UNË SHQIPFLAS, TI SHQIPFLET

Një shkrim sot te Shekulli për censusin dhe pakicat që nuk ia njohin rezultatet më çoi në faqen e Komitetit Shtetëror të Minoriteteve, vitrinë vezulluese e cargo cult-it të europianizmit në Shqipëri.

Në këtë faqe, dhe pikërisht në rubrikën me “të dhëna të përgjithshme për Minoritetin Etnokulturor të Arëmënëve ose Vllehëve të Shqipërisë” lexoj se në Shqipëri ka me dhjetëra mijëra të tillë, por censusi i vitit 2012 nuk mund të merret për bazë, meqë rreth 80% e tyre paskan emigruar kryesisht në Greqi ose në vende të tjera “të demokracive perëndimore”.

Vllehët e Shqipërisë, sikurse vllehët e Ballkanit e të gjithë botës, thuhet më tej në faqe, “flasin gjuhën e tyre amtare Arëmëne-Vllahe, që futet në grupin e gjuhëve neolatine përzierje heleniko-ilirike.”

Thuhet, gjithashtu, se vllehët “janë popullsi nga më paqedashëset dhe kozmopolitet e Shqipërisë.”

Megjithatë, çfarë më la veçanërisht mbresë në këtë përshkrim quasi enciklopedik, është pohimi në krye të artikullit, sipas të cilit “Arëmënët ose Vllehët në Shqipëri përbëjnë ndoshta komunitetin më të madh mbas shqipfolësve.”

Natyrisht theksimi është imi. Pas trajtesës që i bëra termit shqipfolës dhe metamorfozave të tij në një shkrim të mëparshëm këtu, nuk e prisja që të më dilte përpara në diskursin e faqes zyrtare të minoriteteve në Shqipëri.

Po ç’kërkon të thotë autori anonim i artikullit, me këtë që vllehët në Shqipëri “përbëjnë ndoshta komunitetin më të madh mbas shqipfolësve?”

Logjikisht, duke i veçuar vllehët (ose “arëmënët” nga shqipfolësit), i bie që vllehët të konstituohen si komunitet gjuhësor, ose që nuk flet shqip; pa çka se më poshtë, i njëjti tekst haptazi pranon se “një pjesë e madhe e arëmënëve (vllehëve) janë plotësisht të asimiluar thjesht në shqipfolës kryesisht të besimit orthodhoks.”

Nëse është kështu, pra nëse një pjesë e madhe e vllehëve kanë përfunduar tashmë në shqipfolës, atëherë si do të interpretohet pohimi tjetër, se këta “përbëjnë ndoshta komunitetin më të madh mbas shqipfolësve?”

Meqë nuk më lejohet të supozoj se kush e ka shkruar këtë ka kaluar ndonjë meningit të rëndë në fëmijëri, atëherë po kuturisem të supozoj se termi shqipfolës, në këtë tekst, del me kuptime të ndryshme; dhe del me kuptime të ndryshme; dhe më konfirmon se me këtë term është abuzuar kaq shumë tashmë, sa atij i ka mbetur veç konotacioni, ndërsa denotacioni i është tretur krejt.

Te dallimi që bën autori në krye, mes vllehëve dhe shqipfolësve, shqipfolësit nuk janë ata që flasin shqipen si gjuhë amtare (meqë në këtë grup futen edhe një pjesë e madhe e vllehëve), por shqiptarët etnikë.

Duket e çuditshme që në një tekst ku vllehët përkufizohen, tek e fundit, me kritere edhe etnike (komunitet etno-kulturor), këto kritere nuk zbatohen ndaj popujve të tjerë, prej të cilëve vllehët dallohen dhe, në dallim e sipër, edhe identifikohen si të tillë.

Autori i tekstit e di që “shqipfolësit” për të cilët flet janë, në fakt, shqiptarë – meqë kriteri gjuhësor vllehëve nuk u bën punë, për të përkufizuar veten si komunitet.

Prandaj ai flet për shqipfolës, në këtë kontekst kontrastiv, meqë ose ka frikë të flasë për shqiptarë etnikë – sa kohë që këta kanë marrë përsipër t’i identifikojnë dhe t’i certifikojnë forcat kombëtariste; ose kujton se në një faqe ku ushtrohet cargo cult-i i pakicave nuk mund të flitet për shumica me terma absolute (“shqiptarët”) por vetëm relative (“shqipfolësit”); ose – po e lë për në fund këtë hipotezë – ngaqë e ka kokën bosh.

Ironia këtu lidhet edhe me faktin se, ky abuzim i ri me termin shqipfolës vjen pikërisht nga një lloj qytetari – ai me prejardhje vllahe – që quhet rëndom shqipfolës prej esencialistëve dhe maksimalistëve të idesë kombëtare.

Në fakt, vllahu i asimiluar është shqipfolësi ideal, sepse e ka shqipen gjuhën amtare, por pa pasur gjak shqiptar në deje.

Që pikërisht vllahu flet, së paku zyrtarisht, për vllehë në Shqipëri si komuniteti më i madh “pas shqipfolësve”, kjo është dëshmi tjetër e asaj drejtësie poetike, për të cilën fliste një koleg në komentet për shkrimin e mëparshëm.

Madje, duke parë se me çfarë hidhësie përdoret termi shqipfolës nga esencialistët (ose gjakologët) tanë, në gojën e vllahut i njëjti term nuk duhet marrë dhe aq si shenjë e asaj që hebrenjtë e quajnë chutzpah, sesa si provë që shqipfolës tash e tutje po specializohet, brenda diskursit kombëtarist shqip të të gjitha ngjyrave, si një term që shënon Tjetrin, ose atë qenie që nuk e përdor ligjërimin e vet aq për t’u identifikuar, sesa për t’u kamufluar; ose për të mbuluar dhe maskuar me ligjërim zbrazëtinë e së prejardhjes së vet.

Shqipfolësi konstituohet kështu si prani e sotme, por pa të kaluar; si qenie sinkronike pa diakroni; si një simulakër i shqiptarit real, të cilit nuk i rrjedh gjak në deje, por gjuhë.

Nuk ka komente

  1. Nje shtet, po dhe nje komb, nderohet kur respekton pakicat, qofshin keto pakica kombetare apo cdo lloj pakicash.

    Por censusi duket se po i shfryn tollumbacet e shifrave afrofe te propoganduara nga disa pakica. Ideja e numrit me te vogel nga emigrimi eshte pa pike logjike gjithashtu, pasi nuk emigrojne vetem pakicat po dhe shumica.

    Po ashtu keto cirqet e tjera me te identifikuarit njehere nga prejadhja e njehere nga gjuha; ekuacione elastike. Keto bejne dhe pune sabotuese per pakicat, sa i perket kritereve te identifikimit. P.sh. sa shume a pak gjuhe minoritare duhet te flase nje ‘shqipfoles’ qe te ‘certifikohet’ si pakice e atij grupi sipas kesaj logjike? Po nqs nuk ndihet si i tille, apo ndihet pavaresisht mos-foljes se gjuhes se pakices, si i behet halli?

  2. “Prandaj ai flet për shqipfolës, në këtë kontekst kontrastiv, meqë ose ka frikë të flasë për shqiptarë etnikë – sa kohë që këta kanë marrë përsipër t’i identifikojnë dhe t’i certifikojnë forcat kombëtariste; ose kujton se në një faqe ku ushtrohet cargo cult-i i pakicave nuk mund të flitet për shumica me terma absolute (“shqiptarët”) por vetëm relative (“shqipfolësit”); ose – po e lë për në fund këtë hipotezë – ngaqë e ka kokën bosh.”

    ose nuk do te arrije deri atje saqe ti ndaje plotesish vllehet ne nje etni tjeter e t’u ngjalli friken edhe vlleheve edhe kombetaristeve. pra vlleheve qe jane asimiluar nuk do t’u thote se ju nuk jeni shqiptare dhe kombetaristeve qe u thote se jane shqiptare soft (se humbasin shume rilindas ne kete menyre e atdhetare te tjere, per te mos flasim pastaj per shifra popullsie).

    prandaj dhe perdoren ne kete menyre terma zbutese, eufimistike – neutraliste si “pakice etno-kulturore”. c’do te thote pakice etno-kulturore? apo thjesht kulturore? degjuesit e muzikes klasike, adhuruesit e filmave te bollywood-it, veganet, perdoruesit e veshmbathjeve te mendafshta, filatelistet, shoferat e taksive, keta me duken si “pakice kulturore”, jo vllehet

  3. Nese shqiptari do kuptonte se ne fakt nuk i rrjedh gjak në deje, por gjuhë, ne do ishim shoqeria me e emancipuar ne Europe. Atehere edhe une do isha dakord te thoja ‘sa mire me qen shqiptar’. Shprehja do ishte e sakte, pershkruese, rehabilituese ndaj ‘shqipfolesve’… bota do ishte me e mire.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin