PLEHRA NË EKSPOZITË

Prej kohësh jam bindur se një pjesë e madhe e artit bashkëkohor është trash. Shumë vepra “artistike” duhen hedhur drejt e në koshin e plehrave, ose të riciklohen për përdorime të tjera të dobishme. Mirëpo kritika ndaj artit modern duhet t’i bëjë llogaritë me dy probleme madhore: së pari duhet të përballojë rrymën, meqë arti modern gëzon adhurimin e konsumatorëve të sotëm; së dyti duhet të kapërcejë mosbesimin ndaj mendimit të artdashësit “të thjeshtë”, por që nuk bën pjesë në rrethin e profesionistëve të artit.

Me fjalë më të thjeshta, kur dikush shpreh mospëlqimin e vet për vepra të artit bashkëkohor dëgjon si përgjigje zakonisht dy refrene: “Të gjithëve u pëlqen, përse ty jo”, “Ti nuk e kupton artin modern”. Si të thuash, faji është a priori i kritikuesit, i cili dënohet me përjashtimin nga sekti i adhurimtarëve. Me fjalë më të rafinuara mund të heshten kritikë të njohur të artit, të cilët nuk janë hipnotizuar nga degradimi i vazhdueshëm i artit bashkëkohor. Të gjitha kundërshtimet, sikurse vështirësitë e mësipërme, fashiten si me magji kur kritikat vijnë nga brenda artit, brenda mureve të galerive ose ekspozitave, atje ku ngujohen priftërinjtë e artit bashkëkohor, ku predikohet dogma e artit modern, ku lumturohen, adhurohen e shiten “shenjtorët” e artit-fe.

Charles Saatchi përbën ndoshta emblemën e artit modern. Galerist i famshëm, koleksionist arti, gjuajtës talentesh e krijues tendencash të reja, Saatchi ka pozicionin e përkryer për t’ia fiksuar tiparet e artit bashkëkohor, në tërësinë e vet, si univers më vete, jo vetëm një aspekti të tij. Spektakli i artit modern – sepse për spektakël bëhet fjalë – nuk ka vetëm aktorët e vet në skenë, ka edhe publikun duartrokitës, regjisorët, skenaristët, kostumistët, teknikët e dritave, grimierët, kritikët, telekamerat, gazetarët, e kështu me radhë. E pra, Charles Saatchi është personi tipik që nuk flet kot, thjesht se e mendon ashtu, apo se ka dëgjuar diçka për artin bashkëkohor; flet si ekspert që e njeh botën e artit nga brenda, sepse një pjesë të mekanizmave ia ka shpikur ai vetë. Në qoftë se Saatchi e quan vulgar e të patolerueshëm botën e artit bashkëkohor, atëherë pohimi duhet marrë seriozisht, meqë tingëllon herë si autoakuzë, herë si pendesë për dëmet e shkaktuara.

Penelatat e Saatchi-t e nxjerrin botën e artit në lakuriqësinë e vet. Përshkrimi i tij është përnjimend tronditës. Artistë e galeristë që nuk dinë se ç’është arti, me fotografi e instalacione post-konceptuale të pakuptueshme, koleksionistë injorantë me yacht-e përrallore që i blejnë veprat e artit si orendi shtëpiake, kuratorë të pasigurt që nuk dinë ta përzgjedhin artin e vërtetë, kritikë autoreferencialë, publik pa ndonjë ide estetike me fiksimin e vezullimeve mondane e thashethemeve prej party pasanikësh. Në shkrimin e vet, botuar në gazetën “The Guardian”, 2 dhjetor 2011, Saatchi e kamxhikon pa mëshirë botën e artit bashkëkohor, ku ai bën pjesë me cilësinë e një maître à penser, deri në atë pikë sa hidhen dyshime edhe për sinqeritetin e kritikës, megjithëse duket qartë se zemërata e tij gufon si reagim ndaj teprimeve të avangardave që gumëzhijnë në galeritë e kryeqyteteve.

Situata e sotme e artit modern të sjell ndërmend përrallën “Rrobat e reja të perandorit” të Andersenit. Të gjithë janë viktima të pamjes së jashtme e të kushtëzimit të ndërsjellë. Askush nuk guxon ta konsiderojë plehër, pra me emrin e duhur, veprën e artit modern ose instalacionin në aksh ekzpozitë, vetëm se është përzgjedhur nga filani, ose vetëm se gjendet në atë kornizë luksoze, ndonëse në realitet duket sikur ato “vepra” kanë dalë nga bojaxhiu më i rëndomtë ose nga muratori më pa përvojë. Kush bërtet “Perandori është lakuriq” shikohet me habi, si injorat, pa kulturë, si njeri që nuk e kupton artin bashkëkohor. Mirëpo kur rolin e fëmijës që tregoi me gisht perandorin e luan një guru si Saatchi atëherë mjegulla magjepse davaritet vetvetiu.

Përralla e Andersenit mbaron me pasthirrmën e sinqertë të fëmijës. Në ditët e sotme ky rrëfim, po të zhvendosej në botën e artit modern, do të vazhdonte me dikë nga oborrtarët që do të na shpjegonte se ajo lakuriqësi përbën provokacion ndaj artit, ndaj si i tillë, përbën art të vërtetë. Kam pasur rastin të shprehem se jo çdo provokacion në fushën e artit është vepër arti. Plehrat që qarkullojnë nëpër muzetë moderne mund edhe të kenë krijuar polemika, por provokacioni në vetvete nuk përbën art, edhe pse mund të vlerësohet sepse na paska treguar anën e kundërt të artit të mirëfilltë. Me fjalë të tjera, njerëzit jo gjithnjë kanë nevojë për Hannibal Lecter-in për të kuptuar se kanibalizmi është i papranueshëm për gjininë njerëzore; viruset mund të kenë rolin e vet në nxitjen e imunitetit, por nuk duhet të pretendojnë t’u japim çmimin Nobel për mjekësinë.

Tema e provokacionit si patentë për t’u shndërruar në art duket interesante, anipse aktualisht provokacioni – edhe kur duket funksional – jo rrallë është banal, meqë paraqitet i arritshëm pothuajse nga të gjithë. Ka shumë provokatorë të rëndomtë që shiten si artistë, por në realitet janë thjesht shkelës të kufirit të decencës, që mund të kalohet në fakt nga kushdo, pa e merituar medaljen e heroit apo të artistit. Në një botë ku arti ngatërrohet me banalen është e vështirë t’ia shquash konturet kënaqësisë estetike, ndaj edhe një foto pornografike mund të shitet si art modern, edhe një fotokopje e jargavitur si ekspresionizëm abstrakt. Në një farë kuptimi arti është gjithnjë provokacion, por jo si qëllim në vetvete, pa obsesionin e shokimit, pa maninë e snobizmit. Përndryshe, çdo gjë mund të justifikohet me idenë e provokimit si art, duke e lyer dhunën e shëmtuar me bojën e revolucionit ose të vetëmbrojtjes.

Një nga problemet e artit të sotëm është shkëputja nga sensi estetik. Vetë galeritë e artit modern i ngjajnë shpesh tregjeve ku veprojnë pashmangshmërisht ligjet e tregut. Ekspertët e marketingut e vendosin mallin siç duhet, krijojnë modën e rastit, blerësit e kamur shikojnë, llafosin, vlerësojnë, blejnë, në rastin më të sinqertë investojnë. Kritikët shpjegojnë tendencat e reja të veprave, pasanikët e rinj mobilojnë me to shtëpinë e re, koleksionistët i ekspozojnë si trofe për ta ngjitur shkallaren sociale, publiku i lexon si revistat për vip-at në plazh. Arti shndërrohet në mall, ku fitojnë ata që tregun e krijojnë, ose ia njohin mekanizmat. Më të gjorët mbeten ata që, për t’u dukur pjesë e botës me vezullime, trendy e cool njëkohësisht, e harxhojnë kohën duke logjikuar për banalitete me kornizë përreth.

Ajo që bën përshtypje është se si një pjesë e publikut perëndimor, që e ka njohur artin e vërtetë në majat e veta, shkon e i dorëzohet pa kushte pseudoartit. Arsyet mund të gjenden, por normalisht pritej një rezistencë ndryshe, disi më të fortë ndaj sirenave të marketingut artistik. Tek e fundit, Shqipërisë postotalitare mund edhe t’i kuptohen duart lart, përballë shkëlqimit marramendës të artit modern, por perëndimit me histori të lashtë, kritikë të aftë e antitrupa kundër pseudoartit, nuk i lejohet. Publikut shqiptar i mungojnë kodet e leximit të artit modern, ndaj është afërmendsh që të mbesë me gojë hapur përballë çdo plehre që vjen si moderne, ose thjesht si e çuditshme. Sipas gjasës, pas rënies së perdes së hekurt, së bashku me sipërmarrësit mashtrues e trafikantët e çdo lloji, do të kenë hyrë në Shqipëri edhe pseudoartistë, që mund të kenë lënë pas deri ithtarë. Ndërkohë, mungesa e kritikës së specializuar të artit, që mund ta shoshitë atë për ta ndarë nga pseudoarti, i ka hapur dyert çdo lloj vepre që vjen nga jashtë, mjafton të jetë ekspozuar në bienalen e fundit, ose në galerinë e mëparshme.

Rruga drejt kuptimit të artit modern është e gjatë, sepse kalon në thelb nga sensi estetik i publikut shqiptar, që nuk mund të rindërtohet në pak kohë. Por në rast se e fillojmë me parimin se çdo gjë që shkëlqen nuk është ar, jemi në gjysmën e rrugës.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin