GRATË DRU BURRAVE

Edhe sikur të mos isha me origjinë nga Berati, shkrimin me titull “Burrat e Beratit kërkojnë mbrojtje: Na rrahin gratë”, do ta lexoja medoemos. Prandaj edhe i shpenzova lekët për gazetën.

Titulli më njoftonte për një lajm interesant. Burrat nga Berati ankohen se rrihen nga gratë. Shkrimi i gazetarit nuk fillon keq (Gazeta shqiptare, 24 gusht 2011). Lexuesi informohet se është “shtuar ndjeshëm numri i burrave beratas që kërkojnë mbrojtje ligjore përballë dhunës që ushtrojnë gratë”. Citohet madje Gjykata e Beratit e cila paska pohuar se “që nga fillimi i vitit 2011, numri i burrave të dhunuar nga gratë që kanë kërkuar mbrojtje zë 25 për qind të rasteve të denoncimeve për dhunën në familje”. Lajmi qëndron. Si puna e qenit: kur ky e kafshon njeriun nuk përbën lajm, kur ndodh e kundërta, pra kur njeriu e kafshon qenin e japin të gjitha gazetat. Normalisht, dhuna ushtrohet ndaj gjinisë femërore, sidomos në shoqëritë patriarkale.

Numri në përqindje (25%), i dhënë edhe me shifra (“nga 52 kërkesa për mbrojtje nga dhuna në familje që janë regjistruar gjithsej, 10 u përkasin burrave”), kërkon padyshim krahasime në kohë. Me fjalë të tjera: sa janë rrahur burrat beratas vitin e mëparshëm? Shifrat jepen disi të pasistemuara, të ngatërruara me shifrat e fshatit e të qytetit, por me pak vëmendje edhe mund të gjenden. “Vitin e kaluar nga 106 kërkesa për mbrojtje, 23 prej tyre kanë pasur si kërkues për marrjen në mbrojtje burrat, të cilët janë ankuar se dhunohen nga gratë e tyre. Ndërsa për gjysmën e vitit 2011, nga 52 kërkesa për mbrojtje, 10 janë bërë nga burrat”, citohet të ketë thënë kancelarja e Gjykatës.

Nuk duhet të jesh ekspert statistikash për të kuptuar se tendenca e dukurisë nuk ka ndonjë ndryshim thelbësor nga viti i mëparshëm. Në përqindje jemi po aty. Gjatë vitit të kaluar janë bërë 23 kërkesa në 106 gjithsej, në gjysmën e parë të këtij viti 10 në 52 gjithsej. Po t’i shumëzojmë me dy… Nejse, i lëmë numrat dhjetorë dhe saktësimet.

Pra mora vesh se burrat beratas janë zhdëpur njëlloj si vitin e kaluar nga gratë e tyre, çka nuk përbën motiv mburrjeje, por gjithsesi duhet të jemi të kënaqur që nuk paska pasur rritje. Për anën cilësore të dajakut nuk kuptohet asgjë nga artikulli. Ka gjasa që ky vit, si vit i zgjedhjeve vendore, të ketë qenë më i pafat për burrat beratas. Tensioni i zgjedhjeve mund t’ua ketë bërë kurrizin më të butë se barkun. Por mund të jetë edhe e kundërta. Të angazhuara me politikë, gratë e kanë derdhur agresivitetin e tyre në fushatën elektorale, çka na shpjegon tërthorazi shumë aspekte të pakuptueshme të politikës shqiptare.

Gjithsesi, dukuria është aq e ndërlikuar sa kërkon detyrimisht sqarime ekspertësh. Në fakt, gazetari nuk ka harruar të na intervistojë psikologen e radhës e cila, pasi na bën me dijeni se gratë nën moshën 25 vjeç e mbi moshën 45 në përgjithësi nuk rrahin (përse vallë?), thekson: “Dhuna nuk ka si shkaqe trashëgimin gjenetik apo sëmundjet psikike, por probleme të tjera të shoqërisë, individëve, si problemet sociale, tradhtitë bashkëshortore, etj…”. Pohimi duket i përgjithshëm, megjithatë rezulton i dobishëm. Mësojmë se kush rreh, nuk e bën për faj të  prindërve, as se është i çmendur, por e rreh bashkëshortin/en për probleme sociale(?!), ose për tradhti bashkëshortore.

Po për shtimin e rasteve të dhunës së grave ndaj burrave, ç’mendon psikologia? Sipas saj, shkaqet e rrahjeve “lidhen me emancipimin e shoqërisë”. E thënë ndryshe: sa më shumë emancipohet shoqëria shqiptare, aq më shumë burrat beratas do të rrihen nga gratë. E pranoj. Edhe sikur të mos isha me origjinë nga Berati do të dilja kundër këtij emancipimi, do të bëhesha konservator me zor, do të kërkoja të vihej menjëherë shamija e kokës me ligj, mundësisht ferexheja. Ose t’i lëmë gratë me mini-minifundin, por të paktën mos hamë dajak, kotnasëkoti.

Nuk dihet përse ekspertja shton fjalinë e fundit. Ndoshta është faji i cituesit, por ajo thotë: “Me zhvillimin dhe emancipimin e shoqërisë, femra nuk e duron dhe nuk e mbart dot më dhunën fizike dhe psikologjike, por i drejtohet gjykatës për zgjidhjen e martesës dhe marrjen në mbrojtje nga policia”. Dakord. Por ç’lidhje ka kjo me rrahjen e burrave? Mua më duket normale që femra nuk e duron më dhunën dhe i drejtohet gjykatës. Por ne prisnim një sqarim tjetër, për burrat e rrahur, se për këtë e kishim fjalën, apo jo?

Nejse. Mbetem i pasqaruar e i zhgënjyer, si burrë, si mashkull e si lexues. Prisja ndonjë interpretim me karakter social, meqë titulli i shkrimit sikur ia shkel syrin stereotipit sipas të cilit populli i Beratit është i butë. E palos gazetën e drejtohem për në shtëpi. Atje më pret gruaja. Atje do të marr vesh nëse i përkas 20%-it, apo pjesës tjetër. Pastaj, do të marr në telefon gjykatën, psikologen e së fundi gazetarin. Që t’i sqaroj përfundimisht.

Nuk ka komente

  1. A thua vallë edhe Lulzim Basha të jetë dhunuar nga gruaja? Ka pak të ngjarë, sepse Luli nuk është nga Berati. Asnjë media nuk doli të na thoshte se pse kryebashkiaku e kishte krahun në allçi, të na thoshte se çfarë ka ndodhur në fund të fundit…

  2. Kam frike qe e kane fajin vete, se beratasit kane marre gra me origjine nga Skrapari. Skraparllinjte i kane zene me kohe, qe para ’90-es, pozitat kyce ne qytet dhe ne zone (flitet per nje lloj pushtimi, sidomos ne kohen e Metes kryeminister). Dhe tani, dihet qe skraparllinjte jane njerez mali, me gjak te nxehte, kurse beratasit, sidomos te qytetit, jane zgerlaqur e te zhburreruar qe ne kohe te turkut, kur u kendonin “cunave te bukur”…

  3. Ai 25%-shi i burrave qe kane paditur grate, tregon sa beratas denbabaden kane mbetur ne Berat, 75%-shi tregon burrat me origjine nga Skrapari, qe tani quhen beratas.
    Qe te mos ma marre per keq autori, origjinen nga nena e kam beratas, s’dua assesi te shaj beratasit, thjesht po interpretoj sipas meje faktet. Dhe pa humor, madje, me humor te keq. I njoh mire ca histori famijesh beratase, burrat e te cilave u zhgerryen ne kumar e çingi, me raki e sarhoshëri te pafre (vitet ’30), sa mbeten sherbetore pastaj ne dyert e te tjereve. E vetmja e mire e kesaj, qe se i gjeti Lufta te varfer e s’paten ç’pasuri t’u merrnin pas ’45-es dhe keshtu nuk u quajten “armiq te klases”. Ndoshta e kam gabim, se keta ishin veç nga paria e qytetit (edhe sot jane shtepite e tyre muze, qe i shiten ose i lane ne kumar brenda nates) dhe jo nga njerezit e thjeshte. Po nder te varferit ata duhet te kene lene shume nga fara e tyre e degraduar, te hyzmeqaret e bujqit e çifliqeve, qe madje, merrnin edhe mbiemrin e agait te tyre… Nuk kane te sosur hyneret e sanço pançove apo “bejlurçinave” shqiptare, sic thote Noli!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin