PUNA E EMIGRANTËVE NË KOHË KRIZE

Rasti i shqiptarëve në Itali

Të dhënat për praninë e emigrantëve në Itali konfirmojnë ngadalësimin e fortë të rritjes së tyre në numër. Sipas vlerësimeve të Dossier Statistico Immigrazione 2011, prania e rregullt e qytetarëve të huaj në Itali, në fillim të 2011-s, shkon rreth 5 milionë vetë, përgjithësisht pa ndonjë ndryshim të madh nga viti i kaluar.

Raporti 2011 i ISMU (Fondazione Iniziative e Studi sulla Multietnicità) rezulton më optimist, duke e vlerësuar praninë e huaj rreth 5,4 milionë, me fjalë të tjera vetëm 70 mijë më tepër se viti i mëparshëm. Megjithatë, të gjitha institutet e studimit bien dakord me faktin se rënia e pranisë së imigrantëve është pa precedentë. Në fakt, që kur Italia është bërë objekt i migracioneve ndërkombëtare, tendenca e rritjes së qytetarëve të huaj ka qenë konstante.

Nuk është e vështirë të përfytyrohet se mosrritja e emigrantëve lidhet kryesisht me krizën ekonomiko-financiare që po përshkon prej disa vitesh vendet perëndimore e që ka pasur pasoja shumë të rënda edhe në punësim. Megjithatë, është e domosdoshme të bëhet një analizë serioze e të dhënave që kanë të bëjnë me punonjësit emigrantë dhe ecurinë e pranisë së tyre në sektorët e ndryshëm të ekonomisë. Duhet thënë që në fillim se prania e emigrantëve në Itali paraqitet tashmë gjithnjë e më shumë e qëndrueshme e strukturore. Sipas Dossier Statistico Immigrazione 2011, këtë e dëshmojnë një sërë treguesish statistikorë: përqindja e popullsisë rezidente (7,5%), numri i të punësuarve (më shumë se 2 milionë), përqindja mbi forcën e punës+ (përtej 10%-it), titullarët e ndërmarrjeve (228.540), marre e shtetësisë italiane (66 mijë), martesat e përziera (21.357), prania e nxënësve dhe e studentëve të huaj në shkolla, e kështu me radhë.

Emigracioni shqiptar lindi në vitet nëntëdhjetë me eksodet spektakolare drejt brigjeve italiane. Që atëherë ka kaluar shumë kohë dhe tregu i punë s ka ndryshuar jo vetëm në Itali e Shqipëri, por në të gjithë botën. Gjatë viteve numri i shqiptarëve ka shënuar rritje të vazhdueshme, duke arritur në datën 1.1.2011 kuotën 482.627 emigrantësh të rregullt në territorin italian (10,6% të totalit të emigrantëve). Një vit më parë, domethënë në fillim të 2010-s shqiptarët ishin më pak (466.684), ndonëse si përqindje mbi numrin e përgjithshëm ishin më tepër (11%), shenjë se në kategorinë e emigrantëve ka edhe shtetësi të tjera që rriten më shumë. Sidoqoftë, puna është bërë arsyeja kryesore e emigracionit nga Shqipëria, si rrjedhim duhet t’u kushtojmë vëmendje punonjësve shqiptarë që punojnë në sektorët e ekonomisë italiane.

Pyetjet që kanë të bëjnë me punën janë të shumëllojshme. Sa janë shqiptarët që punojnë? Ku punojnë? Në cilët sektorë? Si është zhvilluar në kohë prania e tyre territoriale e lidhur me punën? E së fundi, a kanë ndikim emigrantët në botën ekonomike? Natyrisht, në konceptin e punës futen si të punësuarit, ashtu edhe të vetëpunësuarit. Pjesa më e madhe e shqiptarëve punojnë si të punësuar (me kontratë pune të varur) në ndërmarrjet italiane ose të huaja. Kjo prani përbën edhe objektin e studimit tonë. Para se të zhytemi në shifra e statistika për shqiptarët e punësuar, duhet të kujtojmë aspektin tjetër, d.m.th. atë të sipërmarrësve shqiptarë, me fjalë të tjera të vetëpunësuarit, të cilët janë rritur ndjeshëm në këto vitet e fundit të emigracionit (në fund të 2010-s rezultonin 23.752 shqiptarë titullarë ndërmarrjesh, ose 10,39% e numrit të përgjithshëm të sipërmarrësve të huaj). Gjithashtu, nuk duhet harruar se puna nuk përbën vetëm shtysën kryesore për migracion, por edhe rrugën qendrore të integrimit në shoqërinë e re.

Në datën 1 janar 2011, sipas të dhënave Inail (Istituto Nazionale Assicurazione contro gli Infortuni sul Lavoro – Instituti Kombëtar i Sigurimeve kundër Aksidenteve në Punë), në Itali punonin gjithsej 220.473 shqiptarë. Kjo e dhënë përfshin të gjithë llojet e punonjësve, si ata me kontratë me kohë të caktuar, ashtu edhe ata me kohë të pacaktuar, përfshirë punonjësit stinorë. Ajo që bie menjëherë në sy është se numri i punonjësve shqiptarë ka pësuar një rënie lidhur me vitin e mëparshëm. Në fakt, një vit më parë shqiptarët ishin 224.339. Nuk mund t’ia atribuojmë marrjes së shtetësisë italiane nga ana e qytetarëve shqiptarë as edhe një pjesë të vogël të rënies, sepse baza e të dhënave të Inail-it përfaqëson të gjithë ata që kanë lindur jashtë shtetit. Ulja pra i detyrohet krizës ekonomike, ecurisë së tregut të punës e masave për menaxhimin e hyrjeve të reja të punonjësve të huaj.

Gjatë gjithë vitit 2010 janë marrë në punë nga fillimi 13.855 shqiptarë, shumë më pak se shifra 15.472 e vitit 2009. Kjo do të thotë se tregu italian i punës ka tërhequr më pak shqiptarë. Për të pasur një vizion të saktë e dinamik të situatës së punësimit të shqiptarëve duhet gjetur diferenca midis të punësuarve dhe atyre që kanë dalë nga puna. Shenja, sikurse vitin e kaluar, ka qene negative. Është e qartë se kriza ka filluar t’i godasë seriozisht shqiptarët.

Një tjetër pikë vështrimi shumë interesante do të ishte brenda bashkësive të ndryshme. Si janë shqiptarët në raport ne kombësitë e tjera të pranishme në Itali? Para së gjithash duhet thënë se punonjësit shqiptarë përbënin gjatë 2010-s 7% të të gjithë punonjësve emigrantë. Krahasimi me Rumaninë ka qenë mjaft interesant derisa ishte vend jo komunitar, meqë është vend i lindjes me shumë pika të përbashkëta me Shqipërinë. Tani që Rumania është anëtare e Bashkimit Europian, qytetarët e të cilës gëzojnë liri qarkullimi edhe për punë, krahasimi mund të ishte devijues. Megjithatë, punonjësit rumunë në Itali në datën 1.1.2011 ishin 712.763 (22,7% të totalit), duke zënë vendin e parë absolut, të ndjekur pas nga shqiptarët (7%), nga marokenët 205.667 (6,6% të totalit) e nga ukrainasit (4,7%). Vijojnë për nga numri i të punësuarve kinezët, polakët, moldavët e kështu me radhë.

Po të studiohet diferenca e të punësuarve dallohet menjëherë se rumunët e kanë ndjerë më pak krizën ekonomike (-4.689): bëhet fjalë për diferencë negative pak më e madhe se ajo shqiptare, në terma absolutë, por e papërfillshme si përqindje duke pasur parasysh numrin e madh të komunitetit rumun. Ndryshe është rasti i punonjësve marokenë, që humbasin rëndshëm me 5.132 punësime; pra e kanë pësuar më keq se shqiptarët krizën ekonomike. Diferenca e punësimit të emigrantëve në përgjithësi ka qenë negative gjatë 2010-s. Siç u pa, edhe për bashkësi të mëdha si ajo rumune, shqiptare e marokene. Sipas Dossier Statistico Immigrazione 2011bashkësitë e huaja në Itali janë prekur nga kriza në mënyrë të diferencuar. Kjo varet jo vetëm nga sektorët ku punojnë, por edhe nga rrjetet sociale që kanë krijuar. E dhëna për papunësinë është shumë domethënëse: nga 2008 deri në 2010-n për shqiptarët ka kaluar nga 8,3% në 13,5%, për marokenët nga 10,7 në 19,2%. Gjithsesi, jo të gjitha shtetësitë e kanë mbyllur negativisht diferencën e punësimit me pushimet nga puna. Kanë pasur shenjën pozitive, praktikisht kundër rrymës, vendet e mëposhtme: Kina (2.139), Moldavia (762), Filipinet (612), etj. Me fjalë të tjera, numri i punonjësve të këtyre vendeve është rritur edhe kohët e fundit.

Në fillim të 2010-s pjesa më e madhe e punonjësve shqiptarë ishin meshkuj. Këta përbënin 68,7% të të punësuarve, ndërsa gratë vetëm 31,3% (70.220). Kjo e dhënë, përditësimi i së cilës mungon ende, ka nevojë për t’u interpretuar, sepse emigracioni shqiptar paraqitet aktualisht i ekuilibruar nga pikëpamja gjinore. Po ta merrnim në konsideratë numrin e përgjithshëm të rezidentëve, pra përtej lidhjes me punën, në fund të 2010-s, femrat arrinin 46,3%. Një vështrim i shpejtë kundrejt statistikave të vitit të mëparshëm (përbërja femërore ishte 45,8%) do të na bënte të kuptonim një aspekt të rëndësishëm, d.m.th. rritjen e përqindjes femërore në emigracionin shqiptar. Megjithatë, të dhënat për praninë në punë tregojnë nga një anë prejardhjen mashkullore të emigracionit shqiptar, nga tjetra shpërndarjen më të balancuar në tregun e punës. Natyrisht, ka edhe ndikime kulturore, që çojnë në angazhimin më të madh të grave në punët që lidhen me përkujdesjen ndaj familjes. Ka grupe etnike në Itali që janë “specializuar” (p.sh. Ukraina, Filipinet, etj.) në punët shtëpiake (të punësuara pranë familjeve).

Statistikat konfirmojnë se shqiptarët në Itali punojnë në të gjithë sektorët makroekonomikë. Vihen re përqendrime që ndryshojnë sipas sektorëve, por nuk janë përqendrime të tilla sa të na bëjnë të flasim për “specializim  etnik” në tregun e punës. Në sektorin industrial, deri në fillim të 2011-s, punonin 104.078 shqiptarë, pra pjesa më e madhe. Bëhet fjalë për industrinë mekanike, kimike, ndërtimore, elektrike, ushqimore, tekstile, drunore, etj. Në sektorin e shërbimeve rezultojnë 92.784 të punësuar. Këtu përfshihen nënsektorët si tregtia, transporti, shëndetësia, pastrimet, turizmi, asistenca në familje, etj. Së fundi, bujqësia: në këtë sektor punojnë jo pak shqiptarë: 20.027. Në përqindje, rendi i pranisë në sektorët ekonomikë paraqitet kështu: industria (47,2%), shërbimet (42,1%), bujqësia (9,1%). Diçka ka ndryshuar gjatë vitit. Në fakt, një vit më parë, në industri punonin më shumë shqiptarë (110.731); e kundërta ka ndodhur në sektorin e shërbimeve ku numri i tyre është rritur (ishin 90.056); gati e njëjtë prania e tyre në bujqësi (vitin paraardhës kanë qenë 20.158). Pra është verifikuar një lëvizje brenda tregut të punës të shqiptarëve, një kalim nga industria tek shërbime. Nga përqindjet dallohet që ulet numri i të punësuarve në industri në favor të shërbimeve e të bujqësisë. Në 2009-n shpërndarja ishte kështu: industria (49,3%), shërbimet (40,1%), bujqësia (9%).

Ndryshimi dallohet edhe brenda bashkësive të ndryshme. Ndërsa një vit më parë, për sa i përket shpërndarjes sektoriale, punonjësit marokenë i ngjanin shqiptarëve, tani ngjashmëria i përket vetëm modelit të zhvendosjes brenda tregut të punës. Tek qytetarët marokenë hendeku i pranisë në industri bëhet edhe më i thellë (42%): shqiptarët gjithsesi janë më të shumtë në sektorin industrial. E kundërta ka ndodhur në sektorin e shërbimeve, ku shqiptarët janë më pak në numër se marokenët, të cilët kalojnë nga 44,4% të një viti më parë në 46,7%. Edhe në bujqësi është verifikuar rritje e marokenëve, më e madhe se e shqiptarëve (nga 8,9 në 9,4%). Interesant do të ishte studimi i marrëdhënieve të punës, duke pasur parasysh se në shërbime e në bujqësi mbizotëron karakteri i përkohshëm në marrëdhëniet e punës, shumë më i evidentuar se sa në industri.

Shpërndarja sektoriale e shqiptarëve, pavarësisht nga transformimet e shkaktuara nga kriza, shfaqet në thelb e ekuilibruar. E njëjta gjë mund të thuhet për bashkësinë marokene. Megjithatë, për të treguar se kjo jo gjithnjë është e vërtetë, mjafton të analizojmë shpërndarjen e 146.593 ukrainasve që punojnë në Itali. Pjesa më e madhe punon në shërbime (75,3), më pak në industri (11,9) e akoma më pak në bujqësi (4,3). Brenda shërbimeve veprimtaritë pranë familjeve kanë arritur 47,5% të të gjithë punëve. Kjo shpjegon edhe përbërjen e madhe femërore të emigracionit ukrainas në Itali. Ka të drejtë studimi i Fondacionit Leone Moressa (janar 2012) që pohon se “shpërndarja e imigrantëve në sektorët e ndryshëm të aktivitetit nuk është homogjene në Itali, meqenëse mund të vihen re diferenca edhe makroskopike midis zonave të vendit tonë”.

Brenda industrisë ka shumë sektorë, nga nxjerrja e mineraleve tek industria e naftës, nga sektori i tekstileve tek ai i letrës, nga industria mekanike tek ndërtimi. Përveç industrisë së naftës dhe të energjisë elektrike e të gazit, shqiptarët janë në të gjithë sektorët industrialë. Gjatë 2010-s, pjesa më e madhe e shqiptarëve punonte në ndërtim (28,6%), në industrinë e metaleve (4,9%) e në industrinë ushqimore (2,8%). Për sa i përket shërbimeve, duhet nënvizuar fakti se shpërndarja midis aktiviteteve të ndryshme është përgjithësisht homogjene, ndonëse në vend të parë është sektori hoteleri ku punojnë 11.2% e shqiptarëve. Vijojnë shërbimet për ndërmarrjet dhe tregtia. Aktivitetet pranë familjeve nuk i tërheqin shumë shqiptarët, vetëm 4,8% punojnë në atë sektor.

Statistikat tregojnë se puna e shqiptarëve përqendrohet në veri të Italisë. Kjo për faktin se bëhet fjalë për pjesën më të zhvilluar ekonomikisht të vendit, ku janë edhe mundësitë më të mëdha për t’u punësuar. Gati 60% e shqiptarëve, më 1.1.2011, punonte në krahinat veriore. Krahina e Lombardisë zinte vendin e parë me 42.680 punonjës. Duhet shënuar një rënie e punonjësve në këtë krahinë. Një vit më parë ishin 43.999. Janë verifikuar ndryshime edhe në rendin e krahinave sipas pranisë së punonjësve shqiptarë. Ndërsa një vit më parë vendi i dytë i takonte qartësisht Toskanës, tani ky vend i takon dy krahinave njëkohësisht. Si krahina e Toskanës, ashtu edhe ajo e Emilia Romanjas kanë pasur 12,8% shqiptarë. Në të vërtetë, Toskana ka ndonjë njësi më tepër, por diferenca është me gjithë mend e papërfillshme, diferencë që është shkurtuar gjatë 2010-s. Me pak fjalë, shqiptarët e Toskanës janë reduktuar në numër e janë rritur ata që punojnë në Emilia Romagna. Vendin e katërt e të pestë e kanë zënë Veneto (19.465) e Piemonte (18.522), pasuar nga krahina e Lacios (11.606). Midis krahinave të fundit, vetëm Lacio ka rezultuar në rritje, ndërsa Piemonte e Veneto e kanë ndërprerë traditën e rritjes konstante. Në vendin e fundit është Sardenja, ku punojnë 446 shqiptarë, numër përnjimend modest që tregon nga një anë aftësinë e kufizuar të tregut sard të punës nga pikëpamja e punësimit, por edhe mungesën e traditës migratore të shqiptarëve në atë ishull, e kushtëzuar, midis të tjerash, nga faktorët gjeografikë. Megjithatë, interesant mbetët fakti se punonjësit shqiptarë, në krahasim me vitin e mëparshëm, janë rritur në këtë krahinë, ndonëse me një kuotë të vogël.

Përqindja e punonjësve shqiptarë në krahinat e ndryshme në raport me grupet e tjera etnike mund të na tregonte aspekte interesante. Në realitet shpërndarja e shqiptarëve është mjaft homogjene e në asnjë krahinë nuk arrijnë vlera të tepërta përqendrimi. Në këtë rast na vijnë në ndihmë historia dhe dinamika e flukseve migratore nga Shqipëria. Është e vërtetë që pjesa më e madhe e shqiptarëve punojnë në Lombardi, por në atë krahinë ata përbëjnë vetëm 7,4% të të gjithë punonjësve emigrantë. Krahina që ka pasur përqindjen më të madhe të shqiptarëve ka qenë Toskana me 13,4%. Përbëjnë surprizë Umbria (13%), Marke (11,3), Pulja (12,1%), por mbi të gjitha Liguria (11,5).

Në nivel provincial shpërndarja duket e përpjesëtuar mirë. Nëse përjashtojmë Milanon, ku punojnë 18.077 shqiptarë, ose 8,2% të totalit, Firencen (3,9%), e Romën (3,7%), pjesa tjetër e provincave ka përqindje të ulëta: një tjetër tregues i shpërndarjes së ekuilibruar të punonjësve shqiptarë. E ndryshme duket situata në krahasim me bashkësitë e tjera. Ka territore ku shqiptarët arrijnë përqindje kuptimplote (Pistoia 28,5%, Bari 20,3%, Rimini 14,9%, Savona 17,5%, Kuneo 16,5%, Brindizi 14,8%, Firence 13,6%, Pezaro 13,8%, Teramo 12,2%, Frozinone 10,1), të tjera provinca ku prania është më pak e rëndësishme e shumë pak territore që zbresin nën pragun e 2%-it.

Në 2009-n puna e shqiptarëve nuk shkoi edhe aq mirë. Për shkak të krizës, punësimi i shqiptarëve zbriti me -4.276 njësi. Po gjatë 2010-s çfarë ndodhi? Kriza goditi me të njëjtën forcë. Në të gjithë Italinë diferenca e shqiptarëve midis punësimeve e shkëputjeve nga puna ishte negative, saktësisht -4.329. Për çudi, diferenca negative nuk preku sektorin bujqësor, ku më 1.1.2011 rezultonin 285 punonjës shqiptarë më tepër se vitin e mëparshëm. Shumë më keq e mbyllën sektorët e industrisë (-3.478) e të shërbimeve (-1.186).

Rivizatimi i hartës së punës së shqiptarëve në Itali mundëson jo vetëm njohjen më të mirë të dukurisë migratore, në një moment kritik të situatës ekonomike globale, por lejon vlerësimin e aspekteve të tjera të rëndësishme si integrimi dhe stabilizimi. Pa një hartë të tillë, askush nuk mund të përcaktojë veprime efikase, programimi, mbrojtjeje e asistence, në të dyja brigjet e detit, në favor të shqiptarëve që punojnë, e që në një mënyrë ose tjetër japin kontributin e vet për zhvillimin e rajonit. Njohja e punës së tyre është e dobishme sa në vendin e rezidencës, aq edhe në vendlindje. Nga një anë, puna është e lidhur ngushtë me integrimin, me kompetencat profesionale, me dërgesat financiare e aspekte të tjera të rëndësishme që lëvizjet migratore sjellin me vete, nënvleftësimi i të cilave do të ishte i rëndë veçanërisht në kohë krize. Nga ana tjetër, ekziston rreziku real që rritja e papunësisë tek emigrantët të shkaktojë keqësimin e kushteve të punës e konsolidimin e modelit italian të tregut të punës, ku emigrantët mbajnë pozicione vartëse, duke bërë punët më të rënda e të papreferuara. Pra emigrantët mund të rrezikonin nga ana e të drejtave, të mbrojtjes e të integrimit. Janë për t’u hulumtuar seriozisht edhe pasojat në vendin e origjinës, i cili nuk mund të jetë i imunizuar nga ndryshimet e emigracionit të vet.

Prania e shqiptarëve në tregun italian të punës është strukturore. Edhe pse ka një farë përqendrimi në veri, shpërndarja e punonjësve shqiptarë duket më homogjene se bashkësitë e tjera. Bëhet fjalë për një prani kapilare, ndonëse në disa provinca nuk paraqiten numra kuptimplotë. Në fakt, nuk ka territore italiane ku mos të ketë punonjës shqiptarë. E njëjta gjë mund të thuhet për sektorët ekonomikë. Shqiptarët punojnë në të gjitha fushat e ekonomisë, megjithëse në disa sektorë (p.sh. në ndërtim e në hoteleri) verifikohet një prani më e madhe. Është interesant të vëmë re se si rritja në kohë e femrave nuk ka çuar në prurje të mëdha drejt shërbimeve të familjes. Fuqia punëtore shqiptare është e shpërndarë mirë e përdoret edhe në sektorët përgjithësisht të lënë pas dore nga studiuesit, si bujqësia p.sh., ku shqiptarët zënë vendin e parë midis vendeve jo komunitare. Statistikat dëftojnë para së gjithash stabilitetin dhe integrimin e shqiptarëve në indin ekonomik italian. Megjithatë, për shkak të krizës ekonomike diçka po ndryshon. Duke filluar nga lëvizshmëria brenda sektorëve ekonomikë, që tregon gjithsesi një farë fleksibiliteti të fuqisë punëtore shqiptare, që për dy vjet radhazi humb vende pune. Kjo dinamikë përbën një arsye më tepër për të vazhduar me monitorimin e punës së shqiptarëve në Itali.

Tabela statistikore:

Qytetarë shqiptarë të siguruar në INAIL gjatë 2010-s sipas krahinave – Të punësuar

Qytetarë shqiptarë të siguruar në INAIL më 1.1.2011 sipas sektorëve – Të punësuar

Bibliografia

Caritas/Migrantes, Dossier Statistico Immigrazione 2011, Idos, Roma.

Cnel, Rapporto sul mercato del lavoro 2010 – 2011, Roma 2011.

Fondazione Leone Moressa, L’occupazione straniera: esiste un effetto sostituzione? La presenza straniera nei settori di attività e nelle professioni, Mestre gennaio 2012.

Inail, Istituto Nazionale Assicurazione contro gli Infortuni sul Lavoro.

Ismu, XVII rapporto sulle migrazioni 2011, Milano dicembre 2011.

Italia Lavoro, L’immigrazione per lavoro in Italia: evoluzione e prospettive, Roma 2011.

Rando Devole, L’immigrazione albanese in Italia, Agrilavoro ed., Roma 2006.

Rando Devole, Ura mbi det, Ora, Tirana 2008.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin