MEDALJE PËR FERRAGOSTO

Sikurse u njoftua në shtyp, Presidenti i Republikës Shqiptare Bamir Topi vizitoi këto ditë qytetin e Barit, në Itali, ku edhe dekoroi, ndër të tjera, Komunën e Barit me “Medaljen e Mirënjohjes”.

ceremoninë e dekorimit, Presidenti ndër të tjera tha:

Është një kënaqësi e veçantë për mua që të marr pjesë në këtë aktivitet për të përkujtuar një ngjarje të rëndësishme në memorien e dy vendeve tona mike, Italisë dhe Shqipërisë. Ky është 20-vjetori i mbërritjes në portin e Barit të anijes “Vlora”, në bordin e së cilës ishin futur mijëra emigrantë shqiptarë, dhe emocionet vazhdojnë dhe pas 20 vitesh, që ëndërronin një jetë më të mirë, duke lënë pas regjimin totalitar, dhe duke gjetur tek populli i Pulias dhe i Barit, si dhe tek autoritetet italiane një mikpritje dhe solidaritet të madh njerëzor, të paharrueshëm për të gjithë shqiptarët.

Medalja u dha me këtë motivacion:

Me mirënjohje të thellë Komunës së Barit dhe gjithë popullit të Rajonit të Puljas, për solidaritetin e rrallë dhe përkrahjen e pakufishme që i dhanë në momente të vështira dhe dramatike, 20 vjet më parë, mijëra qytetarëve shqiptarë që mbërritën në Portin e Barit, në kërkim të një jete më të mirë.

Ndonjë komentator, në mediat e afërta me qeverinë, vuri në dukje se nuk kishte asnjë arsye për këtë dekorim, meqë ngjarjet dhe incidentet e 20 vjetëve më parë, në gusht të vitit 1991 në portin e Barit, kanë shkruar një nga faqet me të zeza dhe më të turpshme të marrëdhënieve italo-shqiptare.

Meqë kam qenë vetë në Itali në ato kohë dhe i kam ndjekur nga afër incidentet me refugjatët shqiptarë, më duhet të pranoj se mbeta gojëhapur me gjestin e Presidentit Topi.

Sikurse nuk është sekret, ka pasur dy valë të mëdha refugjatësh shqiptarë drejt Italisë: në mars të vitit 1991 dhe në gusht të vitit 1991. Nëse komuna e Barit duhej dekoruar patjetër, kjo duhej bërë për pritjen e mirë që iu bë refugjatëve në mars, ose gjatë ekzodit të parë.

Përkundrazi, ekzodi i dytë, në mes të stinës turistike verore, u shoqërua me masa të rrepta kundër të ardhurve, të cilët i mbyllën me forcë në stadiumin e vjetër të Barit, ku i lanë të piqen në diell me ditë të tëra; pastaj i nxorën që andej dhe, me dredhi, i riatdhesuan me urë ajrore.

Askush nuk mendon të bëjë me faj autoritetet e komunës së Barit për këtë katrahurë humanitare; vendimet merreshin në instancat më të larta të shtetit italian; sepse kriza e shkaktuar prej refugjatëve kishte përmasa kombëtare. Pas vështirësive të marsit 1991, qeverisë italiane i mungonte edhe vullneti politik edhe logjistika, për t’i bërë ballë këtij ekzodi të dytë njëlloj si të parit, ose duke i përthithur refugjatët në qendrat e strehimit të përkohshëm; në një kohë që edhe vetë opinioni publik ishte kundër një ndërmarrjeje të tillë.

Për fat të keq, në fjalën e vet, Presidenti Topi i referohet shprehimisht mbërritjes në Bari të anijes “Vlora” të ngarkuar me refugjatë në gusht të 20 vjetëve më parë, çka ia largon lexuesit çdo dyshim: ai u shpreh mirënjohjen autoriteteve italiane për një fiasko që, këto vetë, do të kishin dashur ta harronin.

Nuk dua të spekuloj shumë për arsyet e këtij gabimi, të cilin duhej ta kishin kapur, të paktën, këshilltarët e Presidentit. Ndërkohë, po sjell këtu disa fragmente nga libri La Scoperta dell’Albania, Edizioni Paoline 1996, që kemi shkruar së bashku me Rando Devolen dhe ku jemi ndalur, ndër të tjera, edhe në mënyrën si i trajtoi shtypi italian incidentet me refugjatët gjatë atyre ditëve të nxehta të gushtit 1991. Edhe pse libri nuk është kronikë, as histori e dyndjeve të shqiptarëve drejt brigjeve të Italisë në ato vite, materiali në vijim përmban aq citime dhe referime autentike, sa të provojë se kjo medalje nuk duhej dhënë.

Fragmentet e mëposhtme i kam nxjerrë nga një përkthim imi i një kapitulli të librit, i cili u botua vjet në Revistën Përpjekja (26-27).

[…]

Në ditët e para të gushtit 1991, gjendja e jashtëzakonshme për shkak të refugjatëve kthehet sërish në plan të parë: eksodi po përsëritet dhe anijet e mbushura me shqiptarë po u afrohen edhe një herë tjetër brigjeve të Puglia-s.

Gazetat japin alarmin me tituj të kumbueshëm: “Pushtimi shqiptar”, “Kthehen të dëshpëruarit e detit” (La Repubblica, 8 gusht 1991), “Shqiptarët, eksod biblik” (Il Giornale, 9 gusht 1991). Sikur të ndiqnin ndonjë skenar, përsëriten “skenat apokaliptike”, në një “atmosferë histerie kolektive”, me “imazhet halucinante” të “anijeve që shfaqen kudo” e të “çurgave njerëzore që rrjedhin prej mureve të anijeve.” Të sapoardhurit, me “fytyra të drobitura, sy të përshkënditur nga lodhja dhe të pangrënit, flokë të gjatë e të shpupuritur, duket sikur janë arratisur nga ndonjë kamp përqendrimi. Pa e ditur se këtu do t’i priste një kamp tjetër […]. Gjithë ditën e ditës, nën një diell të pamposhtur, ecin këmbëzbathur mbi asfaltin e zbutur nga zhegu […] në kolona që të bëjnë të përfytyrosh një gjykim universal të parakohshëm” (Barbara Palombelli, La Repubblica, 9 gusht 1991).

Një mjek shpjegon: “janë skelete të gjalla, të plagosur, të dehidratuar, të uritur dhe jo vetëm për shkak të udhëtimit dyditor… Të tillë njerëz kam parë vetëm në filmat për Vietnamin” (La Repubblica, 10 gusht 1991). “Në krahasim me valën e parë, tani sheh më shumë gra, më shumë fëmijë, madje familje të tëra. Parakalojnë këmbëzbathur dëshmitarët e një shoqërie që po shpërbëhet: fshatarë, mësues, teknikë, ushtarakë, madje edhe kampionë sporti” (Massimo Nava, Corriere della sera, 9 gusht 1991).

Kronikat e të dërguarve të gazetave mbushen me dhunë, përdhunime, të vjella, gjak, goditje thikash, plagë, të shtëna, djersë, fëmijë që lëngojnë; ka madje edhe një “të vdekur në hambar të anijes”, si për të plotësuar kuadrin. Në Corriere della sera, Enzo Biagi flet për “një mizëri ditëzinjsh me brekë” (12 gusht 1991).

[…]

Në gusht 1991 gjendja shëndetësore nisi të pikturohej me ngjyra edhe më të errëta e me tone edhe më apokaliptike. Edhe një herë, mbërritja e turmave në Bari ngriti nga varri mitin stërgjyshor të Tjetrit si sjellës sëmundjesh.

Në të vërtetë, këtë radhë refugjatët shqiptarë e panë veten në rrethana shëndetësore shumë të rënda: u grumbulluan me forcë në një stadium, për t’u lënë atje të kequshqyer, pa ujë e pa shërbime sanitare, nën diellin djegës të verës mesdhetare.

Megjithatë, miti nuk u mjaftua me aq. Sëmundjen mediat italiane nisën ta shohin si ndonjë cilësi intrinseke të refugjatëve, deri në atë shkallë sa pasojat e udhëtimit në kushte çnjerëzore në hambarët e anijeve dhe të trajtimit më pas në tokën italiane u interpretuan si shenja të qarta zakonesh higjienike të këqija.

“Buletinet mjekësore flasin… për raste të shumta zgjebeje, infeksionesh të lëkurës, gastroenteriti dhe krizash të abstinencës nga toksikodipendentët (Il Giornale, 11 gusht 1991).

Një mjek që inspekton anijen “Vlora” konstaton “me dhjetëra hemorragji që u detyrohen dështimeve spontane” (La Repubblica, 9 gusht), ndërsa forcat e rendit flasin për “sëmundje të shqiptarëve, që nuk ua zë dot emrin në gojë” (“La Repubblica,” 10 gusht).

[…]

Të mbyllur në stadium, shqiptarët arrinin, gjithsesi, t’ia dërgonin botës një mesazh të tyrin të drejtpërdrejtë, me natyrë olfaktive: “Kurrë mos iu afroni stadiumit në drejtim të kundërt me erën. Dalin që andej duhma kutërbuese, si të kishte brenda kërma të qelbura.” (Beppe Gualazzino, Il Giornale 14 gusht 1991).

Veç kësaj, shumë lehtë mund të kalohet nga frika ndaj sëmundjeve në frikën ndaj ndotjes – jo vetëm nga mikrobet, por edhe nga modele sociale dhe të sjelljes që mund të vënë në rrezik baraspeshën sociale, mbi të cilën themelohet identiteti i qytetarit perëndimor.

[…]

Kur shqiptarët nisën dyndjen e dytë drejt Italisë në gusht të vitit 1991, u duk qartë se autoritetet italiane u kapën sërish të papërgatitur nga vala e re e refugjatëve. Pas një vendimi që më pas u kritikua rëndë, mijëra të ikur u çuan (“deportuan” ishte termi i përdorur nga të dërguarit e mediave) në stadiumin e vjetër të Barit, në pritje të përfundimit të procedurave të riatdhesimit.

Afrimi i stadiumit me kampin e përqendrimit nuk shmanget dot; në komentet e hidhura të gazetave nxjerr krye shpesh krahasimi me ngjarjet në Kilin e Pinochet-it; ndonjë tjetër kujton stadiumin “Roland Garros” në Paris, i cili u përdor në mënyrë të ngjashme nga nazistët gjatë Luftës II Botërore.

Çfarë ndodhi pastaj në stadium ka mbetur, në disa aspekte, mister sot e kësaj dite. Të braktisur nën diellin përzhitës të gushtit, pa shërbime sanitare, pa ujë (me përjashtim të çka u vinte prej zorrëve të zjarrfikësve), të ushqyer prej helikopterëve dhe të ftuar, pa pushim, nëpërmjet megafonave të policisë, që t’u dorëzoheshin autoriteteve për t’u kthyer pastaj në atdhe, refugjatët prej Shqipërie nisin një luftë prej të dëshpëruarish që të mbeten në Itali.

Titujt e gazetave flasin qartë: “Revoltë në stadiumin kamp përqendrimi”, “Beteja e Bari-t” (La Repubblica, 9 gusht). Shkruan Barbara Palombelli: “Zanati i të jetuarit për më shumë se 12 000 shqiptarë […] nuk përshkruhet dot. Kush thyen këmbën duke kapërcyer murin, kush fut një shtizë çorapesh në vaginë, pritet me thikë që të përgjaket aq sa të mundet […]; kush tjetër nuk i përmend fëmijët që kanë humbur vetëdijen nga etja, por parapëlqen t’i lërë ashtu me orë të tëra.” Massimo Nava, në Corriere della sera, 9 gusht: “Europa pa mure dhe pa kufij do ta kujtojë gjithnjë ndëshkimin e pafund të këtij kampi përqendrimi. Nga ekranet e TV-së, Italia teksa përgatitet për pushimet verore ndjek imazhe vuajtjesh të llahtarshme, aq sa e ka të vështirë të besojë se gjithë kjo është duke ndodhur pikërisht këtu.”

Në një editorial me titull “Surpriza e hidhur nga Tirana” (La Stampa, 9 gusht 1991) Lorenzo Mondo vëren: “Do të na mbeten për shumë kohë në mendje imazhet e fundit të dramës shqiptare. […] Stadiumi i shndërruar në kafaz, ku mijëra vetë kërkojnë nën diellin përvëlues një shishe ujë teksa përgatitin arratisjen e dëshpëruar nëpër rrugët e Barit, skandalisht të tendosur midis pafajësisë dhe arrogancës… Janë ngjarje që ngjallin mëshirë, frikë dhe zemërim.”

Pas vuajtjes, ia beh dhuna: po pse vallë? “Një dyshim endet në mendjet e forcave të rendit: refugjatët janë, në masë të madhe, ish të burgosur” (La Repubblica, 9 gusht). Ndërsa Corriere della sera i 10 gushtit: “të katandisur si bishat në kafaz, refugjatët janë të frikshëm. Janë vandalë të xhindosur.”

Ndërkohë, pas dy-tre ditësh me traktativa që nuk çuan gjëkundi, gjendja bëhet vërtet kritike. Bërthama e fortë e të mbyllurve në stadium përgatiten për një luftë pozicioni me këdo që do të orvatet t’i nxjerrë nga strofka ku janë futur.

Po cilët janë këta të paepur, të cilët nuk ngurrojnë t’i shpallin luftë po atij shteti, të cilit vetëm pak ditë më parë i kishin trokitur në derë? La Repubblica, 14 gusht (titull në f. 2): “Tridhjetë gangsterë nga Tirana janë në krye të revoltës; nuk janë të gjithë kriminelë, madje mes tyre do të ketë edhe agjentë të Sigurimit.” Pastaj vazhdon: “Mes të paepurve, bëjnë ligjin dy skuadra të organizuara mirë: njëra nga Durrësi dhe tjetra, më e organizuara e më e fuqishmja, e përbërë nga 30 djelmosha që vijnë të gjithë nga e njëjta lagje e Tiranës: Rruga Bardhyl. Diçka e ngjashme me një bandë huliganësh, një nga të shumtat që u formuan befasisht, në hapësirën midis shembjes së diktaturës dhe lindjes së ndrojtur të demokracisë.”

Il Giornale e 11 gushtit parapëlqen një hipotezë tjetër: “Shqipëria – thuhet në rrugët e Barit – na ka dhuruar të droguarit, të marrët, të papërshtaturit. E bukura është se, për t’i marrë mbrapsht, kërkon edhe të shpërblehet” (Gianni Bucci). Më arsyetuese tingëllon Il Giornale e 15 gushtit: “Italianët gabuan kur vendosën të mbyllin një lukuni të egër njerëzish të dëshpëruar në stadium, duke e transformuar këtë, faktikisht, në një kamp përqendrimi kryengritës. Shqiptarët, nga ana e tyre, gabuan kur erdhën të kërkojnë mikpritje me leva, thika, armë zjarri; duke shkatërruar dhe vënë zjarre; duke sulmuar, si buaj të çmeritur, forcat tona të rendit, të duruara më tepër se ç’duhej.”

Vëzhguesve të tjerë nuk u shpëtojnë detaje të dorës së dytë. Sipas Beppe Gualazzini-t, të Il Giornale, mes shqiptarëve të mbyllur në stadium ka “pllakatistë të zotët dhe kaligrafistë” (“ITALIA, AIUTACI”), “përkthyes të zotët”, “intendentë të zotët (kanë hequr mënjanë rreth 10 000 racione, për t’i bërë ballë rrethimit)”, “ekspertë të gueriljes”, “kapo që dinë të negociojnë me diplomaci të rrallë”, madje edhe “tipa që janë në gjendje të përballojnë intervista të gjata në gjermanisht me një televizion të atyre anëve” (14 gusht).

Enigma vjen e thellohet edhe më, kur policia e pushton me dredhi fortesën stadium: “Deri dje, autoritetet i përshkruanin si ‘bërthamë të fortë’ të përbërë nga gangsterë dhe delinkuentë të zakonshëm; por tani u zbulua se pjesa më e madhe e tyre janë familje, me gra dhe fëmijë” (Il Giornale, 15 gusht). Ja edhe trofetë që iu kapën ekspertëve të gueriljes, pas zbrazjes përfundimtare të stadiumit: (La Stampa, 13 gusht 1991): “pistoleta: 13, kallashnikov: 1, pushkë: 1, mushqetë: 1, thika: 16, sasi të mëdha municionesh”.

[…]

Problemi mund të shtrohet kështu: pse ndodhi gjithë kjo dhunë e kotë në stadiumin e Barit? Mos ishte vetëm një shpërthim zemërimi, pas ikjes së vështirë dhe plot sakrifica; ose një reagim i shpërpjesëtuar ndaj zhgënjimit dhe braktisjes? Apo mos ishte një dhunë “e importuar” nga Shqipëria, nëpërmjet gangsterëve të Rrugës Bardhyl dhe ish të burgosurve ordinerë; ose, më keq akoma, e provokuar nga agjentët e policisë sekrete të diktaturës?

Teza e dytë, pas gjase, fitoi ndaj së parës dhe mbijetoi në trajtat e mitit, meqë fshihte në vetvete justifikimin për gjithçka të turpshme në Bari; dhe u mirëprit me psherëtima lehtësimi prej të gjithë atyre që ishin ndier në faj për çka kishte ndodhur. Dhunën institucionale ndaj kujt kishte kërkuar mikpritje në Itali dhe bindjen se nga ajo situatë nuk mund të dilej veçse me vendosmërinë e forcës bruto (e cila nuk veproi dot ndaj dredhisë levantine të mashtrimit) publiku italian e interpretoi, kështu, si përgjigje (sado të dhimbshme) ndaj dhunës së natyrshme që sollën me vete turmat e shqiptarëve.

Ja, më në fund, një vlerësim i shkurtër i ngjarjeve të atyre ditëve, sipas një raporti të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, dt. 27 janar 1992 [përkthimi është imi, me shkurtime]:

Gjatë ditëve të para të gushtit 1991, mijëra shqiptarë arritën në portin perëndimor të Durrësit dhe në portin jugor të Vlorës, me shpresë që të hipnin në anije dhe të largoheshin drejt Italisë.

Autoritetet shqiptare u orvatën më kot që të mos i lejonin qytetarët e tyre të largoheshin nga vendi, duke i vënë portet nën kontrollin e ushtrisë dhe duke ndalur qarkullimin e trenave të pasagjerëve.

Në 8 gusht 1991, rreth 10,000 qytetarë shqiptarë të hipur në disa anije e çanë bllokadën dhe arritën në portin e Barit në juglindje të Italisë, dhe rreth 1,000 në portin e Otrantos. Gjithashtu, 675 shqiptarë në dy anije të tjera që provuan të zbarkonin pa sukses në Sicili, u devijuan drejt Maltës dhe më pas u kthyen në Shqipëri.

Pas disa orësh pritjeje në portin e Barit, autoritetet italiane i lejuan shqiptarët të zbrisnin nga anijet për arsye humanitare dhe i çuan në stadiumin La Vittoria. Ndërkohë që autoritetet italiane nisën riatdhesim të forcuar me aeroplanë transporti ushtarak dhe tragete, pati përleshje midis policëve italianë dhe shqiptarëve. Shqiptarët u barrikaduan në stadium dhe refuzuan të kthehen në vendin e tyre; rreth 300 prej tyre arritën të arratisen.

Autoritetet italiane u ofruan shqiptarëve 50,000 lireta për kokë (40 dollarë amerikanë) dhe rroba të reja, nëse pranonin të ktheheshin në atdhe. Meqë kjo ofertë nuk i tërhoqi shqiptarët, vazhdoi riatdhesimi i tyre me forcë.

[…]

Gjithë Europa i pa skenat dramatike, në lajmet televizive, që tregonin shqiptarët kur këta dëboheshin prej autoriteteve italiane. Megjithëse riatdhesimi ishte ligjërisht i justifikuar, mënyra si u krye operacioni ishte problematike. Shumica e shqiptarëve, sipas rrëfimeve të tyre, kishin ikur nga atdheu sepse aty ndiheshin “të varrosur për së gjalli”. Ata shpjeguan se, kur ishte hapur fjala se mund të largoheshin nga Shqipëria, hipën me forcë në kamionë dhe pastaj i detyruan ekipazhet e anijeve që t’i çonin në Itali. Kjo ishte një formë e psikozës kolektive. Është e vështirë të përcaktohet nëse kjo psikozë ishte shkaktuar qëllimisht apo jo, edhe pse pati zëra që e konfirmuan këtë.

Deportimi i shqiptarëve nga Italia u shoqërua me probleme dhe, në një numër rastesh, u desh ndërhyrja e policisë. Shqiptarët u shqetësuan veçanërisht kur morën vesh se, megjithë premtimet e autoriteteve italiane për t’i dërguar disa prej tyre në zona të ndryshme në Itali, ata u çuan drejt e në Shqipëri.

Duhet theksuar, megjithatë, se autoritetet italiane u dhanë shqiptarëve ushqim, veshje dhe pak pará.

Megjithëse pati shumë simpati për shqiptarët në Itali, pozicioni zyrtar i qeverisë italiane ishte se këta njerëz po kërkonin të përmirësonin gjendjen e tyre ekonomike në Itali, prandaj nuk mund të konsideroheshin si refugjatë politikë.

Po le ta gëzojnë medaljen se, siç i thonë një fjale, i duruari i fituari.

Nuk ka komente

  1. Duke mos pasur informacionin e nevojshem, mbeta i medyshur nga kritika qe iu be dekorimit te fundit te presidentit.
    Te falenderoj Xha Xhai qe hodhe drite mbi situaten.

  2. Problemi kryesor i trajtimit të emigracionit shqiptar, është kryesisht fakti se me këtë temë vazhdojnë të meren njërez që nuk e dinë se ç’bëhet. Për të kompletuar informacionin po u vendos linkun e një artikulli të publikuar sot te “Shqiptari i Italisë”, që më duket shumë kuptimplotë.

    Pas 18 vjetësh betejash gjyqësore, Luigi Roca (roja i stadiumit të Bari-t) ka fituar, dhe shteti duhet ti japi atij më shumë se 100 mijë euro dëmshpërblim, për ato ditë që ai ngeli i mbyllur në stadium bashkë me shqiptarët. Gjykatësit kanë arritur të krahasojnë kushtet e jetesës së përjetuar gjatë atyre ditëve me ato të “një kampi përqendrimi të sajuar papritur në stadiumin komunal”.

    http://www.shqiptariiitalise.com/component/content/article/34-itali/1600-110-mije-euro-per-ish-rojen-e-stadiumit-te-barit-te-gushtit-1991.html

  3. Me sa duket eshte e nevojeshme nje dallim midis autoritetve lokale te Barit dhe atyre qendrore te Italise. Topi ne fakt nderoi Barin dhe jo Italine:
    Ja se çfare thote Raffaele Nigro qe i ndoqi keto ngjarje nga afer:

    “Atë ditë, “Vlora” më dukej një anije me njerëz në kërkim të revanshit. Njerëz, të cilëve u duhej shtrirë një dorë. Dhe njerëzit ia shtrinë. Ia shtriu kryebashkiaku i Barit, Enrico Dalfino dhe monsinjor Tonino Bello. (Ketu ai harron ekipin e sindikatave bareze qe nje zot dhe une e di se sa shume bene per te ndihmuar emigrantet ato dite, shenim i imi Lyss) Ia shtrinë barezët, në mënyrën që ia kishin shtrirë brindisinët dhe leçezët. Por ministria e Brendshme nuk gjeti gjë më të mirë se të kërkonte të deportonte shqiptarët e “Stadio della Vittoria”, t’i ushqente duke i hedhur panine nga helikopterët, duke përdorur depozita nga lart për t’i larë. Ishte një turp institucional…”

    Ja edhe linku:
    http://www.ikub.al/Mobile/LAJME_CATEGORY/1108080061/Article-Vlora-20-vjet-pas-anijes-me-njerez-qe-donin-revansh.aspx

    1. Nuk ka dyshim që ka pasur funksionarë italianë, mes rrëmujës dhe frikës, që e kanë ruajtur njerëzillëkun dhe ndjenjën e përgjegjësisë. Por ndoshta në këto rrethana nderimin kryebashkiakut të Barit mund t’ia kishte bërë, fare mirë, kryebashkiaku i Durrësit, ose kapiteni i vaporit Vlora. Ose, më e mira e të mirave, që ngjarjet e gushtit 2011 të harroheshin krejt. Kryebashkiaku i Barit mund të ketë shtrirë dorën, por bashkia e tij nuk ishte fare në gjendje të përballonte një fluks njerëzor të hatashëm, i cili përcillte drejt Italisë vuajtje, shpresë dhe maskarallëk (le të mos e harrojmë këtë të fundit). Kryebashkiaku i Barit mund t’ia lejonte vetes, si të thuash, të mbetej njeri në mes të xhunglës, sa kohë që e dinte se ai vetë nuk do të vendoste dot asgjë më dhe se vendimet po merreshin gjetiu. Ky është rol të cilin, bie fjala, Vatikani po e luan prej dekadash.

  4. Rasti eshte interesant edhe pse Topi e futi medaljen ne kutine qe duhej. Kjo me sa duket vjen nga fakti se detaji (veprimi pozitiv i komunes se Barit) e humbi shkelqimin nga permasa e jashtezakoneshme e dhunes qeveritare. Megjithate le te mbetemi realiste e te pranojme se veprimi i autoriteteve qendrore nuk ishte krejt i papritur. Shqiptaret e kishin konsumuar pa meshire kapitalin simpati qe egzistonte per ta gjate zbarkimit te marsit.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin