“ARVANJIT E GREK TO IDHIO”

U jam perifano (krenar) që fljas arvanjitika” – tha Nikos nga Spata, 73 vjeç, i vetmi ndër 30 folës të intervistuar të gjuhës arvanitase, që nuk bëri shenjë nënvlerësuese ndaj gjuhës së vet të parë. Arvanitët e kanë palatalizuar ‘n’-në e emrit që përdoret për ta, dhe i thonë vetes ‘arvanjitë’ dhe gjuhës ‘arvanjitika’. Sido që ende janë shumë e gjenden kudo nëpër Greqi, së shpejti do ekzistojnë veç si përrallë ekzotike greke për shumëllojshmërinë e minorancave të dikurshme etnike në Greqi. Por ende janë aq shumë (sido që asnjë lloj statistike të saktë s’ka e s’mund të ketë për ta), sa shprehja ‘minorancë’ do duhej të ripërkufizohej në këtë rast. Së shpejti, do jenë një popullsi folëse e vdekur, një komunitet folës me zero pjesëtarë. Dhe duan pikërisht që të jenë kështu.

Rasti i arvanjitikas është shumë interesant: gjuha e folësve të fundit të saj është ende shumë e gjallë dhe e plotë. Por këta burra flokëbardhë, janë të fundit që kanë kompetencë në të. Sido që gjuhët normalisht vdesin në këmbë, nuk ndodh kurrë që në brezin e fundit folës, të jenë aq të mirëmbajtura sa arvanitika. Së paku, është kështu kur gjuhët nuk vdesin papritur. Kjo tregon se faktorë jo fort të parashikueshëm dhe as të kombinuar zakonshëm kanë ndikuar në bjerrjen “e papritur” të shqipes së arvanitëve.

Të them të drejtën nuk shqetësohem aspak nëse mendojnë se janë shqiptarë apo grekë. Arvanjitët, nga pikëpamja identitare, kanë arsyet dhe të drejtën e vet të ndihen grekë. Vetëm se gjuha dhe kultura që arvanitët bartin si gjuhë e mëmës, mund të ishte ruajtur. Si gjuhëtare më dhemb fort që ikën një gjuhë dhe kultura që ajo formëson. Më dhemb edhe se e kuptoj, dhe e di se ende bart shumë hijeshi e interes. Ky nuk është dëm vetëm lokal, por edhe universal. Është një nga rastet kur politika shtetërore për asimilim etnik ka qenë sa e suksesshme, aq edhe e turpshme.

***

Gruaja e ëmbël dhe energjike rreth të gjashtëdhjetave, mbante në dorë si ta kish pjesë trupi bishtin e shtupës larëse. Ecte, ulej, pinte ujë, e fjalosej me ne, me të në dorë : “Sapo bëmë krushqi e morëm një nuse në Korçë. Ka dalë e mirë, e urtë e shërben (‘shërben’ në kuptimin ‘punon’-ED) mirë.” Ah,- ndërhyra unë,- paskeni marrë nuse shqiptare… Jo tha plaka pa dashur të më kundërshtojë, por me bindjen që s’e kisha kuptuar tamam përse flitej: “është si na… arvanitase… nuk është shqiptare. Është nga Korça.”

Kjo bisedë bëhej kësaj vere në gjashtë e gjysmë të mëngjesit në një kafene greke në fshatin malor Kiriaki të Viotisë (Βοιωτία). E pyeta Katerinën kur e nga kishin ardhur. Më tha: na kemi qenë këtu përherë. I thashë se me siguri në fillim kishin ardhur nga Shqipëria… ndoshta shumë herët, ndoshta në Mesjetë. E pranoi pa e ditur e pa shumë kundërshtim periudhën dhe shekujt që i thoja unë. Por jo origjinën: “Jo, jo. Ne nuk kemi ardhur nga Shqipëria”. Po, si flisni arvanitika atëherë? – e pyeta. Më tha se nuk e dinte, por flisnin se kështu kish qenë gjithnjë zakoni në fshatin e tyre: flitej arvanjitika. E pyeta nëse ajo mendonte se ndoshta dikur shqipfolësit vazhdonin deri këtu? Më tha jo edhe për këtë. “Ka pasur grekë këndeja edhe para se Shqipëria të pushtonte Epirin e Veriut”.

Ndenja gjatë me Katerinën, një kushëri të saj rreth 70 vjeç, dhe nusen e saj. Nuk i kundërshtoja për idetë e tyre, se s’isha aty për këtë punë. Madje doja të dija tamam se si i mendonin gjërat. Por paksa edhe argëtohesha si formësonin pa vetëdije teza historike agresive, në mënyrën më paqësore e të pafajshme që mund të imagjinohej. Gjithashtu lehtësia me të cilën formuloheshin më sillte ndër mend bashkatdhetarët e mi që, po aq lehtësisht, i trajtojnë si teza hamendjet e veta apo pasojat e lavazhit ideologjik të trurit kombëtarist.

Të dy palëve na karakterizon mbi të gjitha mosinformimi dhe keqinformimi. Nga intervistat në 5 fshatra të ndryshëm, më rezulton se diskursi i grekëve të thjeshtë, përfshirë arvanjitët, bëhet më agresiv dhe antishqiptar, sa më shumë t’u afrohesh qendrave të mëdha të banimit. Padyshim që mllefi i vazhdueshëm që has ndër arvanitë për gjithçka që lidhet me Shqipërinë, lidhet me emigracionin e dendur të pas 90-ës dhe marrëdhëniet e komplikuara me të. Lart në mal tek Katerina, gjendja ishte më e qetë. “Punojnë e mbajnë familje. Ca të këqij që kishim, ikën”. Në rastet më të mira, shqiptarët tolerohen.

***

E kam më të lehtë të gjej burra arvanitika-folës sesa gra. Burrat i gjej nëpër kafenetë e pleqve në zona të caktuara që i gjurmoj dhe izoloj duke pyetur paraprakisht. Atje, arvanjitët pleq, për një dy-lekësh gjerbin kafenë për orë me radhë. Gratë e tyre nuk hyjnë nëpër këto kafene, dhe, shpesh, as nuk flasin fare arvanitika. Disa më thonë se ai pesë-vjetësh që i dallon në moshë, është mjaft për të ndarë ata që e mbajnë gjuhën, nga ata që e kanë humbur.

Shumica nuk më japin mundësinë t’ua takoj gratë. “Gratë nuku fljasën”. Vetëm në një rast munda të takoja me ndërmjetësi Kallomirën 93-vjeçare nga Spata. Një grua që kish bukurinë e një ballkanaseje plakë e të zgjuar, që ende qepte në makinë, bënte grep e qëndiste. E regjistrova audio për disa orë: një gjuhë e rrjedhshme, emocionale, e mbushur me figura. Nuk mund të bëhej më e gjallë se aq. Dëgjova edhe poezi e këngë të të atit dhe të asaj vetë. I kërkova ta filmoja. Dokumentimi me film do ishte gjuhësisht shumë më i fortë. Më bëri shenjën mohuese të Mesdheut jugor me kokën që ngrihet lart një herë: “Nuk më le djali”, më tha. Ia takova vajzën rreth 60 vjeçare. Ndërsa djalin, që vetë e kish humbur gjuhën, e që nuk e linte Kallomirën 93-vjeçaren të filmohej, nuk e takova dot.

Sa për burra të moshuar, ata i gjen ende. Është interesante që rrinë akoma në tufë dhe rrallë herë shoh jo-arvanitas mes tyre. Të krijojnë përshtypjen se në tufë edhe kanë lindur e janë rritur. Por kur i pyeta në Aspropirgos se si mundet që të gjithë në atë tavolinë të jenë arvanitë dhe jo grekë, m’u përgjigjën se nuk kuptuan se ç’thashë, se në fakt arvanjitë e grekë janë njëlloj. E kam provuar ta bëj pyetjen edhe në forma të tjera e në rrethana të tjera. Nga intervista bërë prej gjuhëtarësh të tjerë para fare pak dekadash, di që ky dallim ka qenë fare i qartë.

U tregova disa kallëzime të sociolinguistëve të ndryshëm si Hamp, Trudgill, Tzavaras dhe Tsitsipis, që thonë se arvanjitët janë trajtuar historikisht keq prej komuniteteve greke dhe prej institucioneve; pak a shumë si një racë pa asnjë vlerë. Madje kjo është arsyeja kryesore e çvlerësimit që i bëjnë ata vetë gjuhës e kulturës së vet të parë. Kjo i ngatërron pak. Këta burra vërtet nuk kanë asnjë ndjesi të të qenit kategori e mëvetësishme; besoj se nuk ndiejnë as mëvetësi më dytësore, brenda të qenit grek. Normalisht pakicat kanë kode të brendshme që edhe kur janë të diskriminuara dhe kanë humbur dinjitetin e grupit, prapë brenda tyre ndërtojnë diskurse superioriteti ndaj shumicës. Doja të provoja nëse edhe arvanjitët kishin diçka të tillë.

“Si janë arvanjitët? A janë të zgjuar? A janë të varfër? A janë të pasur? A janë dinakë? A janë komikë?” Aspropirgasit shkrihen dhe tundin kryet se u pëlqen t’i vendosësh në një kënd të veçantë vështrimi ku ata bëhen protagonistë për çfarëdo qoftë protagonizmi. Por sapo shton: “a janë më të zgjuar se grekët?”, të thonë “na jemi elina, na e grekët jemi to idhio”. Disa me të cilët u afrova më shumë i pyeta më pa formalitet e më afër se mos kish arsye të tjera politike përse më përgjigjeshin kështu. Më bindën se ishte përgjigje e sinqertë. Në fakt e besoj krejt se çfarëdo kufiri ndarës që i bënte arvanjitët të ndiheshin “ndryshe” vetëm pak dekada të shkuara, siç dëshmojnë shkencëtarët e përmendur më lart, është fshirë e zhdukur krejt nga vetëdija e këtyre folësve të fundit. E vërteta është që këta janë grekë që rastësisht kanë si gjuhë të parë shqipen. Dhe shumë prej tyre, as nuk duan ta kenë. Të tjerë kanë harruar se e kanë.

Pleqtë me të cilët jam ulur në kafenenë e Aspropirgosit më thonë se vijnë nga Hasaja. I pyeta ç’ishte. Më thanë “një fshat ku tutti fljasën arvanjitika.” (Pa tjetër për t’u parë në vizitën e ardhshme. Deri më sot e gjej gjuhën në brezin e fundit dhe, edhe këta vetë, e kanë ndërprerë totalisht përdorimin) Pastaj u vetëkorrigjuan: “nani i thonë Fili’ në greqisht, po në arvanjitika na i themi Hasa’.” I pyes më gjatë për këtë punën e emrave. Në grup, kujtohen lehtësisht për një varg të gjatë emrash fshatrash arvanjitë që u janë ndryshuar emrat “këto vitërat e fundit”. Nga sa më thonë, ndryshimet kanë ndodhur në tri dekadat e fundit. Kështu më thanë se Kutumasë arvanjite nani i thonë Koronja në elenika; Streveniku u bë Triadha; Zerikji u bë Elikonas; Kukurati u bë Agia Anna; Lutsa (ose ‘lluca’ në shqip) u bë Artemidha etj.

I pyes përse ua ndryshuan emrat fshatrave arvanjitë. Më thonë se s’e dinë, dhe duket qartë që nuk e kanë pyetur kurrë veten përse ua ndryshojnë emrat sistematikisht fshatrave të tyre. U thashë, mos ndoshta ngaqë këta janë fshatra arvanjitë? Atëherë më panë sikur të kisha zbritur nga Plutoni. Po pa të keq dhe pa frikë. Thjesht sikur s’u kish shkuar mendja kurrë për këtë. Nuk i njoh ende faktet administrative në tërësi, ndaj nuk nxjerr dot përfundime të sigurta. Bën vaki që administrata greke ndryshoi gjithë emrat e zonës dhe bëri kështu edhe me këto arvanjitë?

Nuk është logjike kjo, ndaj më duhet të besoj të kundërtën: se ndryshimi i toponimisë ka arsye politike që lidhen me pastrim etnik, sido që të një forme gjuhësoro-administrative. Jetojmë gjoja kohë supermoderne. Dhe absurdi më i madh është se komunitetet arvanite, me hir a pahir, qartësisht e kanë këputur fillin etnik që i lidh me origjinën, sido që gjuha u mbetet, edhe pse pa luajtur rolin e vet themeltar në raport me etnicitetin. Atëherë, përse vazhdojnë politikanët e shtetarët iracionalë grekë të luftojnë me mullinjtë me erë të emërtimeve? Pre ideologjish ballkanase që ushtrojnë mbi ta kontroll më të fortë sesa arsyeja?

***

Nga ana tjetër, çoj nëpër mend rastin e Shqipërisë dhe të idesë për shqipërimin e toponimeve me origjinë të huaj, diskutuar mjaft së fundmi: Një tjetër pjellë kjo e motorit iracional brenda nesh. Arvanitët ndihen grekë, dhe do pranonin lidhje me eskimezët veç që të mos dalin të lidhur me shqiptarët. E prapë administrata greke ndryshon emrat e fshatrave. Ne po aq pa arsye, duam sot të ndryshojmë emra që shpesh zbresin në Mesjetë a më parë. Është e qartë që të ndryshosh toponiminë, sado jopraktike, nuk është e pamundur; edhe që njerëzit binden lehtë të përdorin emrat e rinj, është e qartë. Rasti i mosreagimit arvanit, ashtu si edhe ai i yni gjatë periudhës së socializmit kur shumë emra fshatrash u ndërruan me firmë nga lart ‘nga sot nesër’, janë provë për këtë. Që banorëve t’u pëlqejë emri i ri më shumë se i vjetri, unë këtë e kuptoj, por që të mos shtrojnë pyetjen se si e pse ndodhi, kjo më çudit. Sidoqoftë, unë e shoh një akt të tillë kryer me dekrete, si absurd, manipulues dhe imoral, kushdo qoftë që e kryen.

Thua të jemi ende sot aq të pasigurtë se mos na flakin jashtë gadishullit apo se mos na lënë pa emër e pa gjuhë? Pa tjetër që ne e shohim shëmtinë e ideologjive nacionaliste në rastin e tjetrit. Por duhet ta shohim edhe kur jemi ne protagonistë. Sidomos kur rezultatet dhe arritjet praktike të ndërrmarrjeve të tilla janë aq boshe e të kota, sa na bjnë thjesht qesharakë e donkishoteskë. Apo, përderisa grekët bëjnë marrëzi të tilla ende, atëherë duhet edhe ne të reagojmë duke I paguar me të njëjtën monedhë? Ka edhe gjëra të mira që mund të marrim nga grekët e sllavët fqinjë. Përse të mos i kthejmë sytë nga përvoja që vlen, në vend të imitimit të pjesëve të shëmtuara në sjelljen e tyre? Por kësaj pyetjeje më mirë të mos i përgjigjem.

 

Nuk ka komente

  1. Qenka bere vertet “lluca Arthemidhe” andej. Si qe ajo puna e asaj Arvanjites nga Korca se qe e forte?

    Te falemnderit… Ishte vertet prurje e vyer

  2. E kam ndjekur me vemendje diskutimin per toponimine dhe kam vene re nje qendrim qe me duket disi i pambeshtetshem – pavaresisht pozicionit politik qe zgjedh te mbaje kushdo.

    Flitet per nisma qe nderrojne a qe konservojne toponimi, apo qe te jemi me te drejtperdrejte, nisma qe ndertojne identitet mes gjuhes, si te kritikueshme, sepse thyejne spontanitetin me te cilin zhvillohet gjuha e kultura.

    Mirepo, gjuha e kultura, dimensioni komunitar e individual i tyre, as te ne, as te te tjeret, nuk zhvillohet spontanisht, ne konditat e nje shoqerie te strukturuar ne marredhenie dominimesh, nenshtrimesh, etj.

    Dmth, zhvillimi spontan (lexo, pa sforcim, pa “coercion”) i gjuhes, nuk ka ekzistuar besoj une, qe prej shume kohesh – qe prej shfaqjes se politikes ne shoqeri.

    Se dyti, verej nje qasje moralizuese, edhe ne kete shkrim. Thuhet se mekanizmi politik i nderrimit te toponimeve eshte nje prej atyre gabimeve qe bejne fqinjet tane, e qe ne s’kemi pse i bejme. Ky eshte simplizem, dhe rrekje per te ndertuar nje lieu commun. Nese eshte mire a keq, meriton nje analize me te gjate. Perse e bejne kete vendet me nje te shkuar te caktuar (vende qe jane shkeputur prej periudhash te gjata regjimesh perandorake, e qe rreken te gjejne mekanizma per te ndertuar subjektivitet), e pse nuk e bejne vende te tjera? A eshte legjitime nevoja per te ndertuar subjektivitet.

    E meqe gjeta rastin, (kjo nuk ka lidhje te drejtperdrejte me shkrimin me siper, por me tekste te tjera te botuara ne kete blog) – dy fjale per sa i perket ceshtjes se vizites se ministrit turk edhe diskutimit mbi shtresat otomane te identitetit tone edhe revizionit te historise qe duket se po kerkohet e po gjen konsensus: Tingellon absurde thirrja per te zhbere histori, e per te rikthyer te shkuaren (qe e kemi patur bajagi tragjike, e qe na eshte perseritur vazhdimisht si farse). Ne kete drite, jane qesharake perpjekjet e puristeve kristianofile, qe kerkojne nje rikthim tek periudha para pushtimit osman – dhe ne kete blog jane botuar shkrime qe e vene ne dukje kete donkishotizem ekstrem. Ama, po ashtu jane te pambeshtetshme, e po aq qesharake argumentat qe nuk e marrin parasysh subjektivitetin e perbashket shqiptar te krijuar prej rilindjes e kendej, sidomos gjate periudhes se shtetit shqiptar, me theks ne kohen e monarkise dhe ne kohen e komunizmit. Perpjekja per te zhbere nje subjektivitet te krijuar (jo-spontanisht, sepse sic thashe me siper, nuk besoj te krijimet spontane te kolektives -per te parafrazuar Lacan-in, kolektivja eshte rezultat i rrekjeve te superegos qe imponon ideale, e dihet se superegoja nuk vepron prej impulsit, ajo planifikon, projekton, e i vendos egos “telos”) tashme, duke mos marre parasysh faktin se shqiptaret si te tille jane krijuar permes distancimit nga perandoria e meparshme, e me vone edhe prej distancimit prej fqinjeve agresive – ne jo pak, por se paku nje shekull e gjysme histori. Clirimi prej Turqise – nuk qe clirim prej regjimit, se e dime se Turqia qe e rene, por qe clirim pikerisht ne sensin e shperthimit te ketij subjektiviteti politik, qe qene shqiptaret. A qe mire – ky eshte vleresim moral. Pozicioni im politik eshte ne thelb anti-imperialist, anti-kolonialist e anti-globalist (ne sensin e nje post-kolonializmi, sic eshte globalizmi financiar) – dhe internacionalist – pa e mohuar te drejten e cilitdo komunitet qe te kete subjektivitet e te ndertoje nje te tille. Kjo me ben ta shoh si nderhyrje te demshme kerkesen e ministrit turk, dhe si te pamatur e te paanalizuar mire mbeshtetjen e kerkeses se tij per revizion te historise.

    Sa i perket “gjuhes se kreshnikeve” desha te ve re se pari se shqiptare e serbe nuk ka ndonje prove qe te kene patur antagonizma te medha, para se te vinte momenti i rilindjes kombetare, se pari per serbet e me pas per shqiptaret. Arsyet e antagonizmave kane qene se pari politike, te planifikuara prej elites (fillimisht serbe). Eshte gabim te mendohet se ne mesjete (ne periudhen qe supozohet se u zhvillua cikli) ka patur ndonje lufte per jete a vdekje mes sllavesh e arberish – entitete qe asokohe nuk do i kene njohur ndonje dallim njera tjetres – me perjashtim te gjuhes.

    Ndoshta duhet marre parasysh – pervec tezes se personazhet jane bilingue (si rendom ne zone kufiri, kraj, krajina dhe krajisnik), dhe pervec tezes tjeter, qe personazhet merren vesh ndervedi ne sllavisht – edhe teza se personazhet mund te merren vesh edhe ne arberisht, turqisht, a ndonje gjuhe romane – ballkanase (fjala vjen ajo shkodranishtja e famshme, qe nuk eshte venecianisht – por zhvillim prej venecianes). Emrat sllave jodomosdoshmerisht tregojne etnine e bartesit – ato deshmojne fene katolike a ortodokse. Emrat turq gjithashtu. Pse nuk ka emra arber? Sepse nuk kemi te bejme me kultura te zhvilluara spontanisht – por me kultura perandorake, kultura qe rrjedhin qe asokohe ne hulli burokratike e strukturore. Pavaresisht dekonstruksionit te kultures (qe gjithnje eshte postum), une nuk shoh se si kjo te zhvillohet si “e pavarur prej polisit”.

    U zgjata teper, e mbase kam marre guxim me teper se c’me lejon qartesia qe kam mbi diskursin, apo njohurite e percipta qe kam mbi historiografine e mbi linguistiken, mirepo desha te sjell ne vemendje nje kritike qe kam per konceptin e “spontanitetit” dhe nje lloj religjioni te “mosnderhyrjes”, kritike e lemit te filozofise politike – qe kam ne plan ta zhvilloj me tej, i nxitur edhe prej shkrimeve interesante qe lexoj prej autoreve te ketij blogu.

  3. Titulli me ngacmoi per nje nderhyrje telegrafike.
    Vite me pare, i sapo mberritur student ne Athine, bashke me dike tjeter kerkonim apartament me qera. Personi me te cilin do te ndaja qerane ishte me origjine nga fshatrat e minoritetit ne Dropullin e poshtem dhe, per te krijuar konfidence, prezantohej me pronaret si i tille. Megjithese paguanim mire (bursa ishte e konsiderueshme), kujtoj (me kenaqesi malinje:)) sesi, ne dy raste, Helenet:) na shpotiten: “Shqiptar (alvanos) dhe vorioepirot to idhio (njesoj) jeni!”

    Shprehja ka mbeteur dhe, sot e kesaj dite, kur me vorioepirotin:) ne fjale ndonjehere gricemi kombetarikisht, ia kujtoj dhe ia ul pendet (ose pothuajse).

  4. Nuk e kuptoj sakte gjithe kete kundershtim jo per nderrimin e toponimise se disa fshatrave apo lokaliteteve por per debatin qe provokohet here pas here per kete ceshtje pasi nderrimi si proces eshte procedure ligjore dhe as nuk behet me fjalime e aq me pak nga njerez qe nuk perfaqesojne asgje. Nderkaq, ligji, eshte nga me demokratiket e mundshem qe parandalon cdo lloj abuzimi, atehere pse ka kaq shqetesim pse dikush kerkon qe historianet, gjuhetaret, akademiket etj. te thone fjalen e tyre ne kete?
    Toponimet sllave ne trojet shqiptare jane vene nga bullgaret dhe serbet kur kane ardhur ne keto troje si pushtues dhe administrata e tyre eshte shtrire deri ketu. Ne nje Ballkan ku ka vende qe jo vetem toponimet por edhe varrezat e njerezve te etnise se tyre i marrin si shenja kufiri ose argument per pretendime territoriale, nuk do ta quaja aq pa vend diskutimin per kete ceshtje qe gjithsesi ngelet ne dore te komunitetit perkates. Autorja nuk i njeh “faktet administrative” te Greqise ne rastin e nderrimit te emrave dhe mundohet mesa kuptoj une te mos paragjykoje, atehere pse e ben kete per Shqiperine?

  5. Solnox,
    Te pergjigjem per dy ceshtjet qe ti ngre ne fillim te komentit tend.

    Dy ceshtjet qe ti diskuton ngrene ne fakt nje ankese te vetme. Nderrimi i toponimeve nuk duhet pare domosdo si nje gje negative. Per kete ti do te japesh dy arsye. 1. gjuhet asnjehere nuk zhvillohen spontaneisht. Atehere pse te mos nderhyhet edhe tek toponimet; 2. fakti qe disa vende e kryejne ate dhe disa te tjera jo, tregon se ndoshta nuk duhet skualifikuar aq kollaj. Keto dy argumente ne fakt nuk behen ne raport me ato qe kam shkruar ketu. Une as nuk i ngre dhe as i diskutoj keto. Por te pergjigjem per cfare mendoj une se te krijon nje lloj mospranimi te shkrimit duke u bazuar ne dy argumentet qe nderton ti.

    Gjuhet kane linja te zhvillimit spontan, dhe pasqyrojne pa nderprerje edhe nderhyrjen e faktorit shoqeror. Ceshtja e toponimise eshte ceshtje gjuhesore vetem sipas filologeve. Per linguistin, toponimia nuk eshte ceshtje e gjuhes ne kuptimin e vertete te kesaj te fundit. Nderhyrja ne toponimi eshte nje akt i paster politik. Ai nuk ndryshon shqipen, por ndryshon menyren se si ne shohim tjetrin, fqinjin, veten tone, te shkuaren dhe te ardhmen. Si politike, per mua qe nuk jam ‘politikane’ ne kuptimin e zakonshem te fjales, (pra pjesetare e elitave qe qeverisin dhe marrin pjese neper grupe partiake qe synojne qeverisjen), kjo eshte politike regresive dhe primitive. Pra, dua te them, une nuk kam interesa te ngushta te politikes dhe politikaneve apo qarqeve te caktuara te nje vendi a nje tjetri. Por duke folur si jashte tyre, une nuk mohoj ekzistencen e interesave te tilla. Pa dyshim qe ne shkrim qendrimi im eshte moral dhe ben dallimin mes se mires e se keqes, asaj qe con perpara e lidh njerezit per te miren e perbashket, dhe asaj qe con mbrapa, manipulon dhe percan. Mua ideja e zhvillimit te unitetit kombetar me truke nacionaliste te ketij niveli me sakelldis sh. keq. (Sic del ne shkrim, mendoj keshtu, pavaresisht nga kombesia e atyre qe nxisin veprime te tilla). Kete pjese lidhur me qendrimin etik ndaj ceshtjes, ti e ke grupuar ne piken dy.

    Argumenti i dyte se artificialisht ndertoj nje teze simplistike ngaqe bart dukurine greke tek ne dhe i barazoj te dyja, eshte dizi konfuz. Nuk merret vesh nese e quan simplistik ngaqe barazoj ate qe ndodh ne Greqi me kete qe duam te bejme ne, apo eshte simplistik ngaqe disa vende e kryejne e disa jo (gje qe tregon qe ceshtja eshte e nderlikuar), apo eshte simplistik sepse mbaj qendrim “moralizues”, apo te gjitha sebashku.
    Kur diskutoj ceshtjen e ndryshimit te toponimise arvanjite, une njefaresoj permend se duhet te germoj me shume ne shkaqet dhe rrethanat e saj atje. Thene kjo, ashtu si dukuria greke shfaqet sot para meje, eshte pa dyshim e njejta levizje strategjike qe do donte te arrinte edhe grupi shqiptar qe i meshon ndryshimit te toponimeve tona. “lieu commun” qe permend ti, sado bukur qe tingellon, nuk eshte aspak i kerkuar e i stisur. Kemi te bejme qartesisht me te njejten dukuri, e s’duhen perpjekje te jashtezakonshme per te lidhur ato qe qartesisht jane te lidhura. Dhe, akoma me e rendesishme, jane krejt te panevojshme sot, dhe edhe sikur dikur te kene pasur nje avantazh praktik (ndaj te cilit une gjithashtu do pozicionohesha moralisht), sot jane bema donkishoteske ne kerkimin e gjerave qe s’ekzistojne, dhe te rrezikshme ne ideologjite qe percjellin. Ndryshimi i emrit te qytetit do t’i beje shqiptaret banues ne te (qofte edhe jo shqiptaret) me shqiptare sesa ishin? Apo do t’u mbushe mendjen grekeve dhe sllaveve se ne fakt keto qytete jane shqiptare sepse tani kane emrat shqip? Historiografia, me ndihmen e sh shkencave sigurisht qe duhet te merret me levizjet e popullsive, vendbanimet, kohezgjatjet, perzierjet etj, por kjo nuk duhet bere as qe te mbrojme kufirin tone dhe as qe t’i tregojme kujt se ne jemi me te mire se ju se kemi qene ketu perpara. Une nuk e kuptoj ne cfare shekulli jetojne disa. Qe mund te shihen rastet e ish-perandorive, si i kane ndryshuar ato emrat e vendeve te pushtuara, te atyre qe fitojne pavaresine nga perandorite, te atyre qe as i prekin fare toponimet dhe aq u ben per to, pa dyshim qe mund te shihen. Kjo gjithashtu eshte pa lidhje me dy rastet konkrete qe une diskutoj ne shkrim. Por nese do kish nje disertacion qe te merrej vec me kete pune, gjera interesante do dilnin ne pah, sigurisht. Nese ti do qe une te shprehem per arsyet pse greket vazhdojne ta kryejne kete, perse ne na kapi tani kjo vala e ndryshimit te toponimeve, perse disa vende nuk e kryejne hic, sigurisht qe kjo eshte nje perpjekje shkencore qe s’ka pse te mos kryhet. Por s’eshte ky qellimi i shkrimit tim kesaj radhe. Per pjesen etike te ceshtjes, te shkrova me lart.

    Kam idene qe ti do te diskutosh ceshtje qe s’ka pse te mos diskutohen, por qe ne fakt nuk jane qellim i shkrimit vete.

  6. Presja e shpjegoi më bukur s’bëhet: ndërrimi i toponimisë është akt politik jo gjuhësor, sepse nuk ndryshon gjuhën, por mënyrën si shohim fqinjin dhe veten, të shkuarën dhe të ardhmen.

    Tani, shkrimi më lart merret me një dukuri sa të dhimbshme, aq edhe mahnitëse për dijetarin: zhdukja e një komuniteti, e një gjuhe dhe e një identiteti etnik. Ne ende nuk e dimë pse po ndodh kjo pikërisht – por përpiqemi të marrim vesh.

    Ka qenë një kohë kur disa intelektualë arvanitë interesoheshin për çështjen kombëtare shqiptare. Sot raportet janë përmbysur – ka intelektualë shqiptarë që interesohen për arvanitët dhe fatin e tyre në Greqi.

    Këto interesime të ndërsjella nuk duhet të na gënjejnë dhe të na bëjmë të mendojmë se “arvanjit e shqiptar janë to idhjo.” Për arsyen e thjeshtë se nuk janë.

    Dikur kam shkruar që marrëdhëniet e shqiptarëve të shtetit mëmë me arvanitët në Greqi dhe arbëreshët në Itali mund të krahasohen me ato të Rumanisë me pakicat vllahe anembanë Ballkanit.

    Tani, kur rumunët shprehin interes zyrtar për vllehët në Shqipëri, kombëtaristët tek ne irritohen shumë. Të paktën, kështu do të kuptojnë edhe pse irritohen kolegët e tyre, bie fjala, në Greqi, kur i shohin t’i trajtojnë arvanitët si ushtarë të Izraelit shqiptar në Greqi (ose në Junan, sipas dëshirës).

    Me këtë nuk dua të shfajësoj politikat greke ndaj këtyre pakicave; por as të mbroj idenë se edhe ne, si shqiptarë, jemi tash të përligjur të veprojmë njëlloj.

    Më kujtohet një incident i vogël, te një diskutim i paradokohshëm te PPU. Në një shkrim ishte përdorur fjala ‘toidhjo’; një fjalë që, në fakt, ndeshet sot e kësaj dite në të folmet e Jugut (edhe ime më e përdor). Një komentues, i cili përndryshe paraqitet si nga më të skajshmit dhe flakëhedhësit, kur vjen puna për çështje të ‘nacionit’ dhe të ‘flamurit’, na ishte prekur e mallëngjyer nga kjo fjalë, sepse i kish kujtuar fëmininë… në fakt nuk e paskësh ditur burimin e saj; se po ta kish ditur, do të kish marrë qëndrimin gatitu dhe kërkuar ‘dëbimin’ e saj nga gjuha: Raus!

    Morali? Kombëtarizmi, në format e veta negative (të hiqet, të prishet, të ndërrohet) është çnjerëzues.

    Administrata greke ka ndërruar emrat e fshatrave arvanite – por sa ka ndikuar ky fakt në asimilimin e kësaj pakice? Këtë nuk e dimë. Por dimë se nuk mund të ketë ndikuar aq sa shkolla dhe kisha dhe martesat e përziera me grekët etnikë dhe vetëdija qytetare greke, e cila u jep arvanitëve arsye për t’u krenuar shumë më tepër se ç’do t’u jepte një vetëdije qytetare shqiptare hipotetike. Të jemi realistë, pakkush bëhet sot shqiptar nga qejfi…

    Ka edhe më; nga çfarë shkruan Presja, më duket sikur kuptoj që për arvanitët, shqiptarët janë të fesë myslimane vetëm (katolicizmi nuk vjen në vështrim këtu); kjo nuk është ndonjë konstruksion apo racionalizim post facto; ka mundësi që të ketë rrënjë historike (Engjëll Sedaj është përpjekur ta argumentojë që emri “shqiptar” është zbatuar, fillimisht, vetëm për arbrit e fesë Islame).

    Ka një të keqe të madhe me kombëtaristët tanë: pëllasin fort, por leximet i kanë të pakta dhe të këqija. Erudicioni i tyre është një kombinim i tekstit të historisë së klasës së 5-të fillore dhe gazetës Sot. Kjo nuk shkon; dhe në fakt, është një nga arsyet që lëvizjet e tyre janë të dënuara të dështojnë, sidomos në lëmin e kulturës; siç edhe po dështojnë.

  7. ”’Atëherë, përse vazhdojnë politikanët e shtetarët iracionalë grekë të luftojnë me mullinjtë me erë të emërtimeve? Pre ideologjish ballkanase që ushtrojnë mbi ta kontroll më të fortë sesa arsyeja?”’

    Me fal po nga ai krah fli ti (te irracionaliteti), se te sigurta i ke duartrokitjet.

    Greku ben nje politike te zgjuar, racionale dhe relativisht dinake.
    Nuk ka pike rendesie se ç’mendon nje gjuhetar,historian apo politikan i huaj, biles edhe vendas, e rendesishme eshte qe banoreve do u jepet nje element homogjenizimi dhe neser do u mbushet mendja se aty ka pasur gjithnje greke, se vete emri i vendbanimit eshte ne greqisht dhe populli mjaftohet me kaq.

    Ashtu si arvanitases i ishte mbushur mendja top se nuk kishin ardhur nga Shqiperia, po njesoj neser shkoi banorit te Artemidhes dhe i thuaj qe dikur quhej Lluce e banohej nga shqipfoles.

    Nderrimi i toponimeve eshte tager e fituesit, greket e kane shfrytezuar me se miri kete te drejte.

    Jo vetem kaq por politikanet greke me siguri gajasen kur lexojne kritika te tilla, nga intelektualet greke e kam llafin.

    ””vetëdija qytetare greke, e cila u jep arvanitëve arsye për t’u krenuar shumë më tepër se ç’do t’u jepte një vetëdije qytetare shqiptare hipotetike. Të jemi realistë, pakkush bëhet sot shqiptar nga qejfi…””

    Xha xha po ngaterron shapin me sheqerin, nje shqipfoles, arvaniti apo arbereshi, nuk behet shqiptar nga qejfi, thjesht si shqipfoles e i merguar nga Shqiperia ai tek vetedija qytetare shqiptare gjen te verteten e tij.
    Pendryshe tek vetedija greke ai gjen genjeshtren e vet dhe ne fakt duke u bazuar tek kjo genjeshter ai zhduket, dmth nuk eshte me arvanit apo arberesh.

    Arvaniti krenohet qe po zhduket, e kupton çfare idiotesie duhet te te kaploje qe te krenohesh se po zhdukesh ?

    Ne fakt, historia i denon me zhdukje gjithe idiotesite e tilla dhe vetem kush gezon racionalitetin historik mund te vazhdoje jeten.
    Ne thelb si arvanite, si arbereshe perfaqesojne aksidente historike, prandaj jane te denuar te zhduken, te behen greke apo italiane.

    Mund te na vije keq sa te duam, po grupe, si arvanite, arbereshe, vllehe, turq te Maqedonise, gjermanet e Vollges etj e kane te shkruar ne balle zhdukjen nga faqja e dheut si individualitete, per arsyen me te vjeter, me banale e me funksionale te botes, peshku i madh e ha te voglin, delen qe ndahet nga kopeja e ha ujku.
    Keshtu ka funksionuar bota, keshtu funksionon e keshtu ka per te funksionuar.pavaresisht endrrave dhe utopive me paqe te perjetshme.

    Sa per nacionalistet shqiptare mos u merakos kaq fort, sapo shqiptaret te zgjohen nga endrrat dhe utopite me paqe te perjetshme, ke per te pare sesi do zhvillohet, duhet realizmi si humus per zhvillim, persa kohe qe humusi eshte plot me utopira ka pak shprese.

  8. Pak lidhje ka me temen, po meqe flitet per toponimet dhe ne nje teme te meparshme mu duk i thjeshte interpretimi i Aul-ona si qyteti i ujit, bregdetit, gjeta kete nga Demiraj:

    Albanian form: avull [m] (tg)

    Meaning: vapour, damp

    Proto-Albanian: (h)au-ul- {1}

    See also: aft

    Page in Demiraj AE: 85

    IE reconstruction: h2euh1-Vl-

    Meaning of the IE root: vapour, steam

    Certainty: +

    Page in Pokorny: 82

    Other IE cognates: Rom. abure `steam, damp’

    Notes: {1} Alb. formation with the suffix -ull.

    http://www.indo-european.nl/cgi-bin/response.cgi?root=leiden&morpho=0&basename=dataiealb&first=21

    Pak rendesi ka forma e rindertuar indoeuropiane, shume me teper ka forma e rindertuar e shqipes (h) au-ul dhe forma rumune ab-ur.

    Nje rumun e quante abur > avul(l), mirepo rotacizmi rumun l-r e nxjerr padyshim formen shqipe avu-l > abu-r.

    Tani meqe eshte fjale e vjeter , te pakten 2 mije vjeçare, forma ‘auul’ e Demirajt me e vjeter akoma, mua me duket se perkon me se miri me ‘Aul’.

    Jo vetem kaq por kalimi au-av tek avull duket te jete pararendes i av-ab te rumanishtes, meqe u-b mund te ndodhe vetem nepermjet kalimit u-v, pra
    u>v>b.

    Perveç shpjegimit te Aulones, ku perseri au>av>v pra Aulona>Avlona>Vlona>Vlora, me duket se kemi te mundshme ne shqip edhe nje ‘us’>vsh>fsh.
    Ndersa latinishtja l-au-d jep l-av-d, dmth kemi te njejtin kalim, tek causa- kafshe vetem nepermjet nje kavshe dmth causa>kavsha>kafsha mund te quhet i vlefshem kalimi.

    Meqe au>av qysh ne fonetiken e vjeter , per shkak te rumanishtes abur ku av-ab, atehere me duket e pamundur qe aurum>ar , biles aq me pak i mundur
    gaud-ium> gas, per me teper qe g-aud eshte njesoj si l-aud, dmth ne shqip do vinte si gavd meqe laud- lavd.

    E kam llafin qe keto latinizmat e voneta si laud-lavd e causa-cavs (kavsh>kafsh) i pershtaten me se miri fonetikes shqiptare si tek auul>avull Aulona>Avlona>Vlona, ndersa keto latinizmat e hershme si aurum>ar, gaudium>gas nuk duket te kene lidhje me fonetiken shqiptare, ose me sakte lidhja e padyshimte fonetike mes fjaleve nuk eshte domosdoshmerisht kalim latin>shqip.

    1. Aulona mund të jetë vërtet “qytet i ujit”; shpjegimi i Demirajt nuk krijon ndonjë problem të madh nga ana fonetike. Por, si gjithnjë, etimologjitë e toponimeve janë të dënuara të mbeten të pavërtetuara, meqë toponimet nuk dimë se ç’kuptim kanë, as dimë se kush mund t’i ketë vënë i pari.

      Megjithatë, nuk ka ndonjë arsye që ta krahasosh au te Aulona me diftongun au te aurum dhe gaudium; sepse ky i fundit ka qenë i theksuar. Zanoret e theksuara, nga pikëpamja e fonetikës historike, sillen krejt ndryshe nga të patheksuarat.

      Veçanërisht në shqipe, e cila e ka theksin dinamik jo kuantitativ, zanoret e patheksuara priren të zhduken krejt ose të paktën të reduktohen në ë, ndërsa të theksuarat natyrisht që jo.

  9. p.s ne italisht jane te gjitha te rregullta au>o, ‘au’r – ‘o’ro, c’au’sa -c’o’sa, l-au’d- l’o’d_are, gaud- g’o’d_ere.
    Ky interpretim i dyfishte ne shqip eshte i dyshmte, ne prani te njohjes se ndryshimeve fonetike brenda shqipes.

  10. Theksin ne ilirisht nuk ia dime, ia dime ne greqisht tek o-ja, nderkaq Autariatai e ka tek (a)u-ja por edhe tek a e parafundit, ne pergjithesi tek emrat ne greqisht theksi binte tek e parafundit , shihet lehte meqe e shenonin theksin ne ndryshim nga latinet.
    Kemi te njejten ‘au’ qe kryeson fjalen dhe 2 thekse te ndryshme, qe i binden shqiptimit grek, nderkaq theksi i dyfishte tek Autariatai- Αὐταριάται eshte ca i veçante sepse per fjale me -atai si
    Δοκλε-άται ( dokleat)
    Λαβε-άται ( labeat )
    Θουν-άται (thunat-dardane)

    mbart theks te dyfishte, dmth Autar ka gjasa te mira ta kete pasur theksin tek ‘au’, dmth te jete percjelle si e shqiptonin vendasit emrin e tyre, po keshtu edhe heroi Autar jepet me theks te dyfishte si Αὐταριεύς ne ndryshim nga vellezerit e motrat (Autari ishte i ati i Panonit dhe gjyshi i Skordistit dhe Triballit), prandaj ka shume gjasa te mira qe ‘Au’ e Aulona te kete qene e theksuar, per me teper qe auul e ka ruajtur theksin tek avull.

    Prandaj me duket se krahasimi qendron.

    1. Po ta kish pasur theksin Aulona në rrokjen e parë, nuk do të kish dhënë dot Vlona/Vlora sot. E gjithë hipoteza e vijueshmërisë së emrave gjeografikë në gojë të shqiptarëve nga antikiteti në kohët e sotme mbështetet mbi premisën se theksi i këtyre fjalëve nuk ka ndërruar vend; dhe Vlona e ka theksin tek o-ja.

  11. Ne fakt nuk eshte e veshtire qe per shkak te kalimit u-v edhe theksi te kete ndryshuar, çka i mundeson renien A-se.
    Po njesoj tek folja avulloj me kalimin e theksit, a-ja do kish rene sikur te ish folje e vjeter, per ndonje forme vulloj-velloj-vlloj (ngjashmeria me vloj duhet te jete rastesore).

    Nuk e shoh te domosdoshme premisen.

  12. Hyllinit per mesazhin e pare para diskutimeve fonetike.

    Eshte iracionale perpjekja greke sot, Hyllin, sepse arvanjitet, me apo pa ate emer te ndryshuar, do jene po njelloj. Eshte absurde perpjekja per t’i ndryshuar emrat ende sot e kesaj dite kur gjithcka regjistrohet, dhe, per ate qe eshte mbi tufen dhe synon te hulumtoje faktet, do dihet sakte se kur eshte bere Lluca Artemidhe. Ndersa tufa vete, sic e them, as qe do t’ia dije per emrin.

    Perpjekjet e meparshme greke, (ato qe bene nje popullsi te gjere arvanite te urrente origjinen e vet deri ne distancim here-here fantastik prej saj) jane tjeter pune, dhe do binin ne kategorine ku do te fusesh ti perpjekjet e sotme. Kjo nuk i ben ato te admirueshme. Ne mesazhin tend shoh nje nentekst gati ziliqar per ate qe e pershkruan si “politike te zgjuar, racionale dhe relativisht dinake” te grekeve. Ose me mire nje nentekst qe thote “e shemtuar ajo qe bene, por i heq kapelen se e bene mire”. Une kete s’e them dot sepse nje akt shfaroses i nje etniciteti, per mua nuk mund te kryhet mire.

    Gjithashtu, thua ti qe eshte “idiotesi” qe te duash zhdukjen tende… arvanitet nuk mendojne se po zhduken sepse “ata jane greke”, apo jo?

    1. “Gjithashtu, thua ti qe eshte “idiotesi” qe te duash zhdukjen tende… arvanitet nuk mendojne se po zhduken sepse “ata jane greke”, apo jo?”

      Këtë do ia thosha dhe unë. Ata janë transformuar. Nuk janë zhdukur. Siç u transformuan arbërorët e mesjetës në shqiptarë.

  13. Ne fakt une nuk i jap gjykim moral, e bene keq apo e bene mire, sikunder e thashe zbatuan te drejten e fitimtarit, ngadhnjimtarit.

    Nuk do mend qe parite greke, ekonomike te Fanarit dhe fetare te Kostandinopojes, bene projektin grek ku arvanite dhe vllehe do mashtroheshin me ane te fese per te perqafuar projektin e tyre, ketu kemi te diturin qe shfrytezon te paditurin me ane te mashtrimit, qe eshte gjeja me banale ne politike.

    Arvanitet po zhduken sepse ishin te paditur, po te ishin te ditur, meqe kishin fuqine ushtarake ne 1830 mund te arvanitizonin greket e vllehet, nepermjet nje politike te zgjuar, racionale dhe relativisht dinake dhe ta zeme te viheshin ne krye te levizjes shqiptare, keshtu sot mund te kishte nje shtet unik Greqi-Shqiperi ne duart e shqiptareve me pakica greke, pak a shume si projekti i Ali Pashes qe ngeli ne leter, ose me sakte qe u kthye permbys dhe u mor nga greket (per here te pare projekti i kthyer permbys iu propozua Abdyl Frasherit, qe logjikisht nuk e pranoi).

    Etnocidi kulturor nuk njihet si dukuri negative, Franca e kryen prej 200 vjetesh, Greqia po ashtu, Roma e lashte ka prodhuar disa realitete etnike nepermjet etnocideve kulturore, ndaj nje sere etnish, keltet in primis.

    Zhdukja e kulturave te pazhvilluara e zevendesimi i tyre me nje kulture e gjuhe te zhvilluar, nuk shihet aspak si dukuri e keqe, quhet zakonisht perhapje e civilizimit.
    Vete shqiptaret ne Shqiperi po pesojne nje etnocid kulturor me rrjedhjen e vazhdueshme te elementit kulturor e gjuhesor shqiptar ne favor te elementeve kulturore e gjuhesore perendimore.

    Pastaj kush do ti jape vlere morale dukuri, thote eshte mire apo eshte keq, nderkaq kush nuk do t’i jape vlere morale, mjaftohet me verejtjen se per nga menyra si eshte thurur realiteti zhdukja eshte dukuri normale qe e pesojne te dobetit, qe ne kohen e sotme jane ata qe s’kane nje shtet te tyrin apo ndonje shtet qe i mbeshtet.

    Keshtu arvanitet dhe çamet ortodokse pothuaj jane zhdukur, kurse minoritaret greke ne Shqiperi jane shendoshe si molla, sepse njeren pale, ate greke e mbeshtet shteti i Greqise, kurse palen shqiptare a shqipfolese nuk e mbeshtet askush, se shteti i Shqiperise ha patatina e pi birra ose ha kokoshka e pi coca-cola.

    Gjerat mund te jene shume te thjeshta nga nje kendveshtrim i caktuar dhe shume te ngaterruara nga nje kendveshtrim tjeter, greket kane zgjedhur kendveshtrimin ku gjerat jane te thjeshta, shqiptaret kane zgjedhur kendveshtrimin ku jane te ngaterruara.

    Amerika mund te ishte shume e larmishme sikur te gjitha etnite te kishin ruajtur gjuhet e zakonet e tyre, mirepo ja qe u krye thjeshtimi i amalgames etnike, gjuhesore e zakonore.

    Mesa duket parimet e ekonomizimit dhe entropise se ulet apo tjetri se sistemi eshte i prirur drejt nevojave minimale energjitike, funksionojne me mire me qenien njerezore.

    ””Gjithashtu, thua ti qe eshte “idiotesi” qe te duash zhdukjen tende… arvanitet nuk mendojne se po zhduken sepse “ata jane greke”, apo jo?””

    Sigurisht, kur tjetrit i ben lavazh truri e programon per te thene budalleqe apo jo ?
    Nderkaq te tjeret e shikojne fare mire se arvanitet po zhduken, greket in primis.
    Shume shpejt nendialekti tosk i arvaniteve do shpallet i vdekur dhe pune 2-3 brezash arvanitet do shpallen popull i zhdukur, do hyjne tek lista e gjate e specieve te zhdukura.

  14. Mund t’i ruash gjuhen, kenget, vallet, gjellet etj etj, edhe duke u bere pjese e modernes. Kalimi ne nje stad te zhvilluar nuk duhet te kryhet me ngordhjen e gjuhes. Arsyeja pse perandorite jane perpjekur gjithnje te zhdukin gjuhen dhe kulturen e grupeve minoritare, s’ka qene sepse u digjej zemra t’i benin me moderne. Nje bote me qenie dy e tri-gjuhesh a dy e tri-kulturesh do ishte nje bote me e mire. Arsyetimi per “kulturat e pazhvilluara” qe DUHET te zevendesohen nga me te zhvilluarat eshte ‘twisted’. Franca ka nga historite me negative ne njerezim per menyren sesi ka trajtuar minoritetet, dhe une s’e kuptoj se si ti e sjell ketu si shembull pozitiv vetem sespe na qenka franca dhe domosdo duhet te kete bere nje veprim progresiv e demokratik. Ti vete flet me peshtirje per ata qe kane pesuar lavazh truri. Dhe se fundi, e nis diskutimin sikur do te mbrohesh nga akuza hipotetike se ‘nuk ke pozicion moral’. S’ka asgje te keqe te zesh nje pozicion moral kur pozicionohesh ndaj nje dukurie sociale, sidomos kur eshte fjala per spastrime etnike ne emer te cfaredolloj arsyeje.

  15. ”’Këtë do ia thosha dhe unë. Ata janë transformuar. Nuk janë zhdukur. Siç u transformuan arbërorët e mesjetës në shqiptarë.”’

    Presja, ja nje tjeter budallek, produkt i lavazhit te trurit.

    Ti thua se Franca eshte shembull negativ, po kur nacionalizmi ashtuquhet civik nuk ka menyre tjeter, sepse perderisa;
    bashkeqytetar,bashkeshtetas= bashkekombas (formalisht dhe esencialisht),
    atehere nuk ka kuptim qe te njohesh pakica etnike e rrjedhimisht perderisa s’ka pakica etnike, s’ka as te drejta per pakicat etnike.

    Nuk fola me peshtirje per ata qe pesojne lavazh truri, ka gjasa te mira qe edhe une te kem nje pjese te trurit krejt te shplare, thjesht pohova se te duash te zhdukesh eshte idiotesi, pra vetem kete dukuri te trushplarjes e perbuz.
    Njeriu ne gjendje normale don te mbroje, zhvilloje e percjelle vetveten, individualitetin qe eshte,dmth njeriu normal don te duket, jo te zhduket.

    E njejta gje me bashkesite apo çdo grupim njerezish, ne gjendje normale duan te duken, jo te zhduken.

    Sa per pozicionin moral, kete mund ta zesh ashtu sikunder mund te mos ta zesh, ne pergjithesi zihet e mbahet kur duhet te mbrosh ndonje vlere, mirepo nuk e shoh te nevojshem gjykimin moral ndaj toponimise arvanitase qe zhduket, sepse nuk ekziston ndonje vlere e perqendruar tek ruajtja e toponimive.

    Toponimite i binden te drejtes se ngadhnjimtarit, ta zeme Jorku i Ri eshte themeluar si Amsterdami i Ri, kete e fituan anglezet ne lufte dhe e quajten ne gjuhen e tyre New York.
    Une mund te them qe anglezet bene keq qe e nderruan, po nje njujorkez sot do thoshte sa me pelqen emri New York, sa mire e bene anglezet asokohe.

    Pra e shoh te padobishem dhe shterp nje pozicion moral, sepse eshte e drejte e pamohueshme e ngadhnjimtarit te emertoje vendbanimin, fushat, pyejet,malet, ai mund ti nderroje ose ti ruaje, po eshte pune e tij, pra fushe a-morale, po ky eshte thjesht kendveshtrimi im.

    Ne fund, jam dakort qe ruajtja e kultures dhe gjuhes nuk jane pengese per modernizimin, nuk mbeshteta te kunderten, por kjo nuk e ben me pak te vertete faktin qe sa gjuhe e kultura jane zhdukur ne 2 shekujt e fundit, aq te mira qofshin.

  16. Duke kerkuar gjej nga Hammond-i diçka qe me kujtoi se ‘arvanit e grek to idhio’. Pak a shume me nje parim te ngjashem ka vepruar edhe Hammond-i per lashtesine ne Epir. Dihet qe Hammond-i nga pikepamja informative eshte autoritet i padiskutueshem per Epirin, ndersa nga pikepamja logjike rreshqet po aq sa edhe keta arvanitasit,me pak fjale sikur Hammond-i te mos ishte qellimisht tendencioz, do i duhej nje kurs elementar logjike, ç’eshte sillogjizmi, rregulli i treshit, A e -A-ja e me radhe.

    Ja ç’thote:

    The temptation to regard ‘Atintani’ and ‘Atintanes’ as variant spellings of one name is considerable. But it becomes less so if we recall that there were Illyrian Amantini in Pannonia and Greek Amantes in North Epirus, Illyrian Autariatae in Illyria and Greek Autariatae in Epirus, Illyrian Dassaretii in the Dalmatian coast and Greek Dassaretae between Macedonia and Epirus, and Illyrian Perrhaebi in Illyris and Greek Perrhaebi in northern Thessaly.

    http://www.jstor.org/pss/301177

    Me fjale te varfera perkthimi eshte se tundimi qe Atintani e Atintanes te jene variante te se njejtit emer eshte i konsiderueshem.
    Mirepo behet me pak i tille nese marrim si shembull Amantet, Autariatet, Dasaretet dhe Perrebejte qe jane sa fise ilire ne Iliri aq edhe fise greke ne ‘Greqi’ (territoret e permendura i quan Greqi).

    Perveç se me pasuroi informacionin meqe s’dija per Autariate ne Epir, ne perpjekjet e tij per te nxjerre Atintanet greke, me ane te perdorimit te rregullt te logjikes perfocon tezen se epirotet ishin ilire dok, meqe Autariatet kane qene ilire dok, biles me te shquarit e kultures se Glasinaç-Matit dhe bashke me Perrebejte jane futur ne mitologji nga greket si djem te Ilirit.

    E njejta gje ka per te ndodhur me Hammond-in e radhes pas 2-300 vjetesh, edhe ai ka per te thene se ARVANJIT E GREK TO IDHIO, pavaresisht ‘Gjolekave’ ne Shqiperi.

    Pra , shkarja e logjikes duhet pare si shkak kryesor jo vetem i lajthitjes por edhe si mjet i vazhdueshem i perdorur nga shkencetaret e studiuesit.

    Ne fakt Dalmacia e me gjere Iliria ka shume korrespondenca, si sikelote ne Dalmaci e Sikel/sikule ne Itali e Siçili, Sardeate ne Dalmaci e Shardana si popuj deti,Labeate ne Shkoder e Labu si popuj deti, Palaeste ne Palase e Palestet ne Palestine si popuj deti, Dardane ne Iliri e Dardane ne Troje, Meze ne Panoni e Meze/Mize afer Trojes, Hylle e Mane ne Dalmaci e Hylle e Dimane si fise dorike apo fisi Keraun ne Mal te Zi, malet Keraune ne Epir e po malet Keraune ne Lacion para-romake ( SUESBULA, or VESBULA (the MSS. of Dionysius vary between Συεσβόλα and Οὐεσβόλα), at the same distance (60 stadia) from Tribula, near the Ceraunian Mountains. http://www.perseus.tufts.edu/hopper/text?doc=Perseus%3Atext%3A1999.04.0064%3Aalphabetic+letter%3DA%3Aentry+group%3D1%3Aentry%3Daborigines-geo. )

    Tani mes gjithe ketyre korrespondecave (qe jane edhe me shume, po mjaftojne si shembuj) te cilat jane te diskutueshme , Hammondi shkon e kap si shembuj, Autariatet, Perrebejte, Dasaretet dhe Amantet, epo kesaj i thone te jesh edhe i trashe ne mbrotjen e kauzes greke.

    Megjithate ndoshta nje dite, meqe edhe propaganda e trashe ka efekte, do thuhet se Arvanitet ishin fis grek dhe studiues’ e shkencetare anembane botes anglo-saksone do tundin kryet te kenaqur me zbulimin, natyrisht nepermjet zhberjes se mitit se arvanitet ishin nga fara shqiptare.

    p.s Autariate greke !!!! ky eshte kulmi, nuk e permbaj dot habine si nje profesor Kembrixhi a Oksfordi mund te blasfemoje ne kete menyre.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin