TELASHE MODERIMI

Dje, gjatë debatit rreth çështjes së ndërrimit të toponimeve, mbërriti në blog komenti i mëposhtëm:

Edhe skuadrave te futbollit ua ndryshuan emrat por jo te gjitha me duket se e pranuan dhe e mbajten emrin e ri. Edhe ne kete rast, mendoj se ca emra do ngjisin e ca te tjere jo.

P.sh. personalisht do ja ndryshoja emrin Kosoves por ne asnjerin nga keto versionet qe u dhane ketu – pra as Dardaní e as Dardhní.

Ah, po te ishte se do zgjidhnin e do ja vinin p.sh. Dredhní – atehere po qe ndryshon puna, se emer me t’bukur s’ka ku gjen Kosova. Do kisha bere edhe vete letra fallco, vetem e vetem per tu quajtur edhe une dredhnak; ose imagjinoj veten se me sa kenaqsi do thoja: vij prej Dredhnís.

Por nuk e di se sa do ia degjojne fjalen popullit se ka shume mundesi qe te bejne sic bejne gjithmojne qe marrin vendime pa na pyetur fare.

Autorin po e lë anonim.

Në fillim e miratova komentin, pastaj e çmiratova dhe, më në fund, e kalova në koshin e mbeturinave.

Arsyeja pse e bëra këtë, ishte paragrafi për emrin e fantazuar për Kosovën: Dredhní.

Unë nuk e di se çfarë ka pasur parasysh autori me atë emër; por emri vetë u shoqërohet ideve të pakëndshme.

Nuk e di as ç’e shtyn autorin të thotë se Dredhní, si emër, do të ishte më i bukuri për Kosovën.

Janë mendime enigmatike, që mund të interpretohen në mënyra të ndryshme.

Vendosa ta heq këtë koment, ngaqë dyshova se mos emri Dredhní do të idhnonte ndokënd. Jo doemos kosovar; por njerëz që nuk i kapërdijnë lehtë këto shaka, ose provokime, ose thjesht përpjekje për të trazuar ujërat.

Në të vërtetë, unë zakonisht nuk dua t’ia di, nëse diçka që thuhet këtu, mund të lëndojë kënd (përtej fyerjeve banale). Madje jam i mendimit se, po nuk u lëndua kush, jam duke shkruar kot dhe më mirë të merrem me ndonjë punë tjetër.

Arsyeja që nuk e lashë të kalonte komentin nuk kishte, pra, natyrë etike; tek e fundit, autori jam i sigurt se do t’u dilte zot fjalëve të veta, në rast se do ta kritikonin.

Prandaj çfarë më detyroi të censuroja ishte tjetër: nëse një komentues tjetër vendoste t’i përgjigjej autorit, për t’i shpjeguar se është e pahijshme të tallesh me Kosovën, duke e quajtur – qoftë edhe hipotetikisht – Dredhní, dhe nëse autori do t’i përgjigjej këtij, atëherë debati do të zhvendosej, nga çështja e ndërrimit të toponimeve, në një çështje tjetër, që nuk kishte lidhje me temën.

Censura ime, me këtë rast, duhej interpretuar si teknike.

Mbështetet në supozimin tim, stereotipizues, se shqiptarët në përgjithësi dhe lexuesit e këtij blogu në veçanti janë të ndjeshëm, kur dikush bën lojëra të tilla.

Edhe pse unë vetë nuk isha i sigurt se çfarë po kërkonte të arrinte Anonimi me atë koment, ia lejova vetes të drejtën të mendoja me mendjen e të tretëve imagjinarë.

Vërtet nuk censurova përmbajtjen, por vetëm ngaqë desha të ruaj koherencën e debatit; edhe pse koherenca e debatit, në rrethanat konkrete, kërcënohej nga diçka që ishte thënë pa vend (mund të ishte thënë pa vend).

Pra censura ime ishte teknike, por ajo mbështetej mbi projeksionin, në mendjen time, të mendjes hipotetike të një të treti të stereotipizuar, i cili u hidhka përpjetë kur kujton se po ia cekin sadopak atdhetarinë.

Në dukje vetëm sa e respektova këtë lexues imagjinar, edhe pse kurrë nuk ia kam miratuar mënyrën si e merr veten kaq seriozisht. Në thelb, megjithatë, e lashë veten të kushtëzohesha nga huqet e një lexuesi, me të cilin përndryshe nuk identifikohem.

Veprova me logjikën e shërbimit të klientit, në një log ku nuk shitet as blihet asgjë, dhe ku mendimi dhe sfidat priten të ushqejnë njëra-tjetrën.

Të moderosh nuk është e lehtë. Meqë herë pas here marr pjesë vetë, me kënaqësi, në debatet, dua që këto të përmbushin kritere cilësore të pranueshme (për mua). Prandaj edhe ndërhyj, ndonjëherë me mënyra që dikujt mund t’i duken arbitrare ose të padrejta.

Gjithsesi, nëse është apo jo shijekeq komenti i anonimit, në lidhje me emrin e bukur Dredhní për Kosovën, mund ta debatojmë në vijim.

Nuk ka komente

  1. Përgëzime për kreativitetin komentuesit. Do të ishte me gjithë mend gjynah që ky koment të mos dilte në sipërfaqe, sinqerisht.

    Moderimi është gjë e vështirë… veç kush e ka provuar e di… Synimi i moderatorit është i ndryshëm prej komentuesit. Nëse do më lejohej një sugjerim, do thosha psh, Xhaxha, t’i lejonit mustaqedredhurit sedërmadhit të përfytyruar kombëtarist, ta shkrehte vetëm një herë koburen virtuale mbi komentuesin në fjalë… dmth t’i lejonit veç një replikë. Koment, reagim e kaq.

    Ose mund të hapnit një adresë tjetër interneti, në të cilën të depozitoheshin këto mbetje jashtë teme, por asesi jo mbeturina.

  2. Nqs do te ishte e mundur te hap nje diskutim te ri duke u nisur nga nje koment i shkrimit te meparshem, mbi toponimet, atehere do te kisha zgjedhur ate te Q Arnaut ku thuhet se Corovoda e ka mare emrin e saj gjate sundimit bullgar. Me duket se ky eshte sot per sot edhe mendimi i autoriteteve te historise ne Shqiperi per te gjitha toponimet sllave ne jug dhe ne veri. Ato jane perfituar gjate pushtimit bullgar ne shek e Xte ose me vone

  3. Pse o J. per karagjozlleqe te tilla u duhet vene uji ne zjarr sipas teje?

    Enj, sundimi bullgar ka ndikuar ne ndonje qytet e qendra strategjike, sidomos gjate periudhes se fundit te shtetit te pare bullgar, nen Samuelin i cili e kishte qendren ne Oher keshtu qe rrjedhimisht ka pasur bullgarizim te fuqishem.
    Po njesoj kur serbet ne fillim te shek 13 pushtuan Kosoven per here te pare dhe e vune qendren aty, pati nje serbizim te fuqishem te rajonit.

    ‘Favori’, ne mund ta quajme keshtu, i trojeve te ngelura shqiptare, ishte se nuk pati asnje ‘Sklavinia’, as ne Kosove, as ne Shqiperi, as ne Cameri.

    Sklavinia quheshin nga bizantinet entitetet parashteterore sllave, ne pergjithesi dominimi i nje rajoni nga 1 tribu e fuqishme sllave ose disa tribu te federuara.
    Ka pasur nje Sklavinia pergjate Vardarit ne Maqedoni dhe nje tjeter ne Peloponez,nje ne Bullgarine veriore e ca ne Dalmato-Panoni po asnje Sklavinia ne trojet e ngelura shqiptare.

    Sklaviniat bullgare ne fakt u bashkuan nen nje shtet fale turqve bullgare dhe qysh atehere sllavo-bullgaret flasin per 3 rajone te Bullgarise, Mezia,Trakia dhe Maqedonia.

    Mungesa e sklavinive ne trojet e ngelura shqiptare ka qene kyç ne mbijetesen tone, sepse sklavinite ishin qendra politike nga ku rrezatohej fuqia asimiluese ndaj vendasve te trembur e te lodhur nga 3 shekuj invazione e shkaterrime.
    Sklavinite ofronin garanci politike per banore te mesuar prej kohesh me idene e shtetit dhe qe kishin braktisur strukturen fisnore e cila eshte shume efiçente ne aspektin identitar dhe ne ndjenjen e sigurise, ndersa bashkesite fshatare kane shume pak efiçence ne kete drejtim.

    Ta zeme 10 fshatra te cilat jane nje gjak, pra te nje fisi dhe s’ka asnje te huaj, jane shume me te forta se 100 fshatra te perzier, me 10 fise secila.

    Sklavinite ne shkalle te gjere ishin pikerisht si keto 10 fshatrat, nderkaq territoret jo nen sklavini ishin te perziera, bashke me shqiptaret jetonin edhe lloj-lloj kuç e maçesh, mbetje te fiseve gjermanike, hune,avare,sllave e latine.

    Fati yne, ne mund te quhet keshtu nje rreze drite mes erresires, ishte ekzistenca e nje diçkaje te ngjashme me sklavinite ne luginen e lumit Mat, pra te nje strukture fisnore parashteterore.
    Kjo normalisht e rrezatonte fuqine e vet,jo vetem sa te perballonte me sukses çdo infiltrim te grupeve te vogla sllave, por edhe me vone te sherbente si model organizimi per bashkesite fshatare, dmth mbi bazen e gjakut e jo te territorit.

    Sllavet duke qene thjesht te infiltruar,numerikisht pak e pa pretendime politike, shiko toka te lira e punoi, me siguri u perzien me shqiptare, latine e kuç e maçe, ne formatin e bashkesive fshatare mbi baze territori.

    Po te kishin formuar ndonje sklavinia ne Shqiperi, Kosove a Cameri me siguri do kishin asimiluar gjithe popullsite e pranishme.

    Problemi i asaj periudhe ishte mungesa e struktures fisnore ne popullsite e Romes e Bizantit, kush e pati u be dominant,avaret e bullgaret e veri te Ballkanit, sllavet me sklavinite e tyre dhe shqiptaret ne luginen e Matit.

    Rrjedhimisht edhe toponimet jane me te dendura sllave aty ku s’ka pasur strukture fisnore shqiptare dhe pothuaj inekzistente aty ku ka pasur strukture fisnore shqiptare, sepse eshte identiteti i fisit ai qe ofron edhe emrat e vendbanimit te fisit, pasi nese nje fis popullon 10 a 20 fshatra nuk eshte logjike qe ti vere emer te huaj, perndryshe ne fshatrat mix, emertimi vihet nga grupi qe ka mbeshtetje shteterore, pa harruar qe rekrutimi ushtarak e ben nje fshat edhe pastertisht shqiptar te marre emer te huaj, si psh nen Romen apo ne Bullgarine, por edhe nen Bizantin e Turkun, sidomos kur shperblimi per kryerjen e ushtrise eshte ne toka bujqesore, pra edhe ne formimin e fshatrave te reja.

    1. Hyllin, kjo bashkesia e toponimeve sllave eshte nje nga perberesit kryesore te çeshtjes akoma te pasqaruar mire te etnogjenezes se shqiptareve ndaj edhe pervecse interesante eshte ne te njejten kohe teme delikate dhe e veshtire ndaj kuptohet qe nuk do e zgjidhim ketu, por mund ta diskutojme dhe te qartesohemi aq sa te mundemi.
      Ju shkruani se I shihni arberit ne fillimet e tyre me nje berthame te forte ne Mat e rrethina dhe ne te njejten kone kane ndare pjesen e mbetur te tokave shqiptare sot, me popullsi te tjera. Me latine dhe sllave kryesisht por edhe greke ndoshta. Deri ketu 100% dakort.
      Ndersa per kohen e vendosjes se toponimeve dhe te popullsive sllave besoj se jane te shek. VII – VIII. Deshmite e kesaj kohe megjithese perqendrohen sidomos tek zonat me te aferta te Selanikut dhe Konstandinopojes, flasin edhe per nje « permbytje » sllave te Epirit.
      Mund te perfitohet nje ide ne kete harte te shek VII.
      http://en.wikipedia.org/wiki/File:Slavic_tribes_in_the_Balkans.png

      Nga njera ane jane po te njejtet sllave qe do te quhen me vone ne shek. IX, bullgare, ndaj edhe teoria e origjines bullgare te toponimeve nuk eshte edhe aq e gabuar, vecse periudha nuk mund te jete ajo e Car Simeonit, i cili e ka sundur Shqiperine vetem 20 vjet. Pas vdekjes se Simeonit zona ka rene serisht nen dominimin bizantim nqs nuk gabohem

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin