MIRË SE ERDHËT NË XHUNGËL

nga Xhabyni

Në Tiranë është bërë kohë që dëgjohen lajme të llahtarshme mbi vrasje, tritol në shtëpi, tritol tek makina, vjedhje në autobusë apo banka dhe askush nuk është kujtuar të flasë për to dhe dikush mund të pyesë, përse vallë? Arsyeja vërtitet  tek momenti psikologjik që ne po kalojmë si shoqëri, tek prioritet tona të përditshme, fjala vjen, në mendjen tonë ishte më prioritare se si do të përfundonte gjygji Meta-Prifti (që me sa duket ishte thjesht një telenovelë që mori jetë njerëzish por jo vetëm), se si do përfundojë ngjarja në “bulevard/kryeministri” (quajeni si të doni) dhe me të drejtë që këto ngjarje ishin dhe janë shumë të rëndësishme e madje janë të lidhura ngushtë me të gjitha ngjarjet që ne po kalojmë këto ditë të përgjakshme në Tiranë.

Çfarë mund të presësh nga një shoqëri e cila nuk e njeh drejtësinë? Çfarë mund të presësh nga një shoqëri e cila sheh se si pazare pesëlekëshe jo vetëm që nuk dënohen juridikisht por as moralisht (duke na bërë shurdha e qorra e për më tepër budallenj?)?  Një cinik këtyre pyetjeve do tu përgjigjej: Pak është edhe kaq…duhej akoma më shumë për të shprehur më mirë llumin në të cilin jemi përfshirë si shoqëri.

Gjykimi i Ilir Metës apo Dritan Priftit (që me sa duket e kuptoi se Spartak Braho s’po luante blofin me valixhen me video) dhe kushdo funksionari të lartë të shtetit nuk përbën vetëm një provë për institucionet e pavarura apo provë për të testuar fuqinë e Berishës, gjykimi i tyre (i parë nga një pjesëtar i shoqërisë si unë) përbën gurin themeltar të ligjit që shtrohet përmes pyetjes: A jemi të gjithë të barabartë përpara ligjit? Të gjithë e dinim se nuk jemi të barabartë por ama të gjithë shpresonim tek një mrekulli që do të na bënte të paktën të barabartë…por ja që s’ndodhi! Të dashur miq mirë se erdhët në xhungël!

Të gjithë kafshët janë të barabarta, por disa janë edhe më të barabarta!

Me këto fjalë cinike të shkruara nga Orwell më priti një miku im të nesërmen e vendimit dhe më pas me një buzëqeshje më pyeti “A e din ti se çdo me thanë kjo shprehje për kontekstin tonë?”. E pashë pak me habi dhe heshta duke dashur të tregoj padijen time, ndërsa ai urtë e butë më tregoi se kjo shprehje cinike donte të tregonte as më shumë e as më pak se bota në të cilën po futej shoqëria jonë ishte ajo e të fortëve, se në shoqërinë tonë mbizotëron ai që është më i forti dhe më gangsteri dhe se ai është më i barabarti i veçuar. Vazhdoj të më tregonte se nëse deri dje dikush do mendohej dy apo tri herë për të kryer një krim nga sot e tutje s’kishte pse të mendohej dy apo tri herë, duke qenë se edhe nëse një kamerë e kapte duke vjedhur apo duke goditur dikë, mund të dilte fare mirë që ishte e manipuluar.

Kështu që arsyen e krimeve dhe të vrasjeve duhet ta shohim pak më gjerë se sa tek interpretimi  që është “produkt i të menduarit dhe interpretimit në mënyrë emocionale të këtyre rasteve nga gazetarët si dhe i disa tentativave me sfond politik për të sulmuar punën e policisë,” sikundër pohon zoti ministër por duhet ta shohim tek vendimet gjygjësore që sa vijnë e japin krah më të fortit duke krijuar atë kastën e të barabartëve të veçantë. Këto krime duhet t’i shohim si një moskokëçarje për policinë e cila është shndërruar jo në një uniformë që përfaqëson shtetin por në një uniformë që përqeshet shteti. E nuk ka se si të mendosh ndryshe kur fjala vjen para katër vitesh një super i kërkuar vrau gjashtë oficerë policie sepse plani qe dekonspiruar edhe askush nga forcat e policisë nuk mbajti përgjegjësi, kur para disa muajsh ish drejtorit të policisë për Tiranën iu vu tritoli në makinë edhe askush nuk u ndoq penalisht apo kur një zyrtar i lartë kapet me presh ndër duar dhe nuk i hyn gjemb në këmbë.

Fatkeqësia vazhdon akoma më tej sepse interpretimi i shoqërisë është më tepër psikologjik, madje duhet parë se që pas rastit të videos Meta-Prifti dhe 21 Janarit dhuna në shoqëri është rritur së tepërmi dhe arsyet janë shumë të kuptueshme përse. Por a duhet të fshihemi, sikundër disa eksponentë të qeverisë kanë filluar të bëjnë, pas një mentaliteti gjaknxehtë që shoqëron genin tonë prej shqiptari? Të fshihesh pas një argumenti të tillë është cinizëm ndaj vetvetes, sepse befas na humbi ai gjaku nacionalist që ka prej 28 Nëntorit të 2011 që na vlon nëpër deje dhe që s’na shqitet nga veshët në çdo ditë të vitit. Ai gjaku që na tregon se ne jemi komb i zgjedhur, i përkryer që s’kemi pas vetëm fatin në histori e të mpiksur me këtë gjak të përkryer si ka mundësi që të jemi kaq dashakeqës ndaj njëri tjetrit? Kaq gjaknxehtë? Ku humbi fisnikëria e kaq shumë trumbetuar e gjakut tonë sa të shitet kaq lehtë për gjaknxehtësi?

I want to be like Jesse James

Ligji ka vdekur dhe ne jemi varrmihësit e tij të cilët kemi nisur të fundosemi dhe vetë. E si kemi nisur të fundosemi dhe vetë, mund të pyesë dikush? Imagjinoni pak sikur të jetojmë në një botë ku disa prej nesh të ishin pre e veprimeve të ligjeve të gravitetit ndërsa disa të tjerë jo, a do të ishte e mundur të jetohej? Mund të jetosh si në Far far west vetëm se duhet të bëjmë kujdes se ky West-i ynë nuk është bota e bukur e Sergio Leones ku “i Miri” fiton gjithmonë ndaj të “Shëmtuarit” apo të “Keqit”.

E si për ta mbyllur botën e xhunglës që vetë po ndërtojmë mu kujtua një histori që dëgjova ndërsa po kthehesha për në shtëpi: një adoleshent i mbështetur pranë mureve rrethuese të shkollës i thotë shokut të tij “E di si dua të vdes?” ndërsa shoku i tij po e shihte tërë kërshëri dhe habi “Dua të vdes si Jesse James!”. Besomëni nuk është titulli i këngës nga Brazzeville por është realisht dialogu i një adoleshenti që dëshironte të ishte një Jesse James, kjo po që është tragjike!

Nuk ka komente

  1. Jo se nuk eshte folur per krimet e koheve te fundit, po si per cdo gje tjeter eshte folur ne prizmin e militantizmit dhe politizimit, gjithe duke u mbajtur tek akuzat siperfaqsore; as opozites nuk i intereson futja me themeli e situates, shifrave, dhe sidomos shkaqeve, se midis te tjerash, ka pune puna, me shume pune sesa nje deklarate ne media a show ne parlament.

    Sa per videot Meta-Prifti dhe ligji i xhungel-drejtesise me hakmarrje videosh, eshte gallate reagimi i Priftit per videot qe Braho kercenon se ka. thote Prifti:

    Më kanë përgjuar 24 orë në telefona, në makinë, në shtëpi, në zyrë, në ambiente private, vend e pa vend. Ka qenë një grup mafioz që ka punuar rreth një vit rresht për të më përgjuar mua 24 orë. Nuk e bëjnë vetëm për mua. Nga informacionet që kam unë, është se ata përgjojnë Presidentin, kryeprokuroren, kryetarin e opozitës, opozitarë të tjerë, përfaqësues mediash. […] Nuk lejohet që të përgjohet një njeri në Shqipëri pa mandat. Kjo është një deklaratë e tmerrshme e një rrjeti dhe grupi mafioz.

    Tani pertej humorit te zi qe ben Prifti, jo vetem me filmimin e vetvetes po dhe me padine kundrejt incizimeve pa mandat ligjor, dhe vallzimi Braho-Prokurori eshte ‘interesant’. Ina Rana ne daljen e saj tek Opinion u mjaftua vetem me “nese Braho ka prova video duhet ti sjelle ne prokurori”, nuk e di nese ajo mund te inicionte nje fare hetimi a jo nga deklarata-shtantazh e Brahos…

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin