MJEKË, PACIENTË, POLITIKANË

Një mik më shkruante sot nga Tirana, për të më pyetur nëse kish ndonjë bazë thashethemi që qarkullon atje, se kryeministrin Berisha e paska kuruar, dikur në vitet 1980, im atë, Ulvi Vehbiu, për lipotimi.

S’është hera e parë që më vjen në vesh kjo fjalë, edhe pse më duhet ta pranoj se lipotimia tani më kap në befasi; zakonisht, njerëzit të thonë se Berisha “ka vuajtur nga nervat”, çfarë mjafton për të ta vënë diagnozën, sa i përket opinionit publik.

Dhe meqë im atë për një kohë të gjatë ka qenë pikë referimi, mbarëkombëtare, për njerëzit me probleme mendore, atëherë piketimi i tij, si njeriu që e ka “mjekuar” Berishën do të ndodhë vetvetiu, siç edhe ka ndodhur.

Një kërkim i shpejtë për lipotiminë, në Google, më tregon se ky s’është veçse një term shumërrokësh, ose dinjitoz, për të fikëtit; dhe të fikëtit mund të shkaktohet nga gjithfarë shkaqesh; prej të cilave aterosklerozën e përjashtoi vetë kryeministri.

Gjithsesi, dhe pavarësisht nga çfarë e ka shkaktuar atë “para” të fikët aq plateal të Berishës, nuk ka arsye pse t’i kthehemi historisë (aq më tepër apokrife) të mjekimit të tij psikiatrik.

Përndryshe, im atë, që tashmë nuk jeton më, nuk e kish zakon të fliste për pacientët e vet. I vetëdijshëm më shumë se të tjerët, për stigmën që i mundon të sëmurët mendorë në një shoqëri primitive si e jona, nuk dëshironte t’ua rëndonte edhe më gjendjen, duke ofruar informacion për ta.

Megjithatë, ne që jetonim me të diçka dinim: njerëz që hynin dhe dilnin në shtëpinë tonë, telefonata, ndonjë personalitet që dërgonte makinën për ta marrë mbrëmjeve.

Gjithsesi, dr. Berisha nuk është përmendur ndonjëherë, as për mirë, as për keq, në shtëpinë time, derisa ishte mjek.

Populli ka një koncept të vetin për “çmendurinë”; vështirë ta quajë të tillë një neurotik anksioz, ose një të deprimuar; përkundrazi, priret ta vërë këtë diagnozë për persona me çrregullime të personalitetit; madje prej këtyre, më shumë e tërheqin vëmendjen ata që njihen edhe si psikopatë dhe sociopatë, ose njerëz me çrregullime antisociale të personalitetit.

Paradoksalisht, këta të sëmurë edhe nuk mund të kurohen, së paku me mjete dhe metoda konvencionale.

Edhe më lehtë, diagnoza e të çmendurit i vihet rëndom dikujt që nuk konformohet lehtë, as bindet kollaj; por këmbëngul në mendimet dhe dëshirat e veta, pa pyetur shumë për ato të së tjerëve.

Njëfarësoj, ne e shohim mendjen si një vegël ndërmjetësuese, mes individit dhe shoqërisë; një instrument kompromisi dhe konformimi, që të çmendurit i mungon, siç e tregon edhe fjala vetë.

Dhe meqë, në të vërtetë, ky ndërmjetësim shpesh na shfaqet nëpërmjet turpit, i çmenduri është, me përkufizim, ai që nuk ka turp; ose që nuk arrin dot ta faktorizojë reagimin kritik të së tjerëve, në gjykimin e veprimeve të veta.

Kështu dalim nga psikiatria, për t’u futur në ferrishtet e patologjive sociale, ku fare mirë mund të gjejmë edhe shpjegimet – rigorozisht jo psikiatrike – për problemet e sotme të personalitetit të politikanit shqiptar.

Çuditërisht, alibinë morale këtij thashethemi, për  Berishën dhe tim atë, ia ka dhënë kryeministri vetë, kur foli në publik për gjoja skizofreninë e krye-kundërshtarit të vet Rama; duke kërkuar edhe mbështetjen ose dëshminë simbolike të të jëmës së këtij të fundit.

Ja si e përshkruan këtë vetë Rama, në librin Kurban:

Iu qep Saliu sime mëje e i ulërinte në emër të motrave e nënave shqiptare të tregonte se kush isha unë, thuaju zonjë që ke dhjetë vjet që e kuron për skizofreni tët bir, e dimë mirë ne të dy dhe ata kolegët tanë mjekë, thuaju si të rrihte yt bir dhe të nxirrte rrugëve të lagjes me këmishë nate, tregoju të vërtetën vajzave shqiptare, se si unë dhunoja gratë, se si iknin të lemerisura nga shtëpia kur u futesha në dyshek shokëve të mi, se si i kisha thyer nofullat e bërë hundët gjak gruas në publik, fol zonjë […]

Ka një ironi, në kthimin e tanishëm të thashethemit si bumerang, për të goditur këtë herë Berishën; përndryshe kryemjeshtër të diagnozave morale dhe të thashethemeve, të cilave u bën vend rregullisht në diskursin e vet kryeministror.

Edhe pse Rama nuk besoj të ketë të bëjë me këtë kthim shpagues; sa kohë që me siguri i respekton të sëmurët mendorë, madje edhe skizofrenët vetë; dhe nuk ia lejon vetes t’i ngatërrojë me palaçollëqet e politikës shqiptare të niveleve më të larta.

Çmenduritë në politikën e sotme shqiptare nuk kanë natyrë psikiatrike.

Përndryshe, rrënjët e legjendës urbane, për Berishën të mjekuar nga im atë, ndoshta i duhen kërkuar në një mbledhje të organizatës bazë të Partisë, në Fakultetin e Mjekësisë, në vitet 1980; kur diskutohej për qarkullimin e kuadrit.

Qarkullimi i kuadrit mund të tingëllojë si shprehje e rëndomtë e burokratishtes; por në atë kohë u ngjethte mishtë njerëzve, meqë donte të thoshte të lije Tiranën dhe punën e mirë dhe kolegët dhe jetën sociale që kishe krijuar, për të shkuar të punoje diku tjetër; në një vend të vështirë dhe me probleme. Nuk dua ta krahasoj me internimin, por e keqja është gjithnjë relative; dhe asnjë “kuadër” nuk dëshironte të qarkullonte.

Në atë mbledhje, ku ishte i pranishëm edhe dr. Berisha, u fol për të qarkulluar tim atë e për ta çuar ca kohë në spitalin psikiatrik të Elbasanit.

Këtu u ngrit të fliste një mjek tjetër, dr. Ilir Gjylbegu, obstetër i njohur në Tiranë dhe mik i tim eti që nga vitet e studentllëkut në Moskë; shakaxhi nga më të hollët në ato rrethe.

“Ju që doni të qarkulloni Ulviun,” tha Gjylbegu, “e keni menduar se ç’do ta bëjmë pastaj Salën?”

*      *      *

Për vitet e Berishës mjek elitar në Tiranë pak dihet; me përjashtim të disa scoop-eve në shtyp, të cilat më shumë fshehin me sensacionalizmin e tyre, sesa zbulojnë gjë. I riu ambicioz prej Tropoje njihej në atë kohë si njeri jashtëzakonisht punëtor dhe i përkushtuar, mjek i mirë dhe me të ardhme, i vështruar me sy të mirë nga pacientët dhe nga udhëheqja.

Çdo gjë është e mundshme; por me logjikë, një njeri aq i suksesshëm sa Berisha, në profesion dhe në politikë, nuk mund të ketë pasur probleme mendore të tilla, që të kërkonin ndihmë të specializuar.

Kaq herë jam përpjekur, në vitet 1990 e më tej, që t’i nxjerr ndonjë hollësi tim eti për këtë njeri (jo aq për “marrëzinë” e tij, sesa për ta shpërndarë sado pak misterin që e rrethonte), por gjithnjë kam ndeshur në zbrazëtinë e informacionit zero: nuk di ç’të them… nuk mbaj mend… po, aty ishte… kokëderr i madh – por kjo kokëderr, në zhargonin e tim eti, vinte më tepër si kompliment.

Gjithsesi, po të kish qenë ndonjëherë “doktori” pacient i tim eti, ky do të kish folur ndryshe, me më shumë mirëkuptim dhe dhembshuri. Kush e ka pasur të atin mjek, do ta ketë provuar, si unë, një xhelozi të lehtë kundrejt pacientëve, me të cilët u duhet të konkurrojnë.

Për reticencën e vet ndaj ish-kolegut të vet tashmë të shndërruar në politikan, im atë ndoshta kishte edhe arsye të tjera, të pashprehura. Ishte ende i ri dhe plot dëshira profesionale të parealizuara, kur e nxorën me forcë në pension, në fillim të viteve 1990 – edhe pse unë nuk di se ç’rol ka luajtur Berisha vetë, në këtë mes. Tek e fundit, im atë nuk ish i vetmi që e pësoi atë fat; dhe kjo përbënte një farë ngushëllimi; ai u plagos shpirtërisht, por humbjen më të madhe e pati psikiatria në Tiranë, meqë boshllëku i lënë prej tij, me ç’më thonë, nuk u mbush dot lehtë.

Im atë vdiq vjet në verë; dhe ceremoninë e përmotshme ia bëmë këtu në NYC dhe më pas në Tiranë. Askush nga qeveria nuk u kujtua të thotë diçka për të; qoftë edhe me një telefonatë të thjeshtë private – duke filluar nga studenti i tij dhe shoku im i gjimnazit, ministri i Shëndetësisë Tit Vasili. Kisha shpresuar që dr. Berisha, si koleg i dikurshëm edhe pse natyrisht jo si ish-pacient, do të tregonte pak më shumë stil, në mos si shtetar, së paku si mjek – meqë mjekët, si rregull, kanë një etikë të posaçme në marrëdhëniet mes tyre që i veçon prej vdekëtarëve të tjerë. Mirëpo, si edhe në raste të tjera, ndoshta i pata dhënë atij njeriu më shumë kredi se ç’meritonte, gjë për të cilën s’më ka absolutisht asnjë faj.

Në atë kohë u fol edhe për një propozim që një shkolle në Tiranë t’i vihej emri i tij; ose për një dekoratë a medalje badjava që do t’ia jepnin pas vdekjes, sikurse ia kanë dhënë plot të tjerëve, të larë e të palarë; por asgjë nuk ndodhi. Për një njeri që ia kish kushtuar jetën e vet të sëmurëve dhe institucioneve ku pat punuar – famëziut Pavijon 17 më parë, pastaj Spitalit no. 5 dhe Fakultetit të Mjekësisë, kjo do të kish pasur shije vërtet të hidhur; vetëm se, fatmirësisht, të vdekurit nuk kanë ngé të presin gjë prej këtij shteti kaq të zhgërryer në të pëgërat e veta.

Ish pacientët e tim eti, nga të gjitha shtresat sociale, i shoh ndonjëherë kur shkoj në Tiranë; takohemi me mall, meqë askush nuk ma kujton më shumë tim atë se ata, me mirënjohjen e tyre dhe pikëllimin që nuk e kanë më në jetë. Ashtu, me hallet e tyre në gjysmerrësirë dhe njerëzillëkun e tyre aq të brishtë, janë edhe prova më e gjallë dhe bindëse që legjenda urbane e çmendurisë së kuruar të dr. Berishës nuk ka, as mund të ketë bazë reale.

Nuk ka komente

  1. xha-xha,

    Nuk ka si te ishte ndryshe. Edhe une, pa i ditur keto qe thoni ju, nuk e kam besuar qe Sali-u te jete kuruar per semundjet nervore, aq me teper nga babai juaj. Se po te ishte kuruar ne kohen e duhur, nuk do te ishte ai qe kemi njohur keto 20 vitet e fundit. Dhe me cfare kuptoj, e keqja eshte se ai vazhdon prape te mos kurohet perderisa cmenduria i eshte kthyer deri ne terbim.

  2. Rastin e pare te te fiketit te Berishes e mbaj mend diku ne mars te 1990 ne nje miting ne Shkoder. Duhet te kene qene te pakten 20 mije vete pranishem. Saliu po fliste dhe pastaj ose mbaroi ose e la se ndjeu dobesine qe po i vinte dhe u leshua por nuk ra se disa burra e moren ne krahe.
    Ne ate kohe mu duk krejt e natyrshme ajo qe i ndodhi. Ai kishte marre pjese ne pak jave ne dhjetra mitingje elektorale dhe qindra takime me njerez. Veshtire se flinte me shume se 3-4 ore ne nate.

  3. Mbase Rama nuk ka te bej drejt per drejt me kete kthim shpagues qe permend ti xhaxha, por gjithesesi gjera te tilla, te dala nga goja e udheheqesve te kampeve apo puthadoreve te tyre mediatiko politiko thashethemxhinj, jane ushqim per militantet dogmatike te te dy kraheve qe mbi shume te tjera sjelljet e udheheqesit te kampit kundershtare duan t’iu veshin dhe petkun e crregullimeve psiqike.

    Ishte interesant te shikoje shkrimet e komentet e ketyre diteve mbi para te fiketin e Berishes, tek megafoni antiBerishe i Temes ku kishte spekullime e trillime nga me te larmishmet dhe qesharaket mbi ate qe i ndodhi Berishes (paralize e pjeshme, e shthrine ne tre kater tavolina mbrapa salles se Pallatit te Kongreseve, gjendja eshte kritike, mjeket i kane keshilluar te terhiqet nga politika etj etj), te gjitha te mbrujtura me nje fryme shprese mjerane se mbase gjendja shendetsore e Berishes eshte aq e rende sa ai do detyrohet te terhiqet nga politika e kjo per ata qe shkruanin e komentonin do ishte nje fitore e madhe.

  4. Berisha është i atilli, që pakkush mund t’i thotë në mënyrë efikase “shut the f*** mouth!” dhe ky shkrim është vërtetë i tillë. Që të mos keqkuptohem; shkrimi nuk duhet keqkuptuar si shantazh, por përkundrazi si një dackë publike për të rehabilituar etikën e nevojshme profesionale mjekësore dhe higjienën e nevojshme intelektuale në diskursin publik. Pavarësisht se Berisha i sotshëm në sjelljen e tij padyshim sociopatologjike është i dominuar një një trivialitet fatkeqësisht mesjetar, rural dhe obscen, ta do mendja, që një farë aftësie e ruan akoma, për të perceptuar përbuzjen e shoqërisë civile e të kultivuar, ngaqë edhe ai vetë për dekada të tëra u përpoq, por pa sukses, të bëhej pjesë e saj, e më pas dështoi plotësisht ndërsa besoi, se vetëm hyrja dhe dalja në Bllok tek Hoxhajt apo Kapojt apo Kryeministërllëku i mëvonshëm do ta bënte civil. Për kë ka një problem me dhunën verbale të kultivuar sistematikisht nga Berisha si mjet për ushtrimin e pushtetit, me këtë ndotje eklatante të hapësirës publike qytetare e intelektuale, ky shkrim ishte një balsam. E mira do të kish qenë ta gjente rrugën edhe në mediet…

  5. Ai miku pa emer qe shkruaka nga Tirana, qenka injorant pa permiresim edhe per gjerat baze te mjeksise qe njerezit vetem me pervoje jetesore pa studiuar medicine i dine. Lipotomia a debulesa a para-te-fikti nuk shkaktohet me aq sa di prej gjerave qe merret psikiatria por zakonisht kuaza e kesaj eshte kardiovaskulare. Per kurimin psikiatrik te Berishes mund te behen edhe thashetheme te tjera, por kjo s’ka lidhje me lipotomine qe nuk ka njeri ma merr mendja qe nuk e perjeton gjate jetes se tij per shkak te tensionit, lodhjes,, mungeses se oksigjenit, dehidrimit, semundjeve te tjera me te renda si ato te zemres etj. Ne fakt akuza per probleme me natyre psikiatrike ndaj kundershtareve politike eshte e vjeter tek e majta. Ky udhezim ne perballjen e te majtes me kundershtaret vjen qe nga Vendi i Sovjeteve ku cunave ne Perendim ju mesoheshin taktikat e shpifjes e sulmit ndaj armiqeve te socializmit. Nuk kishte se si te dilte jashte kesaj edhe Shqiperia ku qe ne fillimet e levizjes demokratike beheshin te cmendur Berisha, Hajdari etj. Edhe ky shkrim, pavaresisht se sqaron nje te vertete – se ka edhe gjyqe per ata qe akuzojne me thashetheme – ne te vertete thjesht duke u marre me kete gje te pavlere, i sherben asaj apo me keq akoma kur kerkohet ne menyre deshtake te kalohet ne fyerje te tjera. Ne vendin e sovjeteve kundershtaret politike e disidentet mbylleshin ne spitale psikiatrike me semundje qe i shpiknin psikiatret e regjimit, ne vendet e lira kjo s’behet me por sigurisht qe mund te perdoret ne arsenalin e luftes politike. Ne Shqiperi gjate komunizmit sipas shifrave qe kam lexuar ne media, eshte nje numer i madh njerezish qe realisht nuk ishin te semure mendore por psikiatret e regjimit i kane mbyllur ne spitalet e te cmendureve per arsye politike, ka ardhur koha qe kjo gje te shihet me ne hollesi se kartelat jane aty, emrat aty, doktoret psikiater qe kane firmosur jane aty.

    Per te ju kthyer asaj qe ka thene Berisha per Ramen: se pari Berisha ka marre pergjegjesi duke folur vete dhe drejtperdrejt jo duke cituar thashetheme, se dyti Rama njihet edhe me gjere se lagjia e tij si person me nje psike te trazuar dhe ekzibicionizem qe konstituon sjellje shqetesuese nga ana psikologjike. Nje dite del me sepate ne dore ne rruge, diten tjeter lyen pallatet me bojra e ngjyra qe dalin vetem nga nje mendje e trazuar. Sdq. keto jane gjera qe i dime te gjithe, por Berisha ju shtoi edhe informacionin e tij konfidencial si mjek elitar ne Tirane. Them elitar pasi Berisha ndryshe nga shume studente te tjere “mbahet” ne Tirane, publikon edhe ne revistat shencore te huaja dhe ben emer ne fushen e tij duke u njohur gjeresisht ne Tirane sa propozohet te jete pjese e mjekeve te ekipit te Hoxhes por per ceshtje biografie nuk pranohet.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin