TEODOR SHKODRANI

Mbrëmë, kur kërkoja një referencë për mbishkrimet shqipe, ndesha në Teodor Shkodranin – ose në veprën më të hershme në shqipe, e cila ende nuk është parë nga askush, veç zbuluesit të saj, Musa Ahmetit.

Sikurse të gjithë të interesuarit e dinë, Musa Ahmeti – studiues shqiptar i bazuar në Zagreb  – lajmëroi botën mbarë se kish zbuluar librin më të hershëm shqip në arkivin sekret të Vatikanit: një dorëshkrim i vitit 1210, nga një Teodor Shkodrani, në trajtën e traktatit filozofik, teologjik dhe historik.

Nuk po zgjatem në këtë parashtresë: Forumi shqiptar u ka bërë një përmbledhje shumë të mirë shkrimeve që shoqëruan njoftimin sensacional (lexohen me ëndje të madhe, sidomos tani kaq vite më pas); i cili atëbotë u përshëndet ndër të tjerë nga Dhimitër Shuteriqi, Moikom Zeqo, Pranvera Bogdani dhe Shaban Sinani; dhe u kundërshtua, ndër të tjerë, nga Ardian Klosi, Aurel Plasari dhe unë.

Çfarë më intereson këtu, është se edhe pse gati dhjetë vjet kanë kaluar që nga “zbulimi” epokal (apo duhet të them zbulesa?), libri i Teodor Shkodranit mbetet një objekt imagjinar ose ektoplazmë dëshirash patriotike; askush nuk e ka parë, madje as edhe një faqe të vetme të tij, në një kohë që Musa Ahmetin tashmë e kanë denoncuar haptazi, në mediat, si sharlatan dhe mashtrues.

Edhe sikur të ishte i tillë, nuk do të ishte as i pari, as i fundit. Kjo çështje tërheq vëmendjen jo për mashtrimin, as për mirëbesimin naiv të publikut, duke përfshirë aty edhe studiues të mirënjohur të këtyre punëve, por për kokëfortësinë ose persistencën e kësaj rrene në kohë.

Populli thotë: në mos qoftë, u sajoftë; dhe kjo gjen zbatim të mrekullueshëm në historinë e dorëshkrimit enigmatik të Teodor Shkodranit.

Askush nuk e ka parë, askush nuk di se çfarë shkruhet aty dhe si është shkruar, askush nuk e ka verifikuar; por ndërkohë Teodor Shkodrani e ka çarë rrugën dhe ka bërë vend deri edhe në Enciklopedinë Britanike, në një artikull pas gjase të përgatitur nga Peter Prifti, ku përshëndetet si shembulli më i lashtë i shkrimit shqip:

Ndërkohë, në historinë e vet të letërsisë shqipe, edhe Robert Elsie i jep kryet e vendit këtij autori – deri më tash imagjinar – duke i rrëfyer lexuesit, edhe ai, si një dorëshkrim 208-faqesh u zbulua në Arkivat Sekrete të Vatikanit nga “dijetari” Musa Ahmeti, i shkruar me dorë dhe i zbukuruar me miniatura të praruara dhe iniciale me ngjyra; dorëshkrim ku faqet 1-97 merren me teologji, faqet 98-146 me filozofi dhe faqet 147-208 me historinë e botës së njohur, nga viti 154 A.D. deri në vitin 1209 (për fat të keq, duket se Teodor Shkodrani nuk paska arritur ta përfshijë në këtë trajtesë historiografike ngjarjen super-historike të dorëshkrimit të vet).

Elsie duket se ka rënë viktimë jo aq e mashtrimit (meqë mashtrimi do të parakuptonte edhe ekzistencën e objektit të rremë), sesa e një zhurme të kotë mediatike, të ngritur nga një autor joserioz, i cili e ka dëmtuar albanologjinë me marifetet e veta.

Edhe pak dhe njoftimi për Teodor Shkodranin dhe traktatin e tij 208-faqesh do ta gjejë rrugën edhe në tekstet shkollore, krah për krah pellazgëve dhe krijesave të tjera imagjinare, me të cilat kemi dëshirë të kullandrisemi dhe sipas rastit i thërresim që nga mbretëria e të mundshmes.

Kush është Teodor Shkodrani sot? Si një entitet i ngecur – pas gjase përfundimisht – në hapësirën midis ekzistencës dhe mosgjësë, sa kohë që askush nuk e ka parë dorëshkrimin e tij, ai i përket një klase të veçantë qeniesh, të cilat kanë të bëjnë më shumë me algjebrën sesa me historinë: është autori i librit të parë shqip si të tillë, ose i një objekti i cili ka vlerë historike vetëm e vetëm sa kohë, ose në atë masë që është më i vjetër se çdo objekt ose artifakt tjetër i zbuluar ose që do të zbulohet më pas.

Dukuria i intereson para së gjithash semiologut – meqë kemi të bëjmë me një shenjë ose me një shifër, më parë edhe se me një objekt, të mirëfilltë ose të rremë; dhe Teodor Shkodrani shfaqet në vetëdijen kolektive të shqiptarëve, më shumë sesa si personazh historik, si ngushëllim i garantuar për faktin, e trishtuar në vetvete, që shqipja ashtu siç e njohim është shkruar shumë vonë. Data e dorëshkrimit të tij, 1210, nuk ka ndonjë vlerë në vetvete, në krahasim me efektin e shtyrjes tre shekuj mbrapa të datës së botimit të librit të parë shqip, Mesharit të Buzukut (1555).

Ajo datë garanton, në mënyrë më shumë logjike sesa historike, që gjithnjë ka diçka më të vjetër, më të hershme, më të përtejshme se ajo çka dimë dhe njohim; një cak kohor në thelb transhendental, që nuk mund të arrihet dot, pse gjithnjë shtyhet tutje kur i afrohemi; ose sinorin e mbretërisë së prehjes, për të gjithë adhurimtarët e së lashtës.

Nuk ka komente

  1. Musa Ahmeti, sikurse e permendni dhe ju Xhaxha, ka vertetuar me doren e vete qe eshte nje mashtrues ordiner. Megjithate ne nje rajon sic eshte Ballkani ne nuk jemi te vetmit qe shpikim histori te paqene. Nuk dua te zgjatem me tej ketu, por mjafton te permend rastin e Greqise e cila ia ka arritur te privatizoje figura te rendesishme historike (qofshin keto edhe safi shqiptare, si arvanitet), si dhe ngjarje e fakte te shumta te tjera historike. Shume prej ketyre privatizimeve ia kane dalur qe te behen tashme pjese te enciklopedive te ndryshme. A duhet qe edhe shqiptaret te kopjojne Greqine? Sigurisht qe jo, por ndonjehere edhe heshtja mund te kete vlere ne rrethanat e caktuara te nje kombi. Kjo sidomos gjate problemeve gjeo-politike te rajonit ballkanik ne te cilin ndodhemi. Mos harrojme qe zhurma e Teodor Shkodranit ka filluar andej nga fillimi i viteve 2000. Vetem pak kohe pasi ishte “zgjidhur” konflikti ne Kosove.

  2. Tek forumishqiptar gjeta :

    Shkencëtarët dhe pseudoshkencëtarët shqiptarë u ndan dysh. Përkrahësit ishin: Dhimitër Shuteriqi, Pranvera Bogdani, Nasho Jorgaqi, Moikom Zeqo, Shaban Sinani, Skënder Blakaj e shumë të tjerë. Kurse, ata që kundërshtonin kategorikisht ishin: Aurel Plasari, Kristo Frashri, Ardian Klosi, arbëreshi Matteo Mandala etj. Nga të huajt, duhet cekur patjetër emrin e Robert Elsies, i cili edhe në botimin e historisë së letërsisë ka kapitullin me emër “Teodor Shkodrani (1210) dhe shkrime të tjera të hershme“. Është e ditur se financimin e Musa Ahmetit e bëri Behxhet Pacolli (me referenca të Skënder Blakajt). Kur është “rifotokopjuar“ vepra “Illyricum Sacrum” gati se kanë ngatërruar lexuesit autorët e vërtetë dhe botuesit, pra nuk dihej a ishin autorë jezuitët e njohur Riceputi, Farlati, e Coleti apo Musa Ahmeti e Skënder Blakaj (!?).

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: