1, JANAR, 404

Historia në të vërtetë fillon diçka më përpara se një janari i vitit të largët 404. Mbase nja gjashtë muaj më parë besoj, se nuk ka gjë të shkruar. Eshtë koha kur në arenën e madhe të Romës njerëzit përleshen, shqyhen e theren ende më armë për të zbavitur spektatorët e ulur në shkallare, duke ngrënë fara luledielli ( shpresoj se ndokush nuk do të me thotë se i ka sjellë Kolombi nga Amerika).

Tamam në atë kohë një murg me emrin Telemak, fort ngjashmërisht i lindur në Turqi, u ngrit një natë i lemerisur nga disa zëra që dëgjoi në gjumë (mbase ende pa e zënë gjumi), por nuk kuptoi shumë gjëra. Zërat vetëm se e urdhëruan të nisej në Romë. Murgut i hyri frika dhe pyeti se çfarë do të bënte atje, por zërat nuk iu përgjigjen. As që bëhej fjalë të dinte më shumë se aq.

Ngrihet Telemaku dhe merr rrugën e parë që ndesh e niset për në Romë, se edhe atëhere të gjitha rrugët të shpinin në Romë. Arrin në metropol pas nja gjashtë muajsh dhe sapo hyri aty ndeshi në një zallamahi të madhe, njerëzit ulërinin si në ethe e nxitonin drejt Koloseut, ku perandori Honorius sapo kishte firmosur një çek (mbase i ushqyer nga ndonjë filial i Bankës Botërore) për sezonin e ri të vrasjeve direkt në arenë (versioni i parë eksperimental i Big Brother).

Pasioni i romanëve për të tilla shfaqje dihet, por duke nxituar për te Koloseu, në furi e sipër ata rrëmbyen edhe Telemakun e varfër, që donte nuk donte (volens nolens, thuhej tamam tamam në atë kohë) u gjend te shkallët e spektatorëve.

Arena ishte tashmë gjithë gjak, por sapo tërhoqën të vrarët e parë, aty u shfaqën dy gladiatorë të tjerë.

Telemaku nuk e kuptoi as vetë se çfarë e zuri, por kërceu dhe u hodh në mes të arenës. Aty iu duk se diçka po e kuptone përse e kishin patur fjalën ato zërat dhe u fut midis atyre dy djelmoshave të fuqishëm që shihni ne foto dhe thirri: Në emër të Krishtit, prapsuni!

Po kujt t’i flasësh? Ata dy shokët qe po e hanin njëri tjetrin me sy, u bënë spec të kuq. Po publiku, pastaj? Zoti madh si u vu të ulërijë! Po puna është se atij murgut fukara as që i dridhej syri, nuk lëvizte vendit.

Kaq u desh dhe gurët fluturuan si breshër mbi të. Disa fanatikë shkulën pllakat e ndenjësve dhe ia lëshuan mbi kokë.

Telemaku vdiq. Nuk përjashtohet edhe të jetë penduar për atë zjarrmi marrëzie që i kishte hipur në kokën në atë Turqinë e tij të largët.

Po historia nuk përfundon me vdekjen e tij.

I prekur nga ajo që i treguan Perandori Honorius dekretoi fundit e luftimeve të gladiatorëve. Ja, pra kjo është ajo që ndodhi më 1 janar 404.

Nuk e di nëse është një përjashtim, që provon se në botë nuk ka më kësi përleshjesh barbare, por askush prej jush nuk dyshon se në Shqipëri urdhëresa e Honoriusit nuk ka gjetur zbatim. Të paktën deri tani.

Në këto kushte, ju mendoni çfarë të doni por unë kam një propozim: Po sikur në arenë të marrim e hedhim f.v.j. znj. Topalli dhe znj. Dade (dy për të qenë më të sigurtë por lista mbetet e hapur edhe për kandidatura të tjera për të dyja gjinitë), me shpresë se kur personazhet tanë të rrahin flatrat e të ngjiten në qiell, gladiatorët e politikës sonë do të preken e do të kujtohen se ka edhe rrugë e gjuhë tjetër për të bërë politikë?

E mira e punës e do që të mbetem i hapur për çdo ide tjetër.

Nuk ka komente

  1. eh, dyluftimi ne arene, balle per balle eshte sa burrerore aq edhe fisnike. Por, fatkeqesisht shqipetaret e sotem nuk e njohin kete lloj luftimi/ballafaqimi. Eterit ju kane mesuar vetem goditjen pas shpine si mjet per tu hakmarre.

  2. Në fakt duhet përdorur taktika; strategjia që, në vënd të përplasjes ballpërballë,t’ja fusim anës (e pas anës)… të dobsohet kundërshtari nga sëmundja e tij.
    Në vend që t’i hedhim në të ashtuquajturën cortina di ferro (o fossa dei leoni), t’i dërgojmë urimet (me rastin e Vitit të Ri, bije llafi) vetëm njërës palë, duke ju lajkatosur si pjesa më e fortë dhe më e pasur. Është e pamundur që pjesa tjetër të mos plasë nga inati e zilia…

  3. Ide aspak e keqe. Mund te bejë pjesë ne aksionet tona te ardheshme! Plasja e kundërshtarit! Me siguri origjinen e ka te ajo semundja e tmerreshme e mesjetes.
    E hatashme!!!

  4. Nuk pi me uje kjo melodi paqendjellese, a thua se ne Shqiperi ka me te vertete nje konflikt politik ndermjete paleve. Nuk ka konflikt politik, se ate ku ta gjesh, por ka sherr dhe hatermbetje ndermjet klanesh per interesa ekonomike, jo partive, ndermjet kokave larte, e rrjedhimisht koqeve poshte, qe rrekin gjithsekush per vemendjen e njerit apo tjetrit kryetar.

    Shoqerojne te vjella disa artikuj apo thirrje mbi pajtim e mirekuptim. Ne fakt ka mirekuptim me shume se c’duhet ne nje demokraci. Njeri do t’i shese vete KESH e ALBPETROL. Dale ore i shitet te gjitha vete… na lini edhe ca ne. Po ju shitet ALBTELECOM? Po OSSH nuk ju mjaftoje? Ju dhuruam amnistine, peshqesh per vitin elektoral! Po ne te tjeret heshtem per Bulqizen, asgje nga prokuroria. Te pangopur paski qene, me thuaj nje socialist qe u denua per korrupsion! Dhe kakaritjet nuk rreshtin….

    1. Kapedan me le pa mend. Po a nuk eshte teksti e nenteksti i gjithe ketij shkrimi nje menyre per te thene: mjaft me keto maskarada masakruese?!

      1. desha te nderhyja keshtu kot pra, si per vit te ri, me thuaj a shkon sallata ruse me persheshin e gjelit te detit…ceshtje gastronomike…

  5. Po mendoja se ata qe idealisht do t’i beheshin kurban kauzes qe gjesend te ndryshonte, duhej edhe te kishin ndonje tipar te perbashket me murgun Telemak. Gjen dot kush Telemaker (apo Telemeqer) sot nder anet tona?

    Po mendohesha pastaj edhe per ate sallaten me persheshin e gjelit. Po qe se jane te bera mire… po mire ama… besoj se shkojne paq. Psh une do haja persheshin per te pare, mishin e gjelit per te dyte, shoqeruar me sallaten ruse si contorno. Une dua vere te kuqe, dhe sado qe teorikisht keto pjata do shkonin me nje vere te bardhe, te thate e te mprehte, do t’i shoqeroja me Bogle Phantom te 2007. E mrekullueshme dhe krejt e perballueshme per nga cmimi.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin