LEKA

Kur dëgjova se kish vdekur Leka Zogu, të cilin disa e vazhduan ta quajnë poetikisht “mbreti” deri në fund, m’u kujtua një histori nga pranvera e vitit 1991, kur punoja part time, si mësues i italishtes, në kampin e refugjatëve të Capua-s, afër Caserta-s, në Itali.

Kjo histori do të ketë ndodhur në prill ose në maj të atij viti, ose pak kohë pas ekzodit të marsit 1991, në brigjet e Puglia-s. Një kontingjent prej më shumë se 1,000 shqiptarësh, shumica djem të rinj, i kishin sjellë në Capua, meqë aty ekzistonte tashmë një kamp refugjatësh, i administruar nga Kryqi i Kuq italian.

Të ardhurit ishin në gjendje të mjeruar; kishin ardhur nga Arbëria të sfilitur, dhe ditët në anije dhe në kalatat e portit, por edhe ato të tjerat në çadrat fushore të Capua-s, duke mbajtur radhën për të shkuar në mensë, në dush dhe në nevojtore, nuk është se i kishin ripërtëritur. Shteti italian i mbante me bukë dhe batanije akriliku, madje u kish vënë në dispozicion edhe një dentist falas; por punë dhe shpresë këtyre qyqarëve nuk po u ofronte kush.

Në këto rrethana, u shfaq në kamp Leka, me shpurën e vet. Kjo qëlloi një nga ditët kur unë nuk isha atje (shkoja dy-tre herë në javë vetëm). Me ç’mora vesh më pas, Leka kishte takuar refugjatë, kish biseduar me ta dhe kish dhënë edhe ndonjë intervistë për mediat.

Shoqata që më kish dërguar të punoja atje, më kërkoi të takohesha me një gazetar vendës, nga Caserta, i cili nuk dinte si t’i jepte dum vizitës së Lekës. Gazetari donte të shkruante diçka për vizitën, por nuk kishte kuptuar gjë nga çfarë (nuk) kishte ndodhur.

E takova. Më vuri të dëgjoj intervistën e Lekës, në shqipen e tij formidabël, të cilën e kishte të regjistruar në një magnetofon xhepi. Mua, që pak muaj kisha në Itali, më dukej sikur ai zë vinte drejt e nga rekuizita e Kinostudios: nuk ishte fjala vetëm te dialekti, por edhe te vetë konceptet; ose ligjërimi i përpunuar në shaptilografet e shtypit të diasporës antikomuniste, me të cilin unë rishtari në Perëndim nuk isha mësuar.

Gjithsesi, Leka qenkësh takuar me refugjatët, dhe u kish bërë thirrje “të ktheheshin në Shqipëri, për të luftuar që të rrëzonin regjimin komunist të atjeshëm.”

Kjo thirrje vinte nga një njeri që pretendonte, që në atë kohë, të përfshihej në jetën politike shqiptare; veç pretendimit tjetër që kishte, si trashëgimtar i fronit.

I njihja refugjatët e Capua-s: t’u bëje thirrje atyre të ktheheshin në Shqipëri, për të luftuar, ishte më dritëshkurtra e ofertave të mundshme; meqë ata kujtonin se e kishin kryer tashmë aktin suprem kundër regjimit (ose më mirë, hijes së regjimit) Alia, duke votuar me ikjen e tyre.

U mundova ta kuptoj edhe Lekën: edhe pse nuk e njoh mirë jetën e tij gjatë viteve në emigracion, e di që i pat ruajtur dhe mirëmbajtur kontaktet me qarqet antikomuniste dhe qe përzier në disa përpjekje, rregullisht donkishoteske, për të rrëzuar “regjimin në Tiranë”, jo shumë të ndryshme, për nga forma dhe butaforia, prej kësaj të fundit.

Vizita e Lekës në kampin e refugjatëve m’u duk, në atë rast, si ndonjë aktivitet artistik i organizuar nga bamirësitë, për të mos i lënë refugjatët të mërziteshin; koncert i ndonjë këngëtari të rënë nga vakti, ose spektakël i ndonjë prestidigjatori të dalë tashmë në pension.

Shumë vite më vonë do të lexoja, rastësisht, se në 1967 ai ishte rrekur të organizojë një invazion të Shqipërisë me komando shqiptarësh anti-komunistë të arratisur, të cilët i kishte stërvitur në pallatin e Mbretit Konstandin të Greqisë në Korfuz.

Në të njëjtën kohë, këshilltarët e tij amerikanë Jerry Pournelle dhe Stefan Possony kishin bindur Mbretin Hussein të Jordanisë që t’i vinte Lekës në dispozicion forcat ajrore të Jordanisë, të cilat do të neutralizonin forcat ajrore shqiptare, teksa komandot do të kapërcenin kanalin e Korfuzit.

Jerry Pournelle, figurë e njohur në ShBA (veçanërisht si shkrimtar i fantashkencës), paska qëndruar muaj të tërë në Jordani duke përgatitur pilotët atje për sulmin eventual ndaj aeroporteve ushtarake të Shqipërisë. Sipas Pournelle, plani dështoi meqë në qershor të vitit 1967 forcat ajrore të Izraelit u bënë jordanezëve atë që këta planifikonin t’u bënin MIG-ëve të Enverit, duke ua shkrumbuar avionët luftarakë në aeroporte.

Vite më pas, komandanti i atëhershëm i aviacionit luftarak izraelit Ezer Weizman (që pastaj u zgjodh president i Izraelit), i paskësh shpjeguar Pournelle-it se izraelitët gabimisht kishin kujtuar se ky kishte vajtur në Jordani për të stërvitur aviatorët e mbretit Hussein për ndonjë raid të befasishëm kundër Izraelit.

Leka kish të drejtë të jetonte në botën e tij, ndoshta po aq artificiale sa edhe bota e regjimit totalitar në Shqipëri, nga vinin (ose më mirë, kishin ikur) refugjatët e Capua-s. Në mendjen e Lekës Lufta e Ftohtë vazhdonte ende, dhe do të përfundonte vetëm në momentin kur forcat e tij, të armatosura privatisht deri në dhëmbë, do të hynin në Tiranë për të kthyer aty Legalitetin. Veprimet e tij politike, në vitet 1990 dhe ndoshta edhe më parë, do të gjenin vend ndoshta më mirë në një video-game; ku edhe do të mund të realizonte dëshirën e tij për të qenë mbret, me kurorë, uniformë dhe shpatë.

Nuk ka komente

  1. klikova linkun e dyte dhe doli kjo:

    “King Hussein of Jordan is dead. I never met him although I did have some dealings with him through Laika of Albania(…)”.

    nje here te vetme qe e kam takuar rahmetliun,gati m’u derdhen ne preher nje tufe me qen kadife, nga ata te racave baroke, me llapen varur paralel me veshet. Nje oborrtar i vjeter qe e pa lebetine time, u hodh per ndihme duke paqetuar kafshet:-Urte Sala(h), urte!

    Pastaj me siguruan se emrin republikan te Sales nuk ia kishin vene me qellim qenit

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin