KINOLOGJI

Vëreni qentë e rrugës, aq të shumtë e të larmishëm në Tiranë, shenjuesit më besnikë të hapësirës publike, jo më pak se plehrat, lypësat dhe ndotjet në ajër.

Të rrëshqasin vjedhurazi përbri, njëkohësisht lutës dhe të drojtur, të vuajtur dhe të lirë për ta jetuar vuajtjen si të tyren. Të drobitur, të uritur, gjakpirë nga parazitët, megjithatë të gatshëm për të shërbyer, përditë, si alibi morale e të gjithë kafshëdashësve të kryeqytetit.

T’i shpëtojmë këto gjallesa nga një task force vrastare e Bashkisë, apelonte Animal Rights Albania, para pak ditëve. Një lexues i ResPublica-s, ku e pashë lajmin, sugjeronte ndërkohë në komentet (besoj me shaka), që qenve endacakë t’u vileshin organet e brendshme, për t’iu shitur pastaj klinikave kanine luksoze në Perëndim.

Sipërmarrje patjetër më fitimprurëse se shkatërrimi i bunkerëve të Enverit, për t’u marrë e shitur hekurin që fshehin në gji.

Më thoshte një shok, para ca ditësh, se myslimanët nuk i duan qentë, i konsiderojnë të papastër, i pranojnë veç si roje të bagëtisë dhe të pronës; por jo si shoqërues të njeriut.

Në atë bisedë e sipër, kujtuam Stambollin, ku kishim qenë të dy dhe ia kishim parë jo vetëm mrekullitë e shumta, por edhe të njëjtët qen të kapitur e lëngues, që popullonin hapësirat e ndërmjetme, si një farë kaste të paprekshmish.

Pa çka se kulturat myslimane e dënojnë me të madhe keqtrajtimin e kafshëve; një gjynah që, për rastin tonë, i mbetet në derë qytetit.

Shqiptarit i ka munguar një traditë e qenit si kafshë shoqëruese, ose pet; për t’u mbajtur në divan, si macja; ose edhe në krevat, si i dashuri. Megjithatë, Perëndimi ka bërë punën e vet edhe këtu: sot nuk janë të rralla familjet që i kanë adoptuar këto krijesa, jo për t’i vënë të ruajnë pronën dhe të zotët vetë, por për t’i rritur dhe gëzuar si fëmijë.

Gjithsesi, një fjalë e bukur për pet na mungon ende.

Pashë një ditë, në një nga kafet e shumta të Tiranës chic, një grua të re, me hiret e plota të një prostitute të shtrenjtë, që mbante një prehër një lap dog, teksa kuvendonte me shoqen a kolegen e vet.

Ky qen fatlum e kishte kapërcyer kufirin mes publikes dhe privates, duke marrë, në proces e sipër, atributet e pashmangshme të maces.

Sa më shumë shtohen qentë e rrugës, aq më shumë shtohen edhe qentë pets; si të ishte fjala për një shoqëri të modeluar si e jona, me polaritetet dhe polarizimet e veta – të pasur dhe të varfër, Sokratë të vuejtun dhe derra të kënaqun.

Sociologu mund të mjaftohej me studimin e kësaj bote paralele, për të kuptuar se çfarë po ndodh me Tiranën e shekullit XXI.

Në parkun Rinia kam parë një lloj tjetër qeni: djem të rinj, me pitbulls, të cilët i mbajnë të lidhur me zinxhirë prej hekuri. Më kujtojnë orë e çast portorikanët dhe dominikanët e ngeshëm të Bronx-it, të cilët i kanë këto kafshë të rrepta në vend të armëve të zjarrit, por edhe si status symbol; edhe pse më thonë që modeli, këtë herë, janë videot e grupeve rap dhe filmat me gangsta, ku vajzat dhe vartësit quhen zakonisht bitches.

Në mënyrën e tyre, lap dogs dhe pitbulls krijojnë një polaritet të mëvetësishëm – femëror dhe mashkullor, fëminor dhe adult, paqësor dhe luftarak, të zhurmshëm dhe të heshtur. Më pëlqen ta shoh, këtë polaritet, si fotokopje të shoqërisë së lartë të Tiranës bene, të ndarë gjithashtu në lap dogs dhe pitbulls, të cilët ndeshen rëndom dhe ia nuhatin njëri-tjetrit organet gjenitale, rreptësisht sterile, në sallonet e kryeqytetit.

Hapësira publike dhe vetëdija qytetare e gjen vetveten, ndërkaq, në qentë e rrugës; njëlloj e braktisur, e sëmurë dhe e uritur. Pse të çuditemi, pastaj, që pushteti kërkon ta shfarosë krejt, në emër të higjienës sociale?

Nuk ka komente

  1. Sa here qe me bie rasti te udhetoj gjithmone insistoj, pavetedije ndoshta, te shoh ne vendin e ri nese ka qen jetime rrugeve. Kam pershtypjen qe shtetet qe nuk dine te respektojne kafshet jane primitive, te varfer ne shpirt dhe ne xhep. Ky eshte nje zakon i vjeter nga Shqiperia, qe gjithmone, i ndiqja me sy te frikesuar qente e rruges, dhe jo vetem sepse me vinte aq keq per ta, por edhe ngaqe kisha nje frike organike sikur do te me kafshonin. Por ata gjithmone ashtu te humbur ne ate vetmine, pafajsine e tyre, vetem kerkonin ushqim; te pakten njerzit e merrnin nje talon, por per qente nuk mendonte askush. Dhe fatkeqsisht po ky mentalitet na ndjek sot e kesaj dite.

    Dy gjera teper te rendesishme qe na kane mbetur trashegim nga e kaluara komuniste eshte mosedukata ndaj kafsheve dhe mosdija ne donacione.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin