DY FAQE TË GËNJESHTRËS

Me një shkrim të botuar në dy pjesë në “Panorama”, Fatos Lubonja analizon dy prej librave më të bujshëm të Panairit të këtij viti: Kohë e pamjaftueshme të E. Kadaresë dhe Kurban të E. Ramës, duke i parë si shembuj të një lloj letërsie – memuaristika – ku “autori merret me veten, duke e bërë atë personazh,” por e bën këtë “sipas regjisë së egos dhe interesave të tij personale, por krejtësisht në dëm të së vërtetës.”

Për Lubonjën, e gjithë kjo i ngjan një operacioni plastik, i frymëzuar nga vullneti i këtyre autorëve “për të kontrolluar të kaluarën, historinë, për të krijuar një version dominant të kësaj historie që synon, me kalimin e kohës, të eliminojë çdo histori tjetër”, pa çka se, “ajo që zhduket pas këtij operacioni plastik është ajo më e bukura gjë që mund të ishte: vetvetja e autorit, e vërteta e tij e, në një kuptim më të gjerë, njohja. Por kjo nuk ka shumë rëndësi në këtë lloj kulture.”

Lubonja niset të gjejë në këto vepra të vërtetën; por ndesh në manipulime të së shkuarës, të cilat synojnë kontrollin ndaj kësaj të fundit.

Nuk mundem as dua të futem në hollësitë e këtij interpretimi dhe të verifikoj, edhe unë, se sa “të vërteta” janë kundërshtimet dhe denoncimet e Lubonjës; i bindur se një qasje e tillë esencialiste, ose absolutiste është e dënuar të dështojë në çdo rast; dhe se së vërtetës njerëzore veç mund t’i afrohemi nga anë të ndryshme, por nuk mund ta rrokim kurrë në plotësinë e vet, sa kohë që atje ndërthuren objektivja dhe subjektivja, rrethanat e jashtme dhe motivet e brendshme të njerëzve që përfshihen aty.

Dua të vërej, përkundrazi, se një lloj manipulimi i realitetit, ose i së shkuarës, është intimisht i lidhur me vetë natyrën e memuaristikës, si zhanër letrar.

Jeta, siç na ndodh, është një koleksion rastësish, incidentesh dhe ngjarjesh që, pasi kanë ndodhur, janë pothuajse të gjitha me probabilitet praktikisht zero. Megjithatë, sa kohë që ne vetë jemi produkt i kësaj së shkuare, të cilën kemi kontribuar edhe ne për ta përftuar, atëherë ajo merr një kuptim dhe mund të analizohet, si histori – e një shoqërie, e një përpjekje kolektive ose individuale, madje edhe si jetëshkrim i një personi të vetëm.

Kur vihemi të kujtojmë të shkuarën, të gjithë e bëjmë këtë për të gjetur atje shkaqet e së sotmes; ose ata faktorë të cilët kanë ndikuar në ngjizjen tonë si subjekte të tanishme. Madje edhe psikanaliza, si një formë psikoterapie ose edhe komunikimi njerëzor, e ka përqafuar këtë lloj qasjeje, duke e shndërruar në art.

Mirëpo në psikanalizë, dhe pikërisht te Freudi, gjejmë edhe shpjegimin se subjekti nuk është indiferent ndaj këtij procesi të rikuperimit të së shkuarës; por, përkundrazi, ndikon aktivisht, për t’i dhënë kësaj së shkuare një formë narrative, ose edhe intencionale, në daçim ta quajmë ashtu, madje edhe duke “i harruar” në mënyrë konveniente disa ngjarje, dhe duke i modifikuar ose rimontuar disa ngjarje të tjera; qoftë edhe thjesht për të rivendosur drejtpeshimin në një psikikë të plagosur nga traumat.

Kjo nuk ka të bëjë me ndonjë farë vullneti ose dëshire për të gënjyer ose për ta fshehur të shkuarën ose për ta paraqitur atë me ngjyra tërheqëse; por ndodh vetvetiu dhe pashmangshëm, çdo herë që kërkojmë të ndërveprojmë me jetën tonë të kujtuar, për ta vënë në shërbim të së tashmes, nëpërmjet atij procesi që populli e quan “zbukurim.”

Ndodh rëndom që e njëjta ngjarje të kujtohet nga dëshmitarë të ndryshëm në mënyra të ndryshme; këtë e dinë mirë jo vetëm hetuesit, por edhe shkrimtarët dhe kineastët, të cilët e kanë shfrytëzuar në veprat e tyre. Kjo ndodh ngaqë një ngjarje, objektive dhe unike në vetvete, filtrohet nëpërmjet un-it subjekt, duke u përvetësuar jo vetëm në mënyrë, si të thuash, shqisore; por edhe në bazë të kodit që përdor ky subjekt për ta deshifruar.

Dy veprat që analizon Lubonja – të E. Kadaresë dhe të E. Ramës – janë vepra ku autorët kanë lënë gjurmë të pashlyeshme; dhe jo vetëm ngaqë flasin për veten e tyre dhe të afërmit, por edhe sepse rrëfejnë një botë që është filtruar sipas subjektivitetit të njërit autor dhe të tjetrit. Nuk kemi të drejtë, besoj unë, që ta konsiderojë këtë subjektivitet si një formë të manipulimit të qëllimshëm të lexuesit ose të publikut.

Ka edhe më. Të gjitha ngjarjet, që janë fakte në momentin kur ndodhin, vijnë e shndërrohen në metafora teksa e kryejnë kapërcimin nga perceptimi dhe përjetimi në kujtesë; dhe si metafora do t’i nënshtrohen tash e tutje interpretimit, duke pasë kaluar tashmë nga heuristika në hermeneutikë. Kur një autor, qoftë ky edhe politikan, kthen kokën nga e kaluara dhe vihet të na kallëzojë se çfarë ka ndodhur në jetën e tij, ai nuk mundet veçse t’i renditë këto metafora dhe t’u japë kuptim post factum; në kuptimin që manipulimi nuk lidhet me ndonjë qëllim djallëzor të autorit, por me vetë natyrën e narrativizimit, ose të shndërrimit të kaosit të fakteve, në një rrëfim të strukturuar mirë.

Por, nëse është kështu, atëherë çfarë vlere i mbetet memuaristikës? Them se vlera kryesore, në kontekstin për të cilin flasim, ka të bëjë me portretizimin që i bëhet njeriut – autorit, në rastin e një autobiografie, ose personazhit kryesor, në rastin e biografisë; ose me mundësinë që i jepet lexuesit, për të njohur nga afër një personazh të jetës publike, me të cilin shumë prej nesh kanë dhënë e kanë marrë, për së largu, ose ia kanë përjetuar drejtpërdrejt pasojat e gjesteve, bëmave dhe vizioneve që ka pasur.

Pas botimit të të dy veprave në fjalë, kanë  ngritur zërin njerëz të ndryshëm, në mediat, për të thënë se “nuk ka qenë ashtu,”, “nuk ka ndodhur ashtu”, ose, më rëndë akoma, se “autori gënjen.” Nuk e vë në dyshim se këta kontestues vërtet ruajnë kujtime të ndryshme, për një ngjarje, nga ato të E. Ramës ose të E. Kadaresë; dhe se ballafaqimin mes kujtimeve të tyre dhe ato të dy autorëve në fjalë e kanë përjetuar si ballafaqim mes së vërtetës dhe gënjeshtrës. Mirëpo ky është një iluzion, në më të shumtën e rasteve, sa kohë që çdo autor i një (auto)biografie gënjen, në kuptimin që fjala e tij nuk është filmim i realitetit nga një kamera fikse, e llojit të mizës në mur, por produkt i një angazhimi aktiv të subjektit shkrues me realitetin. Nga ana tjetër, akuza se autorët gënjejnë qëllimisht, duke fshehur dhe manipuluar fakte të cilat përndryshe i mbajnë mend mirë si kanë ndodhur, nuk i përket kritikës letrare, as kritikës kulturore; por tabloidëve dhe sallës së gjyqit.

Çfarë ka rëndësi, është që këto dy kategori të manipulimit të realitetit të mos përzihen së bashku; e para gënjeshtër është e pashmangshme, meqë vetëm një individ fanatik, madje paranojak, mund të pretendojë se e ka gjetur të vërtetën, qoftë edhe të vetën; dhe janë bash njerëz të tillë, të cilët i kanë shkaktuar njerëzimit fatkeqësitë më të mëdha; kur nuk kanë prodhuar efekte komike, me pretendimet e tyre, të mishëruara në veprat që kanë lënë. Gënjeshtra e llojit të dytë është doemos moralisht e dënueshme; por njëlloj moralisht e dënueshme është të akuzosh një autor se ka gënjyer me qëllim, për të mbuluar ose shtrembëruar një fakt komprometues, pa i pasur në duar provat e nevojshme, dhe pa rrezikuar tabloidizimin e debatit.

Në kritikën e vet, Lubonja më krijon përshtypjen sikur nuk e ruan gjithnjë këtë dallim, me rëndësi kritike, midis gënjeshtrës si pjesë e procesit narrativizues, ose të përvetësimit të së shkuarës; dhe gënjeshtrës si mashtrim, ose përpjekje për të fshehur realitete të pakëndshme; dhe kjo ia dëmton analizën dhe vetë statusin që ka fituar, prej intelektuali dhe zëri të fuqishëm kritik të shoqërisë civile.

Shënim: ky shkrim u botua fillimisht në ResPublica, pastaj në Shekulli (me titull të redaksisë) dhe kushedi se ku tjetër. Është hera e dytë që kam ndërhyrë në debatet rreth librave memuaristike të botuar gjatë këtyre muajve, meqë kam përshtypjen se shumë nga ata që i kanë kritikuar librat e Ramës e të E. Kadaresë e kanë shtruar çështjen keq. Nga ana tjetër, raporti i rrëfimtarit me të vërtetën meriton të shihet nga shumë anë, qoftë edhe thjesht ngaqë ne shqiptarët sot nuk po bëjmë gjë tjetër, në kulturë, përveçse po ripërtypim të vjetrën. Me këtë rast, u lutem nëpunësve të Ministrisë të së Vërtetës të mos m’i ndotin komentet më poshtë me papagallëqet e tyre të mërzitshme.

Nuk ka komente

  1. Kerkimi I te vertetes finale si kredo te cilen po kaleron se fundmi Lubonja, per aq sa me takon ma ben kete personazh te teatrit demokratikas me shume Don Kishot sesa Shen Gjergj luftetar. Madje edhe ketu me rezerve, pasi I pari ishte nje qenie e mire, ndonese e mjere, cka nuk mund Ta them (thjesht sepse se di te verteten finale) per Lubonjen. Perkundrazi, ajo cfare une di (per shkak te funksionit) e qe bazohet ne fakte dhe rrethana te hetuara dhe dokumentuara ne dy raste e nxjerrin z.Lubonja ne mos nje genjeshtar (pasi kjo sipas meje kerkon dashje), me se paku nje altoparlant publik i te pavertetave. Ndihem ngushte sepse nuk mund te jem me i detajuar se kaq per rastet konkrete, por ky zoteri ne dy episode te Opinion ne kohe te ndryshme ka treguar histori qe nuk Kane qene aspak te verteta. Une Lubonjes ia lexoj shkrimet. Shpesh ato jane interesante dhe me mesazhe te duarttrokitshme. Kjo nuk dmth qe nuk jam I rezervuar ne lidhje me “te vertetat” e tij (sikunder me ato te Rames apo E.Kadarese).

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin