ALO? NUMRI JESHIL?

Mediat njoftojnë se në konsullatën shqiptare në Milano radha e emigrantëve nuk ekziston më. Takimet në zyrat e konsullatës caktohen nëpërmjet telefonit. Në këtë mënyrë emigrantët marrin shërbime konsullore (certifikata, pasaporta, etj.) pa humbur kohë e pa u lodhur në radhë.

Mirëpo ja çfarë shton gazetarja Keti Biçoku tek “Shqiptari i Italisë”:

Asgjë e keqe, madje shërbim i kulturuar, do thoshte gjithkush me të parë lajmin. Por s’ka mësuar ende lajmin e dytë, që shërbimi i prenotimit është me pagesë. Praktikisht, konsullata e Milanos i ka shtuar me kokë të vet një taksë të paparashikuar nga ligji çdo shërbimi konsullor: taksën e telefonatës në numrin me prefiksin famëkeq 895. Kushton rreth 1,50 euro në minutë. Domethënë çdo emigrant duhet të paguajë të paktën 2 euro gjatë prenotimit. Që mund të shkojë deri në 15 euro për çdo telefonatë.

Deri këtu lajmi kryesor. Pra emigrantët shqiptarë me banim në veri të Italisë duhet të paguajnë për datën e takimit në konsullatë, natyrisht përveç tarifës për çdo shërbim konsullor. Mendoj se këtu duhet bërë pyetja e parë: “A duhet ta paguajnë emigrantët shqiptarë telefonin që shërben për caktimin e takimit?”. Në rast se kjo pyetje merr përgjigje pozitive, pra në rast se jemi dakord që emigrantët ta paguajnë edhe heqjen e radhës, atëherë lipset të shkojmë më tej.

Pika tjetër është kjo: “Telefonin për takim duhet ta paguajnë të gjithë emigrantët apo vetëm ata që jetojnë në disa krahina të caktuara?”. Sipas “Shqiptari i Italisë”, në zyrat konsullore të Romës, pranë Ambasadës shqiptare, nuk paguhet asnjë haraç për të marrë takim. Kjo mund të kundërshtohet me argumentin se dyndja e shqiptarëve në veri të Italisë është më e madhe, për arsye se në veri jeton pjesa dërmuese e shqiptarëve. Kundërargumenti do ta pranonte si të vërtetë faktin, por do të kërkonte gjithashtu përforcimin me njerëz e mjete të Konsullatës në Milano, pikërisht për numrat kuptimplotë që e karakterizojnë veriun.

Pyetjes “Sa duhet të paguajnë emigrantët për rezervimin e takimit?” nuk mund t’i përgjigjesh kollaj. Dikush mund të thotë X, dikush Y, dikush tjetër 0 (zero). Mund të ketë nga ata që i shkon mendja deri tek tenderi për shërbimin e takimit nëpërmjet telefonit. Mirëpo, a mund të funksionojë prokurimi publik në rastet kur shteti nuk paguan asgjë? Ligjërisht nuk e di. Duhen pyetur specialistët. Por bonsensi na thotë se përderisa paguajnë xhepat e qytetarëve, mirë është t’u ofrohet shërbimi më cilësor me çmimin më të arsyeshëm. Pra një tender transparent, me shumë preventivë, nuk do të dukej i çuditshëm, përkundrazi do të dëshmonte vullnetin e mirë të shtetit shqiptar e përkujdesjen e tij ndaj qytetarëve të vet.

Sipas gazetës së mësipërme emigrantët paguajnë shumë. “Shqiptari i Italisë” i ka përllogaritur përafërsisht fitimet e kompanisë telefonike që kryen shërbimin: 2.400 euro në ditë, 60.000 euro në muaj, 720.000 euro në vit. Nga i gjithë ky biznes shteti shqiptar nuk ka asnjë lloj përfitimi. Emigrantët jo që jo. Megjithëse mund të futen fare mirë në kategorinë e gjerë të punëdhënësve, sidomos zyra konsullore, në kuptimin që është ajo që i jep punë kompanisë së shërbimit telefonik, për sa kohë caktohen takime në emër të saj.

Shumë prej nesh mund “të argëtohen” duke gjetur mënyrën më të mirë të organizimit të këtij shërbimi. Shumëkush do të angazhojë internetin, sms-të, e-mailet, kalendarët online, sekretaret me syze, letrat me pullë, etj. Modeli më i mirë mund të dalë edhe nga një brainstorming virtual. Mjaft ta hapësh lojën, idetë nuk mungojnë. Tek e fundit, mund ta lëmë edhe kështu siç është, nëse bindemi se nuk ka rrugë tjetër më të leverdishme, më efikase e mbi të gjitha më të arsyeshme.

Mirëpo ky diskutim për detaje organizative e shërbimesh telefonike na e fokuson vëmendjen vetëm në një pikë të caktuar, duke harruar kuadrin e gjerë të çështjes: kontributi i emigrantëve është i vyer në shumë drejtime, madje i domosdoshëm për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare. Si rrjedhim, për vetë shtetin shqiptar. Po të ishim të vetëdijshëm për këtë, atëherë çdo shpenzim, qoftë edhe për një numër jeshil në shërbim të emigrantëve, do të na dukej qesharak.

Nuk ka komente

  1. Me siguri nje call center ka paguar rryshfet per ta marre kete sherbim (nga Shqiperia me gjase). Sidoqofte duhet sqaruar sesi eshte bere ky kontraktim nga ambasada.

  2. Nje pyetje kisha ndoshta edhe pa vend: a ka numer telefoni fiks konsullata jone ne Milano? Dhe nese ka pse nuk mund te lihet takim nepermjet komunikimit me kete linje telefonike? Ose mund te shtojne edhe ndonje numer mobile dhe besoj se kostot do te jene shume here me te lira. Apo ka ndonje aresye teknike qe ndoshta ja vlen ta mesoj?

  3. shume njerez mund te marrin takim me telefon (gratis) dhe te mos paraqiten diten e takimit. keshtu qe telefonata ka nje kosto te larte. por mendoj meqenese ka nje rradhe te gjate çdo dite te javes do te thote qe ka nevoje per me shume nepunes qe te mbulojne kerkesat e imigranteve. dhe ajo zyre ne qender te “piazza d’uomo” kush e di sa kushton ne muaj dhe turpi qe kemi çdo here duke pritur si lypsar pas konsullates. kete qeveri kemi dhe mbase e meritojme.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin