ARRA GUNGË E EPIRIT

Historiani Kristo Frashëri, në disa numra të Gazetës Shqiptare, polemizon me teza të historianëve grekë në lidhje me Epirin e Vjetër dhe banorët e tij në shekuj.

Çështja e natyrës etnike të Epirit të Vjetër në lashtësi dhe në mesjetë i ka ndarë historianët në të dy anët e kufirit shqiptaro-grek.

Dy tezat ekstreme – njëra se Epiri i Vjetër ka qenë gjithnjë etnikisht grek dhe tjetra se Epiri i Vjetër ka qenë iliro-shqiptar në mënyrë të vijueshme – nuk janë të vetmet që qarkullojnë, as më të besueshmet.

Megjithatë, të thuash se epirotët nuk kanë qenë grekë nuk do të thotë, automatikisht, se epirotët kanë qenë ilirë (kjo duhet mbështetur veçmas), as se ilirët e dikurshëm (të supozuar) të Epirit janë trashëguar si shqiptarët e sotëm të Jugut.

Gjithsesi, polemika është tërheqëse në vetvete.

Një pjesë e argumenteve që sjell Frashëri kanë natyrë gjuhësore-etimologjike dhe meritojnë vëmendje.

Kështu, ai thotë ndër të tjera se:

[e]mri Bylis vlerësohet si një toponimi tipike ilire me rrënjë fjalën “ballë”, në kuptimin e kryes. Për t’u bindur për këtë përmbajtje etimologjike shqipe mjafton të kujtojmë se sllavët e quajtën Gllavinicë (nga Gllavë: Krye), kurse në një burim mesjetar grek Kefalini (nga Qefali: Krye). Pra, në të dyja rastet kemi një përkthim në sllavisht dhe në greqisht të toponimit ilir Bylis (= ballë, krye).

Unë nuk di se kush e ka barazuar emrin Bylis me fjalën “ballë”; por jam në gjendje të them se ky barazim nuk qëndron nga ana fonetike; meqë kalimi nga y-ja e Bylis-it në a-në e fjalës ballë është shumë problematik. Nuk ka asnjë shembull që një fjalë e lashtë, indo-europiane, greke e lashtë, ilire ose edhe latine me y tematike, të ketë përfunduar me a tematike në shqipen e sotme, me rregullsitë fonetike të shqipes; Bylis do të kish përfunduar në diçka si Bull(sh) ose Byll(sh), po të kish qenë në gojën e shqiptarëve pa ndërprerje. Sipas të njëjtit arsyetim, nuk ka shumë gjasë që fjala e sotme ballë, së cilës i është pranuar etimologjia indo-europiane, të ketë pasur formën Bylis në lashtësi. Përndryshe, barazimet Gllavinicë = Qefali = Ballsh janë të besueshme në vetvete, edhe pse pa lidhje me ekuacionin Bylis = Ballsh.

Më tej, Frashëri shprehet edhe për origjinën e emrit të krahinës Dropull, për të diskutuar nëse ky duhet shpjeguar patjetër nga Hadrianopolis, apo nga një formë *Drinopolis, si qyteti i lumit Drin(os), që kalon aty; duke vërejtur, me këtë rast, se toponimi Drin është ilir dhe ndeshet anembanë trojeve të Ballkanit të banuara nga këto fise. Kjo është e vërtetë, meqë veç Drinit në Shqipërinë e Veriut, ka edhe një Drina në Bosnjë, veç emrave të përrenjve që ndeshen aty-këtu, gjithnjë në Veri të Shqipërisë.

Mirëpo këtu ka një problem me vetë emrin e lumit; sepse një Drin, në Shqipërinë e Jugut, do të ishte rotacizuar në Dri-Driri (sikurse bri-briri, fre-freri, Mërti(r)-Mërtiri, ulli-ulliri, mulli-mulliri, etj.; të gjitha forma që dalin me n- në gegërishte: brini, freni, Martini, ullini, mullini). Pse të ketë mbetur Drini në Jug i parotacizuar, në një kohë që rotacizmi, si rregull, ka prekur edhe emrat e vendeve (khs. Vlorë, nga Aulona)? Vallë ngaqë nuk ka qenë pandërprerazi në gojë të shqipfolësve? Apo ngaqë ka pasur ndonjë enklavë gege aty?

[Meqë jemi në temë, unë nuk e kuptoj pse s’e ka përsiatur njeri mundësinë e prejardhjes së toponimit Dropull nga një sllavishte mesjetare Drinopolje, ose fusha e Drinos-it. Ndoshta Tannhauser ka më shumë informacion për këtë.]

Në fakt, mungesa e rotacizmit në emrin e lumit Drin(os) më kujtoi edhe një rast tjetër, që u ka hapur kokëçarje gjuhëtarëve: fjala qen, e cila mbahet si huazim latin, por që si i tillë duhej të ishte rotacizuar në toskërishte, si qé-qeri. David Luka ka shkruar një artikull të hollësishëm për këtë çështje tani së voni. Edhe pse ka ndonjë zë që e quan qen si fjalë autoktone dhe mungesën e rotacizmit aty e shpjegon me një geminate: *kannis (n-të geminate ose të dyfishta, nuk janë rotacizuar në shqipe: khs. hënë, punë, etj.), unë do të anoja nga shpjegimi që qen, në toskërishten, është huazim i vjetër nga gegërishtja (i mesjetës së hershme, por pas përfundimit të rotacizmit në toskërishte).

Gjithsesi, Drin(os) mund të jetë toponim ilir në Epir, por mosrotacizimi i fjalës e dëmton tezën e vijueshmërisë ilire-shqiptare në ato troje.

Frashëri tingëllon më bindës kur merret me historinë e Krishterimit në Epir; edhe pse teza e tij se “historia e provincave epirote na çon tek konkluzioni se tek të dy Epiret mbisundonte elementi ilir” më duket pak e sforcuar. Të thuash që epirotët e lashtësisë kanë qenë të ndryshëm prej grekëve, dhe që epirotët e lashtësisë – thesprotët, kaonët, mollosët – kanë qenë ilirë janë dy teza të ndryshme; e para nuk e provon të dytën; dhe e dyta mbetet për t’u provuar, pa çka se historianët shqiptarë, siç mund të pritej, e marrin për të mirëqenë.

Nuk ka komente

  1. Por kur vijueshmëria e emrave,nuk përputhet me “origjinalin” sllav, nuk e mora vesh se ç’kishte të bënte ky muhabet me Epirin, dhe aq më tepër nëse kjo ndihmonte që të kuptonim nëse është i yni apo i grekërve?!

  2. Xhaxha, ju e filloni artikullin me polemikat shqiptaro-greke rreth Epirit dhe, me mosvijueshmërinë e emrave/toponimeve, kërkoni që të tregoni që, ndër dy palët diskutuese, duhet marrë parasysh edhe një element i tretë… sllav(!!!)?

    Para 2-3 ditësh mora numrin e fundit të revistës “Focus storia”. Ky numër i është dedikuar tërësisht Greqisë antike.
    Në kartografinë që shoqëron artikujt, Greqia (po quaj Greqi tërësinë e qytet-shteteve që formuan kulturën dhe historinë e asaj që ne sot quajmë greqi) gjëndej VETËM në pjesën jugore të Ballkanit (Athina dhe Sparta ishin pak a shumë epiqendra).
    Grekërit, dhe me grekë nënkuptohen vetëm QYTETARËT grekë dhe jo banuesit e tjetër të atyre zonave, si skllevërit apo të nënshtruarit (ilotët të parët ndër ta), qoftë sepse të “internuar” (larguar prej qyteteve nëpërmjet ostraçizmit), apo qoftë për nevojën për t’u “zgjeruar” shkuan deri në brigjet e Puglias, Sicilisë dhe deri në Kuma (Cuma) nga ku hodhën dhe bazat e krijimit të Napolit, pra patën një aktivitet kolonizues (në kuptimin që ishin të zotë që të zbulonin dhe të shfrytëzonin hapësirat e lira edhe pa nevojën e shpatës), në zonë shqiptare (mi lejo emërtimet e sotme, për kollajllëk), u gjendën vetëm në Durrës dhe Fier.
    Në ato harta, Epiri vërtet shënohet si një zonë e veçantë, pra jo si greke, sepse po të ishte grek, meqë e gjithë revista flet për historinë e greqisë do ta kishte shënuar si territor grek, dhe tregohej si një zonë e banuar prej popullsish të ndryshme, ndër to edhe maqedonasit (pra sllavë)… maqedonas që, pas rrëzimit të Trojës, në vitet në vazhdim arritën të fuqizoheshin deri kur arritën tek Filipi dhe arritën maksimumin e pushtetit tek Leka i Madh.

    P.s: Pas hyrjes, mu desh të zgjatesha pak në histori, për të treguar që elementi sllav/Maqedonas, sado që ka qenë shumë i fuqishëm, këtë fuqi e arriti “një çikë më vonë” se lulëzimi i qytetërimit grek (pra i asaj mesjete për të cilën bëjmë fjalë)… dhe ky, dmth periudha e dominimit maqedonas, mund të jetë shkaku i ndërprerjes së vijueshmërisë së ndërrimit të emrave apo krijimit të emrave të rinj, që sot i konsiderojmë si serbë(!).

    1. Emrat sllavë i gjen në Epir me bollëk. Kjo s’ka lidhje me epërsinë e qytetërimeve – meqë nuk është e thënë të kesh ndonjë epërsi kulturore, për t’i vënë emrin një fshati.

  3. O Xha Xha,pasi nuk arrini gje te hajrit vete si shkrimtare/gjuhtare apo perkthyes, doni t’ja dilni me ane te publicistikes, dhe me keq akoma, jo me ndonje ide te re por thjesht me kundershtime. Dhe sigurisht te kundershtosh nje njeri te njohur mbi nje teze pikante te jep akoma me shume “emer” (nje shembull jam edhe une, qe perndryshe as do e kisha marre mundimin t’ju nihja/kerkoja/shkruaja).
    Une s’jam specialist i fushes, por me beri shume pershtypje ajo pjesa per Bylis-in ku ju si “gjuhetar” doni te na shpjegoni se Byll=Ball atehere sot do ishte Bylls e jo Ballsh (o zot na ruaj, thua ti se Kristo Frasheri tha qe keta ballshiotet e sotem jane sternipat direkt te mbretit Bardhyl).E para as une as ju se dime ne çfare trajte gjendet i shkruar ne ghetjet e lashta (sigurish alfabet grek arkaik do jete)s se dyti ju nuk permendni ose se nuk e dini ose se nuk doni qe ta permendni qe Romaket nuk e quanin Byllis por Baletium. Ja pra ku qysh para 2000 e ca vjetesh y-ja juaj e pandryshueshme na u be “a”.Mos valle ata ballshiotet e hershem e ndryshuan emrin e qytetit deri atehere,apo mos ndoshta ata romaket e pane se transkriptimi i meparshem i emrit ishte ndoshta i gabuar? Keto s’di ti shpjegoj e me sa shoh as ju s’dini, prandaj lerjani keto gjera specialisteve. Se eshte pak si shume kollaj te dalesh me nje artikull ne faqe te pare duke hedhur poshte punen e nje jete te tere te nje burri 90 vjeç, dhe kjo jo me argumente ose me “argumente” te gabuara, dhe me fraza te tipit “me duket e sforcuar, s’ma mbush shume mendjen”. Jo zoti.Vehbiu jo, eshte shume kollaj keshtu.

    1. Indrit, e ke nisur keq që në fillim; unë nuk kam nevojë të kundërshtoj njeri, madje as Kristo Frashërin, për “emër”.

      Toni yt është fyes; por fyerja nuk ngre peshë në këtë muhabet, shërben vetëm për të tërhequr vëmendjen. Po ia faturoj axhamillëkut tënd dhe po vazhdoj me argumentin.

      Dija ndërtohet me teza dhe kundërteza. Jam i sigurt se edhe Kristo Frashëri vetë do të mirëpriste një polemikë për tezat e tij; sepse i ka ardhur në majë të hundës nga duartrokitjet e amatorëve dhe të miletit të stadiumeve.

      Ti dukesh si emër i ri; me siguri ke ardhur këtu nga ResPublica dhe i ke dhënë gojës para se të njihesh me natyrën e blogut. Kur të qetësohesh, hidhu një sy materialeve këtu dhe do të vësh re se temat që cek KF dhe të cilave u përgjigjem unë janë tema që janë trajtuar prej kohësh në këtë blog; dhe se interesi im për to nuk është se u ngjall ngaqë shkroi një artikull në gazetë KF.

      E shkruan profesionin tim “gjuhëtar” në thonjëza, çka duhet kuptuar si një tjetër provë e mënyrës si kërkon të polemizosh; tipike për një brez lehaqenësh, si yti.

      Dhe e gjithë kjo, sepse kam analizuar disa aspekte teknikisht gjuhësore nga artikulli i KF-së?

      Bylis nuk mund të lidhet me ballë, as të japë Ballsh. Qytetin Baletium që përmend ti, unë s’e kam dëgjuar gjëkundi si emër latin të Bylisit, përveçse në një faqe të Wikipedia-s, ku mungon citimi.

      A mund të përmendësh ndonjë burim për këtë?

      Ka një Balletium diku në veri të Shqipërisë, me të cilin shpjegojnë mbiemrin e Balshajve; ka edhe një Baletium në trojet e banuara prej mesapëve në Apuli. Por tjetër Baletium në trojet këtej Adriatikut unë s’kam dëgjuar. Quaje si provë të padijes sime dhe më ndriço të lutem, mua dhe lexuesit e tjerë këtu.

      Edhe sikur të ketë pasur një Baletium në Mallakastër, unë prapë nuk e vendos dot në lidhje me Bylis-in; madje edhe lidhja me ballë do të ishte pak e sforcuar, sa kohë që etimologjia nuk bëhet duke qëmtuar rrokje poshtë e lart.

      Dua të them: edhe sikur të ketë pasur Baletium në Mallakastër, ai emër nuk është se është trajta latine e Bylis-it. Po gjithsesi, ti mbase di ndonjë gjë më tepër, bujrum.

      Nga ana tjetër, më duket e pranueshme, fonetikisht, që Báletium, me theks në rroken e parë, të ketë dhënë Ballsh në një periudhë të mëvonshme, sipas rregullave fonetike të shqipes.

      Shkruan: “duke hedhur poshtë punën e një jete të tërë të një burri 90 vjeçar” – dhe këtë ngaqë kundërshtova dy etimologji të një historiani? Po ti qenke mallëngjyes, more zotëri!

      Më kanë thënë që të mos i miratoj në blog sulme të tilla si yti, të neveritshme, nëse vijnë nga njerëz që nuk kanë shkruar kurrë më parë, ose që sapo kanë vënë këmbën këtu. Ndoshta me të drejtë…

      Përvoja më thotë se ti nuk do të kthehesh më këtu; pushkë si e jotja kanë zakonisht një fishek vetëm. Gjithsesi, ia ushqej vetes një fije shprese, sepse gjëra edhe më të habitshme kanë ndodhur.

    2. Nuk me duket se po i hedh kush poshte punen ndonje burri te nderuar, vetem pse ofroi pak ekspertize shteruese (po, po) mbi faktin se Bylis nuk shkon dot kurre ne Ballsh. Te pakten jo me kembet e veta. Burri i nderuar 90 vjec dhe historian e ben kalimin nga Bylis ne Ballsh pa ndermjetesine romake Baletium qe ju sollet, nese e keni gjetur aty ku duhet; se kendejmi XhaXhai thjesht vuri ne dukje se “ky barazim nuk qendron nga ana fonetike”. Ku eshte problemi ketu? A keni ndonje takat linguistik ta hidhni poshte kete? Baletiumi nuk na hyn fare ne pune ketu, se nuk ekziston ne tekstin e cituar ne artikull – mund ta fusni serisht ne menge (bashke me arrogancen).

    3. Praschnikeri (Muzakia und Malakastra 98 shën. 40) në lidhje me këtë emër vendi lëkundet midis afrimit me emrin e qytetit antik Byllis të asaj ane dhe emrit të Balshajve. Shpjegimin Ballsh prej Byllis e përsërit tashti rishmë edhe H. Ceka, Monumentet Nr. 5-6 (1973) f. 10. Nga këto dy afrime, ai me Byllis për arsye fonetike nuk ka si të qëndrojë.

      Çabej E., Studime etimologjike në fushë të shqipes, bleu II, A-B, Tiranë 1976, f. 603.

  4. Pse tregohesh kaq i habitur edrus me mundësinë e prejardhjes sllave të emrit Dropull? Unë e kam ndeshur ndër autorë grekë edhe këtë mundësi, që e krahasonin me toponimin Drobolica, apo edhe një mundësie nga Dobro Polje. Edhe Drinopolje që sugjeron XhaXhai duket bindëse duke ditur se toponimia sllave është e përhapur edhe në venbanimet e grekëve në Shqipëri (pra, nuk është se kemi një toponim të izoluar sllav në mes të toponimeve greke apo shqipare).

    Pohimi i K. Frashërit se historiani grek E. Chrysos (Ευάγγελος Χρυσός) “nuk e pranon karakterin ilir të dy toponimeve të përmendura, mbasi kërkon medoemos të na mbushë mendjen qoftë edhe me përdhunë, se ato janë me origjinë helene” nuk është i saktë, për të mos thënë se është dizinformues. Historiani grek është shprehur tekstualisht kështu “Adrianopolis vazhdonte të mbante këtë pozitë gjatë gjithë epokës bizantine, edhe pse nga shek. XI del në burime me emrin Dryinopolis, që e ka prejardhjen ose nga forma e korruptuar e emrit fillestar (Adrianopolis – Andronopolis – Dryinopolis), ose nga emri ilir (?) i lumit Drino, ose nga një ngatërrresë e komplikuar e këtyre dy formave.

    1. Nuk është se habitem, dhe mund të jetë emër me prejardhje sllave, por, me aq sa arrij të marr vesh unë (dmth në nivelin e 2+2=4), nëse do ishte një emër sllav, do kishte ndjekur të njëjtën linjë transformimi si emrat e tjerë sllavë… dmth, për mua, nëse Dropulli është vërtet një emër i prejardhur nga Drinopolje (fushëdrini), tashmë do kishte shumë gjasa që të quhej Drinopojë (në analogji me Velipojën p.sh)

      1. Kjo varet nga gjuha e atyre që e kanë përcjellë emrin. Nëse Dropulli është i banuar nga grekë, vijnë në vështrim (edhe) ligjësitë fonetike të greqishtes.

        1. dhe këto ligjësi fonetike të greqishtes do pranonin që ajo fjalë të mbaronte me një bashtingëllore të tillë?! Pyes seriozisht, sepse nuk më tingëllojnë normale emrat e huaj që nuk mbarojnë me zanore… sidomos emrat e përbërë (siç mendohet që të jetë në ktë rast).

    2. Ne lidhje me ‘Dropull’, Sh.Demiraj ka nje diskutim te gjate e te hollesishem ne “ Epiri,Pellazget, Etrusket dhe shqiptaret” (Infobotues,2008,p168-182). Ja nje permbledhje e shkurter meqe ketu paska interes:

      Cabej mbeshtet Dropull<Drino-polis,
      Hammond , Cabanes , etj : Dropull<Hadrianou-polis, te cilen Demiraj e gjen me mbeshtetje me te mire historike dhe per te cilen jep preferencen e vet,kurse
      Pukevil mbeshtet : Dropullu ne rrokjen e fundit tregon se Dropull ka arritur ne kete trajte fonetike ne shqipfolesit nen ndikimin e bashketingellores paraprijese ‘p’, kurse ne greqisht kjo dukuri nuk ka ndodhur ( si tek polis,politis, Dhropolis)

      Demiraj ne mbeshtetje te argumentit te vet sjell edhe shembellin e Hadrianopol-it te Trakise qe ne greqisht ka dhene Andrianopol( Edirne -ja turke). Nga dy format Dropull (tek shqipfolesit) dhe Dhropolis (tek greqishtfolesit) , burimore eshte ajo me “d’ nga Drinos. Po ta kishin huazuar shqipfolesit nga greket mund ta ruanin lehte ‘dh’ nistore ngaqe i kane te dy tingujt ‘d’ dhe ‘dh’ ( psh si tek Dhrovjan), kurse , greqishtfolesit automatikisht e shndrrojne ‘d’ ne ‘dh’ meqe nuk e kane me ‘d’ (delta) nistore.

      Xhaxhai__- [Meqë jemi në temë, unë nuk e kuptoj pse s’e ka përsiatur njeri mundësinë e prejardhjes së toponimit Dropull nga një sllavishte mesjetare Drinopolje, ose fusha e Drinos-it. Ndoshta Tannhauser ka më shumë informacion për këtë.]

      Ne kete rast besoj se duhej te kishim nje ‘Drimopolje’, meqe sic dihet “Drin” tek sllavishtfolesit ka dhene ‘Drim’

      _Ne lidhje me mosrotacizimin e “Drini’ , hipoteza e xhaxhait per nje enklave gege mund te mos jete pa gjasa.Dyndjet nga veriu ne jug ne shek.XIV njihen.Disa mbeturina mbiemrash ne Laberi, perfshire Himaren si psh Gjoleka(Gjon Leka) flasin per kete mundesi. Dhe atehere Drinos eshte perftuar jo ne rruge fonetike por analogjike. Por gjithashtu nuk dijme kur ky lum eshte emertuar Drinos, mund te kete ndodhur pas pushimit te efektit te rotacizmit. Kam nje pershtypje qe ne autoret antike nuk del asnjehere.

      Xhaxhai__ -Të thuash që epirotët e lashtësisë kanë qenë të ndryshëm prej grekëve, dhe që epirotët e lashtësisë – thesprotët, kaonët, mollosët – kanë qenë ilirë janë dy teza të ndryshme; e para nuk e provon të dytën; dhe e dyta mbetet për t’u provuar, pa çka se historianët shqiptarë, siç mund të pritej, e marrin për të mirëqenë.

      Ky arsyetim eshte i drejte. Te pakten autoret e vjeter bejne nje dallim te qarte midis heleneve dhe epiroteve, por nuk jane po kaq te qarte se c’jane vete epirotet,me pak perjashtime si psh Apiani.

      Por kjo qe “historianët shqiptarë, siç mund të pritej, e marrin për të mirëqenë.”, nuk duhet pergjithsuar. Historiani i antikitetit Mirjan Ylli ne vepren e vet te fundit “Iliria dhe Epiri” ndersa dallon helenet nga epirotet, e le te hapur barazimin epirot-ilir.

      Xhaxha,ne lidhje me verejtjen tende besoj se ose eshte keqkuptuar ose nuk jam shprehur qarte. Behet fjale vetem per nje hamendje. Nga njera ane Ballsh nuk vjen dot prej Bylis, dhe kjo shpjegohet se nuk jane fjale te se njejtes gjuhe. Nga ana tjeter kemi ball(sh),kefalonia,gllavenica , pra ne tre gjuhe te ndryshme qe i japin te njejtin kuptim asaj fjale vendase prej ku eshte perftuar Bylis ne greqisht. Per te zgjidhur kontradikten hamendesohet se fjala parake ka qene dicka me ndryshe , nje ‘boulis’ meqe kemi indikacione. Po te veresh huazimet e vjetra te shqipes nga greqishtja del se ‘y’ greke ka dhene si rregull nje ‘u’ tek vendasit. (qull<khylos,kumbull<kokkymalon,bruke<myrike, etj). Pra per analogji mund te hamendesojme se Bylis tek vendasit ka qene shqiptuar si nje 'Bulis' qe eshte me e afert me 'Boulis' , prej ku nuk do kishim me probleme per te marre Ballsh. Mund te kete ndonje mangesi ne kete logjike, por eshte nje hamendje,jo me teper.

  5. qen nga can-is (cvan-) the qiell nga cael-um . nuk vijne nga e njejta zanore, kemi a dhe ae.
    a latine do ishte a ne gegerisht dhe ë ne toskerisht, si kamba – këmba, pra normalisht do vinte si kiani >= qëri.

    K e cael- eshte e ndryshme nga k e canis, kjo e dyta eshte nga ‘cu’an=’ku’an qe ne shqip eshte nje ki=kj>q.
    Perndryshe q e qiell eshte krej anomali, biles edhe e vetjma ‘q’ para ie/ia.

    Si qen nga can-is ashtu edhe qiell nga cael-um, jane kalime problematike, e para per shkak te zanores dhe rotacizmit, e dyta per shkak te singolaritetit te q+ie.

    Me pak fjale te dyja keto me duken shpjegime ad hoc para e pas Cabejt.

    Ne italisht shqiptohen ‘çelo’ dhe ‘kane’, pra tingulli K i c-se latine nuk eshte i njejti.

    Tani supozohet se jane latinizma te hershme, na vijne te dyja si ‘e’ qofte ‘a'(can-) e qofte ‘ae'(cael-), c na vjen njesoj si q edhe pse nuk eshte e njejta c (k), atehere shtrohet pyetja, pse nje ‘e’ ka dhene ‘ie’ qell>qiell ndersa tjetra (qen) ka ngelur ‘e’ ?

    Dihet qe ‘e’ indoeuropiane ka dhene ‘ie’ ne shqip , po ashtu qe ‘a’ indoeuropiane ka dhene ‘e’ ne shqip, a nuk do shpjegoheshin fare mire te dy keto fjale me ‘e’ dhe ‘a’ indoeuropiane, pa futur ne mes entitete te kota ?

    Persa i perket Bylisit, ka pase qene edhe forma ‘B’ou’llis’ si tek b’ou’th-rot, nderkaq y- ne greqishtjen e vjeter lexohej ‘u’ me vone ‘y’.
    Kemi edhe emrin e fisit ‘boullinoi’ qe perforcon ‘ou’-ne.

    Ne ndryshim nga y e ‘illyris’ ‘y’ e Byllis/byllinoi, ka qene zanore e koklavitur per greket, shpjegimet jane detyrimisht spekullative.

    Mesa di une, Drilon, ka qene emri i vjeter i Drinit dhe Drilon sot quhet zona e burimit te Drinit ne Oher, aty ku ka pas qene vila e Enverit.

    Persa i perket Vlores, pse ‘vlonjat’ nuk ka pesuar rotacion (vlon-iat) ?
    Normalisht duhet te ishte vloriat.

    1. Shkruan:

      Persa i perket Vlores, pse ‘vlonjat’ nuk ka pesuar rotacion (vlon-iat) ?

      Sepse palatalizimi i n-së në nj, për shkak të i-së ndjekëse, ka ndodhur para se të fillonte të vepronte rotacizmi.

  6. Sikur qeni te mos kishte qene ai qe njohim, mund te perdornim nje analogji me liqenin. Lasgushi ketij i referohet ne variantin “liqer” (pogradecaret e thjeshte i bien shkurt, dmth nga Turqia, me “gjol”) por ne gjuhe letrare fjala ka hyre nga dera e vogel gege, si e njohim, me ‘n’. Ideja eshte se neper trevat e rotacizmit nuk para ka liqene dhe, ne nje vend ku pati, doli ‘liqer’ (imagjinoni castin tejhistorik kur ka ardhur rotacizmi dhe belldum e ka zene kos liqenin, per ta kthyer ne liqer).
    Po me qenin puna komplikohet, pasi ai ka qene bashkekohor ne te gjitha trevat. Apo edhe autokton (parasllav), sipas disave:

    http://sq-al.facebook.com/pages/QENI-SHARRIT-QENI-AUTOKTON-I-SHQIPTAREVE/56588237388

    http://sq.wikipedia.org/wiki/Deltari_Ilir

  7. Meqe jemi ne fushen e hipotezave : Bylis eshte nje forme greke,nxjerre nga autoret e vjeter dhe nga mbishkrimet ne monedhat e gjetura. Nuk dijme si ka qene ajo ilire. Prandaj arsyetimi Xhaxhait sa eshte i drejte qe prej ‘Bylis’ antik nuk rrjedh dot ‘Ballsh’i sotem, aq eshte dhe i pambeshtetur ne krahasimin e dy formave qe nuk kane lidhje me njera tjetren. Greket e quanin Bylis por iliret vulgare mund ta quanin ndryshe, pikerisht ne nje forme qe me pas ka dhene Ballsh ne shqipe.

    Ajo qe thote Hyllin se :
    Persa i perket Bylisit, ka pase qene edhe forma ‘B’ou’llis’ si tek b’ou’th-rot, nderkaq y- ne greqishtjen e vjeter lexohej ‘u’ me vone ‘y’.Kemi edhe emrin e fisit ‘boullinoi’ qe perforcon ‘ou’-ne.

    nuk mund te lihet menjane. Hyllin mund te sjelle edhe referencen; edhe une e kam pare por nuk me kujtohet se ku.Por Skylaksi perdor “bulinet” edhe per fisin ne veri te lumit Krka( Dalmaci) edhe per ate ne jug ne zonen e Mallakastres se sotme.

    Dhe po te kemi parasysh se :
    “Indo –Europian diphtongs in u lost their second element in Albania. Thus IE *eu preserved as Palb *eu appeared as Alb e ( desha- aor. of dua, det,nente)
    IE *au and *ou merged into Palb *au, further reflected as Alb a (dashur-part. of dua,dash , agoj,thaj) . In Latin loanwords au is also rendered as a (ar,gaz,lar).”
    (V.Orel,Albanian Etymological Dictionary,Introduction 10.,XVIII)

    rrjedh pa ndonje veshtiresi forma e sotme ‘Ballsh’.

    Nga ana tjeter ka nje lidhje ne rruge historike midis Bylis e Ballsh..Bylis antik ishte themeluar ne fshatin e sotem Hekal,por me 586 e.s. per shkak te dyndjeve sllave vendasit e braktisen dhe u vendosen ne Ballshin e sotem, i cili me pas u quajt Gllavenica nga bullgaret.Si mund te shpjegohet kjo perkitje pervecse me nje kalk sllav.Te jete emertim i ri i pavarur, eshte veshtire sepse nderkohe kemi edhe Kefalia nga greqishtja po per Ballsh. Nderkohe ajo qe kishte qene forma ilire e Bylis mund te ishte tashme nje bull(sh) a ball(sh).

    Gjithashtu edhe ngjashmeria Ballsh me Baletium(Balezzo) nuk ka arsye te forte te lihet pas dore.Xhaxhai numeron nja tre Baletium, qe mund te ishin edhe kater duke perfshire edhe Ballshin.Per analogji ka nja dy Gjonem ne veri dhe nje ne jug, Gjorm, qe duhet te jete boll i vjeter meqe eshte rotacizuar.

    1. Fatma, çfarë shkruan më sipër është me shumë vlerë dhe kontribut i mirëfilltë në diskutim (të falënderoj për këtë), por me arsyetimin e mëposhtëm nuk mund të pajtohem:

      Greket e quanin Bylis por iliret vulgare mund ta quanin ndryshe, pikerisht ne nje forme qe me pas ka dhene Ballsh ne shqipe.

      Sepse kështu i bie që të shpjegojmë një të panjohur me një të panjohur tjetër, ose më mirë, të shpjegojmë gjithçka që duam, me arsyetimin se “ilirët mund t’i kenë thënë ashtu.” Kjo nuk shkon. Dija jonë procedon nga e njohura tek më pak e njohura; dhe nuk është faji i gjuhëtarit sot, që ilirët dje nuk e shkruan gjuhën e tyre.

  8. Xha-xha nuk ma merr mendja qe se kane shkruar.
    E keqja eshte se kur ka historiane e gjuhetare qe i perkthejne mbishkrimet e vjetra nepermjet gjuhes shqipe ka shqipfoles qe ose nga xhelozia ,rasti me i mire ose se paguhen me shuma te medha per mos me dale e verteta e gjuhes shqipe , rasti me i keq i hidhen ne gryke, i mbysin.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin