PASTRIM APO PASURIM?

Vitet e fundit, duket sikur interesi për çështje të gjuhës shqipe është gjallëruar, po të gjykosh nga reagimet dhe komentet e lexuesve në mediat dhe forumet e debatit në Internet. Në të vërtetë, pjesa më e madhe e diskutimeve sillen rreth ligjërimit të mediave, duke u bërë edhe vetë pjesë e atij ligjërimi e duke trashëguar të mirat dhe sidomos të këqijat e tij, në një kohë që elitat herë pas here i kthehen themeleve të standardit, por jo rrallë nga pikëvështrimi i një revanshizmi krahinor, që ndodh më tepër në sociologji sesa në gjuhësi, dhe që herë-herë merr ngjyra të ndezura lokaliste, siç e kemi zakon ne shqiptarët.

Masat e përdoruesve, ndërkohë, mjaftohen me pozicionime të thjeshta kundër fjalëve të huaja, të cilat janë edhe të lehta për t’u veçuar dhe sulmuar, meqë zakonisht dallohen nga pjesa tjetër e leksikut. Luftën për pastërtinë e gjuhës shqipe e gjen në çdo program kulturor kombëtar, që nga Rilindja e këtej, por shumë prej forcave vullnetare të kësaj lufte u pëlqen më shumë pastrimi sesa pastërtia, meqë edhe rehabilitohen moralisht, në mos kulturorisht, nëpërmjet qëndrimit të tyre të prerë ndaj prurjeve prej gjuhëve të tjera.

Në të vërtetë, huazimet e reja në shqipe i ndesh, para së gjithash, në ligjërimin publik të mass mediave nga njëra anë, dhe në zhargonet teknologjike nga ana tjetër. Letërsia dhe shkolla nuk duken të jenë prekur shumë prej dukurisë, çka tregon se vetë prurjet janë të natyrës sipërfaqësore; hyjnë dhe dalin së bashku me modat e ndryshme dhe stilet e paraqitjes mediatike, por fjalët vetë nuk depërtojnë deri në gjuhë, as bëhen pjesë e kodeve leksikore; por mbeten peng i ligjëratave ku janë përdorur.

Meqë shteti, me institucionet e veta kulturore, nuk është se po bën ndonjë përpjekje të organizuar për t’i vënë fre dukurisë së huazimit lirshëm, atëherë vetë fakti që shqipja, si gjuhë, nuk po preket në thelbin e vet prej kësaj dukurie, tregon se huazimi që na shqetëson sot i përket më tepër kulturës së komunikimit, sesa gjuhësisë vetë; njëlloj sikurse edhe kritika ndaj tij dhe diskutimi që e pason. Pavarësisht nga arsyet që i detyrojnë folësit publikë të sjellin në ligjërim fjalë të huaja, këto nuk i dërgon kush për të “infektuar” shqipen, as duhen trajtuar doemos si të rrezikshme ose të dëmshme.

Nga ana tjetër, vëmendja e tepruar ndaj integritetit leksikor të ligjëratës së tjetrit, qoftë ky miku yt apo një prezantues televiziv apo editorialist në një gazetë kryesore, nuk i shërben as komunikimit, as shqipes vetë; meqë e ndërpret komunikimin, e pezullon, dhe në fund të fundit e përçudnon. Është njëlloj sikur, në një restorant, të hanim për drekë kamerierët.

Nuk është e lehtë të gjesh se çfarë e ka shkaktuar këtë vëmendje të tepruar ndaj ligjërimit shqip sot, nga ana e publikut; aq më tepër që ky publik, kur vihet të shkruajë, siç ndodh rëndom në komentet e lexuesve ose në forumet online, tradhton nivele shumë të ulëta të zotërimit të shqipes. Po ata njerëz që të shkulin dhëmbët për një fjalë të huaj që “të ka shpëtuar”, kontribuojnë hareshëm në nivelimin nga poshtë të ligjërimit shqip, duke shërbyer njëkohësisht si provë se shkolla, dhe veçanërisht mësimi i gjuhës atje, kanë arritur t’i edukojnë me vigjilencën ndaj fjalës së huaj, por jo me nevojën për t’u shprehur mirë.

Kërkesën për ta pasur gjuhën të pastër, qoftë edhe duke i pikasur dhe larguar fjalët e huaja nga ligjërimi, ose duke botuar dhe formalizuar lista të zeza fjalësh që duhen zëvendësuar, e kanë afruar ndonjëherë me shovinizmin dhe racizmin; çka mbështetet edhe nga fakti i njohur historik se diktaturat e të gjitha ngjyrave, që nga fashizmi italian e nazizmi gjerman, e deri te totalitarizmi enverist në Shqipëri, e kanë pasur për merak të madh pastrimin, ose policimin e leksikut në ligjërimin publik. Ksenofobia, ose frika ndaj gjithçkaje të huaj, ka luajtur një rol në këto lëvizje; sikurse edhe dëshira për ta thjeshtuar mendimin, duke larguar nuancat dhe fjalët me kuptim të pezullt. Nga kjo pikëpamje, lëvizja për pastrimin e gjuhës, sidomos kur nxitet dhe drejtohet nga institucionet qendrore, ka diçka nga rekrutimi ushtarak, qethja dhe veshja e tjetrit me uniformë, ecja me hap të rregullt dhe marshi; ose gatitja e gjuhës për “luftë”.

Mirëpo në rrethanat e kulturës shqiptare sot, e vetmja luftë që do të duhej të ndërmerrnin dhe të mbanin gjallë institucionet dhe qytetarët vetë, do të ishte ajo për përdorimin sa më të larmishëm të shqipes në fusha dhe në stile të ndryshme, ose përpjekja për pasurimin e gjuhës nëpërmjet përdorimit intensiv dhe pasurimit të mendimit shqiptar – gjë që nuk arrihet duke shënjuar, me laps të kuq, fjalët e huaja në një artikull gazete, as duke sugjeruar zëvendësimet e tyre.

Për shkak të lëvrimit të pakët dhe të njëanshëm, shqipja ka mbetur shumë prapa gjuhëve madhore europiane, sidomos në nivelin e komunikimit abstrakt dhe diturak, në çështje të etikës dhe të filozofisë dhe të besimit, të mendimit politik dhe historik, të sociologjisë dhe të psikologjisë. Ata që thonë se shqipja “është gjuhë shumë e pasur”, ose “i ka të gjitha mjetet…” etj., gënjejnë haptazi – bashkëfolësit e tyre ose veten; meqë gjendemi shumë larg atij niveli, kur ligjërimi ynë të mund të shprehë atë larmi mendimi dhe individualitetesh që e ndesh në gjuhët e tjera, të kulturave të cilat po duam t’i ndjekim dhe t’i bëjmë tonat; dhe nuk ka ndonjë gjë për t’u habitur këtu, po të kemi parasysh se shqipen kemi filluar ta shkruajmë dhe ta lexojmë seriozisht vetëm në fund të shekullit XIX; se universitetin e parë, për shqiptarët, e kemi krijuar në vitin 1957, ose vetëm gjysmë shekulli më parë; dhe se periudha e botimeve më të shumta dhe të shumëllojshme, për një publik më në fund të alfabetizuar, përkon me periudhën e një diktature të ashpër totalitare dhe moniste, që luftonte sistematikisht çdo shfaqje të intelektualizmit, të pluralizmit dhe të pavarësisë së mendimit.

E vërteta është që shqipja, sikurse çdo gjuhë tjetër, i ka mundësitë (potenciale) që të përpunohet dhe të ngrihet në nivelet intelektuale më të larta të mundshme; me kusht që përpunuesit e saj, pavarësisht nga fushat ku veprojnë, të jenë të po atyre niveleve të larta. Pastrimi i leksikut shqip, i parë si qëllim në vetvete dhe si ushtrim gjimnastikor i një retorike të thjeshtë kombëtariste në rrafshin e ligjërimit të mediave, i shërben para së gjithash varfërimit të mendimit, thjeshtimit arbitrar të koncepteve dhe të arsyetimeve, dhe përpunimit të një lloj ligjërate publike e cila të ketë larminë dhe pluralitetin e një kompanie ushtarësh të rreshtuar për paradë ose për betejë.

Sado paradoksale të tingëllojë kjo, shqipja do të përfitonte shumë më tepër sikur përpjekjet për pasurimin e leksikut dhe vënien në qarkullim të fjalëve pak të njohura ose të mbetura pa të drejtë në hije, të përqendroheshin në shkollë; në mënyrë të tillë që, si ligjëruesit, ashtu edhe publiku e tyre, të fitonin shprehitë e nevojshme për t’iu referuar më pas një fondi shumë më të pasur fjalësh shqipe se ato që zotërohen sot; ndërsa krejt diskutimet meta-gjuhësore, për origjinën dhe biografinë e fjalëve të përdorura në ligjërim, të braktiseshin si kundërprodhuese, sa kohë që ato e zhvendosin vëmendjen nga përmbajtja e ligjëratës drejt formës së saj gjuhësore.

Kjo do t’i vinte fre edhe dukurisë, të rrezikshme në vetvete, të dobësimit të statusit të fjalëve, ose të vetë normës leksikore; dobësim që ka të bëjë me idenë se zgjedhjet tona të fjalëve janë vetvetiu të diskutueshme, dhe se kritika ndaj këtyre fjalëve dhe propozimet për zëvendësimin e tyre me të tjera më të përshtatshme janë pjesë normale e komunikimit publik. Të gjitha ato “sëmundje” foshnjore të leksikut ligjërimor, që kanë të bëjnë me huazimet e reja, neologjinë (ose krijimin e fjalëve të reja) dhe përshtatjen kuptimore ose riciklimin e fjalëve ekzistuese (e cila çon në mbingarkesën e këtyre fjalëve), kanë të bëjnë, në analizë të fundit, me dobësimin e normës dhe, për pasojë, të vetë sigurisë gjuhësore të ligjëruesve. Me pak fjalë, kjo e fundit do të thotë që folësit të mos i gjejnë dot më fjalët e përshtatshme për të formësuar dhe përcjellë, në krejt pasurinë e vet, mendimin që kanë në kokë dhe, për hir të koherencës, u drejtohen pastaj klisheve ose frazave të gatshme, duke iu dorëzuar përfundimisht trysnisë së jo vetëm gjuhës së Tjetrit, por edhe idealit të tij gjuhësor. Një publik që e lë veten në duart e klishesë gjuhësore është një publik që jo vetëm nuk komunikon mirë, por edhe nuk mendon mirë; dhe nëse mendimin e kemi të gjymtuar, ose të rrafshuar tej mase, atëherë as për gjuhën tonë nuk do të arrijmë të mendojmë dot si duhet.

Shënim: botuar fillimisht në ResPublica.

Nuk ka komente

  1. Gjuha shqipe është shumë e varfër përsa i përket shkencave humane. Ndërsa përdorimi i fjalëve të huaja në ligjërimin mediatik nga gazetarët, politikanët ose intelektualët vjen si pasojë e një fjalori të varfër që ata zotërojnë (sidomos për gazetarët) në gjuhën shqipe dhe arsyeja më kryesore e përdorimit të klisheve prej tyre ka të bëj dhe me imazhin që duan të përcjellin te publiku gjoja si persona me kulture të gjerë ose si modernë . Në të shumtën e rasteve edhe ata vetë nuk u dinë kuptimin e termave që përdorin por thjesht e tha dikush vip dhe ata e kopjojnë , shabllon

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin