VIOLINAT E TË DREJTËVE

Kreu i PS-së Edi Rama ka zgjedhur t’u dërgojë miqve të vet, për festat e fundvitit, një kartolinë që riprodhon imazhin e mirënjohur të Man Ray-t, Le Violon d’Ingres.

Meqë, në vështrim të parë, ky imazh është i një gruaje lakuriqe, mediat e djathta të Tiranës u skuqën flakë dhe shpërthyen koralisht në një Vade retro, satana!.

“Fotografi e një femre nudo,” e quante kartolinën një editorial i Gazetës 55, që pastaj nuk i kursente cilësimet e tipit “zgjedhje perverse e radhës”, “s’ka respekt për socialistët”, “dallkauk që ka vënë nën këmbë të majtën” dhe natyrisht, monumentalja “kërkon të mbajë peng edhe të ardhmen e Shqipërisë.”

Kjo gazetë ia kushtoi veprës së Man Ray-t dhe zgjedhjes së Ramës krejt faqen e vet të parë sot, duke riprodhuar një version të imazhit që nuk ka të bëjë me veprën origjinale; dhe duke i thënë lexuesit se gruaja që ka pozuar nudo për foton “ishte një grua pa frena morale në Parisin e shekullit të shkuar, e cila kaloi nëpër duart që e paguanin dhe humbi jetën për shkak të abuzimit me alkoolin dhe drogën. Modeli i gruas u është shpërndarë socialistëve si shembull i 2012-ës…”

Ia bënë këta të ndërkryer biografinë morale edhe subjektit të fotos, si të ishin inkuizitorë të Shqipërisë burrnore, që mbulon sytë me duar, sa herë i del përpara edhe aluzioni më i pafajshëm i një bukurie fizike femërore!

(Aluzionet e Gazetës 55 më kujtuan, ndër të tjera, që Caravaggio-s ia kanë refuzuar dikur Vdekjen e virgjëreshës, meqë kish përdorur një dashnoren e vet prostitutë si model për Shën Mërinë.)

Kur e shoh veprën e Man Ray-t, madje edhe këtë riprodhim të çuditshëm që kanë zgjedhur te Gazeta 55 (ngaqë nuk do t’ua ketë mbushur mendjen origjinali, ose për arsye të copyright-it, të cilin e djathta e respekton me fanatizëm), unë mendoj për ngjashmërinë mes trupit të femrës dhe violinës; dhe më tej, të pranisë së femrës në jetën time dhe pranisë së muzikës, ose të bukurisë në përgjithësi.

Por ja që paska edhe mendje, për të cilat kjo foto evokon lakuriqësinë, degjenerimin, perversitetin dhe zvetënimin. Rrugët e artit janë të pafund.

Pse e zgjodhi vallë Rama imazhin e Man Ray-t, për kartolinën e vet? Unë them se e zgjodhi ngaqë i ka pëlqyer dhe ka dashur ta ndajë atë ngazëllim estetik me miqtë dhe kolegët e vet. Gjithsesi, këtu nuk ka vend për analiza të mëtejshme, as për budallallëqe si këto që shkruajnë e thonë mediat e djathta.

Natyrisht, pala e indinjuar me kartolinën e Ramës dhe imazhin e Man Ray-t kërkon të përfaqësojë pjesën e ndershme, kanunore, patriarkale, tradicionale të shqiptarëve, që e konsiderojnë lakuriqësinë artistike si isharet e ngashënjim të djallit. Që dështon krejtësisht në këtë pozë, kjo shpjegohet fare thjesht: askush nuk i beson dot këta rondokopë, këta materialistë të betuar, këta tartufë, këta parvenu e këta qen të plaçkës e të parasë, kur i sheh të krekosen në podiumet e autoritetit moral dhe patriarkal, duke u hequr të shqetësuar e të lënduar pa masë nga fundshpina e nudos artistike të Man Ray-t.

Ka doemos shqiptarë që nuk e pranojnë dot gruan, ashtu siç është paraqitur në imazhin e zgjedhur si kartolinë nga E. Rama: u duket tepër e objektifikuar, ose e erotizuar, ose e gjymtuar (pa krahë, ose simbolikisht e privuar nga aftësia e të vepruarit). Ka mes këtyre fetarë të përkushtuar, fanatikë e fondamentalistë, njerëz të pagdhendur ose me komplekse seksuale; por ka edhe ideologe feministe ose njerëz që thjesht e refuzojnë lakuriqësinë e çfarëdo lloji.

Një gjë mund të them megjithatë: këta shqiptarë të jetërsuar nga imazhi i Man Ray-t për arsye etike, edhe më shumë do të neveriteshin nga hipokrizia e mediave që kanë rendur të shkulin flokët me Violinën e Ingresit, dhuruar socialistëve këtë fund viti 2011.

Nuk ka komente

  1. A i’a vlen realisht xhaxha te merresh me idiotizmat e peshtira te 55-save apo Temave? Te tilla fletushka nuk kerkojne as nuk rreken te perfaqesojne pjese te konsiderueshme te shoqerise shqiptare pervec mbase militanteve me dogmatike e injorante te paleve perkatese. Keto palo trakte te ashtequajtura gazeta, s’jane vecse pjesa me e ulet e arsenalit mediatik te te dy paleve.

  2. Patjeter qe ia vlen te merresh. Meqe xha xhai i krahasoi me semundjen, sikunder reagojme ndaj kesaj te fundit, duhet te reagohet edhe ndaj ketij mentaliteti prej inkuizitoresh.

    Nejse, personalisht nuk do te kisha perzgjedhur kartolinen ne fjale.
    Nga Halli…

  3. Dhe dicka se ndoshta ka vlere: drejtuesi i TV Klan, balona e akuzes morale, eshte poet. Te jete perplasje rrymash dhe konceptesh thua, apo ballafqim qyteterimesh?
    Une them qe kjo kartoline kaq e hijshme sfidon, por nuk provokon, sikunder me tha dikush sot. Do te provokonte nese Edvini do e kishte riprodhuar origjinalin si lahute.

  4. Zoterinj nuk kemi te bejme as me perplasje rrymash, as ballafaqim qyteterimesh, as me mentalitet inkuizitoresh. Jam dakort qe kemi te bejme me nje semundje, me semundjen e militantizmit partiak qe ne emer te partise perkatese dhe nga llogorja e thelle e saj leshon batare predhash mbi cdo gje te thene, te shkruar, te bere, te publikuar te pales tjeter. Idiotizma te tilla botohen ne fletushken e Balliut, qe 20 e kusur vjet me pare ishte pjese e makinerise komuniste te agjit propit tek Zeri i popullit, e qe ne te ardhmen nuk eshte e pamendueshme te thuash qe mund te kaperceje ylberin si kolegu i tij Baze e te tilla pacavurre t’ia drejtoje krahut te cilit aktualisht i serviloset.

    Gjera te tilla nuk e meritojne t’iu ngrihet piaca e te diskutohen ne nivele te tipit perplasja rrymash, ideshe apo qyteterimesh. Nqftse nje kartoline te tille do e kishte derguar Berisha, nuk do kishte asnje lloj indinjimi nga keta “inkuizitoret e moralit shqiptar”.

  5. Tani ….gjykoj ne nje kend tjeter jo kaq te FellTe . Gjykoj Lirisht jashte xhihadizmit. Keto lloj verejtjesh jane as me pak e a me shume fomdamentalizem . Mua vertet mund te moss me pelqejne shume gjera te ‘reja ” per kohen si Nudizmi e me the te thashe , pavaresisht se “me ka qellu shpirti qejfli :”
    Ju jni ata qe “do vini” .
    Ne jemi ata qe “do ikim “. gje qe do t’ju ndodhe dhe Juve
    Dhe eshte pak e habiteshme te lexosh tek ata qe Po vijne nje doze te tille Konservatorizmi mbi Normalen thjesht si nje paragjykuim Politik qe nxit fanatizma antikohe e antikulture

  6. Shihni ‘violinat e te drejteve’ tek sondazhi i Shekullit, ajo po qe eshte muzike Stradivari, emigracioni ne revolte, te jashtmit vs te brendshmeve, ne 1000 vota deri tani, 420 jane per Aleancen KuqeZi, vota e protestes ndaj violinave te Rames e te Berishes.

    Pakapo, mire e thua qe po ta kishte derguar Berisha, nuk do te kishte asnje reagim, mirepo çeshtja ketu eshte pse Rames i shkon mendja vetem ne kesi gjerash, do thuash se eshte artist, dakort, po nese ne vend te kesaj violine dikush do vinte bollekun e Ciljetes e ta titullonte ‘Qyteti antik i Dimalit’ (meqe ngrihej mbi 2 kodra) cila do te ishte ne kete rast banalja ?

    Une do e shihja ne kete kendveshtrim, Rama eshte kryetari i opozites, e quan kete vit zie, per shkak te 21 Janarit dhe 8 Majit, pastaj dergon kartolina me krejt fryme tjeter, ka nje hipokrizi ne kete mes dhe nuk qendron aspak te fryma e kartolines.

    Vete me teper do vleresoja kartolinen me ‘Dimalin’ e Ciljetes, qe do qendronte edhe si aktakuze ndaj Berishes, biles shumeplaneshe.

    Pastaj dreqi ta haje, ky Rama fare nuk e ka kuptuar kete popull qe i tregon brinjet perhere propagandes se Sales ? Ca dreq politikani ose me mire ça dreq keshilltaresh ka ky ?

    Fahriu nuk eshte budalla qe i kushton krejt faqen e pare, e njeh lexuesin e vet ashtu si njeh dhe efektet publike, ne Shqiperi njerez me shije kaq te holla artistike, qe do dergonin kartolina te tilla jane me te rralle se floket ne koken e Fevziut.

    PS-ja nuk çon dot me njerez ne shesh se nuk e ndjek me njeri Ramen, ky ne vend te fitoje ate ‘trimerine’ e humbur, duke bere cik me shume burrin alla shqiptarçe, shkon e i tregon brinjet grushtit te Sales.

    Kjo eshte nje gafe politike, as me pak e as me shume.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin