VIRTYTI I ANTI-KASANDRËS

Në mitologjinë greke, Kasandra ishte e bija e mbretit të Trojës, Priamit, dhe mbretëreshës Hekuba. Apolloni u dashurua me të, dhe i blatoi dhuntinë e profecisë, ose aftësisë për të parashikuar të ardhmen; por kur ajo nuk iu përgjigj dashurisë së tij, hyu grek e mallkoi, në mënyrë të tillë që askush të mos ia besonte më profecitë.

Që prej lashtësisë, Kasandra ka mbetur, në kulturë, si simbol i kujt e parasheh saktë të ardhmen, por mbetet i dënuar ta përjetojë këtë dhunti të vetën si dramë, meqë parashikimet nuk ia besojnë kurrë, edhe pse ato i vërtetohen rregullisht.

Në urtësinë popullore, ky lloj fati dramatik i të mençurit përthyhet në thënien: “ju thashë, apo nuk ju thashë?”

Le të përfytyrojmë tani një anti-Kasandër; ose një figurë që, njëlloj si simotra e saj homerike, e ka dhuntinë të parashohë fatkeqësitë në të ardhmen; vetëm se këtë herë të gjithë ia besojnë parashikimin, dhe i vihen punës që këto fatkeqësi të shmangen.

Anti-Kasandrës parashikimet nuk i dalin kurrë, por vetëm e vetëm ngaqë të tjerët bëjnë të pamundurën që t’ia përgënjeshtrojnë.

Ndryshe nga Kasandra, kjo simotër dështon në misionin e vet praktik, meqë e ardhmja e thirrur prej saj nuk mbërrin kurrë; por një shoqëri që ia dëgjon fjalën Anti-Kasandrës, është fatlume, sepse arrin t’i shmangë të papriturat dhe t’u rrijë larg rreziqeve.

Anti-Kasandra thotë: në dimër do të ketë përmbytje të mëdha në veri të Shqipërisë, meqë Drini dhe Buna do të dalin nga shtrati, për shkak të shirave të rrëmbyeshme.

Shteti dhe administrata qendrore dhe lokale i vënë vesh kësaj profecie, dhe i vihen punës për të ndërtuar diga dhe argjinatura për të riparuar sistemet e kanaleve kulluese, në mënyrë që kur t’ia behin shirat e rrëmbyeshme, veriu i Shqipërisë të mos kapet në befasi dhe banorët e atjeshëm të mos u kthehen varkave, si mjet i vetëm transporti.

Kësisoj, anti-Kasandrës i del parashikimi vetëm përgjysmë, meqë shirat ia behin vërtet; por përmbytja nuk ndodh; dhe nuk ndodh ngaqë të gjithë ata që ia vlerësojnë fjalën kësaj anti-profeteshe, janë të bindur se përmbytja do të ndodhte, sikur autoritetet dhe qytetarët vetë të rrinin duarkryq.

Ajo triumfon në momentin kur parashikimi i saj dështon; dhe dështon pikërisht ngaqë të tjerët e kanë besuar.

Këtë anti-Kasandër mund ta mendojmë, në terma më racionalë, si një sistem ekspert parashikimi, i cili gëzon besimin e autoriteteve dhe të publikut. Ky besim është i domosdoshëm, sa kohë që parashikimet e ekspertëve për katastrofat, në atë masë që dëgjohen dhe ndiqen nga autoritetet, nuk duhet të realizohen kurrë.

Një anti-Kasandër sot në Shqipëri do të lëshonte kushtrimin për ndotjen e papranueshme të mjedisit në qytetet e mëdha; të tillë që, në çdo vend tjetër të Europës, do t’i kishte detyruar autoritetet të merrnin masa të jashtëzakonshme për reduktimin e trafikut dhe mbrojtjen e ajrit nga pluhurat e ndërtimit; dhe autoritetet do ta kishin dëgjuar, do ta kishin besuar, dhe do të kishin marrë masa të tilla që, nesër të mos kish ndonjë rritje në numrin e qytetarëve që vdesin si pasojë e stresit fiziologjik të shkaktuar nga ndotja.

Një anti-Kasandër do të lëshonte kushtrimin edhe për shkatërrimin e shtretërve të lumenjve prej kompanive të ndërtimit që marrin aty materiale inerte, ose për erozionin e trojeve të shpyllëzuara; dhe autoritetet edhe në këtë rast do ta besonin dhe do të ndërhynin menjëherë, për të mos lejuar që parashikimet e saj të realizoheshin.

Për fat të keq, bashkëkohësisë sonë i mungon një figurë e tillë kaq e domosdoshme; prandaj edhe ne shpesh kapemi të papërgatitur nga ngjarjet, meqë nuk arrijmë t’ua parashikojmë pasojat veprimeve tona ose dukurive natyrore të pritshme, të tilla si thatësira e tanishme, që rrezikon furnizimin e rregullt me energji elektrike të mbarë vendit; dhe më pas, në vend që të reagojmë ndaj çfarë mund ose rrezikohet të ndodhë, bëjmë të pamundurën që të mos lejojmë të ndodhë më çfarë ka ndodhur tashmë.

Mediave, shoqërisë civile, administratave dhe institucioneve në Shqipërinë e sotme nuk u mungojnë Kasandrat; të cilat e kuptojnë çfarë na kërcënohet dhe tremben nga vizioni i fatkeqësive që mund të pllakosin, sikur ne të mos i përfillim, ose të mos i kuptojmë pasojat afatgjata të veprimeve tona; por të mendojmë veç të nxjerrim përfitim të çastit, njëlloj si ai fshatari që e theri patën që i bënte vezë të arta, për t’ia marrë të gjithë floririn njëherësh.

Njëlloj si e bija e Priamit, Kasandrat tona e vuajnë dramën dyfish – për shkak të vizioneve që kanë, por edhe ngaqë të tjerët nuk ua mbajnë vesh fjalën. Ato përballen me institucione të cilat refuzojnë, me këmbënguljen dhe obtuzitetin e dythundrakut, që të përfitojnë prej kujdesit, shqetësimit dhe aftësisë së ekspertëve për t’i parë gjërat më mirë dhe më larg.

Kasandrat tona, edhe kur u shpëton ndonjëherë një “ju thashë e ju paralajmërova,” nuk është se mund t’i gëzohen lirisht vetëkënaqësisë së të pasurit të drejtë, përballë katastrofës, e cila përjetohet edhe më hidhur, kur dihet se mund të ishte shmangur.

Megjithatë, për shkak të një mekanizmi psikologjik pervers, publiku është mësuar t’i respektojë këto parashikuese; meqë të vërtetën të gjithë e duam dhe e respektojmë, pa çka se kemi pasur vetë faj, që ajo ka ndodhur, ose është lejuar të ndodhë.

Drama e anti-Kasandrës, përkundrazi, është e një lloji tjetër; sepse parashikimet e saj gjithnjë dështojnë, sa kohë që ne të tjerët ua besojmë fjalën dhe mobilizohemi, që e keqja të mos ndodhë. Në një kuptim, anti-Kasandra është e mallkuar ta përjetojë suksesin e vet në anonimitet të plotë; njëlloj si ai piloti që arrin ta ulë avionin edhe në kohë të keqe pa kuptuar gjë pasagjerët, shoferi që frenon në kohë buzë greminës teksa brenda ia kanë dhënë këngës, ose mjeku që ia del ta shpëtojë pacientin, duke ia parashikuar në kohë simptomën vdekjeprurëse.

Në mënyrë të pavetëdijshme, ne presim prej ekspertëve që gjithnjë të kenë të drejtë; pa çka se parashikimi është art i vështirë dhe kërkon një lloj heroizmi intelektual që, me përkufizim, do të mbetet i pashpërblyer.

Përndryshe, të gjithë merremi, në një mënyrë ose në një tjetër me të ardhmen; shumë prej nesh me të ardhmen tonë, ose të të dashurve tonë; por një kategori të zgjedhurish, me të ardhmen e të gjithëve. Anti-Kasandrat janë prani dhe instrumente që nuk duhet të mungojnë kurrë, brenda këtij niveli të dytë; meqë aftësia e elitave politike dhe teknokratike nuk është aq të parashikojnë të ardhmen dhe pastaj ta realizojnë atë nëpërmjet çka anglo-saksonët e quajnë profeci vetë-përmbushëse (self-fulfilling prophecy), por ta orientojnë anijen e shtetit në mënyrë të tillë, që ne të tjerët, brenda në anije, ta përjetojmë virtytin e tyre administrativ dhe intelektual si gjënë më të natyrshme.

P.S.: Kuptimi që i jap unë këtu emrit Anti-Kasandër ndryshon nga përkufizimi që i jep, të njëjtit term, nobelisti dhe kolumnisti i The New York Times, Paul Krugman, i cili quan ashtu ekspertë që kanë dështuar në të gjitha parashikimet e tyre, por që megjithatë vijojnë të respektohen sikur të mos kish ndodhur asgjë. Kush ka dëshirë ta zhbirojë edhe më metaforën, do të vërë re se versioni i Krugman-it i përshtatet më mirë konceptit të grekëve të lashtë për fatin si diçka që as Zotat vetë nuk e ndryshonin dot; përkundrazi, anti-Kasandra ime, për nga mënyra si operon, i afrohet më shumë magjistares, që arrin ta ndryshojë realitetin me metoda paranormale.

Shënim: Botuar fillimisht në ResPublica.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin