SHIH VLORËN DHE VDIS!

Antuan de Maksimi (Antoine de Maximy) është një animator atipik, por mjaft simpatik i kanalit të pestë francez, kanali më i madh frankofon me përhapje botërore. Eshtë bërë i njohur me udhëtimet e tij në të gjithë globin sepse sjell në ekran emisione krejt të ndryshme nga ato prodhimet që u ngjajnë aq shumë njëri tjetrit dhe që ka arsye të forta të dyshohet se me informacionin që sjellin për vende të ndryshme i trajtojnë shikuesit si biçim konsumatorësh të ardhshëm turistikë.

Formula e Antuanit është e ndryshme. Ai niset fillikat vetëm me një lloj kamera të vogël, të cilën e ka instaluar me një suport para vetes dhe aksi i emisionit sillet te një pyetje e fundit që u drejton bashkëbiseduesve të tij: Të vi të fle te ju?

Udhëtimet e tij nëpër vende të pazakonta pra , i lehtëson shumë kjo mungesë e « pajisjeve të rënda ». Ai shmang bisedat me personalitete dhe synon të sjellë në ekran fjalët e njeriut të shpërfillur të rrugës, atë që kujtohemi se ekziston vetëm kur kemi humbur dhe duam të pyesim dikë se ku ndodhet filan adresë, të shumtën e rasteve, qendra e qytetit. Synimi është të kapë gjërat e pathëna e të zbulojë anët e mentaliteteve që zakonisht nuk u shfaqen të huajve. Po nuk mungon të njohë bashkudhëtarët e tij edhe me vetë mentalitetin francez, duke trokitur nëpër shtëpitë e tyre. Fjala vjen, ndryshe nga ndonjë mendim që ekzistonte, ai mbeti i shastisur para disa vitesh, tek shihte shtëpitë e banorëve të periferive të Parisit që i hapeshin pa asnjë rezerve dhe e pranonin me kënaqësi të flinte te ta.

Meqë bubërron pak anglisht, atë do ta gjesh çdo javë në skajet më të humbura të globit, në izbat e Siberisë, te jurtet e famshme mongole, te aborigjenët e Tasmanisë, te vilat aristokratëve fiorentinë buzë Arnos, në ishujt e Paqësorit, bregdetin e Dalmacisë etj., por asnjëherë duke u përpjekur të bëjë filmime të ngjashme me ato të kartolinave postare. Le që edhe sikur të dojë , me ato pajisje që ka nuk mundet.

Unë ka vite që e dëgjoj në radio, por kur para ca ditësh mësova për kalimin e tij të afërt nëpër Shqipëri, natyrisht që u bërë kureshtar. Dhe kjo jo më fort për Shqipërinë se sa për vështrimin e Antuanit për të. E pra, aty mësova se nuk njihja më as Shqipërinë e as Antuanin, te i cili zbulova një cilësi tjetër. Ai kurrë nuk jep opinione. Gjithçka ia le në dorë shikuesve dhe dëgjuesve të tij.

Ja pra, Antuani zbret në Tiranë dhe pas atyre pallateve me bojna, që i tërheqin vemendjen, vihet në kërkim të banorëve por meqë ishte fjala se do të bisedonte me një shqiptar “të vërtetë”, pata një parandjenjë të çuditshme, gati të sikletshme. Për ta kuptuar më mirë një gjë të tillë, dua të shpjegoj diçka. Rreth njëzet vjet më parë gjeta një libër me anekdota për të gjithë popujt e botës. Siç mund të kuptohet, dora më shkoi te faqja për shqiptarët dhe anekdota e vetme për ta ishte kjo : Sapo një shqiptar zbret në aeroportin Sharl de Gol, pyetja me të cilën i drejtohet njeriut të parë që ndesh është : A flisni frëngjisht ?

E para, ja Antuani ynë duke u sjellë nëpër rrugët e Tiranës, që fatkeqësisht tani nuk jam në gjendje t’i identifikoj (herën e fundit gjithë panik pyeta dikë se ku ndodhej shtëpia ime, sepse një rrugicë para kinema 17 Nëntorit, nga e cila kaloja zakonisht për të shkuar aty, ajo qe zhdukur) dhe u drejtohet me pyetje të ndryshme në anglisht kalimtarëve të rastit. Merr përgjigje të thjeshta, por asnjë frazë të plotë, deri sa dikush, gjatë një bisede në një klub e pyet : Cila është kombësia juaj ? Franceze, i thotë Antuani. Personi tregohet i interesuar nga kjo përgjigje dhe i drejton pyetjen fatale : A flisni frëngjisht?

Më tej nga vitrinat e klubeve dalin persona të ndryshëm që e shohin me kureshtje. Dikush i premton një surprizë dhe e njeh me një person që këndoi me kitarë një këngë franceze, dhe ndërkohë i jepte Antuanit disa informacione të rastit për vendin. Pyetjes së këtij të fundit se kur Shqipëria do të hyjë në Evropë, ai me shumë kompetencë u përgjigj: Aty nga fundi i tetorit!

Nëpër rrugë kalojnë ca burra me qafë të trashë, ca vajza me proporcione shqetësuese të prapanicës. Finesa mitike e gocave të Tiranës duket ende nuk ka dalë të shëtisë . Një tjetër (vajzë) e ulur diku në tavolinën e një trotuari e pyet me dyshim se mos është agjent amerikan i FBI-së. Antuani duke qeshur i thotë se po të ishte i tillë nuk do të tregonte aq hapur aparatin e tij.

Më tej e shohim në Vlorë. Më erdhi mirë për Vlorën. Edhe pse gëzon një emër të frikshëm, isha i sigurtë se Antuani nuk ka shkuar atje të thotë se jeta është më e sigurtë në favelat e Bogotas se në qendër të Vlorës. (Nuk e di a me shpjegon dot njeri pse, sipas shtypit, aty në Vlorë vrasjet behen vetem në qendër, pse diskriminohet periferia?) Ai sillet diku andej nga plazhi, por nuk arrin të ngecë gjëkundi. Madje nuk sheh shumë njerëz. Ca puntorë i thonë të vijë pas dy orësh, se atëhere fillon “xhiro”. Antuani vlerëson informacionin dhe përshëndet kalimtarët e rrallë, të cilët i këpusin ndonjë batutë në italisht e ikin tutje. Futet nëpër ca rrugica të ndotura, nga lagjia e Skelës, mbase. Dhe diku dëgjon muzikë. Afrohet te nje portë hekuri dhe aty i shpjegojnë se po bëhet një dasmë, se ka një martesë. A mund të vij, pyet Antuani. Një djalë i ndrojtur që duket se është kushëri i dhëndrit, nuk sheh ndonjë arsye t’i thotë jo. Atëhere francezi niset në kërkim të ndonjë dhurate, blen diçka, pastaj e shohim duke lustruar me qejf këpucët për të respektuar mikpritësit. Dhe ja tek e kemi përsëri te dera e shtëpisë ku vlon ahengu, i përgatitur të kalojë në mos një natë të veçantë, të pakten disa çaste të paharruara.

Aty ndodh çudia e madhe. Një tip i shëndoshë e i madh si një raft i thotë se ai nuk është i ftuar në dasmë dhe duhet të iki. Eshtë i vëllai i dhëndrit. Antuani hutohet, qesh me mundim dhe nuk kupton asgjë. Ik tani, i thonë disa herë me radhë. Atëhere ai u lutet që të paktën të pranojnë dhuratën që ka blerë për çiftin. Atë merrjani, thërret një grua nga brenda oborrit. Dhe natyrisht ia morën. Antuani nuk bëri asnjë koment.

Pse duhet të bëj unë?

Si djalë i vullnetshëm që është, ai nuk ka ndërmend të ikë ashtu nga Vlora. E shohim të kthehet përsëri në trotuarin e plazhit. Vërtet që tani ka më shumë njerëz. Duket ka filluar “xhiro”. Edhe unë shijoj disa pamje të marra kalimthi. Kisha dëgjuar se Vlora nuk njihet, aq e bukur është. Të shohç Vlorën e të vdeç, më tha dikur një kushërira ime në telefon. Vërtet pallatet nuk mu dukën keq, por kam përshtypjen se janë ndërtuar në disa kodra të bukura të mbjella me agrume, ku bridhja në fëmininë time kur shkoja per pushime te tezja. Eshtë punë mafie, i thotë një kalimtar Antuanit, kur ai pyet për ndërtimet në Ujin e Ftohtë, ndërsa qeveritarët nuk bejne asgjë për rrugët sepse duan për vete makina të medha. Kështu i thanë.

Së fundi gjen dy të rinj që arrijnë të komunikojnë korrektësisht në anglisht, pyet diçka për jetën e tyre dhe të qytetit, gjithnjë duke shëtitur, por dikur i bën përshtypje se çuna e goca shëtisin veç e veç. Si dikur në Tiranë kur shklyheshim sysh. Ai interesohet për marrëdhëniet e tyre me vajzat dhe djemtë i shpjegojnë se aty nuk bëhen punë të pahijshme. Në Shqipëri, i shpjegojnë ata shumë seriozisht, është zakoni që vajzat të jenë të virgjëra ditën e martesës. Antuani shpreh admirim dhe i bën pyetjen e tij legjendare njërit prej tyre. A të vij të fle të ju? Jo i thotë ai. Nuk e kam babain në shtëpi.

Ishte të paktën nja tridhjetë vjeç.

Nuk kam shans, thotë Antuani dhe niset të shkojë gjetiu.

Atë çast, aty në dhomën e ndenjes, pashë se njerëzit me të cilët po ndjek emisionin e kanë frymëmarrjen gjithnjë e më të rënduar, por askush nuk komenton. Çështë e vërteta, ndryshe nga më parë, tani qëllon që vite me radhë të mos bjerë fjala për Shqipërinë, veç kur më duhet t’u jap lajmin e vdekjes së ndonjë të afërmi, po gjithsesi fëmijët kanë dëgjuar për mikpritjen legjendare shqiptare

Pikërisht, për të ruajtur atë iluzion, mbylla televizorin dhe u propozova të marrim biçikletat e të dalim të bëjmë shëtitje. Aq më tepër që kënaqësi të tilla tani që ata janë në universitet, janë bërë gjithnjë e më të rralla.

Për çudi edhe ata mu duk sikur mezi e kishin pritur propozimin tim dhe u ngritën menjëherë.

Nuk ka komente

  1. Ca rastesie.deri para dy ditesh nuk dija as edhe nje gje rreth ketij tipit !! Pikerisht dje,nga kanali Rai5 , pashe per here te pare kete tipin qe bridhte ne France me nje kamer te vogel te istaluar mbi sup kam pershtypjen qe bridhte ne vende jo shume te njohura e te konsumuara turistikisht,por perkundrazi (nje emision te ketij lloji ben edhe nje i ri italian per kanalin Mtv italia qe quhet Piff e qe me para ka marre pjese tek emisioni le iene,por programi i tij eshte paksa me ndryshe).
    Duhet thene qe dhe ne France,tek nje fshat i humbur ku shkoi pa ndonje destinacion te parapergatitur,thjesht rastesisht…i rra rruga me pak fjale, kete Antuanin eshte se priten dhe aq mire ! Biles nje grua i tha s’ke pse filmon,ai i tha se po filmonte thjesht muret e shtepise,ajo iu pergjigj se as ato s’ke pse i filmon e ben mire te ikesh !Nejse,si perfundim gjeti nje fshatar teper te thjeshte tek i cili kaloi naten e ku shkoi edhe per darke duke u veteftuar normalisht!
    Gjithsesi,ajo qe ka ndoshur ne vendin e shqiponjave,mund te ndodh vetem ne ….Albanistan !!

  2. Lyss, po sjell dhe une dy anekdota.

    E para, ndodhi ne France. Me kishin ftuar ca miq francez ne shtepi. Po benim muhabet ne tavoline. Befas, ngrihet nje nga prinderit e tyre dhe qaset tek dritarja. E shoh te mermerij dicka. Merr telefon policine dhe u thote se ne krahun tjeter te rruges, tek stacioni i autobuzit perballe, eshte ulur nje djalosh zezak. Po mire, i thote polici, edhe? Po ka gjysem ore ulur aty, i pergjigjet ky i shtepise. Pa mbaruar telefonaten, vjen autobuzi. Djaloshi hipen qetesisht. Skena mbyllet me nje krruajtje koke dhe nje buzeqeshje te hidhur.

    E dyta, ndodhi ne nje fshat te Fierit ne 2009. Ndoshta ne Pojan. Isha guide i nje grupi francez ne Apolloni. Nja 40 vete. Po ktheheshim nga Apollonia. Me thote nje franceze aty per aty, gjate udhetimit, qe kishte degjuar per mikpritjen shqiptare. Me tha qe donte te dilnim pak nga korniza e vizitave kitch turistike dhe te shihnim nga prane jeten e shqiptareve te thjeshte. Per rastesi, po hynim ne nje fshat. Ora dy mbasdite. Vape e tmerrshme. Ne rruge vetem pluhur dhe kembe njeriu. Nuk e di as vete pse, por i them shoferit ta ndaloje autobuzin. Zbres.Turistet francezet afrohen me habi pas xhamit dhe ndjekin veprimet e mia. Afrohem tek nje porte jeshile. I bie ziles. Del nje grua plake, e dobet, e krrusur. I shpjegoj qe kisha nje grup turistesh francez dhe donin te shihnin nga afer jeten e shqiptarve. Ajo hapi porten dhe tha, po le te vijne mo francezet… nderkohe, nga brenda shtepise, djali i saj, nja 40 vjec, ishte semure me rrufe, afrohet. Pershendetemi, i shpjegoj serish. Po, po, te vijne direkt, sa jane? 40 vete i them une, ai buzeqesh, po do jemi pak ngushte, po nejse ka vend ketu ne oborr, plus dhe andej mbrapa shtepise ka vend. Do kenaqen ata me pulat dhe zogjte, plus kam dhe nje derr andej pas.

    Ja keshtu. U beme nje popull rreth e perqark grurit te bere pirg ne oborrin e nje shtepize fare te vogel dhe fare te varfer. Plaka beri kafe dhe kur s’kishte me, iku kerkoi tek fqinja. Doli i gjithe fshati dhe u mblodh tek porta. Dikush solli rrush, dikush ca raki. Filluan fotot, perqafimet, puthjet. Ne fund, shperthyen edhe lote.

    Ja nje skene tjeter e Shqiperise tone. Dhe te tilla mund te kem hasur me qindra. Sigurisht, sikunder kam hasur dhe ne harbuteri. Kjo per te thene qe pergjithesimet, si ne France, si ne Shqiperi, s’jane vecse pasqyre e nje mentaliteti te caktuar.

    1. “Lyss, po sjell dhe une dy anekdota.”
      Faleminderit, i dashur. Tani kur te kesh kohe na i sill te filmuara, nderkohe qe kam deshire te te kujtoj se une nuk solla as kujtimet e as mendimin tim, madje as qe komentova filmimet e te tjereve. Besoj se do te jesh i nje mendjeje me mua se kur flitet per miliona turiste qe vershojne rrugeve te Shqiperise, asnjehere nuk eshte pa interes te dime si u paraqitemi te tjereve. Nderkohe qe sekuencat e Vlores, personalisht nuk i mora si mungese mikpritjeje, por i pashe si shprehje traumatizmi ne konteksin e vrasjeve te perditeshme barabare dhe te djegjes se njerezve te gjalle neper makinat e minuara. Pa dyshim edhe te pafuqise se shtetit, qe paraqitet ne vendngjarje sa per te numeruar kufomat..

      1. Lyss, i solla ato anekdotat jo per te bere ndonje kritike indirekte ndaj shkrimit tend, por per te thene qe nuk ke pse ndihesh keq ndaj ketyre lloj emisionesh. Llumin e gjen ne cdo vend te botes. Mua, porsi ty besoj, me vjen pak inat ne fakt qe pse ne ato pak dokumentare qe transmetohen per Shqiperine ne France, publiku francez i ofrohet pikerisht ky imazh. Jo sepse nuk ekziston ky realitet tek ne, por sepse eshte vetem nje pjese e se vertetes.

  3. Me fal, “sh”, nese te tingelloj i vrazhde, por me ler te te pyes: ke ndonje prove per keto qe thua? Se po me duken pak si shume te sajuara, si shume ad hoc. Zakonisht, kur dikush tregon nje histori, mjafton EMRI i tij, ose reputacioni qe ka si njeri, per t’ia besuar fjalen. Por “sh”, per mua lexuesin, nuk mjafton. Ka shume fjale qe fillojne me “sh” (Shabani Sharron me Sharre, etj.). Me pak fjale, mua me duket se ti po genjen, plako. Ma bej kabull akuzen, dil nga ajo “sh” qe s’e kam pare kurre ne Peisazhet me pare.

    1. Koment pa kuptim. Natyrisht qe jane ad hoc anekdotat, ashtu si dhe eshte ad hoc po te te them se ky komenti jot me kujton ate skenen tek ai filmi qe i thote prifti se pa vene doren ne plage, nuk beson. Ne nje fare menyre, apo po qe se nuk tregohen nga ndonje maniak anekdotash qe tregon cfaredolloj anekdote pa lidhje, te gjithe anekdotat ad hoc jane. Ne pergjithesi nje anekdote nuk sillet kurre ne vakuum, por me qellim qe te ndricoje nje situate apo kontekst te caktuar. Pra ne pergjithesi, anekdotat sillen ad hoc, dhe ti e di besoj qe ad hoc dtth “per nje qellim te caktuar,” apo jo? Ky eshte nje nga kuptimet e anekdotes.

      Kuptimi tjeter i anekdotes eshte direkt nga etimolgjia e fjales: e papublikuar, jo-publike, private. Gje qe lidhet direkt edhe me te drejten e kujtdo qe tregon anekdoten: ashtu si anekdota eshte private, jo-publike, ashtu edhe treguesi i anekdotes ka te drejte te ruaje privatesine e tij; nga ku nje nder menyrat e ruajtjes se kesaj privatesie eshte edhe anonimiteti mbrapa germes “sh.”

      Tashti, fakti qe ty nuk te mjafton anonimiteti i treguesit te anekdotes nuk do te thote se per lexuesin e anekdotes ky anonimitet nuk mjafton – pasi sic thame del e tepron po qe se kemi parasysh privatesine e anekdotes – por vetem se ndoshta je ti ai qe je lexues anemik. Natyrisht, lexuesi anemik mund te jem edhe une qe nuk gjej ndonje pamjaftueshmeri tek anonimiteti dhe privatesia e treguesit te anekdotes, por nuk me duket dhe aq e hapur per debat.

    2. Cogito, c’pret ti, te te dergoj nje gisht te prere qe te me besosh? Shko ne Pojan te Fierit edhe pyet! E meqe s’do jesh larg, rruges per ne Apolloni ka nje bunker gjigand, prane nje ish-kanali vadites ku me siguri mund te gjesh pa frike nja dy tre tone plehra. Me thoshte nje grup francez njehere, duam te shohim nje bunker nga afer. Rruges pash kete bunkerin. Shkuam aty. Me iku fytyra kur kaluam prane atij kanali vadites. U afruam tek bunkeri, qe gjendej ne fund te nje fushe te mbjelle me miser. Brenda ne bunker gjendej nje gomar qe u tremb nga plakat franceze dhe filloi te pellase duke bere nje jehone te pabesueshme. Plasi humori. Frenchat filluan fotot, ca me bunkerin, ca me gomarin. Kur befas, permes misrit, del nje burre plak, i imet, me fanellate leshi, me shapka blu. Me jep doren, me thote “he po kenaqen me bunkerin?”. “Po kenaqen”, i thash. “Heres tjeter”, me tha, “do ta pastroj, se e ka zhyer gomari, e ka bere lem aty”. U afruan turistet dhe filluan ta pershendesin. Me thote ky plaku “aman, thuaji te me japin nje kile sheqer, se s’ka plaka sheqer as per kafene”. Futa doren ne xhep dhe i dhash nje dhjete mije leksh. Plaku u prek shume, me kapi ne qafe. E falenderova une. Kur u riktheva serish me nje grup tjeter po tek ky bunker, pash qe bunkeri ishte xixe! Dicka me vone, po tek ai bunker, pash te pakten nja dy tre autobuze te tjere me turiste. Shkurt muhabeti, ai bunker u be reference dhe nje biznes i vockel per ate plakun, fotoja e te cilit duhet te beje pjese tashme ne koleksionet e qindra e qindra turisteve nga mbare bota.

  4. Une e kam pare pak here emisionin e Antuanit se s’me pelqen. Antuani ben gallate dhe shume mire e ben, po njerezia s’ia kane gjithnje ngene. Megjithate per solidaritet familjar ndiqja adoleshentet tek shkriheshin mete.
    Cuditerisht ky emision me pelqeu. Antuani jep gjithe kohes interpretim vecse ka zgjedhur kameren te interpretoje. Me beri te qesh me te madhe disa here, por siklet me thene te verteten s’me krijoi. Situata per te qeshur gjen gjithandej dhe ai pak a shume ate kerkon. Mikpritja shqiptare doli per mrekulli ne ate fshatin ku perfundoi, se i lane krevat dopio, i bene edhe nje darke goxha te bollshme per gjendjen ekonomike te familjes dhe Antuani kete e kuptoi dhe e shprehu me shume kenaqesi. C’me ra ne sy ishin burrat e ngeshem e grate qe sherbenin, po edhe kjo s’ka surprize. Kjo eshte pjese e Shqiperise qe une e njoh. Dy miq te mi qe sapo u kthyen nga Shqiperia e qe udhetojne pothuajse si Antuani, pa pretendime, erdhen shume te prekur nga bujaria shqiptare, ngrohtesia e te shprehurit te ndjenjave (jemi taktile e ashtu mbetshim), dhe ngjyrat e natyres deri toka iu qe dukur shume e bukur. Tani qefe qefe kjo dynja, shume ka qe s’e pelqejne ate vend, edhe une madje kam shume kritika po sot sikur me paska marre malli, po mbys kritikat.

  5. Keto emisione jane shume informative, prej te cilave edhe nese nuk ke ndermend te udhetosh mund te mesosh kaq shume, por aq me teper kur udheton, sepse pervec “guidebooks” qe jane te domosdoshme, e sheh boten me syte e dikujt tjeter duke te te dhene mundesine ta krahasosh me eksperiencen personale.

    Rick Steves eshte nje tjeter shkrues dhe udhetar qe pershkruan traditat , ushqimet, natyren, muzeumet, historine, antikitetet ne vendet qe ai viziton. Me poshte eshte nje link qe ndihmon ta njohesh Rick Steves: http://en.wikipedia.org/wiki/Rick_Steves

    Guidebooks mund te behen libra te dashur. Dy nga te cilet une i kam per zemer eshte edhe “A Time of Gifts”, dhe “Between the Woods and the Water”, shkruar nga Patrick Leigh Fermor, i cili nuk jeton sot, por eshte aq mire i pershkruar ne librat e tij, (per ata qe jane “te interesuar” –Patrick Fermor ka qene edhe ne Shqiperi gjate luftes se dyte boterore).

    Me poshte eshte nje link per te:
    http://en.wikipedia.org/wiki/Patrick_Leigh_Fermor

  6. Kush eshte morali i gjithe kesaj ? Qe shqiptaret jane traper? Sigurisht ata atje, se ne ketej ia hypim bicikletes dhe ia mbathim qe te mos pegeremi..

    Interesant si nuk i shkon ndermend autorit se ata shqiptaret atje tallin , me nder, b…n me kete eksentrik freng qe flitka dhe frengjisht pale. Nuk kam babane ne shtepi..”, haha,kunj qe s’e marrkan vesh frengjt, as natyralet, as te natyralizuarit. Me sa duket s’e paskan ndjekur Boratin nga Kazakstani..

    E gjithe kjo me kujton ‘Ne sezonen e mizave ‘ te Migjenit,

    1. Faleminderit fatma. Shqipoja gjithnje ua ka hedhur te huajve. Rreziku na vjen nga deti.Me vjen inat qe nuk e kapa menjehere ku fshihej lepuri. Jam e sigurte se duhet te kesh ndjeshmeri te veçante ne ate punen e b., qe e kape aq shpejt qellimin e vertetet. Faleminderit edhe nje here. Mire ia beri populli qe ia mori ate gjene dhe i tha frengut hajt tani, ktheji majat e atyre kepuceve qe leve me boje e ik!
      Respekte.

    2. Shumë i gjetur krahasimi yt me Boratin, Fatma.

      Unë Boratin e kam parë në serialin televiziv të Ali G.-së (për publikun amerikan), para se të dilte filmi që e bëri të famshëm.

      Përveç situatave komike dhe groteskut të këtij karakteri, vija re që qasja e Boratit, i cili e shndërronte personazhin intervistues në protagonist të intervistës, sikur lejonte një këndvështrim origjinal, ndaj mjedisit ku lëvizte Borati.

      Kështu, teknika e Boratit – e përsëritur nga skeçi në skeç – ishte që të krijonte dy rrafshe të komicitetit: i pari, ku qesharak ishte Borati vetë; i dyti, ku qesharakë ishin të tjerët, ata që reagonin ndaj Boratit.

      Personalisht, e kam gjetur këtë metodë gjithnjë imorale, ndonjëherë të neveritshme. Një nga momentet më të ulëta të atij seriali, ka qenë skeçi kur Borati nis të këndojë një këngë me përmbajtje haptazi antisemite (“throw the Jew down the well”) dhe pastaj i fton të pranishmit që ta shoqërojnë.

      Të cilët ashtu bëjnë, por – për mendimin tim – duke marrë leje nga po ajo licencë “poetike” që ia jep vetes Borati vetë; ose duke e trajtuar të gjithë skenën si një shaka të madhe – në kuptimin që, për publikun, artisti që luan në skenë është gjithnjë personi me autoritet.

      Megjithatë, teknika në vetvete, ose ajo e shndërrimit të mediumit në personazh komik, ka vlerë; siç e tregon edhe episodi i sjellë më lart nga Lyss. Ballafaqimi i këtij frëngu të çuditshëm me shqiptarë të përditshëm është i tillë, që të na thotë diçka për këta të fundit, diçka që edhe për ne është e re, dhe që përndryshe nuk do ta mësonim dot.

      Nuk jam dashamirës i televizionit si medium; por teknika të tilla e bëjnë atë të pazëvendësueshëm, në raportet tona kaq të amplifikuara me botën.

      1. “Ballafaqimi i këtij frëngu të çuditshëm me shqiptarë të përditshëm është i tillë, që të na thotë diçka për këta të fundit, diçka që edhe për ne është e re, dhe që përndryshe nuk do ta mësonim dot. ”
        Xha xha une mendoj se e ato gjera te vogla qe ke mesuar ti nga ky emision vijne nga fakti se ti nuk frekuenton rregullisht ambiente te tilla. Ti s’ben pjese ne grupin e Gertit, Xherrit e ku di une qe shpjegon se ne Shqiperi mishi dhe femra kapen me dur. Ne kete kuptim po, tv e mediat kane njefare vlere, aty ku s’vete ti, vete tv-ja. Kush ka qef te mbledhe situata te tilla komike e te mesoje nepermjet tyre mund t’i gjeje te pakten ne dy kolektive: rruga-ura dhe polici pavaresisht se ne c’vend te botes gjendet.Te jemi te qarte grupimi eshte bere thjesht per kursim kohe se ne te dyja keto grupe ka njerez qe mund t’iu prekin me thellesine e mendimit, intuiten, humorin e holle, erudicionin.
        Niveli i njohurive te Antuanit freng mbi boten qe e rrethon eshte shume i ndryshem me nivelin e njohurive mbi boten te kushuririt tirons me qemone qe kendon Jo Dassin, p.sh. Po ashtu edhe niveli i frengut te zakonshem e qe s’do te degjoje vec dy tre fjale (mundesisht argetuese) mbi diktaturen komuniste por di se si shkruhet Mireille Mathieu, eshte i ndryshem nga i tironsit ne fjale. Eshte kjo perplasje kulturash te ndryshme qe provokon situata komike. Te luash me te tilla diferenca eshte argetuese por nuk mendoj se nga situatat komike duhet kaluar ne analiza te shpejta superioriteti-inferioriteti sepse maredheniet e fenomenit te pare me te dytin jane teper te vageta.
        Gjithsesi nuk mendoj se dikush qe viziton nje vend per 1 jave ka kuptuar kushedi cfare nga vendi ku ka shkelur. Per mua mbeten keto emisione skece, apo fotografi enigmatike per t’u eksploruar.

  7. Pata durim apo force ta shoh per gati nje ore rresht emisionin e Antonit, fiks 4 dite me pare kur ma nisen linkun e tij. Duhej me shume force ne durim per te perballuar shemtine qe pafajshem percillte kamera, rruge me rruge, klub me klub, ballkon nen ballkon te cngjyrosur neper TIranen disa vjet te larget, me te cilen nuk ia dola te cmallem; po nejse. Sa i perket qellimit qe afishohet ne titull te emisionit (“Po vij te buj nga ju sonte”), ky realizohet, me ne fund, ne nje shtepi katundi te Shkodres, pas disa refuzimesh te mikpritjes qe zgjaten gjate gjthe itinerarit.

    Per ta marre rrefimin ne stacionin ku e la Lyss-i, po themi shkurt se Antoni me kameren e tij si proteze e paperkulur, nga Vlora udheton per Shkoder, ia nis xhirimit aty me xhamine (sic beri edhe ne Tirane, sic bejne shumica), pastaj sesi gjen nje frankofon dhe vjen e organizohet muhabeti drejt kuptueshmerise pas nje mish-mashi italoid qe e shoqeroi deri aty, rrugeve te Shkodres. Frankofoni e shoqeron per kafe gazetarin, dhe kur ky kerkon te kaloje naten ne shtepine e vendasit, ashtu si edhe ne Vlore, has refuzim. Me pas, tek mezi arrin te marre me qera nje makine (allishverishin me agjencine e perkthen nje shkodran permes ekranit te kompjuterit, me Skype, prej… New York-ut), Antoni niset per ne fshatra, has nje autostopist qe flet nje anglishte nderprere me greqisht, dhe me te vijon rrugen mes luginash, deri ne fshatin e autostopistit. Ne shtepine e varfer te ketij, kalon edhe naten, pas nje darke simpatike mes nje dyzine pjesetaresh te familjes mikpritese, duke ndare dhomen e zjarrit me plakun e shtepise.

    Ideja qe m’u krijua ne koke, duke ballafaquar refuzimin e mikpritjes prej qytetareve, me konfirmimin e saj te rradhes prej fshatarit, nuk ishte ajo per ndonje dallim ne ‘virtyt’ te qytetit me fshatin. Po te jete per anekdota me mikpritje prej te panjohurish qyteti, mbaj mend mire si na kane marre ne Shkoder, vete i trete, ne mes te rruges e ne mes te nates, pa ua kerkuar, e na kane leshuar dhomen e gjumit te nje cifti te sapomartuar, rreth 20 vjet me pare. Ndryshe nga Antoni, nuk kishim kamera, dhe nuk rrezikonim keshtu te xhironim varferine e mikpritesve per ta treguar ne televizor.

    Dyshoj se qytetaret qe nuk e pranuan ne shtepi francezin me kamera, kane, nder te tjera, fantazi te mjaftueshme per t’u turperuar me shtepite e tyre demode, me banjat pa uje, me mungesat mbi tryeza apo ne carcafe qe tjetri do t’i xhiroje per t’i ekspozuar neper bote (“makar te kishte lajmeruar ndonje jave perpara…”). Sidomos ideja se do futesh si “vende dhe popuj” ne nje lloj kamere te fshehte, qe zgjatet si sqep para turirit te gazetarit, te cimbis; sepse edhe ne e di se ka kamera, ajo eshte kaq joceremoniale sa do te te zere gafil patjeter, me gishtin metaforik ngulur ne hunde, duke ngjallur frikerat e poshterimit te fukarait dhe naivit, te proletarit dhe provincialit, me te cilat argetohen neper emisione televizive njerezia – perfshire fukarain dhe provincialin.

    Fshatari mikprites, (ok, Antoni e shpuri me makine deri ne shtepi) gjithsesi ka pritshmeri me te vogla per imazhin e vetes, se ia kane bere te qarte perhere se eshte fshatar, dhe e di qe nuk do ta fitoje dot garen me kohen dhe vendin. Ai ka bere paqe prej kohesh me WC-ne ne cep te oborrit dhe me pulat qe patrullojne neper dhoma. Ai nuk ka turp nga mikpritja, po as ka frike nga ajo, se numerikisht eshte derrmueshem superior ndaj mikut, i cili perfqeson vetem nje luge me teper ne buqete, ndryshe nga situata me familjet njeqelizore ne qytet.
    Ne fund fare, ne cdo ore te dites, fshatari i zakonit e di mire se miku po vjen ne nje vend qe i perket (Oda e Miqve), mirembajtja e te cilit vend me jukun plot carcafe te gatshem, ne baze te sistemit roulette te hotelerise rurale, eshte menyra sesi ti kontribuon mistikisht per strehen tende, kudo qe do ta sjelle nata.

    1. Edhe une i ketij mendimi jam… refuzimi ka qene thjesht per kameran… e megjithate mosbesimi urban ndaj tjetrit ka filluar te kaloj edhe ne zonat rurale…”sistemi roulette i hotelerise rurale” 🙂

      1. Ne reportazhe argetuese “gonzo” si ky, permasa sociokulturore ia le vendin pa shume rezistence momentit dramatik, krijimit te nje ngjarje qe permbyllet si figurine. Nuk pretendohet t’i kerkohet hesap nje gazetari-gaztor per ndonje rrumbullakosje te panevojshme, per plotesime rigoroze te pritshmerive te manualeve etno-turistike; sepse ne castin qe ti e merr seriozisht gazetarin, te fut nje veshtrim prekes gaztori dhe ta ngec ne fyt kritiken. Cfare mund t’i thuash nje gazetari gjysem Cyrano, gjysem Mr. Gadget, me ate kameran priapike qe e shoqeron nje meter perpara, mu si nje pikecuditje qe fton cdokend per mirekuptim dhe shkeljesyri?

        Nje gazetar qe raporton nga Italia, fjala bie, nuk ngre asnje dyshim nese i referohet si “Marco” gjysemanonimit te rradhes qe has rrugeve – ndonese emri i ketij mund te jete Mateo. Mua per vete, gazetari yne me futi ne nje dyshim te vockel fare kur titroi si “Ibrahim” nje djalosh mbi te njejzetat qe e shoqeroi me makine rrugeve te TIranes. A ka Ibrahima 25-26 vjecare ne TIrane sot? Patjeter qe edhe ka, po gjithsesi, nuk harrojme se sekondat e hyrjes ne Tirane ( me pas ne Shkoder) vizualisht hapen me xhami, dhe kjo shenje dyfishohet edhe ne audio me ezanin. A eshte e natyrshme qe nje gazetar te kryenenvizoje ate cka eshte e vecante per te si pervoje (ezan europian)? Patjeter qe po. Kitaristi amator me tatuazhe maori ne llere dhe me ikonen apo nusken e Padre Pio-s ne doren tjeter, paraqitet nga kusheriri i tij si “mysliman nga i ati”, e nderkohe simpatizant i Kishes Katolike; por nga gazetarin ai rititullohet si “rocker mysliman”. A ka te drejte nje gazetar “i dale”, qe ka bredhur gjithe boten, nje bir i Republikes me R dhe L te madhe, qe te perforcoje nga hici myslimanin, pa u trembur (“..retro Satanas…”) as nga hija e Padre Pio-s? Patjeter qe po, patjeter qe mundet, sidomos per efekt te shtuar argetues ne pseudo-oksimoronin hungtingtonas “rocker mysliman”.

        Nuk mundesh dot ne asnje cast te shohesh “axhenda” e me the e te thashe, por gjithsesi veren se sakrifica “atletike” qe eshte gati te beje gazetari ( te provoje gatime e shtreter te panjohurish, te sorollatet tek pulle neper terr etj), nuk reciprokohet nga sakrifica intelektuale per ta ngjeruar boten te paorganizuar, “te eger”, te pagatuar, sic e gjen, dhe jo tek konservat ne canten e shpines.

  8. Faleminderit Lyss qe e ndave me ne informacionin per Antuanin dhe emisionin e tij. Une nuk i kam pare emisionet e tjera te tij. Kete e pashe dhe te them te drejten nuk mu rendua frymemarrja. Nje tregues ky qe njerez te ndryshem e lexojne ndryshe te njejtin imazh (ose lexojne ate qe duan te lexojne). Nga ky emision une nxorra konkluzionin se Antuani eshte tip gallate dhe gallaten e gjeti ne Shqiperi. Sidomos pjesa e Tiranes (por jo vetem). Njerez qe te ftojne per dreke, te prezantojne me njerezit e shtepise, te pershendesin me kenge franceze edhe pse s’dine frengjisht. Dhe mbi te gjitha e bejne kete me teper alegri. Keshtu qe edhe po s’te moren per darke nuk eshte se bejne ndonje qamet te madh apo jo?

    Ajo qe une mendoj se bie ne sy ne kete emision eshte fakti se shqiptaret jane njerez me ndjenje te jashtezakonshme humori (edhe pse ne nje shumice rastesh ai eshte humor i zi). Shpesh e bejne kete ne menyre te pavetedijshme. Edhe refuzimi eshte teper emblematik. Antuani hynte ne dasem me kamera ne dore. Jam i sigurt se po te hynte pa te do ta kishin pranuar. Por edhe me te thuajse e pranuan. Kusheriri i dhendrit i thote vellait te dhendrit “Lere te na beje ca foto…”. Ky i fundit i pergjigjet “Ik ore c’i duam ato!”

    Tre episode qe ia vlejne te analizohen

    1. Djemte e xhiros ne Vlore (te cilet nuk ishin 30 vjec por ne fillim te njezetave) bejne humor me veten por edhe ironizojne me klishete e medias, meqe perpara kishin nje kamera. Sipas tyre vajzat duhet te jene te virgjera para marteses dhe ata ishin djeme te mire qe nuk trazoheshin me gili vili.

    2. Vlonjati me syze ne dyqan qe i thote ne italisht “Ne folem e folem per ty dhe ti nuk bleve qe nuk bleve gje… ndersa kur une isha ne Paris bleva nje parfum Chanel”

    3. Ne Shkoder kur Antuani futet ne nje pike makinash me qira dhe i pyet ne dinin anglisht, ata ia kthejne ne cast se po dhe e lidhin ne Skype me nje tip te veshur me kanotiere e qe ha buke pa e prishur terezine ne apartamentin e tij ne Nju Jork.

    Sikur edhe vetem keto episode do ia vlenin per 100 refuzime…

  9. Lyss,
    sapo e pash emisionin dhe mund te te them qe eshte ndoshta nje nga emisionet me te kendshem qe kam pare per Shqiperine. Pse? Sepse mu duk jo i larget me ate realitet shqiptar qe une njoh (sigurisht, ky nuk eshte ndonje etalon per te pergjithesuar) dhe me pelqeu fakti qe kishte pak komente nga autori. Imazhet flisnin vete. Kam pare te tjere, disa qe jane transmetuar tek arte tv per shembull, ehhh, cfare te thuash… nuk po i hap ato plage. Marredheniet midis autorit dhe personazheve nuk e di pse me kujtuan “Letrat persane” te Monteskjese…

    Mua me terhoqi vemendjen nje sekuence ne kete emision. Kur autori i afrohet nje tavoline diku ne nje bar ne Tirane dhe nje vajze e pyet nese ai eshte i FBI. Ne nje plan te dyte, gjate ketij shkembimi, shihet nje vogelushe qe vjen ti shese ca kaushe (me fara luledielli ndoshta?). (tek minuta 8h 5 nje femije me bluze portokalli dhe disa sekonda me vone shfaq vajza). Autori e kalon ate imazh, nuk e shfaq, nuk e thekson. A thua nuk i pa ata femije? Nuk e kuptoi c’benin ata aty ne rruge? Dukshem, fakti per te mos u ndalur ne ato imazhe eshte perzgjedhur. Sic e thoja dhe me lart, i urrej ato dokumentare mbi Shqiperine qe i ofrojne publikut te huaj vetem njeren ane te monedhes. Ky i Antuanit, mu duk i balancuar ne perzgjedhjen qe ai vendos te ofroj. Ndaj me pelqeu.

  10. Reportazh identik me gjithe te tjeret (me eshte dhene mundesia jo ralle ti shikoj) te Antuanit.
    Identik me nje “po vi te buj tek ty o amerikan (apo japonez, apo taxhik…) sonte”.
    Konfirmimi per te 1001 here i boshesise se diskursit kulturalist.
    Qe na ka kapur per fyti e na mbyti.

    Nderkohe qe “filmi” luhet gjetiu… (ashtu sikurse filmi pa thonjeza, pra ai kinematografiku, me siguri qe luhet pikerisht tek ajo qe quhet dhunë e satirës, dmth tek ‘Borat’ ( http://filmjournal.net/autori/2009/03/11/borat-film-amerikan-nga-larry-charles/ ) apo ‘Brüno’ ( http://filmjournal.net/autori/2009/08/18/bruno-film-ameriakn-me-regji-te-larry-charles/ ).

  11. U çudita se si mund t’i këputej emisionit shkuarja në veri të Shqipërisë, më konkretisht në Shkodër e rrethinat e saj. Shpresoj të mos jetë bërë me qëllim, por dhe harresë zor se duket.

  12. Jetoj ne Rome prej vitesh, kam rritur ketu femijte e mi dhe kane degjuar per mikpritjen legjendare. Vajza tani punon si inxhiniere ne Stokolm. Ndodhej per pushime ne shtepi dhe nje mengjez cohet dhe me thote: “Mami, nje shoku im italian po ben nje udhetim ne vendin e vet, ai do te mbrije ne Rome pas tre ditesh dhe me ka kerkuar “ospitalità”, ne shqiptaret sigurisht jemimikprites”.
    Me kenaqesi, Elira eshte i mirepritur – iu pergjigja. Djaloshit torinez i ishin pergjigjur pozitivisht dhe shok e miq te tjere.
    Familja ime pati fatin ta kete mysafer.

  13. Më vjen mirë që Lyss-i pruri në vëmendje këtë emision. Materiali është një fotografi e thjeshtë dhe pa pretendime e shoqërisë së sotme shqiptare dhe si i tillë, thërret për një minimum vëmendjeje.

    Sakaq, gazetari dhe formula e emisionit të tij kanë nevojë edhe ata për pak vëmendjeje, nodoshta sepse është e vështirë të mirëkuptohen pa kontekst.

    Antoine de Maximy është gazetar terreni, me përvojë mjaft të gjatë në terrene luftimesh, një përvojë kjo që detyrimisht e prek dhe ndikon thelbin e njeriut në mënyra të ndryshme.

    Përmes formulës së këtij emisioni, përshtypja e përgjithshme është se këtë gazetar dhe njeri përvoja e terrenit e ka ndikuar në menyrën më të mirë të mundshme.

    Është, madje, krejt e mundur që formula e emisionit në fjalë tenton ndoshta më së shumti të pajtojë gazetarin e tmerreve të luftës me njeriun dhe njerëzillëkun dhe po aq ndoshta edhe vetë publikun.

    Emsioni ndiqet me kënaqësi pikërisht sepse i apelon humanitetit të shikuesit pa orvatje për ta manipuluar, qoftë kjo për mirë apo për keq.

    I njëjtë ishte edhe rasti i episodit për Shqipërinë, kontekstin e të cilit Lyss-i e qartëson fare mirë.

    E ndoqa këtë episod me të njëjtin kuriozitet dhe interes sikundër edhe të tjerët, i ndërgjegjshëm se premisa dhe qëllimi nuk janë fyes, një ndjesi kjo e rrallë në kontekstin e gazetarisë frënge, e cila e ka përgjithsisht të vështirë të ndahet nga përvoja e pretencave civilizuese, që shpesh ia reduktojnë cilësinë në nivele bajate e qesharake.

    Ndjesia që përjetova është e ngjashme me atë që shpreh Lyss-i, i cili, për arsye që i mirëkuptoj, zgjodhi të mos e përmendë përvojën e Shkodrës, që e ndiqte nga afër atë të Vlorës, e deri diku edhe atë të Tiranës.

    Sidoqoftë, përvoja e Shkodrës jep ndoshta një çelës shpjegues për gjithë situatën dhe ndjesinë e episodit shqiptar dhe, në këtë aspekt, është ndoshta domethënëse të ndalemi për ta qartësuar.

    Në Shkodër gazetari takohet me një shkodran frëngjishtfolës, i cili qartëson se ka jetuar në Haute Savoie për vite me rradhë.

    Shkordrani e refuzon me po aq vendosmëri kërkesën e gazetarit për t’i vajtur në shtepi, duke shtuar madje se “po i kërkonte shumë”, për ta përbyllur më pas bisedën, jo pa siklet, duke i thënë se “jetoj me prindërit, nuk mundem”.

    Në një fshat të Shkodrës ndërkaq, udha drejt të cilit është mjaft e vështirë dhe lodhshme, pavarësisht kilometrave të paktë që e ndajnë me qytetin, gazetarit i bëhet mikpritja sipas adetit, ngjashëm me menyrën që qartëson sh-ja në fshatrat e Fierit: thjeshtë, pastër, sinqerisht, pa pretendime.

    Si duhet interpretuar ky kontrast midis pritjes në fshat dhe qytet? Më konkretisht, çfarë ka ndodhur me adetet e mikpritjes së qyteve tona?

    Në nivel të përgjithshëm, përgjigjen e kemi të gatshme: degjenerimi i vlerave më të mira që e kanë karakterizuar për shumë gjatë shoqërinë shqiptare.

    Ndryshimet dhe traumat e shoqërisë sonë kanë qenë të tilla që e pamundësojnë ruajtjen e tyre në nivelet e mëparshme, të cilat ruheshin përmes infrastrukturash të caktuara, që sot janë humbur më ndjeshëm në qytete.

    Megjithatë, nuk duhet duhet anashkaluar fakti se, pikërisht në këto qytete që presin e përcjellin modernitetet dhe traumat që ato sjellin me vete prej dekadash, gjatë dy dekave të fundit kanë ndodhur edhe disa zhvillime shtesë, të cilat i detyrohen drejtpërdrejt daljes nga izolimi fizik i shqiptarëve.

    Pjesë e kësaj daljeje nga izolimi është edhe ndërgjegjësimi traumatik i shqiptarëve për mënyrën sesi shoqëria jonë perceptohet dhe interpretohet nga një pjesë e mirë e botës që e rrethon.

    Është jashtëzakonisht e vështirë të gjendet sot, sidomos në Tiranë, Vlorë, Shkodër e Durrës, një banor që nuk i njeh paragjykimet dhe interpretimet fyese që i bëhen shqiptarëve në Europë.

    Për pasojë është jashtëzakonisht e vështirë që ndonjëri syresh të jetë i gatshëm të mos ndrydhet dhe tutet nga kërcënimi i paragjykimit që e pret nëse vendos të hapë shtëpinë modeste ndaj kameras të cilën ai e paragjykon si paragjykuese.

    Të paktë kanë qenë zërat mirëkuptues për problemet e shqiptarëve këto dy dekada dhe shqiptarëve nuk i është lënë mundësi t’i injorojnë dëmet e pretencave civilizuese që u jepen natë e ditë me tekst dhe imazh nga turli lloj sharlatanësh autoktonë e të huaj që pretendojnë se mishërojnë formulat e qytetërimit.

    Është tashmë mjaft e vështirë t’u mbushësh mëndjen disa shqiptarëve se ua duan vërtet të mirën pasi i kanë trajtuar si egërsira kopështesh zoologjike.

  14. E thanë këtu, po dua ta përsërit edhe unë, që çfarë shohim në ekran është edhe produkt i pranisë së kameras në kontekstet. Mjafton kamera, si të thuash, për t’i falsifikuar.

    Kjo s’është aq e thjeshtë dhe naive sa ç’mund të duket, meqë raporti i publikut shqiptar me kameran është ndërmjetësuar tashmë, në mënyrë të pakthyeshme, nga një numër reality shows dhe emisione të tjera si ato të Fiks Fare, ku kamera shërben për të zbuluar gjithfarë të palarash ose, gjithsesi, ndihmon për t’i shndërruar situatat e filmuara në objekte humori, satire, përqeshjeje.

    Shqiptari i rrugës druhet se, çfarë po filmohet sot, do të përdoret nesër për t’u tallur me të; meqë e ka parë këtë marifet në televizion.

    Kështu, kur sheh një kamera që e filmon, yni homo televisivus para së gjithash mendon si të mbrohet nga një kërcënim imagjinar; duke e parë armikun ose rrezikun jo aq te personi që filmon, sesa te kamera vetë, e cila ia “vjedh” privatësinë, për t’ia bërë publike në mënyrë të dhunshme.

    E kotë të shtoj, kjo e falsifikon situatën, duke ia hequr spontaneitetin (vetvetishmërinë). Çfarë shohim në ekran, është produkt i kameras vetë – mediumi e prodhon mesazhin.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin