KU NDRYSHOJMË?

(Shënime të pasistemuara)

Eshtë gjithnjë interesante të kuptojmë se çfarë na bën të ndryshëm nga popujt e tjerë, por jo aq e lehtë. Kjo është arsyeja  që këto pak shënime që po rreshtoj më poshtë, do të desha të plotësohen edhe nga të tjerë, me dëshirën për të përvijuar atë ndryshimin e vogël e shpesh të padukshëm, shenjat e kostitucionit etnik, formimin psikologjik, rezultatin e shartimit me kulturat fqinje, por edhe sjelljen individuale në raport me popujt me të cilët sot janë në kontakt mjaft bashkatdhetarë.

Të fillojmë nga mjedisi ynë i përbashkët, shtëpia. Vërej se gratë shqiptarë kenë një sens të admirueshëm për t’i pasur gjërat vetë në dorë, për rregull dhe pastërti. Te francezet, të paktën, por edhe te belgët e holandezët e në përgjithsi nordiket, vërej se ato janë gati t’ia delegojnë një pjesë të pushtetit burrave, nuk nxitohen ta bëjnë shtëpinë të ndriçojë po qe se edhe anëtarët e tjerë të familjes nuk angazhohen në një farë mënyre. Por në tërësinë e vet mund të them pa gabuar shumë se femra shqiptare është më kërkuese dhe më e shqetësuar për perfeksionin e brendshëm shtëpiak. Shkurt, po të hysh pa njoftuar në dy shtëpi, në një shqiptare dhe tjetra frënge f.v.j., pa dyshim së parës i vë notë më pozitive. Nuk përjashtohet që ky “angazhim” i pazakontë shtëpiak i shqiptareve të jetë edhe një mënyrë evakuimi të streseve apo edhe një formë afirmimi e personalitetit, gjë për të cilën kanë pak vend në sheshin publik.Po t’i besosh faqeve të para të shtypit shqiptar, femrat më të afirmuara aty, janë ato që kanë kofshët më të bukura.

Zgjidhja? Pashë këto ditë filmin e një regjisori rumun që e vlerësoj shumë, Radu Mihaileanu Filmi titullohet Kroi i grave. Ngjarjet zhvillohen në Magreb (xhirimet u bënë në Marok) dhe tregon për gratë e një fshati, të cilave u kishte ardhur në majë të hundës duke mbushur ujë larg shtëpisë. Një ditë ato vendosin të bëjnë grevë seksi deri sa burrat të zgjidhin çështjen e ujit

Francezet në tërësi shquhen më shumë për estetikën e hapësirave të lira, gjë që nuk ndodh me shqiptaret, të cilat kanë ngjashmëri me popullsitë magrebine, për të mbingarkuar mjediset me lloj lloj gjërash të panevojshme, por kjo mendoj se duhet interpretuar si dëshirë e fshehtë për të treguar një status të mirë ekonomik, karakteristikë mesdhetare.

Duke kërkuar pikat e ndryshimit le të lëvizim e të dalim jashtë shtëpisë, në rrugë. Këtu pamja është pak më e ndryshme. Individit shqiptar (por do të shtoja pak edhe ca mesdhetarë të tjerë, si italianët), edhe pse e bezdisin dhe nuk i dëshiron aspak, organizohet fare pak kundër plehrave në rrugë dhe rrëmujës së mjedisit që e rrethon, e vuan por nuk lëviz për të patur një treg të pastër e të mirëfurnizuar, e ndjen natyrën por nuk bën asgjë për një sipërfaqe të gjelbër por edhe për një kënd të bukur lodrash për fëmijët. Nuk është i kënaqur për mungesën e tyre, por nxiton të hyjë në shtëpinë e tij. Në rastin më të mirë këto probleme bëhen subjekte të gazetarve të ngeshëm. Subjekti nuk shet shumë.

Nuk mund të thuhet e njëjta gjë edhe për francezët. Ajo që ndodh poshtë dritares së tyre, mjedisi i përbashkët, është për ta shqetësim mjaft i madh. Ai nuk lejon kollaj plehrat të derdhen në rrugë, nuk harron t’i bëjë vërejtje komshiut të pakujdesshëm, kur e ndesh nëpër shkallë, por edhe të njoftojë autoritetet, madje po qe se këta nuk lëvizin, ai ulërin për tu kujtuar këtyre të fundit taksat që paguan. Ngrihet dhe do të dijë pse është aq larg shkolla e fëmijëve të tij, pse nuk ka një kënd lodrash apo pse te një kaluç i vogël te këndi ekzistues nuk janë aplikuar normat evropiane të sigurimit të parqeve publike.

Nuk është gjësendi e rrallë që njerëz të ndryshëm, por edhe komunitetet të tëra, që pësojnë dëme nga elementët e natyrës, të hedhin në gjyq Meteo France (Institucioni publik i ngarkuar për parashikimin e motit), që nuk i ka paralajmëruar me kohë për kohën e keqe që do të bënte.

Natyrisht në Shqipëri kam dëgjuar shpesh gratë të ankohen për pluhurin dhe plehrat, por i vetmi reagim i tyre i dukshëm është të mbyllin dritaren mirë e mirë. Dhe aq. Në tëresi mund të thuhet se jeta e qytetit, interesi i përbashkët është gjesendi që nuk e prek fort shqiptarin. Dikur janë rregjistruar raste kur persona të ndryshëm shkonin e shkulnin tubat e bakrit nëpër spitale, tuba që furnizonin me oksigjen sallat e operaciont, me qëllim që t’i perdorinin për antena televizori. Pak a shumë në të njëjtën kohë edhe Franca e ka njohur këtë lloj problemi, prerjen e kabllove të trenave, por qëllimi ishte mirëfilli politik, jo për t’i marrë ato për përfitim presonal.

Le të shohim tani edhe qasjen e individëve të dy vendeve ndaj punonjësit a funksionarit publik (në Francë funksionar quhet cilido që punon në një institucion shtetëror a publik, duke filluar nga roja i bashkisë, kuzhinierja e shkollës së kalamajve, kujdestarja e shtëpisë së të moshuarve etj., dhe për një post të tillë konkurrohet publikisht, por duhet domosdoshmërisht të kesh nënshtetësi franceze. Nuk mund të jesh roje shkolle pa qenë francez, ndërkohë që në sektorin privat është ndryshe).

Nëse në klasën e një shkolle në Shqipëri një nxënës thyen një vazo a një xham, kur mësuesi hyn dhe pyet se kush e ka shkaktuar atë dëm, kujtoj si tani se si dyzet kalamaj ulnim kokën e qëndronim ashtu deri sa të fillonte apeli, kur një gjë e tillë ndodh në Francë, mësuesi nuk ka nevojë të bëjë atë pyetje sepse tashmë një numër jo i vogël nxënësish i kanë dalë përpara në korridor dhe kanë denoncuar fajtorin.

Po qe se një gjë e tillë ndodh në Gjermani, menjëherë sapo mësuesi hyn në klasë, dyzet gishtërinj ngrihen si me komandë e tregojnë me vendosmëri fajtorin.

Të ndodhur para nëpunësit të pamëshirshëm, korrupsionit, ftesës së përditshme për të paguar për atë që i takon falas, shqiptari punon me veten ti përshtatet mjedisit gjithnjë e më acid, dhe pak bën për ta neutralizuar atë. E shumta, ai flet në kafe, por paguan, ndonjë mendon se edhe ai do të gjejë ndonjë mundësi për ta amortizuar humbjen duke vepruar në të njëjtën mënyrë. Në tërësi e pranojnë gjendjen ku janë dhe përpiqen të minimizojnë humbjen, ta negociojnë pagesën, mendojnë se cila mund të jetë shuma më e vogël me të cilën mund të kalojnë matanë dhe tre ditë më pas e harrojnë atë që kanë pësuar.

Kur flas për korrupsion, ndryshe nga të tjerë kolegë këtu, unë atë nuk e shoh vetëm si ves të shtetarëve, madje mendoj se shqiptarët janë një popull i korruptuar dhe me fuqi të madhe korruptuese, historikisht ata kanë korruptuar të gjitha qeveritë e guvernatorët lokalë.

Por edhe po të shohësh përtej njeriut të thjeshtë të rrugës, konstaton se në Shqipëri korrupsioni është alternativë përfitimi, është minierë në qiell të hapur për të gjithë ata që e ushtrojnë me përjashtim të zhvillimit tërësor të vendit.

Nëpunësi shqiptar i shton gjithnjë gjësendi nga vetja ligjit, për ti përforcuar anën e tij të keqe, ai e privatizon postin e tij dhe sikundër në kohën e perandorisë osmane kur posti blihej, ai nis e harton tarifat për të nxjerrë njëqindfishin e asaj që ka paguar. Ai shpreh një farë ligësie orgazmike tek të thotë se ti kurrë nuk do ta zgjidhësh këtë punë … pa më paguar mua.

Në tërësi mendoj se shqiptari e prodhon korrupsionin sikundër gjaku rruazat e kuqe.

Duke mbajtur radhë në një zyrë, shumë vite më parë, nga shtatë veta që ishim, tre i propozuan rojës para që të futeshin pa radhë. Në nivel diaspore i fundit në datë ishte B. Pacolli që korruptoi familjen e presidentit B. Jelcin, duke marrë të drejtën e rikonstruksionit të Kremlinit, ndërkohë që e bija e presidentit rus përdorte kudo kartën bankare të Pacollit.

Franca si çdo vend tjetër ka korrupsionin e saj. Të kuptohemi në një pikë. Atë thënien për shtetit në Luigjit të XIV -të, unë e shoh edhe në një kuptim tjetër, pra “unë jam shteti dhe po qe puna për të fituar atë çka mund të fitohet ende e fitoj unë”. Të tjerët duhen të ulen. Atyre që rrinë në këmbë u pritet koka me shpatë, siç edhe ndodhte. Pra mjerë ai nëpunës ndaj të cilit shkonte një ankesë për korrupsion, qoftë edhe kur është nëpunësi i parë i shtetit, siç ishte Zhak Shiraku, që edhe sot e kësaj dite vazhdon e tërheq këmbët nëpër gjykata që të japë llogari për disa vende pune që ishin hapur për militantët e partisë së tij ndërkohë që ai ishte kryetar i bashkisë së Parisit.

Trafiku i ndikimit mbetet ende i vagët për drejtësinë shqiptare, ndërkohë që ne Francë për shkakt të ushtrimit të tij, presonalitetet të ndryshme janë gjendur para dyerve të burgut.

Ndërkohë, përsa i përket korrupsonit fiskal, duhe thënë se një avokat i shkathët arrin deri aty sa të realizojë legalisht që dikush me të ardhura më të shumta të paguajë më pak se një tjetër që nuk ka të njëjtin nivel të ardhurash, por kuptohet se këtu jemi mjaft larg shmangies tradicionale fiskale. Reklamat e shoqërive që propozojnë sherbim për të paguar më pak taksa, janë gjithnjë e më të shpeshta në hapsirat publike.

Në mënyrë të përgjithshme mund të thuhet se Franca ka korrupsion, por korrupsionin e organizon shteti, sipas “rregullave të artit”, siç thonë vetë.

Dokumente të ndryshme hedhin dritë për ekzistencën pothuaj legale të fondeve të veçanta të qeverisë franceze për të paguar funksionarë të lartë të huaj me qëllim që të fitojnë tendera të rëndësishme, të shesin avionë, tanke, centrale atomikë etj. Shteti francez u revoltua shumë kohët e fundit, kur u vranë tetë ushtarë francezë në Afganistan dhe morën vesh se italianët që mbanin të njëjtët territore më parë ishin kursyer nga talibanët sepse u paguanin para nën dorë krerëve tribalë. Nuk është puna pse kishin paguar, u nxehën shërbimet shtetërore franceze, po pse nuk na e thanë edhe neve këtë marifet.

Po ndjek nga afër problemet shëndetësore të një familjari tim në Tiranë dhe konstatoj se korrupsioni në mjekësinë shqiptare është i përmasave kriminale. Çfarëdo të thuhet për një një gjë të tillë nuk është e tepruar. Të lënë të vdesësh po qe se nuk paguan në të gjitha nivelet, deri edhe pastruesen, pa llogaritur mafien e farmacive dhe perversitetin e marrëdhënies mjek-klinikë private-laborator.

Por këtu duhet thënë se edhe mjeku francez e ka shumë qejf paranë. Por në kushtet kur tarifën e pagesës e cakton shteti, mjeku i drejtohet shtetit, i bën presion, ngrihet në greve, madje spitale të tëra lënë punën duke siguruar vetëm shërbimin e urgjencës dhe dalin në rrugë për shtimin e pagesës, por ata kurrë nuk marrin të zhveshin atë hallexhiun që u ka trokitur në kabinet.

Nëpunësi francez ndjen përgjegjësi ndaj cilësisë së shërbimit të tij dhe kur ky shërbim degradohet, ai del në manifestim dhe kërkon shtimin e personelit ose manifeston për të mos shkurtuar person.

Një ditë gjatë rrugës për në Santiago një gjerman më pyeti nëse është e vërtetë se në Francë punonjësit dalin në grevë dhe pastaj shtrojnë arsyet përse kanë dalë. I thashë se personalisht dal shpesh në manifestime sepse më kujton ndonjë koleg i zyrës apo marr ndonjë texo nga ndonjë sindikalist, por rrallë më ka qëlluar të pyes përse po bëhet. Kujtoj se manifestimin e fundit e bëmë sepse doli fjala se shteti do të shkurtojë fondet e socialit. Na u ngjit zëri duke bërtitur, por në darkë, para një gote birre, shefi i sindikatës na tha se në të vërtetë qeveria nuk kishte plane afatshkurtra për një gjë të tillë, por manifestimi ynë ishte sa për ta kujtuar se nuk do të rrimë duarkryq!

Francezët rendin pas seksit, provat i keni në Sofitel, por mua më bën përshtypje guximi qytetar i mjaft grave që deklarojnë publikisht se janë përdhunuar dhe kërkojnë ndëshkimin e përdhunuesve. Pa dyshim që subjekti është ende tabu dhe shumë viktima vazhdojnë të heshtin, por gjithnjë e më të shumta janë edhe ato që dalin të manifestojnë rrugëve duke mbajtur pankarta: Kur një grua të thotë jo, d.mth.jo! (E shtova këtë se po shoh ca gra në TV, që mbajnë në dorë një parullë të tillë.)

Gratë shqiptarë në shumicën e rasteve e gëlltisin fyerjen dhe dhimbjen, jo për faj të tyre, por për faj të opinionit që e sheh si leproze një grua që deklaron se e kanë përdhunuar, veç pasojave të tjera personale e familjare.

Në Francë po bëhen gjithnjë e më të shpeshta rastet kur gratë denoncojnë për përdhunim edhe burrat e tyre, të cilët i kërkojnë të bëjnë dashuri ndërkohë që ato nuk e duan një gjë të tillë. Këtu kujtoj se një organizatë e huaj gjatë një ankete në Shqipëri, pak vjet më parë, konstatoi se gratë shqiptare nuk e njihnin si përdhunim një akt të tillë dhe ishin shprehur se burrat kishin të drejtë tu kërkonin në çdo kohë tu nënshtroheshin dëshirave të tyre.

Duket se edhe italianet lëvizin në këtë drejtim. Që nga fundi i viteve ’70 dëgjoja ne radio parrullat që një shoqatë feministe hidhte gjatë një manifestimi: L’utero è mio e lo gestisco io!

Edhe përballë çmendurisë e krimit, reagimi është diçka i ndryshëm. Mendoj se shqiptarët e kanë trurin më solid para disa figurash krimi, ndërkohë që janë të paparashikueshëm për të tjera.

Të gjithë kemi dëgjuar për zbrazje koburesh për shkak se “më gërvishte makinën” apo sepse “ai hyri në kthesë përpara meje etj..”, “ ai tjetri “kishte tre ditë që më shihte shtrembër” etj. Por nuk mbyllet me kaq, fatkeqësisht.

Më është fiksuar keq një kronika e një gazete italiane këtu e shumë vjet më parë, për gjyqin e në të riu shqiptar, i cili kishte vrarë një të moshuar për t’i marrë motoçikletën. Mjaft e shëmtuar por asgjë e jashtëzakonshme. ( Në Bruksel një i ri polak vrau një çun belg për t’i marrë një lexues mp3), pra asgjë e veçantë sikur të mos ishin edhe disa radhë të fundit të kronikës. Pyetjes së gjykatësit përse përpara se ta vriste atë fatkeqin, ai nuk kishte provuar t’i kërkonte që t’ia jepte falas motorin, vrasësi i qe përgjigjur: Po sikur të mos ma jepte!

Ishte kjo përgjigje dhe jo krimi që më ka lënë më shumë përshtypje. Por meqë jam i prirur, të mos gjykoj, u përpoqa ta marr atë ngjarje si rastësi, duke qenë se di diçka më shumë se gjykatësi italian për të kaluarën e rinisë shqiptare dhe dëshirat e saj përjetësisht të paplotësuara, gjë e cila të ndihmon, jo për të përligjur por për të kuptuar atë që ka ndodhur.

Këtë ngjarje pothuaj e kisha arkivuar sikur vite më pas të mos kisha lexuar në një gazetë shqiptare historinë e një kosovari, të cilin dashuria e madhe për Dheun amë, e kishte shtyrë të dalë në Durrës me makinë dhe të nisej të shkonte në Kosovë duke kaluar nga Rrësheni dhe përmes Mirditës te dilte diku në Domgjon të Kukësit , në mos gaboj. Eshtë një rrugë që e njoh disi dhe ju siguroj se duhet të kesh zjarr të madh patriotik a kureshtje të tepruar turistike që t’i dalësh andej për të mbërritur në shtëpi.

Diku andej nga Oroshi më duket, atij i del përpara një çun i ri me kallaç në dorë. E ndalon, e detyron të zbresë. I vjen makinës rrotull (ishte Mercedes, më duket) dhe i thotë në sy se i pëlqen makina e tij dhe do t’ia marrë. Bile, i thotë jo pa buzëqeshje do t’i marrë edhe paratë që ka në xhepa dhe do ta vrasë (sic). Kosovari, edhe ai i ri në moshë, pati inteligjencën ta besojë seriozisht dhe i thotë se nuk ka nevojë fare ta vrasë sepse ai do t’ia japë të gjithçka që kërkon, makinën, ngarkesën e saj dhe paratë. Madje as nuk do ta denoncojë fare, vetëm ta lërë të kthehet në shtëpi. Por malësori ynë nuk dëgjonte nga ai vesh dhe i zbrazi kallaçin, ashtu siç i kishte premtuar. Gjithçka u tha më sipër e ka deklaruar vetë në gjyq.

Krimi duket u zbulua rastësisht më vonë dhe mua më kë mbetur në mend edhe një skenë e fundit e kronikës gjyqësore në fjalë. Pyetjes së gjykatësit shqiptar po pse e vrave, ai do ta mbante fjalën dhe do t’i jepte të gjitha ato që kërkove, vrasësi iu përgjigj: Po sikur të mos mi jepte.

Kronikat franceze janë të mbushura me lajme të tmerrshme. Nuk janë të paktë ata burra të cilët, pasi gruaja u deklaron se do të kërkojë divorcin, vrasin fëmijët e tyre si shenjë hakmarrje, për t’i shkaktuar sa më shumë dhimbje e vuajtje. Të tjerë që dëgjojnë se janë tradhëtur, vrasin gra e fëmijë bashkë.

Zakonisht drejtësia e quan krim pasional dhe nuk duhet nxituar të japim gjykime të shpejta, por di që gjithë kohën edhe në Shqipëri ka pasur krime të tilla. Edhe në kohë të komunizmit mbaj mend që kishte vrasje për xhelozi, kriza çmendurie dhe therje të grave. Por gjithsesi në shënimet e mia nuk gjej raste që për tu hakmarrë ndaj gruas, për t’i shkaktuar asaj sa më shumë dhimbje, ndokush të ketë therur fëmijët.

Përballë dramës së tradhtisë, e cila duket se shemb çdo themel dhe çdo pilastër ku mbështetet besimi njerëzor dhe arsyet që të vazhdosh të jetosh, shqiptarët arrijnë të tregojnë një lloj soliditeti mental dhe arrijnë të ruajnë aftësinë që të përrethojnë krimin, pra të përcaktojnë saktësisht ata që duhet të paguajnë e të mos u hyjnë në hak të tjerëve. Fëmijëve. Këto çaste sapo pashë një lajm në Ballkanweb, për dikë nga Tirana që ka vrarë gruan dhe ka rrëmbyer fëmijën e ka ikur bashkë më të, ndërkohë që dje gjatë një drame familjare, një fëmijë dy vjeçar nuk e pati një fat të tillë diku në Francën Qendrore.

Në Francë e Belgjikë përgjithësisht ata që vrasin fëmijët si pasojë e një drame pasionale, sistematikisht vrasin edhe veten. Jo gjithnjë ndodh një gjë e tillë për ata që vrasin bashkëshortet a personin me të cilin bashkëjetojnë. Në Shqipëri kjo nuk ndodh asnjëherë.

Nuk ka komente

  1. Shënime të parrëfyera
    Çfarë është ajo që na dallon nga të tjerët,është një pyetje që gjithsecili prej nesh e bën aq më tepër e bëjnë dhe të tjerët të cilët ndodhen në kontakte pune apo mardhënie jetësore me shqiptarët , si popull në përgjithësi por dhe si individin në veçanti.
    -Çfarë do të rradhisje si gjërat më të shtrenjta në jetë,pyeti një grek i cili për vite me rradhë ka jetuar e punuar në Francë e në Belgjikë një punëtore shqiptare e cila kujdeset për të e për shtëpinë e tij .
    -Fëmijët dhe burrin, u përgjigj ajo.
    -Po ti , vetja jote ku rradhitet , e pyeti ai.
    Asgjëkundi , ose e fundit fare, u përgjigj ajo.
    -Jo, i tha ai, në fillim vetja jonë dhe pastaj të tjerët .
    Pas një debati jo unë e jo ti , ai i tha:
    -Ti nuk je shqiptare, sepse shqiptarët nuk mendojnë kështu si ty.
    Si duhet interpretuar dhe shpjeguar kjo bisedë: mentaliteti i vjetër , i gabuar,një rast i veçantë për tu marrë shembull , ndjenjë inferioriteti brenda konstitucionit etnik,apo ka të bëjë me formimin psikologjik të popullsisë shqiptare në vitet e monizmit.
    Le të fillojmë nga shtëpia.Nënat tona, motrat, gruaja , femra shqiptare u lind dhe u rit brenda mureve të shtëpisë.Brenda katër mureve të shtëpisë ajo ishte programatiste , drejtoreshë,dhe llogaritare (pa pasur lekët në dorë )dhe pastruese dhe shefe kushine , dhe rrobaqepëse dhe pjatalarëse dhe. dhe dhe …plot të tjera..Por vetëm brenda katër mureve të shtëpisë së saj.Sikur gruas shqiptare ti jepej me kohë besimi dhe e drejta në praktikë.për ti ushtruar këto jashtë mureve të shtëpisë së saj ndoshta komuna e lagjes , bashkia e qytetit ,institucionet shtetërore nuk do të vuanin kaq shumë nga çrregullimet , prishjet pa hesap,korrupsioni. Po ja që mashkullit shqiptar i pëlqen të shohi kofshët e bukura të sekretares në zyrën e tij, por kursesi nuk do lejonte gruan e tij apo vajzën e tij me minifund, ti shihnin kofshët edhe pse të shëmtuara të tyre dikush tjetër. Po qe se gruaja shqiptare fuqishëm zaptonte dhe merte gjendjen në duart e saj , në komunë, në bashki e në institucionet e tjera shtetërore nuk do ta kishte shtëpinë më të rregullt ,(nuk ke ku hyn brenda , është të vësh duart në kokë e të zësh hundët me duar), nga gratë e tjera franceze , belge , suedese e me rradhë
    Zgjidhja?!
    Shumë e lehtë
    -Do bëj divorc .Gruaja ime sështë në terezi kohët e fundit . Ia ka varur shtëpisë , fëmijëve.As lan , as fshi , as gatuan.Që kur ka dalë në punë i kanë marrë erë trutë.
    -Ndaje në vend ,bir, nuk është grua ajo as për ty e as për shtëpi.Ajo sështë e zonja për shtëpin[ e vet.
    ***
    Nuk është e vërtetë që mbyllin gratë dritaret nga pluhuri, por i mbyllin që mos ti dëgjojë bota që fjalosen me burrin .
    -Të vemë të kallzojmë në Bashki , dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë…..
    -Mbylle me gojën ti , shiko halenë tënde . E zgjuara , pse më trime nga të tjerët je ti .Ska drejtësi sot ,kur u bëre e zonja ta gjesh ti?!
    Në mentalitetin shqiptar akoma gruaja është një pronë e paligjshme në duart e burrit,aq më tepër pas martese që kthehet në një pronë të ligjshme.
    Zgjidhja ?!
    -Që ti të mos pranosh të kesh mardhënie seksuale me mua, do të thotë që ke gjetur tjetër.Me një fjalë nuk më do më mua.Me kë shkon , më thuaj , përndryshe do të të mbys me duart e mija.
    -Kushedi me kë e ka, kurva.Im bir lodhet , këputet i bije bretku , ajo si zonjë në shtëpi , Ndaj donte të dilte në punë ajo , të brithte.
    **
    Pa le të pohosh me gojën tënde që një mashkull aq më tepër i panjohur të ka ngacmuar seksualisht.
    -Dukej ajo , qe e lëvizur . E përdridhte bishtin si shumë kohët e fundit. Çfaj kanë të shkretët burra?!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin