FISTULA ME TË SHKUARËN (II)

Kur na qëllon të flasim për emrat e përveçëm në një kulturë, gjithnjë përfundojmë duke folur jo aq për emrat, sesa për procesin e emërtimit ose të “pagëzimit” (e vendos këtë fjalë në thonjëza për ta dalluar nga pagëzimi i mirëfilltë); i cili ka natyrë më tepër antropologjike dhe sociologjike, sesa gjuhësore të mirëfilltë.

E dimë që emri që ia vëmë fëmijës, si rregull, shpreh një dëshirë të prindit ose të kumbarës; dhe shpesh në këto dëshira mund të lexojmë çfarë e vë në lëvizje shoqërinë dhe kulturën për një moment të caktuar. Natyrisht, edhe vullneti për ta përfshirë fëmijën, nëpërmjet emrit, në një traditë të caktuar – p.sh. familjare, kur ia vë emrin e një gjyshi; ose fetare, kur ia vë emrin e një shenjti – është edhe ai një lloj dëshire.

Tani, ka një kategori emrash të përveçëm, të cilët i quajnë apelativë dhe që lidhen drejtpërdrejt me emra të përgjithshëm të gjuhës, te të cilët kjo dëshirë shprehet pothuajse haptazi, ose në mënyrë naive – p.sh. një fëmijë e quajtur Flutur bart me vete dëshirën e prindërve për ta pasur të bukur e të hajthme si flutura; edhe pse, me kalimin e kohës, emri Flutur mund të bëhet pjesë e një tradite “pagëzimi” dhe asociacioni me fluturën të vijë duke u zbehur.

Gjithsesi, apelativët në sistemin e emrave të përveçëm, të paktën në kulturat europiane, nuk janë dhe aq të suksesshëm; duket sikur kulturat i tolerojnë, por deri në një farë shkalle, dhe vetëm sa kohë që mbeten në pakicë, përballë emrave të tjerë të përveçëm, që nuk motivohen dot nëpërmjet gjuhës. Kjo ka të bëjë, besoj unë, me atë që gjuha kërkon të dallojë, edhe nga pikëpamja leksikore, midis emrave të përveçëm dhe emrave të përgjithshëm; duke i preferuar të parët të pamotivueshëm. Aq më e vërtetë është kjo për shqipen, ku emri i përveçëm është integruar gramatikisht në sistem më shumë e më thellë se ç’ndodh në gjuhë të tjera – p.sh. duke u lakuar, ose duke pranuar nyjën shquese.

Përndryshe, zgjedhja e emrit për një fëmijë e ka gjithnjë një moment solemn, ose mistik; edhe pse kulturat racionale nuk e pranojnë që emri të ketë ndikim në fatin e fëmijës. Më anë tjetër, edhe kultura që mbeten laike kanë mitet e tyre – p.sh. kombëtarizmi, i cili synon që ta shkruajë historinë e kombit, reale dhe të imagjinuar, në regjistrat e gjendjes civile; duke i nxjerrë emrat nga një arkiv i traditës, që përmban gjithçka të përveçme, historikisht dhe gjeografikisht: emra heronjsh dhe mbretërish të së shkuarës, emra gjeografikë, të lashtë dhe të rinj, e kështu me radhë. Kështu, emra si Valbona, Korab, Vlora, Drin, Arbëri, Vjosa, Shkëlzen, Shkumbin, Gramoz, Tomor, etj. do ta transpozojnë gjeografinë kombëtare në antroponimi.

Në këtë kontekst, zgjedhja dhe rekomandimi i emrave ilirë për shqiptarët interpretohet rëndom si pjesë e një prirjeje ose mode laike, për ta ruajtur ose ringjallur historinë e kombit nëpërmjet promovimit të emrave të personazheve të kësaj historie; siç ndodh edhe me emra të tillë si Gjergj, Lekë, Aranit, Kastriot, Donika, Mamica, Vojsava, Tanush, Gjin, Pirro, etj.; të cilët u referohen personazheve historike të njohura, ose “të kuptimshme”. Edhe operacioni kulturor i ndërmarrë prej grekëve, gjatë kapërcyellit të shekujve XVIII-XIX, për të ringjallur dhe përhapur në masë emra nga lashtësia greke, si Sofokli, Elektra, Odhise, Ksenofon dhe Andromaqi, i përket të njëjtit gjakim për ta shndërruar historinë në një lloj feje shekullare të kombit, të paktën sa i përket rolit kulturor të fesë. Të vërehet se emra si Sofokli dhe Elektra kanë “kuptim”, meqë janë emra personazhesh të njohura dhe të adhuruara nga kultura shekullare; si “shenjtorë” të kalendarit kombëtar të atij populli, ku janë përfshirë me rrugë kulturore (arti, librat, tekstet, shkolla, historiografia, etj.).

Tani, për ilirët si stërgjyshër të shqiptarëve dimë shumë pak; dhe ato që dimë, i kemi të ndërmjetësuara nga fqinjët e tyre, ose të nxjerra nga dheu dhe gjithsesi të paintegruara në kulturë: pak emra mbretërish dhe luftëtarësh, një listë emrash të fiseve, dhe emra të shumtë njerëzish nga mbishkrimet e stelave të varreve. Me pak sforcim, mund të themi se emra si Teuta, Agron, Genci kanë “kuptim”, meqë u referohen personazheve për të cilët dimë diçka nga historia – edhe pse çfarë dimë nuk është se na mbush doemos me admirim. Por, të paktën, prindët që i vënë fëmijës emrin Genci janë të vetëdijshëm se po i referohen një mbreti të dikurshëm, që mbahet mend, për fat të keq, edhe ai për disfatën që pësoi dhe rolin që luajti në triumfin e Gallus-it (po le ta kujtojmë më mirë me emrin e bimës aq fisnike gentiana, e cila thuhet se është quajtur ashtu për nder të tij).

Mirëpo priftërinjtë e kombëtarizmit shqiptar shkuan edhe më tej, duke u rekomanduar shqiptarëve “të shekullit të ri” edhe emra ilirë të lexuar prej mbishkrimeve të varreve, por përndryshe pa kurrfarë reference kulturore ose historike. Emra si Epikad, Etleva, Etrit, Etuta, Bledar, Gresa, Anila, Tritan, Lidra dhe plot të tjerë, që i ndesh sot e kësaj dite në shqiptarët, janë enigmatikë; i vetmi kuptim i tyre është ai që lidhet me origjinën, ose me faktin që këto emra kanë qenë përdorur prej ilirëve.

Kjo karakteristikë i kalon emrat ilirë në një rrafsh pragmatik dhe kulturor të ndryshëm nga ai i emrave “historikë”; sepse emrat historikë kanë gjithnjë “kuptim”, sa kohë që u referohen personazheve historike. Për këtë arsye, grekët nuk u vënë fëmijëve emra si Minotaur ose Gorgona, meqë është praktikisht e pamundur që këtyre emrave t’u bashkëlidhësh një dëshirë për fëmijën e sapo ardhur në botë.

Meqë nuk kanë “kuptim”, emrat ilirë u ngjajnë emrave eufonikë, ose atyre që sajohen ndonjëherë prej prindërve thjesht ngaqë tingëllojnë bukur (përmbajnë tinguj si l, n, r dhe e); madje, shpesh parapëlqehen për arsye eufonike, sa kohë që emra të tjerë ilirë, si Plahes, Stenas, Tritaneria, Oplika, Darmok, Viniok, Klevat, Zanat, Buzet, Voltisa nuk më rezulton t’i ketë zgjedhur kush, edhe pse gjithnjë do të kenë figuruar në listat përkatëse. Nëse është kështu, atëherë emrat ilirë, në kulturën e sotme shqiptare, nuk janë veçse emra eufonikë, të kunguar prej priftërinjve kombëtaristë.

Përndryshe, tradita ilire është një traditë artificiale, e mbjellë nga lart prej ideologëve kombëtaristë, të cilët dëshironin t’ua jepnin shqiptarëve një lashtësi të krahasueshme me atë të grekëve të lashtë. Kjo nuk do të thotë se ilirët nuk kanë ekzistuar, madje as edhe që shqiptarët e sotëm nuk janë pasardhës të ilirëve (kjo çështje meriton dhe duhet të diskutohet veçan; këtu vetëm po shënoj se hipoteza e prejardhjes ilire të shqiptarëve është më e mbështetur se të tjerat); por vetëm se tradita ilire ndër shqiptarë nuk ka pasur vijueshmëri, siç ka pasur vijueshmëri tradita greke e lashtë në grekët; ose tradita romake në italianët. Arsyet për këtë janë të shumta dhe të thjeshta; këtu po mjaftohem të përmend vetëm mungesën e shkrimeve ilire, meqë asgjë nuk e ngulit traditën më mirë sesa tekstet e ruajtura; por ilirët nuk e shkruan gjuhën e tyre, pas gjase ngaqë shkrimi si praktikë kulturore, ndër ta, do të ketë qenë tabu.

Natyrisht, lidhjet shqiptaro-ilire janë përsiatur prej historianëve dhe gjuhëtarëve europianë prej shekujsh; por në kulturën shqiptare moderne ato u shfaqën vetëm në shekullin XX. Përndryshe, Rilindja Kombëtare, edhe ndër arbëreshë në fillim, edhe në kolonitë shqiptare të Lindjes më pas (Stamboll, Bukuresht, Sofje, Kajro, Aleksandri), i mëshonte kryesisht hipotezës pellazgjike, e cila ishte veçanërisht tërheqëse për kulturën e shqiptarëve dhe të vllehve ortodoksë të asaj kohe, të cilët i jepnin shtysën kryesore lëvizjes kulturore të Rilindjes; por edhe të arbëreshëve të Italisë së Jugut, të cilët edhe pse katolikë, i kishin ruajtur për bukuri rrënjët dhe ritet bizantine, duke i ruajtur marrëdhëniet preferenciale me kulturën greke, fetare dhe laike.

Suksesi i hipotezës ilire dhe zbulimi i ilirëve prej kulturës shqiptare kombëtare lidhen me dy arsye: (1) arritjet e gjuhësisë indo-europiane dhe popullarizimi i tyre në Europë dhe (2) fuqizimi i fillesës katolike në kulturën shqiptare. Sa më shumë që i largohej kjo e fundit ndikimit grek dhe përgjithësisht bizantin, sa më shumë që orientohej kultura shqiptare drejt perëndimit europian, aq më interesante bëhej kjo hipotezë, derisa do të shndërrohej në hipotezë zyrtare, pas imponimit të regjimit totalitar edhe në kulturën kombëtare.

Ky kontekst do të ndihmojë për të kuptuar edhe pse emrat ilirë, në kulturën shqiptare, ishin efekt i një kombinimi faktorësh të rastit, mes të cilëve do përmendur autarkia kulturore gjatë periudhës komuniste, nevoja për të zhvilluar një kombëtarizëm të çliruar krejt nga faktori religjioz, dhe nevoja për t’i dhënë rrënjë pemës së kombit shqiptar, përndryshe ende të njomë.

Çështja këtu është se ilirët nuk kanë ndonjë histori, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës; ose historia e tyre, ajo që njohim, është historia e disfatës së tyre dhe e asimilimit të tyre prej Romës. Një prind mund t’ia vërë fëmijës emrin Etleva, meqë ky është eufonik (tingëllon bukur) dhe rekomandohet nga pushteti laik, nëpërmjet librit të emrave (ekuivalent i kalendarit katolik të shenjtëve); por vështirë se mund t’i dëshirojë fëmijës së vet rrënjë ilire, meqë nuk ka asgjë të lavdishme, në historinë e këtyre fiseve indo-europiane, të cilat nuk i bënë dot ballë Romës dhe u mbajtën pastaj mend vetëm nëpërmjet varreve të tyre, kulturore dhe arkeologjike.

Natyrisht, nuk ka asgjë të re në zgjedhjen e emrave nga një listë e miratuar, ose e bekuar prej autoritetit kulturor (kishës, etj.). Dihet se të krishterët katolikë i kanë pasë zgjedhur emrat nga kalendari; ndërsa protestantët rikthyen traditën e adoptimit të emrave drejtpërdrejt nga shkrimet e shenjta (Bibla). Çfarë është e re, madje e çuditshme, në rastin e emrave ilirë, nuk ka të bëjë aq me lashtësinë e tyre, as me ringjalljen e tyre artificiale, as me imponimin e një fistule që do të lidhte shqiptarët e sotëm me ilirët e djeshëm; por ka të bëjë me faktin që shumë nga këta emra, të rekomanduar me forcë nga kultura zyrtare në Shqipëri, nuk kanë kurrfarë kuptimi (përveçse tingëllojnë si emra ilaçesh).

Çështja do të ndriçohet më mirë po ta shohim nga pikëpamja e origjinës. Një emër ilir, si Etrit, ka origjinë të dyfishtë: origjinën historike, si emër i përdorur nga ilirët këtu e dymijë vjet më parë; dhe origjinën arkeologjike, si emër i lexuar në një mbishkrim votiv ose në një rrasë varri. Lidhjen mes këtyre dy origjinave mund ta bëjë vetëm specialisti, duke lëvizur së prapthi në kohë; çka shpjegon edhe pse, për kulturën në përgjithësi, “kuptimi” i emrit Etrit është i njëjtë me informacionin që kemi për origjinën e tij.

Si operacion kulturor, dukuria është një farë kanibalizimi; e ngjashme me çfarë ka ndodhur me mermerin e Apolonisë, i cili ka përfunduar në gropat e gëlqeres të banorëve të sotëm të Myzeqesë, duke filluar nga sarajet e bejlerëve të atjeshëm; ose edhe me atë të Romës së lashtë, i cili është përdorur njëlloj nga banorët e mëvonshëm nevojtarë të atij qyteti të bekuar.

Përndryshe, dhe siç e thashë edhe më parë, unë besoj se emrat ilirë nuk kanë të ardhme në kulturën shqiptare; meqë ilirët vetë janë një madhësi e mjegullt dhe enigmatike, për të cilët mund të mësojmë gjëra, por që megjithatë nuk arrijmë t’i njohim, sepse njohja nënkupton edhe përvetësimin e historisë në kulturë, p.sh. nëpërmjet artit ose mitit; por edhe ngaqë vetë shqiptarët e “pagëzuar” ilirisht (grup ku bëj pjesë edhe unë, tek e fundit) kanë jetuar në një periudhë nga më të errëtat të historisë së Shqipërisë, kur individi dhe emri i përveçëm si shenjë konstitutive e individualitetit u shtypën për vdekje nën thundrën e kolektivizmit totalitar, prandaj brezat që vijnë nuk do të kenë arsye as të zgjedhin emra nga paraardhësit e tyre pothuajse anonimë të gjysmës së dytë të shekullit XX; dhe më në fund, po të gjykohet nga mekanizmat me të cilët prindët sot përzgjedhin emra për fëmijët e tyre, do të shihet menjëherë roli kritik që luajnë, në këtë proces, mass mediat dhe kultura e celebritetit, e cila me ilirët realë dhe të imagjinuar nuk ka fare, po fare lidhje. Kombëtaristët, nga ana e tyre, të cilët po përjetojnë edhe një ringjallje sado të parafinuar me lëvizjen AKZ, do të kenë gjithnjë në dispozicion databazën e historisë reale të shqiptarëve, si dhe apelativët, që mbeten gjithnjë alternativë tërheqëse ndaj emrave të modës, si Kevin, Kristi, Rihana dhe Eshli.

Nuk ka komente

  1. Tradita ilirike (apo edhe pellazgike deri ne vitet 30) te ne u tapos me fitoren e luftes ndermjet tradicionalisteve qe ne njefare menyre perfaqesoheshin rreth Esat Pashes dhe modernisteve qe intelektualisht perfaqesoheshin kryesisht nga ortodokset e jugut me grupin e Nolit dhe bektashij si Ali Kelcyra dhe Mehdi Frasheri. Pas mundjes se Esatit e vrasjeve qe ben ne Shqiperine e mesme, Rexhep Mitrovinjahu qe ishte minister arsimi e para tij Sotir Peci, leshuan kryqezaten kombetariste kunder turqve dhe kaureve te Shqiperise. Ndersa muslimanet turkofile dhe ortodokset grekofile vriteshin neper rruge e u prisheshin kishat dhe xhamite, kombetaristet rrembenin skolite ortodokse dhe mejtepet muslimane dhe i kthenin ne tempujt te kombit, ku femijet e Hasanit dhe Vasilit i mesonin se ishte Teuta dhe Astrite. Pra ishte lufte me pushke dhe lufte me shkrim. Ose sic sllogani thote: me pushke e me pene, per memedhene!

    1. Të ishte për mua… edhe sot do t’i kisha shkuar në teh të shpatës disa lloj grekofilësh e serbësh që na çajnë tarravilen në Shqipëri…

        1. Edhe une jam dakort te mos fillojme “lufte civile” , por lufte shkencore mund te bejme pambarimisht dhe fuqimisht , por jo thjeshte me ovacione “AKZ” , tejpertej populiste per shfrytezimin e ndjenjave “kombetare”,te prejardhjes “ilire”, si “maratonistet” e pare te kombit evropian,etj.,etj. Keto jane rrjedhoje e politikes totalitare te sistemit te kaluar , e cila me sforco e financime te medhaja per hir te rimekembjes e forcimit te ndjenjes kombetar e,”si mburrje e prejardhjes” ne nje kohe te betejes se “te parit te kesaj stereje” dhe te mos “kryqezimit orthodhoks” u shnderrua ne beteje “gladiatoresh historiano-arkeologjik” (ku te dytet kane qene shume flu ).Dhe fillesa ishin vllehet ose cobanet “shqiptare” , pa permendur emra te perkushtuarish ne alfabet e histori , me te cilet mburremi sot , duke qene te dyzuar mes grekeve e rumuneve , kembengulen ndergjegjesisht per t’u mevetesuar dhe per te “argumentuar” gjenezen si “bistak” i ilireve.Dhe per kete punuan shume fort . U lumte ! Ndezen me kerthija zjarrin. (Sec me kujtojne maqedonasit me perpjekjet per Aleksandrin e Madh , monumentet e statujat e tij ,konflikti me greket,etj.mbase dhe kot …) . Por,dhe keto “ por “si shume na torturojne, tjeter pasioni dhe tjeter gje argumenti shkencor per gjenezen edhe pse mund te perpiqemi pambarimishte per t’i hedhur “vello” shkencore lidhjes se panderprere ilire ,e cila me shume siklet mund te pranohet si e tille,pasi eshte e pamjaftueshme te themi qe “gomari eshte njelloj me drerin,vecse ndryshojne nga briret”…na le shume hapesira boshe te mundimshme e te sikletshme ,per mbushjen e te cilave koha ne volum e hapesire eshte e konkurueshme, dhe perben nje sfide per t’a vertetuar maksimalisht . ADN-ja do saktesi ngjashmerie 100 perqind ,qe te “spaletohet “ si e tille ,se qofte edhe nje perqind me pak , vihet ne dyshim saktesia e saj.Megjithe keto hamendesime ( t’I quajme si te duam) onomastikimi me emra iliresh te gureve te varreve nuk na bene domosdoshmerisht dhe saktesisht pasardhes te ilireve ,pasi jane shume pak ne keto kohe moderne dhe te informacionit te pacensuruar.Per rrjedhoje cdo lloj debati ka vlefshmerine dhe pavlefshnerine e tij shkencore,ndersa ne pikepamjen “patriotike” eshte primar,pasi aktivizon vullkanshem te gjithe masen e popullates ,pavaresisht kultures historike…Ballkanasit vuajne shume nga ky lloj patriotizmi.Edhe ne…

    2. … fitoren e luftes ndermjet tradicionalisteve qe ne njefare menyre perfaqesoheshin rreth Esat Pashes

      Sipas nipit te Esatit, Ajten Toptani:

      Toptanasit përfaqësonin qytetarinë, inteligjencën dhe patriotizmin e kombit shqiptar …. Toptanasit qenë dhe janë të një kulture perëndimore dhe integruese, gjë të cilën e kanë demonstruar me kontributin e tyre me vetëmohim në pavarësinë, kulturën dhe në krijimin e shtetit shqiptar. Toptanasit tradicionalisht dhe në përgjithësi kanë qenë dhe do të mbeten në parimet e së djathtës atdhedashëse shqiptare-europiane nga e cila [pas]ardhësit e tyre kanë marrë bazat e kulturës personale

      1. Mbi te gjitha, c’fare lloj tradicionalisti paskesh qene Esati kur ishte ai, si anetar i Parlamentit jeteshkurter Osman, i dha urdherin e abdikimit Sulltan Abdulhamidit II?

  2. Kujtimi u tret
    Dëshira u zbeh…
    E lodhur tashmë mbi shkresa
    e pafuqishme ndihet dhe Besa.

    Manushaqja e fishkur
    Mimoza e tharë
    Gonxhja mezi mban lotët
    gati më të qarë.

    Luani i shtrirë,
    Guximi ka shterur…
    Trimi s’është më ai që dikur qe…
    Lumi i ngrirë
    Dashi si i therur
    O grip i qelbur që njeri në këmbë nuk le…

  3. Kur Sofia, Beogradi dhe Athina kishin universitete qe para pushtimit otoman, ti jetoje shpellave te dragobise, or lum miku.

    1. George, nëse vazhdon me komente të tilla provokuese, do të detyrohem të të fut në listën e zezë. Këto që thua ti, e kanë vendin në ndonjë kapanon ushtrie, ose e shumta, në ndonjë tavernë porti. Këtu e tjerrim ndryshe muhabetin.

  4. Po jo mo nuk paraqitet kaq ekstreme situata edhe pse taverna porti nuk patem njehere. Thuajse te gjithe oficeret britanike te derguar ne vendin tone gjate Luftes se Dyte Boterore (ngaqe kujtonin se luftohej ketu – apo luftohej vertet!) ne kujtimet e tyre nenvizojne: Shqiperia, universiteti i vertete i jetes sime. Dhe ishin thuasje te gjithe me diploma edhe nga Oxford-i. Dua te them qe nga nje pikepamje shpella nuk te le pamesuar, ose me sakte nuk e ka fajin ajo. Pastaj ne kuader te diskutimit qe behet ketu, argumenti historik i Xhorxhos bie; mes malesoreve tane nuk ka per be asnje emer qe te lidhet me realitetin gjeografik. Nga kjo pikepamje nuk jane shpellare autoktone, por bujtes alpine qe me shqiponjen ne mendje si totem japin te dhena per panballkanizmin e arkeomitit te Dedalit. Padyshim qe duhet te kete ndonje migrim nga Kreta, ngjashmerite jane te dukshme.

  5. OK, xhaxha.

    Por ne qe jetojme ne Shqiperi, na ndajne te pakten dy kultura, per te cilen rezervat e mija te propagandes se “Harmonise Fetare” (ketu nuk dua tja filloj me dy luftra civile, 1944 dhe 1998) bien poshte, per aq kohe sa shumica nuk respekton pakicen, e cila, si gjithmone, pasqyron ndjenjat evropiane te krishterimit.

    1. Çështja është më e thjeshtë (dhe më banale) se kaq. Këtë hapësirë komentesh e moderoj unë, dhe nuk dua që të degradojë në debate rreth pseudo-çështjesh, të cilat i gjen, pa vështirësi, në çdo qenef të internetit shqip.

      1. Ne fakt, zoteri, tipa si George apo Serbi, jane te destinuar te pjellin nje debat shterpe. Nuk di ç’te flasesh me njerez qe jo vetem qe nuk ndihen shqiptare, dhe ketu ska asgje te keqe, mund te lindesh e te jetosh ne Shqiperi dhe prape te ndihesh si gabonez, por edhe kane zgjedhur rrugen me te pacipe te mundshme, dmth peshtyrjen e gjithçkaje ku ata jane lindur dhe rritur. Me sa di une, askush prej nesh nuk eshte lindur ne Greqi dhe shkuar ne forume greke per te llomotitur ç’ti vije per mbare kunder Grekeve. Une per vete jam ne France, nuk jam lindur ketu, dhe prapeseprape nuk e bej kurre ate gje qe te hedh vrer kunder francezeve. Mund te kritikoj ndonje gje qe s’shkon, jam qytetar i ketij vendi dhe ia paguaj taksat, por kurrsesi me nje ligesi “gratuite”.

        Po keshtu, do te doja qe edhe keta dy persona, George dhe Serbi, si qytetare te Shqiperise, ku jane lindur dhe rritur dhe hasur po te njejtat probleme me nje shqiptar çfaredo, mund te diskutojne si njerez, te vene ne pah qe çfare s’shkon ne vendin e TYRE, ose perndryshe, nese nuk e shohin Shqiperine si vendin e tyre, le te shporren nga jane e nga s’jane dhe qe andej t’i shajne Shqiptaret me kuç e me maç, dhe mundesisht jo ne gjuhen tone. Gjerat jane te qarta : ne ketu jemi te gjithe qytetare te Shqiperise, jemi te lidhur nepermjet nje toke, nje sistemi qendror dhe do t’i sherbejme ketij vendi. Nuk ka rendesi ç’origjine etnike ke, je shqiptar, grek, rumun apo turk. E rendesishme eshte qe te gjithe te bejme pjese ne nje projekt te perbashket, te permiresojme jeten tone ne kete vend dhe jo gjekundi tjeter. Nese dikush nuk ka kete lloj ndjenje dhe nuk e sheh si detyre qe te ndihmoje per çuarjen perpara te ketij vendi, me vjen keq por ai duhet te mbartet me gjithe lecka dhe te kerkoje nje vend ku t’i doje dhe ta duan. Nuk kemi nevoje per mazohiste qe rrine ne nje vend qe s’e duan. Une e dua Francen, prandaj rri. Te kisha qene ne nje vend si keta tipat ne Shqiperi qe e kane kaq inatr, une do kisha ikur qe me nate. Duhet pasur aq dinjitet qe te mos rrish ne nje vend ku ty s’te lidh asgje, ku i bie vize edhe vendit ku je lindur e rritur, thjesht per shkak te ndonje politike te mbrapshte. Kaq kisha, dhe sinqerisht qe debati po pengohet tmerresisht nga njerez te tille. Tungatjeta.

        1. Ja si e shoh unë këtë punë, ehe… Blogu im është i tëri i konceptuar si kritikë e çështjeve shqiptare; por kjo nuk është kritikë në kuptimin primitiv, stalinist, enverist të fjalës; por një kritikë që kërkon të kuptojë nëpërmjet analizës, duke ndarë shapin nga sheqeri dhe gjepurat nga shkëndijat e intelektit.

          Si autor, unë e shoh veten pjesë e kësaj çështjeje dhe e kësaj kulture, me të mirat dhe të këqijat e veta; madje edhe objekt i së njëjtës kritikë që ua drejtoj të tjerëve.

          Për fat të keq, ka edhe njerëz që shqiptarët si të tillë, dhe sidomos të organizuar rreth shqiptarisë, nuk i durojnë dot, i kanë halë në sy, u prishin gjakun, u nxjerrin gjumin. Mua këta njerëz nuk më interesojnë, por atyre blogu im u intereson – sepse e shohin si një mundësi që, duke përfituar nga respekti im për mendimin “kundra” dhe lirinë e fjalës, të ekspozojnë përçmimin e tyre.

          Ata e përdorin publikun tim dhe frymën kritike të shkrimeve të mia dhe të kolegëve të mi, për të udhëtuar, si të thuash, “pa biletë.”

          Në vështrim të parë, duket sikur kritikën time ata e përdorin për të konfirmuar tezat e tyre; madje ndoshta shpresojnë edhe që, duke u shfaqur në blog, të më tjetërsojnë nga të gjithë ata të tjerët, të cilët nuk e honepsin dot përçmimin e tyre për gjithçka shqiptare.

          Është operacion vetvetiu i hollë; meqë dihet se, një kulturë aq e pjekur, sa të pranojë diskursin haptazi kritik brenda vetes, është e tillë që do t’i shtyjë vetvetiu në skaj diskurset e urrejtjes, si të këtyre. Prandaj, këta gjithnjë kanë nevojë për një organizëm mikpritës, ku të parazitojnë.

          Më ka ndodhur edhe herë të tjera, që kur kanë dashur të polemizojnë me mua, më kanë thënë se tezat e tua i kanë rimarrë serbët ose grekët; ose gjëra të ngjashme. Prandaj edhe e quajta operacionin të hollë – meqë ai vepron si censurë e dyfishtë. Nga një anë, nuk më lejon mua të çoj përpara një lloj diskursi kritik, të cilin ata duan ta trajtojnë si pronë të tyre, madje si terren ku të shumëzohen; nga ana tjetër, duke iu shoqëruar këtij diskursi kritik, e bëjnë këtë të pashijshëm për atë pjesë të publikut që ka alergji prej tyre.

          Siç e ka thënë Kisinger-i, edhe paranojakët kanë armiq; prandaj edhe shqiptarët, si komb, i kanë armiqtë e tyre, pavarësisht nga çilimillëqet e lëvizjeve të tyre kombëtariste. Po të isha unë armik i shqiptarëve, një gjë që do t’ua dëshiroja, do të ishte që ta mbanin diskursin e tyre publik në nivelet primitive ku është sot, d.m.th. të zhveshur nga kritika dhe nga guximi për t’u ballafaquar me çdo të vërtetë “të amshuar”. Përndryshe, do t’u ikte nga duart argumenti se shqiptarët janë primitivë dhe të pagdhendur, prandaj me ta nuk mund të merresh dot vesh, përveçse duke i disiplinuar.

          1. një kulturë aq e pjekur, sa të pranojë diskursin haptazi kritik brenda vetes, është e tillë që do t’i shtyjë vetvetiu në skaj diskurset e urrejtjes

            Ne fakt edhe diskurset e ketyre te ‘skajshmeve’ na mesojne disa gjera qe nuk do ti dinim me pare. Nga O.J une mesoj shume detaje historike interesante (per mua) per njerez qe historiografia shqiptare nuk i prek me dore.

            Gjithashtu mesoj se ‘skajshmeria’ e tij financohet nga Brukseli ne nje kohe qe modeli i Brukselit: multi-kulti kapitalizem po deshton. Tani nuk na mbetet te zgjedhim mes fashizmave te preferuar: islamist, nacionalist, neo-feudalist (sistemi i tanishem i sundimit te korporatave). Ket nacional-fashizmin po e quan Maoist, duket qarte qe nac-is-min nuk e preferon. Ka mbetur ndonje model tjeter pervec neo-feudalizmit?

  6. Muhabeti i emertimeve ilire ndnj here merr trajta qesharake.
    P.sh. Ne Durres, emrin Teuta e ka klubi i futbollit ( ish Lokomotiva), qyteti ka statuje te Teutes, dhe pergjithesisht kur nje shqipo normal, i edukuar me mesimet e ndritura te mediave sportive, kur degjon Teuta, i shkon mendja tek Durresi.
    Realisht Teuta, mbretereshe e ilireve deshi t’a pushtoje Durresin, i cili kishte bere aleance me republiken e Romes per t’u mbrojtur nga keta ilire. Kercenimi qe Teuta i beri Durresit ishte shkaku kryesor i luftes I iliro-romake, qe nisi zinxhirin e ngjarjeve qe e çoi per lesh shtetin ilir.
    Pra Teuta nuk e shkeli kurre qytetin, nuk e qeverisi kurre ate, nuk foli kurre gjuhen e atij qyteti.

  7. Jam dakort me parafolsin per Teuten por me thoni nje germe ne gjuhen shqipe qe e thote Teuta dhe une ta pranoj. Mund te jete ne latinishten e vjeter (ilirishto romake) por edhe kete nuk e gjej gjekundi. Renojat e Durrahut jane bizantine dhe kete e di kush vizion themelet prane amfiteatrit te Durrahut qe eshte afer pishines se vjeter te Durresit.

  8. Duket sikur autorit i vjen keq qe nuk paskemi pasur mundesi te adhuronim emrat Faslli apo Xhejms, sikunder para dhe pas emrave historike.

    Shqiperia ka pasur nenkultura te ndryshme, te cilat vazhdimisht largoheshin nga njera-tjetra, se pari per arsye fetare. Largimi i emrave te krishtere katolike e ortodokse(ne mesjete ishin kudo njesoj) deshmon edhe largim kulturor, po keshtu hyrja e emrave islamike largon serisht nenkulturat nga njera-tjetra dhe nga ai ‘continuum’ i perbashket.
    E njejta gje ndodh edhe me dialektet, keto priren te largohen derisa sikunder dihet mund te krijojne nje identitet specifik e te quhen gjuhe te ndryshme, psh gjuha e Buzukut eshte shume me afer toskerishtes sesa gjuha e Fishtes, nderkaq hollandishtja edhe pse mund te quhet dialekt gjerman ka fituar statusin e gjuhes me vete dhe hollandezet te kombit me vete.

    Fati i madh qe ne shek 19 doli ne skene nacionalizmi, jo vetem per shtetin, por per krijimin e nje kulture kombetare si shprehje e atij continuum-i historik te perbashket, duke asgjesuar elementet e huaja qe shkaktonin largimin e nenkulturave nga ky continuum.
    Konsolidimi i kultures kombetare ishte nje hap i natyrshem i shtetit te Shqiperise, ku nje nga operacionet e suksesshme ishte edhe vendosja e emrave te nxjerre nga librat e historise.

    Largimi nga keto emra eshte hap kunder kultures kombetare dhe rifillimi i proçesit te largimit te nenkulturave nga ky ‘coontinuum’ historik shqiptar.

    Kjo tregon qe shqiptaret jane ende aguridhe dhe nuk e meritojne nje kulture kombetare, ku di dhia ç’eshte tagjia.

    Natyrisht shteti do kryeje detyrat kulturore qe i kane dhene themeluesit e vet, nuk ka si te jete ndryshe, veçse shteti nuk mjafton, kultura kombetare nuk mund te zhvillohet pa njerez qe udhehiqen ne veprimtarine e tyre krijuese prej frymes kombetare dhe keta shteti nuk i krijon dot, mund ti ndihmoje apo pengoje, por s’i krijon dot. Keta krijohen ne mjedise ku çmohen vlerat kombetare dhe meqe keto mjedise jane te rralle e ndonjehere te mykur, duket normale qe kultura shqiptare atrofizohet.

    Nuk mjafton kombesia shqiptare per te qene pjese e kultures kombetare, eshte fryma kombetare ajo qe e percakton, Kristoforidhi shqiptar nuk ishte ama dukej si i perzgjedhur prej frymes, nje mister ne vetvete kjo dukuri.

    Sigurisht, nuk pret kush kontribut ne kulturen kombetare kur lexon kesi gjerash si te kjo teme, po kjo dihet.

    1. Shkruan:

      Duket sikur autorit i vjen keq qe nuk paskemi pasur mundesi te adhuronim emrat Faslli apo Xhejms, sikunder para dhe pas emrave historike.

      Aspak. Nëse ka një gjë që më vjen keq, është që, brenda pesë shekujsh, arbërit dhe pastaj shqiptarët kaluan nga Zef e Zaharia në Faslli dhe Mehmet, dhe pastaj në Flamur dhe Shkëlqim, dhe pastaj në Albert e Robert, dhe pastaj në Etrit dhe Epikad, dhe pastaj në Kevin dhe Dejvid…

      Substanca e këtyre emrave nuk më intereson aq sa fakti i ndërrimit, ndërrimit, ndërrimit.

      Ti, Hyllin, i ke të skajshme pikëpamjet. Natyrisht, janë të tuat dhe t’i gëzosh; por ki parasysh se ato pikëpamje që ke, të duhet t’i mbrosh me zell të madh, sepse janë – për mendimin tim – të pambrojtshme; pra, t’i mbrosh dhe t’i arsyetosh, jo t’i marrësh për premisa dhe fakte të mirëqena, dhe të ndërtosh mbi to argumente, ose, sipas rastit, pretenca prej prokurori dylekësh.

      Akrobacitë logjike i ke të qepura me penj të bardhë.

      Për mendimin tim, janë njerëz si ti që e kanë shkatërruar kombëtarizmin; sepse këta njerëz gjithnjë kanë kujtuar se zelli i tyre dhe përgjërimi i tyre ndaj çdo gjëje ‘fjesht’ shqiptare, do t’ua përligjte dëshirat e çuditshme dhe voluntarizmin deri në kufi të debilitetit mendor.

      Janë këta njerëz që futën, në kulturën shqiptare, idenë se edhe gjërat më themelore mund të ndërrohen; të frymëzuar, në thelb, edhe nga ndërrimi i fesë që kishin bërë disa shqiptarë. Arsyetimi i tyre (i fshehtë): derisa ne ishim dje të krishterë dhe sot u bëmë myslimanë, pse të mos e vazhdojmë ndërrimin dhe të bëhemi ‘fjesht’ shqiptarë, madje edhe më tej, të bëhemi ilirë dhe pelazgë?

      Atëherë të tjerët thanë: po, të ndërrohemi vërtet, por jo ilirë dhe pelazgë; por europianë.

      Dhe të tjerë akoma: jo europianë, por sovjetikë…

      E kështu me radhë.

      Ndërrimi u shndërrua në metodë të preferuar, për të treguar dhe provuar se një ideologji e caktuar ishte përqafuar tashmë.

      E njëjta dukuri, edhe në leksik, edhe në antroponimi; dhe tani duan ta shtrijnë edhe në toponomastikë.

      Ideja është revolucionare në vetvete; ka diçka bolshevike aty, madje edhe diçka nga gardistët e kuq në Kinë; ose shpresa se, me yrysh dhe dëshirë të mirë, mund të transformohet gjithçka.

      Një farë maoizmi kombëtarist, do ta kisha quajtur.

      Ti ke kohë që refuzon të kuptosh se, që nga momenti kur ndërrimi vjen e pranohet si operacion kulturor i natyrshëm, atëherë vetvetiu gjithçka i ekspozohet ndërrimit, në pajtim me prirjen kulturore dhe ideologjike të momentit – dhe kjo është katastrofë.

      Kombëtaristët shpresuan se vetëm ata do të ishin në gjendje të kryenin “ndërrime”; duke i dhënë vetes privilegjin e një kaste priftërinjsh të cilin, në fakt, shumë të tjerë nuk ua njohën.

      Rezultati ishte, dhe është, kjo katrahurë që kemi sot, ku gjithsekush që kërkon të imponohet në lëmin ideologjik ose edhe kulturor, e fillon duke ndërmarrë një fushatë ndërrimesh dhe spastrimesh, mundësisht të përhershme.

      Aferim, do t’ju thoshte “turku” (i maktheve tuaja). Aferim!

  9. Unë gjithnjë kisha një rezistencë që më dukej krejt e natyrshme ndaj trendit të ri të ndërrimit të emrave. Kejsi, Eshli, Brandon etj… ngjajnë të tejhuazuar ndaj kulturës shqiptare. Po ky rrugëtim historik i ndërrimit të emrave, bën sens në mënyrën sesi shpjegohet, fatkeqësisht….

  10. shikoni emrat e studenteve te diplomuar per juridik kete vit,,,,disa prej tyre mare nga shtypi yne. kjo tregon qe brezi i trete, vecanerisht te lindur pas viteve 90, eshte tamam sic e trajton XHAXHAI.

    Enis Mahmutaj, Auron Myslymaj, Olta Braceri, Ina Kalemaj, Olsi Mecollari, Rea Demiraj, Genta Hasanaj, etj,,, Pra te bije ne sy kalimi i emrave moderne, por mbetet ne mbiemer faktori muhamedan ose sunit.

    do te doja nje shpjegim nga ………ehe……per kete shpikje te bukur. Mos kjo levizje revolucionare na e ben me “te lehte” futjen ne BE, apo eshte nje budallallek i radhes?

  11. Me vjen keq, po atehere nuk i ke idete e qarta, kjo nuk ben, kjo tjetra nuk ben, as kjo nuk ben, kaq di te thuash.
    Kritike bente edhe Konica dikur, mengjes-dreke-darke vetem kritike dinte, por ama ai e kishte nje ideal qe mbronte, jo ide te shkartisura, qe se bashku duken si pantallona me arna ose me mire arna si pantallona, po u be nje vrime hajde se i veme arne arnes, sipas parimit shty te shtyjme.

    Pastaj mos te t’vije habi qe si shoqeri civile, keto qe hecin me shty te shtyjme kane deshtuar e lere pastaj si ndikim politik qe ka qene gjithnje zero e bisht.

    Jemi shqiptare sepse ekziston nje continuum historik i dallueshem prej te tjereve, me dallime qofte esenciale e qofte formale, nacionalizmi ka si detyre mbrojtjen dhe zhvillimin e ketij continuum-i, normal qe ç’bie ndesh me mbrojtjen dhe zhvillimin duhet te asgjesohet.

    E thene ndryshe, nacionalizmi nuk e percepton veten, thjesht e vetem si ‘levizje’ politiko-kulturore, por si vendosesi i fateve te njerezimit per mijera vjet, natyrisht nepermjet themeleve te shtetit dhe te kultures. Nuk eshte ‘levizje’ diçka qe leviz, por njekohesisht pikenisje dhe pikemberritje.

    Aq me teper ne Shqiperine Kulturore ai eshte Alfa dhe Omega, ne ate politike ka qene vetem Alfa.

    Nuk ka pse te vije inat per prerogativen e nderrimit, atij i eshte dhene kjo prerogative per nje kohe te pacaktuar, ka shnderruar boten ne dy shekujt e fundit, si ne kulture ashtu edhe politike, ne Shqiperi s’na ka dhene vetem Rilindas, Nol e Konice, por edhe Cabej,Kadare dhe çdo figure te njohur ne nivel nderkombetar.

    Parimin kombetar e ke ne themel te çdo shteti ekzistues dhe te sistemit nderkombetar ekzistues, keshtu qe e ka deshmuar veten per aftesine e madhe ne proçeset e ‘nderrimit’.

    Ne Shqiperine e sotme eshte i vetmi qe mund ti rivendose pikat mbi i, sidomos ne politike e kulture, ta nxjerre nga ky batak, pikerisht per prerogativen e ndryshimeve, prerogative qe e kane shfrytezuar edhe Stalini, Maoja dhe Enveri kur u nevojitej.

    Ketu perplasen dy mendime te kunderta, ku vetem njeri ofron pervojen e duhur, te provuar historikisht, se di ta nxjerre gomarin nga balta.

    Tjetri ku ben pjese edhe ti hecen me parimin shty te shtyjme, provojme kete, provojme ate, sikur do vije Fryma e Shenjte dhe do i rregulloje gjerat.

    Tani si i thone folet, hengret, provuat per 20 vjet, nje verre ne uje bete ne çdo aspekt, politike,kulture,shoqeri civile etj, keq e me keq eshte bere, pse nuk beni menjane e te hapni rrugen ?

    Ti vete, kur ke bere menjane ne ate qe ke, blogun, kujt ia ke hapur rrugen, te vetedeklaruarve komuniste dhe se fundmi islamikeve.
    Cfare po sponsorizon keshtu, mendimin kritik apo 2 modele qe na kane marre me qafe historikisht ?

    Pse duke sponsorizuar 2 modele te deshtuar e negative dhe te tendin eksperimental, mendon se tagri i ndryshimeve te takon (apo i takon rrymes qe ne kete blog e jo vetem, perfaqeson) ?

    p.s AK-ja e parafinuar e me çiliminj e shiko sa vizibilitet qe ka marre mediatikisht, po te ishte e rafinuar dhe me burra (e gra), ku do ishte ?

    1. Shkruan:

      Ti vete, kur ke bere menjane ne ate qe ke, blogun, kujt ia ke hapur rrugen, te vetedeklaruarve komuniste dhe se fundmi islamikeve.
      Cfare po sponsorizon keshtu, mendimin kritik apo 2 modele qe na kane marre me qafe historikisht ?

      Po flet si çobani i dhive, tani.

      Unë nuk kam vetëm blogun – sikurse ti e di. Blogu është një nga shumë gjërat që kam – dhe i integruar në veprimtarinë time si autor librash, artikujsh dhe shkrimesh gjithfarësh.

      Veç kësaj, në blog shkruajnë njerëz të ndryshëm; të cilët nuk është se unë i përzgjedh nga biografia intelektuale që kanë. Ajo që thua ti do të kishte ndonjë farë vlere, sikur unë të të kisha kthyer ty mbrapsht ndonjë shkrim – por kjo nuk ka ndodhur. Përkundrazi, ti ke qenë nga më të pranishmit këtu, në komentet (sepse ashtu ke preferuar, jo se të kam vendosur unë aty).

      Njerëzit kanë gjëra për të thënë: islamikët, komunistët, fashistët, nacionalistët, racistët… të gjithë. Le t’i thonë. Mirë se t’i thonë. Disa prej tyre më mirë t’i thonë, sesa t’i vënë në jetë. Unë nuk kam frikë nga fjala e lirë; madje edhe kur nuk pajtohem me të, ose kur i bie ndesh botëkuptimit tim.

      Duhet të jesh bigot nga natyra, që të mos e kuptosh këtë dhe të habitesh (ose indinjohesh) si dikush mund ta respektojë tjetrin dhe t’i bëjë vend në tryezë, edhe pse nuk pajtohet me asgjë nga ato që thotë tjetri.

      Shkruan:

      Tani si i thone folet, hengret, provuat per 20 vjet, nje verre ne uje bete ne çdo aspekt, politike,kulture,shoqeri civile etj, keq e me keq eshte bere, pse nuk beni menjane e te hapni rrugen ?

      Këto thuaja Salë Berishës, o njeri, jo mua. Brezi im iku ku sytë këmbët, nga Shqipëria.

  12. Nuk ka se si të mos jem dakord me Hyllinin.
    Jo vetëm për atë nacionalizmin tim (të sëmurë), por edhe sepse sot, nacionalizmi, në mungesë të ideollogjive dhe fallimentimit të sistemeve të ndryshme ekonomike të eksperimentuar deri më tani, ngelet e vetmja alternativë e qëndrueshme për të luajtur rolin e strumbullarit apo të katalizatorit për grumbullimin e njerëzve për përballimin e problemeve të përbashkëta… qofshin këto të gjeopolitikës raionale, por pse jo, dhe ato ekonomike.

    1. Po ç’politikë nacionale të pretendosh aty o Edrus? Shqipëria është një bashkësi njerëzish që nuk e ka kapërcyer akoma stadin e klaneve.

      Nacionalizëm në Shqipëri = klani më i madh, ose klanet më të mëdha të njerëzve, do e shalojnë nacionalizmin si kalë, e do pretendojnë se mbrojnë “interesat e kombit”, duke shtytur para interesat e veta të ngushta.

      Nacionalizëm në Shqipëri do të thotë lënia e thikës në dorë një grupi njerëzish, për të përndjekur të tjerët.

  13. xhaxhai,
    Te kisha degjuar une ketu ca teza antishqiptare, une do t’i lexoja deri ne fund, dhe qe besa ! do t’i kisha thene dy fjale, me aq sa di. Por çfare shoh une ketu ? Shoh palaço qe vijne e hedhin jo nje teze (se kjo dy kryqe per t’u hedhur, sepse do mbeshtetur e rrahur nga te gjitha anet), por hedhin nje fjali te tipit shqiptaret jane trapa. Teze eshte kjo ? C’kundershtim teze mund te behet ketu ? Asgje. Thjesht ua thashe nja dy fjale tipave, dhe s’kam pse merrem me me to. Le te merret kush ka nge, per veten time, njerez te tille s’do te kishin puthur ketu. Me siguri qe do te mendosh se edhe une jam bllokuar disa here, pikerisht ketu. Shume bukur, ashtu e keni menduar, ashtu e keni bere. Dhe s’jam marre as me sulme faqesh e as me sharje nenash. Kam menduar se kjo eshte politika juaj redaktoriale, qe te mos lejoni asnje kritike, qofte dhe therese apo ironike kundrejt emrave tuaj TE PERVECEM. Megjithese jam i bindur se nuk jam nisur asnjehere per qellime te liga, porse thjesht kam qene zhgenjyer nga argumentimet qe prisja te shihja, une s’kam kapercyer asnjehere ne fyerje kolektive te tipit Greket keshtu e Vllehet ashtu, sepse s’eshte kjo ajo ku une bazohem.
    Por sidoqofte, une thjesht dhashe nje mendim qe prania e ketyre lloj postimesh haptas antigjithçkaje qe ka nje perlyerje shqiptare, pa piken e argumentit, pa piken e zberthimit, eshte thjesht nje ligesi, ne mos nje perllogaritje e stermenduar tjeterkund.
    _______

    Te kthehemi tek emrat. Ajo qe me shqeteson mua, dhe qe po behet vertet problematike, eshte se une shoh tek disa nje alergji te tejskajshme sa here qe nje shqiptar perdor fjalen komb, kombetar, kombetarist. Nuk e kuptoj kete alergji, kete frike. Siç e kam thene shpesh, dhe ne raste te tjera, nuk eshte fjala ajo qe permban rrezikun, por eshte kuptimi qe i japim asaj. Nese dikush permend fjalen komb, atehere ne duhet ta degjojme se çfare mendon ai te beje me kete fjale, ç’rrotullim i jep, ç’pamje paraqet, dhe vetem ne fund i thuhet se qasja jote e kombit eshte e rrezikshme per kete apo ate arsye. Por te kercehet pupthi, si ne gjemba, sa here qe degjohet fjala komb, me duket vertet diçka qesharake dhe sharlatane.

    Lexoj lloj–lloj budalliqesh ne facebook, psh, mbi flamurin e kuq qe u shpalos ne stadium per ndeshjen kete apo ate. Lexoj qe ata tifoze jane llumi i shqiptareve, dhe pernjehere na perplaset fytyres thenia e sterstersterperseritur deri ne neveritje, nacionalizmi eshte streha e fundit e maskarenjve. Ne fakt, po t’i pyesesh keta tipa qe e perdorin kete thenie, ata as qe do te dine te pergjigjen mbi kuptimin e fjales komb, kombetar apo tjeter. Thjesht, per nje arsye X apo Y, te vagullt dhe te pasqaruar asnjehere, shprehet nje neveri me gjithçka qe ka te beje me nje flamur, nje himn, apo nje kenge trimerie apo ç’te jete tjeter. Ka ardhur koha, besoj, qe te dilet nga kjo llogore koti sepse askush nuk eshte duke sulmuar askend, dhe ka mundesi qe keta njerez te jetojne shume me mire po t’i heqin keto fantazma nacionalizmash. Une e kam thene edhe tjeterkund, nacionalizmi shqiptar, eshte me te vertete nje shprehje per te qeshur, sepse kur sjell ndermend broshurat dhe qitapet e Serbise apo greqise, me plane te plota e te hollesishme mbi pushtimin apo zhdukjen e ketij apo atij fqinji, them me vete se keta njerez qe i friken kesaj fjale, duhet te jene duke jetuar ne nje planet tjeter.

    Nese nuk ju ka rene rasti te vini ne France dhe ta degjoni fjalen « nation », ne TV e nga goja e presidentit apo kryeministrit apo nje francezi çfaredo, atehere mire eshte qe te mos flitet pa lidhje. Nuk ka vend europian qe te mos e perdor fjalen « nation », asnje ! Edhe demokracite me te zhvilluara e perdorin. Problemi eshte si e perdorin. Nese Bullgaret jane ngritur keto dite per te shkaterruar romet e vet, ketu kemi te bejme me nje problem te rende nacionalizmi, dhe pikerisht ketu duhet perqendruar vemendja. Po ashtu ne Hungari, po ashtu ne Rumani, e po ashtu gjithashtu ne France, me nje politike te acaruar djathtiste (si pasoje e disa rrymave ne partine republikane, jo te gjithe). Po ne Shqiperi, çfare ka ndodhur ? Kush mund te me sjelle ketu revolta popullore per te djegur nje kamp rom, per te masakruar nje fshat gollobordas, per te perzene nje mehalle greke, per te internuar dhjete vllehe thjesht ngaqe jane vllehe ? Nese ndonjeri di gje nga keto, le t’i sjelle dhe do te jem vete i pari qe do te shkruaj se ky eshte nje turp per kombin shqiptar.

    Ju lutem, me me shume pergjegjesi, e me me shume lidhje diskutimet, sepse kushedi, mbase ndonje na lexon dhe frymezohet nga ky apo ai. Tungatjeta.

  14. ehe..
    Perpara se te jesh shqiptar, duhet te jesh nje qytetar i lindur ne hapesiren shqiperi, qe ka per nene dhe babe origjinen e gjuhes dhe te fese, qe ka nje komunitet nga vjen me identitet, dhe qe ka nje shkolle dhe prone, pastaj vjen nocioni shtetas shqiptar. Pra ju kaloni shkallet nga zero tek dhjeta dhe i pergjithesoni te gjithe shqiptare. Nuk duhet te jem domosdoshmerisht ashtu sic mendoni ju…shqiptare.por shtetas shqiptare sepse keshtu eshte perfshire gjithe hapsira ballkanike.
    Sa per shqiperine dhe si e njohin madje tek ju ne france, ju lutem lexoni gazeten me te madhe ne evrope le monde, dhe ti kthehemi diskutimit. Por kam frike se ju te mergates (jo per xhaxhain) ju ka lene hija e komunizmit pas dhe pse jetoni ne boten e lire, kerkoni ende te mbani ne frena shoqerine e burgosur shqiptare. Se mos do te me thuash eshte etdhe ky antishqiptar:::

    What borders for Albania?
    by Jean-Arnault Dérens

    http://mondediplo.com/2008/02/11albania

  15. Se mos do te me thuash eshte etdhe ky antishqiptar

    Artikulli i Derens-it hapet me shprehjen e famshme qe i atribuohet Bismarck-ut. Ne fakt eshte e njejta shprehje qe eshte perdorur nga brezi para Bismarck-ut, me specficikisht prej Meternik-ut Austro-Hungarez. Shprehja Meternikut ishte verbatim e njejta, vecse bente fjale per Italine.
    Kjo shprehje, per mua, eshte simptome e nje mendimi imperial kontinental, ku nuk shihet dot pylli mes pemeve. Nga kjo simptome vuan edhe ti. Interesantja eshte si do t’ia veme emrin semundjes tani qe e morem vesh simptomen. Dmth si ka mundesi qe evidentohet kjo simptome tek ti kur Imperatoria (veri cilin emer te duash), ka 100 vjet qe nuk ezkiston me, as ‘milete’ nuk ka me..vec ne dac ti ringjallesh por be nuk te len njeri. Jo pa rezistence te pakten.

  16. Lexova sot ne Shekulli Xhaxhain, per debatin Topi- Topalli. nje nate me pare. Por nuk mund te arrij te kuptoj se perse me kaq mjeshteri Xhaxhai, nuk e thote hapur duke mos kapur thelbin e debatit, per te cilen me te drejte Lubonja, i prishi Fevziut emisionin “Debat” “Topalli ka dashur te ngreje ne nje shkalle me lart katolitket perpara muslumaneve” u shpreh Lubonja qe debati degjeneroi me militantet e PD. Pra Xhaxha, ky eshte thelbi i debatit dhe jo divergjencat gjuhesore dhe krahinore shqiptare. Ceshtja eshte tek roli i Topit ne Aleancen Kuq e Zi, per te cilen mesa duket Topalli nuk eshte dakort me Berishen qe te perfaqesohen ndjenjat kombetare, nekupto nacionalistet shqiptare (dum baben) te shekullit te 21, me musulmanet ekstremiste nen ndjenjen e flamurit kombetar, per te cilen neser, Topi do te krijonte parti politike dhe do te garonte perkrahe Berishes ne zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Rjedhimist vjen debati: kush e sabotoi Censusin, kur katoliket ishin te interesuar te zhvillonin censusin, orthodokset “indiferente” dhe komuniteti musulman me AKZ, kercenojne ende se nuk do ta njohin rezultatin e censusit (lexo P. Zogaj ne Shekulli)? pra, te gjitha kane nje rjedhoje, perplasjen religioze, qe kane per protagoniste hajken e pushteteve ne shqiperi,

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin