ÇIKAT E KRESHNIKËVE

Ciklin e Kreshnikëve, një grusht trimash, zakonisht tridhjetë agallarë, me Mujin dhe Halilin në krye, e përjetojnë kreshnikërinë e tyre duke çetuar; ata dalin në bjeshkë, dyluftojnë me shkijet e ndonjëherë edhe me njëri-tjetrin, bëjnë plaçkë, lidhen në vëllazëri dhe tradhtojnë njëri-tjetrin, martohen dhe vriten në fushë të mejdanit dhe rrallë e tek edhe vdesin; me një fjalë, bëjnë gjithçka që mund të pritej prej një tufe kalorësish mesjetarë, të ngeshëm dhe të kontrolluar prej testosteronit.

Motivin e rrëmbimit të nuses e gjen anembanë epikave kalorsiake në Perëndim dhe në Lindje; madje në forma të ndryshme, simbolike dhe rituale, ai ka mbijetuar sot e kësaj dite, si praktikë gjatë ceremonive të martesës dhe të dasmës. Siç mund të pritej, pjesa më e madhe e epeve të ciklit rrëfejnë për aventurat e kreshnikëve tanë, teksa këta i bien pashë më pashë Krajlisë, për të rrëmbyer vajza, me të cilat më pas zakonisht “martohen”.

Po çfarë janë këto vajza, që lakmohen kaq shumë prej tanëve? Ato janë të pasura dhe të bukura dhe nga familje të mira – bija të krajlit e të kreshnikëve të krishterë: Behurit, Jovan Kapidanit, Pajit Harambash.

Natyrisht, as krajli nuk është një i vetëm: ka Krajl të Jenovës dhe Krajl të Kotorrit, Krajl të Moskovit, Krajl të Sejes dhe Krajl të Talirit; ka edhe një Krapuniq Krajli, që nuk do të ketë qenë edhe ai pa gjë.

Emrat e këtyre vajzave bujare na përshëndesin, si nga prapa qelqeve të dritareve të një bote tjetër: Tanusha, Jan(u)ka e Bardhë, Rusha, Gjelina (Engjelina, e bija e Krajlit të Kotorrit), Jevrenija, Filiske Filiskama, Llatinka e Bardhë (Llatine Kanebardha, e bija e Krajlit të Moskovit), Hagjusha, Lajka e Bardhë.

Rrëmbimi i së “bijës së krajlit” ka, brenda Ciklit, vlerë pothuajse iniciatike; ose një nga kushtet dhe trimëritë që i kërkohen kreshnikut për t’u bërë i tillë.

Gjithsesi, këto vajza i bashkon mes tyre jo vetëm bukuria dhe prejardhja fisnike; por edhe një karakteristikë tjetër pak problematike – ato janë të krishtera (kaure) dhe shkina.

Dhe meqë kreshnikët tanë, duke filluar nga Muji vetë, janë myslimanë (turq) dhe në luftë të përhershme me shkijet kaurë, atëherë këtu kemi një problem.

Një problem të cilin nuk mund ta zgjidhim, përveçse duke iu qasur nga shumë anë, duke mbajtur parasysh edhe e sidomos trajtimet që i kanë bërë dy studiues seriozë të Ciklit, Skendi dhe Lambertz-i.

Natyrisht, nuk është normale për myslimanin shqiptar që të martohet me një shkinë; edhe pse kjo s’e përjashton rrëmbimin dhe përdhunimin.

Mirëpo në Cikël të gjithë kreshnikët, veçanërisht kryesorët, e lakmojnë të bijën e Kralit dhe, kur munden, e rrëmbejnë herë me forcë dhe herë me dredhi, për ta marrë për grua.

Muji vetë, që zakonisht e ka një grua në shtëpi – Ajkunën, ose Kune Devojkën – nuk resht së lakmuari edhe ai këtë plaçkë supreme.

Një nga arsyet e këtyre martesave “jashtë” fisit është, doemos, ekzogamia; vetë Halili e sqaron, në disa këngë, se vajzat e Jutbinës i ka “si motra”. Kur plaku Dizdar Osman Aga (te Martesa e Halilit) i propozon që të zgjedhë për nuse një nga tridhjetë vashat që do t’ia sjellin agët për t’i parë, ky i përgjigjet:

Zoti u vraftë, more agët e Jutbinës!
Po ku â ndie n’mjet tokës e t’qiellës,
se muer vllau motrën e vet?
Qi tanë bijat e Krahinës ku janë,
tanë si motra qi po m’duken.

Ideja është e njohur, sikurse është i njohur tensioni seksual primordial midis vashës dhe motrës, që e përshkon krejt Ciklin. Kënga e Gjergj Elez Alisë, më e bukura në Cikël, thuret e tëra mbi dashurinë e vëllait për motrën dhe motrës për të vëllanë; e cila jo vetëm është e dëlirë, por edhe lejon një dinamikë sublime, edhe në rrafshin narrativ edhe në rrafshin diskursiv.

Të rrethuar nga motra, kreshnikëve nuk u mbetej veç t’i kërkonin gratë e tyre në fiset fqinje – ose mes sllavëve të Krajlisë.

Feja myslimane nuk duket të pengojë gjë në këtë mes; asnjëherë ndonjë prej heronjve të Ciklit nuk lëkundet, as ndihet me faj se po lakmon një kaure, qoftë kjo edhe e bija e krajlit.

As dallimi etnik, mes një shqiptari që kërkon të rrëmbejë dhe të marrë për nuse një sllave (serbe) dhe fisit ku ai kërkon të hyjë dhëndërr, nuk luan kurrfarë roli.

Duke pasur parasysh se këto këngë janë kënduar në masë të madhe në Kosovë dhe në Rrafshin e Dukagjinit, ose nga një popullsi në konflikt pothuajse ekzistencial me serbin, ky fakt i dytë nuk mund veçse ta problematizojë edhe më interpretimin.

Si u martokan këta shqiptarë, trima e kreshnikë, kaq lirisht me vajzat serbe, nëse janë ndier ekzistencialisht të kërcënuar prej sllavëve? A nuk ka një kontradiktë këtu?

Të mos harrojmë se shumë studiues shqiptarë, sidomos pas viteve 1980, e kanë bërë të vetën tezën se Cikli i Kreshnikëve është i organizuar rreth “temës kryesore” të rezistencës ndaj shkjeve.

A mund të merret edhe rrëmbimi i shkinave dhe martesat me to si forma të kësaj rezistence?

Shto këtu edhe që kreshnikët e Jutbinës komunikojnë lirshëm me sllavët përreth; dhe në asnjë rast, në Cikël, nuk flitet për ndonjë vështirësi gjuhësore, ose për t’u marrë vesh, mes tyre dhe krahut tjetër, veçanërisht vashave që kërkojnë të marrin për gra.

Po me motrat e kreshnikëve tanë myslimanë dhe vashat e Jutbinës, çfarë ndodh?  A përziejnë ato shtrat me kaurin, sikurse vëllezërit e tyre me shkinat?

Në Ciklin shqiptar ndesh tek-tuk në ndonjë pasazh që lë të kuptohet se shkëmbimi i nuseve ka qenë i dyanshëm. Kështu, te Halili rrëmben Tanushe Devojkën, marrim vesh se Tanusha e Kralit “ish kanë kthye” myslimane dhe i kish dërguar Sokol Halilit këtë letër:

Ti qi je Sokol Halili
kie mbas meje me më ra
se shtatë vjet myslimane jam kthye
se shtatë ramazana i kam agjinue,
tash po donë me më martue
sod dy javë un nuse shkoj,
e po marr Kralin e Kotorrit,
e, qofsh kurr me kanë për mue
mos me lanë myslimane në Krali.

E re, në këtë pasazh, nuk është interesi i Tanushës për Sokol Halilin, por mundësia e pranuar që ajo, tashmë myslimane, të shkojë nuse e Kralit të Kotorrit, një kaur.

Edhe te kënga Sminanicë Serdari rrëmben gruen e Mujit, siç e thotë edhe titulli vetë, është përsëri një shkja që ia rrëmben gruan Mujit.

Në një këngë tjetër, Orët e bjeshkëve, marrim vesh se Krajli i Kotorrit mbante, si skllave ose si robinjë, Fatime Shqiptaren (“ku ma e mirë në Judbinë nuk asht kanë”), së cilës kërkonin t’i jepnin raki me zor, por ajo refuzonte ta pinte; dhe “tash po duen fenë me ia ndrrue.” Me sa duket, konvertimi i çikave funksiononte në të dy kahet.

Nuk merret vesh nëse vashat e krishtera, si Tanusha e Rusha e Jevrenija, që përfundonin nuse të kreshnikëve myslimanë, konvertoheshin apo jo.

Nëna e Mujit dhe e Halilit, që del ndonjëherë si personazh në ciklin shqip, nuk përmendet kurrë me emër (por përmendet një herë si bullë, ose grua myslimane). Përkundrazi, gruaja e Mujit, Ajkuna (Ajka, Hajkuna, Kuna) prezantohet haptazi si boshnjake myslimane ose turke në motërzimet sllave të Ciklit. Amila Buturović, İrvin Cemil Schick, në Women in the Ottoman Balkans: gender, culture, and history, tek të cilët e gjeta këtë informacion për prejardhjen e emrit, mendojnë edhe se emri Ajkuna, në këngët e Kreshnikëve (ose “baladat”, siç i quajnë autorët), është funksional dhe ka lidhje me rregullsitë stilistike të paracaktuara të këngëve, jo me ndonjë personazh historik të dhënë.

Për t’u kthyer tani te Cikli shqip, te Bani Zadrili, Kuna Devojka del si motra e Mujit dhe e Halilit (siç vëren Skendi, Devojka, që do të thotë “vashë” në serbokroatishte, trajtohet nga rapsodi shqiptar si të ishte emër i përveçëm, çka sugjeron, sipas këtij autori, primatin sllav të së paku kësaj kënge); njëlloj edhe te Orët e bjeshkëve dhe te Muji, Halili dhe Uroshi i Detit. Te Lule Frangu, përkundrazi, Ajka është “e m(b)esa e Gjeto Basho Mujit” dhe e motra e Zukut Bajraktar; ndërsa te Vuk Harambashi dhe Hajkuna e Dizdar Osman Agës, Hajkuna është e bija e Dizdar Osman Agës. Kjo polivalencë e personazhit edhe brenda ciklit shqiptar, duket sikur e konfirmon tezën e mësipërme të Buturović dhe Schick, për natyrën funksionale të identifikimit.

Kënga e fundit është një nga shumë të rrallat, në Ciklin shqip, ku konfliktet mes trimave përshkruhen si mes shkijeve dhe shqyptarvet. Kjo Hajkunë është haptazi myslimane; kur ajo shkon të mbushë ujë, ka frikë “mos të dalin kaurrat m’e grabitë.” Megjithatë, ajo e zë shkjaun Vuk Harambash “vllaznuor,” (ose vëllam) diçka e padëgjuar në mjediset shqiptare, ku vllaznitë lidhen rigorozisht mes burrash.

Në çdo rast, statusi polivalent i Ajkunës, i pezullt mes motrës dhe gruas së Mujit, meriton të shihet më mirë, sidomos në kontekstin e tabuve seksuale dhe eufemizmave të Ciklit; ndërsa nga pikëpamja narratologjike, ajo përfaqëson, në thelb, një farë kryepersonazhi (ose Ur-personazhi) femëror – njëkohësisht nënë, grua, motër, vajzë dhe mbesë.

Te Rrëmbimi i së shoqes së Mujit, Ajkuna mbiquhet Meremet Turkina (“die gnädige Frau Türkin” e përkthen këtë Lambertz-i, ose “zonja turkeshë”), duke dalë kështu si myslimane; edhe pse, pa çka se tashmë turkeshë, ajo e tradhton Mujin në mënyrën më të përbuzshme.

Të gjitha sa më lart, sikurse edhe një varg argumentesh të tjera, i shërbejnë Stavro Skëndit për të nxjerrë përfundimin se këngët e Ciklit të Kreshnikëve, në motërzimet shqip, janë dytësore në raport me ciklin boshnjak (dhe më tej, atë serb); dhe se heronjtë e këtyre këngëve janë në thelb sllavë myslimanë të Bosnjes, në marrëdhënie gjithfarësh me vëllezërit e tyre etnikë sllavë (serbë) të fesë së krishterë.

Ky përfundim, që nuk është pranuar nga studiuesit në Shqipëri dhe në Kosovë, është megjithatë i mbështetur mirë dhe shumë i vështirë për t’u kundërshtuar.

Mund të supozohet, megjithatë, se kjo lloj ekzogamie që i detyron kreshnikët të kërkojnë dhe të gjejnë gra jashtë fesë dhe etnisë së tyre ka qenë e kufizuar brenda klasës kalorësiake, ose fisnikëve; çka gjen mbështetje, deri diku, edhe në çfarë dimë për përbërjen e familjeve bujare arbre, të periudhës paraosmane.

Nëse martesat e kreshnikëve me vajza bujarësh serbë çojnë drejt farkëtimit të aleancave të reja të heronjve tanë me këta të fundit, për këtë Cikli nuk jep përgjigje të prerë: tek e fundit, në marrëdhëniet dhëndër-vjehërr nuk ka asgjë heroike për t’u rrëfyer, pasi rrëmbimi i “çikës” është sanksionuar me martesë.

Më anë tjetër, që ngjarjet e eposit zhvillohen në një zonë që s’ka të bëjë sot me trojet shqiptare – por që gjendet në trojet e Kroacisë së sotme, kjo mbetet jashtë çdo dyshimi. Toponimia e Ciklit është studiuar mirë, dhe qytete të tilla si Jutbina dhe Kladusha janë lokalizuar tashmë.

Çështja ka rëndësi kritike për origjinën e Ciklit dhe autenticitetin e tij ndër shqiptarët.

Përveç shpjegimit më të arsyeshëm, që e gjen të artikuluar më mirë te Skëndi, se është fjala për një përkthim të ciklit boshnjak, ka vend edhe për një hipotezë tjetër, edhe pse më të brishtë.

Dhe pikërisht: në atë zonë të Bosnjës, në Mesjetë, ka pasur arbër të cilët më pas janë zhvendosur drejt Jugut, për të përfunduar në Shqipërinë e Veriut, duke sjellë me vete edhe Ciklin, si trashëgimi të jetesës së tyre në një gjeografi tjetër, fizike dhe sociale.

Kjo do të shpjegonte pse, bie fjala, në Cikël dëgjon të përmenden personazhe historike serbe dhe deri edhe hungareze (Filip Maxharin), por nuk ka asnjë fjalë për Skënderbeun, i cili është tërësisht i huaj për atë univers.

Edhe Nopcsa, edhe Durhami dhe, deri diku, edhe Shufflay, kanë treguar se tabloja e sotme etnike dhe fisnore, ndër malësorët e Shqipërisë së Veriut, është produkt migrimesh të mëdha dhe shtegtimesh; mes të cilave edhe shtegtime nga Bosnja drejt Shqipërisë.

Gjithnjë sipas Durhamit, kujtesa për këto shtegtime ruhej akoma nga malësorët, në kohën kur ajo udhëtoi në bjeshkë.

Nuk është për t’u përjashtuar që në Bosnje të ketë pasur, madje që prej lashtësisë, një bërthamë iliro-shqiptare, e cila ka mbijetuar e rrethuar prej sllavëve, qoftë edhe nëpërmjet shtegtimit baritor, ose transhumancës.

Një pjesë e këtyre arbërve u sllavizuan, me kohë, edhe nëpërmjet martesave të përziera (si ato të Ciklit), sa kohë që fëmijët e sllaveve jo vetëm do të mësonin sllavishten si gjuhë të nënës, por edhe do ta përdornin atë gjithnjë e më tepër, në marrëdhënie me popullsinë sllave rrethuese; një pjesë tjetër shtegtuan drejt Jugut dhe përfunduan në malësitë e Kosovës dhe të Dukagjinit, duke sjellë me vete, mes të tjerash, edhe Eposin.

Që të pranohet, qoftë edhe në parim, kjo hipotezë, duhet të heqim dorë nga koncepti që kemi për malësinë si muzeum ose “frigorifer” të shqiptarisë, dhe të pranojmë një koncept tjetër, atë të “rifugio-s” për popullsi të rrezikuara.

Bibliografi e shkurtër:

1. Skendi, S., Albanian and South Slavic Oral Epic Poetry, American Folklore Society, Philadelphia, 1954.

2. Lambertz, M., Die Volksepik der Albaner, Halle (Saale) M. Niemeyer, 1958.

Nuk ka komente

  1. nje veshtrim gjakftohte dhe profesional mbi nje çeshtje te veshtire qe praktikisht nuk ka qene asnjehere e “asimiluar” qarte nga folfloristika shiptare.

  2. Konflikte shqiptaro-serbe ne Kosoven e shek 17-19 nuk ka pasur hiq fantazite serbe te shpernguljes me dhune te serbeve prej shqiptareve myslymane te ardhur nga Gegeria malore qe per me teper ishte e gjitha katolike deri vone, deri ne fundshek 18 fillimshek 19, dmth e paperfshire ne valen e madhe te islamizimit te shek 17.
    Pra nuk ka kushte te domosdoshme per nje lufte epike shqiptaro-serbe.

    Po ashtu hipoteza se konflikti i Ciklit i perket periudhes se lufterave austro-turke, per shkak te emrave turq, identifikimit (te dyshimte) te Mujit historik, zones kufitare ku zhvillohen ngjarjet etj me ngjan thjesht e pamundur.

    ‘Kalimi’ i epikes nepermjet perkthimit perveçse s’ka prova direkte do perbente nje rast unik ne planet kur epika perkthehet ‘en bloc’, nje plagjarizem qe as ekspertet e sotem te kompjuterizuar te plagjarizmit veshtire se e arrijne dot.

    Gjithe çeshtja qendron tek ‘koha’ dhe sidomos ‘konflikti zanafillor’.

    Konflikti kaure-myslmymane i asaj boshnjake bie ndesh me vete lokalizimin gjeografik ku psh Jubina ka pasur kroate katolike e serbe ortodokse ,
    Me pak fjale nje epiqender teresisht e krishtere veshtire se mund te vendoset nga myslymanet si kryeqender e tyre.

    E vetmja mundesi eshte qe popullsia te jete zhvendosur prej asaj krahine por te kete ngelur ne kenge si qendra e luftes, perndryshe nese eposi ka lindur si pasoje e konfliktit kaure-myslymane duhet ndryshuar vendodhja gjeografike.

    Epika pertej çdo konsiderate gjuhesore , zakonore, historike etj varet nga konflikti, pra eshte konflikti ai qe mundeson epiken, keshtu qe thelbi i gjithe çeshtjes eshte se cili konflikt ka dhene epiken dhe natyrisht ka pasur si zemer rrafshnalten e Likes.

    Nga ana tjeter, fakti qe epika ka perftuar natyre myslymane aty ku ka te krishtere,te cilet vete nuk e zoterojne, perndryshe do na jepeshin emrat e krishtere, flet vete per zhvendosje popullsie.

    Konflikte te medha, epike, qe justifikojne nje epike, jane kryqezatat hungareze ndaj Bosnjes bogomile gjate mesjetes, konflikti iliro-sllav,avar,gjerman dmth vendas te Perandorise Romake ndaj dyndjeve barbare dhe shekujt e konflikteve iliro-kelte, ku Japudia (zona ne fjale, banohej nga japudet) ka qene veçanerisht e goditur aq sa pati edhe keltizim te pjesshem.

    Pra identifikimi i konfliktit eshte jetik,sepse ai eshte shkaku i lindjes se epikes.

    Pastaj elemente e shtresa te ndryshme i jane vendosur me kalimin e shekujve, prandaj edhe veshtire se mund te arrihet ndonje gje objektive pa konfliktin zanafillor.

    Mua ky konflikti zanafillor austro-turk, kaure-myslymane, ne nje zone te krishtere, qe duhet te kete dhene epiken ne Bosnjen myslymane pastaj te jete perkthyer ne shqip, nuk ma mbush mendjen.
    Grupe banditesh turko-boshnjake te cileve u ngrihet nje epike, mua as si humor nuk me duket i vlefshem, biles do ishte e vetmja epike karagjoze e botes, mesa i njoh epikat (me permbledhje ne proze kuptohet).

    Vetem nje popull i spanuar mund ta prodhoje nje epike duke u nisur nga premisa te tilla.

    Perndryshe popujt normale krijojne epika per ngjarje te medha, si Lufta e Trojes, shock-u Hun per gjermaniket, lufta e sterzgjatur me arabet e Spanjes per Kenget e Cid-it dhe te Rolandit, lufta arabo-bizabtine per Digenis Akritas etj.

    Prandaj shpjegimet e nje epike turko-boshnjake me duken me shume ad hoc, ne nje kohe qe nenshtresat e vjetra jane te padyshimta per studiuesit, dmth ka pasur nje turko-boshnjakizim te kengeve me te hershme, ose e thene ndryshe konflikti zanafillor nga ka buruar epika nuk eshte kaure vs myslymane, ky mund te quhet konflikti i kristalizimit te epikes ne formen qe njihet ne Bosnje.

    2 ngelen konfliktet e mundshme, boshnjake vs hungareze dhe shqiptare vs sllave, (ne fushen e spekullimeve do shtoja nje te trete me antike, iliret japude vs kelte).

  3. Mendoj se kjo ka te beje me asimilimin ne shqiptare te sllaveve muslimane te Kosoves. Mekanika e perkthimit ne shqip mund te kete qene e tille. Kenget linden ne Bosnje, u perhapen ne te gjitha popullsite sllave-muslimane te zones, dhe kur sllavet muslimane te kosoves nisen te identifikohen si shqiptare ( ndoshta si kombinim i faktit qe shqiptaret muslimane ishin shumice popullsie aty dhe qenies se sllaveve muslimane pakice fetare ne mes te sllaveve etnike), ato u perkthyen dhe u pasuruan me elemente shqiptare.
    Xhaxha! Ese shume e mire, vetem se druaj se tema te tilla do te bejne qe Spahiu&co, listes se kerkesave te tyre fantastike, do t’u shtojne edhe ndnj kerkese per bllokimin e PTF ne rrjetin shqiptar.

  4. Nga parashtresa e bere kuptohet se cikli eshte krijuar ne nje zone te perzier “etnikisht”, por qe duhet te jete ne veri te Ballkanit. Perndryshe eshte disi e patretshme qe malesoret shqiptare te kene patur dijeni apo kontakt me Moskovin apo me te tjera njesi politike ne ato kohe. Nje zone qe i pergjigjet historikisht – ndoshta – eshte (Vojna)Krajina ne Kroaci, apo edhe Knini (te unifikuar tashme ne naracionin serb dhe kerkesat e tyre). Krajina qe u be sebep edhe i luftes mes Serbise dhe Kroacise ne vitet ’90 eshte sipas nje versioni historik e populluar me serbe nga dinastia Habsburgase me synimin e nje kordoni sanitar ndaj penetrimit osman qe arrin kulimin me Sulejmanin e Madherishem. Tani eshte pranuar gjeresisht se cikli eshte me se shumti me origjine boshnjake, ne nje vend kontakti mes sllaveve te te trija besimeve. Krajina sikunder lexohet ketu: http://en.wikipedia.org/wiki/Military_Frontier, u krijua ne shekullin e 16-te, komandohej si njesi perhere nga nje kroat dhe shtrihej nga Kroacia ne Perendim deri ne Lindje te Transilvanise. Por me interes eshte edhe nje fakt tjeter qe ndodh ne kete kohe, shekulli 16-te, kur Knini, i njohur si Kryeqyteti i Mbreterise se Kroateve http://en.wikipedia.org/wiki/Knin, bie ne dore te osmaneve. Ky pushtim sic lexohet sjell largimin e kroateve dhe mbushjen e qytetit me refugjate serbe te ndihmuar ne kete levizje nga osmanet. Nga erdhen keta refugjate serbe? Po keshtu ku shkojne kroatet? E gjithe kjo levizje bashkeshoqerohet nga nje kujtese kolektive qe kryesisht ngjizet me shkaqet e perceptuara te traumes. Por per mendimin tim ajo pohon faktin historik te Migrimit. Ketu te kujtohet edhe enklava e arberesheve te Zares sikurse edhe fakti se dokumenti i pare qe permend nje shqiptar eshte ai i Raguzes i shekullit te 13-te, mos gaboj. Ajo qe ka rendesi eshte fakti i dokumentuar dhe i pranuar i hapesires ku kendohet eposi http://www.albanianliterature.net/oral_lit2/OL2-01.html dhe ai perkon serish me nje zone kontakti me boten sllave. Pra si i tille kalimi i tij edhe ne Veriun e sotshem te Shqiperise duhet te jete i ndermjetesuar aq me teper procesi islamizues ne kete zone eshte disi e vonet. Ka nje zone kontakti mes shqiptareve nga njera ane dhe boshnjakeve dhe serbeve nga ana tjeter dhe sot kjo zone eshte Sanxhaku, i ngjizur si enklave muslimane mes te trija kombesive. Sanxhaku konsiderohet sot si qender kulturore e Boshnjakeve ne Serbi. Nje arsye e fundit qe mendoj une – thellesisht me modesti – eshte edhe fakti se ne ndryshim nga narrativa serbe sidomos, beteja e Fushe-Kosoves ne kujtesen shqiptare nuk thote gje. E konsideruar si nje beteje me rendesi madhore ne historine e Ballkanit, ajo ne ndergjeje eshte ngulitur me se shumti mes serbeve te cilet jane ketu ne nje konflikt te hapur me otomonet. Ndoshta sikurse Krajlevic Marko qe u kthye me osmanet edhe keta serbe te mundur kthyen pasketaj ne aleate te Portes, por serish si Markoja pa u konvertuar fetarisht.

    1. Permendja e Moskovit eshte interesante si pike referimi.
      Eshte interesante sepse fillimi i pranise se Moskes ne Balkan eshte i matshem ne kohe, prej nga ku dhe mund te deduktohet mosha e Eposit vet.

      Psh per here te pare Rusia kryqezon shpatat dhe pushket me turqit ne kohen e Pjetrit te Madh, ne 1695. Mbas 5 vjetesh ata i marrin Perandorise Osmane detina Azov. Ne vitin 1768 Ruset, perseri ne lufte me turqit, dalin per here te pare ne Ballkan. Pra momenti kur Moskovi mund te jete bere pjese e psikes kolektive te nje populli sa per tu perfshire ne eposet e tij nuk shkon dot pertej 1768. S`ka arsye se pse.

      A eshte Eposi i Kreshnikeve i pas kesaj kohe? Nuk me duket.
      Ka shume elemente ne te qe me duket se flasin per nje substratum tejet te lashte. Aq te lashte sa mund te dyshosh se ka dy narrative qa shkrihen ne nje. Nje e vjeter dhe tjetra shume me e re.
      Apriori nje nga elementet e vjetersise se Eposit e shoh pikerisht tek spjegimi i dhe dhenia shume vend ritualit te rrembimit te grave.
      Rituali i rrembimit te grave na con tek legjenda romake e rrembimit te Sabine(a)ve. Dhe po te shohesh ca me tutje, na con edhe tek praktika sociale e kultures Dorike te rrembimit te grave, ne kohen e marteses. Kontemporaneizimi i Eposit me emra modern me duket thjeshte nje ngjyrosje nga jashte e “nderteses”.

      Nese behet fjale per nje perkthim te mirefillte te vargjeve, nga cdo gjuhe tjeter ne shqip, a nuk do te lejonte nje analize teksti per te vene ne pah doren e perkthyes/eve, e per ta nxjerre kete fakt ne pah. Psh ne mend te vjen Shen Jeromi me Dhiaten e re, ku sipas specialisteve, mund te shihet se latinishtja s`ishte gjuha e nenes e perkthyesit. Ose fakti se ata qe e perkthyen Dhiaten e Vjeter nga aramishtja ne Greqisht ishin hebrenj te punesuar nga Ptolemeu, sepse shume pasazhe flasin per nje menyre te konstruktuari te fjales dhe mendimit qe ben kuptim vetem per dike qe mendon hebraisht fillimsht dhe me pas e perkthen ate ne greqisht.

      Mos kujtesa e betejes se Kosoves nga shqiptaret s`do te thote asgje, dhe s`i heq apo i shton peshe faktit qe shqiptaret ishin faktor esencial ne te.
      Psh nje nga betejat me te medha ne Greqi kunder turqeve ishte ajo e v. 1423 ne Tavia, ku 6000 shqiptare u rrjeshtuan perballe ushtrise turke. Shqiptaret u munden, dhe simbas zakonik, turqit ngriten nje piramide me 800 koka te prera. Kete asnje s`e kujton, megjithese simbas kronikes, vetem hija e renies se Kostandinopojes ishte me e madhe se sa jehona e saj.
      Historiografia moderne greke i sheh ata shqiptare te 1423-shit si rrumujaxhinj, qe s`u rrinte b… rehat, dhe kruheshin kot me kot me turkun, i cili ua beri paq. ( mund te heqesh nje paralele me shqipen e sotme po deshe)
      No one remembers them,,,,
      http://surprisedbytime.blogspot.com/search/label/Albanians%20medieval%20Greece

      Mos permendja e Skenderbeut s`ngre shume peshe. Eshte njesoj si te thuash se greket para clirimit te tyre prej turqeve as s`e kishin idene se kush ishin te paret e tyre te famshem. Keto harresa historike u ndodhin te gjitheve. Deri edhe gjermaneve.

      1. Jam dakord dhe nuk jam dakord. Me kete punen e Skenderbeut hapet pune, se jo per gje po nuk mund te anashkalohen ngjarje te ketilla ne nje popull si yni, te cilit i njihet trashegimia e poezise epike orale si mjaft e perhapur dhe madje me qendrueshmeri ne kohe me te madhe se fqinjet. Kemi nje mit te Skenderbeut, por jo nje mitologji popullore rreth tij. Nuk eshte pa gje kjo qe thoni. Por jam dakord, dhe pse meqe komenti huaj me beri te kerkoj, gjeta nje konfirmim hipotetik te versionit tuaj – deri diku – sikunder edhe te mendimit qe thashe per sa i perket Sanxhakut. http://www.islamicpluralism.org/342/epic-song-comparative-analysis-and-balkan-sephardic-culture. Ketu ka nje material, i prezantuar ne vitin 2008 ne Bosnje per kete pune dhe ky pasqyrohen disa ide qe kane qarkulluar me kohe per rrenjen e epikes orale ne Ballkan. Si version “i ri” hidhet ideja e Njekohesise se kengeve epike mes serbesh dhe shqiptaresh, me shume mes shqiptaresh dygjuhesh ne Sanxhak dhe mandej prej ketij kuadri eshte krijuar nje i trete, sinkretik me kalimin e kohes. Madje lexova qe kenget nder sllavet kategorizohen sipas rajoneve ku jane kenduar, si versioni i Krajines dhe versioni boshnjak (http://www.jstor.org/pss/3730905, por me rezerve). Ne fakt ky i fundit- boshnjaku – gezon me shume pretendimin per origjinalitet edhe pse ne diskutimin e mesiperm autoret qe jane marre paralelizojne edhe me kenget sefardike. Kjo e rrembimit te grave ka per mendimin tim me shume vlere, pasi nese nje akt i tille asgjeson teresisht kulturen krisitiane si te rrenjosur me normat e veta nder shqiptare dhe serbe, aq sa mandej te behet kufi ndares ne marredhenien mes paleve. Ajo nderkohe duhet sqaruar nese bie ndesh me kodin e Veriut, Kanunin apo te drejten zakonore te malesise. Nese grabitja e vashave te krajlit mundet te jete nje shpagim qe rrit kreditet ne bajrakun e Mujit, levizjet e befta te Ajkunes – nese jane ashtu sic shpjegohet ne shkrim – lene shume per te dyshuar. Kam lexuar se nje pjese e malesise ka patur zakonin e dhenies se gruas Mikut – por kjo ne vetvete nuk lidhet dhe aq me nderin e shperfillur sesa me mbivleresimin gati te pakuptueshem ndaj Mikut, qe mbetet nje kategori themelore krahas gjakmarrjes. Po keshtu edhe blerja e gruas, si norme qe me duket se ka qene e perhapur ne disa zona. Se fundi ka ndoshta – mendoj une- edhe nje lexim disi te permbysur te eposit teksa shtrohet problemi i origjines. Ballkani nuk ka patur kufijte e sotshem, paragjykimet e sotme dhe marredhenien e sotme brenda vetes. Ndaj edhe trazimi ne epos do pare ndoshta edhe si pasoje e atij substrati te perbashket mes popujve qe ne shekullin e 19-te iu nenrendit logjikes nacionale e cila me kete rast shprishi cdo mundesi per te thene te verteten. Per sa i perket shembujve qe sollet me Biblen, them se nuk qendrojne dhe aq, pasi aty kemi te bejme me tekste fikse mbi te cilat punohet rigorozisht ne permbajtje, nderkohe qe kenget dhe miti jane nje fill gati i padukshem, emetimi i te cilit humbet nisjen, por edhe fundin. Ja vete e thate qe Moskovi eshte nje ngjyrese.
        PS: Per betejen e F. Kosoves, arsyetimi juaj edhe qendron sipas meje. Fundja ne luftes i kemi kenduar ne opsionet e vrasjeve teke, me nje hero te qarte, por me vepra te mjegullta te tipit, Celo Mezani, Rrapo Hekali, Cerciz Topulli apo edhe Hamit Guga dy pellembe qe iu ngjit malit ne kembe.

        1. Thjesht per spekulim: a mos mungesa e Skenderbeut ne Epos flet indirekt per moshen e ketij te fundit? Qe ai te kete qene ne ekzistence, ne nje fare forme, ante the jo post Skenderbe?

          Per t`iu kthyer perseri figures se femres, kete radhe ne analizen tejet te bukur te Xhaxhait, ( te cilin do te doja ta uroja per te saten here per penen e tij. Por jo vetem ate, por do uruar edhe kapitalizmin amerikan – te cilin Xhaxhai s’e ka fort per zemer 🙂 – qe i jep mundesine autorit te kete lirine e nevojshme te shpirtit e te mendjes), tek Gjuha e Halilit.

          Ka nje pasazh ne shkrimin e Xhaxhait:

          …”Aty gurrat me u flladitë,
          aty kopshti me u mahnitë,
          aty velat me velzue,
          me velzue për shpinë të detit.
          Kur po hin njeri n’at kullë,
          me kujtue se ka ndrrue jetë.

          Kjo arkitekturë i përket një bote kështjellash mesjetare të përtejme për trojet e sotme të shqiptarëve; një univers social dhe kulturor në kontakt me kulturën, luksin dhe paranë që vinte prej Perëndimit…”

          Nje nga sulltanet me te famshem te epokes , kur perandoria Osmane kishte me shume tiparet e nje sekti samurajesh me asketizmin e vet karakteristik, se sa te nje perandorie ne duar eunukesh, eshte sulltan Baiziti, djali i Muratit te vrare ne fushe Kosove, ne 1389. Baiaziti ishte shume i sukseshme nga ana ushtarake, por ne fund perfundoi rob ne duart e Timurleng-ut te famshem, i cili e mbylli ne nje kafaz. Madje arriti ta perdorte edhe si stol , per te vene kemben kur i hypte kalit.

          Kronikat turke shkruajne se shthurja e oborrit otoman, pasojat e te ciles u shperndane dhe reflekutan me pas edhe ne shoqerine turke ne mase, filloi me Baizitin. Madje edhe shkaterrimi i tij, deri ne nje fare mase e spjegojne me me kete shthurje.

          Shthurja filloi kur Baiaziti mori per nuse vajzen e mbretit te Serbise. Simbas kronikave, ajo futi ne oborr dhe ne familjen perandorake zakone dhe praktika qe deri ne ate kohe ishin te panjohura dhe madje te perbuzura nga asketet turq. Kjo nuse nga Serbia, futi ne oborr zakonin e te pirit te alkolit dhe te te dehurit. Me ate fillojne orgjirat te gjithshfarshme dhe madje edhe homoseksualizimi i oborrit otoman. Me ate fillon nje lloj luksi ne oborr, i cili deri ne ate kohe nuk ishte ne natyren e tij.

          Nje vajze mbreti, qe shkon dhe marton nje mbret, do spekuluar se do te vazhdoje te jetoje materialisht ne mos me mire, te pakte ashtu sic eshte mesuar. Pra spekulimi do shtyre deri ne ate pike sa te thuhet se princesha serbe cfare la ne oborrin e vet, e “ndertoi” ne ate te Baiazitit.

          A perkon nje deduksion i tille me ate qe thote rapsodi:

          …”Kur po hin njeri n’at kullë,
          me kujtue se ka ndrrue jetë…”

          Mundet…

          Eshte e priteshme qe oborret e mbreterive sllave te kene qene shume me te pasura para daljes se turqve ne Balkan se sa me pas.

          p.s: ne lidhje me raportin e serbve me turqit, kur Baiziti zbriti ne fushebeteje kunder mongoleve te tmerrshem te Timurit, ai kish ne ushtrine e vet 10 mije ushtare serb. Aftesia e tyre ishte aq formidable sa ata i shpartalluan mongolet ne sektorin e vet madje edhe anash tyre, deri ne piken sa duke brohoritur menduan se e gjithe beteja ishte fituar. Kronika s`flet se cfare ndodhi me ata trima. Por po qe se Timuri i ka ngelur besnik zakonit te vet per tu prere kokat cdo mashkulli mbi 18 vjec qe perfundonte ne duart e ushtrise se tij, mund te merret me mend perfundimi i tyre.

        2. “beteja e Fushe-Kosoves ne kujtesen shqiptare nuk thote gje”

          Tek “The Battle of Kosovo: an Albanian Epic” nga Anna di Lellio ke dygjuhesh kenget e “kujteses shqiptare” per betejen, te mbledhura qe nga dekada e dyte e shek XX e lart (deri ne 1954 sulltan Murati eshte kryeheroi mistik i balades, pastaj me kalimin e kohes populli piqet dhe e ben kete armik dhe kryeheroi behet Miroshi (demek “ai i miri”, shqip, jo sllavisht Milloshi si me pare).

  5. Edukimi zyrtar, perfshi edhe nivelin universitar, ngul kembe se eposi eshte teresisht shqiptar, me datelindje diku nga shekulli VI pas Krishtit dhe se sllavet e gjeten dhe e bene pjese te kultures se tyre. Aty emri i Mujit, eshte Muji= mujsi=mundesi reference e forces fizike, stilistika homerike ( iliret ose pellazget), struktura sociale pothuaj matriarkat, qe i referohet bashkesise primitive dhe indirekt te con perseri tek iliret apo pellazget. Ndikimi sllav as qe zihet ne goje. Madje nje argumentim i Kadare ( ndoshta tek ” Autobiografia e popullit ne vargje” pa pretenduar saktesi), qe spjegonte se balada e vellait te vdekur ( Doruntina) gjendet ne te gjitha popullsite sllave dhe pothuaj ne te gjithe Europen, sepse sllavet qe paten kontakt me iliret e perhapen ne te gjitha vendet e europes, na servirej si zbulimi i Amerikes.
    Per ne qe jemi formuar ne kete menyre, pyetja qe na lind vetvetiu kur lexojme gjera qe na “pushkatojne” mitet eshte: Kush te paguan?!
    Do te me pelqente xhaxha qe keto tema ti ngrije ne nivelin e studimit shkencor apo tekstit universitar ( ne kete rast dikush duhet te te paguaje).
    Pavaresisht se nuk jam gjithnje dakord me ato qe kam lexuar ne Ptf, s’mund te mos e respektoj pikeveshtrimin gjakftohte prej nga shihen ceshtjet.

  6. Edith Durham ne librin “High Albania” qe pershkruan udhetimet e saj ne Malesi ne 1908, tregon per gojedhena te malesoreve te veriut mbi prejardhjen e tyre. Disa prej tyre thone qe kane ardhur ne trojet ku jane sot nga veriu, nga disa zona te Bosnjes se sotme. Datimi eshte i veshtire por Durham beson se kjo ndodhi rreth 300- 400 vjet me pare. Ne te njejtin liber Durham jep edhe disa zakone te ngjashme mes malesoreve te Malesise dhe atyre te Bosnjes, kuptohet per te mbeshtetur tezen e saj, si praktika e tatuazheve, menyra e qethjes se flokeve, varret e te vdekurve dhe figurat mbi varret e te vdekurve.

    Menyra patriarkale e llogaritjes se marredhenieve farefisnore ndoshta shpjegon disi edhe lehtesine e marteses me cikat serbe. Me sa kam lexuar, ne kanun nuk lejoheshin martesat me kusherinj deri te 12-te, por te llogaritur vetem nga deget mashkullore te fisit. Deget nga ana e femrave nuk kishin rendesi te madhe. Kjo mund te thote qe kontekstit te femrave (etnia, farefisnia, etj etj) i jepej shume pak rendesi.

  7. ””Menyra patriarkale e llogaritjes se marredhenieve farefisnore ndoshta shpjegon disi edhe lehtesine e marteses me cikat serbe.””

    Per mua s’ka shume lidhje ‘menyra patriarkale’ sepse Halilit ishte vete pleqesia qe i ish kundervene ndaj marteses me ‘shkinen’, biles Halili perfaqeson risi sepse iu kundervu pleqesise.

    Rrembimet e Ciklit nuk kishin natyre martesore, kishin ndodhur edhe para, femra merrej si robinje e futej ne shtepi me statusin e robinjes, diçka midis skllaves dhe konkubines, dmth natyra monogamike nuk ka qene e formes se prere, si e njohim ne sot, biles deri vone.
    Tek kenga e Tringes se Smail Martinit te Fishtes, kjo nuk donte te binte ne duart e malazezeve, te bente punet e shtepise, te vihej nen hyqmin e shkinave, me pak fjale te behej skllave, por qe natyrisht askush nuk e tregon qarte se per çfare roberie behet fjale.

    Nuk do shume mend te arrihet ne perfundimin se rrembimi i femres ka rol paresor seksual, se statusi i robinjes nuk eshte ai i gruas.
    Ne fakt Halimi don te martohet me shkinen, nuk do ta marre si robinje dhe kjo i ngre qimet perpjete pleqesise, qe perndryshe nuk do kish asgje kunder marrjes si robinje, sepse ishte zakon i vjeter.

    Kjo anomali, pra martesa me shkinen duhet te kish natyre joracionale, pra jo e llogaritur sipas kritereve objektive te mbijeteses, prandaj edhe kemi dashurine.

    Hapja drejt marteses me shkina, qe deri asokohe ishte e pamendueshme, per mua tregon fillimin e asimilimit, sllavizim qe behet gjithnje e me i rendesishem si proçes, qe zapton gjithe shoqerine e megjithate te sllavizuarit te njohur si boshnjake e kane ruajtur idene e individualitetit joserb e jokroat pergjate gjithe mesjetes.

    Shqiptaret e sllavizuar te Novipazarit sot njihen si boshnjake, po ashtu shqiptaret e Plaves dhe Gucise njihen sot si boshnjake, edhe keta pavaresisht sllavizimit dhe te qenit te rrethuar nga serbe, e ruanin idene e individualitetit joserb, ne fillim thjesht si mysymane, pastaj si boshnjake meqe gjithe myslymaneve qe flasin sllavisht u eshte ngjeshur historikisht ‘etnia boshnjake’.

    1. Hyllin shkruan (theksimi im):

      Rrembimet e Ciklit nuk kishin natyre martesore, kishin ndodhur edhe para, femra merrej si robinje e futej ne shtepi me statusin e robinjes, diçka midis skllaves dhe konkubines.

      Rrëmbimet e Ciklit nuk kishin natyrë martesore? Po ç’ëndërr paske parë, ore zotni?

      Te “Gjeto Basho Muji (Martesa)” (ajo ku ngrijnë krushqit në bjeshkë), Muji e zë nusen në Krajli.

      Te “Orët e Mujit”, Halili e merr Janukën e Bardhë (të Pajit Harambash) për nuse: “për tri javë darsma s’ka pra.”

      Te “Martesa e Halilit”, ky e merr për grua të bijën e Krajlit të Kotorrit, Tanushën.

      Te “Muji e Behuri”, edhe Muji edhe Halili marrin për grua çikat e Behurit (pasi Muji e vret këtë të fundit): “t’mira dazmat qi m’i kanë ba, t’mira nuset qi m’i paskan dalë.”

      Te “Gjogu i Mujit”, Muji ia rrëmben krajlit të dy bijat, “e dy nuse m’i ka marrë, t’binë e mbretit për vedi e ndalon, nusen Halilit po m’ja çon,” teksa Krajli thotë: “Ma t’mirë mikun s’kam ç’e baj.”

      Te “Martesa e Ali Bajraktarit”, ky shkon mysafir te Krajle Kapedani dhe i thotë që “ta kam msy nji çikë me ma falë” dhe Kraji ia sjell të tri bijat që ky të zgjedhë njërën, me të cilën në fund martohet.

      Te “Arnaut Osmani” ky pasi bëri kërdinë në shtëpinë e Krajlit, ia mori këtij të tridhjetë çikat që mbante atje, të cilat i çoi të gjitha në Jutbinë dhe “tridhetë djelm po m’i marton, çikën e krajlit për vedi e ndalon.”

      Te “Zuku merr Rushën” heroi merr për grua Rushën e Krajlit.

      Te “Basho Jona” Halili merr për grua Gjelinën e Bardhë.

      Te “Muji e Jevrenija” e bija e Krajlit, Jevrenija, ia kërkon vetë Halilit që ta marrë për grua: “a po m’merr Halil a po m’lshon?”

      Nuk po vazhdoj më, sepse bëhem monoton.

      Pothuajse në të gjitha këngët e Ciklit, rrëmbimi i një vajze sllave përfundon me martesë.

      E shumta që mund të thuhet, është se kreshnikët myslimanë, Muji dhe Halili, marrin më shumë se një grua; në njërën prej këngëve, “Gjogu i Mujit”, ky është tashmë i martuar me Ajkunën, por merr për vete edhe të bijën e krajlit, dhe bëhet mik me krajlin vetë.

      Tani, unë pyes: ti, Hyllin, pse dizinformon? Pse thua gjëra të cilat haptazi nuk kanë bazë në realitet? Ngaqë nuk di, apo ngaqë dëshiron të gënjesh, në mënyrë që të mbështetësh tezat e tua puriste nacionaliste?

      Nëse nuk di, pse nuk merr mundimin të lexosh, në vend që të debatosh këtu për çështje të cilat nuk i njeh?

  8. ””E shumta që mund të thuhet, është se kreshnikët myslimanë, Muji dhe Halili, marrin më shumë se një grua; në njërën prej këngëve, “Gjogu i Mujit”, ky është tashmë i martuar me Ajkunën, por merr për vete edhe të bijën e krajlit, dhe bëhet mik me krajlin vetë.””

    Ne fakt ti e merr fjale per fjale ate qe lexon, nderkaq justifikimi i Halilit e thote haptazi qe keto martesa ishin skandaloze, perndryshe nuk do kish kurrfare kuptimi qe Halili te justifikohej per nje gje kaq ‘normale’.

    Sipas teje, kaq krize per nuse paska qene, perderisa me nje te shtene u moren 30 ‘nuse’ ?

    Nuk ka shpjegim logjik, kjo qe mbeshtet, duket qarte qe si ke bere kritike logjike asaj qe ke lexuar.

    Nderkaq kenga e Fishtes na e ben te qarte natyren e ketyre ‘martesave’, pra mbajtjen robinje ne rastin tone nga ane malazezve qe ishin te krishtere dhe s’mund te kene disa gra.

    Nuk mohova ekzistencen e martesave, thashe qe Halili duket ti kete hapur udhe martesave shqiptaro-shkije, natyrisht 30 ‘nuset’ nuk ka logjike qe i mban per te tilla.

    ”’Tani, unë pyes: ti, Hyllin, pse dizinformon? Pse thua gjëra të cilat haptazi nuk kanë bazë në realitet? Ngaqë nuk di, apo ngaqë dëshiron të gënjesh, në mënyrë që të mbështetësh tezat e tua puriste nacionaliste? ””

    Ne fakt ti nuk kape thelbin e asaj qe thashe, u hodhe ne nje recitim pa kuptim si ai qe meson permendesh.

    Ja si na e pershkruan gruaja e kralit, kete depertim te kreshnikeve sipas teje ne kerkim te ‘nuseve’:

    Fill te krali paska shkue…
    -Te kane ardhe cubat e Jutbines
    e ty kullat t’i kane zaptue
    erzin marre, cikat cnjerezue! –

    Cikat çnjerezue, thote, ja kush eshte frika e kralices e nuk besoj se martesen do e quante çnjerezim.

    Ti xha xha me kujton veten kur zbuloja gjera gjate fazes time pellazgollogjike, mjaft te gjeja diçka qe dukej se me konfirmonte bindjen dhe e merrja pa kritike logjike.
    Natyrisht ti e ke nga krahu i kundert, dmth mjaft te gjesh ndonje gje qe konfirmon bindjen tende te perzierjes , multikultures, multietnikes e shumegjuhesoresh se e shpall hapur si fakt pa i bere kurrfare kritike logjike.
    Nuk eshte hera e pare qe rreshket ne lakun e fakteve te rreme.

    1. Hyllin, dikur edhe ke pasë thënë ndonjë gjë me vlerë, në blog. Kohët e fundit, vërej se po shndërrohesh, për fat të keq, nga partner debatesh në specimen për t’u studiuar. Të ndodh kështu ngaqë të mungon një formim profesional në fushat ku kullot apo ngaqë t’i ka zënë sytë nacionalizmi i tipit folklorik etnografik crudo fare apo ngaqë je mendjengushtë (bigot) nga natyra dhe nuk ka erudicion që të të ajrosë unë këtë nuk e di.

      Gjithsesi, duket që Ciklin nuk e njeh mirë, meqë Cikli është i gjithi i ndërtuar rreth martesave me vajzat shkina; dhe kjo nuk është diçka që e nxjerr unë nëpërmjet interpretimit – gjendet në këngët vetë. Se pse ndodh kështu, e kam sqaruar më lart dhe s’ka kuptim t’i kthehem; ekzogamia besoj ka qenë një arsye, sikurse edhe nevoja për aleanca ndër-kufitare. Arsyetimi i heroit beqar, se vajzat e këtushme më duken të gjitha si motra, është një nga klishetë narrative në cikël. Gjithsesi, vëllazërimi mes kundërshtarëve në eposet “kufitare” njihet edhe në këngët akritike, edhe te Cid-i; nuk e shpikën kreshnikët tanë, as e pashë unë në ëndërr; dhe ky vëllazërim nuk ndodh vetëm nëpërmjet martesave të kryqëzuara.

  9. Duke injoruar mendimin tend rreth meje, si zakonisht, do perqendrohesha tek pohimi :
    -duket që Ciklin nuk e njeh mirë, meqë Cikli është i gjithi i ndërtuar rreth martesave me vajzat shkina;

    Ky eshte rasti i pare qe lexoj diçka te tille rreth ciklit, gjithe ata studiues shqiptare e te huaj, nuk kane nxjerre ndonjehere nje fraze kaq lapidare per absurditetin e saj.

    Ti e shikon Ciklin nga nje kendveshtrim shume i çuditshem, i cili me terheq sikunder me terheq nje perralle, po jo me shume se aq.

    1. Shkruan:

      Duke injoruar mendimin tend rreth meje…

      E vetmja vlerë që ka mendimi im rreth teje i shprehur në komentet është që të të mësojë (stërvitë, kushtëzojë) të mos shprehësh më mendimin tënd rreth meje në komentet.

    2. Ndaj replikës sime se Cikli është i gjithi i ndërtuar rreth martesave me vajzat shkina, lexuesi Hyllin reagoi kështu:

      Ky eshte rasti i pare qe lexoj diçka te tille rreth ciklit, gjithe ata studiues shqiptare e te huaj, nuk kane nxjerre ndonjehere nje fraze kaq lapidare per absurditetin e saj.

      Kjo vjen ngaqë ti nuk ke asnjë lloj kualifikimi për t’u marrë me këtë punë.

      Citoj nga Lambertz-i (theksimi im):

      Brautwerbung, auch Brautraub und Entführung der Braut spielen im albanischen Kurzepos eine zentrale Rolle.

      Tani, ti, si ndjekës i deklaruar i Krahes që je, me siguri e kupton gjermanishten, por për të tjerët po e përkthej:

      Vardisja (courtship, corteggiamento), grabitja dhe rrëmbimi i nuses luajnë një rol qendror në eposin shqiptar
      [Lambertz, M., Die Volksepik der Albaner, Halle (Saale) M. Niemeyer, 1958, f. 110].

      Hyllin, tani sinqerisht: boll më lodhe me budallallëqe. Hap ndonjë libër dhe lexo, nëse të intereson kjo si çështje.

  10. Mos shko shumë larg XhaXha, mund të sjellim edhe ndonjë autor vendas:

    Në legjendat epike është pasqyruar me hollësi një formë e tillë e lidhjes martësore, jehonë e ekzogamisë, martesa me rrëmbim. Rrëmbimin e grave autorët anonimë të këngëve epike e paraqesin si diçka normale, një farë etaloni dhe afirmimi të trimërisë së vërtetë. Prandaj një nga temat e pëlqyera të bisedës nga agët e Jutbinës, kur mblidheshin në kuvende, ishin rrëmbimet. Kërkesat e agëve për martesën e Halilit, Zukut etj., bëheshin shkak i aventurave, i grabitjeve të grave. Një pjesë e mirë e subjekteve të këngëve paraqesin ndërmarrje për martesë të një heroi të caktuar. Kështu vepron Halili, Aliu, Zuku Bajraktar etj. Por ka edhe shfaqje të një forme më të hershme grabitjeje siç ishte rrëmbimi në grup. Të kësaj natyre janë ekspeditat luftarake të Mujit e të çetës së tij në viset e Krajlisë, ku ai zë 30 a 300 çika “robina”, me të cilat martohen 30 a 300 djem të Jutbinës.

    Në përgjithësi, bëmat dhe veprimet e heronjve për martesë, paraqiten në subjekte gjysmëpërrallore, në të cilat si kundërshtarë të heronjve dalin krajlët e krishterë. Qytetet e bregdetit dalmatin, ku Halili dhe shokët e tij grabisin vajzat dhe ku, në bodrumet e errëta, vuajnë trima të zënë rob, paraqiten më shumë në karakterin e përrallës.

    Dojaka A., “Marrëdhëniet martësore në epikën heroike legjendare”, ff. 262-263 në Çështje të Folklorit Shqiptar 3, botim i Institutit të Kulturës Popullore të ASH të RPSSH, Tiranë 1987, ff. 260-266.

  11. Me fal po ze nje rol qendror dhe ‘eshte i ndertuar i gjithi rreth’ te duken pohime te njejta ?

    Ajo qe eshte pasoje, ti e ben shkak, nevoja per te demostruar trimerine tek ti perkthehet nevoja per nuse sjell trimerine.
    A nuk e kupton qe e kthen krejt permbys ? Mua kjo me habit, si ka mundesi qe nuk e kupton.

    Nje epike qe eshte kenge lufte, bemash e trimerish, ti e perkthen ne ‘lirike martesore’ ne darsma , krushqi, aheng, vellazime shqiptaro-shqesh ?
    Ku di une, ti qofsh.

    Grabitja e femrave, e dhenve, e kuajve eshte dukuri teper banale gjate çfaredo lufte mes kufitaresh, normale qe ka rol qendror ne zhvillimin e ngjarjeve, po Cikli i Kreshnikeve eshte ndertuar i gjithi rreth konfliktit etnik shqiptaro-shkje dhe çdo tematike tjeter sado qendrore ne zhvillimin e ngjarjeve eshte plotesuese e konfliktit, i cili sikunder çdo konflikt i gjate ka edhe kohe, intermexo paqeje e gezimi.

    Persa kohe qe i kthen permbys shkaqet e pasojat, normale qe do vij une apo dikush tjeter dhe do te thote, xha xha po i thua kekut byrek dhe byrekut kek.

    Me kaq e mbylla se u merzita, 30 a 300 nuse, ketu jemi ne pozitat e qesharakes, do te thote te shpikesh nje realitet nga hiçi.

    1. Shkruan:

      Cikli i Kreshnikeve eshte ndertuar i gjithi rreth konfliktit etnik shqiptaro-shkje

      Kjo është një nga mundësitë interpretative – por mua s’më rezulton kështu. Po të shohësh se çfarë i motivon bëmat, ose gjestet e heronjve, do të gjesh shumë shpesh, si causa prima, një nuse. E kam fjalën që heronjtë mund të luftojnë për besë, për nder, për plaçkë, për çfarë të duash ti, por shkasi i këtyre bëmave është zakonisht la femme. Unë këtë kam parasysh kur them se “është i ndërtuar i gjithi,” arsyen e ngjarjeve. Lambertz-i thotë zë vend qendror, unë them është fulcrum-i. Ku është dallimi i madh këtu? Unë madje e thashë atë si diçka që dihet, ose që, të paktën, kushdo që e lexon Ciklin pa syze kombëtariste mund ta vërejë. Nuk është interpretim, është fakt narrativ (ndryshe nga hipoteza e përplasjes etnike shqiptaro-serbe, e cila kërkon argumente të forta që deri më sot mungojnë).

      Për t’u kthyer tani te konflikti etnik shqiptaro-serb që përmend – si i bëhet, pra, që vetëdija “etnike” në eposin tonë është pothuajse zero, në vetvete por edhe në raport me vetëdijen fetare? E di ti që fjalët shqip dhe shqiptar, në epos, nuk dalin më shumë se 4-5 herë; madje edhe ato herë dyshohet se janë shtuar më vonë prej rapsodëve? Gjithsesi, unë do t’i kthehem kësaj teme, se nuk e shterrojmë dot në komentet.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin