KOPJA ZHGËNJEN

Para dy-tre ditësh, një vandal dëmtoi një prej statujave të shatërvanit Fontana del Moro, në Piazza Navona, në Romë.

Shatërvani është i zbukuruar me statuja nga artistë të ndryshëm; nga këto u dëmtua një vepër minore e Antonio Marit, e gdhendur vitin në 1651, sipas një boceti të Gian Lorenzo Bernini-t.

Si të thuash. Në fakt, vepra e dëmtuar është kopje e vonë e origjinalit, i cili ruhet në kopshtet e Villa Borghese, përsëri në Romë.

Kam pasur fatin të kaloj shumë herë afër atij shatërvani, një nga më të bukurit e Romës baroke; dhe nuk kam dyshuar se po shihja një vepër origjinale, jo kopjen e saj.

Jo se ekspozimi i kopjes ka qenë mbajtur i fshehtë; por thjesht ngaqë kam supozuar se një ikonë e Caput Mundi, si Piazza Navona, nuk mund të tolerojë idenë e kopjes.

Natyrisht, nuk do të isha në gjendje të dalloja origjinalin nga kopja; këtë edhe kritikët e artit e kanë të vështirë, sidomos kur kopjet janë realizuar mirë.

Megjithatë, nuk di nëse do të kisha provuar të njëjtën ndjenjë të sublimes, sikur ta kisha ditur se statujat që po admiroja ishin kopje statujash të tjera, të cilat ruheshin diku tutje, larg syve të turistëve dhe egërsisë së elementeve.

Praktika është e njohur, meqë ekspozimi publik i veprave origjinale, sidomos kur këto janë shumë të çmuara, vjen me kosto të mëdha financiare dhe kulturore.

Ndonjëherë edhe vetë muzeumet i zëvendësojnë origjinalet me kopje, për të kursyer kostot e sistemeve të sigurisë.

Sikur të më thoshin sot, bie fjala, se të gjitha veprat e artit të ekspozuara në MOMA-n e New York-ut ose në Metropolitan Museum janë kopje, të ekzekutuara diku në Kinë ose në Vietnam, të origjinaleve që ruhen në kasaforta të sigurta shtatë pash nën dhé, do të ndihesha i zhgënjyer, por nuk do të habitesha shumë.

Megjithatë, vështirë se do të shkoja më në ato muzeume.

Çfarë do të ndodhte me Louvre-in në Paris, sikur të zbulohej se La Gioconda e Da Vinci-t atje nuk është veçse një kopje e vonë, e një origjinali që ruhet diku gjetiu?

E megjithatë, asnjë nga të gjithë vizitorët që do të skandalizoheshin nga ky zëvendësim nuk do të kish qenë në gjendje të dallonte origjinalin nga një kopje e realizuar në mënyrë profesionale.

Ka një element besimi të verbër, në raportin tonë me artin vizual, të cilin nuk ia faturon dot vetëm snobizmit.

Para pak muajsh, në mjediset e Time Warner Center në New York, u ekspozuan falas një numër i madh skulpturash nga Salvador Dalí. Meqë këto skulptura më ngjajtën menjëherë me modele 3-D figurash të njohura në pikturat e këtij artisti, u bëra kurioz dhe kërkova të informohem më tej; dhe ky artikull m’i konfirmoi dyshimet.

Në fakt, ka shumë gjasa që Dalí-ja veç t’i ketë “miratuar” këto vepra, përkundrejt pagesash në cash; çka nuk duhet të habitë kënd, po të kemi parasysh se ky piktor i madh por njeri i vogël ka pasë shitur mijëra fletë të bardha me firmën e vet; mbi të cilat të tjerët kanë vizatuar ose pikturuar çfarë kanë dashur.

Time Warner Center gjendet në një zonë të New York-ut ku më qëllon të shkoj shpesh; aty ka pasur një librari të madhe Borders (që sapo u mbyll) dhe një dyqan ushqimesh Whole Foods. Pasi ia dhashë vetes zhgënjimin e radhës, me statujat e Dalisë, kam kaluar mes tyre me dhjetëra herë, duke i shpërfillur, si të ishin pallto ose vazo prej qelqi. T’i nderoja më tepër, do të më dukej sikur po i jepja kënaqësi një mashtrimi të fshehur diku.

Kopjet e statujave në Piazza Navona dhe statujat e Dalí-së që shiteshin $50,000 copa në zemër të New York-ut janë dy gjëra të ndryshme; por i bashkon magjia e autentikes dhe të papërsëritshmes, pa të cilën veprat e artit e humbin vlerën dhe shndërrohen në objekte të çfarëdoshme.

Përndryshe, kopje të statujave dhe të shatërvaneve sot mund t’i bëjë kushdo; dhe t’i vendosë në kopshtin e vilës së vet. Në Las Vegas kanë kopjuar deri edhe Kullën Eiffel dhe Harkun e Triumfit; por këto kopje janë groteske, të zhurmshme, pothuajse lozonjare, në absurditetin e tyre. Një shatërvan i Piazza Navona-s i rindërtuar, bie fjala, në një park të Tiranës, do të tërhiqte vëmendjen si kitsch, por nuk do të lëndonte kënd. Përkundrazi, një kopje e një vepre arti atje ku ti pret të shohësh origjinalin vret.

Shoqja ime, me të cilën po e diskutoja këtë mbrëmë, më tha se ndoshta veprat e artit klasik të ekspozuara në publik nuk janë në gjendje ta përballojnë “përjetësinë” me të cilën i kemi nderuar; në kuptimin që Bernini, i cili ka lënë gjurmë më shumë se kushdo tjetër në Romën baroke, nuk kishte menduar për fatin e këtyre veprave në Romën e shekullit XXI, shirat acide, vibracionet dhe blozën e trafikut. Që këtej, jemi të detyruar t’i mbrojmë origjinalet, duke i zëvendësuar me kopje, ose duke i fshehur prej publikut, ose arsyes së vlerës së tyre.

Ka një logjikë, në këtë mes; por edhe një ironi të madhe. Shumë prej nesh tërhiqen pas veprave të tilla edhe ngaqë ato janë modele unike dhe të miratuara ikonash kulturore; ose vende imagjinare pelegrinazhi për njeriun modern në kërkim të sublimes. Vetëm ideja se këto modele mund të përfundojnë të hequra nga qarkullimi, për t’u zëvendësuar me kopje të përsosura, do të mjaftonte për të na prerë gjunjët.

Sa për drejtorët e muzeumeve të provincës, të cilët duan të kursejnë sa të munden, duke i zëvendësuar pikturat e tyre të vyera me kopje të tyre, këta ndoshta do të bënin mirë të instalonin aty pranë edhe kopje të sistemeve të sigurisë: kamera që nuk xhirojnë asgjë, lazerë që janë në fakt lodra fëmijësh, sensorë ornamentalë në muret. Vizitorët e mësuar tashmë me “teatrin e sigurisë” në aeroportet, do të bindeshin ashtu se po përjetonin diçka të mirëfilltë dhe gjenuine, pse të lakmuar nga e keqja.

Nuk ka komente

  1. Kjo po me kujton kur ne galerine e arteve te Tiranes u hap nje ekspozite me piktura te Gogenit (Gauguin), me duket ne vitin 1989. Ekspozita u reklamua jashtezakonisht shume nga TV shqiptar. Si shume te tjere u vura edhe une ne rradhe per ta pare. Kur hyra brenda ç’te shoh, televizioni kishte harruar te permendte nje detaj te “vogel”, pikturat jo vetem qe s’ishin origjinale, por as kopje s’ishin. Ne fakt ishin pllakate te printuara te fotove te pikturave. Me e bukura ishte se disa shoke te mij e kishin pare kete ekspozite para meje por asnjeri s’ishte kujtuar te ma thoshte kete detaj. Ne teori duhet te isha teper i lumtur se vetem pak vite me pare as mund te imagjinohej te shikoheshin veprat e Gogenit haptazi ne Tirane, por ne fakt u ndjeva i zhgenjyer. Me dukej vetja si te “Hak Fini” kur duka u mbush mendjen gjysmes se qytetit qe kishin pare shfaqjen e tij skandaloze ne teater te mos u tregonin gjysmes tjeter qe ta shikonin edhe ata shfaqjen naten tjeter.

  2. Mr. Bean ka nje film pikerisht per kete teme. Pse i jepet rendesi kaq e madhe origjinalit? Pse harxhohet miliona dollare per te “pronesuar” nje original? A thua te krenohemi se pame origjinalin per t’u afruar sado pak ne talentin brilliant te piktorit, apo per t’iu afruar pak me shume historise, gje qe na ben edhe ne qe soditem nje veper arti, nje sekond te pavdekshem, duke iu bashkuar origjinalitetit, historise, pavdekesise? A thua te jete kaq e ceket deshira per te pasur me domosdo origjinalin, apo thjesht pse duam te prekim vertetesine?
    Mona Lisa e Da Vincit eshte po aq e zbehte dhe shprehese sa edhe origjinali, por eshte vetem nje kopje e cila, nuk mundet dot te me beje mua te ndjehem pjese e historise sikurse po te sodisja per disa minuta origjinalin; e mendoni sikur ta beja dot “timen”, sa pafundesisht krenar dhe jo i zhgenjyer do te isha. Ne fund te fundit cfare jemi nje flick ne univers pse edhe mos te shijojme pavdekesine qofte edhe duke mos e “pronesuar”, por vetem duke e vizituar.

  3. mendoj se “dashuria” e tepruar qe kemi per origjinalin ka te beje me faktin se arti i drejtohet pjeses sone irracionale dhe jo logjikes se ftohte.
    Nqs do te ishte logjika e ftohte ajo qe e pelqente artin, askush nuk do te paguante psh 4 mije leke( te reja ) per te pare ne koncert Deep Purple-t e lodhur 6o e fiu vjecare por do t’i shihte falas ne youtube ne ditet e tyre me te mira dhe cdo qejfli i piktures do te kishte ne shtepi si postera gjithe xhevahiret e piktures boterore me nje cilesi pamore te pakten po aq te mire sa origjinali.

  4. Ne shpetim te kopjes po sjell imitimin (tolero leximin si kopje).
    Qe ne hapat e pare ne jete njeriu imiton. Permes imitimit mesojme, dhe behemi individ. Edhe kur mendojme se jemi individ te pamvarur, prap imitojme. Pothuaj se cdo gje shkon permes imitimit. Jemi pothuajse adoptuar plotesisht me imitimin, perderisa nuk zhgenjehemi ne masen qe ndodh me kopjen ne art, vecanerisht ne ate figurativ. Pasi kur shohim kopjim ne letersi, shoh te jet adoptuar qendrimi me ate te imitimit, po ashtu edhe ne muzike apo dram dhe koreografi. Pra kopja e nji skulpture, apo pikture, nga qe eshte figure-objekt = konkret merret me seriozisht apo literally dhe jo si edhe ne cdo rast te siperpermendur ne lidhje me imitimin apo edhe fushat e tjera te artit vec figurativit.
    Kur fillon te studiosh ne artet figurative, kopjon, qe te mesosh prej modeleve te arrira. Ky kopjim jo vetem qe nuk na zhgenjen por na motivin, ashtu si duhet te jet cdo gje e cila sherben ne kohen dhe vendin e duhur.

    Nuk kam ndonji spjegim me te qart per kojen qe zhgenjen, perderisa te pranohet edhe per origjinalin qe genjen.

    1. Kopja e marrë për origjinalin gënjen. Madje edhe pa dashur. Po aq pa dashur sa edhe një planet në qiellin e natës, që të paditurit mund t’i duket si yll.

      1. “Kopja e marrë për origjinalin gënjen”.

        (vezhguesi)E marre si origjinal (kopja) genjenjen, dhe jo kopja. “Madje pa dashur”
        Po aq pa dashur sa edhe një planet në qiellin e natës, që (të paditurit?) – (padijes) mund t’i duket si yll.

        Pra nuk eshte i paditur ai qe ngaterron dicka per nje tjeter, por padija e tij – eshte edhe i pa ditur, po ashtu edhe me kopjen; ajo nuk genjen, dikush genjehet. Si te thuash qe planeti ne qiell genjen qe cfaqet si yll, dhe jo vezhguesi qe arrin te shoh vetem yll e jo planet.

  5. Kjo teme me kujton filmin e regjisorit iranian Abbas Kiarostami, “Copie Conforme” vitin e kaluar, ku ne disa linja jepet ideja se cdo riprodhim i origjinalit eshte nje krijim me vete, prandaj autenticiteti i vepres nuk ka shume kuptim te diskutohet…

  6. “Sa për drejtorët e muzeumeve të provincës, të cilët duan të kursejnë sa të munden, duke i zëvendësuar pikturat e tyre të vyera me kopje të tyre, këta ndoshta do të bënin mirë të instalonin aty pranë edhe kopje të sistemeve të sigurisë: kamera që nuk xhirojnë asgjë, lazerë që janë në fakt lodra fëmijësh, sensorë ornamentalë në muret. Vizitorët e mësuar tashmë me “teatrin e sigurisë” në aeroportet, do të bindeshin ashtu se po përjetonin diçka të mirëfilltë dhe gjenuine, pse të lakmuar nga e keqja.”

    Gorgeous!!!

    Gjithsesi, debati kopje/origjinal, meriton te shtrihet me gjere. Duhet shtrire ne nje plan ontologjik pertej planit etik. Tek e fundit, vepra e demtuar e Antonio Marit eshte kopje e nje boceti te Berninit, dhe boceti i Berninit kopje e artit romak, dhe arti romak kopje e artit grek, dhe arti grek kopje e kopjes sipas Platonit. Ne kete aspekt, pretendimi i origjinalitetit prej artit eshte zhgenjyes qe ne thelb, pasi gjithe cfare arti mund te ofroje, eshte kopje, qofte edhe kopje e vetvetes, apo kopje e ndonje forme te kulluar platonike.

    Diskutimi mund dhe duhet te shtrihet gjithashtu ne nje plan historik pertej planit etik. Periudha moderniste ne pergjithesi, dhe rryma konceptualiste ne vecanti, duket se jane me te sinqerta ne kete drejtim se sa arti klasik. Nderkohe qe sot mund te vleresohet pikerisht sinqeriteti ne lidhje me faktin qe nje pune arti eshte nje kopje, per sa i perket artit klasik, duket se ende pranojme te perjetojme iluzionin e origjinalitetit.

    Qe te kthehemi serish ne plan etik, zhgenjimi nuk vjen vetem per shkak te faktit se keto jane kopje te nje origjinali te shitura si te tilla, kjo eshte vetem maja e ajsbergut, por per shkak te faktit se origjinaliteti pretendohet si mundesi e provuar historikisht. Ne lidhje me kete te fundit, rimarrim pervojen e skulpturave te Salvador Dalit. Bej hesap Xhaxha, sikur ne vend te nje ekspozite me pune te Dalit, te shkoje te shikoje nje ekspozite me pune te Sol LeWitt, me qe ra llafi tek konceptualizmi. Asnje prej puneve te ekspozuara nuk do ishte origjinale ne kuptimin e origjinalitetit te dhene prej teje me lart. Gjithe cfare Sol LeWitt jep eshte ideja dhe udhezimet per realizimin e kesaj ideje. Ashtu si Dali qe nder te tjera paska komisionuar “kanavace” te bardha me emrin e tij, gjithe praktika e Sol LeWitt mund te permblidhet me komisionimin e “kanavaceve” te tilla. E megjithate, nuk besoj se do zhgenjeheshe nga ekspozita e LeWitt, sa qenke zhgenjyer nga ekspozita me skulptura te Dalit. Ndoshta serish nuk do ia hidhje syte puneve te ekspozuara, por kjo nuk do te perbente problem per LeWitt, pasi qellimi i tij eshte pikerisht qe te mos i hedhim syte tek arti si objekt material me gjithe atributet qe ky materialitet permban, perfshi edhe faktin qe eshte prodhuar nga dora e nje mjeshtri te vertete, dhe jo mjeshtri fallco, por qe t’i hedhim syte tek ideja qe meton te percillet. Dallimi qendron ne faktin se LeWitt ishte i hapur ne lidhje me kete praktike, ky ishte lloji i artit qe bente. Shiko cfare dua te them dhe besoj se ka rendesi dallimi: Nuk zhgenjehemi atehere kur nuk pretendohet origjinaliteti, pasi origjinaliteti eshte gjithsesi i paqene, gje qe nuk perkthehet detyrimisht ne zhgenjim kur ky origjinalitet pretendohet.

    1. Nuk bindem për sa shkruan më lart.

      Arti barok mund të ketë qenë kopje e artit romak dhe ky i fundit kopje e artit grek, por kjo nuk ka lidhje me raportin midis origjinalit dhe kopjes. Le të mos i ngatërrojmë gjërat. Unë mund të bëj një zhgarravinë në kanavacë; por ajo zhgarravinë është origjinale imja, ndërsa çdo kopje që mund t’i bëhet nuk është origjinali, por kopje e origjinalit. Po të mos kish origjinal, nuk do të kishte as kopje.

      Një çështje e tretë është se pse, në artet vizuale, origjinali ka qenë vlerësuar më shumë se kopja. Them “ka qenë”, sepse ky diskurs nuk ka vlerë në rastin e videove, fotografive ose artit konceptual që përmend ti (edhe pse Sol LeWitt nuk unë e njoh). Por nuk mund ta mohosh se, së paku me disa vepra, fetishizimi i origjinalit ekziston; madje jo vetëm ekziston, por mbi të është ngritur e gjithë ekonomia (për të mos thënë financa) e kulturës artistike bashkëkohore, së paku në lëmin vizual.

      Tani, nëse arti konceptual synon, në thelb, ta shndërrojë pikturën dhe skulpturën në një formë si të thuash letërsie, për këtë nuk e kanë fajin Da Vinci dhe Dali-ja.

      1. Eshte e vertete qe kam ngaterruar dy kuptime te origjinalitetit dhe te kopjes. Por e kam bere me qellim, pasi besoj se jane kuptime te ngaterruara qe ne thelb. Prandaj dhe thashe qe diskutimi duhet shtrire me gjere. Fetishizmi i origjinalit ekziston, dhe i perket pikerisht artit klasik, ku edhe kembengulim “te perjetojme iluzionin e origjinalitetit.” Por ne thelb, ky origjinalitet mbetet iluzion te cilin vete artistet klasik e ushqyen po aq sa e vune ne dukje nepermjet perfeksionimit te teknikave e rrjedhimisht persosmerise se kopjeve.

  7. Nuk zhgenjen kopja, por menyra se si shihet cdo gje. Pra shikuesi vetzhgenjehet. Nuk ka vend te shkarkosh zhgenjimin tek kopja.

    Natyrisht origjinali egziston. I/E tille eshte cdo gje qe shohim dhe degjojme, ndjejme, dhe fantazojme/mendojme. Niveli i te komunikuarit/kuptuarit eshte i ndryshem per leximin/kuptimin e cdo gjeje per te gjitha palet njelloj pjesmarrese te teatrit njerzor.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin