FJALË E PJESËTUAR ME ZERO

Afrimitet është një fjalë kimerë, që ka filluar të përdoret gjerësisht në ligjërimin publik të folur dhe të shkruar, gjatë këtyre 10-15 vjetëve të fundit.

Morfologjikisht, të gjithë do të dallojmë atje temën afrim, që lidhet me foljen afroj, mbiemrin i afërt dhe ndajfoljen/parafjalën afër; sikurse edhe prapashtesën –itet, e cila e vendos këtë fjalë në një klasë morfologjike me emra pak a shumë abstraktë të tillë si aktivitet, autenticitet, banalitet, kapacitet, kontinuitet, kreativitet, kriminalitet, diversitet, kuriozitet, elasticitet, elektricitet, mentalitet, meskinitet, minoritet, mortalitet, muzikalitet, origjinalitet, personalitet, rivalitet, sensibilitet, sovranitet, unanimitet, vitalitet, mediokritet, stabilitet, etj.

Këta të fundit janë huazuar praktikisht të gjithë prej gjuhëve perëndimore (duke u paraqitur si një kryqëzim i formave italiane me ato francezet); dhe në gjuhët e burimit janë formuar, si rregull, nga tema mbiemërore (aktiv, autentik, kreativ, kriminal, divers, kurioz, elastik, elektrik, muzikal, etj.)

Tani, afrimitet edhe hyn edhe nuk hyn në këtë klasë; meqë tema afrim- është temë thjesht shqipe, me prejardhje nga një emër veprimi me prapashtesën -im të formuar nga tema e foljes afroj; por tema të tilla nuk përdoren për të krijuar emra abstraktë me pseudoprapashtesën -itet.

Meqë nuk kemi të dhëna konkrete për historinë e përdorimit të kësaj fjale, nuk mund ta përcaktojmë me siguri prejardhjen e saj; megjithatë, një farë ndihme do të na e japë kuptimi me të cilin përdoret, si në shembujt e mëposhtëm të nxjerrë nga faqet shqipe në Internet:

Klodi pohon të njëjtën gjë e shprehet se pas asaj jave është lidhur më shumë me banorët e ka krijuar afrimitet.

Muhabeti është dashuri reciproke. Faktikisht ai shpjegon afrimitetin që ndiejnë të dashuruarit për njëri-tjetrin.

Patriarku i Moskës dhe i gjithë Rusisë Kirill u bëri thirrje vendeve europiane për afrimitet mbi bazën e përbashkët të traditës së krishterë.

Je një individ shumë i shoqërueshëm dhe është e rëndësishme për ty te krijosh shoqëri. Ke nevojë për afrimitet dhe të jesh i lidhur me dikë.

Me Sinanin njihemi që prej 6 viteve, krijuam një afrimitet shumë të madh bashkë, jo vetëm unë me të, por edhe Sinani me familjen time.

Shpirtërat ndjejnë afrimitet me të tjerat sipas natyrës së tyre në të cilën janë krijuar, mirë ose keq.

Arusha polare ishte 4 vjeç dhe njihej për afrimitetin e saj me turistët e shumtë.

Liturgjia e sotme na fton për një afrimitet të pakufishëm me Zotin.

Nëse masazhimin e bën babai i foshnjes, besohet që afrimiteti në mes të prindërve dhe foshnjes rritet.

[J]anë takuar si kundërshtarë në Dancing with the stars, dhe me sa duket, në festat pas spektaklit kanë krijuar më shumë afrimitet me njëri-tjetrin.

Ky afrimitet krijon hapësirë për të mobilizuar emocione të cilat na nxitin gjithmonë e më tepër drejt zgjidhjeve të jashtëzakonshme të problemeve dhe gjetjes të koncepteve inovative.

Krijuesit e diasporës shqiptare duhet të vihen në kërkim të tyre, pasi kësisoj arrihet jo vetëm afrimitet, por edhe kompaktësi qëllimi të përbashkët.

Tepritë teknologjike, ashtu siç shkruan “Wall Street Journal” mund të krijojnë probleme në perceptimin e realitetit madje edhe në botën e afrimitetit.

Banorët e Shirokës të thonë që pjesa më e madhe e frekuentuesve të këtij plazhi përdorin biçikletat për të mbërritur deri aty, mundësi që e krijon afrimiteti i plazhit me qytetin.

Le të sjellë kjo festë më shumë mirësi, afrimitet dhe dashuri mes njëri-tjetrit, në të mirë të shoqërisë, kombit dhe gjithë njerëzimit.

 Psikologët theksojnë se këta persona kanë më tepër nevojë për afrimitet dhe ngrohtësinë e njerëzve të afërt apo të shoqërisë.

Nga këta shembuj, dhe qindra në mos mijëra të tjerë që nxjerr Google, mund të përfundohet se fjala afrimitet përdoret kryesisht me kuptimin “afërsi fizike, afërsi shpirtërore, afërsi afektive, familjaritet, konfidencë, intimitet, unitet.”

Kësisoj lidhja kuptimore me fushën tematike të ndajfoljes afër ekziston; por e vetme nuk mjafton për ta shpjeguar fjalën – meqë përndryshe shqipja ofron tashmë fjalë abstrakte të konsoliduara si afrim dhe afërsi, të cilat do të shërbenin më së miri për të mbuluar kuptime të tilla.

Ndoshta popullariteti i papritur i fjalës afrimitet nuk mund të shpjegohet veçse nëpërmjet lidhjes paronimike me fjalën afinitet, e cila ka kuptim të ngjashëm me të. Kështu, ngjashmëria thjesht fonetike midis temave afin- dhe afrim– do të ketë shërbyer si pikënisje për kalimin nga fjala e huaj në një fjalë “më shqipe”.

Procesi i zëvendësimit të një forme gjuhësore të paanalizueshme me një tjetër të analizueshme ose gjuhësisht të motivueshme njihet me termin paretimologji, ose etimologji popullore.

Dukuria e përdorimit papritmas të gjerë të një fjale si afrimitet paraqitet interes, meqë këtë herë paretimologjinë e kemi kapur, me sa duket, me presh në duar; dhe jo vetëm kaq – zëvendësimi i një teme të pazbërthyeshme në shqipe si afin-, me një fjalë shqipe të mirënjohur si afrim-, po çon në pështjellim kuptimor dhe në një zhvendosje të fjalës nga koncepti i ngjashmërisë, i cili qëndron në bazë të afinitet, drejt konceptit të afërsisë pak a shumë fizike (të cilin, përndryshe, do të shprehte më mirë proksimitet).

Nuk ka komente

  1. Perdorimi i fjales ne ato shembuj , vetem ne 2-3 raste mund te shpjegohet me ‘affinita’, ne te tjerat zevendeson krejtesisht fjalen afersi,

    Praktikisht kjo fjale paska humbur edhe perdorimin vendor:

    – … mundësi që e krijon afrimiteti i plazhit me qytetin.

    Fjale e shemtuar, barbarizem.

  2. fillimisht duhet tèketè hyrè nè pèrdorim : afinitet dhe pèr koincidenzè kuptimi, èshtè “ngatèrruar me afrimitet?

  3. Më fal, Hyllin, por ti nuk paske kuptuar asgjë nga argumenti im.

    Ti thua: “fjalë e shëmtuar”. Pas kësaj, në mos ti, një shoku yt, do të ngrihet të thotë: nxirreni nga gjuha, ndalojeni, shtypjani kokën.

    Dhe ca të tjerë do të thonë bravo! Shqiptar i kulluar qenke.

    Të njëjtin qëndrim mban edhe tek argumenti për turqizmat. Është qëndrim shumë i cekët.

    Ti, o koleg, vetëm te policia dhe dhuna e ke mendjen.

    Përkundrazi, unë po përpiqem, me aq sa mundem, të shtyhem pak më tutje; në vend që të sillem si insekticid, dua të vras mendjen për shkaqet që i sjellin këto fjalë në shqipe – ose dobësimin e normës leksikore.

    Ti, përkundrazi, këto shkaqe “i di”; sjell këtu disa shpjegime psikologjike dylekëshe, për njerëz që duan “të duken”, etj.; dhe nuk e kupton se edhe ai që kërkon të duket, është i detyruar të ndjekë disa rregulla në sjelljen e vet, të orientohet sipas disa prirjeve sociale dhe gjuhësore. Mua më interesojnë këto të fundit; dhe nuk më eksiton aspak fantazia që këta dhunues të normës një ditë mund t’i arrestojë policia.

    Me një fjalë, ti kërkon të veshësh çizmet e policit dhe të ndëshkosh; unë dua të mjekoj.

    Qasja jote është qasje e urrejtjes, nxitet nga një frymëzim në thelb negativ; çfarë të vë në lëvizje, është ksenofobia – herë si përçmim herë si frikë e mirëfilltë.

    Ky është dallimi i madh mes nesh. Ti ke shumë frikë, unë frikë nuk kam.

    P.S. Dhe meqë ra muhabeti, afrimitet e shkel normën leksikore jo për nga kuptimi që ka marrë, por ngaqë është fjalëformuar në kundërshtim me modelet ekzistuese: në shqipe nuk formohen emra me prapashtesën –itet nga tema emrash veprimi më –im (madje unë nuk di asnjë rast tjetër, veç kimerës afrimitet, ku –itet të ketë funksionuar si prapashtesë fjalëformuese brenda shqipes, ose t’u jetë ngjitur temave shqip).

  4. Aspak, niset nga dashuria dhe shkaqet jane socio-psikologjike, te dukurit eshte kryesori.
    Ti ngaterron dashurine per gjuhen me urrejtjen, thua vete frike nga e huaja, pastaj i jep diagnozen urrejtja, frika vjen nga ndergjegjesimi i dobesise dhe nga shperfytyrimi qe po i shkaktohet shqipes si pasoje e fuqise se te huajes.

    Cili eshte ai qe perballe kercenimit te diçkaje qe do dhe e di qe eshte e dobet, nuk do sillej ne menyre mbrotjese ?

    Tani as vetembrojtja legjitime nuk na u lejoka, jo po te heqim breket para ndikimit te huaj.

    Eshte e drejta ime ti them fjale e shemtuar dhe te kerkoj edhe debimin nga skena publike, asaj dhe çdo fjale te huaj per te cilen kam shqipen.
    Quaje diskriminim pozitiv, si tip kuote roze, derisa fjalet me prejardhje shqip te zene 50% te fjalorit.

    1. Hyllin:

      jo po te heqim breket para ndikimit te huaj.

      Dëmi, tek ti, ka natyrë strukturore, nuk ndreqet dot. Ti i merr sistematikisht premisat e tua, ose çfarëdo që të shkon pas midesë, si konkluzione.

  5. “_Ndoshta popullariteti i papritur i fjalës afrimitet nuk mund të shpjegohet veçse nëpërmjet lidhjes paronimike me fjalën afinitet, e cila ka kuptim të ngjashëm me të. Kështu, ngjashmëria thjesht fonetike midis temave afin- dhe afrim- do të ketë shërbyer si pikënisje për kalimin nga fjala e huaj në një fjalë “më shqipe”._”

    E drejte.
    Sic me rezulton, “afrimitet”- nuk eshte nje fjale e aq e vjeter, ka filluar te perdoret jo me pare se rreth 1970, besoj. Autoresia vjen prej nje shtrese qytetare jo e kulturuar por jo dhe injorante, dhe qe kishte kontakt me shtresen e kulturuar e cila e perdorte kur binte rasti drejt “afinitet” ne te foluren e perditshme. Nga nje shtrese me arsim te mesem,por jo rralle edhe universitar,neper ndermarrje apo zyra, te cilet kishin sidoqofte nje aspirate kulturimi ose per t’u dukur te kulturuar dhe imitonin koleget apo drejtues qe mbaheshin per te kulturuar. “afinitet” -in mesa duket nuk e kane hasur kurre te shkruar dhe e merrnin gabimisht per “afrimitet” per shkak te afersise tingullore dhe kuptimore . Pastaj fjala perhapej edhe ne shtresa te tjera me pak te kulturuara. Shpesh arsimimi nuk kishte te bente, “afinitet” nuk ishte ne normen e perditshme. Universitare me origjine nga fshati si rregull perdornin “afrimitet” ne vend te “afinitet”.

    Eshte pak a shume e ngjashme me rastin e nje fjale(shprehje) shume me te vjeter, qe sot duket e humbur, ” mal du France” qe ne ligjerimin e shtreses se ulet perthyhej si ” mollofrenc” dhe kishte marre kuptimin e semundjeve veneriane,semundjeve qe vinin nga qyteterimi.Perdorej ne raste si ” te zente mollofrenci”.

    Besoj se kjo rruge perftimi duhet gjithsesi te kihet ne konsiderate per huazime qe kane hyre kryesisht nga shtresa te ulta. Por nuk mendoj se jane jetegjata, pak nga pak koregjohen prej shtresave te kulturuara. Nuk e di se cfare frekuence ka tani “afrimitet”, por ne kontaktet e mia , edhe neper kafenera ka kohe qe nuk e degjoj me.

    Sidoqofte nuk kam ndonje kembengulje te madhe per kete interpretim, eshte me teper nje pershtypje shume e forte.

  6. Përveç afrimitetit, është dhe intimiteti që ndjekin këtë lloj përqasjeje me afinitetin e italishtes, ndërkohë që pothuajse të gjitha fjalët që kërkoja të sillja ndërmend, e që mbarojnë me -im (qëllim, shkrim, veprim, kalim, tregim, rrëfim etj.etj), në fjalformimet që vijnë prej tyre marrin prapashtesën -tari.
    Unë, duke patur si gjuhë të dytë italishten, sa herë që flas në shqip dhe më duhet të përdor fjalët e mësipërme, për një çast ngecem, sepse nuk më duket sikur i thashë në shqip atë fjalë, gjë që, megjithëse jemi pothuajse në të njëjtën “familje” fjalësh, nuk më ndodh me fjalën kriminalitet

  7. Endrus, nuk kemi të njëjtin problem në fjalën “intimitet”, pasi tema nuk është e shqipes, por e huazuar- “intim”, njësoj si grupi i fjalëve qw Xha Xhai na shtroi në fillim.

    “Ngjashmëria thjesht fonetike midis temave afin- dhe afrim- do të ketë shërbyer si pikënisje për kalimin nga fjala e huaj në një fjalë “më shqipe”.

    A thua shqetësohen folësit e shqipes për të bërë kësi lloj kalimesh? Për ta nuk është problem përdorimi i fjalës së huaj. A hasim shembuj të tjerë që paraqesin të njëjtën prirje në “më shqipe”? Kam frikë se, jo…

    Rasti është padyshim shumë interesant dhe mendoj se më tepër i frytshëm do të ishte një studim sociolinguistik se sa etimologjik…

  8. Shpjegimi i Fatmes me perforcon bindjen se “afrimiteti” perdorej gjeresisht ne vend te “afinitetit” si dhe kur kerkohej te pershkruhej nje “afersi” pak me speciale, me intime.

    Mua kjo folja “afroj” po me del e kudogjendur. Se fundi kam vene re qe ne media te shkruara dhe vizive, pa problem fare ka filluar zevendesimi i “ofroj” me “afroj” si ne “ju afrua mundesia te….”

    Me pare, sajime apo keqperdorime fjalesh degjoheshin kryesisht ne gjuhen e folur, ne varesi te nivelit kulturor te biseduesve. Problemet po behen me evidente, ndofta, sepse niveli kulturor i mediave nuk ka te krahasuar me ate qe presim nga gjuha e levruar.

  9. Sot hapej Panorama me një titull mbi Piramidën, vendimin për rrënimin e së cilës do ta ANKIMOJE në Gjykatë Kushtetuese Partia Socialiste.

    Mund të jem gabim, po edhe kjo fjala ‘ankimim’ më duket thjesht një ripaketim me xixa i fjalës ‘ankim’, që mbase kështu fiton status përtej botës së dhembkave apo pagjumësisë dhe kumbon me prestigj jehone korridoresh të ligjit etj.

    Kam edhe një fjalë tjetër të pahijshme për të raportuar: SHORTEU si tek “u hodh shorteu i madh i llotarisë së Kryqit të Kuq etj”. (Të ka një mbaresë braziljance kjo fjala aq sa nis e bën sytë katër njeriu në ekran kur flet ajo vajza, por nuk vete puna kurrë deri aty.)

  10. Në fakt, ankimoj nuk është formim i rregullt, meqë shqipja zakonisht nuk i lejon temat prejfoljore më -im (si ankim) të përdoren për të formuar folje të reja.

    Vetë ideja për të formuar një folje nga një temë emri veprimi tingëllon absurde. Nga lexoj mund të krijohet menjëherë lexim, por nga lexim nuk mund të krijohet leximoj. Nëse na duhet një folje me kuptimin përkatës, mjafton të kthehemi pas te lexoj.

    I vetmi shembull që më vjen në mendje, kur rregulla shkelet të paktën pjesërisht, është folja ndihmoj, e krijuar nga emri ndihmë, i cili është vetë emër prejfoljor i krijuar nga folja ndih. Gjithsesi, këtu jo çdo shqipfolës e dallon temën ndih te emri ndihmë, dhe gjithsesi, nga folja ndihmoj nuk është krijuar (ende) ndonjë ndihmim – siç ka ndodhur me ankimim, nga ankimoj.

    Ç’nevojë ta ketë ftuar në shqipe një kreatyrë të tillë si ankimoj? Çfarë sjell vallë kjo folje, në krahasim me gjyshen e vet ankoj/ankohem? Ma do mendja se arsyeja do kërkuar në vjetrimin e foljes ankoj, sidomos në ndërtime kalimtare (tranzitive); në një kohë që funksionin e kalimtarisë e përmbush ndërtimi me parafjalë ankohem për. Në këto rrethana, ankimoj erdhi dhe zuri vend si një formë “kalimtare” e ankohem.

    Sa për emrin ankimim, ky është formuar automatikisht nga ankimoj, edhe pse shqipja, me të njëjtin kuptim, përdor prej kohësh ankesë, term i cili shton nuanca të reja aspektuale, në krahasim me ankim (ankesa e paraqet aktin e të ankuarit si të kryer, ndërsa ankimi priret ta paraqitë në kryerje e sipër). Asgjë nuk duket t’i shtojë emrit ankesë emri ankimim, përveç një toni kinse juridik, ose prej personi që është në dijeni të punëve ose e di se për çfarë po flet.

    Meqë jemi në temë, unë do të propozoja të krijonim, me këtë rast, edhe fjalën me origjinë thjesht shqipe Ankimje, për ta përdorur si ndonjë emër fshati në Shqipërinë e Mesme, sidomos në zonat ku ka shkelur këmba e sllavit dhe nuk ka mbirë më bar.

  11. Xha xhai, fjala ‘investitor(i) / investitorë(t)’ më ka ngacmuar shpesh, profesionalisht por dhe për shkak të përdorimit në masë që i bëhet kësaj fjale në mediat shqiptare. Kam menduar, ndoshta gabimisht, se fjalët përkatëse shqip janë ‘investor(i)/investorë(t)’ dhe ‘investues(i) / investuesit’ por më befasoi konstatimi se as “Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe” (Tiranë, 1980), as “Fjalori i Gjuhës Shqipe” (Tiranë, 2006) nuk e përmbajnë fjalën ‘investor,-i,-ët’.
    Ky i fundit, fjalori i 2006, ka përfshirë fjalën ‘investues,-e’ por si mbiemër (psh. mjetet investuese ose pala investuese) por jo në kuptimin direkt të atij që investon (dmth. ‘investues(i) / investuesit’). Por për këtë është përfshirë fjala ‘investitor(i) / investitorë(t)’, pra për të treguar atë që investon. A është kjo fjalë – ‘investitor’ – fjalë e formuar saktë apo është kjo një formim jo i rregullt për shqipen, që ka zënë vend tashmë në gjuhën e përditshme, në atë mediatike dhe së fundmi në shqipen letrare? Falemnderit.

    1. Në fakt, investitor është italianizëm i mirëfilltë, që lidhet njëfarësoj me foljen investoj, por jo në mënyrë të rregullt për shqipen.

      Forma normale në shqip duhej të ishte investues, si emër vepruesi. Përkundrazi, investor është anglicizëm, dhe nuk është për t’u preferuar ndaj investitor.

      Të dyja këto, edhe investitor edhe investor, kanë hyrë në shqipen publicistike – besoj unë – sepse modeli i formimit të emrave të vepruesit (nomina agentis) me prapashtesën –s (-ues, -yes) është mbingarkuar, duke shenjuar njerëz sipas veprimit që po kryejnë dhe sipas veprimit që kryejnë zakonisht; por edhe lloj-lloj sendesh dhe veglash sipas veprimit që janë specializuar të kryejnë; dhe më në fund, mbiemrat përkatës.

      E gjithë kjo ndodh sepse foljes shqipe i mungon një pjesore e tashme (si charming në anglishte, ose charmant, në frëngjishte); dhe funksionin e kësaj pjesoreje e mbulojnë formimet me –s (-ues, -yes). Mirëpo në gjuhët neolatine, emrat e profesionit zakonisht formohen me prapashtesa të ndryshme nga ato të pjesores së tashme dhe kjo shkak të një dallimi semantik të rëndësishëm.

      Me fjalë të tjera, është një problem strukturor i sistemit morfologjik dhe fjalëformues të shqipes që nxit huazimin e fjalëve si investitor, kontrollor, etj.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: