KËTA DHE NE

Ja një histori që më rrëfyen sot.

Një grup gazetarësh shqiptarë janë duke ngrënë drekë, në një restorant të Pargës, në Greqi. Kamerierët janë grekë etnikë nga Shqipëria, ose minoritarë, siç i quajmë.

Në drekë e sipër, hapen edhe muhabete me kamerierët, për të shkuarën e për të tashmen.

Njëri prej kamerierëve, duke bërë me kokë nga klientët e tjerë në restorant, pas gjase vendas, u thotë gazetarëve nga Shqipëria: “këta nuk janë si ne. Ne bëjmë shumë për njëri-tjetrin, këta veç për vete dinë të mendojnë.”

Shoku im, që ma rrëfente këtë histori, më tha se ishte mahnitur me kuptimin e përemrave: një grek etnik, nga Shqipëria, që e përdor përemrin ne për t’iu referuar jo etnisë, por qytetarisë; ose një të kaluare të afërt, kur ndante të njëjtën shtetësi me mysafirët shqiptarë; ndërsa përemrin tjetër, dëftorin këta, i cili mbishënjon edhe distancë, tjetërsi sociale madje edhe tjetërsim, për t’iu drejtuar grekëve vendas, me të cilët ndan, pas gjase, gjakun.

Ka shumë mënyra si mund të lexohet kjo lojë befasuese me përemrat: për disa, është shenjë e suksesit të qytetarisë së djeshme, pa çka se nën çizmen totalitare; për të tjerë, thjesht e mirësjelljes së kamerierëve, ose dëshirës instinktive të natyrës së njeriut për t’u solidarizuar me tjetrin; për të tjerë akoma, provë se disa minoritarë grekë të Shqipërisë nuk u përshtatën dot në atdheun e tyre imagjinar, Greqinë; mund të ketë edhe ndonjë që ta interpretojë si kameleonizëm.

Unë i përkas grupit të parë; edhe unë do t’u drejtohesha atyre minoritarëve me ne; dhe jo për t’ua bërë qejfin me shpresën e ndonjë bakshishi.

Nuk ka komente

  1. Une jam i grupit qe thote se nuk jane pershtatur dot. Hiq gjuhen nuk me rezulton qe minoritaret te kene ndonje mendesi e kulture qe nuk perfshihet dot brenda subkultures shqiptare te jugut te Shqiperise, dmth aspekte kaq origjinale greke sa te jene nje ‘Greqi e vogel’ brenda Shqiperise.

    Perndryshe pakicat shqiptare ne Mal te zi apo Kosove Lindore(Presheve-Medvegj-Bujanoc) jane vertet Shqiperi te vogla brenda Malit te zi e Serbise.

    Kjo besoj vjen nga fakti qe nuk kane qene historikisht te lidhura drejtperdrejt me territore greke, meqe zona kufitare ‘greke’ eshte Cameria, qe ka pasur shumice shqiptare te padiskutueshme dhe se kultura historike duke qene me baze ortodokse i ka perfshire minoritare e shqiptare ortodokse nen perqasjen shqiptare ndaj ortodoksise.
    Perndryshe ‘Shqiperite e vogla’ ne Serbi e Mal te zi, jane mundesuar edhe fale faktit qe kane pasur fe tjeter nga serbe e malazeze, respektivisht mysylmane e katolike (natyrisht kryesore eshte vijueshmeria me territore ne ndonje rast 100% shqiptare).

  2. Me ka ndodhur te perjetoj nje histori si kjo e xhaxhait ne Greqi.Takova nje minoritar grek i cili fliste pikerisht me “ne” per shtetasit shqiptare dhe “keta” per shtetasit greke atje. Ndjehej i fyer dhe i acaruar me grekerit sepse e trajtonin si te dores se dyte vetem per faktin se ishte emigrant ndonse kishte shume vite ne Greqi dhe etnikisht ishte grek. Ndjeheshim te dy ‘tanet’ ne ato dy-tre ore qe isha me te.

    Kam njohur e punuar me jo pak minoritare dhe , po te harroje per nje cast etnine e tyre,ishte e veshtire t’i dalloje nga shqiptaret. Une besoj se ishin integruar mire dhe ndjeheshin normale si te tjeret ne shtetin shqiptar te para ’90.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin