SUPERTURKU

Në vijim të temës – të debatit – që hapi Doani, po shtoj disa përsiatje që nuk kanë doemos natyrë historike, por lidhen më tepër me përjetimin e seksualitetit të Tjetrit, në rrethanat e pushtimit/sundimit, siç ka qenë rasti i marrëdhënieve të arbërve/shqiptarëve me osmanët.

Duke filluar nga feja; meqë marrëdhëniet e seksualitetit me fenë përthyhen gjithnjë në rregulla me natyrë vendimtare, në mos fare konstitutive të rendit shoqëror, në nivelet mikro dhe makro.

Nuk hyj dot në hollësitë e trajtimit që i bëhet seksualitetit nga Krishterimi ose Islami, meqë nuk e kam përgatitjen e nevojshme; por më duket me interes të madh të vërej se, ndërsa Krishti, si profet i Krishterimit, është pothuajse i deseksualizuar në qenien e vet, Muhameti, si profet i Islamit,  na përvijohet si jashtëzakonisht seksual.

Nëse Krishtit nuk i njihet asnjë lloj marrëdhënieje mishtore, së paku nga Krishterimi i kodifikuar, Muhameti në jetën e vet është martuar shumë herë.

Edhe pse krahasimi mes dy profetëve kërkon kujdes të madh, megjithatë në rrafshin seksual nuk është vështirë të gjendet aty kundërvënia mes abstinencës dhe bollëkut seksual, refuzimit dhe pranimit.

Ironikisht, e njëjta kundërvënie ka vijuar më pas, duke u shprehur, këtë radhë, në kontrastin midis monasticizmit të krishterë, ose abstinencës seksuale të vullnetshme nga të dy sekset, dhe eunukëve të Lindjes Osmane; ku kastrimi në njërin krah ishte bërë nëpërmjet sublimimit, ndërsa në anën tjetër nëpërmjet thikës së xherahut hebre.

Me seksualitetin e kulturës islamike lidhet edhe poligamia; një lloj familjeje të cilën ne, produkte të kulturës monogamike, priremi ta konceptojmë si një lloj orgjie të ligjëruar; por që në të vërtetë ka të bëjë më shumë me konceptimin e gruas si qenie të papërsosur. Në këtë trajtë, poligaminë e pranon dhe përligj deri edhe Shën Agustini.

Megjithatë, një efekt jo shumë anësor i poligamisë është dobësimi i konceptit të çiftit – burrë e grua – si bërthamë të familjes.

Nëse ndër myslimanët shqiptarë poligamia mbeti më shumë përjashtim, kuriozitet, ose dukuri e shtresës më të lartë, kjo mund të lidhet me shumë tradita dhe kushtëzime; por unë do të përmendja veçanërisht traditën e krishterë, e cila e konsideronte monogaminë si të vetmen formë të moralshme martese.

Siç mund të merret me mend, nga pikëpamja e një shoqërie ku familja orientohet ndaj monogamisë, poligamia do të shihet si një lloj degradimi moral ose skllavërie.

Nga ana tjetër, njihet dhe është përshkruar mirë fakti që, për shumë shqiptarë në tranzicion midis Krishterimit dhe Islamit, ose në zona ku presioni për të ndërruar fenë ka qenë relativisht i lartë, kanë qenë burrat ata që janë konvertuar, ndërsa gratë e kanë mbajtur fenë e mëparshme.

Këtë e kam cekur në një shkrim të mëparshëm që mund të lexohet edhe këtu në blog; ku edhe kam vënë në dukje se, për shqiptarët, Islami është paraqitur shpesh si fe mashkullore, e identitetit publik dhe e marrëdhënieve me shtetin; ndërsa Krishterimi ka mbetur fe femërore, e votrës, e familjes, dhe – në radhë të parë – e gruas.

Nëse është kështu, atëherë shumë gra do t’i kenë rezistuar praktikës së poligamisë, për arsye edhe thjesht fetare; në një kohë që për burrat e tyre, të konvertuar përnjimend ose veç për sy e faqe, poligamia nuk është se ka qenë e detyrueshme nga ndonjë pikëpamje.

Paul Trouillebert (1874) - Servante du harem

Dhe, sërish, nëse është kështu, atëherë praktikat seksuale të osmanëve myslimanë, ose të paktën të atyre osmanëve myslimanë (turq) që binin në kontakt me popullsinë vendëse shqiptare, do të dukeshin si të papranueshme, të degraduara, të papastra – sa kohë që vinte në vështrim poligamia.

E gjithë kjo, pa e marrë fare në vështrim haremin.

Le të kujtojmë, më në fund, edhe se osmanët iu prezantuan arbërve si pushtues; çka do të thotë se kontakti i parë ka qenë me ushtarin osman, mashkull me përkufizim. Një ushtri pushtuese është edhe një masë meshkujsh seksualisht të privuar, por jashtëzakonisht grykës – të cilët do t’i shuajnë epshet e tyre me femrat, ndonjëherë edhe meshkujt, e popullit të mundur.

Edhe më pas, sado që studime për këtë kam përshtypjen se mungojnë, osmanët etnikisht joshqiptarë (turq, ndoshta boshnjakë e shumë pak arabë a persianë), që kanë vepruar në trojet etnike shqiptare, kanë qenë mbizotërimisht meshkuj; sikurse mund të shpjegohet me statusin e këtyre trojeve brenda Perandorisë, por edhe me vetë rolin e paktë publik të gruas në shoqërinë osmane. Pa u zgjatur në këtë pikë, dua vetëm të vërej se osmanët joshqiptarë u janë paraqitur shqiptarëve kryesisht, në mos ekskluzivisht, si meshkuj, çka e ka deformuar imazhin që kemi krijuar, për seksualitetin e tyre.

Natyrisht, i njëjti imazh ka lulëzuar edhe në Perëndim deri vonë; dhe pikërisht ai i “turkut” barkderr të rrethuar nga nimfa të haremit (rigorozisht flokëverdha), djem të rinj mustaqepadirsur, të rrëmbyer me forcë prej familjeve të tyre dhe eunukë të pështirë e dinakë. Mungon, në këtë imazh, figura e gruas osmane – pa çka se të tilla, me logjikë, do të ketë pasur, madje edhe në shtretërit e epshit.

Nuk ka komente

  1. [] por që në të vërtetë ka të bëjë më shumë me konceptimin e gruas si qenie të papërsosur

    Ky nuk është koncet Islam. Në islam, njeriu është i papërsosur, jo veçanërisht femra, në kërkim të përsosmërisë. Islami e sheh femrën dhe mashkullin të ndryshëm dhe për këtë shkak ata kanë përgjiegjësi të ndryshme në shoqëri dhe familje, por jo si superiorë apo inferiorë ndaj njëri tjetërit.

  2. Nuk e di pse, por personalisht e shikoj si nje barkmadh shkurtabiq, genjeshtar simpatik, hipur mbi gomar, tek na rrefen se gomari i tij ndodhet ne kerthizen e botes.

  3. Xhxha, meqe u prek pak poligamia nga aspekti islam, ju ftoj ta lexoni artikullin ne vijim ne menyre qe te qartesohet me shume koncepti islam mbi poligamine.

    [http://alturl.com/dit7u]

    [Ju lutem mos sillni në blog materiale që gjenden pa vështirësi online. Një lidhje e thjeshtë mjafton – 2Xh]

  4. Edhe pse krahasimi mes dy profetëve kërkon kujdes të madh

    Pervec Muhamedit PQMT, cili eshte profeti tjeter?

    1. E kisha fjalën për Krishtin… po le të mos futemi në debate pa lidhje me temën (e pranoj që në krye se do ta kem pasur gabim).

    2. Obobo! A del me zjarr kjo blasfemia apo duhet edhe garrote perpara?

      Ka vetem nje pike referimi, apo vetem dy, per kete teme qe te quhet patjeter teper profeti?

      1. Mua thjesht me terhoqi kuriozitetin cilesimi I subkoshient qe I beri xhaxhai , i cili me sa di nuk eshte musliman, Jezuit si profet. Perndryshe per mua nuk perben ndonje problem.

        1. Nuk pretendoj se i njoh mirë këto punë, por kam përshtypjen se edhe të krishterët e quajnë rëndom Krishtin “profet.” Meqë unë kontaktet më të mëdha me Krishterimin i kam pasur kur kam jetuar në Itali, do ta kem dëgjuar aty patjetër. Ja, shihe edhe këtë faqe, për shembull: http://www.stpauls.it/coopera/0704cp/0704cp08.htm. Aty citohen edhe pjesë nga ungjijtë, ku Jezui thirret pikërisht ashtu: profet.

          1. Te krishteret dhe hebrejte I ndajne te njejtin opinion qe Epoka e Profeteve perfundoi pas rikthimit te hebrejve ne vend te tyre pas pushtimit Babilonas.

            1. Mormonet, a jane te krishtere?

              Gjon Pagezori c’mund te quhet?

              Jezusi a nuk citohet ne ungjijte te pershkruaje profetet e se ardhmes (“…nga frytet do t’i njihni…”) ?

              Ky nuk eshte artikull teologjie apo fesh te krahasuara, prandaj nuk ka asnje dem nese konvencionalisht, nga pozita sekulare neutraliteti respektues, figura kryesore te feve kryesore, njihen si profete. Termi eshte teknik ne kete rast – mbeshtet historicitetin e personazheve, misionin dhe pretendimin e tyre spiritual, pa marre pergjegjesi konfirmimi te ndonje statusit te mbinatyrshem a te pertejshem.

              Megjithese nuk eshte ky rasti, cilesimi patjeter perputhet me boteveshtrimin islamik, ku Isai njihet si profet dhe jo si zot; por sigurisht qe ky (si minimum) hyn tek qendrimet e mirenjohura, per te cilat askush nuk jep dot llogari dhe nuk ia vlen inkuizicioni apo hulumtimi i nenndergjegjeve

  5. Me siper Xhaxhai shkroi:

    “Nëse ndër myslimanët shqiptarë poligamia mbeti më shumë përjashtim, kuriozitet, ose dukuri e shtresës më të lartë, kjo mund të lidhet me shumë tradita dhe kushtëzime; por unë do të përmendja veçanërisht traditën e krishterë, e cila e konsideronte monogaminë si të vetmen formë të moralshme martese.”

    Xhaxha sa per kujtese: ne censusin e popullates qe kane bere austro-hungarezet ne Shqiperi ne 1916 (a 17) del qe 10% e popullates ne ate kohe praktikonte poligamine. Tradita e Krishtere – duhet ndare. Eshte tradita katolike ajo qe ka kriminalizuar poligamine, divorcin dhe marredhenie te tjera seksuale qe ne sot i shohim si tabu. Ne 90% te qyteterimeve njerezore, koncepti qe martesa duhet te jete mes nje mashkulli dhe femre VETEM nuk ekziston. Poligamia ka qene norme mes kinezesh, afrikanesh, indianesh te amerikes, hindushe, muslimanesh etj. Ne Amerike dhe Kanada, ishte Kisha Katolike e me pas Anglikane ajo qe ktheu ne mekat – dhe sot per inerci – ne krim poligamine. Prandaj, poligamia qe per katoliket eshte mekat, nuk duhet pare medoemos si jo humane dhe kunder familjes. Familja ndertohet ne varesi te kultures. Familjet poligamiste ne shoqerite tradicionale jane me te qendrueshme sesa monogamistet qe ne sot – fale dhunes institucionale historike te Krishterimit Perendimor – i shohim si universale.

    1. Këtu besoj futeshin edhe ato raste kur një kryefamiljar merrte një grua të dytë, sepse nuk kish bërë dot fëmijë me të parën. Nuk di sa mund të quhen ‘poligami’ raste të tilla, sa kohë që, për mendësinë tradicionale, synimi i një martese nuk është të normalizojë marrëdhënien seksuale mes burrit dhe gruas, por të mundësojë trashëgiminë.

      1. Mua me shqeteson perdorimi i termin modern poligami ne kete diskutim dhe shikimi i poligamise si dicka te huaj. Ne nje kohe qe ne shoqerite tradicionale jo-katolike, poligamia, ka qene nje marrdhenie normale e burrit patriarkal, i cili kur ishte i pasur dhe i fuqishem e zgjeronte rrethin e femrave te tija sa te kishte mundesi dhe te lejohej nga doket, traditat e vendit. Problematizimi i poligamise qe endet akoma sot fuqishem ne Perendim dhe by extension edhe ne Shqiperi qe nga kodi civil i Zogut dhe druni i Partise, eshte pjese nje tradite te cmendur katolike, e cila, perndryshe shkon kunder pjeses derrmuese te qyteterimeve te tjera. Ne nje kohe qe ne Perendim, dhe te ne ne Tirane, biles edhe ne Prishtine, gay-t e Brukselit na imponuan “hallallizimin” e pederastise (per te cilen edhe bajraktar Berisha po thote qe eshte gje e mire), poligamia, si pasoje e nje bidati mesjetar katolik, vazhdon e shihet si nje deviacion seksual, krim ligjor – ne nje kohe qe ky eshte vetem nje mekat katolik.

        1. Në fakt, nuk më duket se ka ndonjë ligj që të ndalojë bashkëjetesën e një burri me shumë gra; por vetëm martesën mes tyre. Kam dëgjuar – por nuk citoj dot – për studime sipas të cilave poligamia (si poligjini), në kohë paqeje, krijon paqëndrueshmëri të madhe sociale, për shkak të shumëfishimit të grupeve relativisht subversive të meshkujve mbetur pa gra. Nga ana tjetër, më duket se Marksi thoshte se borgjezi e ushtron, de facto, poligaminë, duke pasur si rregull edhe grua edhe dashnore ose mantenutë (por më korrigjoni po ta kem gabim; sonte nuk paskam kohë të kontrolloj burimet). Unë nuk e kuptoj mirë pse gay-t, që janë ikonoklastë në shumë fusha, e kërkojnë me kaq afsh martesën dhe ligjërimin e familjes (institucion problematik dhe gjithsesi inercial); por nëse e kërkojnë gay-t, ndoshta mund ta kërkojnë edhe poligamët… le ta përfytyrojmë dot një Polygam Pride Parade në New York, ose fundja edhe te Mali i Robit. Askush nuk na pengon të ëndërrojmë.

          1. Ne fakt, studimet e antropologeve theksojne se ne te gjitha kulturate studiuara, rezulton se tek mbi 80 perqind e tyre poligamia eshte e lejuar. Disktuimi, mbi gjithcka eshte kulturor, dhe nuk eshte se ka te beje shume me seksualitetin. Seksualiteti nuk eshte faktori dominues per shkak te te cilit krijojme familje dhe nuk mund te jete ai shkaku perfundimtar i poligamise.

            1. Dakord jam edhe unë – por shqiptarët, si popull, i përkasin traditës kulturore monogamike. Kjo do të lidhet drejtpërdrejt me nënshtratin e krishterë, i cili në këtë rast u ruajt edhe nga ata që u konvertuan në Islam. Edhe atëherë kur ka ekzistuar, është parë si e keqe e nevojshme (p.sh. kur një burrë nuk kish fëmijë me gruan e parë). Kjo nuk do të thotë se është doemos moralisht e dënueshme – por thjesht që nuk është jona.

        2. Poligamia eshte shoqerisht e imponuar.
          Solomoni ne Bibel ka 700 gra dhe 300 konkubina ( si ia bente xhanem?).
          Por me vone kemi Solonin qe rregullon the sanksionin monogamine. Ne qytet-shtetet, perfshi ketu edhe Romen, garimit seksual te meshkujve i duhesh vene fre per te miren te te gjitheve
          Greket e lashte e shihnin poligamine, e cila gelonte ne te gjitha tokat para-islame, si dicka barbare.
          E poi , come si dice, il resto e’…

          Shen Agustini e quante mongomanie “nje zakon roman”. .
          Justiniani me pas e nxorri jashte ligji poligamine, sepse “ligjet antike nuk e lejonin”.

          Cfaredo qe mund te thuhet per krishterimini, mongamine, dhe per te “keqiat” qe kjo gjendje u ka imponuar meshkujve “te mjere”, a nuk eshte modeli i shoqerise se ndertuar mbi keto baza, me i sukseshmi ne histori te njerezimit, dhe qe perpiqet te emulohet ne cdo cep te globit?

          Keshtu qe s`ka vend per ta quajtur kete tradite te cmendur dhe ca me pak katolike.

            1. …”Poligamia eshte shoqerisht e imponuar…”

              Duhet lexuar Mongamia eshte…

              Frena pro feris teneo

          1. ipare, bie dakort me ty ne ate qe ka qene shoqeria patriarkale qe ka sanksionuar me doke poligamine, dhe jo se ka qene feja katolike qe medemek paska cilesuar arbitrarisht si mekat poligamine e cila na paskesh qene krejt natyrale.

            Obama, dikur shume gjera ishin normale dhe te pranueshme, por teksa njerzit kane evoluar, ne shume raste ligjet dhe normat jane qasur ndaj te drejtes dhe etikes ‘natyrale’, ta quajme.

            Poligamia per rrjedhoje e ve gruan ne raporte te pabarabarta (per te) ndaj burrit, dhe patjeter qe ne kohet e sotme do shikohej si dicka negative dhe nuk do praktikohej nga shumica e njerzve/shoqerive, sidomos atyre (me) demokratike, pavaresisht nese kisha katolike do e kishte quajtur mekat apo jo.

            Skllaveria eshte nje tjeter ilustrim i kesaj, p.sh.

            1. Xhibo: si skllaveria ashtu edhe poligamia jane ende verdalle ne shoqerite tona “demokratike” (sa me acaron ky term). Ndoshta Fukoja i shpjegon me mire keto pune kur tregon psh. sesi burgjet jane institucione moderniste te konceptit para-modern te skllaverise. Taksat jane pjese e atij institucioni te lashte te gjobvenies nga i forti – si shkembin te paqes dhe mos-cenimit. Ne kete mes hyn edhe poligamia. Ajo eshte mes nesh. Te rralle jane burrat qe nuk peshkojne ne me shume se ne nje pus. Nese nuk e bejne me dashnore, e bejne neper bordello dhe me femra me higjene te mjerueshme qe rrine neper semafore. Por kurveria qe ben mashkulli behet duke shkaterruar besnikerine qe duhet te kete brenda familjes me gruan – te cilat – duke pare keta, ua dredhin edhe vete te pareve. Poligamia eshte institucionalizim i deshires se mashkullit per te patur me shume se nje grua, sic edhe divorci, eshte pjese e institucionalizimit te lenies se nje burri apo nje gruaje per nje tjeter. Si rrjedhoje Islami, i cili, me duhet ta pranoj qe eshte nje fe qe respekton superioritetin e mashkullit dhe nuk beson ne barazine e sekseve, institucionalizon keto veti te qenies njerezore. Pse sot kapitalizmi perendimor i ka shkaterruar dhe i shkaterron shoqerite patriarkale – duke mos e lene babait ta rrahi vajzen e tij per dashnoret e saj apo nuk le nje burre me shume gra – kjo behet pasi ne kete menyre te pasurit kane mundesi te kene akses me te kollajte ndaj femrave te hallkut. Dhe kjo nuk eshte nje evolim per mendimin tim, por nje regres ne mundesite e burrave per te qene kryetare te familjeve te tyre ku perfshihen edhe grate dhe per ti kontrolluar ato. Sot ne shoqerite perendimore, njeriu eshte zhveshur nga cdo pushtet. Ai paguan rent, taks, dhe edhe gruan e tij nuk e posedon dot me si me pare. Me pak fjale eshte nje qiraxhi ne kete dynja ku nese ndahet nga gruaja e tij, do rrije gjithe jeten duke i paguar asaj para per femijet.

              Ndersa ne Perendim kufizimi i martesave ne monogame dhe per SHUME kohe mosdivorci, u sanksionuan per hir te Kishes Katolike – e cila i kishte shpallur mekat dhe i kontrollonte njerezit (ashtu si edhe prifterijte) nepermjet seksit, sot, ndersa ne ne Perendim (fale mekatit te Henrit anglikan) kemi lejuar divorcin dhe pederastine, dhuna institucionale dhe ideologjike qe behet kunder poligamise behet si pasoje e nje aleance inercike ndermjet kapitalizmit dhe krishterimit. Ndersa i pari nuk ka qejf te shohi burra te gjithepushtetshem mbi grate – pasi te pasurit i duan te jene te lira per tu shtypur – sic bente Dominique Strauss-Kahn e shume te pasur ne Perendim apo Big Brotheri ne Tirane – Kisha, eshte e kenaqur qe kjo norme vazhdon te implementohet ne disa pjese te globit, dhe njerezimi nuk adopton norma seksuale te kulturave islamike, hinduse apo budiste te shume granise.

              Ndersa ne lidhje me Xhaxhain serisht nuk jam dakort kur ai thote:
              “Dakord jam edhe unë – por shqiptarët, si popull, i përkasin traditës kulturore monogamike. Kjo do të lidhet drejtpërdrejt me nënshtratin e krishterë, i cili në këtë rast u ruajt edhe nga ata që u konvertuan në Islam. Edhe atëherë kur ka ekzistuar, është parë si e keqe e nevojshme (p.sh. kur një burrë nuk kish fëmijë me gruan e parë). Kjo nuk do të thotë se është doemos moralisht e dënueshme – por thjesht që nuk është jona.”

              Xhaxha: me kete fjali qe ke shkruar me siper me duket sikur te ka vjedhur paswordet e kompjuterit Ismail Kadareja. A je i sigurte qe je ti qe i ke shkruar keto? Po clidhje ka nenshtrati i krishtere o njeri me traditen e shtratit qe burrat ne te gjitha kulturat kane? Edhe ne Mirdite ku Kisha u bente namin kreshnikeve tane fe-paster, keta, shpesh, nuk e perfillnin Kishen e vidhnin gra dhe shtonin vathen. Tradita apo nenshtrati i krishtere nuk ka asnje lidhje me prirjen natyrale te mashkullit per te patur sa me shume gra. Pse Kisha i ka disiplinuar evropjane me dru ne dore, kjo nuk do te thote qe ne Evrope vete ska ekzistuar poligamia. Te gjithe presidentet e politikanet qe ne shohim sot, vetem kur na dalin pas ca kohesh qe kane nga 2 – 3 kopila me gra jashte kurore. Nese do thellohesh pak ne fshatin shqiptar te kohes se Zogut apo ne Kosove deri sot, do te shohesh qe poligamia ka ekzistuar dhe ekziston rende – edhe pse nga frika e pushtetit dhe mediave, keto gjera nuk propagandohen shume. Shiko sec behet ne Tirane, sa per sport. http://www.youtube.com/watch?v=4EB279zkksw Po te dalesh neper fshatra te Shqiperise do degjosh edhe me shume incidente me zakone “kunder tradites e jo-tonat”. Ahahhaha.

  6. Ne fakt, ashtu sic e ka permendur edhe Qafirarnauti me siper, edhe ne shoqerite ku lejohet poligamia nuk eshte se martesat poligame perbejne shumicen. Ato lejohen por nuk inkurajohen. Nuk di te kete ndonje shoqeri ku poligamia te praktikohet gjeresisht. Ndonje sociolog mund te na ndihmoje ketu.
    Sa i perket qendrimit te Islamit si fe ne lidhje me kete edhe ky eshte e qarte. Poligamia nuk eshte e inkurajueshme. E lejueshme po, por deri tek ajo ka shume pengesa qe duhen kaluar. Une nuk besoj se imazh i turkut si poligam i ka trembur shqiptaret kaq shume. Perqasjet e tjera ne artikull mendoj se pergjithesisht qendrojne.

    1. Sipas Islamit poligamia jo qe eshte e inkurajueshme, por Zoti ne Kuran burrat i porosit qe te martohen me 2, 3 apo 4 gra. Pse ne ne Shqiperi jetojme nen presione kulturore te krishtera, kjo eshte tjeter gje. Je sesi e shpjegon sheh Saalih ibn Sad as-Suhaymee kete pune (te njejten gje e ben Sheh Bin Baazi, myftiu i Arabise Saudite). Ai thote qe Zoti ajetin ne Kuran e nis e thote martohuni me 2, 3 apo 4 gra dhe jo me 1.

      Ajeti eshte ky:

      Kuran 4: 3.

      Në qoftë se frikesoheni se nuk do të jeni të drejtë ndaj jetimeve, atëherë martohuni me ato gra që ju pëlqejnë; me dy, me tre e me kater. E nëse i frikoheni padrejtësisë, atëherë vetëm me një, ose me ato që i keni nën pushtetin tuaj (robëreshat). Ky është më afër që të mos gaboni.

      Pra ne te gjithe urdherin Kuranor permendet shume-grania. Nje grua keshillohet per burrat e dobet, si keta qe rriten sot ne vendet ku sundon tirania e ligjit. Ndersa per ata qe jane te fuqishem e rriten te lire si arabet ne shkretetire, urdherohet shumegrani.

      1. Obama, po sikur të martohen të gjithë burrat me 2, 3, apo 4 gra, sikur nuk del llogaria, apo jo?
        Prandaj kjo nuk ka asnjë vlerë – e theksoj, asnjë vlerë – për shoqërinë moderne.
        Gjithashtu, ju lutem të gjithëve që të mos e kthejmë këtë hapësirë komentesh në medrese.

        1. I dashur Xhaxha

          LG-ja me poshte ne poligamet po na trajton si shtypes te grave, ne nje kohe qe me versionin tone poligamist ne thjeshte duam te sfidojme konceptimin katolik te marteses si nje burre dhe NJE grua. ne themi pse jo DY e me shume (propozimi yt per nje poligamy parade ishte shume intrigues). Megjithate duke qene se slogani i ketij blogu eshte “Një blog, një qëndrim!” dhe pamundesine aritmetike te shumegranise dhe asnjevleresine qe deviacioni yne seksual ka per shoqerine moderne, edhe mua sme mbetet gje tjeter por te terhiqem perpara se ndonje LG te acarohet dhe te na japi plumbin ballit me shpjegimet e saj humanitare te poligamise. Ahahhahaha. Do i coj nje email Kristi Pinderit te na qasi edhe ne poligamet ne shoqate (inshallah nuk nxehet ambasadori hollandez dhe feministet perendimore per kete herezi).

          1. Ti bën mirë ta dëgjosh LG-në, se poligaminë me gratë do ta bësh, jo me Kristi Pinderin – apo jo? Apo në vizionin tënd të poligamisë përfshihen, si bashkëshort(e) të burrit, edhe meshkuj homoseksualë?

  7. E shoh une qe edhe kete diskutim e kane marre ne dore meshkujt, si edhe gjithe punet e tjera te kesaj bote. Pavarsisht perpjekjeve per emancipim e levizjeve feministe (qe me shume i kane prishur pune grave se ju kane ndrequr), shoqeria njerezore ka qene dhe eshte patriarkale.

    Meshkujt kane patur gjithnje ne dore edhe gurrin edhe arren. Dhe per te mbrojtur interesat e tyre (jeten, pasurine, trashegimine, kontrollin mbi familjen) kane nxjerre jo vetem norma morale, por i kane sanksionuar neper ligje mijera volumeshe. Ato punet qe lidhen me seksualitetin e tyre gjithnje kane qene te justifikuara me biologji, sociologji, histori…e me cfare shkence tjeter qe t’a ka enda. Dhe pse jo? Edhe hareme e poligami te kemi (sidomos per inat te katolikeve qe na duan me nje grua gjithe jeten).

    Me sa mbaj mend une nga kendimet, poligamia lindi si nevoje e sigurimit te mbrojtjes dhe shpenzimeve te jeteses per grate e veja dhe femijet jetime, sidomos ne kohe lufte. Pastaj dolen variantet e gruas se pare qe nuk ben femije ose nuk ben djem. Ne islam keto, se keta poligamet e Utah, ketyre ju flet zoti personalisht dhe ju thote qe ju duhen 20 e kusur gra, njera me e re se tjetra, qe te provojne sa besimtare te devotshem jane. Dhe keto i kane bere gjithnje te pasurit, se nuk eshte kollaj te mbash me buke nje tufe gra e kalamaqer.

    Them se kjo puna e pasurise, por jo vetem, ka bere qe megjithese fiziologjikisht eshte gruaja qe mund te perballoje shume burra, kane dale burrat qe, ne mos hareme e poligamira, te pakten te kene edhe gra edhe dashnore, packa se ne me te shumten, njera mbetet pa yzmet, ne mos te dyja:)

    Grate jane 50% e shoqerise, dhe ato haremxhiet, poligamet, prostitutat, grate e mashtruara, dashnoret edhe me keq te mashtruara…..jane nena, gra, motra, vajza te atyre burrave ketu lart, qe na habiten me elokuencen e tyre ne fushe te seks-fe-shoqerise. Jazek. (me shume dashamiresi kjo, se nuk eshte faji juaj, ashtu ua kane ngulitur ne koke gjithe jeten, burrat gjuetare, grate ne shtepi 🙂

    1. Plotesisht dakort, e kishe perfekt, deri aty ku the “ashtu ua kane ngulitur ne koke gjithe jeten, burrat gjuetare, grate ne shtepi”. Nuk e minimizon kjo aspak komentin, po me teper po mar spunto.

      Kjo ne fakt eshte teze evolucionare shkencore (puna e meshkujve gjuetare dhe testosteron-agresore dhe grate mbrojtese te folese dhe familjes) e cila aspak nuk justifikon patriarkalizmin ne shoqeri, por gjithsesi thote se per hir te dhjetra mijera (ne mos qindra mijera) vjeteve te kesaj tradite te ‘njeriut te shpellave’ disa shfaqje (traits) manifestohen akoma dhe sot, dhe qofte dhe pjeserisht kjo tendence justifikon ate paradoksin qe thua ti qe nderkohe qe eshte gruaja ajo qe eshte fizologiikisht ‘compatible’ me shume burra dhe jo anasjelltas, eshte burri ai qe gjuan gjithmone me shume partnere, ose ne mos e ben, e ka krimbin.

      Ketu pastaj hapen debate dhe pertej ketij muhabeti (p.sh. fiziku me i madh/donimant i mashkullit) po qe jane mbase pertej temes se ketij artikulli.

      Obama, ti mbase e ke me ironi apo thjesht per te terhequr vemendjen me argumenta te tilla hilariteti. Po nqs e ke seriozisht, ki parasysh te pakten qe ti i qasesh ceshtjes nga premisa se bota eshte e burrit dhe gruaja eshte bere thjesht per te akomoduar jeten e tij, ndaj e shikon gjene si humbje apo fitim per burrin vetem. Dhe kjo premise ne kontekstin njerezor mund te quhet pa druajte kafsherore (dmth e trajtuar jashte cdo fakulteti/cilesie njerezor) dhe si e tille ne fakt nuk eshte se meriton kushedi sa replika njerezore/racionale.

  8. Sa per saktesim, atyre te Utah-s zoti u foli para nja dy shekujsh per poligamine, e per gjera te tjera si ndalimi i kafes e cajit, po nga fundi i shekullit 19, kur Utah ishte i vetmi vend qe nuk po lihej te bashkohej me SHBA prej kesaj pune, zoti u foli perseri dhe u tha qe poligamia duhet te hiqej. Dhe e hoqen. E u ndane ne dy grupe, njeri monogam qe eshte me i madhi qe shohim sot gjithandej, edhe nje tjeter i vogel fare, poligam, qe thone qe zoti foli vetem heren e pare, heren e dyte e shpiken kreret e kishes.

    1. Shume e sakte. Vlen te permended arsyetimi I Mitt Romney-t per trashegimine pologamiste te komunitetit the tij: “Ne po perpiqeshim te ndertonim nje komb nga e para ne shkretetire”- thote ose me fjalet e Malcolm X ” we did not land in America, America landed on us.” DMTH arsyetimi ortodoks eshte “poligamia duhet te mbareshtohet mileti”

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin