ADL-ja NË TIRANË

Alfred Çako analizon sot në “Panorama” rreshtimin e forcave në fushëbetejën e ardhshme për Presidentin e Republikës Shqiptare (Beteja për Pallatin e Brigadave).

Duke pasur parasysh se si ia ka katandisur partitokracia kompetencat Presidentit të Republikës sot, artikulli ka më shumë interes për analizën e forcave në terren, sesa për parashikimin e rezultatit të ndeshjes “miqësore” që po afrohet.

Ndër të tjera, më tërhoqi vëmendjen, në artikull, mënyra si e trajton autori ndikimin e fuqive të huaja në politikën e Tiranës.

Duke folur për “ndërkombëtarët” Çakoja thotë:

Këta të fundit duket se përbëhen nga tre vektorë në Tiranë: 1) Aleanca Londër-Washington-jahudinjtë e Anti Defamation League; 2) Aleanca politike e Brukselit të krishterë, katoliko-protestant të çapërlyer midis grupit të ithtarëve të qenies së Europës Perëndimore si lokomotivë në Ballkan, dhe grupit të përmbaruesve të ekonomive të tyre, ku hyjnë kryesisht të antikrishterët ‘europianë’ apo thënë ndryshe bankierët e bosët e tregjeve financiare monetare europiane a të letrave me vlerë; 3) me një profil pak të ndryshëm me vektorin e dytë, hyn pjesërisht edhe Vatikani e ambasadat e vendeve posaçërisht katolike në Tiranë.

Le t’i analizojmë edhe ne këta “vektorë”, duke u mbështetur në formulimet e autorit.

Së pari, nga “jahudinjtë” e Anti-Defamation League, të cilët qenkan në aleancë me Londrën dhe Washington-in. Ma do mendja se, me “jahudinj” Çakoja ka parasysh hebrenjtë ose çifutët – popull vetvetiu i vështirë për t’u emërtuar, për shkak të nuancave politikisht jokorrekte që mund të ketë fjala që përdor dhe që ti ndoshta nuk i ke ditur.

Më e vështirë është të marrësh vesh se ç’bën në këtë aleancë diplomatike e mirënjohura Anti-Defamation League, një OJQ ndërkombëtare e bazuar në ShBA, e cila lufton kryesisht anti-semitizmin, por edhe mbron të drejtat civile anembanë botës.

Që ADL-ja të ketë në gjirin e vet kryesisht hebrenj (ose “jahudinj”), kjo nuk është e zorshme për t’u kuptuar; por se ç’punë ka ADL-ja dhe hebrenjtë përkatës në aleancën Londër-Washington, si vektor të ndikimit ndërkombëtar në punët shqiptare këtë unë s’e kuptoj mirë.

Zakonisht, ADL-ja dhe Shqipëria përmenden në të njëjtin kontekst kur vjen fjala për historitë e njohura të hebrenjve që shpëtuan shqiptarët gjatë Luftës II Botërore; përndryshe shenja të anti-semitizmit në Shqipëri nuk ka, kryesisht ngaqë edhe vetë “semitët” mungojnë (sot numërohen 150 hebrenj rezidentë në Shqipëri, të cilët tashmë kanë edhe rabinin e tyre, të cilin jo të gjithë e kanë pranuar me entuziazëm).

Pikëpamjet e veta “të forta” për Izraelin, “jahudinjtë” dhe ndikimin e lobit hebraik në politikën e jashtme amerikane autori Çako i ka shpjeguar më mirë në një artikull të mëparshëm, botuar përsëri te “Panorama” (Izraeli, Vatikani dhe Tirana zyrtare). Duke lexuar këtë artikull, të krijohet përshtypja se me Anti-Defamation League ai ka parasysh më shumë lobin hebraik në ShBA si dhe mbrojtësit e përkrahësit e interesave të Izraelit në kongresin amerikan dhe në administratë.

Në vektorin e dytë, Çako fut eurokratët e Brukselit, një grup që përfshin edhe “të antikrishterët europianë,” siç i quan ai, ose “bankierët dhe bosët e tregjeve financiare europiane a të letrave me vlerë.” Ç’të jenë këta të antikrishterë europianë? Vështirë ta thuash, edhe pse mendja të shkon te frankmasonët dhe bosët e kapitalit financiar (Bilderberg-ët etj.), kontrolli i të cilëve ndaj zhvillimeve politike dhe ekonomike anembanë botës është po aq objekt teorish konspirative sa edhe roli i lobeve hebraike në këto zhvillime.

Këtë interpretim e përforcon edhe përbërja e grupit të tretë, nga përfaqësues të interesave të Vatikanit dhe të vendeve posaçërisht katolike në Tiranë. Në artikullin e lartcituar (atë për Izraelin, Vatikanin dhe Tiranën zyrtare), Çakoja gjen një domethënie në pranëvënien e vizitave në Tiranë, muajin që shkoi, të ministrit të jashtëm izraelit Liberman dhe të ministrit të jashtëm të Vatikanit Dominique Mamberti (të cilin ai e quan gabimisht Mambret, ndoshta i ngatërruar nga një lajm i Top Channel-it ku është bërë i njëjti gabim), duke spekuluar se në takimin e Haxhinastos me kolegun e tij nga Vatikani, takim që autori e cilëson si “masonik” (nuk kuptohet mirë pse), është diskutuar edhe për Izraelin.

Tani, për t’u kthyer në interesat e “Anti-Defamation League,” ose më mirë të lobit hebraik dhe të Izraelit në Shqipëri, këto unë do t’i identifikoja si të dyfishta: (1) të sigurohet përkrahja e Shqipërisë në betejat diplomatike për statusin e Palestinës dhe të palestinezëve dhe të Izraelit vetë; dhe (2) të pengohet përhapja e anti-semitizmit në Shqipëri, përkatësisht duke penguar ndikimin ekonomik dhe kulturor të botës arabe dhe të Iranit. Mbetet për t’u parë nëse këto interesa koincidojnë vërtet me ato të amerikanëve dhe të britanikëve, strategjikisht dhe në raport me politikat e tanishme të këtyre dy fuqive.

Çakoja ka meritën që shkruan në shtyp për këto probleme relativisht të rëndësishme, në një kohë që vëmendja e opinionit në Tiranë duket e gozhduar në çikërrimat paszgjedhore dhe humoret e liderëve partitokratikë; edhe pse referencat e tij dhe premisat e arsyetimeve të tij janë jo vetëm politikisht “jokorrekte”, por edhe të peshkuara në ujërat shpesh të turbullta të letërsisë konspirative.

Nuk ka komente

  1. Xh2 shkruan: “të pengohet përhapja e anti-semitizmit në Shqipëri, përkatësisht duke penguar ndikimin ekonomik dhe kulturor të botës arabe dhe të Iranit.” A po sugjeron se ndikimi kulturor nga vendet arabe apo irani jane ekuivalente me anti-semitizem?
    Anti-semitizmi edhe pse i vonet ne mberitjen ne boten arabe apo iran eshte goxha i perhapur, ne pjese te madhe si rezultat i historise gjys shekullore te konfliktit palestino-izraelit, por me duket e tepruar te sugjerohet qe nje ekspozite pikture nga irani, apo nje film egjiptian sjellin anti-semitizem me vete. Perndryshe, edhe ne ShBA ku ADL vepron, nuk do lejoheshin te kishte per shembull festival filmi nga Lindja e Mesme, perkthimet letersie etj, etj.

    1. Në fakt, duket qartë nga çfarë kam shkruar, se unë po përpiqem të arsyetoj nga pozitat e interesave të Izraelit – jo sepse nuk kam punë tjetër, por sepse vetëm ashtu do të kuptojmë më mirë se çfarë vjen të bëjë një ministër i jashtëm i Izraelit në Tiranë.

      Që të arsyetosh nga pozitat e interesave të Izraelit dhe të kuptosh pse qeveria e sotme e Netanyahut ndjek atë politikë që po ndjek, nuk do të thotë ta përshëndesësh atë, as t’i marrësh si të vërteta ose të konfirmuara hipotezat që i nënvendosen asaj politike dhe e motivojnë. Dihet botërisht që Izraeli ndihet ekzistencialisht i kërcënuar nga Irani dhe nga disa vende arabe, sidomos nga ato vende të cilat kanë refuzuar jo vetëm ta njohin si shtet, por edhe të njohin të drejtën e tij për të ekzistuar. Sa e përligjur është kjo, nuk është ky vendi për ta diskutuar; por besoj se për qeverinë e sotme të Izraelit, që ka për ministër të jashtëm Libermanin, një rrezik i tillë është real. Prandaj, nëse Izraeli e ka një politikë të vetën në Ballkan, kuptohet se kjo politikë do të kushtëzohet edhe nga perceptime të tilla; në kuptimin që Izraeli do të ndihet tërthorazi i kërcënuar edhe nga ekspansioni politik, ekonomik dhe kulturor i Iranit ose i Arabisë Saudite në Ballkan dhe veçanërisht në Shqipëri.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin