PLEHRA PËR KAZAN

Jam përpjekur këto ditë të kuptoj se çfarë ka ndodhur pikërisht me ligjin e “menaxhimit të mbetjeve”, dhe pse u desh që të miratohej ky ligj, i cili urrehet nga masa e qytetarëve.

Përfaqësuesit e pushtetit, përfshi këtu deputetë, ministra dhe zëdhënës për mediat, kanë shpjeguar, duke përsëritur njëri-tjetrin, se këtë ligj “na e kërkon Europa”, dhe se të ngrihesh kundër tij, është të ngrihesh kundër Europës.

A është e vërtetë që Europa i kërkon Shqipërisë t’ua hapë kufijtë dhe doganat plehrave dhe mbetjeve gjithfarësh nga bota?

Unë nuk e besoj këtë. Më shumë ka gjasë që Europa t’i ketë kërkuar Shqipërisë të miratojë thjesht një ligj për menaxhimin e mbetjeve; pra, të ketë një legjislacion për këtë çështje.

Natyrisht, Europa e lejon importin e mbetjeve dhe të plehrave, sipas kushtëzimeve dhe kufizimeve të caktuara; por ajo nuk ia kërkon këtë askujt.

Përmendja e Europës, në kontekstet e tanishme të debatit, mua më tingëllon si bullshit i klasit të parë.

Përkundrazi, kërkesa për të pasur një ligj të mirë për ‘menaxhim’ të mbetjeve është e arsyeshme; por kjo kërkesë nuk ka lidhje, si e tillë, me çfarë do të kërkojë dhe çfarë do të ndalojë ky ligj.

Përfaqësues të ndryshëm të ekzekutivit dhe të legjislativit kanë thënë se sikur Shqipëria të ndalonte me ligj importin e mbetjeve, kjo do ta nxirrte jashtë Europës, ose do ta vinte në kundërshtim me çfarë i kërkon Brukseli.

Po a është vërtet kështu? A thua do ta ndëshkonte Europa Shqipërinë, sikur Parlamenti shqiptar të kish votuar një ligj që ta ndalonte importin e mbetjeve, duke përfshirë edhe plehrat, nga Europa dhe gjetiu nga gjithë bota?

Unë nuk e besoj këtë. madje argumenti i sjellë, të paktën ashtu siç ia dëgjova Kryetares së Parlamentit Topalli, m’u duk qartazi i llojit “na e kërkojnë ata lart,” duke iu referuar Europës, në trajtat e sulltanit imagjinar. Megjithatë, jam gati të tërhiqem, nëse ndonjë koleg i informuar ofron hollësi të mëtejshme, bindëse, për nevojën që ligji të ishte pikërisht kështu.

Nga ana tjetër, vende të ndryshme kanë legjislacion të ndryshëm për mbetjet. Shtete të mëdha, që janë në gjendje të ushtrojnë kontroll në të gjitha hallkat e procesit të përpunimit të mbetjeve të të gjitha llojeve, e lejojnë edhe importin e tyre.

Shqipëria nuk hyn në këtë kategori. Administrata tek ne është kaq e dobët, dhe kaq e kapur nga interesat private, parakriminale dhe kriminale, sa një ligj si ky i tanishmi i hap rrugë, në thelb, importit të gjithfarë plehrave, të cilat askush nuk dëshiron t’i ketë në truallin e vet.

Shto këtu edhe që Shqipëria është e vogël, dhe shteti shqiptar nuk e kontrollon dot mirë territorin e vet; dhe se këta dy faktorë i ekspozojnë qytetarët shqiptarë ndaj rreziqeve të patolerueshme.

Çfarë thashë më lart, e vërteton edhe paaftësia e administratave shqiptare, qendrore dhe lokale, për të mbrojtur mjedisin në Shqipëri nga ndotjet, përfshi këtu edhe plehrat që prodhojnë qytetarët vetë.

Në rrethanat kur shteti shqiptar nuk arrin dot të administrojë plehrat dhe mbetjet e veta, çdo ligj që i hap rrugën importit të mbetjeve dhe të plehrave është haptazi absurd.

Nuk ka asnjë vlerë, në këto rrethana, të thuash se ligje të tilla i ka edhe Gjermania edhe Holanda; sepse realiteti shqiptar është shumë larg atyre vendeve, që kanë kontroll ekzemplar ndaj territorit.

Nëse ekonomia shqiptare ka ndonjë përfitim nga importi i mbetjeve dhe i plehrave, këtë unë nuk e di; dhe pres të ma sqarojnë ekspertët ekonomistë dhe teknologë – por gjithsesi jo politikanët e votimit koreanoverior në parlament; dhe zëdhënësit e tyre.

Por edhe sikur të ketë leverdi ekonomike nga importi i ndonjë lloj mbetjeje, kjo nuk kompenson gjë për rrezikun që, nën mbulojën e këtij ligji, të hyjnë në Shqipërinë dy-pëllëmbë, pisllëqe nga gjithë Europa.

Nuk ka asnjë dyshim, se një ligj i mirë për menaxhimin e mbetjeve veç mund t’u shërbejë qytetarëve dhe sipërmarrësve shqiptarë; por të përdorësh këtë nevojë, për të mbrojtur pikërisht këtë ligj, në mënyrën siç është paraqitur tani, nuk është e arsyeshme – meqë ligji mund të ishte formuluar ndryshe.

Ata që janë ngritur kundër ligjit, e kanë bërë këtë sepse nuk duan që Shqipëria të kthehet në gropë fekale të Europës. Çfarë është thënë në publik, nga pushtetarët dhe mediat e afërta me pushtetin, nuk ka bindur njeri.

E përsërit: a mund të më shpjegojë njeri, nëse Europa ka kërkuar vërtet që Shqipëria të lejojë importin e mbetjeve; apo thjesht që Shqipëria ta rregullojë këtë import me ligj? Ka një dallim të madh këtu – sepse rregullimi me ligj parakupton edhe ndalimin e plotë të importeve; dhe unë nuk besoj që Brukseli të ketë ndonjë objeksion ndaj këtij ndalimi, sidomos sa i përket Shqipërisë.

Nuk ka komente

  1. Ndryshe nga Xhaxhai, unë jo vetëm që nuk e besoj se “Europa” i ka vënë kusht qeverisë shqiptare që të miratojë një ligj për import mbeturinash, por nuk besoj që edhe të ketë vënë kusht për të krijuar një legjislacion përsa i përket mbeturinave (Sepse kur nuk mund të detyrojë dot Italinë që është antare e BE, s’besoj se mund të detyrojë dot Shqipërinë që është jashtë juridiksionit të saj).

    Mungesa e impianteve të përpunimit të mbeturinave, por edhe nëse do investohej për ndërtimin e tyre (sa për të hedhur hi syve, të themi) tregon vetëm një gjë, që, nëse miratohet ligji, ato mbeturina do të përfundojnë të groposura në Shqipëri (me gjithë efektet shkatërrimtare që i sjellin ekosistemit).

    Është absurde të diskutohet për mbeturinat në Shqipëri duke patur parasysh edhe një faktor tjetër: Edhe në vendet me një kulturë riciklimi të mbeturinave (kryesisht druri, letra, xhami, hekuri, alumini) po ndodh një fenomen i çuditshëm…. po krijojnë stoqe të këtyre mbeturinave sepse çmimet e tyre tashmë kanë rënë shumë… kushton më pak që ta blesh/sjellësh plasmasin nga Kina, ose kompesatën nga Ukraina, se sa të paguash kamionin për të çuar plastikën dhe drurin e grumbulluar dhe për ta përpunuar në fabrikat europiane.

    Nuk është nevoja as që të shtijmë fall se ç’mund të ndodhë dhe se sa shkatërrimtar do jetë miratimi i një ligji të tillë… mjaft të shikojmë se ç’ndodh në Itali: http://www.corriere.it/scienze_e_tecnologie/09_aprile_15/tracciare_rifiuti_8741ca34-29cf-11de-8317-00144f02aabc.shtml
    Ku ndër të tjera thuhet:
    “Çdo vit në itali zhduken 20milionë ton mbeturina, që janë pakashumë një mal me lartësi 1900mt dhe me bazë prej 3 ha, që në rrafshin ekonomik i sjell krimit të organizuar rreth 22miliardë euro në vit. Të dhënat e Europol (European Police Office) tregojnë se shumica e këtyre trafiqeve ka karakter ndërkombtar (71%), për shkak të të ashtuquajturit «shopping normativ», që do të thotë lëvizje të mbeturinave drejt atyre vendeve/shteteve që kanë një aparat penal jo të rreptë dhe kontroll jo dhe aq efikas.
    Një studim i bërë kohët e fundit nga BE në 13 porte europiane, ka nxjerrë në evidencë se 50% e spedicioneve me mbeturina paraqisnin shkelje të normativave…

    P/s: Në artikullin e mësipërm bëhet fjalë dhe për vënien në shfrytëzim të teknologjive bashkohore për gjurmimin e mbeturinave në gjithë itinerarin e tyre nga fabrika që i kishte prodhuar dhe deri në proçesin përfundimtar të eleminimit të tyre… vetëm një vit “eksperiment” (ose ndenjje të ligjit në fuqi) dhe para disa muajsh, loby i plehërave e detyroi SHTETIN Italian që ta heqë atë ligj… e kotë që të pretendjom vendosmëri të qeverive shqiptare në ruajtje të ligjit

  2. Asgjekundi nuk eshte shprehur EU, as edhe ne strategjine kombetare te menaxhimit te mbetjeve nuk shprehet kush, per importin e mbetjeve: http://ec.europa.eu/environment//waste/pdf/WASTE%20BROCHURE.pdf dhe http://ec.europa.eu/environment/waste/legislation/index.htm.

    I eshte kerkuar vetem pershtatja e kuadrit ligjor me direktivat e vecanta te EU-se ne kuadrin e MSA-se, sidomos persa i perket perdorimit te Landfille-ve, si opsionin e fundit, dhe djegjes se mbetjeve duke u kujdesur per leshimin e dioxines dhe gazrave te tjera helmuese.

    Por duhet te dime se aktualisht importohen mbetje, nderhyrja e EU eshte kufizuar ne menaxhimin e mbetjeve te rrezikshme dhe menaxhimin e mire te Landfille-ve.

    1. Gjithashtu Directiva: REGULATION (EC) No 1013/2006 OF THE EUROPEAN PARLIAMENT AND OF THE COUNCIL, on the shipment of waste, paragrafi 15, kerkon nje sistem mbikqyrje dhe informim te plote nga ana e prodhuesve.

      Ndersa paragrafi 20 eshte me i rendesishmi:

      In the case of shipments of waste for disposal, Member States should take into account the principles of proximity, priority for recovery and self-sufficiency at Community and national levels, in accordance with Directive 2006/12/EC of the European Parliament and of the Council of 5 April 2006 on waste (2), by taking measures in accordance with the Treaty to prohibit generally or partially or to object systematically to such shipments. Account should also be taken of the requirement laid down in Directive 2006/12/ EC, whereby Member States are to establish an integrated and adequate network of waste disposal installations, in order to enable the Community as a whole to become self- sufficient in waste disposal and the Member States to move towards that aim individually, taking into account geo- graphical circumstances or the need for specialised installations for certain types of waste. Member States should also be able to ensure that the waste management facilities covered by Council Directive 96/61/EC of 24 September 1996 concerning integrated pollution prevention and control apply best available techniques as defined in that Directive in compliance with the permit of the facility, and that the waste is treated in accordance with legally binding environmental protection standards in relation to disposal operations established in Community legislation.

      Shkurtimisht, per importin e mbetjeve duhet te kemi parasysh afersite gjeografike, por mbi te gjitha parimin e “vete-mjaftueshmerise”. Ne kete pike Ministria e Mjedisit luan me karten, se industria e riciklimit nuk mund te mbijetoje vetem nga mbetjet e brendshme. Strategjia Kombetare shprehet gjithashtu se kjo industri e merr lenden e pare nga jashte. Por nese do te ndaheshin mbetjet ne Shqiperi kjo industri do te ishte e vete-mjaftueshme.

      1. Nëse industria e riciklimit në Shqipëri nuk mund të mbijetojë vetëm me produktin e brendshëm, ndoshta do të ishte më e udhës (dhe me siguri më e shëndetshme për popullatën dhe për mjedisin) që Shqipëria t’i eksportonte mbetjet e veta, në vend që të ngrinte një industri riciklimi, e cila ka nevojë të furnizohet nga importi.

  3. nga Shekulli:

    Komisioni Europian argumenton se Shqipërisë i nevojitej një ligj për menaxhimin e plehrave, por vecon nenin përkatës për importin e mbeturinave nga jashtë, duke theksuar se Bashkimi Evropian nuk mund të detyrojë askënd që të importojë ndonjë gjë.

    Zëdhënësi i Komisionerit për Zgjerimin Peter Stano, ne nje interviste per Top Channel tha se nje ligj per menaxhimin e mbetjeve ishte vertet i nevojshem, por ‘ne nuk kemi diktuar kushte dhe nene te vecanta, aq me shume per importin e mbetjeve’.

    “Sic e dini, miratimi i ketij ligji ishte ne kuader te pershtatjes se legjislacionit shqiptar me ate europian. Ajo cfare duhet te kemi parasysh eshte qe Bashkimi Evropian nuk inkurajon dhe as nuk detyron ndokend qe te importoje mbeturina. Ne nuk vendosim rregulla se cfare ju duhet te importoni dhe ne cfare menyre t’i importoni. Keto norma apo rregulla europiane kane nje procedure strikte mbi menaxhimin e mbeturinave ne pergjithesi, por me pas, ne kete rast, i takon vete vendit te percaktojne se cfare importon, si e importon dhe ju vendosni per kete sipas rastit. Pra, BE nuk nderhyn ne kete ceshtje, por ajo qe ne themi eshte se eshte e rendesishme qe te jete nje ligj i tille”, tha zedhenesi.

    TCH: Nje ligj mbi menaxhimin e mbeturinave?

    Peter Stano: Po, ligj per menaxhimin e mbeturinave dhe ka dispozita persa i takon importit, por sic e thashe, ne as inkurajojme dhe as detyrojme njeri qe te importoje ndonje gje, sepse kjo eshte dicka qe varet nga autoritetet shqiptare. U takon atyre te vendosin se mbi cfare kushtesh do te kete import, apo mundesite per te importuar plehra. Ajo qe ne theksojme eshte qe ju duhet te siguroni se zbatimi efikas i ligjit ze vend dhe per kete, ju duhet te keni kapacitete, duhet te kontrolloni per kete proces ate cfare i kalon vendit kur flitet per importin e mbeturinave, dhe se ju duhet te keni kapacitetet e nevojshme, sidomos ne dogana, apo ne autoritetin e kontrollit mjedisor.

    Megjithese ligji u miratua me shumice te thjeshte, ne respekt te procedurave vendase, Komisioni nenvizon se Shqiperise i kerkohet gjate procesit te anëtaresimit qe te zhvilloje konsultime e debate te gjera konstruktive per ligjet qe kane te bejne me BE-ne.

    “U miratua me shumicen e nevojshme sipas procedurave ne vend. Sidoqofte, ne theksojme se jo vetem ky ligj, por pergjate gjithe procesit te anëtaresimit, ligjet qe kane te bejne me BE-ne do te ishte mire te ishin objekt ose subjekt i nje dialogu te duhur kombetar nga te gjitha palet e interesuara nga kushdo qe shqetesohet apo qe eshte i perfshire ne njefare menyre me te. Eshte shume e rendesishme te paturit te nje dialogu te tille kombetar, apo te nje dialogu te gjere ne ceshtje te tilla te rendesishme, sepse keto lloj ceshtjesh u perkasin praktikisht te gjithe njerezve. Ato kane impakt ne jeten e cdo individi, ndaj ne inkurajojme me te vertet dialogun konstruktiv te te gjitha forcave politike. Ne kete kuader, mund te them se cdo qendrim partiak apo deklarate irrituese nuk prodhon atmosferen e favorshme, hapesiren, apo kushtet per dialog konstruktiv mes qeverise dhe opozites”, tha Stano.

    I pyetur nese qendrimi kundershtues i Presidentit te Republikes, apo ai i opozites per te mos miratuar kete ligj, bie ndesh me detyrimet qe rrjedhin nga MSA-ja, zedhenesi i Komisionit tha ‘jo’, madje sqaroi se Shqiperia nuk kishte as ndonje afat te percaktuar kohor se kur duhej ta miratonte ligjin.

    “Jo, sepse kthimi i ligjit eshte e drejte kushtetuese e Presidentit, eshte e drejte e opozites qe ta kundershtoje ate, ajo cfare eshte e rendesishme eshte qe te kete nje diskutim te duhur, respektim te sundimit te ligjit, cfare eshte kyce per cdo marreveshje te stabizilim asocimit. Por, MSA-ja nuk parashikon asnje afat kohor mbi ligjin e menaxhimit te plehrave, ajo cfare MSA-ja thote eshte vetem qe ne menyre graduale, ju duhet te pershtasni legjislacionin europian dhe kaq”, tha Stano.

  4. Argumentimi i Peter Stano-s per procesin e miratimit te nje ligji ne parlament si dhe per dhenien e hapesires per degjimin e opinionit te paleve te interesuara, eshte kristal i qarte.
    Ne forma me te thjeshtuara, nje menyre te tille te te afruarit ndaj nje problemi qe kerkon nje vendim, dhe ku ne te cilen ka me shume se nje pale, ketej edukohen njerezit ne cdo hap te jetes se tyre, qe nga shkollat fillore e te mesme , e deri tek mbledhjet e kondominiove.
    Jam i sigurte qe TCH do kish mundur te gjente edhe ndonje politikan apo specialist shqiptar ( ka 21 vjet qe shqiptaret edukohen ne Perendim) qe te ishte teknikisht ne nje “gjatesi vale” me te Stano-n. Por mendimi i tij do te deklarohesh i papeshe, sepse do te paragjykohesh – jo domosdoshmerisht nga gazetari-, se do ishte ose pozite, ose opozite. Simbas midese se lexuesit.

    ….”ne menyre graduale, ju duhet te pershtasni legjislacionin europian dhe kaq”…

    Politikanet e Shqiperise jane te paralajmeruar.
    O te nderrojne ves.
    O te “vdesin” politikisht.

  5. Shqiperia eshte vend sovran, demokratik e pluralist e sigurisht nuk do te ishte edhe ndonje herezi qe denohet me djegie ne turre te druve edhe nese opozita e Rames do te kerkonte ndalimin e perpjekjeve te Shqiperise per anetaresim ne BE. Euro skeptike apo edhe kundershtar te hapur te ketij Unioni e menyres se si eshte organizuar e funksionon ka kudo. Keshtu qe zoteria nga Europa po flet drejt por shtremberohet nga mediat partizane. Problemi eshte qe praktikisht Shqiperia eshte e detyruar qe kur ka ratifikuar MSA-ne, te perafroje legjislacionin e saj me ate te BE. Ne BE mbetjet levizin lirshem, per riciklim, per t’u djegur e prodhuar energji etj. Shqiperia nuk mund te pretendoje qe te behet pjese e ketij Unioni dhe legjislacionin per mbetjet a dicka tjeter ta kete ndryshe. Keshtu eshte si thote populli yne, edhe te nena te jem edhe burrin ta kem. Nderkaq, kjo gje nuk eshte ndonje sakrifice qe na kerkohet ne per shkak te BE se kjo do na beje koloni. Vete kjo e fundit eshte shume e ndjeshme ndaj ambientit dhe ligji per mbetjet nuk i sherben fare Europes por vetem Shqiperise. Ne kemi probleme me plehrat, edhe landfillet qe kemi jane pak por edhe tani qe po shtohen, lere qe zene vend shume dhe ndotin vendin perreth, por jane edhe pa standarde, keshtu qe krijimi i kesaj industrie eshte i domosdoshem per te pastruar plehrat tona. Sigurisht qe kjo industri kerkon para dhe nese nuk do te lejohej (gjithmone e kontrolluar rreptesisht) qe te importonte lende te pare per riciklim nese mbetjet nga vendi nuk ja plotesojne kerkesen qe ka, atehere Shqiperia nuk do te kishte kurre nje industri te tille ose do ta kishte kur ne te na kete dale bari nje pellembe mbi varr. Nuk gjykohet per vendin tend sikur te jesh turist javor apo mujor. Njerezit ne Shqiperi duan te jetojne, te kene pune e te ardhura e nje vend te zhvilluar, nuk jane turiste qe duan xhungel te paprekur nga betoni, makinat, fabrikat bile edhe mullinjte e eres qe prodhojne energji. Mire ata te huajt qe marrin nje cante ne shpine dhe i kryejne ne natyre te gjitha nevojat e pastrohen me gjethe pemesh, po shqiptaret qe jetojne ne Shqiperi pse dreqin bejne si turiste? Nuk ndalet zhvillimi por tani ne kemi mundesine qe te aplikojme standardet me te mira, si per ambientin, si per punetoret etj. Nuk kemi pse bejme te njejtat gabime qe kane bere ne fillimet e tyre vendet e industrializuara. Sot eshte inaguruar nje fabrike e riciklimit te skrapit te metalit, ku jane te punesor 120 vete dhe po na heq qafe makinat e vjetra qe kane pase mbushur anet e rrugeve te Shqiperise. Ku eshte e keqja ketu?

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin