VARGJE ME LESH

Shqipëria është laborator i hatashëm, edhe përsa i përket mediave. Kohë më parë në universin mediatik shqiptar u shfaq një dukuri e pazakontë. Botimi i njëkohshëm i të njëjtit shkrim në dy media. Tani duket sikur u rrallua, ndoshta u zhduk. Kohët e fundit po fillon të përdoret vargu. Si ta interpretojmë? Si meteorit, apo dukuri të qëndrueshme? Si ndërthurje e qëndrueshme me mediume të tjera moderne, apo shartim i rastit?

Po marr si shembull gazetën “Shekulli”, që gjatë ditëve të fundit, siç e nënvizoi edhe XhaXai po i jep gjithnjë e më shumë hapësirë poetit satirik Arben Duka. Sa për ta dhënë idenë, jo për t’ia analizuar tekstin vjershës, po jap disa strofa nga poema e fundit “Rritje leshi”:

Ekonominë rrite,

Po dot s’i merr lulet,

Niveli i jetesës

Këtu vetëm ulet!

Kemi rritje leshi,

Dhe ti e kupton,

Rritja me nivelin

Rriten në proporcion!

Ndaj për këtë punë,

Dot nuk i merr lulet,

Se tyja të ngrihet

Po neve na ulet!

Siç shihet nga referimet e dykuptimshme, vargjet janë humoristike, në kufi të së lejueshmes, por gjithsesi brenda aktualitetit, sepse kanë si objekt një nga temat e ditës. Si risi eksperimentale nuk është e keqe. Por vendin ama, e ka ku duhet?

Normalisht, vendi i vargjeve të Dukës nuk duhet të ishte tek opinionet. Vargje të tilla rrinë më mirë tek një rubrikë javore me karakter letraro-humoristik. Tek rubrika e mendimit vetëm sa ngatërrojnë kodin e lexuesit, i cili pret të shohë diçka tjetër, gjithsesi jo në trajtën e komikes. Nga ky konfuzion, sipas gjasës, nuk dalin mirë opinionistët e tjerë, të cilët perceptohen sikur të ishin në një klub saharoshësh. Njëri flet me rimë, tjetri lirisht: para me fërnet.

Vargu nuk ka nevojë për mbrojtje. E mbron një traditë e pasur në letrat shqipe. Por vendi që i jepet ka nevojë për avokat të fortë. Dikur në Shqipërinë totalitare, pa nuanca politike, vargje të tilla e kishin vendin tek Hosteni. Nëpër botë, me ndonjë përjashtim të mundshëm, vargjet humoristike e gjejnë hapësirën në rubrikat javore tematike. Frymëzime të tilla përmblidhen zakonisht nga organe të posaçme, ose shtojca, gjithsesi rrallë herë e gjejnë veten tek opinionet e të përditshmeve.

Vargjet e botuara nga “Shekulli”, nuk e mohoj, kanë efektshmërinë e vet. Mjafton t’i shikojmë komentet që i bëjnë lexuesit. Mirëpo, kam përshtypjen sikur e ulin nivelin e debatit, në nivelin e pijetores. Nuk kam asgjë kundër gazetës “Shekulli”, as kundër poetit Duka, përkundrazi më duket simpatik në ato që shkruan, por ka mundësi që karakteri folkloriko-humoristik i vargjeve të tij t’i japë autorit një profil prej klouni, me gjithë komplikacionet e detyrueshme në kësi rastesh. Në fakt, siç dihet, klouni vetëm sa e thumbon rendin ekzistues, nuk e vë në pikëpyetje, vetëm sa e gudulis, nuk e godet. Por ky më duket më shumë problem i “Shekullit” se sa i Dukës vetë.

Nga ana tjetër, vetë kritika e shprehur me rimë sikur e humb peshën e zakonshme. Sikur e kthen në lojë për të kaluar kohën, si një përpjekje në vetvete për të gjetur rimën më efikase e batutën më pikante. Forma sikur errëson përmbajtjen. Komikja sikur zbeh seriozen. Vargjet “satirike” në gazetë nuk mëtojnë të arsyetojnë, vetëm afishojnë një mendim të caktuar, të diskutueshëm njëlloj si ai i pushtetarit që i drejtohet, por me tallje. Me siguri proza satirike do të rrinte më hijshëm e do të ishte më fshikulluese.

Qofsha i gabuar, por përshtypja ime është se disa gazeta në Shqipëri kanë kritere që shkojnë përtej zhanreve ose gazetarisë vetë. Kryesori ndoshta mbetet ai politik. Sita nga ku kalojnë shkrimet për botim, hiq anën politike, e ka rrjetën o të çarë, o me vrima të gjera. P.sh. po shtohen dita ditës shkrime që kopjohen në internet lart e poshtë. Madje pashë së fundi që merren edhe nga faqet e “facebook”-ut. Pavarësisht nga niveli i shkrimeve, nuk më duket normale që gazetat e madha të marrin shkrime nga interneti, aq më shumë nga faqe që nuk vijnë nga bota e analizës serioze. Gjithsesi, nuk duhet të jetë si rregull. E kundërta po, edhe mundet.

Vargjet nga ku u nisëm, tregojnë gjithashtu se gazetat shqiptare e kanë gjithnjë e më të vështirë ta krijojnë profilin e vet kulturor e gazetar. Nuk flas për tiparet politike, por për tiparet kulturore, që mbeten gjithsesi dytësore, edhe pse janë më të gjera. Në rast se i keni ndjekur në kohë mediat e shkruara, do të keni vënë re një lloj paqëndrueshmërie të editorialistëve, që në fakt i japin tonin gazetës. E njëjta lëngshmëri vihet re tek gazetarët, gjithnjë të ndryshëm, gjithnjë të lëvizshëm. Pa pritur pa kujtuar, në rubrikën e opinioneve e të analizave shfaqen të porsadiplomuar, afishues në facebook, maniakë të komenteve, studentë, grafomanë, doktorë, politikanë, profesorë, shoqatistë, gossipaxhinj, e kështu me radhë. I bashkon vetëm ideali i llogores, përndryshe kalojnë pa doganë. Tani janë shtuar pa masë edhe prurjet nga yllësia internetiane, të cilat sjellin edhe karakteristikat e asaj bote, që jo gjithnjë i shkojnë për shtat shtypit tradicional. Kundërshtitë janë të dukshme e të shumta.

A thua po bëhen provat teknike për gazetarinë postmoderne?

Nuk ka komente

  1. “Shqipëria është laborator i hatashëm, edhe përsa i përket mediave. Kohë më parë në universin mediatik shqiptar u shfaq një dukuri e pazakontë. Botimi i njëkohshëm i të njëjtit shkrim në dy media. Tani duket sikur u rrallua, ndoshta u zhduk. Kohët e fundit po fillon të përdoret vargu. Si ta interpretojmë? Si meteorit, apo dukuri të qëndrueshme? Si ndërthurje e qëndrueshme me mediume të tjera moderne, apo shartim i rastit?”

    Jo, si nevoje per mbushje faqesh.

    Pastaj ku eshte e reja ketu nga pjesa tjeter e shoqerise? Ti ben blog, edhe une sa e shoh bej timin. (Une vete nuk kam, po Hyllini me sa kam pare ka nje)
    Ti hap nje lokal-pse une do fle gjume? Ti hap gazete-po kur u bere ti, pse une mos ta hap? Na 25 cope. Nga ketej edhe pasoja-bie puna, bien shitjet. Material po nuk ka, pastaj keto gjera dihen, se kane dale ne Tv. Kam nje pyetje: cilin quani ju Lajm? Ate informacion qe lidhet me vendimmarrjen dhe ka pasoja? Buxheti p.sh dhe shperndarja e investimeve. E ku ben ai si lajm, perderisa nuk ka adrese kur e boton? Ka dy sy te zgjuar, disa veshe, po veshe ama, qe e kapin dhe kaq. Lajm eshte thashethemi, sepse kete pertyp dhe kerkon morali i kesaj shoqerie. Ministra qe vjedhin? Po ku eshte e reja ketu? Ministra qe kapen duke folur per vjedhjen-Po- ketu me dil ti bie atij legenit.
    Madje, me kete rast mund te them se me te kaluar gjyqin (gjyqtaret i kontrollon Berisha), Meta mund te beje nje video tjeter vete dhe ta shperndaje. Kesaj radhe me ndonje afere centralesh atomike. Do thone: ore ky po qe ja luan fene. Hopa, 250 mije vota. Thuaj pastaj qe shtypi nuk kupton sesa te djallezuar jane keta. Ndaj edhe videon e pare e dha vetem Topi; ta jepnin te gjithe do kish marre me shume vota ai. Heshten dhe e izoluan.
    Me fal zoteri se nuk njihemi, te te pyes: cfare ke me te sapodiplomuarit dhe internetistat? Si ta thithim trurin qe na iku (asnjehere nuk thone iku mendja); ja pra nje mundesi eshte hapesira mediatike ku rioshi fringo nga universiteti Breivik – me perendimor se kurre – do kepuse nja dy filozofira qe te hapin syte dhe keta shqipot qe e kane mendjen te Enveri akoma. Meqe ra fjala, pse e percmon ti rubriken e Byrose Politike qe ka 20 vjet qe nuk shteron? Apo se armata e pleqve qe coc dine perhere per ate kohe nuk mbaron dhe eshte e gatshme te flase? Natyrisht per kete gje. Por edhe pse lajme ka ku ka njerez te veprimit, qe po thane: ore rri mire se “kemi qafa shume Bidooo”, e bejne. Perndryshe, rrofte Vasillaq Vangjeli. Lajmet serioze i lexon te gazetat sportive.

  2. Nuk e njoh fare kete Duken, aq me pak si “poet”, por me keto qe shoh, as bejtexhi nuk do ta quaja. “Rimues?” Po edhe ky po me duket shume per nivelin kulturor e intelektual qe shpalosin “vargjet” e tij.

    Media ne Shqiperi ngjan sikur ka rene ne duart e dallkaukeve dhe injoranteve, qe megjithate kane aq sens biznesi sa te dine se duhet te mbajne prane edhe disa intelektuale te vertete, si dekor gjithsesi te pamjaftueshem te mbuloje nivelin e tyre qe as medioker nuk te vjen ta quash.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin