LEZHA PRITI SOT SKËNDERBEUN

Sot u festua, në qytetin e Lezhës, 568 vjetori i Kuvendit të Lezhës, me pjesëmarrjen e Kryeministrit Berisha dhe të figurave të tjera përfaqësuese të institucioneve të shtetit dhe të shoqërisë civile.

Mediat u morën, nga mëngjesi në mbrëmje, me një incident sa protokollar aq edhe të turpshëm, që kish të bënte me (mos)pjesëmarrjen e Presidentit të Republikës Bamir Topi në ceremoni (emblematik fakti që krerët e sotëm të shqiptarëve nuk arritën dot të bëhen bashkë në përkujtim të një kuvendi që kish arritur t’i mblidhte krerët e Arbrit këtu e 5 shekuj e kusur më parë).

Me këtë rast, në fjalimet e tyre, dinjitarët e lartë theksuan rëndësinë e kësaj ngjarjeje për periudhën që do të pasonte, por edhe vlerën e saj simbolike, si moment i bashkimit të arbërve kundër kërcënimit osman.

Natyrisht, është në vetë natyrën e historisë që t’u ofrojë mundësi interpretimi dhe shfrytëzimi brezave të ardhshëm, për synimet e tyre.

Megjithatë historia u vjen këtyre brezave nëpërmjet historiografisë; dhe kur kremtojmë data historike, duhet të sigurohemi për vërtetësinë e tyre dhe të verifikojmë informacionet faktike, para se t’i përdorim ato për të glorifikuar vizionet tona populiste ad hoc.

Kështu, në harenë e përgjithshme, pakkush u kujtua të vërente se Kuvendi i Lezhës, si ngjarje e rëndësishme e asaj kohe, nuk lajmërohet në asnjë dokument të kohës; prandaj të dhënat që kemi për të i nxjerrim nga historianët e mëpasëm: Barleti, Muzaka dhe Frangu.

Sipas Schmitt-it, mungesa e dokumenteve dhe e raporteve për këtë tubim, sidomos në arkivat venedikase (Lezha ishte zotërim venedikas aso kohe), do të shpjegohet si pasojë e dy zjarreve të mëdha që kanë shkatërruar pjesë të këtyre arkivave.

Megjithatë, duke u nisur nga fakti që as Venediku, as Ragusa nuk dërguan përfaqësues të tyret në këtë mbledhje fisnikësh, ndonjë historian ka nxjerrë përfundimin që fuqitë lokale, në Adriatik, nuk i dhanë ndonjë rëndësi takimit, ose nuk deshën të ekspozohen shumë, ndaj një ndërmarrjeje që nuk dihej si do të shkonte (Venediku dërgoi vetëm një vëzhgues).

Më anë tjetër, datën e 2 marsit 1444, kur është mbledhur pas gjase Kuvendi, e gjejmë vetëm te historia e Biemmi-t, e cila është pranuar tashmë botërisht si vepër e sajuar, ose falsifikim. Asnjë autor tjetër, as Barleti, as Muzaka, as Frangu nuk e jep këtë datë.

Me fjalë të tjera, shteti shqiptar e festoi përvjetorin e Kuvendit të Lezhës mbi një datë të nxjerrë nga një dokument i rremë dhe të pakonfirmuar gjetiu.

Në fjalimet e tyre sot, edhe Berisha edhe Topi i dhanë rëndësi të madhe karakterit “kombëtar” të Kuvendit; madje kryeministri theksoi edhe se:

568 vjet më parë, në këtë qytet, në këtë djep, lindi parimi përjetësisë së shqiptarëve, parimi i bashkimit të tyre, parimi i shenjtë, “Një komb, një qëndrim”. Shqiptarët u bashkuan në Lidhjen e Lezhës, qëndruan dhe shkruan kapitullin më të ndritur të së gjithë historisë së tyre kombëtare.

Është e vërtetë se pjesëmarrësit, në atë kuvend, e zgjodhën Skënderbeun, sipas Muzakës, capitano generale degli Signori d’Albania; por nëse kjo Albania duhet kuptuar edhe si emër i kombit dhe jo vetëm gjeografik i territorit, kjo mbetet e diskutueshme. Në fakt, disa historianë kanë vërejtur se në trojet e përfshira në zotimet e atij tubimi, kishte edhe sllavë të Jugut dhe vllehë – meqë synimi ishte organizimi i rezistencës ndaj osmanëve, jo themelimi i ndonjë AKZ-je ante litteram.

Më në fund, zgjedhja pikërisht e Lezhës zotërim i Venedikut për të mbajtur këtë kuvend është interpretuar zakonisht si një gjest i bujarëve shqiptarë, me Skënderbeun në krye, ndaj Republikës së Venedikut, për t’i treguar kësaj se nuk kishin synime kundër saj, madje edhe me shpresë se do të siguronin prej saj përkrahje. Ndonjë autor ka përmendur edhe pozitën gjeografike të përshtatshme të këtij qyteti.

Kristo Frashëri mendon se Lezha u zgjodh edhe për të kënaqur Dukagjinët, të cilët e kishin pasur dikur zotërim të tyrin dhe tani kishin marrëdhënie të mira me Republikën e Shën Markut. Plasari, ndërkohë, bën të vetën pikëpamjen e Bozhiqit, sipas të cilit Lezha u zgjodh për këtë Kuvend edhe ngaqë “edhe po të donte, nuk mund t’i kundërvihej mbajtjes [së tij]”, ngaqë nuk e kish marrë më veten, pasi ishte djegur në 1440.

Se pse u mbajt Kuvendi në Lezhë, këtë e shpjegoi sot edhe kryeministri shqiptar Berisha:

Nuk është e rastit që u zgjodh Lezha si sofra, si djepi, si logu i këtij Kuvendi. Ajo u zgjodh se zemra juaj, shpirti juaj, virtyti juaj ishte më i arriri.

Ky shpjegim krejt origjinal ndoshta meriton vëmendjen e menjëhershme të historianëve. Unë, meqë historian nuk jam, po mjaftohem ta quaj këtu qesharak, dhe të padenjë për një kryeministër të një vendi europian, që u flet qytetarëve të vet.

Në përgjithësi, Skënderbejada është një koleksion bëmash unike, për historinë e Arbrit dhe, për metonimi, tonën sot – aq sa kremtimi i saj nuk ka nevojë të mbështetet në përrallë infantile. Duke e përvetësuar, politika veç po e shpërdoron njëlloj sikurse ka vepruar tani së fundi me çdo pasuri tjetër kombëtare, materiale dhe shpirtërore.

Nuk ka komente

  1. Lesha u zgjodh per te gjitha arsyet e mesiperme, me kryesori besoj une, sepse ishte qytet asnjanes, pasi nese mblidhej ne çdo qytet apo keshtjelle tjeter, do te interpretohej si paresi e fisnikut te atij qyteti ndaj te tjereve.

    Vete dalja e Skenderbeut mbi te tjeret, sado primus inter pares ( parimi i oligarkise se mirefillte) duhet te kete qene nje fakt trondites per te gjithe, por politikisht i domosdoshem.

    Berisha s’mund te pranonte askend, aq me pak Topin i cili formalisht eshte siper tij, meqe duke sjelle karagjozet nga Maqedonia e Kosova, donte te dilte si Skenderbeu i radhes.
    Thaçi ia futi, meqe e nuhati kurthin simbolik te Berishes, prania e tij atje do te thoshte te pranonte paresine, primus-in e Berishes, ne nje kohe qe Thaçi kerkon te jete ‘pares’ me Berishen, pa ‘primus’ fare.

    Kjo eshte deshmia e radhes se bashkimi nuk eshte aspak problem per masat, por per parite. Qe shqiptaret te bashkohen me kete mendesi historike te parive, duhet qe te kete ndonje lufte, Beselidhja e Lezhes, Lidhja e Prizrenit, Pavaresia, Mukja jane te gjithe shembuj te shqiptareve ne lufte.

    Ne kohe paqe ehe s’ka shpresa.

    ”’meqë synimi ishte organizimi i rezistencës ndaj osmanëve, jo themelimi i ndonjë AKZ-je ante litteram.”’

    Interesant ky koncepti ”AK ante litteram”, po e kerkoja, latinishtja ben pune ndonjehere.

    Gjithsesi AK-ja e beri mitingun e saj te pare te paligjshem, mblodhi me shume njerez sesa PD-ja e Shteti bashke, tregoi qe s’ka frike nga Berisha.

  2. Xha-xha, nga lenda e historise kam mesuar se Gjergj Kastriot Skenderbeu u perpoq ti bashkonte priresit e asaj kohe, ndersa ky Salibeu i sotem ka sjell vecse percarje dhe keqdashesi. A e meriton valle qe ky malok autokton te etiketohet me emrin e te nderuarit Skenderbe? Apo, thjesht ju kerkuat ti jepnit qofte edhe nje mundesi per te rezatuar pak skenderbegllek?

  3. Ka ndonje te dhene historike qe kjo e Lezhes te jete quajtur Beselidhje? Pyes meqe u permend ketu analogjia me AKZ-ne si forme e propagandes ne librat tane.

  4. Une nuk dua te ndalem ne aspektin politik te fjalimit te Berishes e te tjereve, se eshte e qarte ne keto kuvende politikanet shohin vota dhe ndjekes te politikes se tyre. Sa per ignorancen e krereve politikane dhe atyre qe u shkruajne fjalimet, ajo (injoranca) sa vjen e rritet gjithnje e me shume.
    1. Kuvendi i Lezhes i bashkoi shqiptaret, por nuk i vendosi ata nen mbreterine e Skenderbeut. Skenderbeu mbeti prijes ushtarak (capitano). Shqiperia edhe sot s’mund ti largohet hijes se diktatures. Skenderbeu, heroi yne kombetar s’ka qene kurre mbret i trojeve shqipetare. Hoxha u mundua te theksonte uniteting kombetar ne nje shtet te drejtuar vetem nga nje lider. Berisha dhe te tjeret fatkeqesisht s’mund ta kapercejne ate prag edhe pse hiqen si demokrate. Berisha po ben afer 20 vjet ne pushtet. S’ma ha mendja qe Skerdebeu te kete perdorur sloganin “Një komb, një qëndrim”.

    2. Une mendoj se nuk ka shume rendesi pse u zgjodh Lezha, qe probabilisht ne ate kohe ishte me shume nje fshat, e per me teperi djegur e i shakteruar, ose pse ishte ne udhekryq te rrugeve tokesore apo detare, ose qe ishte afer Venedikut e per pasoje afer fuqive te medha te krishtere te asaj kohe. Rendesi ka qe u be, dhe hodhi te pakten idene e bashkimit te principatave shqipetare. Dhe ky bashkim dha frytet e veta ne luften e Skenderbeut. Shembull i nevojshem per brezat e mepparshem dhe te tanishem, ndoshta edhe per te ardhmen. Ne kete aspekt Kuvendi i Lezhes eshte kuvendi i pare politik shqipetar ne forme (prijesa kryesisht shqipetare) dhe permbajtje (bashkimin e forcave ushtarake dhe mbeshtetjen ne popull).
    Rendesia e ketij kuvendi qendron ne fund te fundit ne ate qe prijesit shqipetare kishin individualitetin e tyre etnik/kombetar dhe e kuptuan qe te percare nuk mund ti perballonin dyndjet osmane. Se dyti principatat qe morren pjese ne te ishin gjeografikisht ne territorin e sotem shqiptar. Fakt qe thekson edhe nje here karakterin kombetar te lidhjes. Cuditerisht e njejta lidhje u imitua ne kohen e Lidhjes se Prizerenit. Sa me thelle ne historine e vjeter te shkosh aq me shume veren se shqipetaret ishin “demokrate”,individe te lire. Kishin nje prijes, por nik i sherbenin atij e asnje tjetri. Mbreterite erdhen me Vidin,( te importuara) vazhduan me Zogun e deri tani ne shekullin e 21te. Me pare kishte vetem kuvende e lidhje.

    Jam kurrioz te di nese Lidhja e Lezhes kishte edhe karakter religjioz? Lezha njihet qe ka qene pjese e Shqiperise katolike.

    Ne fund te fundit artikulli eshte nje shkrim shume i goditur. Le te ruajme ate cka eshte kombetare dhe te perdorim njohurite tona per te forcuar ate imazh aq te nevojshem per te gjithe ne, sigurisht jo te bazuar ne perralla feminore por ne ato pak fakte qe kemi. Diaspora shqipetare eshte me e gjere se kurre le te shfletojme librat e gjithe bibliotekave e universiteteve kudo qe jemi e mbase do te gjejme ndonje fakt te vlefshem….

  5. ” Nuk është e rastit që u zgjodh Lezha si sofra, si djepi, si logu i këtij Kuvendi. Ajo u zgjodh se zemra juaj, shpirti juaj, virtyti juaj ishte më i arriri.”

    Ky shpjegim krejt origjinal ndoshta meriton vëmendjen e menjëhershme të historianëve. Unë, meqë historian nuk jam, po mjaftohem ta quaj këtu qesharak, dhe të padenjë për një kryeministër të një vendi europian, që u flet qytetarëve të vet.

    Në përgjithësi, Skënderbejada është një koleksion bëmash unike, për historinë e Arbrit dhe, për metonimi, tonën sot – aq sa kremtimi i saj nuk ka nevojë të mbështetet në përrallë infantile. Duke e përvetësuar, politika veç po e shpërdoron njëlloj sikurse ka vepruar tani së fundi me çdo pasuri tjetër kombëtare, materiale dhe shpirtërore.

    Ketu qendron thelbi i ketij artikulli….dhe une jam dakort.

  6. Dy incidente rradhazi i pari me hapjen e ambasadës kosovare në Tiranë dhe ky i dyti i Lezhës. Po ithtarët e “bashkimit kombëtar” ku janë? Apo nuk u kërcet shumë trapi se gjysma e shqiptarëve kanë qënë të papërfaqësuar në këto evente kombëtare?

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin