PUSHTO PANDËSHKUESHMËRINË

Occupy Wall Street (OWS), një lëvizje studentash që po bëhet disa javë që tashmë ka marrë momentum, përpara se të jetë lëvizje politike, me një manifesto politik, apo program ekonomik, si ç‘kërkojnë që të jetë masmediat dhe interesat e korporatave që këto masmedia përfaqojnë, është në rradhë të parë një lëvizje etike.

Të shqetësuar nga pandëshkueshmëria që gëzon një elitë ekonomike globale, kjo masë njerëzish ka vendosur të zaptojë sheshet publike në formën e mosbindjes civile, dhe pa nevojën e ndonjë udhëheqësi, apo ndonjë platforme politike, kanë vendosur që nuk do të thyhen deri sa për gabimet e papërgjeshme dhe tafmane e këtij ekzekutivi ekonomik barra as mos t’i hidhet sistemit në total, e rrjedhimisht të gjithëve, dhe as asaj shumice që nuk bën pjesë në këtë elitë.

Është interesant se si një lëvizjeje të cilës i mjafton koncepti i drejtpërdrejtë dhe etik i mosbindjes civile për t’u organizuar, i kërkohet që të organizohet rreth një formule politike. E megjithatë, OWS janë përballur me një kërkesë për kërkesa. Thuhet se ata duhet të kishin një manifesto, një platformë, një zëdhënës politik, dhe çdo gjë e imagjinueshme që e bën etikën të pamundur duke e politizuar.

Ky dallim mes etikës dhe politikës është bërë shumë i vështirë për t’u kuptuar, sepse historikisht është pritur që nga lëvizje të tilla të dali një platformë politike, e majtë… e djathtë… me vizionin përkatës ekonomik apo politik që kjo nënkupton, me liderin e vet, i cili ose bëhet martir, ose bëhet hero, etj, etj. E vërteta është se beteja në arenën e etikës është shumë më e vështirë për t’u fituar se sa beteja në arenën e politikës.

Por edhe ta zëmë se do ketë një program ekonomik apo një platformë politike, gjë që për mendimin tim duhet përjashtuar me çdo kusht. Një ndër elementet më shqetësuese në këtë pikë mbetet se etika në ekonominë politike është sakrifikuar për një konsistencë matematikore dhe një totalitarianizëm sistematik, pa të cilat ekonomia politike nuk u konsideroka as shkencë.

Kështu psh, thuhet se përllogaritjet sistematike të frymëzuara nga Shkolla e Çikagos, përbëjnë edhe fjalën e fundit të shkencës së ekonomisë politike, ndërkohë që përllogaritje të tjera, që nga Marksi, e deri tek NeoKeynesianë si Krugman, qenkan provuar gabim.

Interesant në këtë këndvështrim është fakti se midis politikës (dhe derivateve të saj si ekonomia politike) dhe shkencës, nuk bëhet dallim. Për një brez më i moshuar se i imi, ky këndvështrim duhet të tingëllojë i njohur, pasi edhe në periudhën e regjimit komunist, mësohej, në mos gaboj, se metoda marksiste ishte metodë shkencore.

Mirëpo problemi mbetet se konsistenca matematike dhe totaliteti sistematik nuk janë vështirë të adoptohen, apo edhe të ndërtohen. Kështu psh, Brower, matematicien dhe meta-matematicien, babai i intuicionizmit në filozofinë e matematikës mendohet të ketë ndërtuar disa sisteme matematike të ndryshme nga sistemi klasik, me konsistencë të përsosur. Ndërkohë që me një vizion edhe më të gjerë, Gëdel ka vërtetuar se matematika jo vetëm që edhe mund të konsiderohet, edhe jo, system i mbyllur, por se matematika nuk mund të kompletohet kurrë.

Në arenën e politikës ekonomike, po ashtu konsistenca dhe totalitarianizmi janë provuar shumë të kollajshme. Keynesianizmi, psh, tepër fleksibël për të mos u konsideruar konsistent dhe njëkohësisht totalitar, ka dhënë rezultate, ku ndër më të spikaturit është programi i adoptuar nga presidenti Roosevelt, programi New Deal, i cili shërbeu për të dalë nga Depresioni i Madh.

Por problemi, historikisht, qëndron në faktin se këto rezultate i atribuohen subsidimit të luftës, dhe jo subsidimit të nevojave shoqërore. Ndërkohë, në të njëjtën frymë historike, nuk duhet neglizhuar fakti se kriza në të cilën ndodhemi ka ngjallur pikërisht edhe këtë shqetësim ndër protestuesit e OWS: duke qënë se kriza ka marrë përmasa globale të ngjashme me Depresionin e Madh gjatë periudhës mes dy luftrave botërore, nuk është larg mendsh që një mentalitet tafmaje i ushqyer dhe i simbolizuar nga Wall Street dhe lobimi i fortë që kanë korporatat e mëdha, të na çojë drejt një katastrofe të re si zgjidhje ndaj krizës.

Është fakt që ekzekutivi në mbarë botën nuk ka dhënë ndonjë shpresë se krizën nuk ka ndërmend ta trajtojë si nyje gordiane. Bankat u kanë marrë shtëpinë atyre familjeve me kredi të keqe; Greqisë i kërkohet të falimentojë; në vend të durimit dhe bujarisë aplikohen, globalisht, austerity measures, masa të rrepta; këto masa të rrepta mbeten vetëm barrë të asaj 99% pjese të popullatës që nuk është pjesë e elitës ekonomike; ndërkohë që kjo elite prej 1% gëzon pandëshkueshmëri.

Për këtë arsye, edhe lëvizja OWS është shpërhapur dhe nuk është fokusuar vetëm tek Wall Street, por është drejtuar edhe në Washington DC ku ndodhet zemra e sistemit politik amerikan, dhe nuk do të habitesha sikur të e njëjta lëvizje të përpiqej të zaptonte edhe zyrat e IMF-së, BB-së, selinë e EU-së në Bruksel, kryeministrinë e Berishës, etj, etj.

Gjithsesi, problemi nuk është thjesht e majtë… e djathtë… Duke filluar që më parë të fitojë terren, por që pas 68-es, e më pas me rënien e bllokut lindor, një ndër këto sisteme politiko ekonomike që meritën ia atribuojnë konsitencës dhe aplikimit sistematik në total, ideologjia neoliberale, është shndërruar në një hegjemoni të padiskutueshme globale, e aplikuar ne daç nga e ashtuquajtura e majtë, ne daç nga e ashtuquajtura e djathtë.

Në Shqipëri e kemi parë me çekun e bardhë (tabula rasa) dhe terapinë e shokut të Pashkos. Diku tjetër e kemi parë me “shock&awe” të ndjekur nga programe ekonomike të modeluara nga Chicago Boys si dhe nga një menaxhim i konfliktit. (Për më shumë lexo Shock Doctrine, Naomi Klein).

Ndërkohë është interesante që po të degjosh Albin Kurtin, dhe ka shumë të drejtë, do të të thotë se në vend të zgjidhjes së krizave është implentuar në rang ndërkombëtar doktrina e manaxhimit të tyre. Pra ekziston një mentalitet ku zgjidhja e krizave konsiderohet në modalitetin e pamundësisë, dhe gjithë ç’mund të arrihet është menaxhimi i tyre.

E vërteta është që OWS dhe fryma që po përhap është përgatitur për një luftë të llahtarshme në termat e mosbindjes civile, në rradhë të parë, pikërisht kundër mentalitetit ku krizat përbëjnë oportunitet menaxhimi dhe policy-making për shoqërinë civile, filantropinë, korporatat, internacionalet monetare, forcat paqeruajtëse, etj, etj. Pra beteja kryesore është në rradhë të parë në mentalitet, etike. Në terma kantiane, zgjidhja e krizave nuk është e pamundur, prandaj dhe duhet të zgjidhen.

Dikush mund ta quajë idealizëm këtë, ëndërr utopike, por imagjinoni që jemi njerëz dhe kemi humbur njerëzillëkun. Nuk është moralizëm dy leksh ky që flas, pasi konkretisht, sot-për-sot, me vendim të Supreme Court, për turp e faqja e zezë në gjithë historinë e Supreme Court, konsiderohen njësoj njeri e me të drejtat e njeriut po aq korporatat sa dhe vetë njeriu. POR… jo me të njëjtat detyrime.

Prandaj duhet pasur parasysh që beteja politike, përfshi këtu edhe votën e mundshme për një platformë apo manifesto politiko-ekonomike, është vetëm në plan të dytë në krahasim me këtë betejë etike.

Gjithsesi, po të kihet parasysh që një program ekonomik nuk duhet ta sakrifikojë etikën, në pergjithësi, një platformë e tillë është e skicuar në vija të trasha nga vetë fakti që protesta ekziston: tejkalo ekonominë neoliberale, pasi është aplikimi i kësaj ekonomie që nuk mund të bëjë pa prodhimin e krizave.

Shumë njerëz ngatërrohen nga Marksizmi në këtë pikë, gjë që nuk do të thotë se Marksi nuk ka vlera. Ajo që nuk ka vlerë është se kapitalizmi… komunizmi… janë vetëshkatërrues. Dallimi në të tilla terma duhet t’i përkasë historisë dhe jo aktualitetit; ajo që është vetshkatërruese është mentaliteti vetëshkatërrues se kapitalizmi, apo komunizmi, si platforma politiko-ekonomike, janë fundi i historisë, dhe çdo gjë tjetër regres.

Është e vërtetë që konflikti mes 1%-shit dhe 99%-shit do mbesë një e vërtetë universale, por ajo që është e rëndësishme është se duhet rimenduar një fleksibilitet dhe përgjegjshmëri më e madhe nga ana e 1%-shit ekzekutiv në raport me 99%-shin, përndryshe konflikti nuk do zgjidhet kurrë, por thjesht sa do menaxhohet deri sa të shpërthejë sërish.

Duke e thënë me terminologjinë e OWS se artikulli i mësipërm “nuk është detyrimisht as listë konsistente në vetvete dhe as e kompletuar” shtoj se guidat për zgjidhjen e këtij konflikti, në mos ekzistojne, janë të mundshme. Nuk ka nevojë për ndonjë manifesto politike apo program ekonomik të detajuar, hë për hë. Duhet në rradhë të parë vullneti për të mos iu shmangur zgjidhjes së krizave duke ushqyer kriza. Ajo që duhet shmangur, madje ndëshkuar, është ideja se bastet e elitës ekonomike në favor të bumit ekonomik të pakontrolluar përbëkan progres, a më keq, kontrollim krizash.

Nuk ka komente

  1. Por edhe ta zëmë se do ketë një program ekonomik apo një platformë politike, gjë që për mendimin tim duhet përjashtuar me çdo kusht

    Ne befshin gafe qe te dalin me platforme politike e kerkesa ekonomike, kjo levizje do marre fund. Do i rruajne e do i qethin si dele, nderkohe qe duhet te jene ujq.

    1. E qarte. Ashtu sic thosh edhe Krugman dje, keta jane si Tea Party movement vetem se inatin e kane ndaj njerezve te duhur. Ama a nuk ka qene (dhe eshte) pergjegjesi e ‘enderruesve’ te thone se si e duan boten nese nuk ju pelqen keshtu si eshte. Sfida me e madhe nuk eshte e dites se revolucionit por e dites me pas. Shikoni rastin e Egjiptit psh.

  2. Me duket se fjala ” krize” po merr kuptimin e mirefillte te antikitetit grek “gjykim”…Dhe kjo dynja e tashme po vuan me shume per “gjykim e ndeshkim”…

  3. Ketu duhet te dale ne rend te pare roli i shtetit si rregullator…….Ne vendet me pak neoliberale, ku shteti ka nje rol rregullator te mirepercaktuar, pasojat e krizes, nuk jane shkakore, po pasoje e atij sistemi zinxhir financiar global, dhe ne ato vende ku neoliberalizmi, ka marre prioritet, efektet e krizes, jane me te medha…

    P.S. Lul, a ja vlen ne te vertete kaq pathos…?

    1. Alidems, nuk e kuptoj per c’pathos e ke fjalen kur ne fakt une po flas me ethos? Kaq fuqishem me paska deshtuar argumenti mbi ethosin sa qe ty t’u duk pathos? Plus mos harro qe pathosi perben nje pjese te mire te industrise financiare, si dhe te cdo mendimi te ekonomise politike, qe nga fantazmat e Marksit, animal spirits te Keyenes, e deri tek reagimet irracionale te turmes te N-L, pathos me termat e te cilit duhet angazhuar, jo detyrimisht per ta shfarosur, pasi kjo do ishte e pamundur, por per ta vene para pergjegjesise ne sherbim te drejtesise, te vertetes, etj, shkurt per ta bere me etik.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin