NUK FAL

Trenat e rinj të metrosë së NYC kanë një sistem automatik të lajmërimit publik – me mesazhe të pararegjistruara; ndryshe nga trenat më të vjetër që ende i gjen në disa linja e ku lajmërimet për udhëtarët ende i bën një homo sapiens: konduktori ose makinisti.

Sistemi automatik jo vetëm jep të dhëna për stacionet ku po afrohet treni ose për mundësitë e shkëmbimit me trena të linjave të tjera, por edhe njoftime për ndryshime në oraret ose në drejtimet e trenave, si dhe mesazhe të departamentit të policisë dhe porosi të tjera për sigurinë dhe luftën kundër terrorizmit (njerëz, jini vigjilentë!).

Qëllon ndonjëherë që treni ndalet në tunel, për një arsye çfarëdo; dhe në raste të tilla, zëri i pararegjistruar do të thotë se “ka trafik para nesh,” ose “po na mban këtu dispeçeri i stacionit”, ose ndonjë gjë tjetër të ngjashme. Pas kësaj, i njëjti zë mekanik, pompoz dhe lehtësisht qesëndisës, shton: we apologize for the delay. Ju kërkojmë të falur për vonesën.

Më qëllon ndonjëherë, kur udhëtoj me metro, të pyes veten se kush pikërisht m’i thotë këto gjëra mua udhëtarit; jo cili aktor i ka shqiptuar mesazhet në studio, por kush është burimi i ligjëratës, ose, siç e quajnë në gjuhësi, subjekti i thëniezimit (me fjalë të tjera të thjeshtuara, personi që flet). Kush më fton të rri larg dyerve të trenit, kur janë duke u mbyllur ose që të përdor të gjitha dyert e vagonit, për të mos e vonuar trenin në stacion? Kush më porosit që të bëj kujdes, se mos pengohem në hapësirën midis trenit dhe platformës së stacionit, kur jam duke zbritur? Kush më kujton që të mos harroj trastat, qeset dhe çantat, tek jam duke u bërë gati të dal nga treni? Kush prind a mësues imagjinar më trajton mua udhëtarin si fëmijë?

Me trenat e vjetër, kjo pyetje e gjen menjëherë përgjigjen: është konduktori i trenit që flet, ose një njeri prej mishi e gjaku si unë, që përcjell, me qenien e vet dhe sidomos me rolin e vet, autoritetin e MTA-së (Metropolitan Transportation Authority). Në trenat e rinj, kur mesazhet vijnë të pararegjistruara, nga i njëjti zë anonim në çdo tren, në çdo vagon, në çdo linjë, konduktori nuk flet më, përveçse kur informacioni që duhet përcjellë është i tillë, që nuk mund të mbulohet nga mesazhet e gatshme.

Po kush i thotë këto mesazhe abstrakte atëherë? Nga vijnë?

Një mundësi përgjigjeje do të ishte: sistemi i metrosë së NYC, tërësia e llahtarshme e trenave, e tuneleve, e shinave, e konduktorëve, e policëve, e sindikatave…

Në fakt, dhënia e informacionit pa subjekt thëniezimi të identifikueshëm nuk është ndonjë gjë e re. Edhe një tabelë e thjeshtë, NDALOHET KALIMI, funksionon në të njëjtën mënyrë; sikurse shenjat e qarkullimit rrugor ose gjithfarë shenjash të tjera publike, të cilat na informojnë për shërbime, ose për drejtime që duhet të marrim, ose për rreziqe të ndryshme.

Çdo tren metroje e ka të shënuar numrin ose shkronjën e linjës në dritaret e vagonit, nga brenda dhe nga jashtë; sikurse gjenden, brenda vagonit, edhe diagrame të thjeshta që tregojnë rrugën që bën treni dhe stacionet ku ndalet, pa përmendur hartën e përgjithshme të metrosë. Këto shenja pamore nuk ndryshojnë shumë, për nga funksioni, me lajmërimet zanore automatike për stacionet të cilave u afrohet treni, ose me informacione të tjera që kanë lidhje me linjën, shkëmbimet, ose ndryshimet e orareve. Të gjitha informacionet vijnë vërtet nga një burim; madje ky burim duhet të ketë me përkufizim autoritet ose të jetë autentik. Ndoshta nuk do të ishte ndonjë gabim, tek e fundit, që të identifikohej subjekti i këtyre informacioneve me sistemin e MTA (ose të Metrosë).

Megjithatë, kur ky sistem guxon dhe të kërkon të falur për vonesat, atëherë metafora nuk qëndron dot më; sepse të kërkosh të falur është akt gjuhësor që nënkupton pjesëmarrjen, me një farë simpatie ose empatie, të palës që (kujton se) të ka lënduar. Kur përplasesh me një person në rrugë, ti i kërkon të falur, nëse mendon që faji është yti; por kur përplasesh me një shtyllë, ti nuk i kërkon shtyllës së falur, as pret që shtylla të të kërkojë të falur (edhe pse shtylla mund të ketë të afishuar një tabelë, e cila të lajmëron të bësh kujdes dhe të mos përplasesh me të).

Nga ana tjetër, unë njoh një eskalator, në stacionin e metrosë në Herald Square, që thotë pa pushim: “Have a nice day!”, me një zë gramafoni si të atyre kukullave që thonin dikur MAMA dhe që mua nuk di pse më kall datën. Kush e ka pasur vallë këtë ide kaq djallëzore, që ta vërë eskalatorin t’u urojë njerëzve ditë të bukur? Një herë, një eskalator në stacionin Tiburtina në Romë u prish, kapi një zonjë me nofullat e veta dhe e bëri pelte – janë makina të fuqishme dhe mizore. Kur e kam parë lajmin në gazetë, kam vrarë mendjen nëse ai eskalator atje u uronte njerëzve udhë të mbarë gjithashtu, (madje edhe gjatë kohës që po e shqyente zonjën, meqë sisteme të tilla janë gjithnjë modulare), apo ndonjë ndeshtrashë tjetër njëlloj të hareshme. Po ky eskalatori në Herald Square ende nuk ka çgjymtyruar kënd, se përndryshe do t’ia kishin prerë kordat zanore (if only).

Nuk po nis të ankohem për sistemet e përgjigjes automatike, të shërbimit të klientëve, bie fjala, të bankave ose të shoqërive të sigurimit; por do të kthehem tek zëri që u kërkon të falur udhëtarëve, në metro, për ndonjë vonesë të çfarëdoshme të trenit. We apologize, thotë zëri, duke u fshehur pas një ne-je mbretërore (vetë MTA-ja si grup ose kor i frikshëm qeniesh autoritare, të cilat urdhërojnë lëvizjet e trenave nën dhé dhe mbi dhé). Mirëpo unë nuk mund të pranoj që një sistem automatik mesazhesh të pararegjistruara të më kërkojë të falur. Diçka brenda meje lëndohet, fyhet, revoltohet, ndihet e përdhosur, e nëpërkëmbur, e shkelur. Normalisht, të falurën duhet të ma kërkonte personi i cili ka shkaktuar vonesën – por kjo është e pamundshme. Sikurse e përmenda, të falurit nuk është thjesht transmetim informacioni (NDALOHET DUHANI), as mënyrë e stërholluar për të imponuar një autoritet atje ku ti nuk pret që të ketë autoritet (NDALOHET DUHANI: unë, që e them këtë, kam autoritetin të mos të të lejoj që ta ndezësh këtu; ose unë, që e zotëroj këtë hapësirë edhe pse ti nuk më sheh, të shfaqem ty me ndalimin për ta ndezur të shkretën). Të falurit është pjesëmarrje emocionale në komunikim; meqë përcjell jo vetëm informacion, ose të falurit vetë, por edhe një keqardhje, simpati, empati, në daçi edhe ironi. (Më fal se të prisha rehatin.) Dhe, gjithsesi, të falurit kërkon që subjekti që e kërkon, të ketë dijeni për çfarë ka ndodhur. Përndryshe, gjesti pre-emptiv i apologjisë, përshenjon kryesisht arrogancë. Ju kërkojmë të falur për vonesën, në gojën e një sistemi automatik, do të thotë kryesisht: hiç nuk po na plas, se u vonuat ju pesë minuta; thoni më mirë falemnderit, që po ju shpiem në destinacion shëndoshë e mirë. Sikurse do të thotë: ne e kemi situatën nën kontroll (ia dimë shkakun vonesës).

Pa shtuar pastaj se zakonisht vonesën e shkaktojnë dy gra multiraciale që i hidhen befas në fyt njëra-tjetrës (çështje horoskopi) dhe pastaj rrëzojnë tulet e bëshme dhe të sfungjerta në dyshemenë e qelbur të vagonit, teksa një turist i trembur nga Minnesota tërheq me dorën e dredhur frenin e sigurisë, si Shvejku. MTA-ja, megjithë kudogjendjen e saj orwelliane, nuk mund të lejojë që ky sekret profesional të dalë sheshit. Më kollaj është të vësh një altoparlant të kërkojë të falur; dhe pastaj një eskalator që të të urojë ditë të mbarë, kur të dalësh nga stacioni.

Nuk ka komente

  1. Lutem që të gjitha vërejtjet që mund të keni në lidhje me çështje jothelbësore të temës së trajtuar (sidomos ato në lidhje me gjuhën, të cilat i obsesionojnë disa) të m’i dërgoni privatisht, në adresën që shfaqet kur klikoni mbi emrin tim. Edhe pse unë e çmoj sinqerisht interesin e lexuesit në këto çështje dhe kam shumë ç’të mësoj nga të gjithë ju, më duhet t’ju kujtoj se hapësira e komenteve ka për funksion të nxitë diskutimet rreth temës së shkrimit kryesor, jo rreth mënyrës si shkruan autori; prandaj çdo vërejtje të tipit “ke përdorur një fjalë të huaj” do ta konsideroj si orvatje për të shmangur vëmëndjen nga tema, gjë që nuk mund ta lejoj, sa kohë që qëllimi i blogut është rrahja e temave, jo përsosja e idiolekteve të autorëve sipas gjedhit leksikor purist.

  2. Ndoshta problemi qendron tek modaliteti i zerit ne vetvete. Zeri permban gjithnje dicka te pazberthyeshme. Nuk behet fjale thjesht per ate qe quhet prozodi por edhe per nje element thellesisht intim dhe metafizik. Dicka qe te kujton historine e Muhametit qe shpallja i erdhi ne shpelle pikerisht me ane te zerit. Foshnja gjithashtu, para se te shohe nenen e saj, para se gjithash e degjon ate qe ne bark. Ndjesia qe provojme kur jemi ne erresire dhe degjojme nje kenge eshte teresisht e ndryshme me ate qe provojme kur shohim psh nje foto sado e bukur te jete kjo e fundit. Ne rastin e kenges ajo na duket sikur na flet vetem ne, na perkedhel ne njefare mase deshiren per vecanesi.

    Nuancat qe permban zeri njerezor arrijne te qendrojne pertej teknikaliteteve dhe praktikaliteteve qe perdor sot njerezimi me qellim mbarevajtjen e perditshme te gjerave. Mendoj se ky element e ben te veshtire edhe teknologjine e prodhimit artificial te zerit dhe te te folurit. Sado te afte na ka bere shkenca teknikisht per te zberthyer, analizuar dhe riprodhuar tingujt, perseri gjuha e prodhuar artificialisht qendron e larget per veshet e degjuesit.

  3. Kjo është kaq e vërtetë dhe të falënderoj për prurjen. Në fakt, efekti autoritar i zërit të shtrupëzuar (disembodied) – i cili bashkon në vetvete hyun që flet nga një përmasë transhendentale dhe halucinacionin dëgjimor të skizofrenit. Dua të them: shkëputja e zërit nga burimi i drejtpërdrejtë (njeriu që flet, si qenie e gjallë, ose më mirë trupi njerëzor që prodhon ligjërimin, si dukuri fizike), ose shtrupëzimi, si kusht për imponimin e një autoriteti pothuajse metafizik. Në distopitë dhe makthet totalitare të artit të shekullit XX, atmosfera paraqitet rregullisht si e nginjur, madje e mbingopur, në mesazhe të tilla të shtrupëzuara: jo vetëm dëgjimore, të përcjella nga altoparlantet si urdhra ose këshilla, por edhe pamore, në trajtë parullash gjithfarësh në muret, të cilave gjithashtu u mungon një subjekt thëniezimi i identifikueshëm. Kjo vlen edhe për mesazhin RREZIK TRENI. NDAL, SIGUROHU, KALO, edhe për mesazhin PARTI-ENVER; madje dobishmëria e të parit shërben si leje-kalimi për absurditetin e të dytit, i cili është pothuajse paragjuhësor, në pagramatikalitetin e vet. Ngjashëm veprojnë edhe sloganet publicitare, të llojit JUST DO IT, edhe pse këto priren t’i falen më tepër modelit viral dhe të funksionojnë efektshëm duke u replikuar në ligjërimin e të gjithëve, njëlloj si batutat e filmave. Gjithsesi, mungesa e një subjekti lehtësisht të identifikueshëm të thëniezimit, ose e një autori të thënies publike, shërben për mua si tregues i faktit që zëri që po më flet është zëri i padronit (la voce del padrone); në kuptimin që mua marrësit më duket vetja si personazh i një rrëfimi, të cilit i vijnë mesazhe të shtrupëzuara nga rrëfimtari; meqë rrëfimtari, duke i përkitur një rrafshi të ndryshëm nga personazhi i vet, mund të komunikojë me të, por jo t’i komunikohet në mënyrë shqisore. Argumenti e ka edhe një aspekt teologjik – por nuk po zgjatem më.

  4. Aspekti invaziv i teknologjisë në jetën tonë të përditshme, sidomos kur veprimtarinë e tij e kryjen nëpërmjet mesazheve të prerregjistruar, nganjëherë shfaqet edhe në forma kurioze (dhe pse jo të rrezikshme).
    Javën e kaluar më qëlloi të përdorja makinën e një kolegu, makinë që, ndër djallëzitë elektronike të pafund, nuk mund të mos kishte dhe “udhrrëfyesin elektronik” (ose i thënë shqip: Navigatorin satelitor)
    Ndryshe nga kolegu, që për arsye që nuk më interesojnë të hulmutoj më thellë, kishte zgjedhur si spiker,për mesazhet audio, zërin e një humoristi, unë impostova si zë më të pëlqyshëm për veshët e mij, atë të një femre.
    Pamvarsisht shijeve tona në përzgjedhjen e cilësive të ndryshme të zërit të folësit/folëses, është interesant fakti që, pothuajse automatikisht, bëhemi robër të ati zëri… ju bindevi “urdhërave” të tij në mënyrë automatike a thua se edhe ne kemi marrë papritur disa veti prej roboti. Kjo bëhet me një natyrshmëri maniakale duke qënë gjithmonë të vetdijshëm që DUHET të kemi besim tek pagabueshmëria e teknologjisë në stadin e avancuar në të cilin ajo ka arritur… Kjo deri kur, duke mos ju besuar veshëve të duhet t’i hedhësh një sy edhe monitorit për të parë nëse informacioni viziv përputhet me mesazhin audio të sapodëgjuar dhe të vësh buzën në gaz me gabimin madornal të elektronikës, sado të evolvuar, aspak njerëzore dhe në aspektet e një logjike foshnjore, kur të thotë: “Adesso giri stretto a sinistra verso la via…” që do të ishte një komandë mjaft normale përgjatë një udhëtimi, sikur të mos ishe në… autostradë (dhe larg ndonjë stazioni daljeje prej saj).

    P.s: nuk e di se pse më hypi një dëshirë që të përdorja herëpas’here e vend e pavend fjalë t’jashtme 😛

  5. Sot mendova te marr per here te pare trenin ne Tiburtina. Te them te drejten mbeta pa mend, jo vetem qe isha i ndergjegjshem pas pershkrimit te mesiperm, por pamja e trenave e pikturuar njesoj si dhe pallatet e Tiranes, e gjithe ambientit ne pergjithsi me la shije te hidhur. Stacionet duhej ti ndiqje me shume kujdes sepse nuk kish asnje ze elektronik qe te te paralajmeronte se me ne fund duhej te zbrisje nga ky udhetim i panevojshem.
    Ne fakt, sistemet automatike te ketij lloji jane te domosdoshme per te gjithe ata qe u duhet te humbin pamvarsine nga lodhja dhe rutina e perditshme e punes.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin