FLASH MOBS KUR NUK DINIM

Të gjithë do të kemi dëgjuar për flash mobs, të cilat Wikipedia i përkufizon si grup njerëzish që mblidhen papritur në një vend publik, kryejnë një akt të pazakonshëm ose ndonjëherë të pakuptimtë, pastaj shpërndahen – dhe e bëjnë këtë për qëllim zbavitjeje, satire ose shprehjeje artistike.

Ato i shoqërohen zakonisht boom-it të teknologjisë së komunikimit dhe rrjeteve sociale, meqë këto kanë mundësuar bashkërendimin e shpejtë të veprimit mes individëve përndryshe të shpërndarë një qytet. I pari flash mob u krijua, gjithnjë sipas Wikipedias, në NYC në vitin 2003, kur një turmë njerëzish u grumbulluan befasisht rreth një qilimi, në qendrën tregtare Macy’s, në Manhattan.

Flash mobs zakonisht i mbajnë si shprehje të artit performativ (performance art), të cilat i ruajnë lidhjet me protestën politike, karnevalin dhe aktet subversive.

Dukuria përshkruhet zakonisht si e re, ose e dhjetëvjeçarit të fundit; megjithatë, nga koha e shkollës së mesme madje edhe viteve të mia në universitet, të paktën dy forma të çka ne e quanim thjesht gallatë, por që sot me siguri do të konsiderohej flash mob.

Një të tillë e organizonim në plazhin e Durrësit, në korrik ose në gusht, dhe pikërisht gjatë xhiros së mbrëmjes buzë detit, ritual i ngjashëm me çfarë ndodhte gjatë vitit në Bulevardin e madh në Tiranë. Mblidheshim një grup relativisht i madh shokësh, miqsh e të njohurish, dhe fillonim të ecnim me tempo, si ndonjë togë ushtarake, por në mënyrë të tillë që çdo katër hapa të bënim, të gjithë njëherësh, një kërcim të lehtë të cilin, në rreshtore, e quajnë “korrigjim hapi”; i cili shërben zakonisht për të ndërruar radhën e majtë/e djathtë (supozojmë se ecja bëhet sipas komandës një-dynjë-dynjë-dy; ku një është hapi me këmbën e majtë, ndërsa dy me këmbën e djathtë; në qoftë se dikush gabimisht e ka nisur ecjen në mënyrë të tillë që komanda një t’i përgjigjet hapit me të djathtën dhe komanda dy me të majtën, atëherë manovra e kërcimit lejon këmbimin e hapit, për t’iu konformuar hapit të togës). Efekti që përftohej, nga ky grup laraman njerëzish, që krejt papritur kërcenin të gjithë së bashku, ishte i jashtëzakonshëm.

Një tjetër flash mob e kemi pasë praktikuar në vitet e shkollës së mesme, kur na qëllonte ndonjë orë bosh (zakonisht, kur mungonte mësuesi) dhe dilnim së bashku shëtitje, si klasë. Në rrugën e mbushur me kalimtarë, do të zgjidhnim ndonjë individ disi të pazakonshëm: një grua të moshuar të pispillosur, një gabel të shpenguar, një katundar me trastat me bukë dyzetshe, një sarhosh të kërrusur; për të krijuar, pas këtij personi, një njëshkolonë, në mënyrë që të dukej sikur ky person çfarëdo të ishte kreu a udhëheqësi ynë urban. I vetmi kriter i zgjedhjes ishte që personi në fjalë të ishte disi i veçueshëm nga masa e kalimtarëve dhe mundësisht vulnerabël, i hutuar, ose tepër i drojtur për të reaguar me dhunë ndaj nesh që i shkonim pas. Edhe këtu, pamja e gjarpërit të gjimnazistëve, që ndiqnin kalimtarin e rastit të shndërruar në komandant ose udhërrëfyes, i bënte njerëzit të kthenin kokat me çudi. Këtë rreng e luanim zakonisht në rrugën e Barrikadave ose në atë të Dibrës, afër Pazarit të Ri; në një orë të ditës me ecejake të panumërta. Ata që na shihnin, me siguri mundoheshin të gjenin një lidhje midis kreut të kolonës, ose viktimës, dhe kolonës ndjekëse, me adoleshentë të gajasur.

Në ato vite, e kalonim një pjesë të madhe të kohës të përfshirë në veprimtari kolektive, ose korale, ku na kërkohej të mbanim radhën ose rreshtin – që nga rreshtimi i mëngjesit, në oborr të shkollës, e më tej te orët e zgjatura të rreshtores gjatë stërvitjes ushtarake, ose provat për “ushtrimet e manifestimit” të spartakiadave.

Rreshtimi ishte një nga mënyrat themelore, me të cilat duhej të natyralizoheshim me autoritetin; madje, për shumë prej nesh, forma parësore, ose tangible, e përjetimit të këtij autoriteti, me mësuesit tanë shndërruar në gjeometra socialë nga halli.

Të gjithë rreshtoheshin aso kohe: futbollistët në fushë para ndeshjes, këngëtarët në korin e shkollës, autobusët e brigadave vullnetare që niseshin për në hekurudhë, valltarët labë, pjesëmarrësit në një funeral shtetëror, manifestuesit gjatë paradës së Një Majit, veturat e “delegacioneve” kur vinte ndonjë mysafir i huaj i rëndësishëm në Rinas (bie fjala, princi Norodom Sihanouk), qytetarët në radhën e djathit, madje edhe vetë anëtarët dhe kandidatët e Byrosë Politike, tek prisnin të shfaqej Enveri që nga dera sekrete.

Nëse është kështu, atëherë flash mob-et tona, vërtet të thjeshta dhe sporadike, njëfarësoj qesëndisnin ose satirizonin torturën e rreshtimit, si shfaqje dhe metaforë e disiplinës; ose edhe përqeshnin mendësinë ushtarake, me të cilën pushteti administronte masat. Regjimi totalitar i realizonte rregullisht marrëdhëniet e veta me turmat nëpërmjet organizimit; dhe organizimi vetë mishërohej në rreshtimet. Përballë kësaj trysnie sinkronizuese, ne reagonim si mundnim; duke e karnevalizuar atë, në forma të pafajshme gjestesh korale të vetvetishme, si këto dy që m’u kujtuan më lart.

Art performativ ka qenë edhe ai, pa çka se nuk e kanë studiuar kritikët, nuk janë shkruar disertacione për të dhe nuk ia kanë vënë dot emër tjetër, veç gallatës. Nëse rreshti dhe disiplina rreshtore ishin mveshja ose metafora hapësinore e konformimit, atëherë parodia e rreshtit ose e organizimit në përgjithësi shërbente edhe si një terapi e jona, ndaj trysnisë për të ecur të gjithë me një hap.

Nuk ka komente

  1. Kur nuk dinim?!!
    Vetë fakti që këto gjëra i bënim para 25vjetësh, do të thotë që… ca gjëra i dinim. Qoftë edhe pse të mësuara nga “rreshtorja”.
    Përsa i përket shembujve të rradhave të cituara në artikull; me përjashtim të shembullit me Enver (edhe këtë, vetëm se s’kanë Enver) të gjithë shembujt e tjerë vazhdojmë t’i ndeshim, edhe sot e kësaj dite, në botën e civilizuar

    Në rrjet ka qindra video që tregojnë aktivitete të flashmobit gjithandej nëpër botë, por nga të gjitha, ajo që më pëlqen më tepër dhe që ka dhe një sens praktik për rizgjimin e ndërgjegjes qytetare, është kjo e realizuar në Kanada… fantastike: http://www.youtube.com/watch?v=kzgezup7Nlk

  2. Po lexoja e thashe: si t’i dokumentojme ca gjera si keto, pervecse me shkronja e konsensus? Pastaj me erdhi ne mend nje foto qe duhet ta kem ende diku, e fundit te viteve ’80, me njeshkolonen dekreshendo, qe fillon me perspektiven e statujes se Enverit (po!) dhe mbyllet me me te shkurtrin prej shokesh. Nuk eshte tamam-tamam e njejta gje, po quhet si dokument.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin