbrapshtë, Dosja H të huajt, veçanërisht Perëndimorët, e dëshirojnë shqiptarinë haptazi, tërhiqen pas ekzotikës së saj, mahniten me hiret e saj të fshehta – njëlloj siç do ta dëshironte publiku i huaj veprën e Kadaresë më pas, duke ia lëvduar virtytet letrare, duke u tërhequr pas ekzotikës së saj dhe duke u mahnitur me hiret e saj të fshehta.

Vitet 1980 ishin vitet kur Shqipëria, edhe pse gjithnjë incomunicado me Perëndimin, nisi ta përjetojë pubertetin e saj europian dhe përkatësinë në Europë; si të ishte fjala për një kontakt, sado eluziv dhe të painterpretueshëm logjikisht, me të ardhmen e saj. Në kontaktet me të huajt, që aso kohe erdhën duke u shtuar, ne do të paraqiteshim gjithnjë e më tepër si të informuar, të akulturuar, të rekrutuar: ne njihnim Shekspirin dhe Beethovenin, sikurse njihnim Adriano Celentano-n dhe Brigitte Bardot-në dhe Alain Delon-in; ne kishim parë Festivalin e Sanremo-s dhe Giochi senza Frontiere, sikurse kishim parë Koncertin e Vjenës dhe Papën e Romës në dritare; ne deri edhe një radiokronisti italian të futbollit, Sandro Ciotti-t, ia kërkonim autografin, e trajtonim si të famshëm, madje me më shumë respekt se ç’e trajtonin italianët vetë. Këto kontakte të para me Perëndimin, gjatë të cilave thyheshim më dysh, për t’u paraqitur si Perëndimorë dhe për ta mbajtur të ndezur dëshirën e Tjetrit, patën si efekt afatgjatë që na bënë të ndihemi më të mirë, ose, të paktën, më pak të gjymtuar nga autarkia dhe izolimi totalitar.

Në vijim, e njëjta shtysë do të materializohej në diskursin kombëtarist kitsch për mbijetesën shqiptare, Skënderbeun si mbrojtës të Krishterimit, Nënë Terezën dhe Aleksandër Moisiun, kontributin shqiptar në historinë e Perëndimit, për t’u degraduar në forma të reja të ekzotizmit, si vëmendja ndaj gjakmarrjes, Kanunit dhe virgjëreshave, e cila na lejoi që dukuri përndryshe ekzotike edhe për shqiptarët vetë, t’i paraqiteshin Perëndimit si arsye pse Shqipëria duhej dëshiruar; pa përmendur pastaj rite të tjera vetëfshikullimi poshtërues, si refuzimi publik i sforcuar, i shtirur, histerik i lidhjeve tona historike me Lindjen (sovjetike, ortodokse dhe osmane).

3. Dëshira për çfarë dëshiron Tjetri

Përbashkimi i dëshirës me Tjetrin andej kryhej, edhe pse në formë të përçudnuar, gjatë konsumit të reklamës televizive – e cila është projektuar të funksionojë në mënyrë të tillë, që t’i bashkojë shikuesit në dëshirat, pa çka se këta jetojnë në universe të ndryshme.

Megjithatë, dëshira për një objekt të reklamuar, por të pagjendshëm në treg, i përngjet disi seksit së pakonsumuar, ose të ngrirë në nivelin e tundimit. Ti mund ta dëshirosh një veturë që reklamohet (duke shkuar te kjo dëshirë nëpërmjet tërheqjes ndaj femrës që hipën atje, ose shkëlqimit të sipërfaqes metalike, ose vrapimit të hajthëm të një tigri), por sa kohë që ti nuk ke asnjë mundësi për ta zotëruar atë objekt, për ta bërë tëndin, nëpërmjet një transaksioni në treg (që do të ishte edhe efekti i synuar i reklamës), atëherë dëshira për objektin e dëshiruar nga Tjetri mumifikohet dhe, me kalimin e kohës, sublimohet në dëshirë për Tjetrin.

Imagjinoni një marrëdhënie dashurie të pezulluar në nivelin e paralojës (foreplay), aq gjatë sa vetë seksi të mos ekzistojë dot më as si alternativë teorike. Konsumuesi shqiptar i reklamës së televizionit italian e dëshiron objektin e reklamuar, por jo për ta pasur të vetin; e dëshiron, thjesht ngaqë atë e dëshiron Tjetri. Në një fazë të parë, ne i duam ato sende, edhe pse nuk mund t’i bëjmë tonat përveçse në imagjinatë; në një fazë të dytë, ne i duam ato sende, pikërisht ngaqë nuk mund t’i bëjmë tonat: dëshira ndahet nga nevoja për zotërim. Implikimet psikanalitike të këtij përçudnimi do të ishin të hatashme – ndoshta ndokush do të marrë mundimin të më ndihmojë dhe t’i shtjellojë, me kompetencën që mua më mungon; këtu po mjaftohem vetëm të vërej se, duke dëshiruar për hir të Tjetrit, ne kishim gjetur mënyrën për t’u bërë Tjetri, të paktën në dëshira, në mos në konsum; komunikim nëpërmjet identifikimit. Ishim Perëndimorë, pra, kur na merrte uria, pa çka se nuk ishim më, kur na vinin pjatën përpara në tavolinë.

Natyrisht, në rrafshin komunikativ praktik, përçudnimi ishte marramendës. Kështu, sa për të sjellë një shembull, në vitet 1980 një grup anglez, Bronski Beat, u ngjit në vendet e para të Hit Parade-it italian, me këngën Small Town Boy. Të gjithë e dinim atë këngë në Tiranë, të gjithë e pëlqenim, të gjithë e kërcenim – por askush nuk e kishte idenë për çfarë fliste kënga. Në të vërtetë, anëtarët e Bronski Beat ishin haptazi gay; teksti i këngës fliste për bullyism-in, përndjekjen e gay-ve dhe dramën e kujt duhej të ikte nga vetvetja, për të mbijetuar; të gjitha këto tema të cilat nuk shqetësonin shumëkënd në shoqërinë shqiptare të asaj kohe (me përjashtim të viktimave, të cilat me siguri kanë ekzistuar gjëkundi). E megjithatë, ne kërcenim, duke gjetur një komunion me Perëndimin në nivelin më të ulët, visceral të konsumit, ose duke u mjaftuar me konfirmimin e një dëshire – në fakt të zgavruar – për çfarë dëshironte Tjetri.

Ironikisht, situata të ngjashme do të ketë pasur edhe në Itali; ku relativisht pak vetë dinin aq anglisht sa të kuptonin tekstin e këngës, ose ishin aq të akorduar me tematikat sociale anglo-saksone, sa të përndienin nevojën e emancipimit të qëndrimit ndaj gay-s dhe minoriteteve të tjera. Kur kam shkuar për herë të parë në Itali, në vitin 1987, jam habitur me një dyqan afër universitetit La Sapienza (diku në rrugën Lorenzo il Magnifico), që shiste Abiti americani usati (rroba amerikane të përdorura, dhe me çmime bajagi të kripura, në krahasim me Upim-in). Italianët kanë një proverb që thotë: tutto il mondo è paese; që, në rastin konkret, do ta shqipëroja si “kultin e kargove e gjen gjithkund.”


Nuk ka komente

  1. Duke te kerkuar mirekuptim per dembelizmin ne nje ore te tille te nates, po e transkriptoj komentin per kete teme si c’ta nisa ne privat Xhaxha.

    Se c’kam pershtypjen qe ka dicka qe nuk shkon tek kjo
    pjese. Deshira per cfare deshiron Tjetri nuk sublimohet ne deshiren
    per Tjetrin, por ne deshiren per te qene Tjetri. Me psikanalize banale
    ky eshte kompleksi edipal: femija deshiron te jete i rritur, pasi i
    rrituri ben cfare te doje; shqiptaret do te donin te ishin italiane,
    pasi italianet mund te kishin gjithe ato mallra te reklamuara neper
    staconet televizive. Keshtu edhe deshira nuk ndahet asnjehere nga
    nevoja per zoterim. Pavaresisht faktit qe shqiptari nuk mund ta kishte
    ne treg mallin italian si c’reklamohej, nevoja dhe deshira per ta
    zoteruar ate mall nuk mund te ndahen. Qe te flasim kantianisht,
    pamundesia, praktike apo teorike qofte, (per seks, mall italian, apo
    cfaredo) eshte modalitet qe jo vetem nuk e ndan deshiren nga nevoja,
    por i konsolidon keto te dyja ne imperative: “E pamundur, prandaj
    duhet.” E vertete qe kjo imperative mund te kete qene e shtypur,
    repressed, (eshte e rendesishme te thuhet, fillimisht nga regjimi,
    pastaj nga vete individi) por kjo shtypje nuk rezulton kurrsesi ne
    ndarjen e deshires nga nevoja.

    Me “nevoje” ti mund te kesh pasur parasysh “interesin.” Atehere jam
    dakord. Pamundesia per t’u cliruar nga abstinenca ne rastin e nje
    paraloje pa fund, apo pamundesia per te zoteruar ate qe zoteronte
    italiani, mund te rezultoje ne nje ndarje te deshires nga interesi per
    ta zoteruar mallin. Sa do qe deshirohet, deshira shtypet dhe shfaqet
    ne te kunderten e vet: e c’i do ato mallra; me mire (me me interes) pa
    to. Por nuk duhet ngaterruar nevoja me interesin. Nevoja ndahet nga
    interesi ne te njejten levizje qe ndahet edhe deshira nga interesi.
    Ketu duhet theksuar se deshira dhe nevoja jane te nje rendi
    primordial. Ato jane ne thelb po aq reaksionare sepse jane
    determinante biologjike; sa dhe revolucionare sepse rrezikojne
    gjithmone te permbysin interesin, qe po te shkojme me Marksin, eshte
    gjithmone interesi i klases sunduese. Pamundesia, praktike ne nivel
    individual, apo ideologjike ne nivel shoqeror, e shtyp po njesoj
    nevojen sa edhe deshiren: Edhe bar do hame, tha.

    Nejse, hidhi nje sy Anti-Edipit te Deluze dhe Guatari. Mos te te
    genjej kot per kapitujt e sakte, por aty ka nje analize shume te mire
    te ndarjes se deshires nga interesi. Argumenti ne lidhje me periudhen
    per te cilen po shkruan mund te riformulohet pak a shume keshtu:
    mosperputhja e interesave me deshiren/nevojen krijon mure te jashtme
    te cilat gjithmone perpiqen te zgjerohen nga sistemi, qofte ky
    kapitalist apo komunist, si dhe mure te brendhsme te cilat jane
    gjithmone ne levizje, ne fluks; cka dhe shpjegon skicofrenine e
    eksodit masiv qe shpertheu te gjitha muret, por edhe delirin paranoiak
    te shqiptareve perballe perendimit perpara dhe pas ketij eksodi.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin