DEGA HISTORI-GJEOGRAFI

Ka qenë zakoni, në Shqipëri, që degët e historisë dhe të gjeografisë në studimet e larta të shkriheshin në një histori-gjeografi, që të krijonte iluzionin se historia dhe gjeografia kishin mes tyre diçka thelbësisht të përbashkët.

Ndoshta ky zakon vazhdon edhe sot e kësaj dite; edhe pse nuk ka ndonjë arsye që historia t’i bashkëlidhet gjeografisë, as gjeografia historisë.

Iluzioni ka krijuar dhe vazhdon të krijojë perceptime të shtrembra në njerëzit dhe në mënyrën si këta e përjetojnë raportin e hapësirës me kohën. Për shumë nga ne, “Durrësi është një orë larg Tiranës” dhe “Durrësi është 40 km larg Tiranës” janë pohime të barasvlershme.

Shembulli nuk është aq trivial sa ç’mund të duket.

Një nga sfidat që i dalin përpara historianit është nëse do të merret me historinë e një populli apo me historinë e një trualli.

Jemi mësuar që ta pranojmë pa vërtetim se populli dhe trualli ku jeton ky popull janë të pandashëm.

Kjo mund të parafrazohet edhe kështu: jemi mësuar që ta themelojmë historinë në gjeografi, çka lidhet drejtpërdrejt me nocionin aq dramatik të autoktonisë.

I cili, nga ana e vet, i referohet, po aq drejtpërdrejt, nocionit pak qesharak të primatit, ose “ne erdhëm të parët.” Është i njëjti mekanizëm që rregullon radhën në një studio dentare ose te berberi.

Sa i përket Shqipërisë, kjo sot paraqitet si një entitet i përcaktuar mirë edhe gjeografikisht edhe politikisht; sikurse janë të përcaktuara mirë trojet e banuara nga shqiptarët në Ballkan.

Kombëtaristët ndonjëherë të tregojnë edhe harta të tjera, më të bukura, ku projektohen njohuritë e tyre për historinë dhe dëshirat e tyre, bie fjala, për Shqipërinë Natyrale.

Natyrisht, kjo krijon disa probleme për historianin. Për shembull, a duhet ta përfshijë ai Ohrin ose Janinën në një histori të shqiptarëve?

Përndryshe, Historia e Shqipërisë me përkufizim duhej të niste më 28 nëntor 1912; por në fakt nis që me paleolitin. Sa e drejtë është kjo mund ta diskutojmë, por që është e rreme duket sheshit.

Para asaj date, nuk ka pasur Shqipëri, por ka pasur shqiptarë; prandaj duhej të flisnim normalisht për Histori të shqiptarëve.

Problemi mbetet gjithsesi i hapur, meqë kjo histori e shqiptarëve nuk shtyhet dot më tutje në kohë se shekujt XVI-XVII, ose koha kur filloi të përdorej fjala shqiptar.

Më parë populli quhej arbër dhe vendi, ndoshta, Arbëri.

Paradoksalisht, të huajt nuk e kanë këtë problem: për ta, Albania si truall ose entitet gjeografik ka ekzistuar që në Mesjetë; së bashku me banorët e vet: albanët, albanenses, albanesi etj.

Gjithsesi, në të dy rastet, lidhja mes popujve dhe truallit përkatës merret si e mirëqenë, në formën “ne kemi qenë këtu.” Histori e gjeografi, një e të pandarë – ja një slogan imagjinar, për t’u shkruar në muret e akademisë kombëtariste.

Koncepti nuk është aspak naiv – meqë lidhet drejtpërdrejt, ndër të tjera, me nocionin e pushtimit, për të cilin kemi diskutuar aq gjatë. Çfarë pushtohet, në mos një truall i caktuar?

Ja, mbrëmë një koleg shkroi, ose na rikujtoi, se toponimet sllave në Shqipërinë e sotme janë pasojë ose mbeturinë e pushtimit sllav të këtyre trojeve në Mesjetë.

Pushtimit? Natyrisht, vetëm se sllavët ato troje ia morën Bizantit, nëse nuk gabohem. Kur ndeshen sllavët me bizantinët, për cilën palë jemi të lejuar të bëjmë tifozllëk?

Të tjerë flasin për pushtim romak të territoreve ilire, ndonjëherë duke tundur kokën me dhimbje. Ka ndonjë që e përfytyron Shqipërinë si gjithnjë të pushtuar; dhe shqiptarët si gjithnjë duke luftuar për liri. Ky vizion i bekuar prej fëmije nuk ka vend në tryezat e debateve.

Historiani profesionist nuk ka kohë të merret me fëmijë të kopshtit; por atij gjithnjë i duhet të vendosë nëse kërkimin e vet do ta bazojë në njësinë e truallit, apo të popullsisë?

Kështu, një historian që studion Epirin në mesjetë duhet t’u kushtojë vëmendje të gjithë popujve që kanë jetuar aty: arbërve, grekëve, vllehëve, sllavëve.

Legjitime është edhe të thuash: do të studioj arbërorët në Epir, gjatë shekujve XI-XV; vetëm se kjo kërkon zotësi të madhe, meqë të gjitha burimet për këta arbërorë janë të tërthorta, ose vijnë prej kulturash të tjera.

Dilema shkon shumë më thellë se kaq, duke prekur vetë natyrën indo-europiane të shqipes dhe të shqiptarëve. Si gjuhë, shqipja ka ardhur në Ballkan nga diku gjetiu; por të dhënat gjenetike i vendosin shqiptarët në trojet e sotme në Ballkan që para dyndjeve indo-europiane. Edhe një herë, gjeografia përplaset me historinë, në vend që të përkojë; sikurse përplaset kultura (gjuha) me biologjinë (genet). Ka shumë mundësi që gjuhët dhe popujt të mos kenë lëvizur në mënyrë të sinkronizuar; dhe që indo-europianizimi të ketë qenë më tepër një formë asimilimi.

Le të afrohemi sërish në kohë, për t’i hedhur një sy mënyrës si e perceptonin të parët tanë gjeografinë: a shihnin ata të njëjtin unitet truallsor në Shqipëri me këtë që shohim ne sot?

Arbëria e Skënderbeut linte jashtë pjesën më të madhe të Shqipërisë së Jugut; edhe pse emri Arbëri, si toponim, ka mbetur në përdorim në zonën e Vlorës. Arbëreshët e Italisë të thonë se e kanë atdheun e tyre në Moré. Pa folur pastaj që Muji dhe Halili vepronin në Jutbinë (në Kroacinë e sotme); ndërsa Shkodra del në këngët heroike serbe të Kraleviç Markut.

Shkodra del edhe te Rrethimi i Shkodrës i Barletit; kur i bën ballë heroikisht rrethimit osman, para se t’i dorëzohet fatalitetit, në 1478. Mirëpo kjo Shkodër i përkiste Venedikut, jo Arbërisë; madje Arbërisë nuk i kishte përkitur kurrë. Nëse flasim me të drejtë për pushtim osman të Arbërisë, do të flasim, me po aq të drejtë, për pushtim venedikas të Arbërisë?

Ose më mirë: çfarë ishte pikërisht ky bregdet arbëror, nëse qytetet kryesore të rripit bregdetar, ose ballinës detare (façade maritime), siç e quan Ducellier, i ka pasur tjetërkush në zotërim?

Pa folur pastaj që gjeografia e shqiptarit vetë, qoftë edhe vetëm para një shekulli, ka qenë tjetër. Gjirokastra jepte e merrte me Janinën, Shkodra me Sarajevën. Shqiptarët i bënte të tillë gjuha, jo gjeografia – e cila kishte logjikën e vet. Po të mendosh se Lidhja e Prizrenit erdhi vetëm 50 vjet pasi revolta e Sulit ishte shtypur mizorisht nga mercenarët mirditorë në shërbim të ushtrisë osmane, atëherë e kupton se ngjizja e Shqipërisë, siç e njohim ne sot, ka pasur në vete elementet e një mrekullie, të cilat mbijetojnë, në po këto trajta, edhe sot e kësaj dite.

Historianit që i duhet të përshkruajë, me ato mjete të pakta që disponon, gjenezën dhe ngjizjen e elementit arbër në Ballkan, i bie të vendosë e të zgjedhë midis njësisë truallsore dhe njësisë kulturore. Arbrit shfaqen në shekullin XI, mu te portat e Durrësit – një port kryesor i Bizantit të asaj kohe. Si ndodhi kjo? Dhe pse pikërisht në atë kohë? Pse nuk i përmend kush arbrit më parë, në një truall që del rëndom në kronikat dhe dokumentet e kohës?

Një lloj metodologjie do të ishte: të nisemi nga ky truall ku jetojmë sot, me këtë gjuhë dhe kulturë që kemi sot si shqiptarë, për t’u shtyrë mbrapa në kohë, aq sa të mundemi.

Kësisoj vepron gjuhëtari, të cilin dokumentet e shqipes së shkruar e çojnë deri në shekullin XV, ndërsa më mbrapa në kohë duhet të zbresë nëpërmjet rindërtimesh, dëshmish të tërthorta dhe arsyetimesh shpesh të ndërlikuara, të cilat themelohen të gjitha mbi huazimet.

Historiani e ka bagazhin më të rëndë; dhe atij gjithnjë i duhet të shohë tej për tej ballinave, për të kuptuar diçka për çfarë ka ndodhur. Nëse pastaj mund ta arrijë këtë, duke shmangur divorcin mes historisë dhe gjeografisë ose duke e mbajtur degën përkatëse të gjelbëruar, kjo mbetet për t’u parë.

Nuk ka komente

  1. Nemos gaboj ka pase qene fillimisht histori-filologji e ne pergjithesi bashkohen fakultetet per nevoja me teper administrative si mungese fondesh, mungese interesi e shtetit per specifikim, nevoja horizontale si mesuesia apo me thjesht ruajtja e know-how si perparesi ndaj zhvillimit, kerkimeve.

    Nga nje kerkim i shpejte me doli qe ekziston ne Verona
    – Laurea magistrale in Storia e geografia dell’Europa, ndersa ne Bolonja nje Dottorato in Storia:
    indirizzo Storia e geografia d’Europa.

    Kjo do te thote qe lidhja ekziston jashte nevojave te supozuara prej teje, natyrisht si nevoje e historise per gjeografine sesa e anasjellta, meqe gjeografia rron fare mire pa historine.

    Libri i pare historik mbahet ai i Herodotit dhe zakonisht kemi pershkrimin gjeografik, ate te dokeve dhe pastaj te ngjarjes se mirefillte historike. Ne fakt do ishte e pamundur te pershkruhej ta zeme fushata e Dariusit ne Skithi, sikur Herodoti te mos pershkruante lumenjte e kullotat stepore e zakonin nomad te skitheve qe u lejonte terheqje te vazhdueshme pa humbur shtepi e qytete.

    Pra pa njohur gjeografine fushata ne Skithi do rezultonte e pakuptueshme per lexuesin, prandaj edhe historianet e pare jane njefaresoj edhe gjeografet e pare, me vone kemi gjeografe te mirefillte.

    Persa i perket problemit ne kemi Histori te Shqiperise apo Histori te Shqiptareve, ketu kemi nje zgjidhje te nderthurur qe nuk kenaq askend po qe te gjithe e pranojne nga halli.

    Logjika ta do qe historia eshte gjithnje e njerezve, keshtu historia eshte e shqiptareve, e eterve, katragjysherve e katerdhjetagjysherve, duke e shtyre normalisht derisa zbulohen gjurme te te pareve.

    Problemi qe lind ketu, nuk eshte ai falso i shqiptareve qe shtyhen deri ne shek 17, se kjo supozon qe dhjetagjyshi im eshte tjeter ‘gje’ nga une, ne nje kohe qe ndryshimet e shpejta te shek 20, po qe per ndryshueshmeri, me bejne me te ndryshem nga gjyshi sesa ç’ishte gjyshi nga dhjetagjyshi im; problemi i vertete ketu eshte se se si do i trajtojme Qyprillinjte apo Mehmet Aliun e Egjiptit, keta kane qene shqiptare, tek historia e shqiptareve do hynin edhe keta, do u pershkruheshin bemat.

    Po keshtu nen zgjedhen e huaj, ku shqiptaret prodhojne 0 histori si do i behet, do injorohet fare nga tekstet ? E megjithate gjate atyre shekujve kane ndodhur ndryshime qe detyrimisht kushtezojne historine e mevonshme.

    Problem tjeter eshte se me histori zakonisht kuptohet historia politike, per nevojat e se ciles futen elemente te historise ekonomike e fetare dhe ne fakt nje tekst ku pjesen e luanit do e kishte historia ekonomike apo ajo fetare, nuk do terhiqte veç disa te apasionuar.

    Prandaj, ne mungese te ndonje polisi shqiptar i cili prodhon politike e histori politike, si mund te trajtojme dot historine e shqiptareve ?

    A kane te drejte ta zeme turqit per historine e Sulltanatit osman, a kane te drejte arabet per historine e Kalifatit te Abbasideve ?
    A kane te drejte mongolet per Khanatin e Timurlengut ?

    A kane te drejte frengjit per historine e mbreterise franke, kur franket ishin gjermane ? Po per perandorine e Karlit te Madh i cili e kish kryeqytetin ne Akuisgrana, qytet gjermanesh ne Gjermani ?

    A kane te drejte sllavet e Bullgarise per historine e Bullgarine parakristiane kur bullgaret ishin turq ?

    Historia eshte e mbushur me pikepyetje ngado te rrotullohesh dhe per kete nuk e kane fajin nacionalistet shqiptare.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin