TUNELI

Për kë jetonte në Tiranë në vitet 1960, për kë rritej fëmijë në Tiranë në vitet 1960, bota ishte një planet i gjerë – kryeqyteti, i rrethuar me satelitë: Kombinati, Kinostudioja, Lapraka, më tej akoma, në kufi të hiçit, ndoshta edhe Kamza, Sauku ose Yzberishi.

Ishte pastaj edhe Durrësi – një qytet tjetër, si yni por përsëri i ndryshëm; dhe me gjithfarë gjërash të mrekullueshme përreth: deti, plazhi, urat që futeshin në ujë me këmbë kundërmuese kreozot njëlloj si binarët e hekurudhës, por nuk shkonin gjëkund ndryshe nga hekurudha që shkonte shumëkund; leshterikët, pistat e vallëzimit, varkat me rrema, dhe anijet, oh, anijet në horizont, aq enigmatike, pak shumëngjyrëshe, me dy direkë, me tre direkë, me kabinën në mes dhe kabinën në fund të kuvertës, me oxhakë me vija si fanelat e skuadrave të futbollit, anijet lodra të përtejme, natën vezulluese si shtëpi ëndrrash.

Nga Tirana në Durrës shkohej me tren; dhe dikur gjatë rrugës 40-minutëshe, midis Maminasit dhe Shkozetit, treni kalonte përmes tunelit.

Një tunel i shkurtër, as 10-15 sekonda për t’u përshkuar, nëse e mbaj mend mirë: por i potershëm, në mos i zallahishëm; i errët, madje i zi si qymyri; i frikshëm dhe njëkohësisht ngashënjyes.

Më shumë se tunel, ishte portal ndërpërmasor që lidhte mes tyre dy botë të ndryshme: tokën ose sterenë, me detin përtej, ku gjithçka ishte e ndritshme, tërheqëse dhe e ankthshme për t’u zbuluar.

Udhëtari ekspert do ta njihte afrimin e tunelit nga disa shenja të jashtme, një si përkulje e trenit, ose kontraktim i pavullnetshëm i muskujve në shpinë të vagonave; po të të linin ta hapje dritaren, dhe po të ishe ulur në krahun “e mbarë”, mund edhe ta shihje që më parë grykën thithëse tutje, tek i afrohej gjarpri i kaltër i lakuar i trenit, gati për t’u futur aty, sypatrembur, në errësirë; pa e ditur se çfarë e priste në brendësi të kodrës, pa e ditur si do të kryhej pikërisht kalimi, bartja, transportimi drejt universit tjetër.

Ose, po të ishe i vëmendshëm, do ta kishe vënë re që në vagon kishin ndezur tashmë dritat në tavan, në mes të ditës me diell; por sado të padjegura të ishin poçat e llampave, prapë tuneli do të pllakoste si jashtë si brenda me t’errët të pashpresë; dhe prapë fytyrat e njerëzve brenda do të dukeshin papritur të zbehta si të meitëve, si të një kargoje të vdekurish në barkun e çarë të një anijeje të mbytur.

Përkundrazi, kur udhëtoje natën, me ballin të mbështetur te xhami dhe me sytë të humbur në dritat e pakëta tutje në horizont, duke u munduar të përfytyroje çfarë bëhej atje tutje, larg, në askund; ose jetën gjithnjë aq të lakmueshme të atij tjetrit përtej, tuneli ia behte ndonjëherë aq papritur, si shuplakë asgjësuese dhe shurdhuese, me një zhurmë si të një dere që përplasej ashtu vetiu, nga era që s’ia kish varur vërtet njeri.

Vrrom! Çuk-çuk çak-çak, çuk-çuk çak-çak… Dhe pasagjerët në vagon ngrinin sytë dhe, si rregull, ishin pak më shumë të vetëdijshëm për statusin e tyre në raport me vagonin, hapësirën përreth dhe vetë rruzullimin. Llampat ndonjëherë vezullonin, drithëroheshin dhe fikeshin; errësirën e trembte vetëm ndonjë prush cigareje ose shkrepëse, si në kinemanë e lagjes; dhe ky ishte momenti më i mirë, ndoshta, për të përqafuar dikë tjetër, ah, të ndalueme, po ah, aq të përtejme sa edhe bota dyfish e larguar; e ndarë prej teje nga xhami, dhe nga muri i tunelit vetë.

Vrrom përsëri, dhe të gjithë ktheheshim në realitet, të lehtësuar që edhe këtë herë portali kish funksionuar për bukuri; dhe na i kish ruajtur të paprekura raportet atomike dhe molekulare, pa na trazuar me njëri-tjetrin dhe metalet, plastikën dhe linoleumin e vagonave, ose çelikun e shurdhër të shinave poshtë dhe çakullin e përgjakur.

Trenat ishin kinezë, të rinj dhe kundërmues, me vagona të hapët si autobusë; të cilët i kundërviheshin (semiotikisht) vagonave më të vjetër ngjyrë plumbi, me kompartimente, që kishim trashëguar nga vitet e kampit socialist, me mbishkrime në gjermanishte dhe në polonishte, që lehnin si urdhra oficerësh nazistë në Auschwitz. Nicht hinauslehnen! Nuk kish fëmijë Tirane të mos hipte krenar në trena të tillë dhe të ëndërronte për ditën kur do të shkonte edhe ai në hekurudhë, ku do t’i jepnin shallin e vullnetarit dhe atë S-në prej plestikglasi, që ta vendoste në këmishën prej pupline.

Në këta vagona të rinj, kolektivë, socialistë, festivë, ku qendra e zërit transmetonte muzikë optimiste dhe këngë masash, mjaftonte një dritare e vetme e hapur (è pericoloso sporgersi!), që të gjithë pasagjerët ta ndienin kalimin nga shtuneli në tunel, falë ndryshimit të papritur të kahut të erës, së bashku me një duhmë si prej vdekjeje, që hynte vrrullshëm në dritë nga errësira. Gjithnjë ndonjë fëmijë do të qante – e vetmja qenie që e kuptonte, përnjëmend, kritikalitetin e momentit. Të tjerët vazhdonin të luanin me letra, të hanin bukën me vezë të skuqur dhe fërgesë domatesh, ose të lironin rripat e rrobeve të banjos, rregullisht të paraveshura, që i shtrëngonin. Një grup njerëzish të mbledhur kuturu, të futur në një tub prej çeliku të kaltër, të lëshuar me 50 km në orë në barkun e një kodre të plogët: si të mos qaje madje të ulërije me kujë?

Mes ëndrrave të ashtuquajtura “tipike”, që përshkruhen në psikanalizë, treni shfaqet zakonisht në skenarin e njohur të të ankthit se mos trenin tënd nuk do ta kapësh dot në kohë, se je tashmë vonë, teksa ai po niset në binarin përtej, të paarritshëm, vërtet përtej në çdo kuptim; ose idenë tjetër, të papritur, se ti duhej të ishe në stacion tashmë dhe se treni yt është duke u nisur; ose përkundrazi, treni nuk po niset, ose nuk do të niset më; ose treni do të niset, por ti jo, edhe pse gjithkush tjetër që udhëtonte me ty, ka shkuar tashmë në stacion dhe po hipën dhe po sheh orën dhe pyet se pse ti, pse pikërisht ti, mungon.

Por tuneli jo; tuneli nuk del gjëkundi në këto ëndrra, ose më mirë klishe ëndrrash – edhe pse, me arsye, do të ofronte një metaforë të përkryer për mitrën amnore, ose atë hapësirë të mbyllur dhe të errët, nga ku ti nuk mund të dalësh dot, e ndoshta as dëshiron të dalësh para se të të nxjerrin; që këtej edhe dëshira, perverse në kufi të vuajerizmit, për ta parë, dhe riparë, dhe stërparë momentin kur treni-gjarpër, njëkohësisht horizontal dhe falik, i afrohet grykës thithëse të vaginës, për të depërtuar në të… dhe që këtej edhe fantazia, aq fëminore, për ndonjë incident erotik të rrufeshëm, gjatë intermexos midis dy grykave ose dy portaleve, hyrjes dhe daljes; incident shpesh të fiksuar, madje të përjetësuar në anekdota (kur treni u fut në tunel, u dëgjua zhurma e thatë e një dacke).

Fëmija, që di gjithmonë më tepër, priste të ndodhte diçka, në atë interval, sado të shkurtër, kur treni gjendej në tunel; se ai interval ishte, në të vërtetë, diçka si kohë e ndërmjetme, ose e askujt; kohë kur mund të ndodhte gjithçka, deri edhe e pathëna, pa u ndëshkuar njeri; një lloj armëpushimi në rrjedhën e zakonshme të ngjarjeve; ose edhe një lloj bese, që i jepej trenit, së bashku me rropullitë e veta humane, për të kapërcyer të pamundurën, duke i kaluar nga brenda; një moment karnevalesk, dionisiak në daçi, kur mund të qaje, të bërtisje, të thoje fjalë krejt pa kuptim, të këndoje një la-la-la monotone, të shtrembëroje fytyrën në trajta groteske, të nxirrje gjuhën dhe të zgurdulloje sytë, ose të fshehje një letër bixhozi, ose të futje në gojë karamelen që ta kishin ndaluar para bukës, ose të pickoje, të kafshoje, të lëpije, fundja të depërtoje edhe ti një tunel njëlloj si treni, edhe për vetëm pak sekonda; para se të vdisje dhe të ringjalleshe sërish në hapësirën përtej.

Edhe pse jo gjithmonë; pse familjet që udhëtonin së bashku bëheshin gjithnjë protektive, kur afrohej tuneli; baballarët mbanin afër vajzat dhe gratë, nënat rizbulonin brishtësinë e tyre dhe vulnerabilitetin, fëmijët kalonin nëpër mendje fantazi të grabitjes, të zhdukjes, të përmbysjes, sipas të cilave bota pas tunelit do të ishte krejt e ndryshme nga ajo tjetra, e mëparshmja; njëlloj si kalimi nga ndenjëset e kinemasë në ekran, ose nga jastëku, te faqet e librit.

Kujdes, thoshin baballarët; edhe pak dhe do të hyjmë në tunel; mos ma lëshoni dorën dhe numëroni deri në pesëmbëdhjetë: hekurudha një, hekurudha dy, hekurudha tre…; po të doni edhe me zë; por mos u trembni nga errësira as nga zhurma as nga ngjethtësira dhe as nga ndonjë si perde pezhishkë ose pëlhurë e squllët që mund t’ju mbështillet pas shalëve, sepse janë gjëra që ndodhin dhe që hyjnë ndonjëherë nga dritarja, krijesa pa të ardhme, madje edhe pa të sotme, që gabimisht e bëjnë edhe ato kalimin nga njëra botë në tjetrën, pa e kuptuar se çfarë lënë pas dhe çfarë i pret këndej.

Tuneli ishte frikë, në fillim e materializuar si mineral, pastaj e rigdhendur në formë hapësire të zbrazët; ishte frikë nga vrima, nga gropa, nga varri, nga boshllëku, nga rënia e lirë, nga humnera, nga fundi i detit, nga vdekja. Ishte si një mbyllje sysh, por e botës mbarë, përballë diçkaje që nuk mund të shihej, diçkaje që nuk duhej parë.

Tiranë-Durrës, Durrës-Tiranë; universi ynë i udhëtimit ishte pothuajse dypërmasor në atë kohë, edhe pse i ndarë në mes nga një enigmë, një shkëputje, një singularitet, një hapësirë ku ligjet e fizikës, normat e moralit dhe komandat e emocioneve nuk vepronin më. Sa herë e kemi kaluar, aq herë kemi rilindur – nga Tirana në Durrës, nga Durrësi në Tiranë, në ulje-ngritje brutale, nga tmerri në ekstazë, nga ekstaza në tmerr, edhe pse gjithnjë në doza të vogla, si ëndrra që sheh një kotele. Në fakt dy botë janë gjithnjë të mjaftueshme, sa kohë që mbeten të këmbyeshme; edhe pse për mua, fëmijën, misteri i vërtetë do të mbetej gjithnjë i kyçur brenda atij tempulli pak-sekondësh.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin