GJIMNAZISTËT NË MIT

Me shkrimet e mëparshme u përpoqa të argumentoj se, në tekstet e historisë së shqiptarëve për klasën e 12-të të shkollës së mesme, periudha e lashtësisë dhe çështjet e etnogjenezës janë trajtuar në mënyrë joshkencore, për të ushqyer jo dijen racionale, por mitin kombëtarist.

Përtej argumentimeve në hollësi, të cilat lexuesi i gjen në shkrimet përkatëse, dua të kujtoj këtu se mangësitë kryesore të trajtesave lidhen me (1) teorinë (pseudo-teorinë) e autoktonisë absolute, sipas së cilës jo vetëm shqiptarët, por edhe ilirët e pellazgët janë autoktonë dhe janë formuar pikërisht në trojet ku jetojnë sot shqiptarët dhe (2) shpërfilljen pothuajse të plotë që i bëhet indo-europianistikës.

Ashtu siç është parashtruar në këto tekste, autoktonia absolute mbështetet në një hipotezë krejt të diskutueshme; që nuk ka gjetur kund mbështetje, ja ngaqë është e tërhequr për flokësh, ja për shkak të etnocentrizmit të hapur.

Sikurse është pranuar tashmë, ilirët janë popull indo-europian, që i përkasin familjes indo-europiane. Kjo do të thotë që ilirët, së bashku me popuj të tjerë indo-europianë, si keltët, gjermanikët, grekët, latinët, sllavët, etj., kanë filluar të formohen kur jetonin së bashku, në një zonë gjeografike të caktuar, dhe pastaj janë përhapur anembanë dy kontinenteve, Azisë dhe Europës, ku jetojnë sot pasardhësit e atyre popujve dhe ku fliten sot e kësaj dite gjuhët indo-europiane; dhe se brenda konceptit indo-europian, vetë ideja e autoktonisë nuk mund të jetë veçse relative, madje edhe në kontekstin hipotetik kur formimi i një etnosi (p.sh. ilirët) t’i detyrohet në masë të madhe influksit prej një substrati vendës (p.sh. substrati joindoeuropian i Ballkanit perëndimor).

Në vija të trasha, të thuash madje të shpallësh që jo vetëm shqiptarët, por edhe ilirët janë autoktonë, do të thotë atëherë të nënkuptosh se trojet ku flitet sot shqipja janë edhe djepi i popujve dhe i gjuhëve indo-europiane.

Kjo teori është absurde – edhe pse jo krejt e pamundur, meqë se ku ka qenë pikërisht djepi i indo-europianëve ende diskutohet. Megjithatë, kur një arkeolog shqiptar formulon një teori të tillë, duke e vendosur kërthizën indo-europiane në Shqipëri, atëherë e gjithë kjo bie erë kombëtarizëm dhe mitologji.

Shto këtu edhe se teoria për autoktoninë ilire, nuk duket të ketë gjetur mbështetje nga ilirologjia, një degë e indo-europianistikës e cila i studion ilirët në vetvete, ose në mënyrë të pavarur nga lidhjet iliro-shqiptare.

Mangësia tjetër e madhe në këto tekste lidhet me shpërfilljen që i kanë bërë autorët arritjeve të gjuhësisë krahasimtare, brenda dhe jashtë albanologjisë, sa i përket lashtësisë dhe etnogjenezës së shqiptarëve. Historia e ilirëve dhe e bëmave të tyre dhe e stolive që përdornin dhe e mënyrës si i varrosnin të vdekurit është e gjitha me interes të madh, por në tekstet e shkollës së mesme vëmendja ndaj kësaj historie përligjet vetëm në kuadrin e argumentimit të prejardhjes së shqiptarëve prej ilirëve dhe shqipes prej ilirishtes, jo në vetvete.

Kjo do të thotë se ilirët (dhe pellazgët) i gjen në këto tekste për arsyen e thjeshtë që nxënësve u duhet thënë diçka për prejardhjen e shqiptarëve dhe të shqipes. Dhe nëse është kështu, atëherë autorët e programeve dhe të teksteve me qëllim kanë lënë jashtë një klasë argumentesh dhe provash që janë të domosdoshme dhe të pazëvendësueshme, për të kuptuar se çfarë ka ndodhur me të parët tanë në lashtësi: lidhjet e tyre me popuj të tjerë, vendet se ku kanë jetuar, marrëdhëniet me grekët e vjetër, latinët dhe keltët, e kështu me radhë – gjuhësinë historike. Pa përmendur këtu kontributet e jashtëzakonshme të indo-europianistëve dhe albanologëve të huaj si Meyer-i, Jokl-i e të tjerë për të kuptuar historinë e hershme të shqipes, do të mjaftonin veprat që kemi nga Çabej dhe Demiraj, për të hartuar një tablo të qartë dhe logjike, të pozicionit dhe evoluimit të shqiptarëve të lashtë, në marrëdhënie me truallin ku jetonin dhe popujt që kishin përreth. Tek e fundit, edhe linja e teksteve në fjalë titullohet Historia e shqiptarëve, jo historia e bëmave të Agronit, Teutës, Bardhylit, Gentit, Batos dhe Pirros, të cilat nuk na thonë ndonjë gjë të madhe për etnogjenezën; por kanë zënë vend në tekste thjesht për t’i mbushur e për t’u dhënë pamjen “e duhur.”

Tekstet në fjalë, për shkak të mëkatit të parë kombëtarist, vuajnë edhe nga një autarki e papranueshme e mendimit albanologjik – sa kohë që aty nuk merren parasysh (shpresoj qëllimisht, jo nga padija) arritjet e sotme të dijes në fusha të tilla si indo-europianistika, gjuhësia e krahasuar dhe ilirologjia; në një kohë që mbizotërojnë referimet ndaj Hahn-it dhe fosileve të tjera të shekullit XIX, kur historia e lashtë e shqiptarëve ishte ende pronë e romantizmit dhe ekzotizmit të udhëtarëve nga Perëndimi, të mbrujtur me filologji klasike.

Kjo dukuri nuk është pa lidhje me faktin e thjeshtë, por brutal, që dija e sotme albanologjike në botë i ka kapërcyer me kohë pozicionet ku janë ende të barrikaduar arkeologët tanë dhe amatorët që i kemi me shumicë në këtë fushë.

Prandaj, dija që po u japim gjimnazistëve tanë për lashtësinë është e tillë që, në vend që t’i afrojë me moshatarë të tyre anembanë Europës, i largon; duke u ofruar një zhguall, jo një dritare.

Nga kjo pikëpamje, tekstet në fjalë nuk përhapin dritë, por e pengojnë atë – duke ua errësuar mendjen nxënësve dhe duke i mbajtur ata larg së vërtetës (madje edhe kur kjo e vërtetë nuk njihet, siç është rasti me lashtësinë parashqiptare).

Dukuria nuk mund të këqyret në shkëputje dhe veçmas vërshimit, që ka ndodhur në botimet me natyrë albanologjike, të titujve dhe veprave të shkruara nga amatorë dhe njerëz të marrë ose të fantaksur, të cilët janë pranuar në qerthull vetëm e vetëm për shkak të dashamirësisë së tyre ndaj shqiptarëve dhe çështjes shqiptare; ose faktit që teoritë e tyre ia kanë krehur bishtin megalomanive kombëtariste.

Të tilla janë vepra si ajo e Mathieu Aref-it, të cilat u rekomandohen nxënësve për t’i lexuar; ose edhe Enigma, e Robert d’Angély-së, kopertina e së cilës riprodhohet deri edhe në ilustrim, nga Pegi, në seksionin Të njohim burimet kryesore të shkruara në shkrimin e historisë së shqiptarëve (arkivat kryesore dhe puna me to, veprat monumentale të albanologëve të njohur):

Ky libër i fundit (të cilin u dashka ta mbajmë si “vepër monumentale të albanologëve të njohur”)  i bashkon në një kolkloz pellazgët, etruskët, grekët dhe shqiptarët, të cilët i konsideron si “e njëjta gjë”, duke e quajtur gjuhën pellazge ose shqipe si “gjuhë universale e botës së bardhë antike”; dhe duke u gjetur vend në ekuacione deri edhe albanëve të Kaukazit.

Autori, një dashamirës frëng, procedon me dorë të rëndë, duke kaluar nga një etimologji fantastike në tjetrën, si kur i nxjerr trakët nga i trashë, eolët nga ay i holli, akejtë nga aq i hijshëm, lelegët nga lejlekët, greqishten kyrios nga krye, Apollonin nga ai që hap yllin, ose që çel udhën, Helenën nga e lëna (nga mendtë), Italinë nga vetulla, Pitagorën nga bythëgjeri dhe emrin e lashtë të etruskëve, rasena, nga (t)rashëna (ne jemi trakë).

Po ky autor parashtron, në veprën e vet, se “si gjuhë e folur, etruskishtja jo vetëm që nuk u zhduk, madje jetoi, lulëzoi dhe vijon ende sot nën emrin e gjuhës shqipe: dialekti toskë, që flitet në Toskërinë shqiptare.

Këto shkruan Robert d’Angely, librin e të cilit në shqip e ka sjellë… gjuhëtari përndryshe i shquar dhe serioz, Xhevat Lloshi (kam mbetur gojëhapur kur kam parë emrin e Lloshit në kopertinën e brendshme të librit; meqë ia njoh edhe mprehtësinë shkencore edhe përgatitjen; por kështu është katandisur gjuhësia shqiptare, kur një nga më të mirët e brezit të vet, si Lloshi, ia lejon vetes ose detyrohet të përkthejë marrëzitë e D’Angely-së).

E kotë të shtoj që libri Engima nuk është i tillë, që t’u rekomandohet nxënësve të shkollës së mesme; në një kohë që në Shqipëri qarkullojnë vepra të mira, të cilat trajtojnë çështje të ngjashme, por në mënyrë disi më racionale – duke përfshirë këtu edhe veprën e Dh. Pilikës për pellazgët (me të cilën unë kurrsesi nuk pajtohem, por të paktën aty nuk ka gafa katastrofike, si ato të d’Angely-së); dhe sidomos librin Epiri, pellazgët, etruskët dhe shqiptarët, të Sh. Demirajt, botuar në 2008.

Mund, madje duhet pyetur se pse, nga moria e veprave albanologjike që qarkullojnë librarive të Tiranës, autorët e tekstit të Pegi-t kanë zgjedhur të rekomandojnë pikërisht Engimën e D’Angely-së. Padija nuk është për t’u përjashtuar; por më tepër se padija, kam frikë se faktor vendimtar ka qenë dëshira për ta themeluar albanologjinë jo aq si dije, sesa si një lloj miti autarkik të shqiptarëve hyjnorë, të cilët D’Angely-ja i nxjerr në origjinë të “botës së bardhë antike”, duke i lidhur me pellazgët, etruskët dhe popuj të tjerë të parahistorisë.

Më duket e papranueshme që Ministria e Arsimit e Republikës Shqiptare të ketë miratur programe të tilla, ku nxënësve të vitit të fundit të shkollës së mesme u jepen njohuri të tilla pa bazë shkencore, të mbështetura në teori dhe hipoteza të vjetëruara dhe irracionale, dhe që qëllimisht shpërfillin arritjet e sotme në fushat përkatëse ose i përzgjedhin faktet dhe rezultatet sipas dëshirës, vetëm e vetëm për t’i shërbyer jo ndriçimit të mendjeve, por errësimit të tyre, me një mit kombëtarist që jo vetëm është i gënjeshtërt ashtu siç paraqitet, por edhe de facto na ndan prej popujve të tjerë, duke na paraqitur si unikë dhe të papërsëritshëm deri edhe në virtytin tonë etnogjenetik.

Nuk ka komente

  1. Tema është serioze dhe më ka kushtuar punë dhe mund për ta përgatitur. Lutem mos komentoni me budallallëqe.

    Në fakt, prej javësh i kisha lënë të pamoderuara komentet; por vura re se, në temat e fundit, ra shumë niveli i kontributeve. Fajin për këtë pjesërisht e ka edhe një kulturë komentimi që po zhvillohet, spontanisht, në sajte të tjera. Gjithsesi, tash e tutje do të eksperimentoj një politikë tjetër, shumë më të shtrënguar – të shohim.

  2. Së pari, do doja të komentoj mbi pjesën “Kjo do të thotë që ilirët, së bashku me popuj të tjerë indo-europianë, si keltët, gjermanikët, grekët, latinët, sllavët, etj., kanë filluar të formohen kur jetonin së bashku, në një zonë gjeografike të caktuar”.

    Popujt indo-europianë u formuan gjatë emigrimeve dhe ngulimeve fillëstare, jo gjatë periudhes (proto)-indo-europiane. Faktikisht nuk ekziston asnjë dallim kulturor, i cili funksionon si tregues etno-gjuhësor në atë periudhë. Populli i cili u bë i njohur si ilirë po të kishte emigruar në Greqinë jugorë, mund të ishte bërë një fisi grek, kurse dorianët po mos të kishin emigruar mund të luanin rolin e ilirëve gjatë periudhës historike.

    Gjeneralisht historiografia shqiptare pas viteve 1990-2 u degradua dhe morri një kthesë drejt orientalizmit (sh. i 19-të) dhe pseudoshkencës. Këtë “ngjarje” besoj që duhet ta trajtojmë si një pasojë de-profesionalizmi, mungese fondeve (dhe arsyeve shoqerore*), prandaj dhe në vitet 1980-89 ekzistonin debate dhe hulumtime serioze të cilat ndikonin dhe mbi studimet jashtë Shqipërisë, kurse sot “bisedohet” për teza gjuhësore të cilat vetëm si anekdota do ti trajtonte çdo gjuhëtar.

    *Shumë sociologë këto fenomene i shpjegojnë si raste “escapism” (largimi psikologjik nga realiteti) dhe “golden age nostalgia” (nostalgji për një moshë të artë). Po të mendojmë që para vitit 1990 populli shqiptar ndjente një “nder material” për arritjet (realiteti ska asnjë rëndësi nga ana psikologjike) politike/ekonomike/shoqërore, të cilin e “humbi” pas rënies së regjimit, zëvendësimi i atij nderi material me nderin për një periudhë “autoktone”, në të cilën ekzistonin vetëm “iliro-pellazgë” dhe vetëm gjuha e “lashtë” iliro-pellazge, (e cila lindi çdo gjuhë tjetër) dhe asgjë tjetër, është i kuptueshëm.

    1. Shkruan:

      Popujt indo-europianë u formuan gjatë emigrimeve dhe ngulimeve fillëstare, jo gjatë periudhes (proto)-indo-europiane. Faktikisht nuk ekziston asnjë dallim kulturor, i cili funksionon si tregues etno-gjuhësor në atë periudhë.

      Në fakt, kjo është tepër e diskutueshme. Ekziston një koncept i dialekteve proto-indoeuropiane, sikurse ekziston edhe ndarja e gjuhëve IE në veriore dhe jugore, kentum dhe satem e kështu me radhë. Po ashtu, për shqipen është thënë se ajo përkon me balto-sllavishten në konservacion dhe me greqishten-armenishten-frigjishten në inovacion. Njëlloj flitet edhe për një grupim paraprak italo-keltik, etj. Nuk është vendi për ta bërë këtë diskutim këtu; por dua vetëm të shënoj që koncepti se indo-europianishtja “mëmë” ishte gjuhë monolitike është metodologjik jo heuristik.

  3. Perderisa ka vene edhe Wilkesin do te thote qe ka balancim burimor. Wilkesi eshte po aq fantastikisht anti-shqiptar, sa eshte pro-shqiptar D’Angely-ja.

    Ndersa ky i fundit ‘fluturon’ duke i bere te gjithe pellazge, Wilkesi fluturon duke iu mohuar iliricitetin gjithe ilireve jashte shtetit Ardian.

    Ne mos gaboj, ky i fundit e quan etnosin ilir te formuar ne Ballkan, sipas tezave boshnjake diku rreth vitit 1000, prandaj edhe ky nuk ka ndonje qartesi rreth indoeuropianistikes. Po ashtu flet per popullsi ilire por jo etnos ilir, qe eshte paradoksale kur mbron tezen boshnjake dhe njekohesisht tezen se iliret etnike ishin vetem ata te shtetit ardian (kur dihej se ne veri shtrihej vetem ne Hercegovine,pa hyre ne Bosnje).

    Ne fund te fundit, teza e autoktonise absolute dhe lidhjeve iliro-pellazge lidhet natyrshem me teorine ballkanike te Atdheut indoeuropian, po ashtu si teoria anatolike e Refrew ashtu edhe ajo stepike e Gimbutes lidhen pashmagshmerisht me Ballkanin, i pari quan jetik fazen e emigrimit ne ballkan si momenti i krijimit te gjuheve indoeuropiane, pra edhe te ilirishtes, dmth sipas tij ilirishtja ka marre formen e saj ne Ballkan.
    Gimbuta nga ana e saj flet per nje dyndje indoeuropiane ne Europen e vjeter qe e shkaterroi kete te fundit, keshtu qe asgje nuk na pengon te supozojme se proto-indoeuropianet invadore u ngulen dhe i dhane jete ilirishtes.

    Ne fund te fundit edhe Korkuti bazohet tek mosverejtja e nje thyerjeje arkeologjike si pasoje e dyndjeve indoeuropiane ne mijevjeçarit e dyte, sepse kur nje popull indoeuropian i mbivendoset nje joindoeuropiani ka dallime thelbesore ne kulturen materiale, pra eshte e supozueshme qe indoeuropianet ne mijevjeçarin e dyte gjeten indoeuropiane te vendosur me hershem.

    Ta zeme swastika aq e perfolur indoeuropiane gjendej per bukuri ne Ballkan qysh me kulturen e Vinçes.

    Ka edhe teori moderne qe pellazget ishin fise ilire te dyndura ne Greqi, sikunder ka edhe te autoreve klasike qe pellazget banonin Epirin ende ne shek 8 p.l.k, qe ka pasur ende pellazge ne shek 6 p.l.k ne Thesali, Beoti e Atike e nuk ishin greke.

    Ceshtja eshte e koklavitur, prandaj si veprohet ne kesi rastesh ne mbajme qendrimin qe na leverdis, ashtu si greket mbajne qendrimin qe u leverdis atyre.

    Gjimnazisteve nuk u sherbehet nje histori me alternativa, kjo u sherbehet studenteve te historise, keshtu behet ne gjithe boten.

    Nuk eshte se gjimnazisteve ta zeme italiane u ofrohet historia me alternativa per prejardhjen e latineve, por nje teze qe perben interes italian.

    Mos te behemi me katolike se papa, le te veprojme siç veprojne gjithe vendet e tjera, nuk ka ngelur zgjidhja e çeshtjes iliro-pellazge ne duart e gjimnazisteve qe te merret parasysh shumellojshmeria e tezave, atyre do t’u sherbehet ai version i historise qe eshte ne interesin shqiptar, sikunder behet ne gjithe shtetet e botes ne kesi rastesh.

    Nuk besoj qe gjimnazistit amerikan i tregohet sipas versioneve te ndryshme çeshtja e Teksasit, amerikanet kane versionin e tyre, meksikanet te tyrin.

    Une nuk jam me katolik se Papa po ti xha xha ?

    1. Them se gjimnazistëve u duhen thënë më pak gjëra për pellazgët dhe etnogjenezën ilire dhe më shumë gjëra për formimin e shqiptarëve dhe të shqipes.

      Pellazgët unë as që do t’i përmendja fare – është koncept shumë i komprometuar; dhe sa i përket kulturës sonë, i kontaminuar ideologjikisht.

      Nëse duhet vërtet të flitet për lashtësinë parashqiptare, nga pikëpamja e etnogjenezës, atëherë unë do të preferoja që kjo të paraqitej si çështje ende e hapur, me shumë të panjohura – ose do të investoja në kureshtjen intelektuale të nxënësit.

      Dhe, çfarë është më e rëndësishme, unë do ta themeloja krejt parashtresën, metodologjikisht, mbi metodën krahasuese dhe indo-europianistikën, e cila ka meritën të jetë më e saktë se qasjet e tjera.

      1. Kureshtja e gjimnazistit per historine eshte pergjithesisht afer zeros, historikisht jane leshuar 10-at per te mos prishur mesataret e nuk besoj se ka ndryshuar gje sot.

        Problemi nuk lidhet me metodologjine por me konfliktet politike, te cilat kushtezojne edhe metodologjine, sepse kemi perballe serbe e greke e ne çeshtjen ilire edhe boshnjake qe terheqin nga ana e tyre.

        Psh serbet jane te prirur qe te shtojne elementet joilirike ne Serbine parasllave, se ndihen te kercenuar nga lidhjet iliro-shqiptare, ndersa boshnjaket per t’u dalluar prej serbeve duan te dalin si puro-ilire te sllavizuar, aq sa po te kete konflikt shqiptaro-boshnjak do dalin me ilire se ne ( kete kam pershtypjen se e mbeshtesin ne heshtje se s’duan sherr te hapur me akademine tone).

        Akademiket sllavomaqedone po ndjekin shembullin boshnjak, meqe per te dalluar nga bullgaret u duhet te dalin maqedone antike te sllavizuar, pavaresisht se i gjithe territori ku banojne sot sllavet e Maqedonise, ka qene paion, ka nje perputhje rreth 90%.

        Perballe te tille fqinjesh, ne jemi shume te ekuilibruar, jo se jemi me pak nacionaliste, por sepse kemi me shume argumente dhe nuk kemi komplekse etnoformimi (jo vetem jugosllavet por edhe vete greket per shkak te komponenteve te rendesishem arvanit e vllah, kane komplekse ne aspektin e etnicitetit, qe i kane superuar deri diku me ane te fese).

        Problemi eshte tek kriteri i perzgjedhjes se tezes kur jane disa, dmth asnjera nuk permbush dot kriterin shkencor per shkak te boshlleqeve qe paraqet njohja shkencore, atehere kriteri ngelet te jete ai i interesit kombetar.

        Shtremberimi ideologjik nuk lidhet sipas meje me ekzistencen e kriterit kombetar, por kur interesi kombetar perdoret si kriter para atij shkencor, dmth kur eshte shkencerisht e vertetuar nje gje dhe nuk pranohet.
        Ne rastin tone nuk me duket se kriteri kombetar apo ideologjik zevendeson gjekundi kriterin shkencor, por nderhyn vetem aty ku kriteri shkencor mungon per shkak te hipotezave te panumerta.

        Psh nuk mund te quhet shtremberim ideologjik vijueshmeria iliro-shqiptare, sepse ka disa teza nder te cilat kemi pranuar ate qe na intereson por edhe mjaft mire e argumentuar.

        Por ama eshte shtremberim ideologjik vijueshmeria e maqedonasve te lashte me sllavo-maqedonasit.

        Tani ka dale ne skene edhe kriteri kozmopolit, te duhemi te gjithe, por ndoshta ky kriter mund te vleje kur te shperbehet shteti kombetar, gjithnje per te mbyllur vrimat qe s’i mbyll dot kriteri shkencor, jo per t’iu mbivendosur atij.

        1. Edhe unë do ta pranoja si pikënisje – në nivelin e shkollës së mesme – hipotezën e vijueshmërisë iliro-shqiptare; duke shtuar ndoshta një boks për hipotezën alternative, atë të trakishtes.

          Madje vargu i argumenteve të Weigand-it mund të përdorej, në këtë rast, për të nxitur një debat të brendshëm në klasë; sepse ashtu edhe u tregon nxënësve sa tërheqëse mund të jetë tema.

          Megjithatë, dhe të kthehemi tash te ilirët, unë do të përqendrohesha në momentet e kalimit nga ilirët te shqiptarët, duke e parë problemin jo aq nga pikëpamja arkeologjike (e cila nuk më duket se thotë gjë), sesa nga një pikëpamje shumë-disiplinore, ku violinë e parë të jetë gjuhësia.

          Pra t’u rrëfehet, nxënësve të gjimnazit, si ndodhi nga Iliria pararomake mbetën mbi ujë vetëm shqiptarët; çfarë ndodhi me latinët në Ballkan, me kolonitë greke etj.; dhe më tej me dyndjet barbare, me përhapjen e krishterimit. Këto gjëra kanë peshë në vetvete dhe në raport me të sotmen, ndërsa luftërat e Teutës, të Bardhylit, të Gentit dhe të Agronit nuk thonë asgjë – janë histori të kota, të mërzitshme, që nuk shpien asgjëkundi.

          Sidoqë të jetë, shqiptarët nuk kanë rrjedhur prej ilirëve si ilirë, por prej ilirëve në kontakt të ngushtë me Romën; dhe këtu ka shumëçka për të thënë, sidomos për të shpjeguar marrëdhëniet e Romës me këta popuj, ekonominë dhe sociologjinë e Ballkanit romak, dhe sidomos demografinë.

          Aty mund të analizohen edhe teori si ajo e Stadtmüller-it, e cila ka meritën që është dinamike; dhe si e tillë, është edhe e përshtatshme për një auditor adoleshentësh.

          Meqë periudha është e mbarsur me kundërti, atëherë metoda e dialogut do të ishte edhe më e mira, duke i vënë nxënësit të arsyetojnë, p.sh. për raportet midis malit dhe fushës, bregdetit dhe hinterlandit, Lindjes dhe Perëndimit.

          Gjithsesi, duhet një dialektikë, e cila të mbështetet mbi aksiomën e vijueshmërisë ilire-shqiptare, por jo si autoktoni absolute, meqë kjo e fundit, edhe logjikisht ta marrësh, është pak qesharake.

  4. “Sidoqë të jetë, shqiptarët nuk kanë rrjedhur prej ilirëve si ilirë, por prej ilirëve në kontakt të ngushtë me Romën”

    Kjo xhaxha eshte si te thuash qe shteti perendimor egziston ne saje te fqinjesise me Greqine, dhe jo sepse egziston ne vetvete si i tille pavaresisht ke ka si fqinj.

    Pavaresisht konktaktit me Romen, berthama dhe pjesa me e rendesishme e asaj popullsie te vetequajtur shqiptare perbehet nga parardhesit e tyre ilire e jo nga konktakti i Ilireve me Romen.

    1. Kam frikë se ti nuk po kupton gjë nga ky diskutim.

      Dhe kur nuk kupton, ndërhyrjet e tua tingëllojnë shumë të çuditshme.

      Kontaktet e ilirëve me Romën kanë rëndësi të madhe, sepse nëpërmjet analizës së huazimeve të shqipes nga latinishtja e asaj kohe, mund të nxjerrim një ton me informacion për ilirët dhe ilirishten e asaj kohe (po e marr për të mirëqenë hipotezën ilire këtu).

      Ky informacion i mbulon të gjitha aspektet e jetës së tyre, për të cilat ndoshta përndryshe nuk do të kuptonim dot asgjë.

      Prandaj studimi i ilirëve në raportet e tyre me Romën na ndihmon jashtëzakonisht për të kuptuar ilirët vetë – meqë këta mbishkrimet e tyre i lanë, për fat të keq, mbi lëkura shalqini (të biodegradueshme, siç dihet).

      Përndryshe, ilirët kanë qenë në kontakt të ngushtë edhe me grekët e vjetër, të cilët kishin kolonitë e tyre në bregdet; por nga këto kontakte pako gjë ka mbetur në shqipe; çka tregon se ata ilirë që jepnin e merrnin me grekët nuk kanë pasur pjesë në vijueshmërinë iliro-shqiptare.

  5. S’eshte ceshtje kuptimi xhaxha, eshte ceshtje qasjeje. Askund nuk thashe qe konktaktet tona me Romen nuk jane te rendesishme dhe se nuk na ndihmojne per te ditur me shume mbi iliret. Une vura ne dyshim konceptin qe ti shpreh ne ate fjali kur thua, qe shqiptaret nuk kane rrjedhur prej ilireve si ilire, por prej kontaktit te ngushte te ilireve me Romen. Ketu ti ve me shume peshe mbi kontaktin e x populli me y, se sa mbi qenien e vet popullit x.

    Kete e paraqit edhe ketu:

    “por edhe de facto na ndan prej popujve të tjerë, duke na paraqitur si unikë dhe të papërsëritshëm deri edhe në virtytin tonë etnogjenetik.”

    Xhaxha jo vetem qe ka mjaftueshem dije shkencore te pakontestuar qe shqiptaret jane unike, te lashte dhe te paperseritshem ne shume aspekte por prej vet faktit te te qenit shqiptar, shqiptar eshte unik.

  6. Ministria e Arsimit e ka një të drejtë në këtë mes, sepse duhet të japi një përgjigje të prerë për disa çështje të origjinës së shqiptarëve, duke lënë sa më pak pyetje të papërgjigjura ose sa më pak dritare të hapura. Kështu që nxënësi i cili mbaron shkollën e mesme dhe është në prag të universitetit të ketë njohuri të mjaftueshme dhe të qarta për historinë e popullit të vet. Por kjo, siç është treguar qartë nga XhaXhai, është bërë edhe në mënyrë antishkencore, edhe ka dështuar në qëllimin e vet , pasi paqartësitë dhe konfuzi i teksteve dallohen edhe nga një sy i paspecializuar.

    Për mendimin tim, është antishkencore për dy arsye kryesore. Sepse u jepet nxënësve si fakt, një teori që jo thjesht është e debatueshme, me argumente minimale por që largon dijen historike nga të gjitha arritjet e deritanishme; dhe së dyti sepse u propozohet nxënësve një literaturë për lexim të mëtejshëm, që nuk respekton as standartet më elementare të historiografisë. T’u japësh nxënësve të lexojnë në orën e historisë librin e d’Angely-së, apo të Kondës është sikur t’u japësh në orën e fizikës të lexojnë shenjat e horoskopit dhe të barazosh astronominë me astrologjinë.

    I gjithë ky debat më kujtoi udhëzimet e E. Hoxhës mbi maketin e Historisë së Shqipërisë ku u kërkonte historianëve të thellohen studimet për pellazgët dhe të gjenden lidhjet mes pellazgëve dhe shqiptarëve. Edhe pse Hoxha ishte simpatizant i teorisë pellazgjike, të paktën në botën akademike nuk gjeti përkrahje. Të gjitha përpjekjet u përqëndruan në vijimësinë iliro-shqiptare dhe në përgjithësi në lidhjet me popujt indoeuropianë.

    Unë mund ta kuptoj se për publikun e gjerë mund të jetë e vëshitirë të dallojë Carl Sagan-in nga David Icke, apo Peter Bartl-in nga Zacharia Mayan-in, kështu që thjesht buzëqesha kur në një librari të Tiranës një zonjushe me tregoi “Gjuhën e Perëndive” të A. Kolës kur i kërkova gjuhësi shqipe dhe ngriti supet kur i thash për Kolec Topallin, por nuk mund të kuptoj kur sesi këtë dallim nuk mund ta bëjë Ministria e Arsimit apo autorë librash të mbushur e të fryrë me shenja diakritike si “Prof. dr, Dr., Prof. As. dr.”

    Ka dhe diçka tjetër këtu që është mbeturinë e totalitarizmit. Totalitarizmi ashtu siç kishte monopolin për shumë gjëra, kishte edhe monopolin e dijes. Historiani përbënte ndërmjetësin midis lexuesit edhe dijes historike, duke filtruar të dhëna të papëlqyera të regjimin dhe duke e “zyrtarizuar” historinë. Kështu që Hahn-i ishte përkthyer në shqip, por përkthimi i tij i cunguar, mykej në Arkivin e Institutit të Historisë, me akses vetëm të punonjësve. Punime të Valentinit apo të Stadtmuller-it eksizstonin të përkthyra por kush guxonte të lexonte “Hyllin e Dritës”? Sufflay ishte i botuar por hajt të gjeje botimin e Prishtinës. Literaturë e huaj historike vinte nga jashtë, por groposej në fondin sekret të Bibliotekës Kombëtare, me akses prapë të kufizuar të elitës. Pluralizmi politik solli edhe pluralizmin e shtypit dhe natyrisht të dijes.

    Shtëpitë Botuese u hodhën çdo botimi të jashtëm që kishte të bënte me shqiptarët dhe natyrisht edhe me kërkesë të publikut, ofruan një lexim alternativ të historisë nga ai që ofrohej deri atëhere. Në këtë mënyrë besoj se autorët e këtyre librave shkollorë deshën të balancojnë versionin ekzistues “zyrtar” me “modën” e librarive, siç duket me formula alkimike.

    Sa për Lloshin, unë XhaXha nuk mund ta bëj me faj sespe duke punuar si përkthyes nuk mund të refuzojë një projekt që i jepet vetëm se mund të ketë probleme me përmajtjen. Libri mund të jetë i keq por nuk do ta shpëtonte përkthimi. Ju nuk do të pranonit ta përktheni?

    1. Meqë më pyete për Lloshin – unë do ta bëja përkthimin, në qoftë se paguhej natyrisht; por do të kërkoja që të mos dilte emri im aty; nëse botuesi kërkonte emër përkthyesi, do të përdorja një pseudonim. Më ka ndodhur dikur kjo; redaktova përkthimin e një vepre të pop psikologjisë që m’u duk krejt pa vlerë – dhe i kërkova botuesit (italian) që të mos më përmendte në libër (autori kish kërkuar që të përmendesha, meqë kish mbetur i kënaqur me redaktimin). Dhe ashtu u bë.

      E megjithatë, në rastin e Lloshit, duhet pasur parasysh edhe që ai është më i rëndësishëm dhe më i kualifikuar, si albanolog, sesa D’Angely-ja. Duke ia përkthyer veprën dhe duke e shoqëruar emrin e vet me të, Lloshi është njëlloj sikur t’i kish shkruar parathënien.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin