DHURATAT E GABUARA

Jemi kohë dhuratash. Krishtlindjet së pari e Viti i Ri më pas. Raste të mira për të shkuar në dyqan e për të ambalazhuar me letra farfuritëse dhurata për të dashurit tanë. Në Shqipëri dhuratat për festat e fundvitit evokojnë ende botën fëmijënore, sepse tradicionalisht u bëheshin të miturve. Të mëdhenjtë kanë filluar vonë ta shijojnë kënaqësinë e marrjes së dhuratave e gjithsesi jo në masë të përhapur.

Megjithëse kënaqësia më e madhe është të bësh dhurata e jo të marrësh, sot desha të kujtoj dhuratat e gabuara, që nuk bëhen vetëm në rast festash. Ditëlindja, përvjetorë të ndryshëm, dita e nënës/gruas, festa e mësuesit, dita e babait, Shën Valentini, dhuratat kanë shumë shanse të kalojnë nga vitrinat e ftohta të shitoreve në duart e ngrohta të njerëzve. Mirëpo cili është ai që nuk është zhgënjyer ndonjëherë nga dhuratat? Ndoshta ekziston, ndoshta fshihet pas shprehjes “rëndësi ka ideja”, ndoshta nuk ia rrëfen as vetes, por përtej klisheve dhe turpit ka nga ata që rrudhin buzët kur u bien në dorë dhurata koti.

Po t’i konsideronim dhuratat si metër për gjykimin e njerëzit, këto do t’i ndanim në dy grupe: ata që bëjnë dhurata e ata që nuk bëjnë. Tek kategoria e parë hyjnë ata që nuk dinë t’i bëjnë dhuratat, sepse nuk i godasin asnjëherë, ose rrallë herë. Si të thuash, idenë e kanë të mirë, por pastaj zgjedhin gabim.

Zgjedhja e dhuratës nuk është e thjeshtë. Presupozohet ta njohësh mirë personin, t’ia njohësh shijet e ndoshta nevojat. E them këtë sepse ka nga ata që duan t’u bëjnë dhurata të dobishme të tjerëve, në kuptimin që t’u hyjnë në punë e që mund t’i përdorin. P.sh. gjyshes me bastun nuk mund t’i dhurosh biçikletë, por mund t’ia bësh nipit që të shkojë në shkollë; këtij nuk mund t’i dhurosh kollare, po as gjyshes; e më mirë mos t’ia dhurosh askujt kutinë për të dredhur cigaren, aq më pak atyre që nuk e pinë duhanin.

Dhurata e gabuar është dështim komunikimi. Ka një mospërputhje mes dëshirës së dhuruesit e dëshirës së marrësit. Dhurata në këtë rast është sikurse përshëndetja “mirëmëngjes” andej nga muzgu, ose “mirëmbrëma” në pikë të mëngjesit. Dhurata e gabuar mund të jetë faji i dhuruesit, sepse nuk ka ditur t’ia gjejë shijet tjetrit, faji i dhuratëmarrësit sepse e ka tepruar me pritjet e veta, faji i vetë dhuratës sepse nuk gjendej një e hajrit në treg. Shembullin për rastin e fundit mund ta gjejmë në Shqipërinë totalitare, kur në ekonominë e centralizuar zgjedhja ishte e reduktuar në maksimum dhe artikujt-dhurata ishin përgjithësisht produkte artistike, ose komplet filxhanësh. Por edhe sot në ekonominë e tregut, kur fëmija të kërkon filan hero p.sh. të serisë “Transformers”, ti mund të bëhesh copa por nuk e gjen në treg; pastaj vendos t’i marrësh shokun e heroit, pra sipas gjasës kur ta hapë dhuratën do t’ia plasë të qarit. Deri në një farë moshe fajin mund t’ia veshësh Babagjyshit të vitit të ri, më tej bëj autokritikë e kërko ndjesë.

Edhe unë jam viktimë, por sipas gjasës edhe autor, dhuratash të gabuara. Disa ditë më parë më dhuruan një libër për dashurinë. Problemi i parë ishte se ma dhuroi një koleg në punë, çka më bëri të mendohem gjatë. Dhurata do të kishte qenë më e kuptueshme sikur të ma kishte dhuruar një kolege femër; nga ana tjetër kolegu im është jashtë çdo dyshimi nga ajo pikëpamje, çka vetëm se e ndërlikon interpretimin e dhuratës. Problemi i dytë qëndronte tek unë: përse u bëra marrës i një libri për dashurinë? Nuk e njoh? Nuk kam ndjenja? Jam i ftohtë si kompjuteri? Jap këtë përshtypje? Mos ia ka këshilluar ime shoqe? Pra gjuajtje me tabelë? Problemi i tretë ishte riciklimi i dhuratës. Bënte qartësisht pjesë në kategorinë e të pariciklueshmeve. Meqë nuk më pëlqente si libër (kam shumë më të mirë në bibliotekë) duhet t’ia dhuroja dikujt tjetër. Po kujt mund t’i bëhet një dhuratë e tillë pa u keqkuptuar? Dashnores, natyrisht. Por kur nuk e ke, ç’duhet të bësh, të zësh dashnore për të dhuruar një libër? Tejet e lodhshme.

Riciklimi është praktikë e vjetër. Madje edhe në Shqipëri. Më duket se ka pasur një skeç të vjetër për një komplet gotash që kaluan nëpër disa duar për t’u kthyer sërish tek ai që i kishte blerë në fillim. Skeçi ishte pak i tepruar pasi produktet-dhurata ngjasonin shumë me njëri tjetrin, pra mund të ishin me qindra në qarkullim e të dukej sikur ishte vetëm një, por që rrotullohej me shpejtësi të madhe. Praktika e riciklimit ekziston edhe sot. Përhapja e saj është në përpjesëtim të drejtë me numrin e dhuratave të gabuara. Sa më shumë rriten gabimet në dhurata, aq më shumë rritet riciklimi i tij. Ka diçka ushtarake në këtë proces, sepse vetëm në ushtri nuk ka vjedhje, por vetëm zëvendësim, siç thoshte dikush i famshëm. Pra riciklimi shfaqet si proces ekuilibrimi, që anon ta korrigjojë gabimin në sistemin e shpërndarjes së dhuratave. Ekuacioni nuk del vetëm nëse gabimet në dhurata përsëriten vazhdimisht. Por kjo do të ishte djallëzore.

Dhuratat më të vështira për t’u bërë janë ato me karakter personal. P.sh. parfumi është i vështirë, sepse duhet të gjesh pikërisht atë që i pëlqen. Parfumi mund të hyjë edhe në kategorinë e vetëdhuratave, sepse duket sikur i drejtohet dikujt tjetër, por në fakt mund të jetë për dhuruesin. Në një film të Woody Allen-it, është një skenë kur ai i dhuron të dashurës një komplet intim ultraseksi. Ajo ia kthen: “Kjo është dhuratë për ty, jo për mua!”.  Këto lloj dhuratash janë edhe më të vështira për t’u ricikluar. Pikë së pari sepse dhuruesi mëton t’i shohë në përdorim, së dyti sepse janë tejet personale e s’mund të kalohen lehtë tek tjetri/a.

Nga pikëpamja ekonomike ende nuk e kam fokusuar mirë. Dhuratat e gabuara e dëmtojnë apo e ndihmojnë ekonominë e tregut? Nga një anë mund të thuhet se e rrisin konsumin, çka mund të deponojë pozitivisht për nxitjen e ekonomisë, nga tjetra sikur e frenojnë meqë pritja për ta ricikluar pezullon edhe shitblerjet. Gjithsesi, vetë procesi i dhurimit e ndihmon ekonominë, gjë që shpjegon edhe komercializimin e shumë festave me karakter tjetër, si p.sh. festa fetare e Krishtlindjeve. Në këtë pikë, për Shqipërinë postotalitare mund të thuhet se janë implantuar artificialisht festa si ajo e Shën Valentinit, që nuk njihej më parë, por që i bën xhiro të hatashme tregtoreve, sepse numri i çifteve (konsumatorëve) është variabël, meqë nuk përftohet vetëm nga shuma e të martuarve, të fejuarve e të dashuruarve. Formula e trekëndëshit i rrit ndjeshëm dhuratat në festën e të dashuruarve. Klasik është ngatërrimi i dhuratave: i jep gruas (burrit) atë që duhet t’i jepje dashnores (dashnorit). Këtu realiteti është më i pasur se romanet e filmat.

Kur flitet për ricklimin e dhuratave, mendja të shkon tek riciklimi i plehrave. Evokimi është i pashmangshëm. Mirëpo, nëse disa dhurata mund të jenë vërtet plehra, jo të gjitha plehrat mund të riciklohen. Nuk besoj se mjedisi përfiton nga dhuratat në përgjithësi, ose nga të gabuarat në veçanti. Ndoshta riciklimi ul ndotjen, relativisht veçse, meqë në vend që të hidhet në kosh, dhurata e kotë shkon në adresë tjetër. Por në këtë rast ke konsideruar dikë si kosh plehrash, çka nuk është entuziasmuese për marrësin e dhuratës. Për fat të mirë ai nuk e di, e nëqoftë se ia mbështjell dhuratën me qese të riciklueshme, atëhere dukesh dyfish i ndjeshëm, ndaj personit vetë e ndaj mjedisit ku ai jeton. Ambjentalist si veprim, por toksik për mjedisin njerëzor.

Të pyesësh të tjerët nëse kanë bërë ose kanë marrë ndonjëherë dhurata të gabuara tingëllon përnjëmend retorike. Ajo që na shpëton të gjithëve është mirëbesimi dhe kënaqësia e aktit të dhurimit, që me dhuratën vetë nuk ka të bëjë asfare.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin