VERSIONI ZYRTAR

Si do t’i quajmë njerëzit që gjithnjë i besojnë versionit zyrtar për një ngjarje të rëndë, një vrasje politike, një atentat terrorist, një aksident që i ndodh dëshmitarit kyç në një skandal shtetëror; madje jo vetëm i besojnë, por edhe presin, duke mbajtur frymën, derisa të bëhet ai version publik, që pastaj ta nxjerrin (frymën) dhe të vazhdojnë jetën e tyre normalisht, pa çka se bota përreth mund t’u ketë ndryshuar?

Budallenj, thotë zëri naiv brenda meje.

Versioni zyrtar, sikurse e thotë edhe vetë fjala, është një version i shkruar në zyrë, nga ca kalemxhinj zyracakë, që nuk janë as shkrimtarë as rrëfimtarë të mirë; dhe që, për më keq, i ndërhyjnë orë e çast njëri-tjetrit, për të ndrequr një frazë, rregulluar një përcaktor, mënjanuar një keqkuptim, një dykuptim, një trekuptim.

Mjaft të lexosh, bie fjala, versionin zyrtar të operacionit që përfundoi me vrasjen e Bin Ladenit, në Pakistan (zgjidhni e merrni vetë, cilindo version që të dëshironi; madje mbushjani mendjen vetes që versioni më i vonë është gjithnjë më “i vërtetë” se paraprirësi.)

Nëse shteti ka ndonjë detyrim që t’u thotë shtetasve të vërtetën, për këtë mund të diskutohet gjetiu. Çfarë nuk ia vlen të diskutohet, është që shteti ka detyrim që të bëjë të pamundurën, për t’u mbrojtur nga kërcënimet.

Ka një shprehje, raison d’état, që vetëm frëngjishtja mund ta krijonte, po të kemi parasysh historinë e Francës, si ide dhe si republikë (ose edhe mbretëri, në daçi).

Versioni zyrtar nuk mund të jetë veçse i gënjeshtërt. Kjo do të thotë se shteti nuk e thotë dot të vërtetën, edhe sikur të dëshironte; që nga momenti që hap gojën të flasë, me zëdhënësat, çantëmbajtësit, informacionistët, telefonistët, recepsionistët, do të gënjejë vetvetiu. Është pak si në atë paradoksin e famshëm të Epimenidesit (që ishte edhe vetë nga Kreta): të gjithë kretasit gënjejnë.

Të thonë: ne u besojmë versioneve zyrtare, sepse i besojmë shtetit; dhe i besojmë shtetit, sepse shteti është yni; dhe se nuk mund të ketë demokraci, jashtë kësaj marrëdhënieje besimi.

Këtyre unë u them: paçi uratën, mor djem.

Ndodh një ngjarje e rëndë; shumë e rëndë – që implikon kupolën e shtetit, përveç se implikon edhe organizata ndërkombëtare, aleanca ushtarake, superfuqi, shitblerje armësh, terrorizëm dhe kundërterrorizëm.

Kjo ngjarje ka një dëshmitar.

Dëshmitari del për gjah – siç bëjnë zakonisht dëshmitarët. Vetëm. Përplaset me makinë, përsëri vetëm. Ndodhin edhe gjëra të tjera, që kanë të bëjnë me një fluturim të çuditshëm nga makina, një qen që mbetet gjallë…

Versioni zyrtar: ishte aksident.

Si të mos e besosh? Vjen edhe një ekspert nga jashtë, burrë i hollë dhe i paanshëm, që ta mat vendin me pëllëmbë, dhe ta shpjegon si dhe pse ndodhi e pamundura.

Rrjedh edhe ca ujë, pastaj vriten nja katër veta, që demonstronin para selisë së qeverisë së Republikës.

Kryeministri flet për lavire bulevardi, puç të opozitës, çadra dhe stilolapsa, SMS komprometuese. Si të mos e besosh, këtë njeri që kryeson ekzekutivin, me votëbesimin e rregullt, dhe demokratik, të përfaqësuesve të popullit?

Mblidhet një komision parlamentar, si ai që u mblodh dikur për të ftilluar vrasjen e Kenedit; dhe premton që ta gjejë të vërtetën, edhe ai.

I kthehemi pastaj gjyqësorit, për t’i kërkuar, së paku atij, të na ndriçojë me një kundërversion zyrtar – dhe gjyqësori dërgon ekspertë të mençëm, që arrijnë në përfundimin se viktimat i ka vrarë arma.

Ngrihen pastaj historianët, që të argumentojnë se nuk ishte shpata, por krahu i Skënderbeut.

Çfarë t’i bësh një shteti që gënjen? Një shteti që shkel ligjin dhe kryen një krim?

Shtetin s’e dënon dot; apo do ta dënosh siç dënojnë korporatat, persona juridikë, këndej nga Perëndimi; dhe do ta shpërndash, thyesh përgjysmë, copëtuar në njëmijë paketa aksionesh?

Dënimin e shtetit, në kohë të tjera, e kanë pasë quajtur grusht shteti. Ose putsch, siç na tha atëherë kryeministri, që po gatitej ta bënte Bamir Topi (of all people).

Edhe shumë me faj këta tanët s’i bën dot; gënjeshtrën nuk na e solli qeverisja e PD-së, por e gjeti mes nesh, madje e kopjoi nga vendet aleate të NATO-s, që dinë si t’i administrojnë katrahura të tilla.

Që prej 11 shtatorit, e më tej, antraksit postar, pastaj atentateve në Londër dhe në Madrid; pa u ngatërruar fare me suicide bombers në Irak – versionet zyrtare, të kancelarive përkatëse, kanë qenë kaq të “doktoruara”, kaq të rishkruara e të ripunuara e të rilëmuara e të rimontuara, sa nuk gjen më burrë nëne që t’i marrë vesh deri në fund.

Konspiracistët të thonë: doni të gjeni të vërtetën? Pyesni: Cui prodest? ose, nëse kjo ju tingëllon pak si shumë latinisht, ose nëse refuzoni të citoni Seneca-n, pyesni: Cui bono?

Mirëpo, t’u vësh veshin konspiracistëve në rastin tonë të 21 janarit, do të thotë të besosh se këmbëzën e armëve të gardës e shkrepi opozita, teksa Sali Berisha u lexonte përrallën The Pet Goat fëmijëve, në kopshtin pa drekë të kryeministrisë…

Më mirë t’i kthehemi, atëherë, hipotezës së budallallëkut.

Dhe pikërisht budallallëkut të këtij ekzekutivi, që nuk arriti dot të kontrollonte një turmë protestuesish, përveçse duke i vrarë; ose nëpërmjet një akti që nuk do të shlyhet dot më, përveçse me shpërndarjen simbolike të shtetit – ose më mirë, të këtij shteti.

(Ndoshta duhet të fillojmë t’i numërojmë edhe ne republikat, siç bëjnë francezët; qoftë edhe thjesht për raison d’état.)

Por të kthehemi te versioni zyrtar – kjo narrativë fatale, proteike, e rrëshqitshme, që ndërron çdo ditë, pëson mutacione si ndonjë gjallesë virtuale, në kërkim të një stabiliteti që i mungon: sot reptil, nesër qift, pasnesër insekt si Gregor Zamza, më tutje mi kanali, dhi e vogël, ose shqipe me dy krerë (siç i ka hije mutacionit), baldosë, bollë e më në fund uroborus, ose dragua që ha bishtin e vet – fundja a nuk flasin edhe vetë gjenerativistët për rekursion në sintaksë dhe në narrativë?

Përditë të shfaqet në një trajtë të re, si ajo “gjëja”, në filmin e njohur të John Carpenter (The thing). Eksperiment në narratologji, apo provë se shtetit nuk i mungon fare shpirti krijues, siç kujtohet shpesh?

Të vijmë tani te ata që gjithnjë i besojnë versionit zyrtar për një ngjarje të rëndë, një vrasje politike, një atentat terrorist, një aksident që i ndodh dëshmitarit kyç në një skandal shtetëror; madje jo vetëm i besojnë, por edhe presin, duke mbajtur frymën, derisa të bëhet ai version publik, që pastaj ta nxjerrin (frymën) dhe të vazhdojnë jetën e tyre normalisht, pa çka se bota përreth mund t’u ketë ndryshuar. Tek-tuk ka edhe ndonjë budalla mes tyre (budalla të dobishëm, ose useful idiot, siç e quajnë ndonjëherë të tjerët, ose të mençmit). Por e shumta e avokatëve të ngazëllyer të gjithçkaje që del nga anusi i shtetit, të çdo rrapëllime prej borie të ndryshkur e të shpuar, të çdo shfryrjeje sulfurike të një vullkani në degradim të pashmangshëm; e shumta e këtyre flamurtarëve të zyrtarizmit, kur thonë që i besojnë gënjeshtrës së shtetit, e dinë edhe vetë se po gënjejnë veten dhe të tjerët.

Këta janë, ipso facto, gjithnjë më afër së vërtetës; madje edhe asaj të pashprehur kurrë, ose që nuk i ka shërbyer ende si shalë kali ndonjë lloj gënjeshtre. Këta janë ata që dinë, dhe që gjithashtu dinë se të tjerët nuk duhet të dinë, shkelësit profesionistë të syrit, njerëzit e së ardhmes: Karma police, arrest these men!

Nuk ka komente

  1. ka nje kontradikte ne kete shkrim xhaxha ne lidhje me temat e meparshme? e them kete sepse ne temat e meparshme argumentonit per besimin e humbur neper institucionet shteterore, kurse tani, ne kete teme, ju shpreheni se nuk duhet tu kemi besim, po atyre institucioneve. cili eshte pra versioni zyrtar (juaji)? 🙂

    1. E drejtë, ka një kontradiktë aty. Ndoshta para se t’u besojmë gjërave që thonë institucionet, duhet t’u besojmë gjërave që bëjnë, ose duhet t’u besojmë atyre si institucione, në funksionet e tyre kushtetuese. Kjo është e vetmja përgjigje që mund të ofroj tani.

  2. Kryeministri u nxitua kur e konsideroi provokacion termin e perdorur nga Presidenca- “ngjarje bulevardi”- per te kerkuar solidaritet formal te termi tjeter “kryeministria e rrethuar”. U nxitua sepse nga kryeministria e rrethuar, eshte i detyruar sot qe per hir te logjikes se gjerave te flase per carje te rrethimit me pasoje vrasjen. Ndryshe puna me ngjarje bulevardi, do kishim te benim me vrasje bulevardi. A ta kete ndihmuar keshtu pa dashje Topi Berishen e ky te mos e kete kuptuar dot valle? Ndoshta. Mire eshte te qarkulloje edhe ky lloj besimi se me shume turbullohen njerezit, e me shume kapen pas skenarit politik qe anekson vrasjen. Pas vrasjeve politike flitet perhere per turbullira dhe destabilitet, por pas ekzekutimeve ne rruge duhet medoemos te flitet per nje krim, qofte edhe permes pergjegjesise politike e cila ne Shqiperi amnistohet me nje fitore elekorale me stilin reggae te numerimit te votave. I vetmi moment kur edhe ne kete rast ekzekutimi topit permes befasise reagimin eshte ose kur ka agresivitet maksimal, spektakolar, si ai 21 janarit (pasi ndjeva nje si prekje ne dore nga plumbi qe me kapi doren, degjova nje si kercitje mbytese. U ktheva dhe pashe se ishte kafka e personit tjeter qe ishte ngjitur me mua qe do te plaste me zhurme te tille-do te thoshte gazetari Fatos Mahmutaj per likujdimin fizik dhe kuptimisht te perputhur verbalisht te Hekuran Dedes. Filmimi mediatik na percolli te gjitheve ate Salto Mortale), ose eleminimi profesional. Ka dicka artisitike, terheqese, kurioze ne shtjellimin e nje skenari te tille; gjendet i vdekur Kosta Trebicka duke u kthyer nga gjyetia per thelleza. Nje frenim i forte, dera e hapur, fuoristrade e paorinetuar me asnje bosht te busulles, gervishje te bojes dhe ky diku i kthyer ne pozicion prej viktime konsensuale. Sepse mbetesh pak i habitur ndonese e ke ditur qe me pare se lummadhin e kishte kapur cehrja e vdekjes, i hapitur nga gjetja regjizoriale. Per te thene se jeta vazhdon: me vete pyeta, po thellezat kush i hengri? Mendja shetit pastaj ne raste homologe per te gjetur fillin, por edhe per te trilluar veten me gje e gjezen e vrasjes. Lidhesh vetiu me dosieret e shokut Mehmet; e vrane apo vrau veten? Letra qe la, akuzat qe beri, Kosova etj. Vrasje, apo aksident? Puc apo proteste? A perbejne keto vrasje nje dialektike te nje sistemi social qe vijon pa shkeputje prej shume kohesh? Me nje analize marksiste ketu mund te qetesosh veten; te duket sikur gjen premisat.
    Pushteti i sotshem shteteror s’eshte gje tjeter, vecse nje komitet qe administron punet e perbashketa te te gjithe klases – thuhet ne faqen 21 te Manifestit Komunist. E me tej; kudo qe ka marre fuqine borgjezia i ka shkaterruar te gjitha marredheniet feudale, patriarkale, idilike…Ajo i beri cope pa meshire prangat e shumellojshme feudale, qe e lidhnin njeriun me “eproret” e tij “te natyrshem” dhe nuk la midis njerezve asnje lidhje tjeter, vec interesit te zhveshur, vec pageses se pameshirshme me para ne dore. Ajo i mbyti ne ujin e akullt te llogarise egoiste drithnat e shenjta te ekstazes fetare, te entuziazmit kavaleresk dhe te sentimentalizimit mikroborgjez. Ajo e shnderroi dinjitetin personal te njeriut ne nje vlere shkembimi…”. Ka vend per nje korrigjim; komiteti ne kete rast eshte edhe drejtues i klases. Ndoshta investiture ka qene biografia dhe anetaresimi ne Organizate, ne nje percaktim parimisht marksist i cili legjitimoi veten me kritiken ndaj feudalizmit dhe kapitalizmit, por qe sot riciklon termat e vet ne ate plan moral te cilin dje e ironizonte.

  3. Zoti theollogos fillove edhe zotrote me markslleqe per te shpjeguar realitetin.

    Ketu eshte çeshtje propagande, shteti me versionin zyrtar udhehiqet nga parimet e propagandes. Propaganda me efikase e historise mendohet te kete qene ajo e Gjermanise naziste, sepse per nje kohe shume te shkurter arriti te manipuloje kombin me nivel me te larte kulturor te Europes e botes, jo si ta zeme Enveri kombin me te prapambetur te Europes.
    Parimi baze eshte i thjeshte, sikunder e thoshte vete Hitleri, pjesa me e madhe e kombit eshte si femija, hecen me ndjenje e jo me logjike dhe i ka te thjeshta ose bardh e zi gjykimet.

    Berisha nuk beri ndonje gabim kur opcionit vrasje qeveritare i kundervuri konceptin e puçit dhe mundesine e vrasjes nga vete opozita. Me ane te puçit ai justifikohej perballe te veteve kur te dilte se nuk ishin vrare nga opozita.

    Ketu vazhdimisht eshte gabuar kur mendohej se Berisha i flet opinionit publik, ai i flet te veteve, ben propagande partiake nga zyrat dhe institucionet e shtetit. Po keshtu ai fshatari qe nuk voton dhe s’ia ka ngene edhe aq shume problemeve qe shqetesojne shtresen e mesme qytetare, eshte me i prirur te besoje versionin zyrtar qe eshte ai te cilin e degjon me shpesh, ose me mire eshte i prirur te besoje ate version qe e has me shpesh, sipas parimit se kush bertet e duket me shume ka te drejte ( psh oratoria e demagogjia jane te prirura drejt toneve te larta, meqe ekziston realisht prirja per te besuar ate qe bertet, çka e shohim edhe tek analistet ne televizor).

    Ai paradoksi me siper mes te besuarit e njekohesisht te mosbesuarit tek institucionet, gjen zgjidhje tek te dalluarit mes institucionit si element propagandistik i partise ne pushtet dhe institucionit si misherim i shtetit ‘tone’, pra i te gjitheve, jo ‘i tyre’.

    Ne pergjithesi, shqiptaret i japin nje zgjidhje praktike, shteti eshte i tyre, eshte i pedeisteve ose socialisteve dhe asnjehere yni, prandaj nuk besojne asnjehere tek institucionet, te cilat nuk dalin asnjehere ‘tonat’, te te gjitheve.
    Keshtu kur eshte PD-ja ne pushtet, per pedeistet shteti eshte per t’u besuar dhe anasjelltas.

    Me duket me vend propozimi qe te fillojme t’i numerojme Republikat si frengjit, keshtu fillojme edhe bejme ca dallime, kjo e tanishmja fillon me 1997, e legjitimuar me Kushtetuten e 1998.
    Nese nuk e duam me kete politike, duhet te heqim dore nga ky rend kushtetues 14-15 vjeçar dhe duhet filluar te mendohet nje rend i ri kushtetues e nje Kushtetute e re, por persa kohe qe vazhdon kjo Republike do te kemi zgjatjen e ketij 15 vjeçari, eshte e kote te mendohet se do te ndryshoje ndonje gje thelbesore. Ne kemi legjitimuar Republiken e Sales apo Nanos, republiken e pedeisteve apo socialisteve.
    Na duhet nje De Gol qe te vere pikat mbi i, po ç’t’i besh qe s’e kemi, ose na duhet ndonje Tangjentopoli, po ç’t’i besh qe s’kemi gjyqesor te pavarur.

    Sistemet shqiptare ngrihen duke u bazuar tek zhdukja e çdo forme disidence reale, mund te lejojne kritike por jo disidente.
    Topi apo Ina Rama nuk jane gje tjeter perveçse reagim i sistemit per te moslejuar shkaterrimin e Republikes se lindur me 1997-98, jane mekanizma mbrojtes te sistemit, paradoksalist i vetmi disident i sistemit eshte Sala, pavaresisht se paraqitet si reaksionar qe do te rivendose sistemin 1992-1997.

    1. Berisha ka bere krim jo gabim. Se gabime ben me lopate ai. Ne intervisten e fundit i pyetur per hetimin e 21 janarit tha hapur dhe i skuqur ne fytyre: nga hetimi i 21 janarit varet paqja e ketij vendi. Por kete nuk mund ta beje Ina Rama. Dakord? Paqja e ketij vendi.

      1. Ne çastin kur ai vret dhe dalin nderkombetaret duke bere thirrje per paqe, dmth Sala ne pushtet, atehere rifillon politika e demokracise. Ne kete nuk beri gabim, filloi propaganden. Tani po kercenon qe paqen ne vend, s’e kam degjuar, por s’ka nevoje, se arrihet lehte.
        Sala eshte autokrat ne nje sistem ku gjithe pushteti buron nga oligarkia parlamentare, juridikisht Sala eshte me i forte se Duçja, kete e rrezonte Mbreti me perkrahjen e Keshillit Fashist, ashtu si edhe ndodhi, Salen s’e rrezon dot askush, perveç sikunder e thote edhe vet lufta ne vend.

  4. Mendoj se zakonisht per ngjarje te tilla ka tre versione. Versioni zyrtar, versioni qe e besojne te gjithe dhe e verteta, ajo qe realisht ka ndodhur. Kjo e fundit nuk zbulohet kurre dhe shkak per kete eshte versioni i dyte dhe jo i pari. Per 21 Janarin kemi tre versione, versioni zyrtar (i paqarte dhe si ne percartje, por ngelet version), versionin qe besojne te gjithe: I vrau Garda! dhe te verteten qe nuk do e zbulojme kurre. Ne fund fare versioni perfundimtar me c’duket do jete dicka e mesme mes atij zyrtar dhe atij te opozites qe ti kenaqe te gjithe. Te pakten ky eshte versioni im.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin