SHQIPJA DELEDASH

A ka dinjitet gegnishtja për me qenë e folme publike? Këtë pyetje bënte Ardian Ndreca, në një shkrim të paradokohshëm botuar në MAPO dhe pastaj rimarrë nga ResPublica.

Pyetja është nga ato që, në anglishte, i quajnë loaded, sa kohë që shqipja, në momentin e tanishëm, nuk ka nevojë për një të folme të re publike; por vetëm që, folësit e saj publikë, ta respektojnë.

Pyetja është edhe e formuluar keq – gegnishtja, si dialekt i shqipes, nuk mund të bëhet e folme publike; pse duhet të letrarizohet më parë. Nëse Ndreca e ka fjalën për shkodranishten letrare, të cilën edhe e shkruan vetë mirë, atëherë do të bënte mirë ta quante ashtu, me emrin e vet të saktë, dhe jo ta maskonte partikularizmin e vet me termin e përgjithshëm “gegnishtja”.

Dhe, gjithsesi, shkodranishtja letrare, si sistem, e ka gjithë dinjitetin që do t’i duhej për t’u bërë dikur e folme publike; por kjo vështirë se do të ndodhë dot, për arsye historike dhe kulturore të mirënjohura, mes të cilave, më e rëndësishmja ka të bëjë me lidhjet e ngushta të atij varianti letrar me katolikët dhe katolicizmin; si dhe me faktin që shkodranishten letrare sot e shkruajnë a s’e shkruajnë shtatë veta gjithsej, në mbarë trevat shqiptare.

Përkundrazi, shumë nga ata që kërkojnë të sfidojnë hegjemoninë e shqipes standard, duke shkruar forma kuturu të gegërishtes të cilat i paraqitin si “gjuhën e Fishtës” etj., në fakt janë duke ia cenuar asaj prestigjin dhe dinjitetin, përveç katrahurës që po i bëjnë shqipes.

Një prej këtyre subversivëve është prof. Romeo Gurakuqi, i Institutit të Historisë Bashkëkohore, Universiteti Europian i Tiranës, shkrimi i të cilit, me titullin: Topalli, nji përfaqësuese e denjë politike e Shkodrës dhe e Shqipnisë, e deklaron menjëherë qëllimin për të provokuar standardin gjuhësor të shqipes, nëpërmjet formave alternative të gegërishtes.

Për fat të keq, prof. Gurakuqi nuk di ta shkruajë këtë gegërishte që kërkon të promovojë, duke prodhuar, me ligjërimin e vet të çalë, një efekt të kundërt nga ai që ka në mendje.

Gjuha e artikullit të tij është një mish-mash formash të standardit dhe të dialektit geg, të kombinuara në mënyrë të papërgjegjshme, nga një autor që nuk duhej t’i kishte hyrë kësaj pune, sepse është inkompetent në lëmin e përdorimit të gjuhës.

Ligjërimi, edhe i folur edhe i shkruar, mbështetet mbi njësinë e trajtave – fonetike, gramatikore, leksikore. Kjo vlen veçanërisht për ligjërimin e shkruar, i cili prirjen e natyrshme të gjuhës drejt njësimit e shndërron në kriter organizues të tekstit.

Prof. Gurakuqi i Universitetit Europian të Tiranës nuk arrin dot ta bëjë këtë, duke dalë në publik me një shqipe që është më e paqëndrueshme në trajtat edhe se ajo e Buzukut, që e shkroi shqipen për herë të parë në shek. XVI.

Kështu, ai përdor paralelisht edhe formën standarde është, edhe formën asht, të gegërishtes; për shembull:

ajo është nji politikane e përgjegjshme…
kjo asht nji gja e dallueshme nga kushdo…
ajo që më shqetëson ma së shumti, asht mënyra e lehtë…
Kreu i Shtetit […] asht përgjegjësi kryesor…
për interesin e publikut është po aq i randësishëm…

Tani, një tekst që kërkon të jetë në gegërishte, do të përdorë vetëm asht; një tekst që kërkon të jetë në standard, do të përdorë vetëm është; prof. Gurakuqi nuk është në gjendje ta respektojë këtë rregull elementare, duke prodhuar një tekst të përzier a hibrid, që është po aq steril sa edhe mushka.

Po ashtu, që në titull të artikullit të bën përshtypje forma e nyjës nji, e cila e godet standardin si maja e nji shgjete t’helmatisun.

Lexuesi mund të pyesë nëse do ta ruajë dot vallë prof. Gurakuqi këtë mprehtësi të nyjës gege, apo do të shkasë edhe këtu, pa dashur dhe vetvetiu, në format automatike të standardit që ia kanë mësuar në shkollë.

Shembujt flasin vetë:

E brumosun me nji kulturë solide…
Ajo është nji politikane e përgjegjshme…
Zonja Topalli mendoj se ka të qartë nji gja të tillë…
vetëm një Shqipni e europianizueme…
për krijimin e një kaste gjyqtarësh…
Kur një gjë e tillë do të jetë vepruese…

Të cilat dëshmojnë se sërish autori nuk arrin ta zbatojë rregullën elementare që e njëjta fjalë, brenda të njëjtit tekst, duhet të ketë të njëjtën paraqitje grafike (ose formë drejtshkrimore).

Një nga dallimet kryesore mes dy dialekteve të mëdha të shqipes ka të bëjë me hundorësinë e gegërishtes përballë rotacizmit të toskërishtes (dukuri fonetike të cilat lidhen mes tyre historikisht).

Kështu, ndajfolja e standardit (dhe e toskërishtes) del si ma në gegërishte (ma mirë vs. më mirë).

Prof. Gurakuqi, siç mund të pritej, edhe këtu ngatërrohet:

besoj se kam ma shumë mundësi…
në mënyrën ma dinjitoze…
do të duhet të ishim të qartë se kurrë…
mangësia e madhe e shoqnisë sonë…

Ja edhe disa shembuj të tjerë të ngjashëm:

Por ata nuk duhet të na pengojnë ne që të bajmë
gjithmonë do të duhet të bëjë llogari me…

(khs: gegërishte baj, standard dhe toskërishte bëj).

Dhe më tej:

mendoj se e ka të qartë nji gja të tillë…
Kur një gjë e tillë do të jetë vepruese…

(khs: gegërishte gja, standard dhe toskërishte gjë).

Po ashtu, në një tekst që përgjithësisht i shmanget rotacizmit të standardit, prof. Gurakuqi përdor lirisht forma si shtetëror (gegërishtja e ka shtetnor), gjyshërve (gegërishtja e ka gjyshave, fundja edhe gjyshënve), qindra (gegërishtja e ka qinda), krerëve (gegërishtja e ka krenave), përfshirë (gegërishtja e ka, për kontekstin specifik, përfshimë), lënien (gegërishtja e ka lanien), etj.

Po ashtu, një tjetër dallim i rëndësishëm mes dy kryedialekteve, ka të bëjë me trajtimin e togut të vjetër –on, të cilin gegërishtja e sotme e ka shndërruar në –ue, ndërsa toskërishtja e ka shndërruar në –ua (standardi ndjek përgjithësisht toskërishten, me disa përjashtime të rëndësishme, p.sh. emrat e tipit mësues, ose mbiemrat e tipit i punueshëm).

Prof. Gurakuqi nuk i jep aq rëndësi këtij tipari, duke shkruar lirisht grua (në vend të grue, që do të ishte forma përgjegjëse në gegërishte); po ashtu, përdor forma si për të kuptue, me iu ndigjue, me u kujtue paralelisht me forma si krijuan, flijuan (që, në gegërishte, do të dilnin si krijue, flijue, etj.); ai gjithashtu shkruan vuan në vend të vuen, në një tekst që, përndryshe, kërkon të përdorë rregullisht togun –ue (por nuk qenka aq lehtë ta shkruash gegërishten tënde dhe të Jozefinës, profesor…).

Në lëmin gramatikor, dallimi më i rëndësishëm mes dy kryedialekteve ka të bëjë me të shumëpërfolurën paskajore të formës me punue, të cilën gegërishtja e ka dhe e përdor, ndërsa toskërishtja e ka zëvendësuar zakonisht me një formë të shtjelluar të lidhores.

Prof. Gurakuqi ka dëgjuar diçka për këtë, por nuk e ka përtypur mirë konceptin, meqë në tekstin e tij paskajoret gege janë fare të pakta:

nji zonjë që bani me iu ndigjue fjala
bani Tiranën zyrtare me u kujtue
duhet me u kujtue se vendi ynë ka nevojë sot

Në një kohë që vazhdon të përdorë, skllavërisht, format toske dhe standarde me lidhore (duhet të bëjë në vend të duhet me ba; nuk ka harrue të kujdeset në vend të nuk ka harrue me u kujdesë; kërkojnë të imponohen, në vend të kërkojnë me u imponue; kërkojnë ta përjashtojnë, në vend të kërkojnë me e përjashtue; pretendohet të bahet, në vend të pretendohet me u ba; etj.

Duke lëvizur në mënyrë të guximshme, prof. Gurakuqi përdor një lloj paskajoreje hibride, e cila bashkon në vetvete virtytet edhe të gegërishtes, edhe të standardit: për të kuptue, për të kenë, për të plotësue, për të afrue, etj.

Po ashtu, ai u shmanget formave të përcjellores me tue, të tilla si tue veçue, tue mbetë, tue u kthye, tue i krijue, tue detyrue, tue mbështetë, tue përkrahë, etj., të cilat i përdor rregullisht Ndreca, duke preferuar format me duke: duke iu përshtatë, duke frenue, etj.

Gjithsekush nga këta pionierë të gegërishtes së shkruar kërkon të ngjizë idiolektin e vet!

Lëshimet e nënvetëdijshme që ia bën standardit, prof. Gurakuqi i kompenson duke përdorur deri edhe trajta nëndialektore, të tilla si pjesorja kenë e foljes jam; në vend të qenë, të cilën e ka dhe e përdor natyrshëm edhe gegërishtja: çfarë ka kenë në dorën e saj, shkruan ai; ajo ka kenë krejtësisht e sinqertë; për të kenë pasaporta pranuese… (për të kenë? po a nuk ta vret veshin kjo shëmti, profesor?).

Në përgjithësi, artikulli në fjalë, me të cilin autori rreket të sfidojë standardin duke shkruar në gegërishte, ofron, në të vërtetë, provën më elokuente pse gegërishtja – si dialekt dhe si variant letrar, ose në gjendjen e saj të sotme përballë standardit – nuk mund të shkruhet dhe, në përgjithësi, të përdoret në publik nga gegët çfarëdo, pa një përgatitje filologjike të posaçme, të cilën normalisht duhej ta ofronte shkolla (ose studimi autodidakt, siç besoj ka qenë rasti me disa përdorues të sotëm publikë të shkodranishtes letrare korrekte).

Përndryshe, gjestin e këtij përfaqësuesi të Universitetit Europian të Tiranës unë do ta quaja, pa ngurim, formë të vandalizmit gjuhësor dhe kulturor; meqë të lexosh shqipen e çalë të prof. Gurakuqit, të vjen të vësh kujën nga dhimbja dhe pafuqia; si dhe të revoltohesh për papërgjegjësinë e gazetës MAPO, e cila lejon keqtrajtimin e vetëdijshëm të shqipes së shkruar, në këto nivele.

Të jemi të qartë: unë nuk kam as më të voglin problem me gegërishten që shkruajnë autorë si Primo Shllaku, ose Ardian Ndreca; të cilët kanë një vizion në mendje dhe kërkojnë ta bëjnë realitet, duke respektuar, para së gjithash, variantin letrar që lëvrojnë si dhe lexuesit e tyre.

Por kjo që ka bërë prof. Gurakuqi nuk ka lidhje as me pluralizmin kulturor, as me rimëkëmbjen e një tradite të shtypur e të shurdhuar padrejtësisht. Përkundrazi, unë do ta quaja një formë hubris-i ose megalomanie, nga kush me siguri kujton se i mjafton prejardhja fisnike, mëhalla ku ka luajtur futboll i vogël dhe genet, për të sfiduar standardin gjuhësor të shqipes.

Është për të ardhur keq që kauza e shkodranishtes letrare, ose edhe e “Shkodrës së Bushatlinjëve të mëdhenj, të Gurakuqit [Luigjit, shënimi im], Fishtës, Koliqit, Pipës, Draçinit dhe udhërrefyesit tonë të gjallë e të paçmuem, profesor Sami Repishtit, që na veshtron, korrigjon, qorton dhe drejton nga larg”, siç shprehet vetë prof. Gurakuqi, të mbrohet dhe të promovohet në nivele të tilla të mjerueshme, nga autorë që, kundër dëshirës së tyre, veç provojnë se janë të padenjë për misionin titanik që mund t’ia kenë dhënë vetes.

Shënim: artikullin e prof. Gurakuqit, me formatin PDF, e kam futur edhe në arkivin e blogut, në këtë lidhje.

Nuk ka komente

  1. Kjo asht me ja fut vedit n’alltije… m’u u bà nji tosk dreqit me ju diftue gegve shkodran se si duhet me e fol gjuhn e tyne
    Po lë shakatë mënjanë për të thënë diçka më serioze ndaj këtyre revizionistëve të gjuhës: E kuptoj pamundësinë dhe mangësitë (kryesisht materiale, por edhe, fatkeqësisht, filologjike) që të reformojnë, të standartizojnë dhe të përhapin gegërishten e shkruajtur dhe, pse jo, të folur në mënyrë korrekte, por nuk arrij të kuptoj se përse NUK PAGUAJNË një redaktor (të paktën “intelektualët”) që shkrimet e tyre të vijnë era gegërisht?

    E di që është e çuditshme, përbile e papranueshme për gegët, që dikush të kritikojë gegërishten e përçalë që përdorin sot disa personazhe të çuditshëm, aq më tepër kur këto kritika vijnë nga nji korrqar (apo “vlorian”!!! sepse edhe kështu ma kanë përdorur) dreqi , por duhet ta venë shpirtin në paqë dhe të shikojnë që e keqja nuk ju vjen prej nesh, por e kanë nga brenda.
    Nëse për gjithë Shqipërinë dhe shqiptarët, dialekti shkodran dhe shkodranët, shiheshin me kuriozitet dhe ëndje, ngaqë ishin sinonim i muzikalitetit, humorit të hollë, kulturës etj etj, unë kam patur kënaqësinë dhe nderin që, që në fëmijërinë e hershme të rritem dhe edukohem nga një përfaqësues i denjë i asaj kulture, nga i madhi David Luka. Ashtu si unë, pothuajse të gjithë miqtë e mi të brezit tim, dashurinë për matematikën, shahun, vizatimin dhe poezinë e kemi të rrënjosur prej atij njeriu të çuditshëm… që edhe pse fliste malokshe, ishte aq lehtësisht i kuptueshëm nga të gjithë, lebër, korçarë, skraparllinj përfshirë.
    Më vonë, duke ndjekur studimet e shkollës së mesme në Shkodër, nuk mund të rri pa kujtuar me respektin që meriton mësuesin e Gjuhës shqipe, Besnik Ujkani. Njeriu që gjuhën e nënës e fliste me një muzikalitet të jashtzakonshëm, por që gjuhën letrare, standarte, ma nguliti në kokë që ta shkruaj dhe ta flas pa barbarizma dialektore dhe pa marrëzira ortografike.

  2. Ah, edhe diçka që e kisha lënë për një post scriptum, por që më doli nga mendja kur dërgova komentin: Përsa i përket titullit të këtij artikulli, më shumë se “Shqipe deledash” do ta quaja “Gegërishte leshelì”

  3. Mund të pyesësh edhe pse një person si prof. Gurakuqi, i cili duket qartë që nuk di ta shkruajë shkodranishten, por që standardin me siguri e njeh dhe e shkruan mirë, vendos ta sulmojë standardin në këtë mënyrë, për të promovuar diçka që as ai vetë e zotëron, dhe aq më pak e zotërojnë shkodranët si të tillë ose kushdo tjetër mendon se shkodranishtes letrare i është bërë padrejtësi e madhe në kohën e komunizmit.

    Natyrisht që kjo padrejtësi, edhe nëse është bërë (dhe unë mendoj se është bërë), nuk është bërë nga standardi, por nga krijuesit, imponuesit dhe zbatuesit e standardit; dhe nuk ka kuptim që, për revansh, të nxjerrësh tani inatin me standardin, duke e bastarduar, duke e zëvendësuar me një zhargon të përzier, duke u shprehur në nivelin intelektual të një fëmije, vetëm e vetëm për të treguar… po çfarë pikërisht? Që standardi nuk funksionon?

    Mirëpo kushdo mund të masakrojë çfarëdo standardi që të dëshirojë, po ta lejojnë autoritetet përkatëse, të cilave u është ngarkuar detyra publike e mbrojtjes së standardit nga vandalët, provokatorët dhe të paditurit (analfabetët).

    Unë, po të isha redaktor i MAPO-s, do t’i kisha thënë profesorit: i nderuar, ky material nuk mund të botohet kështu siç është, sepse nuk është as gegërisht, as toskërisht, as dogançe, as standard. Nëse je nisur të sulmosh standardin, ke përfunduar me një karikaturë të gegërishtes. Ke provuar që gegërishtja tashmë e ka humbur “luftën” me standardin, është kolonizuar prej tij; madje edhe ata që e shkruajnë, ose përpiqen ta shkruajnë, veçse i “përkthejnë” mendimet e tyre nga standardi në variant. Po pse, xhanëm?

    Unë e kuptoj një poet, të cilit i vjen për t’u shprehur në të folmen e vet, dhe mund të shfrytëzojë pasuritë e traditës letrare gege; mund të kuptoj edhe një këngëtar; ose një trupë teatrale; të cilës standardi nuk i vjen për mbarë, i tingëllon artificial ose i thatë. Kultura shqipe duhet t’i mirëpresë këto dukuri dhe t’u krijojë kushtet që të lulëzojnë e të zhvillohen më tej.

    Përkundrazi, një artikull në gazetë është gjest publik dhe politik; dhe ti që e ndërmerr, më mirë mendohu mirë para se të dalësh në sy të të gjithëve; ose sigurohu se e di se çfarë mesazhi po dërgon dhe me ç’ligjërim po e përcjell.

    Përveçse i shkruar shumë keq, artikulli i Gurakuqit është edhe shumë i dobët, si artikull. Unë besoj se kjo lidhet me atë që autori nuk i lidh dot mendimet e veta në gegërishten që kërkon të praktikojë; prandaj i dalin aq të gjymta dhe të ngjitura si me pështymë. Atëherë pse? Pse të detyrohet njeriu ta paraqitë veten kështu? Dhe aq më tepër, një profesor në universitet, të cilit i duhet të ruajë edhe një farë prestigji, ose hijeje, me studentët e vet? Çfarë kërkon të arrijë vallë?

    Një njeri që e shkruan mirë shkodranishten letrare ose ndonjë version tjetër të gegërishtes letrare, së paku mund t’i provojë lexuesit, të paktën, se varianti letrar alternativ ndaj standardit i ka ruajtur disa virtyte funksionale, që shkojnë përtej shprehjes thjesht letrare; por kur ti nuk je as në gjendje të shkruash të njëjtën fjalë dy herë njësoj, atëherë ç’i futesh kësaj pune?

    Përndryshe, nëse prof. Gurakuqi kujton se po shkruan përnjimend gegërishten e lëvruar të Fishtës dhe të Koliqit dhe të Harapit, duke vazhduar një traditë të pasur, por të ndërprerë brutalisht prej komunizmit, atëherë për shkodranishten letrare vërtet nuk paska më shpresë; meqë këta militantë politikë kanë humbur jo vetëm aftësinë për ta shkruar këtë “dialekt hyjnor” siç e quan Artur Zheji, por edhe aftësinë për të kuptuar se nuk dinë ta shkruajnë mirë.

  4. Qellimi i ketyre qe duan te ngjallin gegenishten nga Shkodra, per mendimin tim eshte nje revansh per te ri-imponuar kulture katolike ne Shqiperi dhe ngjallur arritjet e fillim shekullit te XX te klerit katolik te shqiptaret. Por mendoj se kjo perpjekje eshte nje donkishotizem per shume arsye. E para eshte se ata qe dine gegenishten e shkruar jane shume pak. E dyta ka gegenishte Shkodre – e cila shitet si “Gegenishtja” e ka gegenishte Kosove, gegenishte Tirane e gegenishte Durresi e Kavaje e Dibre etj. Pse duhet te pranohet si gegenishte gegenishtja katolike e Fishtes? Pra katoliket tane qe promovojne kete ide jane nje brime ne uje perballe shumices derrmuese te shqiptareve qe nuk e hane sapunin katolik per djath.

    Ne anen tjeter, gegenishtja e Fishtes, Ndreces dhe kompani, per ne qe nuk jemi rritur ne Shkoder eshte sikur me lexuar spanjisht. Une personalisht nuk e lexoj dot Fishten ne Lahuten e Malesise. Ndrecen e kuptoj kur ulerin e shan larte e poshte, ama kur e lexoj me duket si nje malok i keq dhe kaq (po perdor kete term “racist” qe e degjon kudo ne Tirane sa per ilustrim). Une e kuptoj qe katoliket tane fishtian e terezian do te donin qe pervec idhujve prej guri qe po ngulin ne cdo cep te Shqiperise dhe Kosoves me shenjtoret e tyre katolike, ti benin keta qe te flisnin e te predikonin katolicizmin sic benin ne kohe te Zogut me Hyllin e Drites, ne nje kohe qe shumica e shqiptareve musliman dhe ortodokse (brezi i madh dmth) nuk dinin te lexonin latinisht dhe katoliket fituan shume terren ne nje fushe loje ku arabishtja e greqishtja u ndalua me ligj.

    Por sot mendoj se historia eshte anapodha. Sot ne pozite te keqe jane katoliket te cilet komunizmi i shtypi dhe sot jane nga popullsite me pak te edukuara ne Shqiperi. Jane tosket – te cilet kane toskerizuar ne nje fare menyre edhe Shqiperine e Mesme, ku tironsja dhe kavajsja jane vetem gjuhe rakije dhe ahengu. Ata kane monopol te shqipes moderne. Toskerishtja apo me sakte shqipja akademike (pse edhe toskerishtja ka shume versione) tashme ka fituar nje hegjemoni aq te madhe, saqe edhe ne Kosove ku populli eshte shume me analfabet sa te ne, e flet nje gegenishte te tijen, toskerishtja ka arritur te rrembeje te gjithe eliten alfabete e cila sheh Top Channelin e Klanin per te kupjuar cdo gje.

    Ne Kosove, gegenishtja mund te kete shanse zhvillimi, por vetem me reforma radikale nga qeveria e Kosoves. Ama sic duken bathen, nuk besoj se nje gje e ketille mund te behet shpejt pasi kosovaret jane shume inferiore ndaj Tiranes – dhe ata qe flasin per Gegenishte – ngaqe nuk dine sec eshte ajo, kthehen te katoliket e Shkodres – ne nje kohe qe kosovarishtja eshte shume e ndryshme nga katolikishtja shkodrane. Kjo gegenishtja e Shkodres do kete aq shanse ti imponohet shqipes akademike sa edhe vllahishtja dhe gabelshja kane…. Megjithe presionin e madh qe bejne enderrimtaret katolike. Me e madhja qe katolikishtja mund ti imponohet shqiptareve eshte ne terma fetare katolike, ne ndonje barcolete shkodre dhe kaq…

    1. “…shumica e shqiptareve musliman dhe ortodokse (brezi i madh dmth) nuk dinin te lexonin latinisht…”.

      Shumica e shqiptareve, ne rradhe te pare, nuk dinin te lexonin ne asnje lloj alfabeti apo menyre. Ne rradhe te dyte pastaj, ata pak qe dinin te lexonin, jashte pseudo-determinizmave komunitare, mund te lexonin edhe ne me shume se nje apo dy alfabete, ne varesi te periudhes, krahines, klases apo zanatit.

      Ne varesi te periudhes, per shembull, bijte e myslimaneve mund te studionin ne ndonje adrese si Zosimea, dhe pasketaj te kishin formim kulturor ne tre alfabete.

      Ne varesi te gjeografise, myslimane te Jugut mund te shkruanin hem ne alfabet arab, hem ne grek.

      Ne varesi te klases dhe zanatit, tregtaret mund te komunikonin e mbanin shenime me alfabet grek e latin e arab bashke, ose pothuajse, e po ashtu, ne periudhen perkatese, nepunes te dale prej kujtdo komuniteti mund te kishin komande mbi me shume se alfabetin e gjuhes zyrtare.

      Simbolikisht dicka kuptojme ne ate se poeti yne kombetar e ka vepren te shperndare ne alfabet latin, arab e grek: vetem cirilik jo.

        1. Per cka shkova me lart, i kane bere te tjeret studimet, ne i lexojme. Nuk di a ke problem me fakti se 1)shumica e shqiptareve kane qene analfabete; 2)nje shumice prej te alfabetizuarve gjithnje e me shume ishin te hapur ndaj nje alfabeti plus atij te miletit ku perkisnin, per arsye te gjera, edhe me teper se krahinoret apo profesionalet qe kam rreshtuar une ketu, si lexues i thjeshte.

          Pervec faktit vazhdimisht te njohur, qe nga koha pararepublikane e Sabri Godos, mbi gjuhet letrare te administrates se Ali Pashes, Dritan Egro na zbuloi edhe ne shtyp korrespondencen me bejleret e Jugut, ne greqisht, te Ismail bej Vlores se pare – lere me korrespondencat e ketij te fundit, me grua greke dhe formim shkollor nga fshati i gruas. Tregtaret e Voskopojes sipas gjithe titujve qe jane botuar dekaden e fundit mbi ta, po ashtu kane dhene e marre edhe me shkronja greke, edhe me latine; zyrtare te pasreformes si Vasa Pasha, qe nuk ishte mysliman, kane zoteruar si alfabetin zyrtar, ashtu edhe ate tashme gjysemzyrtar te administrates osmane, njelloj si edhe zyrtare te tjere tip Eqrem bej Vlora, te cileve ua dime CV-ne. Per te gjitha keto te dhena, ka referenca te freskta, po edhe bajate, ne shqip.

          1. Referencat qe une kam pare, tregojne qe nje pjese e mire e popullates urbane dinte te lexonte, arabisht ose greqisht. Latinishtja ka patur perdorim te kufizuar. MIti se shumica e shqiptareve kane qene analfabet eshte mit i shpikur nga komunistet e para tyre nacionalistet, pasi me alfabetizem nenkuptonin leximin e germaneve katolike. Ndersa studime deri me sot une nuk kam pare te jene bere, pervec marrezive nacional-enveriste qe pretendojne se ka patur injorance masive dhe se populli mezi priste te behej me kombetaristet.

            1. Duhet të dish diçka… “Një pjesë e mirë e popullatës urbane” nuk do të thotë, në rradhë të parë, të të gjithë popullatës urbane, por edhe nëse do ishte e gjitha popullata urbane e lëçitur, mos e kujto se raportet katun-qytet janë këto të sotmet… apo në ato referencat e tua thuhej që “edhe një pjesë e fshatrave dinin të shkruanin e të lexonin”?

    2. “Qellimi i ketyre qe duan te ngjallin gegenishten nga Shkodra, per mendimin tim eshte nje revansh per te ri-imponuar kulture katolike ne Shqiperi dhe ngjallur arritjet e fillim shekullit te XX te klerit katolik te shqiptaret..”

      Mospermendja e Migjenit prej R.Gurakuqit (Shkodrës së Bushatlinjëve të mëdhenj, të Gurakuqit [Luigjit, shënimi im], Fishtës, Koliqit, Pipës, Draçinit ..)
      eshte nje prove elokuente e frymezimit katolik te ketyre sulmeve

      1. Para disa kohesh mesova qe ne Tirane, nje OJQ qe perkujtonte ditelindjen e Skenderbeut e sponsorizohej nga qarqet katolike i kishte bere kerkese ministrise se arsimit qe te largonte Migjenin nga librat shkollore, meqe ne Lulin e Vocerr ai sulmonte Kishen Katolike.

  5. Xhaxhai,

    Nje problem madhor qe gjuhetaret si ju duhet ta rregulloni (me veten tuaj) sa me pare e mundur, eshte NDARJA NJEHERE E MIRE E GJUHES NGA LETERSIA. Pa kete, ju jeni duke marre ne qafe shume gjera, ju dmth si Gurakuqi, ashtu dhe xhaxhai. Por do te sqarohem me mire kur te kem mbledhur ca forca e kur te jem ftilluar edhe vete mbi ate qe do te them. Gjithsesi, do te jete mendimi i dikujt qe merret me letersi, lexime, shkrime dhe perkthime. Besoj se edhe une kam “njefare” tagri te flas per keto gjera, edhe pse nuk kam ndonje diplome drejtshkrimi.

    1. ehe… bën gabim që më fut në një shportë me Gurakuqin; sepse u përkasim dy sferave të ndryshme. Dhe gjithsesi, shkodranishten letrare nuk e ndan dot nga letërsia, sepse shkodranishtja letrare është letërsi.

      Përndryshe, ty tagrin për të folur “për këto gjëra” ta japin ato që do të thuash, prandaj bujrum e sa më parë (po sa e njeh ti historinë e standardit shqip? nga çfarë kam lexuar në blogun tënd, më dukesh i papërgatitur për temën – edhe pse nuk do të jesh i pari); gjithsesi, s’ka nevojë të paralajmërosh lexuesin, se nuk është se po e mban kush frymën.

      1. Pasi u mendova vertet kete paradite sesi mund te qasej ky problem nga te gjitha anet e mundshme, vura re se keto ane ishin aq te panumerta dhe te kokolepsura (pa shiko ! nje fjale toske ne gojen e nje gegu), dmth te mpleksura me njera-tjetren, sa e kalonin gjeresisht kornizen e nje blogu, sado i shquar te jete.

        Gjithashtu, ajo çka une quaj gabim ne qasjen e Gurakuqit dhe ate tuajen, eshte karakteri esktremist, ose skajor, ose partizan i qendrimit tuaj. Kam pershtypjen se e verteta gjendet me kendej jush, e me kendej Gurakuqit. Por per te arritur tek kjo e vertete, duhet megjithe mend nje shoshitje e sakte, e ftohte, pastertisht klinike e asaj çfare ka ndodhur ne Shqiperi, qe nga fillimet e shkrimit shqip, e deri ne “katrahuren” komuniste e cila, te mos iu vije keq ithtareve te tij te rinj dhe te vjeter, me shume ka shkaterruar sesa ka ndertuar ne keto punet e mendjes. Besoj jeni te vetedijshem per pasojat shkaterruese te komunizmit ne pothuaj te gjitha lemet e zhvillimit. Dhe jam i bindur se as gjuha s’do t’i kete shpetuar ketij shkaterrimi, do te ishte nje perjashtim teper i çuditshem.

        Gjithsesi, shoh se problemi ne fjale i tejkalon fuqite e mia fizike dhe mendore, dhe pra e terheq premtimin e angazhimit ne kete debat. Ne paça force dhe mend, kjo mund te vije ne nje kohe tjeter, ne mos, kurrgje kurrkujt, siç thote nje fjale gege ne gojen e nje gegu.

        Miqesisht.

        1. Jo, zotëri – kam frikë se e ke gabim. Kërkesa ime, për ta shkruar ligjërimin tënd në mënyrë koherente, nuk është ekstremiste, por e arsyeshme. Koherenca dhe të shkruarit janë bashkudhëtarë, nuk është se e shpikën standardizuesit e shqipes. Njëlloj e arsyeshme është edhe kërkesa tjetër, që ta njohësh gegërishten tënde, para se të ulesh ta shkruash. Përndryshe, nëse ti mendon se ashtu duhet, ulu dhe shkruaj edhe në dogançe, po të duash; por shkruaje mirë, dreqi ta hajë.

  6. Ne incidentin e fundit Topi-Topalli, i stisur do te thosha une mbi nje realitet te lene jashte skene, vihet re edhe nje element qe ka rendesi per te ardhmen. Them i stisur, pasi Bamir Topi me siguri si geg qe eshte nuk ka patur ndermend te talle dialektin shkodran, as ta fyeje ate. Them i ndertuar mbi nje realitet te lene jashte skene, pse debati ka qene i ndrydhur edhe pse tipare te tij manifestohen kudo dhe kurdohere. Pra, eshte vene re se, ne emer te mbrojtjes se nje ideniteti LOKAL si ai shkodran, megjithe c’perfshin, kori i apologjeteve nuk nguroi te tubohej pa asnje dileme rreth figures se nje personi thellesisht Injorant si Jozefina Topalli. Kauza si e tille kerkon artikulimin politik dhe e arrin ate edhe kur bartesi i vet rrezikon ta kompromentoje me cilesite qe ka dhe me arrogancen e tepert qe deshmon. Ne kete rast, Topalli zgjodhi dhe zbuloi se eshte nje Shkodrane ne krye te Kuvendit te Shqiperise dhe jo Kryetarja e Kuvendit te Shqiperise. Madje sipas saj, gjuhen qe ajo perdor nuk e kupton as Haxhi Qamili, e qe ketej helmi paragjykues shpreh edhe me qarte se cilat jane kreditet politike te kesaj zonje qe ka perfituar mburoje te dyfishte; ate lokale, por edhe ate te PD-se e cila me kete njolle qe ajo i veshi vetes mundet shume kollaj ta spostoje. Eshte edhe nje mburoje e trete, le te themi koliqiane. Por le t’ja leme shkodranishten shkodraneve, meqenese preken kaq shpejt. Dhe deri diku kane te drejte. Personalisht me ka bere pershtypje sesi individualitete te artit (pasi personalitete me kete qe ndodhi nuk ka) si Stefan Capaliku, te fushes studimore si Romeo Gurakuqi ne fjale, ente si Qendra Pjeter Gaci, katedra e Universitetit u ngriten njezeri per te mbrojtur nderin e shkodranishtes, ne versionin e saj te turpshem Jozefinist. I perdor keto percaktime pasi realisht nuk di sesi ti quaj. Te falesh veten per nje ceshtje te nxitur nga arsye thellesisht partiake, e jo politike, une kete nuk arrij dot ta mirekuptoj. Ky nuk eshte as oportunizem per hir te gegnishtes, paradoks ky historik po te mbahet parasysh se Grupi i Shkodres ishte kembengules per bashkimin dikur me ata qe do te sanksiononin toskerishten ne variantin dominues ne standard. Them nuk eshte as oportunizem, pasi nuk ka sesi dikush te te marre seriozisht kur nje numer njerezish me kontribute shnderrohen papritur ne tabor i bindur i nje politikani qe ka vetem nje vlere; deshmon se ku jemi katandisur. Eshte shume feminore dhe fare e trashe pastaj kundersulmi mediatik ndaj Bamir Topit me opinione, shkrime dhe komente ne gegnisht, ne nje perpjekje qe synon ta konfirmoje dialektin verior si nje kordon sanitar nga ajo qe Migjen Kelmendi e quajti “Proliferimi i ndikimit tosk pas 1944”. Tani ketu me sa ma ha mua rradakja (se kemi dhe keto orientalizmat) me siguri debati per gjuhen, pavaresisht se “aksidental”, ka te miren se hyri ne kontekstin Kulturologjik (Stefan Capaliku). Pra nuk eshte vetem nevoja e pranimit te nje padrejtesie me standardin, ku gegnishtja u diskriminua, por me qasjen e duhur te marredhenieve geg-tosk. Pra si duhen rregulluar ato ne menyre qe fantazmat e historise te mos na percaktojne edhe me tej te ardhmen? Une specialist nuk jam, por as kepucar. Mendoj se per gjuhen flasin gjuhetaret, per politikat gjuhesore edhe te Tjeret. Me aq sa dine kuptohet. Ne kete kuptim sjell ne vemendje ate qe thote me lart z. Autor se perpjekja e Gurakuqit eshte e mjerueshme pasi varianti i tij gjuhesor standardo-gego-pas 90-sh kompromenton cdo gje. Kjo per mendimin tim do te thote se sfida ndaj Standardit ne formen aktuale nga nje kritike e drejte ne vitin ’90, po reduktohet ne nje strehe ku grupe te caktuar po riorganizojne nje identitet qe nuk ka te perbashket asgje as me te kaluaren e tyre. Se dyti, konteksti Kulturologjik i debatit, i theksuar nga Capaliku, ben te qarte faktin se nuk mundet te kete, as ka patur e as ka, variante gjuhesore Sinkretike, as kultura te ketilla. Madje as edhe sintetike, pra te shkrira te njera -tjetres. E folura e shkruar e Gurakuqit eshte per kedo vetem nje zhargon personal, sikurse ai i Topallit. Ndaj kur flitet per Standardin dhe koinene toske qe aty mbizoteron perfundimisht duhet te thuhet se Ajo eshte e papranueshme per pjesen gege te popullit shqiptar, per te gjitha arsyet e kesaj bote, por jo te vijohet me perpjekjet e nje mbareshtimi geg ne trupin e saj. Eshte e deshtuar, artificiale dhe guxoj te them mediokre. Dhe dicka per imponimin e Standadit qe flitet me kaq buje; te jemi realiste. Ne vertet jemi shquar si nje popull arsimdashes, por standardi u miratua ne 1972-in dhe deri ne vitin 1990, kur mekanizmat shteterore dhe Shkolla si qelize riprodhuese e tij funksiononin realisht mire, jane vetem 18 vjet. Vetem 18 vjet nuk mjaftojne per te folur per nje padrejtesi epokale, apo per mbytjen e kontributit geg. Pasi qe nga 1944 e deri ne 1972 jane 28 vjet te tjere ku Diktatura toske bashkejetoi me gegnishten.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin