LIRIA PËR TË IKUR

“Il n’y a qu’un problème philosophique vraiment sérieux : c’est le suicide”, shkruan Camus-ja në faqen e parë të esesë së vet për Mitin e Sizifit.

I vetmi problem filozofik vërtet serioz është vetëvrasja. Këto ditë, pas asaj çfarë i ndodhi mikut Dan Klosi, e kam çuar shpesh në mendje këtë thënie, duke u munduar jo aq ta kuptoj, sa ta vendos në kontekstin e së përditshmes sime dhe të së tjerëve, që u prekën drejtpërdrejt nga ajo vdekje.

Sikurse dihet, Camus-ja e refuzonte vetëvrasjen si përgjigje ndaj absurdit, duke rekomanduar, përkundrazi, rebelimin; meqë vetëvrasja nuk duhej interpretuar si shprehje e lirisë si të tillë, por vetëm e iluzionit të lirisë (ndaj absurdit që na rrethon).

Shumë filozofë, para dhe pas Camus-së, kanë folur për vetëvrasjen në raport me lirinë, pavarësisht nga çfarë kanë thënë – liri e cila mund të materializohet si liri për të vdekur, ose për t’u larguar, për të dalë nga domosdoshmëria, për t’u hequr nga bota.

Dhe në këtë pikë, mua gjithnjë më vjen parasysh arratisja, gjatë viteve të regjimit totalitar.

Që të realizohet arratisja, duhen plotësuar një bashkësi kushtesh: duke filluar nga një mjedis i mbyllur, ku ty të detyrojnë të jetosh, dhe nga ku nuk largohesh dot lirisht, pse nuk të lënë, madje të vrasin; më tej, një mjedis tjetër, i ndarë nga i pari, i përtejmë, ku ti do të shkosh, pasi të jesh arratisur. Vetë akti i të arratisurit është kapërcim i një kufiri, real ose virtual, midis dy botëve pa kontakt tjetër mes tyre, ose kalim njëdrejtimsh, zakonisht i përfytyruar dhe i pranuar si lëvizje nga skllavërimi drejt lirisë.

Përtej skenarit të burgut, ose të kampit të përqendrimit, arratisja mund të kryhej vetëm në kushtet e Luftës së Ftohtë, ose të dy kampeve që i rrinin njëri-tjetrit përballë, si kundërimazhe të njëri-tjetrit; dhe më parë, nën klimën e terrorit të regjimit nazist në Gjermani, dhe atij bolshevik në Rusi.

Kush arratisej, ndahej për së gjalli nga familja e vet, nga shokët dhe të afërmit, nga mëhalla dhe qyteti; dilte nga një botë për të shkuar drejt një tjetre, por pa të drejtë kthimi.

Njëlloj si vetëvrasja, edhe arratisja ishte një akt rebelimi individual, radikal dhe ekstrem ndaj ekzistencës; afirmim i lirisë së individit, përballë domosdoshmërisë së rrethanave.

I arratisuri zakonisht linte pas vetes një familje që do ta vuante aktin, në mënyra të ndryshme; e megjithatë, t’i akuzosh të arratisurit e atëhershëm për pandjeshmëri, ose egoizëm do t’i thjeshtonte gjërat deri në atë masë, sa të pranonim pastaj edhe skllavërinë si gjendje normale të sendeve.

Si iku kështu, dhe la familjen – thoshin për të arratisurin; njëlloj sikurse thonë sot për të vetëvrarin.

Një intervistë me Preç Zogaj, e Shqiptarja.com, titullohej Preç Zogaj: S’mund të vras veten, jeta ime s’është vetëm e imja. Titulli më la përshtypje të keqe, pse i referohej një seksioni të intervistës ku Zogaj fliste për aktin e Klosit, dhe dukej sikur e qortonte të ndjerin për egoizëm.

Them “dukej”; mendimi i Zogajt më rezultoi më i nuancuar se ç’linte të kuptonte titulli i redaksisë; e megjithatë, ai titull sikur i bënte jehonë një bindjeje mjaft të përhapur, sipas së cilës ushtrimi ekstrem i lirisë individuale është gjithnjë në dëm të tjetrit.

E ndesh këtë bindje sot kur bie fjala për vetëvrasësit, sikurse e ndeshje dje, kur binte fjala për të arratisurit.

Në parantezë, dua të shtoj se një nga arsyet më të rëndomta, që e shtyjnë njeriun të vetëvritet, është bindja se është bërë barrë e rëndë për të tjerët (anglisht: burdensomeness); nëse kjo ka vlejtur dikur edhe për arratisjen, nuk di të them, por një gjë është e sigurt – lidhja e vetëvrasjes me egoizmin nuk është aq lineare sa ç’duan të na e paraqitin.

Kur jam larguar për herë të parë prej Shqipërie, në 1987, e kam përsiatur ndonjëherë me vete arratisjen, por vetëm si alternativë, ose si eksperiment psikologjik. Viti që kam kaluar atëherë në Romë ishte i mrekullueshëm, por gjithçka në eksperiencën time i referohej, tërthorazi, jetës që kisha lënë dhe që më priste, në Shqipëri.

Aty vinte në vështrim, natyrisht, edhe shqetësimi për të afërmit – çfarë do t’u ndodhte, sikur unë të vendosja të mos kthehesha. Por ky shqetësim ishte pjesë e një shqetësimi të përgjithshëm, që lidhej me krejt esencën time njerëzore.

Arratisja më dukej po aq e pamundshme, sa ç’i duket zakonisht njeriut vetëvrasja.

Pak më rezulton të jetë shkruar, në memuaristikën shqip, për motivet që i kanë shtyrë shqiptarët të arratisen në atë kohë dhe sidomos për luftën shpirtërore, dilemat me të cilat janë përballur, dhe si i kanë zgjidhur.

E megjithatë, dëshmi të tilla do të vlenin edhe për psikologët, pse do të hidhnin dritë edhe mbi misteret, ende të shumta, të vetëvrasjes.

Paradoksalisht, sot shqiptari banor i fshatit global e ka pothuajse të pamundur të arratiset, përveçse po të arratiset nga vetja, duke ndërruar jo vetëm vendin ku jeton, por edhe emrin, gjuhën dhe të shkuarën e vet, njëlloj si dëshmitarët e proceseve gjyqësore kundër Mafia-s.

Sot individi është pa dyshim më i lirë se dje; me pak mundim, mund të shkojë aty ku dëshiron – me kusht që të ketë “mjete” (pará); rolin e shtetit qen roje të kufirit e ka marrë përsipër mekanizmi anonim i mundësive materiale, ose i vërtetimit nga banka, që të kërkojnë në ambasadë.

Megjithatë, aktet supreme të lirisë individuale, si arratisja – një kalim i vështirë, i rrezikshëm, me kokë në torbë, përmes një kanali të pamundshëm, një shtegu ndër-dimensional, një ure Einstein-Rosen, një kapërcyelli midis dy botëve të papajtueshme – janë praktikisht të pamundura.

Kur shteti yt i hap kufijtë, bota mbarë bëhet burgu yt, ose uterusi nga ku nuk mund të largohesh dot më.

Nuk e përjeton dot më ri-lindjen, jo në kuptimin fetar, por në kuptimin social; ose kalimin, përmes një vdekjeje simbolike, drejt një jete të re në çdo pikëpamje.

Shumë besimtarë, që zakonisht e dënojnë vetëvrasjen, e pranojnë jetën e përtejme; dhe do ta kenë doemos më të lehtë që ta përfytyrojnë ngjashmërinë mes atij që vret veten sot, dhe atij që arratisej dje.

I arratisuri ushtronte të drejtën e vet elementare, për të qenë i lirë – dhe që ia kish mohuar shteti totalitar. Të drejtën që ushtron vetëvrasësi, nëse mund të shprehem kështu, na e shpjegon Nietzsche-ja: “Ekziston një e drejtë, që na lejon t’ia marrim jetën një njeriu, por nuk ekziston ndonjë e drejtë, që të na lejojë t’ia marrim atij vdekjen – kjo do të ishte mizori e kulluar.” (Human, All Too Human, §88.)

Nuk është pra, çështja nëse dikush ka të drejtë që të veprojë me jetën e vet si dëshiron; por nëse ne të tjerët kemi të drejtë që t’ia mohojmë këtij të drejtën për të vdekur.

Në mënyrë të ngjashme, çfarëdo krimi dhe padrejtësie që i bashkëlidhen arratisjes, për këto përgjegjësia i mbetet shtetit totalitar, sepse atje e ka burimin dhe fillesën mohimi i lirisë; atje e ka themelin muri i burgut; atje e ka gjembin teli me gjemba.

Nuk ka komente

  1. Xhaxha, me duket lidhje e gjetur kjo qe i ke bere arratisjes nga shteti diktatorial me vetevrasjen.
    Nje liber qe ka si nje nga temat e veta kryesore arratisjen eshte “Kohë e pamjaftueshme…” i Helena Kadarese. Ne liber pershkruhen me hollesi si dilemat dhe tentativat e herepashershme te Ismailit per t’u arratisur, ashtu edhe vete arratisja e famshme.
    Nga kontaktet qe kam pasur me disa vete qe e kane lexuar, libri vete duket sikur eshte nje bashkim dy librash, libri i pare shume i lexueshem, interesant e me plot ngjarje qe mbaron ne diten e arratisjes, dhe libri i dyte mjaft i veshtire per tu lexuar, ku pak gje ndodh dhe per disa edhe pak i merzitshem qe pershkruan kohen pas arratisjes e deri me sot.
    Pas leximit te shkrimit te xhaxhait me krijohet pershtypja se arratisja ne fakt eshte perceptuar nga Helena si nje veteflijim, si nje vdekje e brendshme ku ndryshimi nga vdekja reale eshte qe memoria e personit per te kaluaren vazhdon te ekzistoje por memoriet e reja jane teper te rralla dhe krejt te rendomta. Qe te jem i qarte kjo eshte pershtypja ime personale pasi lexova shkrimin e xhaxhait, dhe mbeshtetet ne leximin total te librit te Helenes, jo ne ndonje koment te veçante te saj.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin