SPINOZA NË PETRELË

Dr. Mentor Petrela, neurokirurg i njohur, shkruan në Shekulli për etikën mjekësore (“Etika mjekësore, cuius regio eius religio“).

Artikulli, edhe pse i shkurtër dhe modest, vjen i pasur me emra dhe citate, fishekzjarrë që ndriçojnë erudicionin e autorit, por që përndryshe nuk i hyjnë kujt në punë, sa i përket temës së trajtuar.

Etika mjekësore: kujt nuk i intereson kjo vallë, në kontekstin e mjekësisë shqiptare sot, e cila akuzohet nga shumë anë si makinë e korruptuar, që synon jo të shërojë, por të rrjepë të sëmurin, teksa lubrifikon egot e kryemjekëve, të rrethuar siç janë nga plehu, ndyrësia dhe mjerimi i shëndetësisë publike?

Në artikull mësojmë se shteti i Zogut ishte i bazuar në dy shtylla: fetë e Abrahamit dhe qytetërimin greko-romak, se Aristoteli paska thënë “një pikë shi nuk sjell përrua”, se kufizimi i miqve të familjes mes mjekëve shqiptarë të periudhës komuniste qenka bërë “nën modelin e Morozovit,” se në Shqipëri qenka “orientuar modeli i doktorëve këmbëzbathur me po aq sjellje populiste torollake” pas revolucionit kulturor kinez, se evangjelisti Luka, “dishepull i Palit”, paska qenë mjek, dhe se Giraldus Cambrensis, një klerik mesjetar i shek. XII  paska shkruar se: “Dielli perëndoi, nata nuk ra.”

Megjithatë, autori i preferuar i dr. Petrelës, të paktën në këtë kontekst, duket se është Spinoza; meqë zhvillimin e shëndetësisë, dhe të etikës mjekësore në periudhën e mbretërisë së Zogut ky ia përqas një përkufizimi të Spinozës, në De Affectibus XXXV:

Benevolentia est cupiditas benefaciendi ei, cuius nos miseret.”

Dhe meqë Dr. Petrela e ka të qartë se lexuesi i Shekullit nuk e përtyp mirë latinishten mesjetare, ai ofron aty për aty një përkthim të këtij citati në shqip:

“Bamirësia është dëshira për t’u shërbyer atyre që vuajnë.”

Për fat të keq të Dr. Petrelës dhe të Spinozës, ky citat jepet i përkthyer gabim.

Le ta krahasojmë versionin shqip të autorit tonë, me disa përkthime të pranuara të citatit nga Spinoza:

[frëngjisht] La Bienveillance est un Désir de faire du bien à celui pour qui nous avons de la commisération.

[anglisht] Benevolence is the desire of benefiting one whom we pity.

[gjermanisht] Wohlwollen ist die Begierde, dem wohlzutun, den wir bemitleiden.

[italisht] La Benevolenza è la Cupidità di far del bene a colui del quale abbiamo compassione.

Sikurse mund të shihet, mospërkime ka shumë. Në krye, aty ku Spinoza flet për mirësi, dhemshuri ose mirëdashje (benevolentia, fr. bienveillance, angl. benevolence), Dr. Petrela flet për bamirësi.

Ai duket sikur ngatërron benevolencia-n me diçka tjetër, p.sh. beneficienza, në italishte, që është pikërisht bamirësia (nga far bene; ndërsa benevolencia lidhet me voler bene).

Edhe përkthimi i benefaciendi si “për t’u shërbyer” mund të ngrejë disa vetulla, por jam i bindur se një latinist “benevolens” do ta mëshironte përkthyesin.

Nga ana tjetër, ei cuius nos miseret, nuk janë “ata që vuajnë”, siç e përkthen yni, por “ai për të cilin na vjen keq, ai për të cilin ndiejmë keqardhje, etj.”, sikurse mund të verifikohet lehtë nga versionet e citatit në gjuhë të tjera.

Dr. Petrela e ka korrigjuar kështu Spinozën, kushedi për t’ia përshtatur realitetit të vrazhdë mjekësor shqiptar.

Atje ku origjinali flet për dhembshuri, keqardhje dhe mirëdashje, Spinoza i shqipëruar prej intelektualit post-komunist flet për bamirësi dhe njerëz që vuajnë, si të ishte ndonjë misionar i Caritas-it në një konferencë të OKB-së për Afrikën.

Mendimi i filozofit holandez bartet prej sferës shpirtërore, në atë të OJQ-ve të bamirësisë; për të mos përmendur pastaj faktin, banal në vetvete, se një citat me Bamirë dhe njerëz që vuajnë duket sikur përshkruan pikërisht Shqipërinë e sotme politike.

Për më tepër, thënia e Spinozës është nxjerrë nga një pasazh gati psikologjik i Etikës, ku filozofi kryesisht përkufizon “afektet”, mes të cilave edhe dhembshurinë, ose mirëdashjen; është përkufizim, jo aforizëm – dhe nuk lidhet kaq ngushtë me etikën mjekësore, sa kohë që mjeku i shërben të sëmurit jo nga dhembshuria (siç e bënte, bie fjala, Nënë Tereza), as ngaqë i vjen keq për të, por ngaqë e ka detyrë ose mision që ta bëjë.

Me një fjalë, nuk ka nevojë të shkosh e të trazosh Spinozën, për të treguar se mjekët shqiptarë i trajtonin mirë të sëmurët, në kohën e Zogut.

Megjithatë, në favor të dr. Petrelës mund të thuhet – dhe duhet thënë – se ai e ka kopjuar saktë citatin latinisht të Spinozës, sikurse e ka përkthyer drejt një fjalë të atij citati: cupiditas: “dëshira.”

Natyrisht, për autorin e shkrimeve dhe përkthimeve të tilla, s’na mbetet veç të vërejmë se ambicja ia tejkalon erudicionin; ndërsa për temën e artikullit, etikën mjekësore, do të shtonim se ndoshta – ndoshta – problemet e mëdha të saj lidhen edhe me latinishten e çalë të priftërinjve të mjekësisë së sotme shqiptare.

Dhe meqë autori përmend edhe Lukën aty, le të kujtojmë një aforizëm të mirënjohur nga Ungjilli i këtij: Ἰατρέ, θεράπευσον σεαυτόν (medice, cura te ipsum), të paktën sa i përket makaronishtes.

Nuk ka komente

  1. Nje artikull i tere per te thene qe autori e ka perkthyer gabim nje shprehje latinisht?

    Jo per gje po artikulli eshte i mbrujtur me kritika ndaj te dukurit (te berit) si i ditur.

    1. Problemi kryesor me shkrimin e Dr. Petreles nuk eshte gabimi ne latinisht, por moperfshirja ne trajtesen e tij te shkurter te situates se rende te mjekesise shqiptare pas komunizmit.

      Duket si te jete shkruar jo me vone se vitet 1992-93, kur ishim ende optimiste e te pafajshem. Mbase Dr. Petrela eshte shkeputur nga realiteti pikerisht ne ate kohe. Nese ka sot ende ndopak ndjenje meshire e zell profesioni, ai mund te jete i kufizuar te nje brez i vogel mjekesh per ironi te mbetur nga koha e “enverizmit”.

      Kjo kritike ndoshta nuk do t’i hynte ne sy doktorit ne ze (e te zeshem). Keshtu qe kunji per gabimin ne latinisht eshte ndoshta e vetmja mundesi qe t’i “djege” pak.

  2. Nje gje tjeter me beri pershtypje, ne shkrimin e Dr. Petreles: Ceshtja e praktikes private te mjekeve gjate komunizmit. Ajo sigurisht u nxorr jashte ligjit, por shume mjeke vijuan te kurojne privatisht, jo me per para, por per miqesi familjare, shkembime nderesh me njerez te profesioneve te tjera etj.

    Nje argument i fuqishem kunder ndalimit te sektorit privat ne mjekesi eshte qe kjo gje eshte e pamundur. Thjesht do te ktheje praktiken private dhe favorizuese ne tregun e zi, apo “nendhe” (underground).

  3. Natyrisht, shkrimi i Dr. Petrelës ka plot mëkate – dhe kryesori nga këto mëkate lidhet me vetë trajtimin aq sipërfaqësor, madje do të thoshja joetik, të etikës mjekësore nga autori.

    Por në mënyrë po aq sipërfaqësore i qaset Dr. Petrela citatit nga Spinoza, dhe jo një citati çfarëdo (si të tjerat e shumta në shkrim), por një mendimi rreth të cilit ai organizon artikullin.

    Edhe këtu edhe atje – e njëjta shpërfillje, i njëjti fodullëk në komunikimin me lexuesin. Dr. Petrela niset të shkruajë për etikën mjekësore dhe e kthen shkrimin, si edhe shkrime të tjera të vetat, në një vitrinë të erudicionit. Mirëpo pastaj bën fiasko edhe aty.

    Citati duhej përkthyer mirë, jo sepse është i Spinozës dhe jo sepse sot gjëra të tilla përballohen lehtë (edhe unë në Google shkova dhe e gjeta përkthimin e saktë), por sepse është strumbullari i shkrimit.

    Prandaj – dhe këtë e kam për ty, Xhibi – ka lidhje midis gabimit në përkthim dhe artikullit të keq që ka shkruar dr. Petrela, për etikën mjekësore. Gabimi në përkthim pasqyron, në nivelin diskursiv, gabimin tjetër, atë në këndvështrim, ose në etos.

    Si në një rast, ashtu edhe në tjetrin, lexuesit që arrin të shohë banalitetin (mua, për shembull), i krijohet përshtypja për një autor joserioz, që flet nga lart poshtë, dhe që harron se ka tullumbace, por ka edhe gjilpëra.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: